qeveritë

KOSOVE-SHQIPERI-MBLEDHJA.mpg_snapshot_00.28-1280x720.jpg
ent ela15:14 | 13/04/2019

Shqipëria dhe Kosova po përgatisin mbledhjen e radhës të përbashkët të dy qeverive. Lajmi është konfirmuar nga koordinatori kombëtar i dy qeverive Fatmir Limaj. Sipas tij fokusi në këtë mbledhje do të jetë  plani i kryeministrit të Shqipërisë Rama, për atë se ku do të jetë Kosova e Shqipëria në të ardhmen.

Pavarësisht marrëveshjes ndërmjet vendeve të Ballkanit perëndimor për heqjen graduale të tarifave të roamingut, Kosova dhe Shqipëria kanë vazhduar punën në finalizimin e heqjes së tërisishme të tarifave në qershor të këtij viti.

Këtë e konfirmoi edhe një herë zv.kryeministri i Kosovës Fatmir Limaj i cili është edhe koordinator kombëtar i dy qeverive.

Ai tha se janë në rrugë të mirë të zbatimit të marrëveshjeve të  nënshkruara në Pejë përjashtuar atë të heqjes së kufijve ndërmjet dy vendeve për shkak të obligimeve që ka Shqipëria ndaj BE-së pas liberalizimit të vizave.

Ka shfaqur shqetësimin për moszbatimin e marrëveshjeve të mëhersme.

Ndërsa janë duke u përgatitur për mbledhjen e radhës së dy qeverive që kësaj radhe do të mbahet në Shqipëri.

Kosova dhe Shqipëria në mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive ndër vite kanë nënshkruar marrëveshje të cilat kishin për qëllim qeverisje të përbashkët strategjike me një vizion euroatlantik. /abcnews.al

studiuese-1280x716.jpg
ent ela21:49 | 12/03/2019

Studiuesi Gjet Ndoj ishte i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Provokacija”. Ai kohët e fundit ka publikuar një libër me titullin “Arkivat shqiptare”, ku shprehet se Shqipëria ka arkivat më të pasura në Ballkan.

“Tek trojet Shqiptare në Maqedoni, Mal të zi dhe Kosova që është shteti i dytë i shqiptarëve, Por kryesish jemi fokusuar në Maqedoni dhe Mal të Zi tek pjesa e fondeve arkivore që flasin për shqiptarët. Republika e Shqipërisë ka arkivat më të pasura në Ballkan”.

Më tej ai është shprehur se për çështjet shqiptare në rajon historiografia shqiptare nuk është shkruan me objektivitet.

“Unë them se shumë çështje shqiptare tipikisht shqiptare në themelin e të cilave këto çështje janë Evropiane janë shmangur. Historiografia nuk ka pasur konditat mund të themi në rastin më të keq. Nuk ka pasur konditat më të mira të mundshme për ta thënë fjalën në objektivitet. Por themi gjithashtu se edhe qeveritë e Shqipërisë përveç kohës së pushtimit osman, pas viti 1912 qeveritë e Shqipërisë më shumë kanë qenë derivate të interesave të rajonit dhe shteteve të rajonit. Sepse edhe qeveritë kanë ardhur të ndihmuara po t’i marrim me radhë duke filluan nga Ismail Qemalit e deri në ditët tona qeveritë e Shqipërisë kanë ardhur të ndihmuara nga klane dhe çarçe të shteteve të rajonit kryesisht të rajonit të Ballkanit. Koha nuk na ndihmon dot të kuptojmë sot tamam nëse janë të mbështetura sepse na mungon informacioni, por ka shenja të forta që në qeveritë e Shqipërisë përgjithësisht dhe klasa politike shqiptare në këto 107 vite pavarësi në fakt kanë qenë më shumë derivate të interesave të rajonit, interesave kryesisht të vendeve që nuk kanë dashur të të bëhet Shqipëria. Kështu nuk është krijuar klima e duhur për të shkruar historiografia. Dhe historianët më shumë i janë servilosur flukseve politike të kohës dhe të radhës”./abcnews.al

HEC-896x445.jpg
ent ela08:30 | 09/03/2019

Në Parlamentin Evropian u mblodhën për të kërkuar mbështetje për mbrojtjen e lumenjve aktivistë nga i gjithë Ballkani.

Në mbështetje të grupit të së Majtës Evropiane dhe të së Gjelbrës Nordike në Parlamentin Evropian, të enjten (07.03) në Bruksel u mblodhën për të kërkuar mbështetje për agjendën e tyre aktivistë për mbrojtjen e lumenjve nga i gjithë Ballkani.

Personazhe të filmave dokumentarë dhe reportazheve televizive që kanë mbuluar rezistencën popullore kundër HEC-eve nga i tërë Ballkani u bashkuan në një sallë të Parlamentit Evropian. Këtu përfaqësuesit e komuniteteve dhe gazetarët bënin foto së bashku dhe këmbenin përvojat e tyre në ndaljen e HEC-eve në vendet e veta.

Maida Bilali qëndronte pranë flamurit shqiptar me pankartën e saj nga Bosnja, ku shihej mbishkrimi i vendlindjes së vet Krusica, fshati ku banorët e ndalën ndërtimin e hidrocentralit me trupat e tyre. Bilali me bashkëvendaset e veta e bllokuan rrugën për në pikën e ndërtimit 505 ditë me radhë, 24 orë në ditë. Në këtë mënyrë ato kishin ndalur ndërtimin e HEC-eve ne fahstin e tyre. Mirëpo tregon Maida “beteja nuk ka përfunduar, pasi ende nuk është tërhequr kontrata e koncesionit”.

“Këtu kemi pasur një takim të rëndësishëm me Komisionin Evropian, ku kemi përcjellë rëndësinë e ruajtjes se resurseve natyrore, pasi vizioni im është që këtë pasuri ta ruaj për gjeneratat e ardhme”, thotë ajo për DW .

Në Bruksel është edhe guida turistike dhe aktivisti ekologjik nga Shqipëria Alben Kola, i cili me vete kishte posterin ikonik të protestës së fundit në Kosovë kundër ndërtimit të HEC-eve ne shtratin e lumit Lumbradh të Pejës. Posteri me grusht të mbyllur, flamuri kuq e zi dhe simbolet boshnjake kishin mbuluar koridorin e Parlamentit Evropian. Në sallë u shfaq filmi dokumentar i Elton Baxhakut “Free Flow”, ku u shpjeguan detajisht shumë probleme që janë shkaktuar nga HEC-et dhe procesi i ndërtimit të tyre.

Pse qeveritë e Ballkanit ua japin burimet e veta të tjerëve

Pas filmit, eurodeputeti Thomas Waitz, nga të Gjelbrit e Austrisë tha se HEC-et sjellin përfitim për disa, por shkatërrojnë potencialin për zhvillim të turizmit për tërë zonën. “Pse për të ardhurat e një kompanie energjetike austriake duhet të shkatërrohet një vend?”, pyeti austriaku. “Si është e mundur që qeveritë e vendeve si Bosnja e Hercegovina, Serbia, Shqipëria, Mali i Zi, Kosova janë të gatshme të shkatërrojnë vendin e tyre për llogari të të tjerëve? Është korrupsion”, tha Waitz.

“Është Dhoma Ekonomike e Austrisë, që është po lobon për këto hidrocentrale. Unë kam biseduar me disa ambasadorë të Austrisë dhe ata janë mjaft kritikë për këto praktika. Por është edhe qeveria që lobon për këto kompani, pasi kompanitë janë të afërta me partitë në pushtet”, tha ai.

Në pyetjen nëse hidrocentralet mund të ndalen dhe a ka shpresë, Waitz tha se “disa nga ato janë ndalur”.

Kush i financon HEC-et

Igor Vejnoviç nga Bankwatch, një OJQ ndërkombëtare ka hulumtuar se kush i financon këto hidrocentrale dhe se kush përfiton prej tyre në Ballkan. Për ndryshim prej Evropës Perëndimore ku kompanitë shtetërore apo lokale i kanë ndërtuar hidrocentralet, në Ballkan të gjitha projektet janë të bëra nga kompanitë e huaja.

Ai tregoi më tej se institucionet e BE-së duhen bërë përgjegjëse për financimin e hidrocentraleve në Balkan. Ai veçoi Bankën Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim, Bankën Evropiane për Investime si banka publike, të cilat shpesh i financojnë këto projekte përmes bankave lokale si Unikredit nga Italia dhe Erste nga Austria.

Nga ana e tij Besar Likmeta, tregoi përvojat e tij si gazetar që ka mbuluar çështjet e lidhura me HEC-et. Ai tregoi se në Shqipëri opinioni publik është plotësisht kundër HEC-eve, mirëpo te to vazhdohet të investohet, dhe arsye kryesore janë paratë. Për të vënë vulën se hidrocentralet nuk kanë të bëjnë fare me të Gjelbrën dhe mbrojtjen e ambjentit, përfaqësuesja e ëF, Adria Irma Popoviç-Dujmoviç, tha: “Këto nuk janë projekte të gjelbra dhe nuk duhet të financohen”.

Në debat u kyçën edhe raportuesi për Shqipërisë nga Parlamenti Evropian, Ivan Jakovcic dhe Eduard Kukan nga EPP./DW

fondi-monetar-nderkombetar.jpg
G. P.14:56 | 11/12/2018

Numri dy i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka deklaruar se ekonominë globale e presin ditë të vështira. Duke nënvizuar se qeveritë dhe bankat nuk kanë marrë masa për parandalimin e krizave, David Lipton ka paralajmëruar se bota duhet të përgatitet për një skenar si ai i 2008-s.

Një nga zyrtarët më të lartë të Fondit Monetar Ndërkombëtar ka paralajmëruar të martën se re të zeza po mblidhen mbi ekonominë globale dhe se qeveritë dhe bankat duhet të jenë të përgatitura për të kaluar stuhinë. Në dy vitet e fundit FMN u ka bërë disa herë apel qeverive të vendeve të ndryshme që “të rregullojnë çatinë” teksa moti është ende me diell, por duket se thirrjet kanë rënë në vesh të shurdhët.

“Ndaj, sikurse dhe ju, unë shoh re të zeza të grumbullohen dhe kam frikë se puna për parandalimin e krizave ka mbetur në gjysmë”, ka deklaruar zëvendës drejtori i parë i FMN-së, David Lipton.

Lipton ka paralajmëruar gjithashtu se situata problematike do t’u hapë telashe qeverive dhe do t’i fusë ato në ujëra të turbullta.

“Bankat qendrore do të përfundojnë duke kërkuar mënyra jotradicionale për të zgjidhur problemet. Por nisur nga pasiguritë në arritjen e rezultateve duhet të shqetësohemi për fuqinë e politikës monetare”, ka vijuar Lipton.

Ai ka paralajmëruar se shumë qeveri nuk do të kenë hapësirat e nevojshme për të bërë manovra, pasi që tani kanë borxhe të larta.

“Nuk mund të presim që qeveritë të veprojnë në të njëjtat hapësira siç vepruan 10 vjet më parë”, ka shtuar Lipton.

Zyrtari i lartë i FMN-së ka shtuar se edhe politikat stimuluese do të jenë të vështira, duke marrë parasysh barrën financiare që ato krijojnë./abcnews.al

 

rammaaa.jpg
G. P.10:47 | 26/11/2018

Në qytetin e Pejës u zhvillua sot mbledhja e përbashkët e qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë, e pesta mes dy vendeve, që nga viti 2014. Mbledhja u parapri nga ceremonia shtetërore e pritjes së kabinetit qeveritar shqiptar. Më pas të dy qeveritë janë ulur në tryezën e përbashkët, të drejtuar nga dy kryeministrat Edi Rama dhe Ramush Haradinaj.

Kryeministri Rama deklaroi se brenda 6 muajsh do të hiqen të gjitha barrierat tarifore dhe jo tarifore, do të bëhet njohja e ndërsjelle e patentave për drejtuesit e mjeteve dhe njohja e vetëm një palë dokumentash për bizneset që qarkullojnë Shqipëri – Kosovë dhe anasjelltas. Po ashtu brenda 6 muajit të parë të vitit të ardhshëm, Shqipëria dhe Kosova nuk do të kenë më roaming mes tyre. Rama foli për një tjetër vendim të rëndësishëm ekonomik në raportet mes dy vendeve, ate të unifikimit doganor. Pas 1 janarit 2019 Kosova do të ketë pikën e saj tranzitore në portin e Durrësit. Po ashtu në pikën doganore Morinë-Vermicë do të ketë një pikë të përbashkët për procedurat doganore për mjetet që lëvizin ndërmjet dy vendeve dhe do të shkohet drejt bërjes 0 të tarifave me Shqipërinë.

Rama mbështeti taksën 100% të Kosovës për importet serbe, duke e quajtur një reagim politik dhe jo vendim ekonomik, në kuadër të një lufte tregtare. “Serbia nuk mund të veprojë me thikë pas shpine ndaj Kosovës”- deklaroi Rama referuar vendimit të Beogradit kundër anëtarësimit të Kosovës në Interpol. Për herë të parë kryeministri Edi Rama ka prezantuar edhe idenë e një projekti për bashkim kombëtar mes Shqipërisë dhe Kosovës. Gjatë fjalës së tij në mbledhjen mes dy qeverive në Pejë, Rama ftoi homologun Haradinaj që të nisë puna nga dy Ministritë e Jashtme për hartimin e një strategjie të përbashkët për bashkimin e shqiptarëve deri në vitin 2025.
Pas kesaj mbledhjeje të përbashkët të qeverive të Kosovës dhe Shqipërise janë nënshkruar 9 marrëveshje mes ministrive perkatese të të dy vendeve, kryesisht në fushën e ekonomisë, bujqësisë, shëndetësisë e arsimit.

Ramush Haradinaj: “Populli i kosovës pret shumë nga ne dhe nuk do ndalojmë punën e pandalshme. Kosova pret që e drejta e vet të respektohet nga instuticionet vendimmarrëse të BE-së. Në planin ekonomik reformat fiskale dhe investimet në energji. Ajo që e shquan Kosovën është rreshtimi me SHBA. Kosova është e kombit tonë dhe e aleatëve. Zoti e bekoftë Kosovën, Shqipërinë dhe aleatët tanë”.

Edi Rama: “Shqipëria është shteti natyralisht më i prirur për bashkëpunim dhe më i interesuar për suksesin e Kosovës. Kjo drejtësi është e drejta ndërkombëtare. Kjo e drejtë nuk njeh gjysëm shtete. Kjo e drejtë është e drejta e njeriut që nuk njeh gjysëm njerëz. Kemi qenë dhe mbetemi të zhgënjyer nga qasja e BE dhe të gjitha shteteve që janë në themel të pavarësisë së Kosovës në raport më të drejtën për lëvizjen e lirë të qytetarëve të saj. Nuk mund të konsiderohet nga askush një gjysëmshtet. Kosova ka shfaqur qysh në krye të herës vullnetin për ta kapërcyer të shkuarën. Kosova është shëmbëlltyra e plotë e dëshirës për paqe. Përpjekjet e Serbisë kanë cënuar të gjithë vendin ekonomikisht. Goditjet e vazhdueshme pas shpine të fqinjit të Kosovës merr dhe shpjegimin 100% të tarifës ndaj mallrave serbe. Është reagim politik të një sjellje supermaciste. Sot ne jemi ne fazën ku duhet të konludojmë duke pasur parasysh 0 tarifa dhe 0 barriera tarifore brenda 6 mujorit të parë të vitit të ardhshëm. Sot është koha për të vënë tarifa 100% në veri të Kosovës dhe 0% në jug. Së dyti bashkimi doganor. Njohje e plotë e të gjithë dokumentave brenda 6 mujorit. Marrëveshja mes njohjes reciproke të patentave mes Kosovës dhe Shqipërisë. Unifikimi i të gjitha të dhënave për sistemet tona të përbashkëta është detyra që duhet ta marrin dhe ta kryejnë të dy ministritë e Brendshme. Serbia të jetë e gatshme të ulet me një fytyrë jo me 3. Të zgjedhi me cilën fytyrë të flasi me Shqipërinë. Të vendoset një fond i përbashkët për dy ministritë e Jashtme. Bashkimi i shqiptarëve është domosdoshmëri në rrugën drejt Bashkimit Europian. Jemi gati ti qëndrojmë përballë sfidave kuq e zi”./abcnews.al

VUCIC-REAGIM-MBULIM.mpg_snapshot_00.00-1280x720.jpg
G. P.10:10 | 26/11/2018

Pas publikimit të axhendës dhe marrëveshjeve që nënshkruhen sot në mbledhjen e përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, ka ardhur edhe reagimi i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Këtë takim ai e ka quajtur si hipokrizi pasi sipas tij, përderisa Kosova ka vendosur taksë doganore 100 % për mallrat e Serbisë dhe Bosnje e Hercegovincës, në anën tjetër me Shqipërinë po tenton të heqë barrikadat ekonomike. “Është kulmi i hipokrizisë, jo vetëm për shqiptarët që jetojnë në Kosovë dhe Shqipëri, por edhe për të gjithë ata që e lejojnë një gjë të tillë”, ka thënë Vuçiç.

Edhe Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandër Vulin, tha sot se përfaqësuesit shqiptarë nuk e kanë braktisur kurrë projektin e një “Shqipërie të Madhe”. Kjo, sipas tij, nuk mund të arrihet pa dhunë dhe persekutimin e të gjithë popujve të tjerë nga Kosova. Vulin theksoi se “Shqipëria e Madhe” është një kërcënim për të gjithë rajonin./abcnews.al

vlcsnap-error761-1280x720.jpg
us er15:04 | 15/12/2017

Qeveritë e Shqipërisë dhe Maqedonisë po zhvillojnë në Pogradec mbledhjen e parë të përbashkët, ku Kryeministri Rama priti me një ceremoni zyrtare homologun e tij maqedonas, Zaev. Në fund të mbledhjes së qeverive, dy kryeministrat do mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp. Sipas njoftimit të qeverisë shqiptare, në fokus të bisedimeve është përmirësimi i marrëdhënieve dypalëshe përmes bashkëpunimit të shtuar në fushën e infrastrukturës, ndërtimi i korridorit 8, intensifikimi i shkëmbimit të mallrave dhe shërbimeve si dhe forcimi i bashkëpunimit në fushën e sigurisë. Me këtë rast, do të nënshkruhen disa marrëveshje të përbashkëta e memorandume, si plani i konsultimeve periodike midis ministrive të Jashtme të të dy vendeve, një memorandum bashkëpunimi midis ministrive të Brendshme në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit. Gjithashtu, një tjetër memorandum që do të nënshkruhet është dhe ai për intensifikimin e bashkëpunimit dypalësh përmes Institutit për Trashëgiminë Kulturore dhe Shpirtërore të shqiptarëve të Maqedonisë, një marrëveshje për ndihmë reciproke në manaxhimin e emergjencave, si dhe do të miratohet formimi i një Këshilli Ekonomik Dypalësh. Nesër dy Kryeministrat Rama dhe Zaev do të vizitojnë Pustecin, një zonë e banuar nga minoriteti maqedonas në qarkun e Korçës. Aty do të priten nga autoritetet vendase dhe do të asistojnë në dorëzimin e mjeteve mësimore për nxënësit e një shkolle./abcnews.al

vlcsnap-error595-1280x720.jpg
us er17:15 | 27/11/2017

Nga mbledhja e parë e përbashkët e dy qeverive, që u mbajt në Prizren janarin e vitit 2014, Kosova ka ndryshuar 3 kryeministra.

Korça shënon etapën e katërt të këtij formati me kostante Edi Ramën, I cili për herë të parë bashkëkryesoi një mbledhje të dy kabineteve qeveritare me në krah Ramush Haradinajn.
Kryeministri i Shqipërisë ndeu detyrimin të theksonte se 3 mbledhjet e mëparshme kanë qenë frytdhënëse, me rezultate të prekshme, sipas tij.

“Do të vijojmë punën për hapjen e zyrës nacionale të Doganës së Kosovës në Portin e Durrësit dhe kjo do të thotë që një zyrë e tillë, t’jetë operative një orë e më parë. Hapja e kësaj zyre, do të ndikojë dukshëm në lehtësimin e shkëmbimeve tregtare të Kosovës edhe me vendet e tjera. Të dyja qeveritë do të punojnë me kembëngulje për të lehtësuar më tej procedurat në menyrë që në të ardhmen të kemi shkëmbime në sasi dhe vlera shumë më të mëdha.”

Një partneritet i tillë nuk mund të kuptohet pa sfida, pohoi Rama, ndërsa foli për tendenca bllokuese me të cilat u është dashur dy shteteve të përballen, por pa shpjeguar qartë se kujt I referohej.

“Sidoqoftë, thellimi i partneritetit strategjik është një proces që nuk përshkruhet dot pa sfida. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se kjo sipërmarrje e përbashkët, unike kërkon kurajo të përditshme nga të dyja palët për të përballuar tendenca bllokuese të interesave të çastit, të klaneve dhe monopoleve, të cilët nuk e gjejnë asnjëherë veten në efektet dobiprurës afatgjata të ekonomisë dhe të tregut të integruar. Është në interesin e përbashkët që ti rezistojmë këtyre presioneve dhe të punojmë për të gjetur e ndërtuar të gjithë mekanizmat që fuqizojnë arritjet e deritanishme.”

Nga mbledhja e përbashkët e dy qeveive, Rama I dërgoi një mesazh edhe Beogradit, përsa I përket bllokimit të linjës së interkonjeksionit mes Shqipërisë dhe Kosovës.

“Kjo linjë e interkonjeksionit 400 kë është pa as me të voglin dyshim një aks strategjik për të rritur ndërveprimin dhe jo thjesht për të afruar shumë më tepër dy shtetet tona, por për të konosliduar një proces tërësor rajonal. Të parit e kësaj linje si thjesht një linjë mes Shqipërisë dhe Kosovës është një mënyrë të pari me të cilin ne nuk pajtohemi dhe për të cilin do vazhdojmë të bëjmë përpjekje që të ndryshojë”.

Te marrëdhënia me Serbinë u ndal edhe Kryeministri I Kosovës, I cili u shpreh I gatshëm për vijimin e dialogut me Beogradin por kërkoi hapur prezencën ndërmjetësuese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Jemi të vendosur për dialogun me Serbinë, por dialogun e mendojmë tani në momentet finale dhe mendojmë që epilogu i dialogut duhet të sjellë njohjen mes Kosovës dhe Serbisë dhe që dialogu të arrije epilogun e duhur, e mendojmë të nevojshëm pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në dialog të lehtësuar nga BE dhe SHBA”.

Për të mos xhelozuar Brukselin, Haradinaj konfirmoi axhendën europiane të Prishtinës bashkë me dëshirën për t’u anëtarësuar në NATO.

“Axhenda europiane e Kosovës është integruar dhe tani është program qeverisës. Njëkohësisht, në një axhendë shumë të vlefshme për ne është anëtarsimi në NATO. Sot është dita e forcës së Kosovës. Jemi seriozeë, po punojmë me partnerët tanë edhe besoj se jemi në drejtim të duhur. Pra edhe me kohë do të kemi transformimin e forcës sonë me forcat e armatosura të vendit.”

Një kërkesë, Kryeministri I Kosovës e kishte edhe për autoritetet e Tiranës.

“Në planin ndërkombëtar, Kosova ende është në vështirësi për anëtarësim në mekanizmat ndërkombëtarë nëpër organizimet ndërkombëtare në marrjen e njohjeve dhe këtu dëshiroj të kërkoj edhe njëherë dhe të apeloj se vetëm së bashku edhe Shqipëria mund të ndihmojë Kosovën në këto procese që janë me shumë rëndësi për forcimin e pavarësisë sonë”.

Pas mbledhjes, palët firmosën 12 marrëveshje e memorandume mirëkuptimi, ndërsa njoftuan se mbledhjen e ardhshme të dy qeverive do ta zhvillojnë në Pejë. Në konferncën për shtyp që pasoi, dy kryeministrat shmangën përgjigjet direkte për çështje si kryeprokurori në Shqipëri apo arrestimi i Albin Kurtit në Kosovë./abcnews.al

 


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono