Putin

putinn-1280x708.jpg
nev ila16:30 | 04/07/2019

Presidenti rus Vladimir Putin që prej mesditës së sotme ka nisur një vizitë zyrtare në Itali. Takimi i parë zyrtar ka qenë me Papa Franceskun në Vatikan. 43 makina sigurie dhe 8 motocikleta ishin eskorta e automjetit të kreut të Kremlinit. Dhe pse mund të duket i gjatë ky varg automjetesh – duhet 1 minutë e 47 sekonda filmim për ta parë të plotë – është gjithësesi më i vogël në krahasim me eskortën e Donald Tramp. Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kur vizitoi Romën, shoqërohej nga 70 automjete.  Më pas kreu i Kremlinit do të takohet me Presidentin e Republikës Serxho Matarela në presidencë, dhe pasdite me kryeministrin italian Xhuzepe Konte. Darka do i rezervohet dy zëvendës kryeministrave italianë Luixhi Di Majo dhe Mateo Salvini. Ndërkohë që është parashikuar dhe një takim privat me ish kryeministrin italian Silvio Berluskoni. Çështjet ekonomike do te jene ne qender te takimeve te nivelit te larte.  Për shkak të sanksioneve reciproke te vendosura mes vendeve te BEse dhe SHBA me Rusine, Italia zbriti nga vendi i 3-4 në listën e partnerëve ekonomik ne rusine në 8. Rusia është vene ne sanksione evropiane dhe amerikane që nga viti 2014 për shkak të krizës ukrainase./ABC News Albania 24/7

RTS2KLTF-1280x892.jpg
ent ela18:15 | 03/07/2019

Vladimir Putin ka tërhequr zyrtarisht Rusinë nga traktati i vitit 1987 për kontrollin e armëve bërthamore. Duke fajësuar Uashingtonin për mungesë vullneti në implementimin e saj, Putin ka paralajmëruar se Kremlini është gati të tërhiqet edhe nga akorde të tjera armatimesh.

Presidenti rus Vladimir Putin firmosi të mërkurën, duke kthyer në ligj një draft për pezullimin e traktatit për kontrollin e armëve bërthamore, të firmosur në vitet ’80 nga presidentët Ronald Regan dhe Mikhail Gorbaçov. Moska pezulloi pjesëmarrjen e saj në këtë traktat në muajin mars, pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump njoftoi se do të tërhiqej pasi Rusia kishte shkelur kriteret e marrëveshjes. Më 3 korrik, Putin formalizoi pezullimin duke nënshkruar draftin që i lejon vetëm presidentit të vendosë nëse vendi mund të aderojë sërish në këtë traktat. Pakti për raketat bërthamore me rreze të mesme veprimi i dha zgjidhje krizës së raketave balistike ruse që vinin në shënjestër kryeqytetet europiane, por nuk përfshiu aktorë të tjerë të arenës ndërkombëtare si Kina.

Traktati, bashkë me marrëveshjen tjetër për kontrollin e armëve e quajtur START, konsiderohej një gur themeli për sigurinë globale. Praktikisht, marrëveshja në fjalë skadon në vitin 2021, por palët tashmë janë tërhequr prej saj. Putin ka paralajmëruar se është gati të tërhiqet edhe nga START, me argumentin se Uashingtoni nuk është i gatshëm të negociojë zgjatjen e akordit. Në samitin e G20-s në Japoni, Putin tha se ministrat e Jashtëm të Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara do të nisnin bisedimet për zgjatjen e START, edhe pse nuk dihet nëse një përpjekje e tillë do të ketë sukses. /ABC News Albania 24/7

may-putin-1280x709.jpg
nev ila21:15 | 28/06/2019

Me një takim në kuadër të samitit të G20-s, kryeministrja Theresa Mej dhe presidenti Vladimir Putin janë përpjekur të ulin tensionet në marrëdhëniet Londër-Moskë. Me një shikim të ftohtë, shefja e qeverisë britanike ka kërkuar që pala ruse të ndryshojë qasje, ndërsa kreu i Kremlinit rifillimin e marrëdhënieve tregtare.

Kanë tentuar të shkrijnë akujt mes tyre, por pavarësisht përpjekjeve dhe një shtrëngimi modest duarsh palët kanë qëndruar ftohtë ndaj njëra-tjetrës. Në takimin e zhvilluar në Japoni në kuadër të samitit të G20-s, kryeministrja britanike Theresa Mej i kërkoi presidentit rus Vladimir Putin që Moska t’i japë fund sjelljeve të papërgjegjshme dhe destabilizuese të saj, nëse dëshiron që marrëdhëniet mes dy vendeve të përmirësohen.

Mej iu referua sulmeve me agjent nervor në Sallisbëri të Anglisë, për të cilat Londra fajëson Kremlinin. Lidhur me rastin në fjalë, Mej kërkoi ekstradimin e dy të dyshuarve rusë, me qëllim që të dalin përpara drejtësisë.

“Përdorimi i agjentëve nervorë në rrugët e Sallisbërit ishte një sjellje e papranueshme, që çoi për më tepër në vdekjen e një shtetaseje britanike”, tha Mej.

Megjithatë, shefja e qeverisë britanike u shpreh e hapur për përmirësimin e marrëdhënieve, por nënvizoi se për ta arritur këtë Rusia duhet të ndryshojë taktikat e saj.

Nga ana tjetër, sipas një njoftimi për shtyp të Kremlinit, presidenti Putin i ofroi zonjës Mej përgjigje të sakta lidhur me rastin e ish-spiunit Sergei Skripal, si dhe foli për nevojën e rikthimit të marrëdhënieve tregtare mes Britanisë dhe Rusisë./ABC News Albania 24/7

trump-putin-1-1280x926.jpg
nev ila23:10 | 26/06/2019

Pas shumë spekulimeve, Kremlini ka konfirmuar të mërkurën se presidenti Putin do të takohet me homologun amerikan Donald Trump. Dy liderët do të qëndrojnë kokë më kokë për rreth 1 orë, në një takim që do të ketë në fokus konfliktet nëpër botë dhe traktatet e armatimeve.

Presidentët Donald Trump dhe Vladimir Putin do të takohen në samitin e G20-s që mbahet më 28 qershor në Osaka të Japonisë.

Lajmi është konfirmuar nga burime zyrtare pranë Kremlinit, sipas të cilave dy liderët do të qëndrojnë kokë më kokë përreth 1 orë për të diskutuar mbi një sërë çështjesh, që nga ato të Lindjes së Mesme e deri tek ato të traktateve të armatimeve, nga të cilat kanë kërcënuar se do të tërhiqen.

Takimi do të zhvillohet gjithashtu në një kohë tensionesh të rritura mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, çështje që natyrisht do të jetë në tryezën e bisedimeve. Zyrtari i Kremlinit, Juri Ushakov deklaroi se palët do të diskutojnë edhe për çështje të stabilitetit strategjik, si lufta në Siri, kriza në Venezuelë dhe ajo në Ukrainë, për të cilat dihet se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë qëndrime diametralisht të kundërta.

Nga ana tjetër, Uashingtoni nuk e ka konfirmuar zyrtarisht mbajtjen e takimit, por një burim pranë administratës tha në kushte anonimati se ai do të zhvillohet.

“Nuk është një samit zyrtar, por pritet të jetë një bashkëbisedim që do të fokusohet së pari tek çështjet e sigurisë, përfshirë Ukrainën, Iranin, Sirinë dhe Lindjen e Mesme në tërësi”, deklaroi zyrtari në kushte anonimati.

Për herë të fundit dy presidentët janë takuar shkurtimisht në dy evente ndërkombëtare të mbajtura dhjetorin dhe nëntorin e kaluar, pas samitit të Helsinkit të mbajtur një vit më parë, kur Trump refuzoi të fajësonte liderin rus për ndërhyrjen në zgjedhjet amerikane të vitit 2016./ABC News Albania 24/7

TRUMP-TAKIMI-ME-PUTIN-ABCM3T1.mpg_snapshot_00.12-1280x720.jpg
ad min18:30 | 20/06/2019

 Presidenti rus Vladimir Putin është shprehur i gatshëm për dialog me homologun amerikan Donald Trump. Megjithatë, kreu i Kremlinit ka nënvizuar se politika e brendshme e Shteteve të Bashkuara dhe përpjekja e Trump për rizgjedhje, i komplikojnë gjërat.

Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi të enjten se është gati të takohet me Donald Trump nëse ai e kërkon një gjë të tillë, por shtoi se fushata e homologut të tij për rizgjedhjen mund të komplikojë marrëdhëniet SHBA-Rusi. Trump ka deklaruar se pret të takohet me Putin në samitin e G20-s që mbahet në Osaka të Japonisë më vonë gjatë muajit, edhe pse Moska insiston se deri më tani nuk ka marrë një ftesë zyrtare për një takim të tillë.

Marrëdhëniet SHBA-Rusi mbeten të cunguara për një sërë çështjesh, nga Siria tek Ukraina dhe Venezuela, si dhe për shkak të ndërhyrjes së përfolur ruse në politikën amerikane, akuzë të cilën Moska e mohon. “Dialogu është gjithmonë pozitiv dhe ka gjithmonë kërkesë për të”, deklaroi Putin gjatë sesionit vjetor pyetje-përgjigje me mediat, kur u pyet mbi takimin e mundshëm me Trump. “Natyrisht, nëse amerikanët shfaqin interes, atëherë ne jemi gati”, vijoi kreu i Kremlinit.

Lideri rus shtoi se dy vendet kanë shumë çështje për të cilat duhet folur, përfshirë këtu stabilitetin strategjik bërthamor, por theksoi se përpjekja e Trump për të fituar një mandat të dytë mund të vështirësojë gjërat. “Kreu amerikan i shtetit ka nisur fushatën dhe deklaratat që ai ka ndërmend të bëjë mund të komplikojnë situatën”, tha Putin.

Një tjetër aspekt që sipas tij pengon normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve është politika e brendshme amerikane. “Të gjithë po e shohim se çfarë po ndodh në politikën e brendshme të Shteteve të Bashkuara. Kështu që edhe nëse presidenti dëshiron të përfshihet në dialog, mundësitë janë shumë të kufizuara”, shtoi Putin./ABC News Albania 24/7

trump-putin.jpg
nev ila23:45 | 11/06/2019

Moska ka zbehur shpresat për një takim mes presidentëve Trump dhe Putin në Osaka të Japonisë. Kremlini ka deklaruar se propozimi i Shtëpisë së Bardhë nuk është pasuar nga asgjë konkrete, ndaj dhe ideja “vazhdon të vërtitet në ajër”.

Zyra e shtypit në Kremlin deklaroi të martën se ideja amerikane për një takim mes presidentëve Trump dhe Putin në kuadër të samitit G20 që zhvillohet më vonë gjatë muajit në Japoni ka mbetur pezull dhe me detajet të pacaktuara.

Trump e kapi në befasi Kremlinin muajin e kaluar kur tha se kishte në plan të takohej me Putin në samitin e Osakës, por pavarësisht befasisë Moska u shpreh e hapur për një takim të tillë dhe shpresoi se do të ndodhte.

Rusia prej kohësh ka shprehur gatishmërinë e saj për të riparuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, që mbeten të vështira për shkak të një sërë çështjesh, përfshirë këtu Sirinë, Ukrainën dhe ndërhyrjen e përfolur ruse në politikën amerikane. Por Kremlini e ka bërë gjithashtu të qartë se pret të marrë një propozim zyrtar për këtë takim dhe u ka kujtuar mediave se, takimi i fundit i planifikuar mes Putin dhe Trump u anulua me nismë të palës amerikane.

Zyrtari i Kremlinit, Juri Ushakov u tha gazetarëve ditën e martë se detajet e një takimi mes dy liderëve jo vetëm që nuk janë caktuar, por as janë diskutuar.

“Ideja për një takim Putin-Trump në Osaka, në kuadër të samitit G20, vërtitet në ajër. Pala amerikane, që e ka hedhur atë, nuk ka sjellë asgjë të përgatitur dhe ne nuk kemi diskutuar as elementët bazë, që janë vendi, koha dhe axhenda”, deklaroi Ushakov./ABC News Albania 24/7

E3KNSTUHUEI6TJEREXPWDR4NYQ-1280x960.jpg
ad min20:30 | 05/06/2019

Presidenti kinez Xi Jinping vizitoi sot Kremlinin, ku me homologun Putin ka nënshkruar 30 marrëveshje tregtare. Dy liderët kanë shprehur gjithashtu këndvështrime të njëjta sa i takon çështjeve me interes ndërkombëtar, si ajo koreane dhe kriza në Venezuelë.

Shkatërrimi i traktateve për kontrollin e armëve është i papranueshëm. Kështu ka deklaruar presidenti rus Vladimir Putin, gjatë një takimi me presidentin kinez Xi Jinping në selinë e Kremlinit, që ka shërbyer për t’i dhënë një mesazh edhe Perëndimit. Gjatë vizitës, që kishte si qëllim çimentimin e lidhjeve ekonomike mes dy vendeve në një kohë kur lufta tregtare Kinë-SHBA po bëhet gjithnjë e më e nxehtë, Putin falenderoi homologun Xi për kontributin që shkëmbimet tregtare mes dypalëshe të arrijnë në 100 miliardë dollarë në vit. Putin shtoi se marrëdhëniet ruso-kineze kanë arritur në një nivel të papreçedent dhe në fakt, dy presidentët nënshkruan një paketë me 30 marrëveshje tregtare.

Dy liderët firmosën edhe dy akorde të tjera, njëra për partneritetin Moskë-Pekin dhe një për stabilitetin strategjik global. Në këtë aspekt, Putin theksoi se, për shumë çështje me interes rajonal dhe ndërkombëtar është dakord me Kinën.

Putin dhe Xi u shprehën njëzëri se nuk ka alternativë tjetër veç një zgjidhjeje paqësore të çështjes bërthamore koreane, ndërsa rikonfirmuan përpjekjet e përbashkëta për të zgjidhur krizën në Siri dhe në Venezuelë. Presidenti Xi, nga ana e tij e quajti presidentin rus “mikun e tij të gjirit” dhe riafirmoi deklaratat e tij se bashkëpunimi dypalësh bazohet në besimin reciprok. “Bota po ndryshon në një nivel të papreçedent dhe bashkëpunimi mes Rusisë dhe Kinës do të mbetet i fortë përgjatë viteve në vazhdim”, tha Xi./ABC News Albania 24/7

putin-904x445.jpg
ent ela10:23 | 26/05/2019

Besimi i publikut ndaj presidentit rus, Vladimir Putin ka rënë në nivelin më të ulët në 13 vjetët e fundit, thuhet në një sondazh shtetëror rus.

Sondazhi, i publikuar nga Qendra për Kërkime të Opinionit Publik, gjeti se besimi ndaj Putinit ka rënë në 31,7 për qind, që është niveli më i ulët që prej vitit 2006.

Megjithatë, pavarësisht nivelit të ulët të besimit, vlerësimi i përgjithshëm ndaj Putinit vazhdon të jetë 65,8 për qind.

Presidenti rus, Putin ka pësuar një rënie në popullaritet që prej se u rizgjodh më 2018, mes rritjes së shqetësimit të publikut mbi rënien e të ardhurave dhe vendimit të Qeverisë për të rritur moshën e daljes në pension.

Besimi ndaj Putinit kishte arritur rekordin prej 17 për qind më 2015, pasi Rusia aneksoi një vit më parë Gadishullin ukrainas të Krimesë./REL

880x495_cmsv2_462df285-d614-55da-bba7-73c46b7408f7-3876466.jpg
ent ela15:59 | 09/05/2019

Në fjalën e tij në paradën e fitores në sheshin e kuq në Moskë, presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se lufta është sërish aktuale. Por njëkohësisht ai premtoi se Rusia do të bëjë gjithçka për ta shmangur. Në kryeqytetin rus parakaluan para mureve të Kremlinit më shumë se 13 mijë ushtarë dhe 132 mjete ushtarake.

“Lufta është sërish aktuale por Rusia do të bëjë cdo gjë për ta shmangur”.

Deklarata u bë nga presidenti rus Vladimir Putin gjatë fjalës së tij në paradën në sheshin e kuq, në 74 vjetorin e Ditës së Fitores, që celebron humbjen e Gjermanisë naziste dhe rënien në fushën e betejës të atyre që luftuan.

“Populli ynë e di se çfarë është lufta, ne nuk harrojmë asgjë,” shtoi ai.

Në Moskë ishte një festë e madhe në ditën e fitores. Në 9 maj Rusia kujton përvjetorin e fitores ndaj Gjermanisë naziste në luftën e dytë botërore.

Të pranishëm ishin përfaqësuesit më të lartë të ushtrisë ruse. Duke iu drejtuar qytetarëve të pranishëm, presidenti rus u shpreh: “Sot duke festuar këtë datë, ne sërish njohim madhështinë e fitores ndaj nazismit. Jemi krenar që pikërisht etërit tanë arritën të zhdukin, mundin dhe të ndalojnë atë forcë të errët. E tashmë pas 70 vitesh, histori I bën sërish apel mendjes dhe vëmendjes tonë. Nuk duhet të harrojmë se idetë e superioritetit dhe eksluzivitetit racial shkatuan luftën më të përgjakshme. Luftë që përfshiu rreth 80 për qind të popullsisë botërore. Dhe shumë vende të Europës u pushtuan.”

Putin disa herë theksoi se lufta është sërish aktuale, por dhe se Rusia do të bëjë gjithçka për ta shmangur.

Në paradën e sheshit të kuq, parakaluan mjetet më modern të ushtrisë së fuqishme ruse si për shembull S-400 Triumf, sistemet anti ajrorë dhe anti raketat që përdoren për të mbrojtur hapësirën ajrore, por dhe sistemet që hedhin raketa me rreze të cilat mund të arrijnë deri në Shtetet e Bashkuara të AMerikës. Ushtria ruse drejtohej nga general koloneli Oleg Saliukov, komandant i trupave të ushtrisë, i cili parakaloi në bordin e një automjeti rus të blinduar.

Të pranishëm ishin dhe veteranë të luftës, por asnjë lider i huaj. /ABC News Albania 24/7

trump-putin-1280x737.jpg
ad min22:45 | 03/05/2019

Presidentët Donald Trump dhe Vladimir Putin po shqyrtojnë mundësinë e një traktati të ri bërthamor, i cili nuk duhet të jetë më dypalësh por të përfshijë edhe Kinën. Në një bisedë telefonike që ka zgjatur më shumë se 1 orë, dy liderët kanë diskutuar edhe për Venezuelën, Ukrainën dhe Korenë.

Presidenti amerikan Donald Trump dhe homologu rus Vladimir Putin zhvilluan të premten një bisedë të gjatë telefonike, gjatë të cilës diskutuan për mundësinë e një marrëveshjeje të re bërthamore. Lajmi është konfirmuar nga burime zyrtare nga Uashingtoni dhe Moska, sipas të cilave gjatë bisedës dy presidentët prekën edhe çështje të tjera si Venezuela, Korea e Veriut dhe Ukraina. Vetë presidenti Trump nuk ka vonuar të informojë ndjekësit e tij në Tëitter për bisedën që sipas mediave amerikane zgjati më shumë se 1 orë.

“Pata një bisedë të gjatë dhe shumë pozitive me presidentin Putin. Diskutuam për tregtinë, Venezuelën, Ukrainën, Korenë, armët bërthamore dhe raportin e Robert Myler mbi ndërhyrjen ruse”, ka bërë me dije Trump.

Ndërkohë, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë ka saktësuar se Trump dhe Putin folën për mundësinë e një marrëveshjeje bërthamore të re dhe shumëpalëshe mes Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Kinës, ose për një zgjatje të traktatit aktual.

“Në tërësi ishte një bashkëbisedim pozitiv”, ka thënë Sarah Sanders. Edhe Kremlini ka konfirmuar bisedën e zhvilluar mes dy liderëve, duke nënvizuar se kontakti telefonik u bë me kërkesë të palës amerikane. Sipas Moskës, dy liderët ranë dakord të qëndrojnë në kontakt dhe vlerësuan natyrën e bisedimeve. Sa i takon Venezuelës, Kremlini ka saktësuar se presidenti Putin përsëriti qëndrimin se çdo ndërhyrje e jashtme do të minojë perspektivën për një zgjidhje politike të krizës./ABC News Albania 24/7


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono