raport

lulzm-basha.jpg
G. P.22:16 | 05/09/2019

Kryedemokrati Lulzim Basha ka zhvilluar pasditen e sotme një takim me aleatet për aksionin e ri opozitar. Pas takimit, Basha deklaroi se PD ka gati një platformë kombëtare për të nxjerrë vendin nga kriza. Duke mos e përjashtuar skenarin për rikthimin e protestave kombëtare, Basha tha se do të zhvillohen takime me qytetarët në çdo qytet.

“T’i jepet fund pandëshkueshmërisë së politikanëve të lidhur me krimin dhe të mos varrosen ato çështje të rëndësishme ku është evidentuar qartë ajo që pamë më 30 Qershor, siç është çështja 184 dhe 339, por të shkojnë para drejtësisë të gjithë ata që kanë cenuar vullnetin e shqiptarëve sepse është për shkak të tyre që Shqipëria ka ardhur në këtë moment shumë delikat siç konstaton edhe raporti i OSBE/ODIHR. Këto kanë qenë diskutimet tona të cilat i kemi orientuar drejt një produkti të cilat besoj se do ta bëjmë publik në javët e ardhshme.

Opozita është shumë më shumë se sa grup që organizon protesta, është alternativa, është qeverisja e së nesërmes dhe një gjë jua garantoj sikundër dhe më parë. Sapo të kemi datën për protestë do e shpallim, nuk do e mbajmë sekret”, tha Basha./ABC News Albania 24/7

kreu-osbeodhir.jpg
nev ila20:05 | 14/06/2019

OSBE/ODIHR ka nxjerrë një raport paraprak për zgjedhjet e 30 qershorit. Në përshkrimin që i bëjnë situatës, nënvizohet se mjedisi politik mbetet i polarizuar dhe se diskursi politik është dominuar përgjithësisht nga pyetja nëse mund të mbahen zgjedhje pa pjesëmarrjen e partive opozitare kryesore.

Zgjedhjet për kryetarë bashkie dhe anëtarë të këshillave bashkiakë në të gjitha 61 bashkitë po mbahen në kushtet e një ndarjeje të thellë politike mes Partisë Socialiste (PS) në pushtet dhe opozitës ku kjo e fundit është tërhequr nga Parlamenti në muajin shkurt.

Është ky përshkrimi që i bën OSBE/ ODIHR në raportin paraprak për zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Në këtë raport nënvizohet se në 31 bashki, kandidatët e PS-së për kryetarë bashkie garojnë pa kundërshtarë. Kodi Zgjedhor nuk përmban asnjë rregullim specifik për zgjedhje pa kundërshtarë.

Opozita u tërhoq në dhjetor 2018 nga procesi i reformës zgjedhore që rifilloi pas zgjedhjeve parlamentare të 2017-ës thuhet në raportin e OSBE/ODIHR.

Më 10 qershor, Presidenti dekretoi shfuqizimin e dekretit për caktimin e datës së zgjedhjeve. Më 11 qershor, PS-ja inicioi një debat në Parlament në lidhje me vlefshmërinë e dekretit që shfuqizonte dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve dhe shkarkimin e mundshëm të Presidentit.

Mjedisi politik mbetet i polarizuar. Diskursi politik është dominuar përgjithësisht nga pyetja nëse mund të mbahen zgjedhje pa pjesëmarrjen e partive opozitare kryesore. Gjuha e përdorur nga kundërshtarët politikë në mitingje, në mediat sociale dhe në median e shkruar dhe elektronike është shpesh e ndezur dhe e mbushur me akuza dhe kundërakuza./ABC News Albania 24/7

dedja.jpg
G. P.19:52 | 27/05/2019

Zv/ministri i Jashtëm, Sokol Dedja, u shpreh besimplotë këtë të hënë se në raportin e KE-së do të pasqyrohet progresi i Shqipërisë. Ai ishte i ftuar në rubrikën “Mbrëmje ABC” nga Mirela Milori, ku tha se bindja për një vlerësim pozitiv vjen nga arritjet që ka bërë Shqipëria në plotësimin e detyrave të saj.

Sokol Dedja: Bindja mbi një vlerësim pozitiv vjen nga një dialog i vazhdueshëm që kemi me KE, vjen nga arritjet që ka bërë Shqipëria me plotësimin e detyrimeve që kanë të bëjnë me hapjen e negociatave të anëtarësimit. KE e ka bërë vjet një vlerësim mbi arritjet e Shqipërisë në plotësimin e 5 prioriteteve kyçe. Këshilli i Ministrave të Evropës, Këshilli Evropian e mirëpritën atë që edhe ata e quajtën progres të vazhdueshëm të Shqipërisë dhe mbi bazën e këtij vlerësimi përcaktuan rrugën për hapjen e negociatave në Qershorin e këtij viti. Nënvizohet gjithnjë nevoja për progres.

Mirela Milori: Ju jeni besimplotë që është bërë ky progres dhe do të pasqyrohet në raportin e dy ditëve më pas?

Sokol Dedja: Po! Përgjigja e shkurtër është po. Besimplotë që është bërë progresi dhe besimplotë që kjo do çojë në rekomandimin përkatës.

Për sa i përket situatës aktuale politike dhe nëse ajo do pasqyrohet në raportin e KE-së, Dedja tha se Komisioni do të japë vlerësimin e saj pasi funksionimi i dialogut politik është i rëndësishëm në ecurinë e procesit të integrimit.

“Kushtet që lidhen me hapjen e negociatave janë 5 prioritetet për të cilat që vjet u tha që është bërë progres i qëndrueshëm. Vëmendja vjet u veçua te Reforma në Drejtësi. Patjetër komisioni do japë vlerësimin e vet dhe mbi situatën politike dhe mbi dialogun politik, mbi funksionimin e parlamentit.. Funksionimi i dialogut politik është shumë i rëndësishëm në ecurinë e mëtejshme të procesit e integrimit”, tha Dedja.

Mirëpo Evropa i është nënshtruar zgjedhjeve dhe për pasojë pritet të rikonfigurohet Parlamenti Evropian. Dedja e konsideroi këtë atmosferës si të vështirë dhe sfiduese për marrjen e vendimit në lidhje me çeljen e negociatave. Megjithatë sipas tij këto janë faktorë që nuk varen nga Shqipëria./abcnews.al

zgjedhje-osbe.jpg
G. P.12:11 | 18/04/2019

Në një raport të OSBE/ODIHR për vlerësimin e nevojave për zgjedhjet vendore të 30 Qershorit theksohet se në prag të këtij procesi në vend ka një shkallë të lartë të polarizimit dhe mosbesimit midis partive politike dhe politizimi te institucioneve. Kjo sipas raportit, mund të ndikojë negativisht në procesin zgjedhor.

Duke marrë parasysh këto aspekte dhe mungesën e përmbushjes së shumë rekomandimeve të mëparshme,  ODIHR vlerëson se aktiviteti vëzhgues në këto zgjedhje është thelbësor.

OSBE/ODIHR do të kërkojë dërgimin e 22 vëzhguesve afatgjatë dhe 250 vëzhguesve afatshkurtër, për të ndjekur procesin zgjedhor.

“Përfaqësuesit e institucioneve shtetërore njoftuan se do të merren të gjitha masat për të siguruar një proces zgjedhor transparent dhe për të pranuar rekomandime e vëzhguesve të OSBE/ODIHR”, thuhet ne raport.

Raporti vëren si shqetësim serioz edhe faktin se opozita ka refuzuar të emërojë kandidatët e saj në KQZ dhe KZAZ, duke sjellë çekuilibrim politik të tyre. Kjo, sipas raportit, ka ndikuar prej kohësh besueshmërinë e institucioneve të menaxhimit te zgjedhjeve për shkak të perceptimit të politizimit të tyre./abcnews.al

MUELLER-PYETJET-1-1280x720.jpg
G. P.09:23 | 16/04/2019

Departamenti amerikan i Drejtësisë tha se do të publikojë të enjten një version të redaktuar të raportit prej gati 400 faqesh të prokurorit të posaçëm Robert Mueller mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016 për të ndihmuar kandidatin e atëhershëm Donald Trump të fitonte presidencën.

Presidenti Trump tha të hënën se ai tashmë rezulton i pastër nga çdo shkelje e lidhur me zgjedhjet, ndërkohë që ai vetë dhe publiku amerikan presin hollësitë e hetimit 22 mujor të zotit Mueller.

Presidenti tha në Twitter se zoti Mueller dhe Prokurori i Përgjithshëm William Barr, bazuar në gjetjet e hetimit, “kanë përcaktuar tashmë se nuk ka patur bashkëpunim të fshehtë, as pengim të drejtësisë.” Sipas tij, këto krime, janë kryer nga ish-rivalja e tij demokrate Hillary Clinton.

Zoti Mueller hetoi rreth kontakteve të fushatës Trump me Rusinë dhe nëse zoti Trump, si president, pengoi drejtësinë duke u përpjekur të pengonte hetimin.

Në prag të publikimit të raportit, polemikat janë të ashpra.

Para tre javësh, zoti Barr publikoi një përmbledhje prej katër faqesh të gjetjeve të zoti Mueller, duke thënë se prokurori i posaçëm kishte arritur në përfundimin se zoti Trump dhe fushata e tij nuk patën ndonjë bashkëpunim të fshehtë me Rusinë për ta ndihmuar atë të fitonte. Ndërkohë, zoti Barr nuk kishte arritur asnjë përfundim nëse Presidenti Trump kishte penguar drejtësinë. Por meqenëse prokurori i posaçëm Mueller nuk doli me asnjë vendim për çështjen e pengimit të drejtësisë, zoti Barr dhe zëvendësi i tij Rod Rosenstein thanë se nuk kishte vend për akuza për pengim të drejtësisë ndaj zotit Trump.

Zoti Barr, i emëruar nga Presidenti Trump si zyrtari më i lartë i zbatimit të ligjit në vend, tha javën e kaluar se beson që agjencitë amerikane të inteligjencës të kenë spiunuar ndaj fushatës Trump dhe po hapin një hetim për të parë nëse kjo akuzë ka bazë të mjaftueshme.

Sa për raportin e zotit Mueller, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders i tha televizionit Fox News të djelën: “Nuk mendoj se kjo do ta dëmtojë presidentin.”

Kongresmeni Jerrold Nadler, kryetar i Komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve që po shqyrton çështjen e ndërhyrjes ruse në zgjedhje, tha se zoti Barr duhet t’i dorëzojë komisionit të tij raportin e plotë dhe dëshmitë e tjera hetimore në raport, por zoti Barr nuk ka pranuar.

Zoti Barr ka thënë se do të publikojë sa më shumë të jetë e mundur nga raporti Mueller, duke përjashtuar materialet që kanë të bëjnë me dëshmitë sekrete për jurinë dhe burimet konfidenciale të zbulimit që përfshihen aty./VOA

banka-boterore.jpg
G. P.10:50 | 02/04/2019

Banka Botërore vlerëson se situata politike në vend dëmton klimën e biznesit. Banka parashikon një ngadalësim të rritjes ekonomike për vitin 2019.  Banka Botërore vlerëson se këtë vit ekonomia shqiptare do të rritet me 3.8%, në ndryshim me parashikimet e qeverisë e cila pret një rritje në nivelin 4.3%.

Arsyet se përse ekonomia kombëtare po ngadalësohet lidhet me uljen e fuqisë prodhuese të disa sektorëve, kryesisht energjia elektrike, por dhe rënia e investimeve të huaja. Bashkangjitur kësaj panorame, ekonomistët e Bankës Botërore thanë se nëse situata politike vazhdon e tensionuar dhe duke patur parasysh edhe situatën me recesionin në Itali, ajo do të ulë më tej pritshëmritë për rritjen ekonomike.

Banka Botërore shfaqi shqetësim lidhur me detyrimet e prapambetura të krijuara gjatë vitit 2018-ë nga ana e qeverisë, ndërsa i konsideron këto pagesa, bashkë me disa kontrata në partneritet publik – privat se mund të cenojnë konsolidimin fiskal të vendit. Vlerësimi i saj për borxhin publik plus detyrimet është 68.6% e prodhimit kombëtar, ndryshe nga parashikimi i qeverisë se në fund të 2018-s niveli i borxhit është 66.6%.

Ekspertët e Bankës Botërore janë duke punuar me qeverinë për një projekt i cili do të monitorojë kontratat koncesionare dhe do të analizojnë se cila prej tyre është duke funksionuar. Banka kërkoi reforma në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor për përshpejtimin e reformave sidomos në fushën e rritjes së cilësisë së arsimit. Përgjatë këtij viti 6 vendet e rajonit do të kenë rritje ekonomike 3.7%, rritje më e lartë se ekonomia e BE-së, por më e ulët se një vit më parë./abcnews.al

gent-cakaj123-1280x709.jpg
G. P.14:31 | 30/03/2019

Thirri mediat në konferencë shtypi, për të bërë atë që shefi i qeverisë ja quajti kalë beteje kur i la postin e Ministrit të Jashtëm: leximin. Raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit e përktheu paragraf më paragraf për të dhënë shpjegimin e tij.

“Sfida  kryesore është kursimi prej gjykimit të menjëhershëm për kapitullimin historik të Shqipërisë para aktiviteteve të jashtëligjshme dhe në fakt kultivimi i të kuptuarit përmbajtësor të lëvizjeve të Shqipërisë për të vendosur shtetin e së drejtës. Raporti sa identifikim i problemeve është dhe një pasqyrë e një momentumi pozitiv e një Shqipërie që është në zhvillim e sipër”.

Aty ku Departamenti Amerikan i shtetit sheh rritje të sasisë së drogave të rënda të cilat kalojnë transit në Shqipëri, ministri sheh gotën gjysmë plot.

“Numri i konfiskimeve i drogave në kufi dhe këtë e konfirmon i njëjti raport më poshtë ka rritur përshtypjen e shkallës së qarkullimit të drogës për shkak se është forcuar bashkëpunimi ndërkufitar dhe janë forcuar kufizimet për qarkullim ndërkufitar të drogave. Që do të thotë, nuk kemi të bëjmë thjesht me një shtim të sasisë së qarkullimit të narkotikëve në treg, por në fakt në shtim të evidenca që është e barasvlershme me shtimin e luftës ndaj këtij fenomeni për qarkullimin e narkotikëve në treg”.

Nuk kemi thjesht shtim të qarkullimit të narkotikëve por një shtim të evidencave për qarkullimin e narkotikëve në treg. Thotë se nuk do të relativizojë përgjegjësitë e qeverisë.

“Që korrupsioni është ekzistent në Shqipëri, kjo është një e vërtetë e pamohueshme dhe i takon kësaj qeverie ta mbajë pjesën e saj të përgjegjësisë”.

Por shpejt i kthehet krahasimit pikërisht për të zbutur shqetësimet e ngritura në raport.

“Po të lexohet i njëjti raport për vendet e rajonit, shqetësimet janë më të thella sesa për Shqipërinë”.

Për ministrin për Europën dhe punët e jashtme Gent Cakaj raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit nuk ka vend të përdoret në narrative sulmuese për qeverinë, nëse do të merret parasysh përparimi në kohë, krahasuar me vitin 2013, apo nëse pozicioni i Shqipërisë do të matet me parametrat rajonalë./abcnews.al

trump-2-1280x854.jpg
G. P.14:56 | 24/03/2019

Në Shtetet e Bashkuara po pritet me mjaft interes publikimi i raportit të hetuesit të posaçëm Robert Mueller mbi ndërhyrjen e përfolur ruse në zgjedhjet e 2016-s. Mes tyre është edhe presidenti Donald Trump, i cili ndryshe nga herët e tjera ka zgjedhur të heshtë, duke mos bërë asnjë postim në Tëitter në 24 orë.

Liderët e Kongresit në Shtetet e Bashkuara janë në pritje të publikimit të raportit të hetuesit të posaçëm Robert Mueller mbi përfshirjen e përfolur të stafit elektoral të presidentit Donald Trump me Rusinë. Raporti i shumëpritur u pranua të premten nga prokurori i përgjithshëm William Barr, i cili e kaloi ditën e shtunë i mbyllur në zyrën e tij për t’u konsultuar me dokumentin.

Raporti është kulmi i dy vjet hetime të kryera nga zoti Mueller dhe ekipi i tij, por sipas një burimi të Departamentit të Drejtësisë, ai nuk bën thirrje për ngritjen e akuzave të reja ndaj personave të përfshirë. Gjatë hetimit, Mueller dhe bashkëpunëtorët e tij kanë paditur 34 persona, përfshirë 6 ish-bashkëpunëtorë të presidentit Trump, një numër të konsiderueshëm shtetasish rusë, si dhe 3 kompani private.

Sidoqoftë, asnjë nga akuzat nuk lidhej drejtpërdrejtë me dyshimet për mpleksje të stafit të Trump me Moskën, dyshime që janë hedhur gjithmonë poshtë nga kreu i shtetit. Vetë miliarderi i pasurive të patundshme po e pret në heshtje momentin e publikimit të të dhënave.

Në 24 orët e fundit ai nuk ka bërë asnjë postim në Tëitter, një rekord ky duke qenë se mesatarisht presidenti bën deri në 12 postime në ditë. Aktualisht, kreu i shtetit ndodhet në kompleksin e tij në Florida, Mar a Lago, bashkë me përfaqësuesit e tij ligjorë./abcnews.al

raporti-kosoves.jpg
G. P.11:46 | 06/02/2019

Sipas raportit më të fundit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Kosovën, taksa prej 100 për qind e vendosur ndaj produkteve serbe ka rritur ndjeshëm tensionet mes Prishtinës dhe Beogradit.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres në një raport të rregullt për Kosovën ka shprehur shqetësimin lidhur me tensionet në rritje midis Prishtinës dhe Beogradit. Ai i ka kërkuar krerëve të të dyja vendeve që të përmbahen nga lëvizjet që mund të rrezikojnë më tej situatën.

“Tensionet mes Beogradit dhe Prishtinës kanë vazhduar të rriten dhe negativisht ndikojnë në mundësinë e dialogut produktiv”, thuhet mes tjerash në raportin tremujor të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për Kosovën.

Sipas tij, problemi më i madh në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë është taksa prej 100 për qind për produktet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, e vendosur në Nëntor nga autoritetet e Kosovës.

Raporti i ri i OKB-së mbi Kosovën i është dorëzuar ambasadorëve të shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit në një kohë kur ende nuk dihet nëse Kosova do të jetë në rendin e ditës së mbajtjes së sesionit të veçantë për Kosovën, për shkak të kundërshtisë që ka ardhur nga vendet perëndimore./abcnews.al

legtjislacioni.jpg
G. P.16:08 | 07/12/2018

 “Raporti i miratuar gjatë mbledhjes së përbashkët të komisionit të ligjeve dhe këshillit të legjislacionit që i përcillet seancës plenare, do i kërkojë kësaj të fundit rrëzimin e propozimit të opozitës për Vettingun në politikë”.

“Debatet nuk sollën asnjë ndryshim në qëndriumin mes palëve, nëse i tillë nuk quhet propozimi i demokratëve për miratim në parim dhe ndryshim në tekst në shqyrtimin nen per nen”.

Oerd Bylykbashi: “Ajo që thotë Komisioni i Venecias, Vettingu ka qëllim legjitim. Shqipëria ka një problem të madh. Marrëdhënia e krimit me politikën është në nivele më të larta. Pra vetë Komisioni i Venecias konstaton situatën specifike në Shqipëri me lidhjen mes krimit dhe politikës. Çdo gjë tjetër është teknikalitet dhe i zgjidhshëm. Është qëndrimi i mazhorancës, nuk e ka dashur Vettingun e politikanëve me krimin që në momentin e parë që e kemi propozuar dhe sot ende pa dalë raporti përfundimtar i Komisionit të Venecias këndoi qëndrimin zyrtar për të vazhduar të mbajë këtë raport. Propozimi ynë është shumë i thjeshtë ju bëjmë ofertë që të miratojmë tekstin nëse është i nevojshëm nen për nen që t’i hapim rrugën që një ligj garantis t për të drejtat të mos garantoj ëvazhdimësinë e krimineëve dhe politikanëve të lidhur me taKështu bëjmë çfarë thotë Venecia: të vazhdojmë dialogun konstruktiv dhe ftesa është për ju”.

Por, si ndodh shpesh herë, atë çka Venecia tha për propozimin e opozitës, palët e lexojnë ndryshe.

Ulsi Manja: “A thua se jemi mbledhur në pazar këtu dhe po të duam ne dy palët këtu fusim në Kushtetutë njëherë fjalën kontakt, njëherë fjalën kontakt të papërshtatshëm, por procesi i rregullt ligjor nuk ka rëndësi për opozitën. Rëndësi ka objektivi, qëllimi legjitim. Projektamendamendet kushtetuese të propozuara nga opozita shënojnë kufizimin e një të drejte të garantuar në Kushtetutë siç është e drejta për t’u zgjedhur dhe për t’u ofruar në shërbimin publik. Shqipëria ka kuadrin e plotë kushtetues dhe ligjor për t’ia adresuar këto probleme dhe shqetësime që ka opozita. Nisma në vetvete synon asgjesimin e nenit 1 të pikës 3 të Kushtetutës”.

Bazuar në rregullorën e Kuvendit, seanca plenare për votimin e amendamenteve kushtetuese thirret jo më parë se dy javë dhe jo më vonë se tre javë nga paraqitja e raportit, gjë që lë të mendohet se ky raport i votuar në Këshill pritet të përfshihet në rendin e ditës së seancës plenare të 20 Dhjetorit./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono