QSUT

shperthim-transformatori.jpg
G. P.16:05 | 26/07/2019

Policia e Tiranës arrestoi një person pas shpërthimit të transformatorit elektrik një ditë më parë, ku humbi jetën një person dhe u plagosën dy të tjerë. Në pranga përfundoi inxhinieri i pallatit, Robert Dauti i akuzuar për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.

Gjergji Sula, vdiq në vend, ndërsa ekspertët pohuan se, transformatori shpërtheu si pasojë e një shkëndije elektrike. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, sqaroi se, kompania private, ishte duke kryer punime në autostradë, ku dy punëtorë të kësaj firme kanë tentuar të shkëpusin rrymën elektrike ne linjën 110 kV të OST, çka ka shkaktuar masë.

Në gjendje të rëndë në QSUT pranë repartit të djegieve janë edhe dy të plagosurit e tjerë./ABC News Albania 24/7

Rama-ne-QSUT.jpg
G. P.14:55 | 09/04/2019

Është drejt përfundimit Spitali i ri i Kirurgjisë, shërbim i cili do të riorganizohet tërësisht. Kryeministri Edi Rama, së bashku me Ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu inspektoi kantierin e ri, pjesë e master-planit që synon të modernizojë shërbimet kirurgjikale në këtë spital.

Në qershor do të jetë gati spitali kirurgjikal në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. 120 shtretër, 7 salla një laborator histologjik, 7 shtretër të tjerë për terapinë intensive dhe aparatura mjekësore të teknologjisë së lartë, janë investimi i qeverisë shqiptare nëpërmjet kredisë së Bankës së Këshillit të Evropës.

Këtë vit kemi alokuar nga buxheti i shtetit 3.8 milion dollarë për të mobiluar të gjithë hapësirat e nevojshme për të filluar puna sa më shpejt”, thotë ministrja.

Sipas ministres së shëndetësisë planifikohet që kapaciteti për 7 sallat të jetë rreth 9 mijë ndërhyrje kirurgjikale në vit.

Me përdorimin e instrumenteve modernë kirurgjikalë dhe sterilizimin me metoda bashkëkohore, shërbimi i Kirurgjisë në QSUT do të ofrohet me një standard të ri për qytetarët e informuan mjekët kryeministrin Edi Rama.

Kjo e mbyll komplet ciklin për infeksionet spitalore, sidomos infeksionet kirurgjikale. Me veglat e reja dhe me këtë lloj organizimi jemi në standardet europiane”, thanë mjekët.

Ka 50 vjet, hera e parë që investohet për kirurgjinë e përgjithshme”, shprehet një tjetër mjek kirurg.

Si hapësirë, si atmosferë është komplet tjetër nga çfarë ka qenë përpara”, tha Rama.

Paralelisht me spitalin kirurgjikal po vijojnë punimet edhe për Spitalin e ri të Sëmundjeve të Brendshme i cili do të përfundojë në maj të vitit 2021. Ai do të ketë 340 shtretër në dispozicion të të gjithë shërbimeve interne, gjithashtu edhe një urgjencë të QSUT të riorganizuar edhe të alokuar në atë spital të ri, duke e bërë këtë një spital me parametra evropiane.

Përfitues të drejtpërdrejtë të investimeve për modernizimin e shërbimit në QSUT janë edhe studentët e Mjekësisë, për të cilët në kuadër edhe të Paktit për Universitetin, po ndërtohen 11 salla studimi me kushte bashkëkohore, nga të cilat, dy salla në spitalin e ri kirurgjikal dhe 9 të tjera në spitalin e ri të sëmundjeve të brendshme.

Nga këto investime përfitojnë 300 mijë pacientë, rreth 5,000 punonjës staf mjekësor dhe jo mjekësor, si dhe rreth 1,000 studentë të mjekësisë./abcnews.al

mjeket.jpg
G. P.11:35 | 12/03/2019

Mjekët e QSUT-së kanë zgjedhur që edhe gjatë kësaj të marte të pezullojnë punën e tyre përreth 1 orë, duke protestuar kundër dhunës që është ushtruar ndaj kolegëve të tyre. Në mbështetje të mjekëve ka dalë edhe Ministria e Shëndetësisë, e cila kërkon ashpërsim të kodit penal ndaj dhunuesve.

Një ditë pas specializantëve, ishte radha e mjekëve të QSUT-së për të protestuar për rastet e dhunës, të shënuara javët e fundit ndaj bluzave të bardha. Shqetësim për ta janë edhe kushtet e punës.

Arjan Harxhi, mjek QSUT: Sot është koha për të ngritur me të madhe zërin për të thënë fort, qartë dhe me empati: Dhuna nuk është pjesë e punës sonë. Ky është mesazhi dhe apeli që bashkësia jonë e personelit mjekësor duam t’ju përcjellim fuqishëm opinionit publik dhe politikbërësve. Duhet të jetë e qartë që vandalizmi dhe dhuna ndaj personelit në detyrë është një krim penal dhe shoqëri e civilizuar duhet të ketë tolerancë zero ndaj akteve të tilla të urryera.

Tritan Kalo, mjek QSUT: Dhuna është shndërruar në një sëmundje kronikë në Shqipëri dhe na takon ne radhë të parë ta parandalojmë. Populli duhet ta ketë qartë që nuk janë mjekët ata që krijojnë probleme, por janë probleme që lidhen me politikat lartë. Mjekët janë këtu për t’u shërbyer njerëzve. Mjeku është figurë e shenjtë. Nëse dikush shkel fushën e blertë në futboll, kërkohet të dënohet tre vjet nga kryeministri, ai që cenon figurën e mjekut ka pak 30 vjet burg.

Ministrja e Shëndetësisë solidarizohet me ta e përmes zëvendësministres Mira Rakacolli, paralajmëron ndryshime ligjore për të ashpërsuar dënimet për agresorët e bluzave të bardha.

Mira Rakacolli, zv.ministre e Shëndetësisë: Jam këtu për të protestuar krah mjekëve sepse për ne është e papranueshme dhuna ndaj bluzave të bardha. Po kërkohen ndryshime në Kodin Penal që e mbrojnë figurnë e mjekut dhe i bëjnë më të rënda masat për ata persona që ushtrojnë dhunë në ambientin ku mjekët punojnë. Nga ana tjetër, po kërkojmë me insistim zbatimin e ri të regjimit të sigurisë që po vendoset nëpër spitale dhe të cilët bëjnë që pacientëve ti krijojnë kushte që mjekëtë të punojnë më me qetësi dhe trë japin shërbimet e tyre më me qetësi dhe më me cilësi.

Mjekët apelojnë se shteti duhet të marrë masa për t’iu garantuar atyre sigurinë gjatë orarit të punës, kushte e pagë më të mirë dhe paralajmërojnë vijim të protestës./abcnews.al

MANASTIRLIU-PER-SHEFAT-E-SHERBIMEVE-QSUT.mpg_snapshot_01.46-1280x720.jpg
ent ela16:09 | 13/02/2019

Shërbimet spitalore në QSUT vijojnë të drejtohen nga shefa të paligjshëm. Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu thotë se e ka firmosur listën e fituesve, ndërkohë zyrtarizimi i emrave ka mbetur në tryezën e ministres së Arsimit Besa Shahini.

Ministrja e Arsimit Besa Shahini po mban peng 41 drejtuesit e shërbimeve në spitalin më të madh në vend. Shefat e rinj të shërbimeve në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë janë përzgjedhur që në muajin nëntor të vitit të shkuar, por duhet të zyrtarizohen nga ministrja e Arsimit Besa Shahini dhe ministrja e Shëndetësisë Ogerta Mansatirliu.

Manastirliut thotë se ajo e ka firmosur listën e fituesve e tashmë ajo është mbi tryezën e koleges së Arsimit.

Ministrja e Shëndetësisë sqaroi këtë çështje pasi inauguroi urgjencën e re të shërbimit infektiv në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ku  bëri të ditur gjithashtu praktikën e re që do të ndiqet në këto shërbime.

 “Nuk do të lejohen familjarët në urgjenca, përvec rasteve kur kërkohet nga mjeku. Gjej rastin të bëj një apel, një lutje për qytetarët, të mirëkuptojnë personelin mjekësor”.

Kjo masë e Ministrisë së Shëndetësisë vjen pak ditë pasi një mjek infeksionist u godit nga i afërmi i një pacienti, ndërsa po i shërbente një tjetër të sëmuri. Kolegët e tij kërkuan përmirësim të kushteve të punës dhe shtim të stafit për t’ju përgjigjur fluksit të shtuar të pacienteve. Sa i përket kësaj çështjeje ministrja Manastirliu deklaroi:

 “Mungesa për katër vite e specializimeve patjetër që ka sjellë probleme sa i takon mjekëve të specializuar, por pas më pak se 1 muaji, diplomohen 300 mjekët e parë specialistë, ku mes tyre ka edhe infeksionistë që kanë kontratë me Ministrinë dhe do të shërbejnë në disa spitale rajonale, si dhe janë 4 mjekë që mund të rekrutohen, sipas procedurave, menjëherë nga drejtoria e QSUT-së. Sa i takon personelit infermieror, fituesit e shpallur nga konkursi transparent, po ashtu mund të punësohen sipas pikëve, edhe në këtë shërbim”.

Ndërkohë urgjenca e re e shërbimit infektiv është planifikuar për t’i shërbyer 40 mijë pacientëve ne vit.

Numri i shtretërve nga 6 ka shkuar në 15, janë krijuar dy bokëse izolimi për sëmundjet ngjitëse ndërsa qendra e imazherisë për ekzaminimet e skanerit, grafisë  apo ekove është përfshirë brenda godinës. /abcnews.al

MJEKU-1280x725.jpg
ent ela10:54 | 11/02/2019

Mjeku infeksionist me inicialet G.S po i shërbente një të sëmuri në urgjencën e shërbimit infektiv në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë ndërkohë që i afërmi i një tjetër pacienti ka ushtruar dhunë ndaj tij. Detajet e ngjarjes së ndodhur mesditën e të dielës na  i tregon doktor Arjan Harxhi.

Kundër dhunës ndaj bluzave të bardha mjekët e shërbimit infektiv në QSUT dolën në protestë.

Ata kërkojnë prej institucioneve shtetërore vënien e agresorit para përgjegjësisë ligjore, kushte më të mira pune dhe garanci gjatë ushtrimit të detyrës.

Ndërkohë policia thotë se ka identifikuar autorin. Bëhet fjalë për një 45-vjeçar me inicalet A.M  banues në Tiranë, i cili pasi ka goditur mjekun është larguar me shpejtësi. Pas denoncimit policia ka nisur hetimet për ngjarjen dhe ka shpallur në kërkim agresorin.  Dhunën ndaj mjekut e ka dënuar dhe ministria e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu e cila thotë se ka propozuar ndryshim të Kodit Penal.

Ndërkohë Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë thotë se ky nuk është një rast i izoluar dhe i bën thirrje opinionit publik të mirëkuptojnë bluzat e bardha gjatë punës së tyre./abcnews.al

PD-DHE-MINISTRIA-PER-URGJENCEN.mpg_snapshot_00.53-1-1280x690.jpg
ent ela17:43 | 28/01/2019

Partia Demokratike denoncoi përmes një videoje të shpërndarë për mediat, kushtet në të cilat punohet në Urgjencën e Tiranës. Ka reaguar drejtori i Urgjencës Kombëtare, i cili tha se godina do rikonstruktohet, kurse rastet urgjente trajtohen nëpër familje.

Deputeti i PD, Bardh Spahia me anë të filmimeve tregon gjendjen skandaloze sipas tij në Urgjencën e Tiranës ku mungojnë medikamentet dhe kushtet më

Në videon e shpërndarë nga PD, shihet edhe një infermier i cili pohon kushtet në të cilën ndodhet kjo urgjencë.

“Ky dysheku këtu ka pleshta dhe dalin pleshta natën. Në QSUT nuk ka ilaçe, mungojnë shumë prej tyre. Autoambulanca nuk funksionon. Mungon oksigjeni, ilaçet e ndihmës së parë“.

Pas këtyre pamjeve të shpërndara nga Partia Demokratike ka reaguar edhe drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj i cili tha se urgjenca ndodhet në këto kushte pas riorganizimit nga Ministria e Shëndetësisë

Skënder Brataj, drejtori i Urgjencës Kombëtare: “Godina në të cilën jemi, Ish Urgjenca e Tiranës nuk është e përshtatshme dhe nuk specifikon atë shërbim që bëhej dikur këtu, nuk është shërbim ambulator, por është një shërbim i urgjencës që bëhet në banesë. Në këtë urgjencë DIKUR bëheshin 20-25 vizita në ditë, ndërsa sot bëhen 112 pranë qyetarëve. Nëse ishte një pikë sot është e shpërndarë në 9 pika të Tiranës, për të garantuar kohën e mbërritjes në banesë dhe shërbimin e qytetarit”. /abcnews.al

 

 

 

 

QSUT-Lentet-1280x853.jpg
G. P.16:29 | 20/01/2019

Qendra spitalore universitare “Nënë Tereza” do të ketë së shpejti një depo të re farmaceutike, investim i qeverisë shqiptare prej 18 milionë Euro. Në kantierin e punimeve ishte Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Çdo vit blihen 18 milionë Euro barna prandaj pasja e një depoje farmaceutike me standarde është domosdoshmëri.

“Do ketë 7 dhoma frigoriferike, me të gjitha kushtet optimale që duhan për barnat që vijnë. Ka një magazinë të madhe për të gjithë pjesën e serumeve dhe të gjithë elementëve të tjerë. Çdo bar që futet në QSUT është i skanuar me një barkod dhe gjithashtu kur del, deri sa shkon tek pacienti, gjithashtu me barkodin e vet. Është një investim, i cili siguron dhe garanton cilësi”, tha ministrja Manastirliu.  

Për kryemiistrin Rama investimi i qeverisë së tij prej 18 milionë Euro është siguri për standardet dhe cilësinë e barnave. Sipas njoftimit të zyrës të shtypit të kryeministrisë një tjetër shërbim falas i shtohet listës së shërbimeve falas që garanton qeveria shqiptare në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, vendosja e lentes ose e kataraktit, e cila deri dje i kushtonte çdo qytetari që kishte nevojë për këtë shërbim, 700 dollarë.

“QSUT prej këtij viti fillon ofrimin e një shërbimi shumë të rëndësishëm, falas për çdo qytetar që ka nevojë për ndërhyrjen e kataraktit, ose vendosjen e lentes. Do të ofrohet për më shumë se 2000 pacientë në vit, gjithashtu dhe në spitalet rajonale. Spitali Rajonal i Vlorës e ka filluar, gjithashtu pritet të fillojë dhe spitali i Elbasanit”, tha Manastirliu.

Pavarësisht atyre që e turpërojnë vendin nuk duhet harruar se Shqipëria ka mjekë për t’u lavdëruar tha kryeministri Rama.

“Këtu dhe në spitalet në tërësi ka mjekë fantastikë dhe infermierë shumë të devotshëm, kuptohet, ka edhe nga ata që na turpërojnë, por e vërteta është që unë e kam parë me shumë njerëz që kalojnë nga spitali, që ndryshojnë mendim kur bëjnë shërbimin, se presin keq dhe ju del mirë”, u shpreh Rama./abcnews.al

RAMA-NE-SHERBIMIN-E-NEUROLOGJISE-1280x720.jpg
ent ela16:33 | 17/01/2019

Është instaluar rezonanca e re magnetike në shërbimin e neokirurgjisë. Sipas mjekëve me anë të kësaj pajisje, mund të diagnostikohen sëmundjet e rralla, të cilat kanë një shkallë më të vështirë ekzaminimi.

Nuk është e rastësishme kjo vizitë e kryeministrit Edi Rama në shërbimin e neurokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Investimi më i ri është Rezonanca magnetike që sjell pranë qytetarëve teknologjinë më të fundit të ekzaminimit.

Mjeku neurokirurg Arben Seferi shpjegon se me anë të saj mund të disgnostifikohen sëmundjet e rralla, të cilat kanë një shkallë më të vështirë ekzaminimi.

“Është aparati i vetëm në territorin shqiptar me këtë fuqi, që do të thotë fuqia e aparatit përkthehet edhe në cilësinë e ekzaminimit. Në cilësinë e ekzaminimit janë aplikuar edhe softëare të reja, që bëjnë të mundur që të diagnostikojmë sëmundje, të cilat janë më të rralla, që nuk janë të rutinës. Kemi futur spektroskopinë, traktografinë, të cilat mund t’i realizojmë këtu”.

Për mjekët me përvojë në fushën e neurokirurgjisë, teknologjia e avancuar është një ndihmë e madhe për analizimin e nevojshëm të sëmundjeve neurologjike.

Ata janë optimistë se standardet e shërbimit në qendrën më të madhe spitalore në vend po përafrohen me ato të qendrave spitalore më të njohura europiane.

 “Ne jemi kapur nivelin në prag të researchit. Në spitalet universitare të Europës, kjo është e sotmja dhe e ardhmja. Kjo është realizuar me një kërkese që i kam bërë Kryeministrit para dy vitesh”.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu tha se gama e përdorimit të pajisjes është më e gjerë sesa vetëm në shërbimin ku ajo është instaluar.

“Rezonanca u buxhetua me buxhetin e vitit 2018. U instalua, është kolauduar, tani është futur në funksion. Në Shqipëri kemi tashmë një normë që klasifikohen me vende si Rumania, Hungaria, 7 rezonanca, 24 skanera, 5 angiografe, 3 akseleratorë, që do të thotë se plotësojnë  në 80 % të nevojave për këto  diagnostika,  të cilat janë shumë të rëndësishme, qoftë për diagnostifikimin e patologjive të ndryshme, qoftë për ndjekjen e mëtejshme. E më e rëndësishme, kjo rezonancë nuk i shërben vetëm një shërbimi, pra, jo vetëm neurokirurgjisë. E ndërkohë jemi duke investuar jo vetëm për disgnostifikimin dhe trajtimin, por edhe për research-in, që është një ndër elementët kryesor në QSUT.”

Por ky investim nuk është i vetmi. Një rezonancë e re i është shtuar edhe Spitalit Rajonal të Elbasanit. Sa i përket listës së pritjes u nënvizua se për rezonancën është  deri në 5 javë, kurse për një skaner deri në tre javë. /abcnews.al

 

 

dervishaj.jpg
ent ela17:41 | 04/12/2018

Në Shqipëri është hapur qendra e parë shëndetësore kundër dhunës ndaj grave. Specialistja për barazinë gjinore Brunilda Dervishi ishte e ftuar në “Mbrëmje Ide” nga Mirela Milori ku tregoi dhe si mund të drejtohen viktimat e dhunës seksuale aty. Sipas saj ato mund t’i drejtohen vetë ambienteve të qendrës, ndërkohë mund të referojnë edhe institucione në nivel vendor.

“Sipas standardeve mund të them që jo vetëm policia. Në fakt ai është organi i parë ku drejtohen viktimat e dhunës, si institucion që siguron mbrojtje, por jo vetëm policia, por edhe viktima mund të drejtohet pranë këtyre ambienteve, por edhe mekanizmit të referimit në nivel vendor, si organet e shëndetësisë, të punës, bashkitë. Aty ku konstatohet dhunë”, u shpreh Dervishaj.

Qendra “Lilium” ndodhet pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe parësor ka shërbimin shëndetësor ndaj dhunës seksuale.

“Kjo është qendra e parë që hapet dhe do shërbejë pastaj si një qendër për t’u përfshirë në të gjithë vendit. Ndodhet pranë QSUT dhe në radhë të parë ka shërbimin shëndetësor ndaj viktimave të dhunës seksuale”, u shpreh Dervishaj.

Më tej, Dervishaj tha se gratë nuk kanë më frikë të flasin për dhunën. Megjithatë në disa zona të thella mentaliteti i frikës për të denoncuar këto raste, sidomos të dhunë seksuale, është akoma i pranishëm./abcnews.al

BUXHETI-I-SHENDETESISE.mpg_snapshot_00.30-1280x720.jpg
G. P.14:44 | 07/11/2018

Spitali i ri i sëmundjeve të brendshme në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë do të përfundojë vitin që vjen. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, e bëri të ditur ndërsa detajoi para deputeteve në komisionin parlamentar të shëndetësisë buxhetin për vitin që vjen. Një pjesë e fondeve deklaroi ministjra do të shkojnë për rritje pagash dhe çekun e bebeve.

30 mijë familje që do të bëhen me fëmijë vitin që vjen do të përfitojnë çekun e bebes, ndërsa 18 mijë e 416 mjekë dhe infermierë në shërbimin publik rritje pagash me 7%.
Për të parët Ministria e Shëndetësise dhe Mbrotjes Sociale ka planifikuar një buxhet prej 2 miliardë lekësh, ndërsa për të dytët do të shkojnë 1 miliard lekë.

Ogerta Manastirliu, ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale: “Duke filluar nga Janari 2019, garantojmë shpërblimin për çdo të porsalindur, 40 mijë lekë për fëmijën e parë, 80 mijë lekë për fëmijën e dytë dhe 120 mijë lekë për fëmijën e tretë. Kjo politikë e re sociale mbështet drejtpërdrejt fëmijët, familjen dhe zhvillimin e shoqërisë”, tha Manastirliu.

Për Shëndetësinë dhe Mbrojtjen Sociale vitin që vjen do të lëvrohen rreth 74 miliardë e 594 milionë lekë. Ministrja Manstriliu deklaroi se buxheti ka pësuar një rritje me 5% krahasuar me vitin 2018. 20% e fondeve do të mbështesin investimet.

“Përfundon spitali i ri i kirurgjisë në QSUT me vlerë investimi 8 milionë euro, ndërsa vijojnë investimet në spitalin e sëmundje të brendshme dhe pediatrine modern. Rehabilitojmë 100 qendra shëndetësore dhe ambulanca në vitin 2019 me vlerë investimi rreth 300 milionë lekë, në kuadër të programit tonë për rindërtimin e 300 qendrave shëndetësore brenda këtij mandati, 80 prej të cilave po përfundojnë këtë vit”.

Me buxhetin e këtij viti minstrja tha se do të sigurohet vijimi i investimeve në spitalet rajonale si reindërtimi i pediatrisë në spitalin e Durrësit, zgjerimi i spitalit të Kukësit apo ndërtimi i urgjencës në spitalin e Elbasanit./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono