protesta

lushnje-1280x727.jpg
ent ela10:30 | 20/03/2019

Fermerë dhe grumbullues të qumështit nga i gjithë vendi protestuan në hyrje të autostradës Lushnje- Fier, në rrethrrotullimin e Savrës.

Prej dy ditësh fermerëve nuk u është marrë qumështi, ndërsa firmat nuk kanë furnizuar as dyqanet e marketet.  Një autobot me 10 kuintalë qumësht  u derdh në rrugë.

Është hera e dytë që blegtorët dhe punonjësit e fabrikave të përpunimit të qumështit protestojnë. Ata  marshuan nga hyrja e autostradës Lushnje- Fier drejt hyrjes së qytetit.

Forca të shumta të policisë Lushnje dhe FNSH Fier ishin në vendngjarje. Bllokomi i rrugës krijoi tension dhe protestuesit u përplasën me policisë.

Protestuesit  u ulën në rrugë, por policia ndërhyri  dhe i shpërndau, duke liruar kështu korsitë për mjetet. E mërkura ishte dita e dytë që fabrikat nuk u morën prodhimin dhe linjat pezulluan punën.

Protesta bëhet kundër uljes së kompensimit të TVSH-së për fermerin, nga 20 ne 6 përqind, pasi këto ndryshime ligjore do të shkaktojnë dëmtim të prodhimit vendas duke favorizuar importet, rritur informalitetin, si dhe cenuar sigurinë ushqimore.

Anila Sefa

protestaaaaaaaa-1280x707.jpg
G. P.22:12 | 19/03/2019

Lulzim Basha i është bashkuar mbrëmjen e të martës protestuesve tek Unaza e re, pasi sic deklaroi ka pasur një përpjekje të policisë për të ndërhyrë me forcë ndaj tyre.

Protesta e së martës ka tejkaluar orarin e zakonshëm, e bllokimi i rrugës ka zgjatur tre orë, ç’ka ka shkaktuar pakënaqësi të drejtuesve të mjeteve. Policia devijoi trafikun, duke zhvendosur edhe trafikndarëset dhe u largua pas mbërritjes së Bashës, rreth orës 21:00.

“Mbi katër muaj që protestojnë natë për natë për pronat e tyre nga afera më korruptive për të cilën sot duhet të ishte në burg Damian Gjiknuri dhe duhet të ishte marrë i pandehur Edi Rama. Ky është informacioni që ka rrjedhur në mënyrë të besueshme që një urdhër politik i ardhur në nivele më të larta, supozohet Sandër Lleshaj apo dhe nga Edi Rama për të kryer akte reprezalje mbi banorët.

Interpretimi im është që bisha e tërbuar bëhet më e rrezikshme në momentet e fundit dhe në vend që ti venë gisht kokës ushtrojnë terror mbi banorët. Mbi ç’bazë hodhën gaz mbi protestuesit ditën e shtunë? Me të njëjtët argumente se kanë dalë nga bandat dhe u shërbejnë bandave”, tha Basha./abcnews.al

MOGHERINI-DHE-HAHN-PER-BALLKANIN-PER-ABC.mpg_snapshot_00.16-1280x720.jpg
ent ela21:41 | 19/03/2019

Brukseli ka deklaruar se shtetet e Ballkanit të përfshira nga protestat politike duhet t’i zgjidhin vetë problemet e tyre dhe jo të presin ndërhyrjen e BE-së. Për Federika Mogerinin dhe komisionerin Johanes Hahn, BE-ja nuk është një trupë ushtarake që të ndërhyjë në shtetet e rajonit.

Pyetjes nëse janë të shqetësuar për situatën e krijuar nga protestat në disa vende të Ballkanit, si Shqipëria, Serbia dhe Mali i Zi dhe nga kritikat drejtuar Bashkimit Europian, se në emër të ruajtjes së stabilitetit në rajon po tolerohet devijimi i shtetit ligjor dhe demokracisë, Federica Mogherini dhe Johannes Hahn i kanë dhënë përgjigjje të ndryshme:

Federica Mogherini, shefe e Politikës së Jashtme të BE:  “Ne akuzohemi se jemi shumë striktë përsa i takon sundimit të ligjit. Unë pyes nëse është dikush tjetër në të gjithë botën përveç Bashkimit Europian që promovon sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut sa ne. Jo, unë nuk jam e shqetësuar sa i takon kësaj. Ai që po garanton që të ketë një vëmendje të veçantë ndaj anti-korrupsionit, sundimit të ligjit dhe një hapësirë të përshtatshme për shoqërinë civile në të gjithë botën dhe sidomos në rajonin tonë, është Bashkimi Europian. Për këtë arsye nuk kemi pse të akuzohemi aspak në këtë drejtim”.

Johannes Hahn, komisioner për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë: “Unë do të bëj çdo gjë për të mbrojtur të drejtën për lirinë e shprehjes, të drejtën për të protestuar dhe për t’u shprehur. Ata kanë shqetësime dhe këto janë pikëpamjet e tyre, por unë dënoj çdo lloj përdorimi të dhunës. Kjo nuk është ajo që ne mund të pranojmë apo të shohim. Por duhet të them se nuk jemi nga ata që mund të futemi në një vend si një forcë ushtarake dhe të largojmë një qeveri e ta zëvendësojmë atë me një tjetër. Kjo nuk ka të bëjë me botëkuptimin tonë të funksionimit të ligjit. Botëkuptimi ynë për sundimin e ligjit, demokracinë dhe transparencën e sistemit gjyqësor është që: Po, aty mund dhe duhet të ketë ndryshime politike, por ama me kusht që të jenë të bazuara në procese demokratike; në zgjedhje të lira, të ndershme dhe transparente. Kjo është ajo që ne përpiqemi të lehtësojmë dhe të mbështesim. Por të besohet se ne jemi ata që veprojmë si arbitra, se kush është i mirë e kush është i keq, se njëri duhet të largohet dhe tjetri duhet të vijë, ky nuk është qëndrimi ynë. Kush beson se ne veprojmë në këtë mënyrë e ka gabim. Ne do të bëjmë gjithçka për të forcuar demokracinë në rajon”.

Këto deklarata Mogherini dhe Hahn i kanë bërë në konferencën përmbyllëse të takimit të 15-të të Stabilizim-Asociimit BE-Maqedoni e Veriut. /abcnews.al

edi-palokaaa-1280x716.jpg
G. P.15:55 | 19/03/2019

Në përgjigje të ambasadorit të OSBE, nënkryetari demokrat Edi Paloka tha se PD nuk do të hyjë kurrë në zgjedhje me Ramën kryeministër. Paloka foli edhe për protestën e së enjtes, ndërsa tha se kur të vijë koha, dialogu do të bëhet vetëm me ndërkombëtarët.

Për numrin dy të demokratëve Edi Paloka, asnjë deklaratë, qoftë e ndërkombëtarëve apo misioneve të tyre në Tiranë, nuk zvogëlon legjitimitetin e kauzës së opozitës për mbrojtjen e votës së lirë. Sipas tij, sinjalin më të qartë për atë çka kjo qeveri kërkon të bëj me zgjedhjet e dha vetë kryeministri Edi Rama.

“Ka vënë në krye të strukturës se tij për zgjedhje Damian Gjiknurin. Sinjal më të qartë dhe më të kuptueshëm për ne, për qytetarët, për ndërkombëtarët, për ata që duan të shohin nuk ka. Damian Gjiknuri është koka e dosjes 184. Është njeriu që u ngarkua me zgjedhjet në Dibër dhe është kapur si njeriu me gjithë regjistrimet e Prokurorisë si ministri që është marrë me shit-blerjen e votës”.

Për Palokën pyetjes që këto trupa duhet t’i japin përgjigje është një tjetër.

“Si ka mundësi 20% e votave të blera nuk e ndryshojnë rezultatin sepse i bie në një parlament me 140 deputetë i bie 28 deputetë. Imagjinoni sa janë ata që nuk kanë deklaruar. Por edhe kaq janë boll, për të treguar kush është legjitim dhe kush jo”.

Për këtë arsye, opozita vijon aksionin e saj opozitar në rrugë, si e vetmja mënyrë për të komunikuar me këtë mazhorancë thekson Paloka.

“Do ketë protestë të enjten. Në 9:30 kemi njoftuar protestë dhe do të ketë çdo të enjte. Do të ketë në çdo rast. Jo të gjitha do ia tregojmë Ramës. Do ia bëjmë surprizë ca gjëra, por absolutisht është ajo që kemi thënë, nuk ka më kthim mbrapa dhe përveç protestave nuk ka mënyrë tjetër komunikimi me këtë mazhorancë”.

Sa i përket zgjedhjeve lokale…

“Vendim politik për të hyrë ose jo në zgjedhje nuk ka akoma, por unë po të them tjetrën që me këtë kryeministër që vazhdon me këmbëngulje, me arrogancë t’u tregojë të gjithëve se ka ndërmend prapë të vjedhë, të grabisë votat siç kanë bërë deri më tani nuk ka zgjedhje në Shqipëri”.

Rruga për dialog hapet vetëm përmes largimit të Ramës dhe 2017-ta ishte provë e kësaj, sipas tij.

“Sigurisht do të vijë në një moment të caktuar me negociata, por jo me Edi Ramën. Për ne janë ndërkombëtarët që duhet të ndërhyjnë, në këtë rast deri te qeveria tranzitore dhe më pas gjithë hapat e tjera do garantojnë që qeveria që do vijë të jetë qeveri që përfaqëson shqiptarët, jo qeveri që përfaqëson krimin apo oligarkinë në Shqipëri”./abcnews.al

jeleket.jpg
G. P.23:17 | 18/03/2019

Dy ditë pas protestave që shënuan akte të paprecedenta dhune në Paris, autoritetet franceze kanë shkarkuar shefin e policisë së kryeqytetit dhe kanë paralajmëruar kufizime të rrepta për protestat e “Jelekëve të verdhë”.

Qeveria franceze ka vendosur të shkarkojë shefin e policisë së Parisit dhe të ndalojë tubimet në disa zona të kryeqytetit, pas protestave të dhunshme të së shtunës. Kryeministri Eduard Filip ka deklaruar të hënën se autoritetet do të veprojnë sapo të identifikohen ato që i ka cilësuar “grupe radikale”.

“Duke filluar nga e shtuna e ardhshme, protestat e “Jelekëve të verdhë” do të ndalohen në ato zona të Parisit që janë prekur nga aktet e dhunës dhe po ashtu në ato qytete ku do të vihet re prania e grupeve radikale”, ka deklaruar Filip.

Të shtunën e kaluar manifestuesit sulmuan vitrinat e dyqaneve të shëtitores së famshme Champs Elyssee, duke dëmtuar restorantet më të njohura dhe dyqanet kryesore të modës. Dhoma franceze e Tregtisë ka deklaruar se janë të paktën 91 bizneset që kanë marrë dëme serioze.

Rreth 10 mijë persona morën pjesë në protestë, një shifër kjo më e lartë krahasuar me manifestimet e ngjashme të bëra më parë. “Jelekët e Verdhë” nisën protestat e përjavshme në mbarë Francën 4 muaj më parë, fillimisht për të kundërshtuar rritjen e taksës për karburantet. Më pas lëvizja u përshkallëzua dhe mori formën e një proteste kundër elitës franceze, për të cilën aktivistët fajësuan presidentin Emanuel Macron./abcnews.al

protesta-4.jpg
G. P.21:59 | 18/03/2019

Protestat e së shtunës dhe së dielës në Serbi janë pasuar me dhjetëra të arrestuar. Ndërsa presidenti Vuçiç ka deklaruar se dhuna nuk do të tolerohet, opozita ka paralajmëruar me aksione ligjore për lirimin e manifestuesve.

Protestat në Serbi kanë çuar në polici 18 persona. Bilanci i të arrestuarve është rritur dhe bashkë me të edhe tensionet. Një numër prej të arrestuarve janë nxënës të shkollës së mesme.

Për të protestuar për një mik të tyre para stacionit policor kanë dalë nxënësit e Gjimanazit Filologjik të Beogradit. Por, politika duket se nuk do ta përfundoj me kaq.  I pari ka qenë presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, i cili tha gjatë një forumi se ata që do të përdorin dhunën sërish do të arrestohen. Kjo politikë e opozitës nuk do të tolerohet në Serbi.

Aleksandër Vuçiç: “Nuk e di se kush mendon që njerëzit impresionohen me 1 mijë protestues dhe tre ekspertë që dalin në rrugë. Ne dhunën nuk do ta tolerojmë. Debatet bëhen në Kuvend dhe jo në rrugë”.

Këta janë kryesisht mikrofonët e mediave të huaja. Lidhja për Serbinë e partive të opozitës që i dha ultimatum presidentit deri në orën 15:00, pikërisht në ketë orë dolën në konferencë dhe thanë se këtë nuk do t’ia falin.

Dragan Gjillas, Lidhja për Serbinë: “Nuk mund të rrihen qytetarët pasi dhunë nga ne nuk ka patur. Kjo epokë duhet të përfundojë. Ne do të shohim mundësitë ligjore për të arrestuarit dhe më pas do të intensifikojmë protestat duke i organizuar tërë kohën”.

Në kryeqytet qetë, por të gjithë presin se çfarë do të ndodhë pasi në të shkuarën nuk ka pasur shumë opozitë dhe incidente./abcnews.al

lulzim-basha-1.jpg
G. P.16:07 | 18/03/2019

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka takuar krerët e degëve të Partisë Demokratike për të diskutuar lidhur me vijimin e aksionit opozitar, dy ditë pas përfundimit të protestës së fundit të thirrur nga opozita e bashkuar, atë të 16 Marsit.

“Tre orë ka zgjatur mbledhja e kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, me kolegjin e kryetarëve, në përfundim të së cilës, mungesa e një date specifike për protestën e radhës identifikohet edhe si tipari surprizë i aksionit opozitar. Vijueshmërinë e këtij të fundit përmes protestave e konfirmoi vetë kreu i Partisë Demokratike”.

“Vendimi kryesisë është në fuqi. Këto janë takime organizative. Protestat do të vazhdojnë dhe do të fuqizohen nga dita në ditë dhe nga java në javë, derisa të realizojmë atë që do çdo shqiptar, zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe një qeveri nga populli, për popullin dhe të popullit”, tha Basha.

Vendosja në Konferencën e Kryetarëve për zhvillimin e seancës së radhës parlamentare për ditën e enjte, dhe deklarata e kreut të opozitës Basha pas takimit me krerët e degëve, organ statutor këshillues i kreut të partisë, lë të hapur një front të mundshëm proteste përpara godinës së seancave plenare.

Këtë praktikë ka përdorur opozita në tre seancat e fundit parlamentare, dy prej të cilave u karakterizuan nga revoltimi i protestuesve, ndërsa ajo e fundit nga simbolika e përdorur nga kjo forcë politike në kundërshtimin që i bën legjitimitetit të qeverisë, por edhe opozitës së re parlamentare./abcnews.al

0_FRANCE-POLITICS-SOCIAL-DEMO.jpg
ent ela11:50 | 18/03/2019

Presidenti francez Makron premtoi se ajo që ndodhi  të shtunën nuk do të përsëritet më. Gjatë protestës së jelekëve të verdhë u plaçkitën dhe u shkatërruan rreth 80 dyqane, ndërsa iu vu zjarri dhe një pallati në Paris.

Qeveria franceze pranoi se disa gjëra kanë funksionuar jo si duhet në shërbimet e sigurisë, të shtunën e kaluar në Paris, ku disa dyqane në Champs Élysées u plaçkitën dhe u shkatërruan gjatë manifestimit të jelekëve të verdhë. Sipas deklaratës për media të qeverisë analizimi i ngjarjeve të së shtunës tregon se masat e sigurisë kanë qenë të mjaftueshme për të përmbajtur dhunën e shpërthyer si dhe për të shmangur aktet kriminale. Presidenti francez Makron pas mbledhjes urgjente me njësinë e krizës ku ishte i pranishëm dhe Kryeministri, ministri i Brendshëm dhe ai i drejtësisë, u shpreh se ka persona të cilët përpiqen të shkatërrojnë republikën me të gjitha mjetet, duke shkatërruar madje duke rrezikuar dhe të vrasin njerëz.

Ajo e së dielës ishte një ditë indinjimi për francezët të cilët u zgjuan me shëtitoren më të bukur në botë, të shkatërruar. Janë më shumë se 80 dyqanet e shkatërruara, 20 ato të plaçkitura dhe të djegura. Policia franceze ka arrestuar 192 persona mes të cilëve 15 janë minoren.

Kryebashkiakja e Parisit An Hidalgo u shpreh shumë e zemëruar për dhunën e paprecedentë dhe i kërkoi shpjegime qeverisë. Ajo theksoi se autoritetet duhet të jenë në gjendje të menaxhojnë një situatë si ajo e së shtunës. Banorë dhe sipërmarrës kanë kërkuar takim me Kryeministrin Filip për të kërkuar një ndihmë për dëmet e pësuara./abcnews.al

 

beografd-1280x707.jpg
ent ela11:30 | 18/03/2019

Pas protestave të radhës në Serbi kundër presidentit Aleksandër Vuçiç, kreu i shtetit pritet t’i drejtohet qytetarëve me një fjalim. Ndërkohë, në vend ka pasur dhe arrestime pasi një grup manifestuesish u futën me forcë në zyrat e radiotelevizionit serb.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç do t’i drejtohet kombit me një fjalim pas protestave kundër tij në fundjavë. Situata u përshkallëzua kur një grup manifestuesish u futën me forcë në ndërtesën e Radio Televizionit të Serbisë, për të kundërshtuar, mbulimin e njëanshëm të ngjarjeve nga ky televizion.

Maniestuesit u nxorën me forcë nga ndërtesa e Radio Televizionit të Serbisë, pasi kishin qëndruar aty për dy orë. Në mesin e protestuesve ishin edhe udhëheqësit e Aleancës për Serbinë, një grupi prej rreth 30 partish politike dhe lëvizjesh të ndryshme. Pasi protestuesit u nxorën nga ndërtesa e RTS, njerëzit u mblodhën jashtë për të kundërshtuar veprimet e policisë.

Protestat antiqeveritare “Një në pesë milionë” mbahen në Beograd çdo të shtunë që në 8 dhjetor të vitit të kaluar. Ndërkohë, ato janë shtrirë edhe në qytete të tjera të Serbisë. Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e Vuçiç, më shumë liri në media dhe transparencë gjatë zgjedhjeve.

Një grup manifestuesish mes të cilëve dhe intelektualë, shkrimtarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile u vendosën para presidencës duke thënë se nuk do të largoheshin deri sa kreu I shtetit të pranonte të fliste me ta.

Ndërkohë policia serbe ka arrestuar shtatë persona në Beograd, të akuzuar për akte dhune. Vuçiç ka bërë apel për qetësi, ndërsa asnjë grup protestuesish u zhvendosën para komisariatit të policisë për të kërkuar lirimin e të arrestuarve.

Presidenti Vuçiç  nga ana e tij është larguar nga presidenca nga dera kryesore, ndërsa gazetarët e Tanjug, u shprehën se ai këtë gjë e bën gjithnjë, edhe pse një grup protestuesish kishin rrethuar presidencën për të mos lejuar largimin e kreut të shtetit. Me anë të një videoje në profilin e tij në Instagram Vuçiç dënoi aktet e dhunës në kryeqytet duke akuzuar opozitën si nxitëse të trazirave në vend. Duke iu referuar lajmit së grupe të shumta mbështetësish të tij do të mblidheshin në Beograd, ai bëri apel për qetësi për të shmangur çdo përplasje mes palëve./abcnews.al

 

KRONIKE-PROTESTE-E-DIEL-IDRO_ABC-M4-T2.mpg_snapshot_00.01-1280x720.jpg
ent ela22:52 | 17/03/2019

Protesta e opozitës serbe u përshkallëzua gjatë së dielës, kur qindra manifestues mbajtën të rrethuar Presidencën, duke bërë që të mos dalë dot Kreu i Shtetit Aleksandër Vuçiç. Ndërsa autoritetet arrestuan të paktën 10 persona pas protestës së të shtunës, ku turma e protestuesve hyri brenda godines se televizionit publik serb.

Policia serbe ka arrestuar dhjetë persona për shkak të futjes në godinën e Radio televizionit të Serbisë. Ata janë gjykuar me procedurë të shpejtë dhe kjo ka nxitur edhe më shumë situatën.

Dita filloi me premtimin e presidentit, Aleksandër Vuçiç, se dhuna nuk mund të tolerohet. Përveçse nuk negocion me opozitën, i quajti mashtrues, hajdut dhe fashist.

Aleksandër Vuçiç, President i Serbisë: “Kemi çuar në botë një pamje nga Serbia që nuk duam dhe kjo jo për fajin tonë. Të gjitha këto protesta as që janë paraqitur në polici, por ne i kemi toleruar deri në momentin kur nuk ka patur dhunë dhe këtu ju them të gjithëve është kufiri ynë”.

Protestuesit para Presidencës shpejt arritën të kalojnë barrierat dhe rrethuan me mur të gjallë presidencën duke i thënë Presidentit se nuk e kanë frikë. Për orë të tëra Vuçiç ngeli brenda Presidencës, para së cilës zhvillohej protesta. Pas pak dolën fotot e para ku Vuçiç lozte shah me Ministrin e tij të Brendshëm.

Arrestimet larguan protestuesit në drejtim të stacionit kryesor policorë. Vuçiç doli nga Presidenca pa shumë shqetësim.

Para stacionin policorë protestuesit kërkuan lirmin e të arrestuarve dhe disa herë pati përplasje dhe tensione, por pa incidente të mëdha. Presidentit i dhanë edhe një ultimatum.

Boshko Obradovic, Deputet lëvizjes “Dveri”: “Ju këtu jeni heronj të vërtetë dhe jo Vucic si frikacak. I japim ulatimatum që të gjithë të arrestuarit të lirohen deri nesër në orën 15 ose do të dalim sërish në rrugë nga të gjitha qytetet e Serbisë”.

Policia megjithatë nuk reagoj në kërkesat e tyre dhe protestuesit u larguan të qetë nga sheshi, përvec kësaj nëne të një të riu të arrestuar nga policia. /abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono