protestues

babis.jpg
ad min14:35 | 05/06/2019

Çekët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit të tyre Amdrej Babis të cilin e akuzojnë për korrupsion. Babis, njeriu i dytë më i pasur në vend akuzohet se ka përvetësuar me miliona euro.

Dhjetëra mijëra persona janë mbledhur në Pragë, për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit cek Andrej Babis, i akuzuar për konflikt interesi dhe i dyshuar se ka përfituar me miliona euro nëpërmjet rimbursimeve të Bashkimit Europian projektin e tij “Stork Nest”. Por protestuesit kërkojnë gjithashtu dhe largimin e ministres së drejtësisë Marie Benesova.

Kjo nuk është protesta e parë e qytetarëve çekë, të cilët kritikojnë qeverinë në vend. E fundit ishte ajo e 21 Majit kur në shesh u mblodhën 50 mijë persona. Organizatorët e manifestimit të një dite më parë flasin për 120 mijë persona të mbledhur kundër kryeministrit Babis.

I pranishëm në shesh ishte dhe drejtori i organizatës jo fitimprurëse Transparency International, David Ondracka, njëkohësisht anëtar, themelues i Bashkimit të kontribuesve të Republikës Çeke.

Babis, i cili është personi i dytë më i pasur në vend, ka mohuar gjithnjë akuzat dhe ka kritikuar një dokument të Bashkimit Europian, i cili dëshmon një lidhje mes mashtrimeve dhe miliona eurove që ai ka marrë.

Manifestimet në Pragë sjellin në kujtesë serinë e ngjarjeve që shkaktuan revolucionin e mëndafshtë, i cili i dha fund 30 vjet më parë regjimit komunist në Çekosllovaki. Në Qershor të vitit 1990 në vend u mbajtën zgjedhjet e para demokratike që nga viti 1946./ABC News Albania 24/7

mb.jpg
ad min15:22 | 03/06/2019

Publikohet një video nga Ministria e Brendshme nga protesta e mbrëmshme e opozitës, ku situata degjeneroi në dhunë ndërmjet të pranishmëve. Ngjarja ndodhi në afërsi të ish-Hotel Dajtit, ndërsa mbetën të lënduar me mjete të fortë babë e bir.

Ministria e Brendshme ka shpërndarë një video, lidhur me konfliktin e në protestën e organizuar nga opozita mbrëmjen e së dielës. Në pamje shihen se protestuesit janë përplasur fizikisht me njëri-tjetrin.

Babë e birë u konfrontuan me persona të tjerë që ndodheshin pranë zonës së ish-Hotel Dajtit. Sherri ka vijuar për disa çaste, ndërsa të lënduar mbetën, Ymer dhe Erion Çela, të cilët morën plagë në kokë dhe trup.

Në video e bërë publikë në Twitter nga ministri Brendshëm Sandër Lleshaj, duken disa prej personave që mbajnë në duar shufra hekuri. Policia ka analizuar pamjet filmike dhe ka kërkuar ndalimin e personave të përfshirë në konflikt për sqarimin e ngjarjes./ABC News Albania 24/7

IMG_1116-1280x853.jpg
ad min15:08 | 03/06/2019

Nga foltorja e selisë blu, nënkryetari i kësaj force politike Edi Paloka akuzoi kryeministrin Rama dhe ministrin e tij të Brendshëm Sandër Lleshaj për ndalime dhe arrestime politike të protestuesve kundër të cilëve nuk ka asnjë provë.

“Është fakt se shumica e 500 qytetarëve të ndaluar nga policia gjatë këtyre 4 muajve, janë sot të lirë, për arsyen e thjeshtë se kanë qenë të pafajshëm, kanë qënë të burgosur politikë dhe në të drejtën e tyre të protestuar! Është fakt se në gjyqe kanë rezultuar të ndaluar edhe njerëz që janë rrëmbyer në rrugë, pa qenë fare në protestë”.

Kryeministri po përdor institucionet e represionit, sipas Palokës, duke nisur nga policët tek prokurorët…

“E deri tek ndonjë gjykatës militant si Arben Micko. Është fakt se sot kemi dy polici brenda radhëve të policisë, atë të profesionistëve të ndershëm dhe atë të narkomilitantëve”.

Këtë e vërteton video ku shfaqet polici teksa dhunon vartësin e tij për të zbatuar një urdhër të ministrit, i përfshirë në debat verbal me ish deputetin demokrat Bardh Spahia në Spitalin e Traumës.

Pamjet janë revoltuese për çdo njeri të lirë dhe me dinjitet. Nuk është e largët dita që çdo shërbëtor i Edi Ramës do të mbajë përgjegjësi para ligjit. Kudo qoftë ai, në polici, prokurori apo gjykatë, fundi i tij do të jetë i njëjtë me atë të Edi Ramës.

/ABC News Albania 24/7

protestaaa-1.jpg
ad min23:03 | 02/06/2019

13 persona kanë mbetur të lënduar nga protesta e sotme mes të cilëve 10 policë dhe dy protestues. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar se të plagosurit janë paraqitur me plagë dhe dëmtime të shkallëve të ndryshme, të shkaktuara prej goditjeve nga lëndët piroteknike.

Gjithsej që po marrin ndihmën e nevojshme në spitalin e Traumës janë 12 persona. Ndërkohë një protestues tjetër po merr trajtimin e duhur mjekësor në urgjencën e QSUT.

Sipas ministrisë, një protestuesve po merr trajtimin e duhur mjekësor në urgjencën e Qendrës Spitalore. Ekipet e Urgjencës Kombëtare dhe spitaleve universitare kanë qenë në gatishmëri të plotë gjatë të gjithë protestës së zhvilluar mbrëmjen e sotme./abcnews.al

protesta-2-1280x717.jpg
ad min22:07 | 13/04/2019

Përplasjet mes policisë dhe protestuesve vijojnë para Parlamentit. Gaz lotsjellës, flakë, gurë e sende të forta po përdoren nga policia dhe protestuesit në protestë. Ndërsa raportohet se të paktën 5 persona mund të jenë shoqëruar me forcë nga forcat e policisë. Ndërsa nga pamjet e siguruar nga ABC News, disa protestues shikohet të qëllojnë më gurë në drejtim të efektivëve./abcnews.al

tensione.jpg
ad min15:40 | 03/04/2019

Gjatë protestës se sotme të opozitës përpara Kuvendit, pati disa herë përplasje dhe tension mes protestuesve dhe uniformave blu. Por në dallim nga tubimet e mëparshme, nuk munguan as konfliktet brenda turmës së protestuesve.

Ashtu si edhe në protestat e kaluara të organizuara nga opozita para Parlamentit, edhe këtë të mërkurë pati përplasje ndërmjet protestuesve dhe punonjësve të policisë. Drejt uniformave blu u hodhën kapsolla dhe lëndë piroteknike.

Por këta të fundit nuk iu përgjigjën protestuesve me gaz lotsjellës apo me bomba tymues. Pati disa herë edhe tentativa për të çarë kordonin e policisë, por pa sukses. Ndërkohë në gatishmëri në rreshtin e 3 ishin edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, bashkë me ato të RENEA-s.

E veçanta e kësaj proteste ishte se për herë të parë pati edhe përplasje fizike brenda turmës së protestuesve. Rasti i parë ndodhi gjatë tubimit para Kuvendit. Sipas organizatorëve, kjo gjë ndodhi për shkak se protestuesit u provokuan nga persona të paguar.

Akoma më e rëndë situata u paraqit edhe gjatë grumbullimit para Piramidës.

Një person goditi me grushte një tjetër protestues dhe pretendimi ishte i njëjtë; i paguar për të irrituar manifestuesit e opozitës. Madje kishte edhe akuza nga organizatorët e protestës se, i dhunuari është pjesë i strukturave politike të partisë socialiste.

Pas mbarimit të protestës para Kryeministrisë, manifestuesit u shpërndanë paqësisht, duke iu drejtuar selisë së Partisë Demokratike./abcnews.al

protesta-e-opozites-2.jpg
ad min14:25 | 24/03/2019

Gjykata e Tiranës la në burg 3 nga 6 të ndaluarit pas protestës së opozitës më 21 Mars, ndërsa për 3 të tjerë u vendos masa “arrest shtëpie”. Ish-deputetët e PD-së e cilësuan vendimin politik.

Gjykata e Tiranës la në burg 3 nga 6 të arrestuarit e protestës së opozitës të zhvilluar më 21 Mars para Parlamentit. Për Dorjan Protoduarin, Mariglen Doçin dhe Emiljano Mustafën, u vendos masa e sigurisë “arrest në burg”, ndërsa u lanë në arrest shtëpie Jurgen Gjikola, Arbër Kola dhe Bledar Dollia. Mbi të ndaluarit rëndon akuza “Kundërshtimi i punonjësit të policisë”, “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Gjykatësi Gert Hoxha vendosi që procesi të zhvillohet me dyer të mbyllura për shkak të numrit të lartë të përkrahësve të të ndaluarve. Jashtë godinës së gjykatës ishin familjarët dhe deputetët e dorëhequr të opozitës, të cilët mbështesnin personat e arrestuar nga Policia e Tiranës, mbrëmjen e 21 Marsit.

Në fjalën e tij, Edmond Spaho, ish deputeti i PD-së, dënoi vendimin, ndërsa paralajmëroi se protestat nuk do të ndalen.

“Siç e shihni edhe sot, prokuroria dhe gjykata me urdhër politik mbajti tre të ndaluar me arrest me burg pa fakte dhe prova. Shqipëria është ndoshta i vetmi vend në Evropë që burgos kur proteston për të drejtat e tua. Qëllimi i prokurorisë dhe gjykatës në këtë rast është të dalë në mbrojtje të mazhorancës me synim që do trembi protestuesit në protestat e ardhshme që do organizohen kundër kësaj qeverie dhe Edi Ramës, por janë të pashpresë në këto përpjekje që bëjnë pasi gjithmonë, kur qytetarët përplasen me qeverinë, fituesit janë qytetarët dhe kështu do ndodhë edhe me këtë mazhorancë dhe me Edi Ramën, i cili shumë shpejt do të lërë karrigen e pushtetit”, tha Spaho.

Pas zbardhjes së vendimit, avokatët Ivi Kaso dhe Artan Murrizi theksuan se do ta apelojnë vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë. Ndërkohë për protestën e 21 Marsit, u proceduan në gjendje të lirë në total 29 persona, ndërmjet tyre është Gazmend Bardhi, sekretar i përgjithshëm i Partisë Demokratike, i cili ishte organizatori i manifestimit./abcnews.al

gjykata-e-tiranes.jpg
ad min17:58 | 19/03/2019

Gjykata e Tiranës vendosi që të lërë në burg 4 nga 14 të arrestuarit e protestës se opozitës, që u zhvillua më 16 Mars përpara  Parlamentit. Ata akuzohen për “Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Kundërshtim me dhunë të punonjësit të policisë”,  “Prishje të rendit dhe qetësisë publike”.

Gjykata e Tiranës vendosi të lërë në arrest me burg 4 nga 14 personat e arrestuar pas protestës së opozitës më 16 Mars, ndërsa për 10 të tjerë caktoi masën detyrim paraqitje. Të arrestuarit mohuan akuzat e ngritura ndaj tyre, ndërsa avokatët thanë se do të bëjnë ankimim në apel.

Gjyqtari Kujtimi Vraniçi pasi dëgjoi të dyja palët vendosi:

Në masën “Arrest me Burg”

Gazmir Bekshiu

Aldi Spaho

Ermir Bruka

Pal Daija

Në masën “Detyrim për Paraqitje”

Edison Tahiri

Klajdi Poci

Denaldo Buzi

Eduard Buzi

Elidon Buzi

Florian Zeneli

Jeton Spahiu

Ali Bruci

Kevin Kastrati

Flamur Rraja

Ata akuzohen për 3 vepra penale, “organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “kundërshtim me dhunë të punonjësit të policisë”, “prishje të rendit dhe qetësisë publike”. Në kërkim nga policia janë 7 persona, pjesëmarrës në protestë. Gjatë zhvillimit të seancës organi i akuzës i përfaqësuar nga Artan Lulo kërkoi të vlerësohet si i ligjshëm arrestimi në flagrancë dhe për 14 të arrestuarit të caktohet masa e sigurisë arrest me burg. Prokurori Luli i paraqiti gjykatës provat filmike, mbi të cilat i ka bazuar akuzat, më konkret për Pal Daijn.

Një ditë pas protestës së 16 Marsit policia procedoi penalisht 33 persona për dhunën e ushtruar në protestën para parlamentit të Shqipërisë. Për protestën, në gjendje të lirë policia procedoi edhe Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhin, njëherazi edhe organizator i protestës, pasi policia ishte njoftuar për zhvillimin e protestës vetëm përpara Kryeministrisë dhe jo përpara parlamentit. Po ashtu, hetim në gjendje të lirë u vendos edhe për ish-deputetin e PD, Luan Baçi, dhe djalin e tij./abcnews.al

noka.jpg
ad min11:49 | 16/03/2019

Protestuesit u grumbulluan në orën 11:00 para Kryeministrisë ashtu siç ishte paralajmëruar. Pak pasi edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha, iu bashkua protestuesve aty, ish-deputeti Flamur Noka, në një fjalim u bëri thirrje qytetarëve t’i ndjekin dhe të marshojnë rreth ndërtesës së Kryeministrisë.

“Të tregojmë se dimë të protestojmë. Të ju tregojmë se përfaqësojmë vlerat tuaja, vlerat e qytetrimit. Ne do të marshojmë, kjo protest do të jetë marshim. Qytetarë të Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë. Kjo është protesta më e madhe që ka njohur ndonjëherë historia. Kjo është shenjë e revoltës më të madhe popullore ndaj një regjimi. Rama ik! Rama ik, se nuk përballon revoltën e popullit ndaj teje dhe bandës tënde. Ne sot po bëjmë një muaj nga dita kur ju qytetarët e Shqipërisë, populli shqiptar, vendosi të shkruajë historinë e vet. Është dita kur këto zyra, ky kryebandit që është i strehuar aty mori një mesazh. Dhe mesazhi çdo ditë e më shumë kumbon “Rama ik, Rama ik.  Rama ik, se ti nuk mundesh të rrish më në atë karrige. Ti mund të ikësh kudo, por je i rrethuar, kudo që të shkosh, je i rrethuar nga revolta e popullit tënd. Je i rrethuar nga përbuzja e qytetarëve të tu, që i ke shkelur, i ke dhunuar dhe i ke varfëruar. Rama ik! Vëllezër e motra, kjo protestë do të jetë marshim. Na ndiqni! Do të jetë marshim, sepse ne do të tregojmë se dimë të protestojmë, Rama ik, Rama ik! Na ndiqni! Na ndiqni në këtë marshim proteste, në këtë marshim revolte ndaj bandës dhe korrupsionit, ndaj kryebanditit. Populli ka folur! Rama ik!  Nuk përfaqëson dot ti shqiptarët më. Na ndiqni, na ndiqni vëllezër!  Rama ik! Rama ik! Koha e fjalëve ka mbaruar. 16 shkurti ishte dita kur koha e fjalëve mori fund. Është koha e veprimit qytetar, Rama ik, Rama ik. Na ndiqni, e morët e vesh apo jo?!
Marshim proteste!  Do të marshojmë, protest ndaj bandës. Përpara!”,
tha Noka.

Ish-deputeti i PD-së Flamur Noka ka qenë i vetmi që ka folur deri në këto momente.  Edhe një herë ai ka marrë magnetofonin ku u është drejtuar qytetarëve me fjalët se protesta do të vijojë.

“Vëllezër dhe motra, sot godina ku strehohet krimi është e rrethuar nga populli. Rama ik, Rama ik, Rama dorëzohu! Godina ku strehohet e keqja e këtij vendi është e rrethuar nga qytetarët, Rama ik. Godina nga e cila u varfëruan shqiptarët, është e rrethuar. Rama ik! Rama ik! Streha e korrupsionit është e rrethuar, kryehajduti nuk mund të shkelë këtu. Rama ik! Vëllezër e motra, ne do të vazhdojmë. Ne do vazhdojmë marshimin e protestës. Ne tregojmë qytetari dhe vlera. Nga sot e tutje Edi Rama do të jetë i rrethuar nga populli dhe revolta e tij.  Rama ik, Rama ik! Rama ik se nuk ka zgjidhje tjetër. Rama ik, Rama ik, Rama ik! Rama ik sa nuk është vonë. Rama ik se ikja jote është shpëtim për ty, është shpëtim për Shqipërinë dhe shqiptarët.  Rama ik, Rama ik! Ne jemi të vendosur, jemi të vendosur në kauzën tonë. Ne jemi më të vendosur se kurrë dhe do ta vazhdojmë protestën tonë marshim, do ta vazhdojmë. Rama ik, Rama ik! Na ndiqni, na ndiqni në marshimin tonë!”, tha Noka. 

Pas kësaj, liderët e opozitës u nisën në drejtim të rrugës “Ismail Qemali”, e cila është në pjesën anësore të Kryeministrisë, duke marshuar në këtë mënyrë rreth ndërtesës së qeverisë./abcnews.al

jorida-tabaku-1-1280x718.jpg
ad min20:46 | 27/02/2019

Për deputeten e tërhequr të Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, protesta e së martës përpara parlamentit, ishte spontane. Sipas saj, qytetarët u prekën dhe u shtynë nga policia, e cila filloi të hidhte gaz lotsjellës.

“Dje qytetarët, çdo reagim që kishin e kishin spontan. Nuk kishte asgjë të organizuar. Njerëzit ishin me duar në xhepa dhe nuk kishin qëllim të sulmonin policinë. Nga ana tjetër kishim policinë që në mënyrë të përsëritur hodhi gaz lotsjellës. Qytetarët u prekën, filluan të shtyheshin nga policia, dhe aty filluan të hidhej gaz lotsjellës. Nxënësit e shkollës pedagogjike dolën nga mësimi prej gazit. Atje nuk ka asnjë gjë për të mbrojtur, sepse parlamenti është komunist se e ka një parti”, tha Tabaku në emisionin “Byro Politike”.

Përsa i përket tentativës së protestuesve për të ndaluar deputetët e mazhorancës të hynin në parlament, ajo tha se askush nuk kishte ndërmend të sulmonte përfaqësuesit e popullit, por sipas saj, parlamenti nuk duhej të ishte mbledhur.

“Unë po të kisha qenë do i kisha kërkuar njerëzve të ruanin qetësinë, por të konfirmoj që askush nuk kishte ndërmend të sulmonte përfaqësues të popullit. Ata nuk vijnë nga vota demokratike. Parlamenti nuk duhet të ishte mbledhur. Edhe kolegët nuk duhet të kishin shkuar. Ne nuk kishim për qëllim të pengonim aspak deputetët. Kryeministri u bë e disata herë që i shmanget protestës. Drejtuesit e opozitës kanë qenë në ballë të protestës, për të siguruar që çdo gjë të shkojë mirë. Nuk kishte akte dhune. Kam ndihmuar disa zonja që ndiheshin keq në ato momente, por pamjet që pamë kur policia hidhet gaz ndaj njerëzve të thjeshtë të paarmatosur nuk janë pamjet e një Shqipërie për t’u anëtarësuar në BE”, tha Jorida Tabaku./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono