punetore

pune.jpg
ger ta07:52 | 21/11/2019

Gjatë një kontrollimi në një kantier të madh ndërtimi në Wolfsburg  të Gjermanisë, autoritetet doganore kanë gjetur 12 punëtorë shqiptarë, të punësuar ilegalisht.

Sipas mediave vendase në momentin kur po afroheshin makinat e doganës, tre punëtorë shqiptarë kanë tentuar të largohen. Ndërkohë, pas kontrollimit të bërë, u konstatua se ata nuk kishin leje qëndrimi dhe as leje pune në Gjermani.

Tetë prej tyre fillimisht kanë treguar dokumente false identiteti të vendeve të Evropës Lindore që janë anëtare të BE-së. Mirëpo, pavarëisisht tentativës së  tyre, autoritetet i dërguan punëtorët në polici për ekzaminim më të saktë të dokumenteve dhe për marrje në pyetje.

Doganierët me këtë rast kanë konstatuar se disa nga punëtorët kanë qenë duke marrë padrejtësisht ndihma sociale ose kanë qenë të regjistruar në mënyrë fiktive si persona me veprimtari të pavarur./abcnews.al

integrim.jpg
ad min09:07 | 13/09/2019

Organizata për ndihma Malteser ka publikuar një raport për migracioni, ku jepen lajme të mira për ekonominë. 130 faqe plot fakt japin shpresë se ekonomia po shkon në drejtim të duhur. Edhe integrimi i të huajve.

Në faqen e parë të raportit të organizatës Malterser për integrimin e fuqisë së ardhur punëtore shihet një burrë para një banke. Ai duket shumë i kënaqur, e shikuar nga raporti 130-faqësh, ai edhe mund të jetë i kënaqur. Në raport flitet për “përparime habitëse”, kur bëhet fjalë për gjendjen e migrantëve të futur në tregun gjerman të punës.

Qëllimi i shoqatës Malteser ka qenë që në kohën e debateve të nxehta të paraqesë një raport me sa më shumë fakte. Botuesi i raportit është një organizatë katolike, e cila ndihmon edhe procesin e integrimit. Përgjegjës për pjesën shkencore në Malteser është Instituti Walter-Eucken. Drejtori Lars Feld konstaton: “Integrimi gjatë viteve të fundit, madje edhe integrimi i refugjatëve, ka qenë shumë më i mirë se sa që është menduar në fillim.”

Lajme të mira, të cilat kanë të bëjnë në radhë të parë me futjen e fuqisë punëtore të huaj në tregun e punës në Gjermani. Integrimin më të mirë në këtë fushë e kanë arritur migrantët nga vendet prej nga ka ardhur numri më i madh i refugjatëve – nga Afganistani, Eritrea, Iraku, Irani, Nigeria, Pakistani, Somalia dhe Siria. Krahasuar me prillin e vitit 2017, numri i të punësuarve nga ky grup i njerëzve është dyfishuar: Në prill të vitit 2019 ka pasur rreth 312.000 persona të punësuar.

E ngarkuara më çështjet e integrimit në qeverinë gjermane, Annette Widmann-Mauz, e vlerëson këtë si sukses. “Zhvillimet në katër vitet e fundit kanë qenë shumë më pozitive, se sa që kanë menduar ekspertët”, thotë ajo për gazetën “Rheinische Post”.

Disponimi i përgjithshëm

Optimizmi po rritet edhe tek banorët tjerë të Gjermanisë – të paktën sa i përket integrimit të migrantëve dhe efekteve në ekonomi. 36,1 % e gjermanëve e shohin ardhjen e migrantëve dhe refugjatëve si një shans për ekonomi. Kjo do të thotë se besimi i gjermanëve ndaj këtyre kategorive është shtuar për 9 % më shumë, në krahasim me vitin 2016. Besimi është rritur për shkak të procesit të suksesshëm të integrimit në tregun e punës dhe uljes së numrit të azilkëkruesve.

Abgeschobener Afghane Haschmatullah F. darf zurück nach Deutschland (picture alliance/dpa/B. Roessler)

Por njëkohësisht është rritur edhe numri i njerëzve të shqetësuar për sigurinë në Gjermani. Vitin e fundit plot 71,6 % e të anketuarve e shohnin ardhjen e azilkërkuesve si një rrezik për sigurinë në vend. Kjo do të thotë dy përqind më shumë se në vitin 2016.

Ndërkohë që Gjermania është një vend shumë më i sigurt se sa në vlerësimet e të anketuarve, jo vetëm në kontekstin e migrantëve por në përgjithësi. Niveli i kriminalitetit në Gjermani ka rënë vitet e fundit. Gjatë vitit 2009 ka pasur rreth gjashtë milionë vepra penale, ndërsa në vitin 2018 vetëm rreth 5,4 milionë. Vitin e kaluar janë kapur rreth 1,93 milionë persona që kanë bërë vepra të ndryshme kundërligjore. 69,5 % prej tyre kanë qenë gjermanë, ndërsa 30,5 % me origjinë të huaj.

Problemi mund të zgjidhet

Raporti i parë i Malteser për migrantët është botuar në vitin 2017. Në këtë raport është prezantuar influenca e refugjatëve dhe të ardhurve të tjerë në sistemin financiar në Gjermani. Sipas dokumentit, një azilkërkues paraqet ngarkesë edhe më të madhe për sistemin, në qoftë se potencialet e tij nuk shfrytëzhohen në tregun e punës. Tre vite më pas vjen bilanci i parë: Integrimi i refugjatëve në tregun gjerman të punës po shkon më shpejt se sa që ishte planifikuar. Përveç kësaj, asokohe është llogaritur me një numër edhe më të madh të të ardhurve në Gjermani.

Në këtë mënyrë janë zvogluar edhe shpenzimet për ndihmat sociale. Karl Prinz zu Löwenstein nga organizata Malteser konstaton: Raporti dëshmon se “integrimi i të ardhurve, pra edhe i refugjatëve, ka qenë një problem i zgjidhshëm për Gjermaninë. Kjo vlenë në veçanti për sektorin e financave.”/DW

jemi-ne-greve.jpg
ad min21:57 | 21/08/2019

Punonjësit e aeroportit të Prishtinës kanë vijuar edhe të mërkurën grevën e tyre disa orëshe. Ata kanë kërkuar plotësimin e 5 kërkesave, që kanë të bëjnë kryesisht me pagat e tyre, për t’iu rikthyer punës. Ndërkohë, zëdhënësja e aeroportit ka deklaruar se greva nuk ka ndikuar tek fluturimet.

Ka vazhduar edhe sot greva e punëtorëve të aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës. Punëtorët, të cilët kanë protestuar për rreth 6 orë radhazi, nuk do të ndalen derisa të plotësohen pesë kërkesat që kanë paraqitur.

“Injorimi i tyre ka vazhduar deri ditën e sotme. Me përjashtim të para dy ditëve është tentuar sipas fjalëve të menaxherëve, jemi ulë me biseduar dhe kërkesat tona me i diskutuar kanë thënë se nuk kanë autorizuar askënd të nënshkruajnë dhe nuk kanë obligim ta zbatojnë, ujë, çaj sa të doni keni dhe aty ka marrë fund gjithçka”.

Ndërsa zëdhënësja e Aeroportit të Prishtinës, Valentina Gara ka thënë se edhe përkundër grevës së punëtorëve nuk ka pasur asnjë vonesë në linjat e fluturimeve.

“Ne kemi pas të paralajmëruar grevën për sot, duke pasur parasysh që dje kemi pas pengesa në shtyrjen e punës e nga punonjës që nuk kanë qenë pjesë të grevës, sot janë paraparë të merren masa shtesë që janë ndërmarrë nga autoritetet relevante”.

Punëtorët e aeroportit kanë thënë se greva do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave të tyre. Ata kërkojnë: të paguhet rrezikshmëria në vendin e punës sipas ligjeve të punës në Kosovë, të bëhet nivelizimi i pagave, të paguhet përvoja e punës, të paguhen orët e punës gjatë fundjavës dhe të paguhet një shujtë ditore./ABC News Albania 24/7

binaj.jpg
ad min14:13 | 20/08/2019

Në Bashkinë e Selenicës janë larguar 66 punonjësit e parë. Kryetari i porsaemëruar Pellumb Binaj, ka nënshkruar për shkarkimin e 66 punonjësve të kësaj njësie vendore.

Ata shërbenin në sektorin e shërbimeve publike, kryesisht në pastrim dhe gjelbërim. Binaj ka thënë se kjo ndërprerje kontrate me 66 punonjësit është bërë në bazë të urdhrit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Sipas Binajt, në Janar të këtij viti, raporti i KLSH-së ka vërejtur se për 66 punonjës të Bashkisë së Selenicës, me kontratë të pjesshme dhe që paguheshin me vetëm 12 mijë lekë të rinj në muaj, nuk zbatohej ligji mbi Kodin e Punës.

Binaj tha se urdhri i KLSH-së nuk ishte zbatuar sipas kërkesës së KLSH-së, që kishte caktuar afat ndërprerjen e kontratave deri në muajin Mars të 2019-s./ABC News Albania 24/7

ishp.jpg
ad min16:06 | 19/08/2019

Inspektoriati Shtetëror i Punës ka reaguar për vdekjen e dy punëtorëve, të cilët u rrëzuan nga skela pak ditë më parë ndërsa po riparonin fasadën e një pallati në Tiranë. Dy kompanitë e skelave sipas Drejtorit të Përgjithshëm janë nën hetim. Seferaj e cilësoi sektorin e ndërtimit me risk shumë të lartë sa i përket humbjeve të jetëve në punë.

“Rasti i fundit i aksidentit të ndodhur si shkak i rënies së skelës në kantierin e ndërtimit të pallatit me pasojë humbjen e jetës së dy punëmarrësve dhe plagosjen e katër të tjerëve tregon se kontrollet duhet të intensifikohen më shumë në sektorin e ndërtimit dhe jo vetëm duke synuar rritjen e cilësisë së inspektimeve me qëllim parandalimin dhe mosndodhjen në të ardhmen. Subjektet “Xhimi Taurush” dhe “Skela Syla”, të cilët u përfshinë në këtë aksident në punë janë në proces hetimi nga inspektorët e punës së degës rajonale Tiranë duke bashkëpunuar edhe me organet e Policisë së Shtetit me rezultatet e të cilit do t’ju bëjmë me dije në përfundim të këtij procesi. Ergys Ibrahimidhe Genc Bardhi i lënduar janë punëmarrës të subjektit “Xhimi Tarushi”. Orjan Kodra që ka humbur jetën, Eugidius Lika, Behar Sadria, dhe Altin Marku, të plagosur janë punëmarrës të subjektit “Skela Syla””, tha Seferaj./abcnews.al

punetoret-1280x743.jpg
ad min16:00 | 16/08/2019

Dy viktima dhe tre të plagosur është bilanci i deritanishëm i një aksidenti në punë në Tiranë. 5 punëtorë ranë nga skela mbi të cilën po punonin, kur ajo u rrëzua.

Ngjarja e rëndë ndodhi tek një pallat në rrugën “Faik Konica” në Tiranë, i cili i ishte nënshtruar rikonstruksionit të fasadës. 3 punëtorë janë dërguar me urgjencë në spital, ndërsa dy të tjerë kishin mbetur nën rrënoja. Policia ka arritur të nxjerrë nga rrënojat trupat e punëtorëve të cilët fatkeqësisht kanë ndërruar jetë.

Sipas informacioneve paraprake, skela është shkëputur dhe disa punëtorë kanë rënë nga një lartësi prej pesë metrash, ndërsa të tjerët kanë arritur të shpëtojnë duke u mbajtur. Policia ka rrethuar zonën me perimetër sigurie dhe ka evakuuar banorët.

Njoftimi i policisë

Rreth orës 15:00 në rrugën e “Elbasanit” nga një ndërtesë në rikonstruksion është shkëputur një pjesë  e skelës metalike. Si pasojë e shkëputjes së skelës janë dëmtuar 4 nga punëtorët të cilët ndodheshin duke punuar pranë këtij objekti, shtetasit G. B.,44 vjeç dhe E. L.,34 vjeç  janë dërguar të cilët janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore.

Dy punëtorë të tjerë i ka zënë skela poshtë  dhe në këto momente është nxjerrë turpi i pajetë  njërit prej tyre. Policia e zjarrfikësja vijojnë punën për nxjerrjen e personit tjetër. Policia ka shoqëruar administratorin e punimeve  për veprime të mëtejshme Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje ku po vijin punën për sqarimin e mëtejshëm të rrethanave të ngjarjes./abcnews.al

biznese.jpg
ad min16:01 | 04/05/2019

Në panarin e punës në Durrës bizneset private kanë shpallur mbi 2000 vende të reja pune. Numri i lartë i vendeve të lira ekziston pasi aplikuesit për punë janë mosha të mëdha ose të rinj pa eksperiencë. Ndërsa zv ministrja e Ekonomisë, Dajna Sorensen, e konsideron panairin një mundësi për të ulur papunësinë në vend.

Bizneset private duket se po përballen me vështirësi për të siguruar fuqi punëtore. Shkak kryesor renditet largimi masiv i të rinjve jashtë vendit. Janë mbi 2000 vende të reja pune të ofruara nga rreth 60 subjekte në panairin e punës të hapur në sheshin “Liria” në Durrës. Kryeson industria e turizmit. Për kreun e Zyrës Rajonale të Punësimit, Indrit Buka, kjo është një mundësi e mirë për të gjithë punëkërkuesit, por edhe kompanitë.

Zëvendësministrja e Ekonomisë pohoi se panairet e punësimit po kthehen në traditë, si një formë për zbutjen e papunësisë në vend. Një interes të madh kanë patur stendat e hapura nga resortet dhe restorantet, në bregdetin Adriatik. Krahas moshës së re që tregu i punës kërkon, kriter mbetet edhe eksperienca, çka vështirëson punësimin e personave te interesuar./ABC News Albania 24/7

notre-dame-1.jpg
ad min21:44 | 24/04/2019

Punëtorët e angazhuar në restaurimin e pjesës së sipërme të katedrales Notre Dame kanë pranuar se kanë pirë duhan në vendin e punës. Megjithatë, kompania përgjegjëse ka përjashtuar mundësinë që duhani të jetë bërë shkak i zjarrit në objektin shekullor të kultit.

Përfaqësues të kompanisë së ndërtimit që ishte angazhuar në punimet për pjesën e sipërme të katedrales Notre Dame të Parisit kanë pranuar përpara hetuesve se punonjësit konsumonin duhan në kantierin e punës.

Dhe në fakt, sipas mediave franceze, në vendin e ngjarjes, hetuesit kanë gjetur 7 bishta cigaresh. Por kompania “Le Bras Frere”, pasi është shprehur e hidhëruar për këtë episod ka përjashtuar çdo lidhje mes cigareve dhe zjarrit që përfshiu objektin e kultit të hënën e javës së kaluar.

“Mesa duket ka punëtorë që herë pas here kanë shkelur rregullat, por në asnjë rast shkak i zjarrit nuk mund të jetë bërë një bisht cigareje i fikur keq”, ka deklaruar zëdhënësi i kompanisë.

Sa i takon pistës së një zjarri të shkaktuar nga motorët elektrikë të ashensorëve, zëdhënësi i grupit ka siguruar se motorët nuk kanë paraqitur asnjë problem.

“Ata janë larg majës së katedrales dhe tashmë është konfirmuar se zjarri ra në brendësi të ndërtesës”, ka vijuar zëdhënësi.

Për momentin pista e privilegjuar për ngjarjen e rëndë është ajo e zjarrit aksidental, shkaktuar nga një qark i shkurtër, por kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht dhe mbetjet e godinës do të analizohen një për një për gjetjen e indicieve./abcnews.al

mustafa-nanooo.jpg
ad min20:37 | 23/04/2019

Në monologun e kësaj puntate në emisionin “Provokacija”, moderatori Mustafa Nano renditi disa prej ëndrrave e tij.

Mustafa Nano: I have a dream. Unë kam një ëndërr që të vijë një ditë:

Kur të kuptohet se një politikan i korruptuar është gjëja më e fisme në botë në krahasim me një politikan të korruptuar që zgjedh si kauzë të tijën luftën kundër korrupsionit.

Unë kam një ëndërr që të vijë një ditë kur të biem të gjithë dakord se nuk ka punë të liga që bëhen për qëllime të mira dhe se nuk ka punë të mira që të shërbejnë si alibi e qëllimeve të liga.

Unë kam një ëndërr që të vijë një ditë, kur të kuptojmë se është më mirë të bësh një dëm duke respektuar ligjin sesa të bësh një punë të paqme duke e dhunuar atë. Unë kam një ëndërr që të vijë një ditë kur në krye të institucioneve shqiptare të zgjidhen njerëzit e zotë, e jo idiotët e dobishëm.

Unë kam një ëndërr që të vijë një ditë kur njerëzit të thonë se do dalin një shëtitje nga parku dhe ai të mos jetë parku te Liqeni.

Unë kam një ëndërr që të vijë një ditë kur qytetarëve që do të hipin në autobusin urban me një libër në dorë të mos u kërkohet biletë.  Hej, kujdes me ëndrrat: ndonjëra edhe realizohet.

Unë kam një ëndërr që të vijë një ditë kur të gjithë të kuptojnë se nuk ka budalla më të madh sesa ai që thotë shprehjen “hajt mo, punë shqiptarësh”, dhe me “shqiptarët” kupton të gjithë shqiptarët, përveç atij vetë.

Unë kam një ëndërr që të vijë një ditë kur njerëzit të binden se, sipas një rregulli jo fort të kuptueshëm, njerëzit e mirë nuk janë të zotë dhe njerëzit e zotë nuk janë të mirë.

Unë kam një ëndërr që të vijë një ditë kur njerëzit ta kuptojnë se prapa çdo heroi fshihet një mashtrim, dhe se heronjtë e vërtetë të kombeve, apo edhe të njerëzimit, janë ata që u fshihen syve të historisë.

Unë kam një ëndërr që të vijë një ditë kur të kuptohet se vajzat e bukura nuk ka se si të jenë inteligjente nëse nuk harrojnë që janë të bukura. 

Unë kam një ëndërr që të vijë një ditë kur të bihet dakord nga të gjithë se Enver Hoxha nuk ka pasur qëllim tjetër në jetë veçse ta sundojë këtë vend, dhe se ai e ka një alibi që është alamet alibie: të gjithë të tjerët të njëjtin qëllim kanë patur e kanë.

Unë kam një ëndërr që të vijë një ditë kur ne shqiptarët të rifitojmë sadopak, apo pak e nga pak, të vetmen cilësi që na mungon e tëra, skofinë. Çfarë është skofia? Nuk ua them, hapni fjalorin e gjuhës shqipe. Ai fjalor duhet hapur herë pas here.

Unë kam një ëndërr që të vijë një ditë kur të rinjve shqiptarë t’u duket më me interes një diplomë kuzhinieri sesa një diplomë juristi.

Kur hoxhallarët e Shqipërisë të lexojnë më në fund Kuranin.

Unë kam një ëndërr që të vijë një ditë kur njerëzit të heqin dorë së justifikuari dembelizmin e tyre me faktin që nuk ka punë. Për atë që nuk është dembel, punë ka edhe kur në fakt nuk ka, dhe në të kundërt, për atë që është dembel, punë nuk ka edhe nëse askush tjetër nuk është i papunë./abcnews.al

raii-1280x800.jpg
ad min15:03 | 16/07/2018

Televizioni shtetëror në Itali, RAI, numëron 13 mijë të punësuar dhe ka numrin më të madh të edicioneve të lajmeve në ditë, në të gjithë botën. Gjithsesi në Itali, ai mbetet më pak i ndjekuri.

Sipërmarrja më e madhe kulturore në Itali, RAI, ka mbetur në parking. Nis në këtë mënyrë analiza që i bëhet atij që cilësohet si një dështim i madh mediatik. Në fakt në RAI janë të punësuar 13.058 persona, nga të cilët 1.760 gazetarë të ndarë në 8 media të ndryshme si TG1, TG2, TG3, TGR, RAI News 24, Il Giornale Radio, Rai Parlamento e Rai Sport.

Kontrata e gazetarëve të RAI-t është nga më të blinduarat në Itali, dhe kostoja mesatare e sipërmarrjes është 200 mijë euro në vit, për secilin nga 210 kryeredaktorë dhe 70 mijë euro për të punësuarit e rinj.

Në të gjithë botën asnjë televizion publik nuk ka kaq shumë edicione lajmesh kombëtare. Gjatë viteve një gjë e tillë ka kërkuar kosto të jashtëzakonshme pasi çdo edicion ka një drejtor informacioni, zëvendësdrejtor, teknikë dhe gazetarë. Dhe të gjitha edicionet mbulojnë të njëjtat ngjarje. BBC, një nga institucionet gazetareske më të mëdha dhe më me influencë në botë, ka në të gjithë Britaninë e Madhe vetëm nëj edicion lajmesh: BBC News.

RAI realizon çdo ditë më shumë se 25 edicone lajmesh, në Francë dhe Gjermani edicionet e përditshme janë shtatë. Në Spanjë gjashtë. Dhe kësaj oferte i shtohet dhe Rai News që transmeton 24 orë në ditë lajme.

Mbulimi më i madh mediatik në Europë ka një ushtri gazetarësh dhe pavarësisht kësaj, shikueshmëria është gjithnjë në rënie. Pasi pjesa më e madhe informohen online, dhe RAI nuk ka një faqelajmesh online.

660 gazetarë merren me drejtimin e edicioneve në 22 seli, që kanë secila nga një drejtor duke përbërë një department fantazëm për drejtimiin dhe koordinimin e selive rajonale dhe jashtme. Ndërtesat janë shumë të mëdha me kate të tëra të cilat qëndrojnë bosh. Në të njëjtën kohë kronika nuk është në nivelin e duhur.

Sipas renditjes më të fundit nga Audiueb për nivelin e shikueshmërisë në javën e par të korrikut Rainjus ka 180 mijë vizitorë, TgCom 2.597.000, Corriere della Sera 2.519.000 dhe Repubblica 3.058.000./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono