Ramush Haradinaj

seanca-solemne.jpg
G. P.14:04 | 17/02/2019

Në seancën solemne të mbajtur me këtë rast në Kuvend, kryeministri Haradinaj përsëriti gatishmërinë për një marrëveshje me Serbinë, por pa prekur kufijtë. Ndërsa kryeparlamentari Kadri Veseli ftoi liderët e vendit që të përmbahen nga vendimmarrjet individuale.

Kuvendi i Kosovës ka mbajtur të dielën një seancë solemne me rastin e 11-vjetorit të Pavarësisë, ku të pranishëm kanë qenë edhe zyrtarë e diplomatë të huaj, të njohur për kontributin e tyre për Kosovën.

Në fjalën e tij, krahas falenderimeve, kryeministri Ramush Haradinaj është zotuar se do të punojë për konsolidimin e shtetit të Kosovës dhe për realizimin e ambicieve të saj europiane.

Haradinaj është ndalur edhe tek rëndësia që kanë marrëdhëniet ndërfqinjësore, duke shprehur gatishmërinë e kabinetit të tij për një marrëveshje me Serbinë, pa prekur kufijtë.

Ramush Haradinaj: “Jemi të interesuar për një marrëveshje tanimë të quajtur obligative e ligjore, për njohje reciproke me Serbinë në kufijtë ekzistues dhe anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe BE. Faleminderit të gjithë aleatëve”.

Ndërsa kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli në fjalën e tij ka deklaruar se pavarësia e Kosovës është një realitet që u arrit pas shumë përpjekjesh, sakrificash e vuajtjesh. Duke vlerësuar rëndësinë e marrëdhënieve me aleatët, Veseli ka përsëritur ndonëse në mënyrë indirekte apelin për pezullimin e taksës me Serbinë.

Kadri Veseli: “Vendimmarrja e shtetit nuk duhet të jetë individuale. Duhet të vëmë në peshore interesat strategjike të shtetit tonë përballë Serbisë dhe atyre që na rrethojnë, Rusisë në njërën anë dhe SHBA e BE në anën tjetër. Me këto të fundit përkrah Kosova është më e sigurtë”.

Veseli ka falenderuar vendet perëndimore që kanë njohur Kosovën, e cila sot sipas tij sot ka nevojë të fokusohet tek sundimi i shtetit ligjor, lufta kuundër korrupsionit dhe krimit të organizuar./abcnews.al

homazhe.jpg
G. P.11:30 | 17/02/2019

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj bënë sot homazhe në kompleksin përkujtimor të Adem Jasharit, me rastin e 11-vjetorit të pavarësisë.

Krerët e shtetit kanë vendosur buqeta me lule tek varri i ish-komandantit legjendar të UÇK-së në Prekaz dhe kanë mbajtur një minutë heshtje. Në një prononcim për mediat, Thaçi ka deklaruar se i është mirënjohës familjes Jashari për kontributin e dhënë për lirinë e Kosovës.

“Sot jemi këtu për t’i bërë nderimet shtetërore komandantit legjendar dhe bashkëluftëtarit tonë, Adem Jashari dhe familjes së tij për sakrificën sublime, që shërbeu si bazament për të ardhmen e Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Ndërsa Haradinaj, me pak fjalë ka uruar qytetarët për 11-vjetorin e pavarësisë./abcnews.al

rmush-haradinaj.jpg
G. P.10:19 | 17/02/2019

Sot në Kosovë kremtohet 11-vjetori i shpalljes së pavarësisë. Aktivitetet solemne me rastin e kësaj feste kanë nisur me një mbledhje të kabinetit qeveritar dhe do të vijojnë me të tjera ceremoni gjatë ditës.

Në fjalimin e tij gjatë mbledhjes solemne të qeverisë në ditën e 11 vjetorit të shpalljes së pavarësisë, kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se viti 2019 do të jetë viti kur Kosova do t’i përmbyllë të gjitha çështjet e hapura, duke përmendur edhe marrëveshjen finale me Serbinë.

“Në 10 vjetorin e dytë që kemi hyrë, besoj që është një vit i konsolidimit tonë si shtet dhe i përmbylljes së të gjitha temave të mbetura të hapura në planin rajonal dhe ndërkombëtar, që nënkupton edhe marrëveshje për njohje obligative ligjore me Serbinë në kufijtë ekzistues, njëkohësisht edhe anëtarësim në NATO”.

Haradinaj u shpreh se rrugëtimi i shtetit të Kosovës në këto 11 vjet ka kaluar nëpër sfida, përgjegjësi e detyrime.

“Pavarësia jeton në ne. Secili prej nesh i ka rrugëtuar këto 11 vjet të Pavarësisë, çdo qytetar e ka rrëfimin e vet të rrugës së 11 vjetëve të shtetit.Edhe qeveria e vendit e ka rrëfimin e vet nga koha kur kemi marrë përgjegjësitë.Ka shumë vendime, ligje, pako ligjore, reformë. Ka gjithashtu vendime të mëdha si Ushtria, vendimet që lidhen me Trepçën dhe vendime të tjera ekonomike “.

Haradinaj theksoi ndër të tjera se Kosova nuk e ka luksin të bëjë hapa prapa, ndaj puna dhe përkushtimi i qeverisë dhe gjithë institucioneve duhet të jenë vetëm për të ardhmen e vendit./abcnews.al

haradinaj.jpg
G. P.08:32 | 02/02/2019

Pavarësisht presioneve të ditëve të fundit, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, këmbënguli dhe njëherë më shumë se taksa ndaj Serbisë nuk do të hiqet, e në të njëjtën kohë nuk do të ketë as shkëmbim territoresh.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ripërsëriti se taksa ndaj Serbisë nuk do të hiqet deri në momentin që Beogradi do të njohë pavarësinë e vendit. I ngacmuar nga gazetarët kreu i qeverisë, foli dhe për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke thënë se ata që i përkthejnë vendimet e qeverisë së Kosovës kundër Amerikës, e kanë gabim.

Haradinaj theksoi se taksa nuk është vendosur kundër Amerikës, por kundër Rusisë. tha se Serbia dhe Rusia po përdorin të gjitha kapacitet për zhbërjen e shtetit të Kosovës. Haradinaj foli dhe për mundësitë e ndarjes së Kosovës, ku u shpreh prerë se një gjë e tillë nuk do të ndodhë kurrë duke shtuar se nuk do të ketë shkëmbim territoresh dhe se Kosova nuk do të japë asnjë pjesë të territorit të saj.

“Po thuhet se duhet të jepet diçka për njohje, ose territore, kjo nuk do të ndodhë asnjëherë, pasi shqiptarët kanë dhanë mjaftueshëm territore”, përfundoi ai./abcnews.al

ferronikelii.jpg
G. P.19:18 | 21/01/2019

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka vizituar të hënën ambjentet e kompanisë “New Co Ferronikeli”, eksportuesja më e madhe dhe me numrin më të lartë të punonjësve në Kosovë.

Gjatë vizitës, Haradinaj i ka shprehur mirënjohjen e tij aksionerit kryesor të kompanisë, Samir Mane, si dhe Balfin Grup, për investimin në këtë aset me rëndësi strategjike për Kosovën. gjatë vizitës, Haradinaj është njohur me ecurinë e rivendosjes së prodhimit përgjatë këtyre muajve, mundësinë e rritjes së kapaciteteve prodhuese dhe për planin e ardhshëm operacional.

“Investitorët në Kosovë kanë partner të përhershëm qeverinë, e cila do të jetë gjithmonë përkrah tyre në rrugëtimin drejt zhvillimit dhe avancimit në tregun e brendshëm dhe ndërkombëtar”, ka deklaruar Haradinaj.

Kompania “New Co Ferronikeli” angazhon në radhët e saj 800 punëtorë dhe 400 kontraktorë dhe luan një rol kyç në zhvillimin e ekonomisë së Kosovës./abcnews.al

ramush-haradinaj123.jpg
G. P.16:04 | 11/01/2019

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk ka pranuar të komentojë mosdekretimin e Gent Cakajt si ministër i Jashtëm i Shqipërisë, nga Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta. Haradinaj u shpreh se e do Shqipërinë pa kushte dhe Ilir Metën e kishte mik, por nuk pranonte  të komentonte vendimet e këtij të fundit.

Të mërkurën Presidenti Ilir Meta refuzoi dekretimin e Gent Cakajt si Ministër i Jashtëm. Ai e argumentoi vendimin e tij duke u shprehur se Cakaj nuk ka përvojën e duhur politike dhe diplomatike për të drejtuar dikasterin qëmerret me politikat e jashtme. Mirëpo ky vendim ka ashpërsuar tonet mes Metës dhe Ramës pasi ky i fundit e quan ajntikushtetues mosmiratimin e Gent Cakajt./abcnews.al

ramush-haradinaj.jpg
G. P.12:18 | 04/01/2019

Në një intervistë për median e shkruar në Kosovë, kryeministri Ramush Haradinaj u shpreh se ky vit nuk do të jetë i lehtë për vendin, i cili pritet të përballet me Gjykatën Speciale dhe dialogun me Serbinë. Sa për këtë të fundit kreu i ekzekutivit ftoi dhe njëherë opozitën të bëhet pjesë e tij.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, u shpreh se viti 2019 nuk do të jetë aspak i lehtë për Kosovën për shkak të proceseve nëpër të cilat do të kalojë. Në një intervistë për median e shkruar në Kosovë ai foli dhe për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme duke theksuar se një gjë e tillë nuk është në interes të vendit.

Duke folur për “Epoka e Re”, Haradinaj i bëri dhe njëherë apel opozitës në vend, përkatësisht Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Vetëvendosjen, që të bëhen pjesë e dialogut me Serbinë duke shtuar se askush nuk duhet të frikësohet nga ky proces.

Kryeministri foli dhe për marrëdhëniet raportet që qeveria ka krijuar me Partinë Social-Demokrate, të krijuar nga të larguarit nga Vetëvendosja. Ai tha se do të kishte dëshirë të përfshinte këtë subjekt politik në qeveri por, sipas tij, zyrtarët e PSD-së ia kanë bërë të qartë se në këtë mandat nuk do të përfshihen në qeveri./abcnews.al

stankovic.jpg
G. P.16:10 | 02/01/2019

Nënkryetari i partisë Liberale të Serbëve të Kosovës, Boban Stankoviç është ndaluar të mërkurën nga policia në anën serbe të pikës kufitare të Merdarës. Lajmin për ndalimin e Stankoviç, njëkohësisht zëvendës ministër i Kulturës në Kosovë, e ka bërë të ditur kryeministri Ramush Haradinaj. Përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, Haradinaj ka deklaruar se Stankoviç është ndaluar pa asnjë arsye dhe po merret në pyetje nga policia serbe.

Kreu i qeverisë së Kosovës ka ftuar autoritetet serbe të ndalojnë praktika të tilla, që kanë si qëllim ushtrimin e presionit ndaj qytetarëve serbë që duan të ndërtojnë jetën e tyre në Kosovë.

Postimi i plotë i Ramush Haradinajt

“Vazhdojnë provokimet dhe qasja jokonstruktive e shtetit serb ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës 
Sot në pikën kufitare në Merdare, është ndaluar nënkryetari i Partisë Liberale të serbëve të Kosovës si dhe zëvendësministër në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Boban Stankovic. Ai po mbahet nga zyrtarët policorë serb pa asnjë arsye dhe në bazë të informacioneve që kemi ai po merret në pyetje nga zyrtarë të BIA-së serbe.

Ftojmë autoritetet serbe që të ndalojnë praktikat tilla të presionit ndaj qytetarëve serb, të cilët duan ta ndërtojnë jetën e tyre në Republikën e Kosovës. Kosova është shtet i gjithë qytetarëve të saj dhe ne nuk do të pranojmë që në këtë formë të frikësohen qytetarët tanë”./abcnews.al

mogherini-dhe-haradinaj.jpg
G. P.12:59 | 29/12/2018

Edhe njëherë më shumë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar rolin e shefes së diplomacisë europiane, Federica Mogherini, në dialogun me Serbinë. Sipas Haradinajt, po të jetë në dorë të saj, dialogu do të qëndrojë në pikën ku është edhe për 3 mijë vjet të tjera.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar sërish që në procesin e dialogut me Serbinë të marrin pjesë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në një intervistë për televizionin kosovar “RTV 21”, Haradinaj iu përgjigj pyetjeve në lidhje me letrën e presidentit amerikan Trump. Kryeministri i Kosovës foli edhe për rolin e BE-së dhe SHBA-së në lidhje me marrëdhënien Kosovë-Serbi.

Haradinaj përsëri kritikoi Shefen e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini. Ai tha se Mogherini nuk ka bërë asgjë në lidhje me problemin mes Kosovës dhe Serbisë. Ai shtoi se problemi mes Kosovës dhe Serbisë mund të zgjidhet vetëm me përfshirjen e SHBA-së në dialog. Kreu i qeverisë tha se po të jetë në dorë të saj, situata do të jetë e tillë dhe për tre mijë vjet të tjera

Haradinaj u shpreh se lufta në Bosnje dhe Kosovë ka përfunduar vetëm me ndërhyrjen e SHBA-së, dhe problemi mes Kosovës dhe Serbisë mund të zgjidhet vetëm me përfshirjen e tyre./abcnews.al

HARADINAJ-PER-TAKSEN-ABC-M3-T1.mpg_snapshot_00.00.jpg
G. P.15:42 | 25/12/2018

Taksa ndaj produkteve serbe nuk do të hiqet dhe është pikërisht sjellja e Beogradit zyrtar që shtyn Prishtinën drejt një qëndrimi të tillë.. Ka qenë ky reagimi i kryeministrit të Kosovës Haradinaj, ndaj përpjekjeve të homologes së tij serbe për të reduktuar njohjet që i janë bërë pavarësisë së vendit.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj e cilësoi absurde kërkesën e kryeministres serbe, Ana Bërnabiç, për tërheqjen e njohjes së Kosovës nga ana e Shqipërisë. Sipas tij, janë pikërisht këto sjellje të Beogradit zyrtar, që detyruan Republikën e Kosovës të vendosë taksë 100% ndaj produkteve serbe. Haradinaj theksoi se është detyrë e lidershipit kosovar të mbrojë sigurinë kombëtare. Ai shtoi se kryeministrja e Serbisë vazhdon të dërgojë letra për qeveritë e ndryshme duke i kërkuar tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës, madje dhe Shqipërisë.

Sipas Haradinaj një kërkesë e tillë është absurde dhe tregon njëherë më shumë se çfarë qëndrimi ruan Beogradi dhe si rrjedhojë reagimet e Prishtinës. Kryeministrja serbe ndër të tjera, në letrat e saj të publikuara nga mediat serbe por dhe ato në Kosovë, ankohet për atë që e quan shtypje dhe krime kundër popullit të saj në Kosovë./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono