raporti i DASH

RAPORTI-I-DASH-REAGIME-NE-KOSOVE-BLERTA.mpg_snapshot_00.01-1280x720.jpg
ent ela16:47 | 14/03/2019

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë Philip Kossnet ka reaguar pas raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit për Kosovën. Sipas tij Kosova vazhdon të jetë e rrethuar nga korrupsioni. Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri tha se do të ndërmerren hapa konkrete pas këtij raporti.

Kosova po ngec si pasojë e korrupsionit dhe dhunës ndaj gazetarëve e pakicave ka thënë ambasadori i  SHBA-së në Kosovë Philip Kossnet, duke komentuar raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për Kosovën.

“Një hap përpara i ndërmarrë ishte miratimi i Kodit të rishikuar Penal. Kosova vazhdon të ngecë si pasojë e korrupsionit, sulmeve ndaj gazetarëve, dëbimit të shtetasve të huaj pa proces të rregullt gjyqësor dhe dhunës ndaj pakicave”, ka shkruar Kossnet në Tuitter.

Në raportin e DASH-it për të drejtat e njeriut në botë në vitin 2018, në pjesën për Kosovën përmenden korrupsioni endemik në qeveri, dhuna dhe kërcënimet ndaj gazetarëve dhe sulmet kundër anëtarëve të pakicave etnike ose komuniteteve të tjera të margjinalizuara.

Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri tha se do të ndërmarrin hapa konkret pas këtij raporti.

Raporti thekson edhe rastin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova pais siç thuhet, ata janë kërkuar “nën akuza të paqarta”. Ndërsa përmenden shkarkimi i ministrit të Brendshëm dhe drejtorit të AKI-së nga kryeministri pas këtij rasti.

Sipas kryetarit të Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë Faton Topalli për rastin e dëbimit të shtetasve turq ka pasur shkelje drastike të të drejtave të njeriut.

Faton Topalli, Deputet: “Personalisht mendoj se kjo ka qenë shkelje drastike e të drejtave të njeriut, është shkelë ligji për të huajt, ligji për azil, janë shkelë konventat kryesore për të drejtat ndërkombëtare, janë shkelë procedurat e rregullta tek të cilat ndodhin këto raste. Mendoj që është e dhimbshme për një vend që ka pasur mbi 1 milionë refugjatë para luftës dhe gjatë luftës, t’i trajtojë në këtë mënyrë personat që ndiqen”.

Ditë më parë ambasada e Britanisë dhe ajo e Gjermanisë i kanë dhënë mbështetje deklaratës së SHBA-së, për vërejtjen që ka dhënë shteti amerikan ndaj institucioneve të Kosovës për për dëbimin e 6 shtetasve turq, të njohur si gylenistë, vitin e kaluar. /abcnews.al

482847A1-DCA6-4101-A30E-6A4708A62F4D_w1023_r1_s.jpg
ent ela20:01 | 19/09/2018

Kosova ka lënë pas Shqipërinë në luftën kundër terrorizmit. Raporti vjetor i Departamentit amerikan të Shtetit vlerëson se shteti kosovar, ka kapacitete të mjaftueshme për të arrestuar dhe proceduar penalisht individët e dyshuar për terrorizëm, ndërsa Shqipëria çalon kur bëhet fjalë për sistemin gjyqësor dhe koordinimin mes agjencive ligjzbatuese.

Korrupsioni në agjencitë ligjzbatuese dhe gjyqësori i dobët kanë minuar përpjekjet e Shqipërisë për të goditur terrorizmin në të gjitha nivelet. Kështu thotë raporti i Departamentit amerikan të Shtetit për vitin 2017, ku vlerësohet se Shqipëria ka dështuar në procedimin ligjor të të dyshuarve për terrorizëm. Gjithashtu, dokumenti zyrtar vë në dukje se mungesën e shkëmbimit të informacionit mes agjencive qeveritare dhe dështimin e tyre për t’u koordinuar me njëra-tjetrën. Për të njëjtat aspekte, Departamenti i Shtetit vlerëson sistemin ligjor të Kosovës, i cili sipas raportit është i mjaftueshëm për të ndjekur penalisht individë të dyshuar për kryerjen ose mbështetjen e aktiviteteve terroriste.

Raporti vë në dukje se, gjatë vitit të kaluar autoritetet kosovare vijuan gjykimet dhe hetimet për 51 të dyshuar dhe ngritën aktpadi të reja ndaj 17 personave të tjerë për akuzën e terrorizmit. Sidoqoftë, raporti vjetor vlerëson mbështetjen e fuqishme të Shqipërisë në aleancën globale kundër Shtetit Islamik, si dhe përpjekjet e administratës shqiptare për penalizimin e individëve të lidhur me terrorizmin, bllokimin e transaksioneve për mbështetjen financiare të ekstremizmit të dhunshëm dhe parandalimin e rekrutimeve të reja në organizatat terroriste. Në këtë linjë, për Kosovën thuhet se goditja e terrorizmit po intensifikohet, por situata e sigurisë dhe ajo politike në veri kanë kufizuar kapacitetet e qeverisë për të ushtruar autoritetin në këtë rajon.

Raporti vlerëson aftësinë e treguar nga agjencitë qeveritare në parandalimin e përfshirjes së individëve në konfliktet e armatosura dhe strategjinë e riatdhesimit të qytetarëve. Në dokumentin e Departamentit të Shtetit saktësohet se në tërësi 403 qytetarë kosovarë kanë udhëtuar në Siri dhe Irak për t’u bashkuar me ISIS ose frontin Al Nusra, nga të cilët 74 kanë vdekur në luftime, 133 janë kthyer në vend, ndërsa 196 të tjerë vazhdojnë të jenë të pranishëm në zonat e luftës, përfshirë këtu 40 fëmijë të lindur atje./abcnews.al

Presidenti_Ilir_META-1280x854.jpg
ent ela21:17 | 29/05/2018

Presidenti Ilir Meta ka përshëndetur konstatimet e raportit të Departamentit të Shtetit për liritë fetare në Shqipëri. Duke iu referuar kritikave sa i takon çështjes së kthimit dhe kompensimit të pronave, kreu i shtetit ka vlerësuar se ato pasqyrojnë situatën reale në vend. “Rikthimi i pronave këtyre bashkësive është jo vetëm një detyrim kushtetues por edhe një kontribut i domosdoshëm për rimëkëmbjen e mëtejshme të institucioneve fetare dhe të forcimit të pavarësisë së tyre”, është shprehur Meta në një deklaratë për shtyp. Presidenti i Republikës ka nënvizuar se, ky raport duhet t’u shërbejë institucioneve shtetërore dhe bashkësive fetare të vendit, me qëllim përmirësimin e mëtejshëm të lirive dhe të drejtave të besimit. /abcnews.al

dash.jpg
ent ela17:52 | 29/05/2018

Në raportin vjetor për liritë fetare, Departamenti amerikan i Shtetit ka kritikuar Shqipërinë, për progres të mangët në procesin e kthimit të pronave të komuniteteve fetare dhe për bllokim të programeve të parandalimit të radikalizimit.

Raporti vjetor i Departamentit të Shtetit për liritë fetare ka patur mes të tjerash, dy pika kritike për Shqipërinë. Edhe pse vlerëson tolerancën dhe bashkjetesën fetare në vendin tonë, dokumenti kritikon shtetin shqiptar se nuk ka bërë sa duhet për kthimin dhe kompensimin e pronave të komuniteteve fetare. Raporti nënvizon se Agjencia për Kthimin dhe Kompensimin ka ecur me ritme të ngadalta në këtë proces, edhe pse pretendon se së fundmi ka zgjidhur 423 raste të tilla. Raporti kritikon gjithashtu përpjekjet e vakëta të qeverisë shqiptare për parandalimin e fenomenit të radikalizmit fetar. Edhe pse u përgatitën 29 mësues në 15 shkolla për promovimin e tolerancës, vijon raporti, implementimi i programit arsimor u bllokua në maj dhe e ardhmja e tij nuk është e sigurtë. Megjithatë raporti ka edhe konstatime pozitive për vendin tonë. Në veçanti ai vlerëson faktin që Kushtetuta shqiptare garanton lirinë e besimit dhe përcakton se në vend nuk ka një fe zyrtare. Gjithashtu, merret në konsideratë marrëveshja që qeveria ka me komunitetet fetare, përfshirë këtu myslimanët sunitë, bektashinjtë, katolikët, ortodoksët dhe Vllazërinë Ungjillore, që përfaqëson fenë protestante. Nuk anashkalohet as ligji që detyron qeverinë t’u japë komuniteteve në fjalë mbështetje financiare, me përjashtim të Vllazërisë Ungjillore, e cila nuk përcaktohet për përfitimin e fondeve. Një tjetër vlerësim për vendin tonë është edhe ekzistenca e Këshillit Ndërfetar, një forum ku liderët fetarë të vendit diskutojnë probleme të përbashkëta. Gjatë vitit të kaluar këshilli në fjalë u takua tre herë, ndryshe nga viti parardhës kur nuk zhvilloi asnjë tryezë. /abcnews.al

LUAN-RAMA-PARLAMENT-DASH-1280x720.jpg
ent ela16:20 | 03/05/2018

Gjatë punimeve të parlamentit kryeministri Rama komentoi me ironi deklaratën e deputetit të LSI Luan Rama një dite më parë lidhur me raportin e DASH. Por zv/kryetari i LSI sfidoi me doreheqje shefin e qeverise, duke i treguar dokumenta amerikane.

Teksa opozita demokrate braktiste sallën e seancave plenare pas fjalës së kreut të grupit parlamentar demokrat Edmond Spaho, kryeministri Rama mori fjalën në foltore duke sulmuar opozitën, përfshi atë të majtë LSI e cila ndodhej ende në sallë. Pa kursyer ironinë për partinë me të cilën bashkëqeverisi gjatë mandatit të parë, në qendër të saj vuri ish-ministrin e brendshëm Luan Rama i cili vetëm një ditë më parë kishte komentuar raportin e departamentit amerikan të shtetit për Shqipërinë.

Deputeti Luan Rama, zgjodhi ta sfidojë me gjuhën e dokumenteve zyrtare amerikane.

Kryeministri Rama zgjodhi të mos i përgjigjej sfidës duke u larguar nga punimet e parlamentit pa e marrë më fjalën. Deputeti Luan Rama, si një socialsit i vjetër ftoi kolegun e tij të vjetër që nga themelimi i Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, të tregonte për përkushtimin e tij ndër vite për këtë forcë politike.

Asnjë përgjigje nuk mori as nga kreu i Kuvendit i cili kishte lënë zëvëndësen e tij të drejtonte seancën. /abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono