protesta e studenteve

mentor-Kikia-mirela.jpg
nev ila19:51 | 22/05/2019

Mentor Kikia ditën e sotme, ka komentuar në Mbrëmje Abc me Mirela Milorin, protestën e studentëve përpara Ministrisë së Arsimit. Gazetari thotë se ka informacione të sakta se organizuesit e protestës janë pedagogë kryesisht që njihen publikisht për qasjet e tyre pranë opozitës. Për Kikinë kjo është një përpjekje e kotë e opozitës e cila kërkon të ngrejë një vatër tjetër proteste.

Protesta e sotme nuk ka asnjë lidhje me protëstën e studentëve të dhjetorit. Ajo protestë përfundoi me aq sa ishte, u diskutuan plus minuset e saj. kjo e sotmja është një përpjekje e partisë demokratike dhe LSI për të ngritur edhe një vatër tjetër të protestës në komunitetin e studentëve, ne fakultete partitë kanë forumet e tyre. ajo është një protestë që me organizimin e saj janë marrë pedagogë që njihen publikisht për mbështetës të PD apo LSI”, tha Kikia./abcnews.al

besa-shahini.jpg
nev ila16:20 | 22/05/2019

Ministra e Arsimit Besa Shahini nëpërmjet një statusi në faqen e saj të facebook, ka reaguar për protestën e studentëve gjatë paradites së sotme.

Sipas Shahinit, protesta e sotme e studentëve ishte një turp  dhe një shfaqje e teatrit të dhunshëm opozitar. Thyerja e xhamave të institucionit, shkruan ministrja, është modeli më i keq i politikës opozitare./abcnews.al

RAMA-PER-PAKTIN-ME-UNIVERSITETIN-1280x720.jpg
ent ela18:12 | 18/01/2019

Qeveria ka nisur të prezantojë përpara grupeve të interesit Paktin Për Universitetin. Kryeministri Edi Rama kërkoi që të mos shënjestrohen studentët, por pedagogët të ulen e t’i zgjidhin kërkesat e tyre, në të kundërt edhe ai vetë tha se do të jetë i detyruar që do t’i bashkohet protestës studentore.

Problemet në universitete bënë bashkë qeveri-pedagogë e student. Një nga një u ngritën dhe dhanë mend se si mund të arrihet zgjidhja e situatës që u bë e qartë falë protestës së studentëve.

Kryeministri Edi Rama ishte ulur për të dëgjuar më shumë se sa për të folur, por nuk iu durua kur dëgjoi parafolësit.

“Po bëj një ndërhyrje të shkurtër. Qeveria është përqendruar me të gjithë kapacitetin e vet për t’i dëgjuar studentët. Pyetja ime është, po ju zonjë, i dëgjoni studentët dhe sa i dëgjoni studentët? Nuk e kam me ju personalisht, por e kam me shumë nga ju që duhet ta thoni qartë, çfarë doni të bëni ju me plagjiaturat. Nuk mund ta lini si një top mes studentëve dhe qeverisë”.

Jo vetëm kaq por përsëriti ndjesinë që I dha protesta e që ska ndërmend ta lërë të shuhet.

“Ne dimë çfarë duan studentët dhe do i bëjmë një për një. Se çfarë doni ju, ne nuk e kemi kuptuar akoma, ose më saktë, unë e kam kuptuar, por nuk kam ndërmend ta them akoma. Mos prisni ditën, kur do bashkohem unë me studentët e të vij përballë jush dhe t’u them studentëve se çfarë, në fakt, ju nuk doni. Nëse unë e kam gabim këtë që mendoj, aq më mirë akoma. Ju bëhuni bashkë tani dhe ndajeni këtë punë. Do të mbarojë historia e doktorëve të shkencave që vetëm me shkencën nuk kanë lidhje, apo nuk do mbarojë?”

Kjo është koha e ndarjes së detyrave dhe marrjes së përgjegjësive u kujton ai pedagogëve.

“Unë këtë protestë nuk e lë, sikur të ngelem vetëm. Kuptojeni mirë këtë gjë. Jam i gatshëm t’i mbaj të gjitha përgjegjësitë, edhe për borën që bie, por për budalla, njeri dot mua nuk më bën”.

Draft Pakti për universitetin është publikuar në faqjen zyrtare të kryeministrisë. Një draft fillestar që është i hapur për çdo mendim e koment të studentëve, por ai shërben si pikënisje për një dialog gjithëpërfshirës me studentët. /abcnews.al

vokshi.jpg
ent ela13:00 | 10/01/2019

PD dënoi praninë e policisë në mjediset universitare dhe presionin, që sipas saj, po ushtrohet ndaj studentëve për të hyrë në mësim. Deputetja Albana Vokshi tha se qeveria Rama po përkon të mposhtë me forcë protestën e studentëve.

“Në një akt të denjë për diktaturat ushtarake, policia është futur me urdhrin politik të Edi Ramës në mjedise universitare me qëllim për të ndaluar protestën e studentëve.  

Fakultete të ndryshme në vend janë bërë skenat e një regjimi që, pasi nuk i sundoi dot studentët me propagandë dhe mashtrime, tani shkel hapur Kushtetutën dhe ligjin për të nënshtruar studentët me presion policor brenda universiteteve.  

Partia Demokratike dënon me ashpërsi këtë akt të paprecedentë në Shqipëri dhe paralajmëron të gjithë ata që urdhërojnë presionin policor ndaj studentëve se herët apo vonë do të përgjigjen para ligjit.  

Narkopolicia nuk duhet të guxojë të prekë studentët paqësorë dhe as të dhunojë mjediset universitare.  

Ligji për Arsimin e Lartë e ndalon rreptësisht hyrjen e policisë në fakultete, përveçse kur prania e tyre kërkohet nga drejtuesit në rastet e krimeve flagrante. Ligji siguron “ndëshkimin për “cënimin e paprekshmërisë së institucioneve të arsimit të lartë”.  

Deri tani, organet e drejtësisë nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për të ndëshkuar shkeljen e hapur të paprekshmërisë territoriale të universiteteve nga narkopolicia politike e Edi Ramës.   

Gjithashtu, Partia Demokratike dënon deklaratën kërcënuese të policisë, të shkruar nga Edi Rama, dhe paralajmëron kryeministrin dhe veglat e tij në polici se do të paguajnë për kërcënimet e tyre për arrestimin apo ndjekjen penale të studentëve.  

Ne nuk do të harrojmë askënd që shkel ligjin për llogaritë politike kriminale të Edi Ramës.   

Prania e paligjshme e policisë në universitete shënon fundin e propagandës së Edi Ramës, i cili çdo ditë e më shumë po përdor shtetin policor kundër kujtdo që i rrezikon pushtetin.  

Duke përgëzuar të gjithë pedagogët që janë solidarizuar me protestën për një kauzë të drejtë të studentëve, vërejmë me keqardhje që në disa fakultete, drejtues të lartë dhe pedagogë janë vënë në shërbim të qeverisë, duke ushtruar presione nga më të ndryshmet mbi studentët: duke i kërcënuar me mungesa, me ngelje në provime apo djegie diplome.  

Partia Demokratike i dënon me forcë këto presione dhe i fton pedagogët të mos i shërbejnë një pushteti kriminal kundër interesave të studentëve. 

Partia Demokratike mbështet plotësisht protestën e studentëve deri në përmbushjen e çdo pike të kërkesave të tyre.  

Partia Demokratike do të anullojë ligjin e arsimit të lartë e do ta bëjë arsimim prioritet kombëtar.” /abcnews.al

.
 
 
 
 
 
 

 

PROTESTA-E-STUDENTEVE_ABC-M2-T1.mpg_snapshot_00.02-1280x720.jpg
ent ela16:20 | 06/01/2019

Studentët e Universiteteve Publike të Shqipërisë kanë lajmëruar rinisjen e protestave që fillojnë të hënën e 7 janarit në orën 8 të mëngjesit. Lajmi është shpërndarë në rrjetet sociale përmes një posteri me thirrjen për t’ju bashkuar protestës studentore, e cila duket se vjen me katër kërkesa të riformuluara pas lëvizjes së kreut të qeverisë Edi Rama, të pagëzuar me emrin “pakti për universitetin”.

Ky i fundit për shefin e qeverisë ka marrë formë përmes 12 VKM-ve dhe 4 urdhërave të muajit dhjetor, që pretendon se adresojnë kërkesat e studentëve. Por këta të fundit janë shprehur se kërkesat e tyre nuk janë plotësuar aspak, duke theksuar se në thelb të adresimit të shqetësimeve të studentëve qëndron pikërisht anulimi i Ligjit për arsimin e lartë, ligj ky që kreu i qeverisë Rama e ka mbrojtur me fanatizëm si një ligj i mirë, edhe pse ende i pazbatuar.

Përgjysmimi i tarifave në të gjitha nivelet e studimit, rritja me 50% e peshës së votës studentore, dyfishimi i buxhetit të shtetit për universitetet publike dhe ndalimi i financimit nga buxheti i shtetit të universiteteve private duket se janë katër kërkesat e studentëve nën devizën “studentët e bashkuar kanë për të fituar”. /abcnews.al

basha-apeli-1280x670.jpg
ent ela18:51 | 19/12/2018

Kryedemokrati Lulzim Basha u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin në protestën e së enjtes për t’iu bashkuar studentëve. Nga Unaza e Re Basha kërkoi të mblidhen para parlamentit dhe të nisin aty rezistencën.

“Nuk është vetëm një çështje tarifash. Është çështja e një sistemi të ngritur nga Edi Rama ku politikanë, kriminelë e pedagogët të korruptuar kanë në dorë fatin e 140 mijë të rinjve e qindra mijëra të tjerëve që do vijnë”.

Sipas Bashës këto të zeza do kishin rrëzuar çdo qeveri europiane. Lideri i opozitës mbështet qëndresën e studentëve të cilët kanë vendosur të mos negociojnë me qeverinë, sepse e kanë kuptuar se Rama ose do përpiqet t’i blejë negociatorët ose do i mashtrojë”.

Në fund Basha i ftoi edhe banorët e Unazës së Re t’i bashkohen studentëve si edhe shqiqtarët e thjeshtë të jenë në shesh si shenjë revolte ndaj qeverisjes së Edi Ramës, theksoi kryedemokrati. /abcnews.al

PROTESTA-DITA-E-16-1280x720.jpg
ent ela15:59 | 19/12/2018

Studentët në Tiranë kanë hyrë në ditën e 16 –të të protestës së tyre. Përpara Kryeministrisë dhe përpara Korpusit të Universitar ata kanë vijuar të përsërisin thirrjet drejtuar Kryeministrit për plotësim të kërkesave të tyre. Studentët thonë se do të vijojnë të protestojnë deri të premten, në mungesë të zgjidhjes do t’i rikthehen në janar.

Dita e 16 –të e protestës i gjeti studentët në dy sheshe të ndryshme të Tiranës. Një grup ishte para Kryeministrisë.

“Duhet t’i kërkojmë Kryeministrit për të drejtat tona”.

“Kryeministri është shprehur kundër nesh dhe kundër ligjit për arsimin e lartë dhe ne duhet t’i drejtohemi atij”.

Grupi tjetër u vendos para Korpusit Universitar.

“Përballë Kryeministrisë ne jemi shumë të hapur ndaj çdo qasje tjetër politike”.

“Menduam këtu për ta specifikuar kauzën tonë, ne u vendosëm këtu, por kjo s’do të thotë që jemi përçarë”.

I bashkon mendimi se nuk duhet të dialogojnë me Kryeministrin dhe ata që janë ulur të bashkëbisedojnë me të thonë se nuk i përfaqësojnë.

“Unë mbaj përgjegjësi për ata që janë në shesh që nga dita e parë deri tani dhe ne të gjithë e dimë që kërkesat tona janë të qarta dhe ne do vazhdojmë deri në fund kështu derisa të plotësohen kërkesat tona”.

“Mua nuk më përfaqëson askush, unë jam këtu për vetveten dhe për të gjithë ata që do vijnë pas meje. Dialogu është këtu në shesh e presim këtu kryeministrin po të dojë le të vijë”.

“Ne duam të kthehemi një sahat e më parë në universitet, por për aq kohë sa kryeministri bën pseudodialoge, kur përpiqet të gjejë nga 10 e nga 10 kur ne themi me zë të lartë që nuk kemi përfaqësi, nuk pranojmë dialog atëherë këto janë shterpë”.

Dekleratën e Kryeministrit për përgjysmim të tarifave universitare studentët e shohin në këtë mënyrë.

“Kryeministri duhet të bëjë një deklaratë me shkrim të plotë dhe një dokument në mënyrë që ne të ndërgjegjësohemi që kjo gjë po ndodh vërtet”.

“Fillim i mirë, përderisa u plotësua pika e parë, atëherë kjo tregon se qeveira po tregon vullnet për të përmbushur dhe të tjerat dhe zëri i studentëve më në fund po dëgjohet”.

Nëse qeveria nuk ua plotëson kërkesat tregojnë se nuk do të paguajnë tarifat e shkollimit dhe do të vijojnë bojkotin e auditoreve.

“Nëse nuk zgjidhet do vazhdohet kështu si tani”.

“Në fillim të janarit do kthehemi dhe më fort, kthim në auditore nuk ka pa u plotësuar 8 kërkesat. Sezoni i provimeve do bojkotohet, tarifat nuk do paguhen nga asnjë student”.

“Do vazhdojmë të protestojnë me shpresën që do na plotësohen kërkesat”.

“T’u tregojmë që zëri i studentëve të dëgjohet, boll kemi ndenjur në heshtje, jemi të shtypur nga të gjithë, shumë nga ne po kërcënohen. Shumë nga shoqet e mia nuk po vinë në protestë se kanë prindërit në punë”.

Pas më shumë se dy javësh në shesh, studentët janë më të pakët në numër. Ata shprehen se nuk kanë rëndësi shifrat, por kauza dhe protesta e vërtetë sipas tyre është bojkoti i mësimit në universitete. /abcnews.al

PROVOKACIJA-MONOLOGU-protesta-1280x720.jpg
ent ela20:26 | 18/12/2018

Monologu i kësaj të marte i Mustafa Nanos në emisionin “Provokacija” është fokusuar në protestën e studentëve. Në këndvështrimin e tij Mustafa Nano e sheh protestën e studentëve konfuze, që nuk ka një grup udhëheqës e përfaqësues, që nuk pranon asnjë ndikim politik nga jashtë e që nuk pranon negociata mbi kërkesat që janë bërë.

Ai u bën apel studentëve që të ndryshojnë strategji për të mos u bërë qesharakë.

“Duhet të krijoni një leadership. Dhe duhet t’i besoni këtij leadershipi. Nëse nuk keni besim te njëri tjetri, dhe duket që nuk keni, kërkoni mbështetje nga pedagogët, apo nga jashtë. E nëse nuk ua mbush syrin e mendjen askush nga jashtë, atëherë merrnin vendimin për ta mbyllur protestën. Mbylleni ashtu si e nisët”– shprehet Nano.

Monologu i plotë i Mustafa Nanos në Provokacija:

Kur nisi protesta e studentëve, të gjithë u vunë në mbështetje të saj. Ishte një festival solidariteti. Kurrë nuk ishin parë ndonjëherë shqiptarët të binin në një mendje mbi një gjë të caktuar, dhe ja, erdhët ju, të dashur studentë, për t’i bërë ata së bashku. Por nuk u bënë me ju, ngaqë pëlqyen qëllimet e protestës. Jo, u bënë me ju, ngaqë gjysma (socialistët) pëlqyen faktin që ju po protestonit në mënyrë paqësore, dhe nuk kërkonit rrëzimin e qeverisë. Madje, as rrëzimin e ministres nuk kërkonit. As tani nuk e kërkoni. Ndërsa gjysma tjetër (demokratët) ju mbështetën, ngaqë ju vendosët të mos negocjonit me qeverinë, e me kryeministrin Rama, i cili po ju qurravitet prej 14 ditësh. Nuk është parë ndonjëherë ndonjë kryeministër që t’u përgjërohet protestuesve për një takim. Çfarë nuk do të jepte për këtë takim! Edhe gjithë qeverinë do jepte, po t’ia kërkonit. Por ju nuk ia kërkoni. Sepse ju nuk doni që protesta të keqkuptohet, apo të përdoret, duke harruar se në ka një gjë që ka krijuar hapësirë për përdorimin e protestës është ky merak i juaji për të mos u përdorur.

E dini? Unë personalisht kam frikë se edhe ju vetë jeni bijtë e bijat e prindërve tuaj, dmth edhe ju jeni demokratë e socialistë. Gjysma juaj do donin që kërkesat të plotësoheshin, e që qeveria të mos dëmtohej asnjë çikë. E gjysma tjetër as që do t’ia dijë fare për kërkesat; ata duan thjesht dëmtimin apo rrëzimin e kësaj qeverie. Organizimi i kësaj proteste, dhe vendimet që janë marrë prej jush, janë frut i kësaj balance forcash. Dhe kështu kemi këtë protestë konfuze që nuk ka një grup udhëheqës e përfaqësues, që nuk pranon asnjë ndikim politik nga jashtë e që nuk pranon negociata mbi kërkesat që janë bërë.

Hej studentë, ka rrezik që e gjithë protesta të përfundojë si gjëja më qesharake që është prodhuar ndonjëherë në skenën publike shqiptare. Dhe do të ishte traumatike për të gjithë ata që protestën tuaj e kanë pagëzuar me emra të fismë. Prandaj, duhet të ndryshoni strategji. Duhet të krijoni një leadership. Dhe duhet t’i besoni këtij leadershipi. Nëse nuk keni besim te njëri tjetri, dhe duket që nuk keni, kërkoni mbështetje nga pedagogët, apo nga jashtë. E nëse nuk ua mbush syrin e mendjen askush nga jashtë, atëherë merrnin vendimin për ta mbyllur protestën. Mbylleni ashtu si e nisët, me një lajmërim të varur në derën e fakultetit të inxhinierisë së ndërtimit a të arkitekturës, ku të thuhet: Të dashur studentë, ju njoftojmë se sot në orën 16.00 do mblidhemi para ministrisë së arsimit (për qejf të socialistëve), apo kryeministrisë (për qejf të demokratëve), për të deklaruar fundin e protestës. Qëllimi konsiderohet i paplotësuar. Dhe i paplotësueshëm. Fituan ato që fitojnë gjithnjë këtyre anëve. Partitë. Sepse në Shqipëri askush nuk mund të fitojë kundër tyre.

Nuk ka rrugë tjetër? Në fakt, ka edhe një rrugë tjetër. Ju duhet të ngriheni kundër vetë partive, kundër rendit të prishur të gjërave, kundër sistemit të korruptuar që ka korruptuar çdo gjë. Vetëm kështu do të kishin kuptim edhe kanosjet që ju po bëni me grevë urie, me bllokime rrugësh, e me përshkallëzime të tjera, për të cilat keni folur. Nëse nuk keni gjë kundër sistemit, dhe deri tani e keni pasur merak të tregoni se nuk keni gjë kundër sistemit, atëherë shkoni negocjoni me kryeministrin, merrni çfarë keni kërkuar të merrni, dhe kthejuni auditorëve. Shfaqja mbaroi.  Nesër rikthehet jeta normale. Poshtë studentët! Rroftë sistemi! /abcnews.al

spaho1-1280x720.jpg
ent ela19:34 | 18/12/2018

“Nuk habitem që në 21 janar të votojmë një qeveri tjetër jo të Edi Ramës”. Kështu u shpreh në studion e Mbrëmje në ABC News kreu i grupit parlamentar demokrat Edmond Spaho. I pyetur për zhvillimet në vend, protestën e studentëve, situatën politike brenda PD-së dhe nëse parashikohen zgjedhje të parakohshme, Spaho tha se çdo gjë është e mundur duke parë situatën ku ndodhemi.

“Çdo gjë është e mundur situata është shumë inkadeshente. Në varësi të situatës ditët e ardhme do planifikojmë edhe hapat tanë. Nuk habitem që në 21 janar të votojmë një qeveri tjetër jo të Edi Ramës. Të gjitha opsionet janë të mundshme, sa ndryshimet mund të jenë shumë të shpejta. Në protestën para parlamentit të enjten pjesëmarrja do jetë e madhe dhe ne do u bëjmë thirrje qytetarëve të mbështesin studentët, se kauza e tyre është e madhe se po lëvizin një komb të tërë për të kërkuar ndryshimin”.

Sipas Spahos trendi i protestave mund të kulmojë me rrëzimin e Ramës për t’i hapur rrugë reformave të tjera.

“Zgjedhje të lira e të ndershme me Ramën kryeministër nuk ka, ky është objektivi madhor, por cilido është zgjedhja e PS kë do vërë në krye të PS. Rama lidhi politikën me krimin, shkatërroi zgjedhjet me paratë e drogës, kanabisit dhe format e tjera negative që na tregojnë në Ballkan si vendi që nuk bëjnë dot zgjedhje. Ne do bëjmë gjithçka është e mundur së bashku me grupet e interesit. Trendi i protestave mund të kulmojë me rrëzimin e Ramës. Nëse Rama do largohet do t’i hapen rrugë reformave të tjera”.

Duke folur për protestën e studentëve demokrati tha se ajo është e drejtë e tyre legjitime, sepse ligji për arsimin vetëm e përkeqësoi atë në vend që ta përmirësonte.

“Është e drejtë legjitime e tyre, ne e kemi thënë që atë vit që ky ligj do e përkeqësojë arsimin shqiptar, ne kishim të drejtë. Efektet e ligjit po japin në mënyrë të plotë atë që ne parashikuam. Tarifat janë rritur. Nuk ka pasur ndryshime të kushteve. Ligji ka favorizuar dukshëm arsimin privat”.

Në këndvështrimin e tij Spaho e sheh të mundshëm tarifën prej 5% të GPD për arsimin.

“Ne kur ishim në qeveri kishim prioritet investimet në infrastrukturë, nëse Kryeministri e ka prioritet arsimin i ka të gjitha mundësitë. Ne kemi marrë borxh dyfishin e borxhit gjatë kohës që qeveriste PD. Shteti të finnacojë për arsimin publik. 5% është objektiv i arritshëm”.

Sa u takon akuzave të kryeministrit për protestën e studentëve, Spaho shprehet se akuzat e Ramës janë mjet për të shpëtuar nga situata e vështirë ku ndodhet.

“Në asnjë rast ne nuk kemi pasur prezencë aty, nuk jemi përpjekur për t’i rreshtuar si kontigjentë për qëllime politke. Akuzat e Ramës janë mjet për të shpëtuar nga situata e vështirë ku ndodhet. Rama po e menaxhon në mënyrën më të keqë te mundshme. Përderisa pranon që studentët kanë të drejtë, atëherë plotësoji kushtet”.

Gjatë fjalës së tij në studion e  ABC Neës Spaho sqaroi edhe njëherë dy çështjet që e kthimit të opozitës në Kuvend, që janë protesta e studentëve dhe reforma zgjedhore, dhe jo djegia e mandateve.

“Ne kthehemi në Kuvend për shpresën e studentëve, për rikthmin e buxheteve. Janë të gjitha mundësitë që të gjitha kërkesat e studentëve të plotësohen. Edhe javën e kaluar ne ishim në Kuvend me numër të reduktuar deputetësh në mbështetje të amendamenteve për këtë çështje, plotësimin e kërkesave të studentëve. Çështja e dytë që na detyron të kthehemi është vetingu në politkë, ashtu si e kemi deklaruar edhe në shtator.

Nëse do vendosim të djegim mandate do e bëjmë me një deklaratë, me një vendim për një qëllim politik”. /abcnews.al

 

POLITIKA-NE-ABC-NEWS-KUR-POLITIKA-HYN-MES-STUDENTEVE-1280x720.jpg
ent ela15:27 | 15/12/2018

Protesta e studentëve që nuk pranojnë të dialogojnë me Kryeministrin për 8 kërkesat që kanë shpallur, dominoi ngjarjet e javës politike që lamë pas. Mimoza Koçiu na sjell presionin e dukshëm e të padukshëm ndaj studentëve protestues, në funksion të llogarive politike.

E kaluan 10 ditëshin e parë në rrugë, e tashmë i ka poshtë zyrës së tij. Për dy ditë protestuan të ndarë, por prej të enjtes së javës politike që lamë pas, u bashkuan para kuvendit, e më pas para Kryeministrisë. Si kurrë më parë, nuk ka patur një mungesë kaq të theksuar publike mosbesimi mes një kryeministri e protestuesve. Thirrjet e Edi Ramës për dialog në këmbim të përmbushjes së 8 kërkesave të tyre, përsëriten çdo ditë, e disa herë në ditë, e çuditërisht studentët i refuzojnë. Tendencat për t’i orientuar majtas a djathtas nuk janë më aq të padukshme, por misioni duket i vështirë, pasi nuk kanë një përfaqësi. Megjithatë Kryeministri po merr gjithë kohën për t’u fokusuar tek ata, pasi ia ka dalë ta kompleksojë opozitën me akuzat se po ndikon studentët që të mos dialogojnë me të. Ndërkohë po e kalon pa kokëcarje e pa zhurmë skandalin e firmës fantazëm, që mori nga qeveria rreth 30 milionë euro për dy tendera.

Po çfarë ndodhi javën politike që lamë pas?

Kryeministri e nisi njëanshëm komunikimin me studentët, që të hënën, me atë që e quajti dialog për Universitetin. Për 1orë e 43 minuta iu drejtua studentëve përmes FB, duke iu përgjigjur pyetjeve që i dërgoheshin në profilin e tij. Monologu i gjatë i zbuloi ndjesitë për ta: herë i duken të pabindur, e herë si rivalët e tij politikë.

E nesërmja, dita e shtatë e protestës, por edhe e rifillimit të shkollave pas ditëve të pushimit, i gjeti më të shumtë në numër para Ministrisë së Arsimit, pasi kishin përcaktuar orën 16, si afat për përmbushjen e kërkesave të tyre. Në fakt prej të martës, protestat e studentëve vijuan edhe në Korçë, Shkodër, Vlorë, Gjirokastër dhe Elbasan, e një pjesë e tyre iu bashkuan studentëve në Tiranë. Në pritje Kryeministri u përsëriste ftesat për të vendosur një urë komunikimi me qeverinë, duke u sugjeruar si vendtakim sallën e parlamentit.

Por pas orës 16:00, skadimit të afatit, çka spikati mes studentëve ishte vetëm ndarja në qëndrim, se ku duhet të protestonin, para ministrisë apo km. Shefi i qeverisë ua lexoi si përcarje, e nxitur nga presioni i opozitës, e u përsëriti ftesën për dialog.

Duhet thënë se me akuzat që i bën PD e LSI, ia ka dalë t’i kompleksojë 2 partitë opozitare, të cilat janë tkurrur në komunikimin publik. Lulzim Basha i mbështet kujdesshëm.

Vetë Rama tha se Freshistët e tij nuk ia kishin dalë të ndikonin protestën. E megjithatë jo pak prej tyre, i kishte  përballë të martën në mbrëmje në Top Channel.

Po na akuzojnë si fresshistë, unë po jam koordinator”.

I prekur, si çdo i ri i moshës së tij ndaj komenteve në rrjetet sociale, padashur kishte zbuluar një realitet tjetër në atë dialog TV. Me nuhatjen e eksperiencën e gjatë, Km mori situatën në dorë, për të sfumuar deklaratën e të riut të Fressh, e mbyllur temën e hapur padashje, se sa Fresshistë kishte përballë në atë studio

Por shija e atij komunikimi vijoi në rrjetet sociale, ndërsa vetë Kryeministri, pas vendimit për anullimin e tarifave për provimet e mbartura, dëshmoi edhe njëherë fuqinë e tij, pavarësisht autonomisë universitare.

Për dy ditë studentët protestuan të ndarë, një pjesë tek Ministria e Arsimit e tjetra tek Kryeministria.

Vazhdon t’u bëjë disa ftesa në ditë, virtualisht për dialog, duke u konfirmuar cdo herë se i pranon 8 kërkesat e tyre. Por si përgjigje, dy grupet e studentëve u bashkuan të enjten e seancës plenare para parlamentit. Të shumtë në numër këmbëngulën se nuk do ketë dialog, pa u plotësuar më parë kërkesat e tyre.

Brenda u përball me dy kërkesa të ndara, nga 8 deputetë të opozitës. LSI paraqiti dy amendime shtesë në buxhetin për arsimin e lartë, në funksion të kërkesave të studenteve për ulje tarifash e rritje të buxhetit për arsimin. Ndërsa PD kërkoi abrogimin e ligjit të arsimit të lartë. Asnjëra nuk u pranua dhe Edi Rama ua bëri leximin e tij të protestës së studentëve.

Pas largimit të tyre e rimori prapë fjalën, tashmë me audiencën e bindur të të vetëve.

Por para të vetëve bëri edhe pohimin e fortë, duke zbuluar merakun politik. Studentët që protestojnë janë kontigjent votuesish, bashkë me prindërit e tyre, e tashmë Kryeministri bën llogaritë për vendoret e 30 qershorit, e këtë ia kujton publikisht opozitës.

Dushëm studentët i do në krah. Ua kishte thënë edhe 3 ditë më herët.

Për t’i bindur studentët, ka intensifikuar në mënyrë të pabesueshme mesazhet vituale në rrjetet sociale, më të aksesueshme prej të tyre. Në instagram hedh papushim foto me mesazhe atipike për një kryeministër të cilat shndërrohen shpejt në meme, që zbavisin përdoruesit e rrjeteve sociale, përfshi vetë Kryeministrin.

Sikleti disa ditor i Kryeministrit, që i refuzohen ftesat, lexohet me thirrjen për të patur këdo prej tyre, madje edhe pa një mandat përfaqësimi nga studentët protestues.

Por ende asnjë grup nuk po i përgjigjet, ndërsa prej të enjtes pasdite janë bashkuar në protestë para dritareve të zyrës së tij.

Një aleat të dukshëm studentët kanë mediat. Përveçse i ndjekin në kohë reale në protestën e kërkesat e tyre, çdo studio televizive u hap për ta gjatë javës politike që lamë pas. Rekord shënoi Blendi Fevziu që u ofroi studion e “Opinion”, për tre mbrëmje rradhazi, duke i dhënë një vizibilitet maksimal kauzës së tyre. Të enjten në mbrëmje aty ishte i vetëm Kryeministri, me ftesën për studentët, pa e fshehur kënaqësinë se ata nuk kishin kërkuar largimin e tij.

Duket se ka përgatitur zgjidhjet për ta, sepse i paraqet pjesërisht në studiot tv. A do gjenden vallë studentët, nëse pranojnë të ulen me të, në pozicionin e spektatorit, që do dëgjojnë e konfirmojnë çfarë Kryeministri ka përgatitur për ta?

Nëse Kryeministri po merr kohë për të bindur studentët që të ulen me të, spikat heshtja e Lulzim Bashës, për një siklet tjetër të qeverisë, pasi VOA konfirmoi hetimet e nisura në SHBA për firmën fantazëm Dunwell Haberman, e cila me përfaqësues 26 vjeçarin Avdjol Dobi, kishte përfituar dy kontrata nga qeveria shqiptare me vlerë afro 30 milionë euro, nga ARRSH dhe OST.

Duke konfirmuar mashtrimin nga firma fantazëm, Ministri i Infrastrukturës e Energjisë, u shpreh i gatshëm për t’u hetuar.

ARRSH edhe OST rihapën tenderat për kontratat që kishte fituar kompania fantazëm, e cila po hetohet tashmë në SHBA e në Shqipëri. Heshtjen e opozitës e theu Kryeministri, duke folur 7 ditë pas publikimit të skandalit.

Opozita duket se humbi mundësinë që ta merrte nga Komisioni i Venecias, miratimin për kauzën e saj kryesore, Vetingun në politikë. Në opinionin e miratuar të premten, Komisioni nënvizon rreziqet e keqpërdorimit të këtij procesi dhe fton palët të dakordësohen për modalitetet në kuvend. Natyrisht leximi i Ramës e Bashës ishte i ndryshëm, dhe nuk mungoi edhe përplasja virtuale mes tyre. Duhet thënë se vetë Basha ka shkëlqyer me mungesën e tij publike javën politike që lamë pas, edhe pranë banorëve të zonës së unazës së re, ndërsa protestat e përditshme në Shkodër, Kavajë e zona të tjera, për cmimin e karburantit e taksat, dukshëm kanë mbështetjen e partisë së tij.

Në Tiranë, studentët protestues u japin herë pas here prova para mediave, se nuk u interesojnë partitë politike. Duket e pamundur të orientosh një protestë pa përfaqësi. Të enjten e javës politike që lamë pas, Kryeministri zgjodhi t’u bënte një gjyq publik drejtuesve të universiteteve, që i mblodhi me urgjencë në mjediset e Ministrisë së Arsimit. Foli vetëm vetë, e në 45 minuta u përmendi publikisht disa raste abuzimi me fondet dhe u të mos u fshohen përgjegjësive për situatën e studentëve.

Të nesërmen rektori i UT Mynyr Koni dhe Kryeminsitri u përplasën virtualisht. Rektori zgjodhi të hidhte poshtë akuzat e Kryeministrit, duke i konsideruar presion e shantazh, jo në një dale publike, por përmes faqes FB të UT. Sipas tij në UT nuk ka patur asnjë bllokim, siç mundohet ta paraqesë Km, për të justifikuar e shtrembëruar arsyet e vërteta të protestës së studentëve. Ai madje thotë se pengimi normal i punës ka ardhur nga administratori i UT, një aktivist në fushatat e partisë së Kryeministrit.

Përgjigja e Kryeministrit nuk vonoi në Tëitter, therëse e fyese. Përmes eufemizmave të fortë, Rama shkruan se e mëshiron pafytyrësinë e rektorit dhe e fton të gjejë kurajon t’ia thotë gjërat në sy, shumë shpejt kur KM të shkojë nëpër auditoret universitare.

Senati akademik i UT kishte denoncuar me herët se shfuqizimi nga qeveria i nenit të VKM për heqjen e tarifave për provimet e mbartura, ishte bërë pa një kërkesë nga senati, siç e parashikon ligji. Madje Senati kishte vendosur të mbështeste kërkesat e studentëve për ulje tarifash, e kish nisur përllogaritjen e efekteve financiare për atë ulje. Në të njëjtën linjë u deklaruan publikisht këto ditë edhe senatet akademike të disa universiteteve të tjera. A është vallë kjo një përpjekje për ta zgjidhur situatën nga brenda universiteteve? Koha do e tregojë. Në pritje, e premtja pati disa zhvillime të pazakonta, që reflektonin presion për orientimin e studentëve. Numri i tyre në shesh ishte reduktuar ndjeshëm, e pas ftesës së radhës së Kryeministrit.për dialog, vëmendja e gazetarëve që ndiqnin protestën e studentëve para Kryeministrit. u tërhoq, për një njoftim të rëndësishëm. Një student i fakultetit juridik i kërkoi Kryeministrit. një seancë urgjente parlamentare, për kërkesat e tyre.

Për studentë të pranishëm, thirrja ishte e pakonsultuar me ta.

E megjithatë ai apel i vetmuar verbal e mori një përgjigje pozitive, jo nga Kryeministri, por nga nr. 2 i PS, që konfirmoi gatishmërinë që parlamenti të mblidhej të nesërmen me Kryeministrin e studentët.

Por të paktën ata studentë që qëndrojnë para Kryeministrit, paralajmëruan vetëm vijimin e protestës. /abcnews.al

 


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono