prona

bbb.jpg
ad min12:46 | 23/09/2018

Këshilli i Evropës ka konfirmuar si funksional dhe efektiv mekanizmin e miratuar nga qeveria shqiptare për kompensimin e pronave.

Ministria e Drejtësisë e bën të ditur përmes një njoftimi për shtyp ku thotë se Komiteti i Ministrave vendosi të miratojë rezolutën për mbylljen e procesit të mbikqyrjes së masave të përgjithshme për çështjet që lidhen me kompensimin e pronave përfshirë vendimin pilot të Manushaqe Putos e të tjerë.

Shqipëria sipas Këshillit të Evropës, Shqipëria ka përmbushur detyrimet për ngritjen e mekanizmave të brendshëm për kompensimin e pronave të shpronësuara nga regjimi komunist.

Ministria e Drejtësisë thotë se ky kompensim tashmë është i garantuar dhe do të realizohet brenda afatit ligjor 10-vjeçar./abcnews.al

klsh.jpg
ad min16:24 | 31/07/2018

Kontrolli i Lartë i Shtetit kallëzon në Prokurori ish-regjistruesin, tre përgjegjës sektori dhe dy specialistë të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë.

Sipas njoftimit zyrtar të institucionit të kontrollit shtetëror këta persona kanë kryer regjistrime të pasurive pa dokumentacionin e duhur ligjor, me dokumente të parregullta për sipërfaqen prej 290 873 m2, ndryshime zëri kadastral nga rrugë, përrenj në truall për sipërfaqe 7090 m2, regjistrim pasuri shtetërore të privatizuar pa arkëtuar qira trualli me dëm ekonomik në vlerë 11 milionë e 580 mijë lekë.

Këto dhe të tjera shkelje ligjore kanë detyruar Kontrollin e Lartë të shtetit t’i kërkojë kryeregjistruesit të vlerësojë shkallën e përgjegjësisë dhe marrjen e masave disiplinore për 22 punonjës. Ndërsa ndaj 6 punonjësve të zyrës së hipotekës së Tiranës është bërë kallzim penal në Prokurorinë e rrethit gjyqësor Tiranë./abcnews.al

foto-12.jpg
ad min22:17 | 06/07/2018

Andrea Çela, banor i Mollasit në Cërrik, denoncon në “Stop” se prej vitesh ALUIZNI Elbasan i mban peng dosjen e pronës. Dikur ka punuar rrobaqepës, gjë që i dha mundësinë të privatizojë godinën. Në kohën e kaosit, godinës i bëri një shtesë dhe tani endet zyrave për legalizimin.

Gazetarja takoi përgjegjësin e ALUIZNI-t Elbasan, Andrea Begu, i cili tha se dosja e Çelës është në shqyrtim, por ai duhet të bëjë më parë një deklaratë prishjeje të objektit ekzistues, më pas do të pajiset me lejen e legalizimit.

Historia fillon nga viti 1991 dhe deri më sot. Bëhet fjalë për vitin ’91 kur godina ka qenë një ish-rrobaqepësi.

“Quhem Andrea Çela, banor i fshatit Mollas. I jam drejtuar emisionit “Stop” për një problem me drejtorinë e ALUIZNI-t Elbasan. Duke qenë rrobaqepës në fshatin Mollas me vite, kam filluar punë në vitin 1977. Nga kjo godinë që trashëgova nga kooperativa, e kam paguar me numër mandati, vendim nr.7 me datë 11.09.’96. Kontrata e shitjes është bërë në prani të punonjësve të komunës. Certifikata e objektit më ka dalë në datën 1 Shkurt 2002″.

Denoncuesi disponon edhe një vërtetim, që tregon se kjo pronë është e tij në të cilën shkruhen edhe kufizuesit ku thuhet se në perëndim të objektit rezulton shesh i lirë.

Dhe duke qenë se perëndimi rezultonte shesh i lirë, atëherë Andrea Çela ndërton një dhomë në katin e dytë. Më pas bën një aplikim te ALUIZNI i qytetit të Elbasanit.

Pas aplikimit të bërë vjen dhe përgjigja nga Srejtoria e Qarkut Elbasan e publikuar në një gazetë, ku në 580 emrat që marrin lejen e legalizimit në Elbasan, figuron edhe emri i Andrea Shyqyri Çela.

Nga ajo kohë deri më sot, për objektin në fjalë nuk rezulton leje legalizimi.

Për rastin e Andrea Çelës, “Stop” i është drejtuar ALUIZNI-t Elbasan ku kërkohet informacion nga përgjegjësi i sektorit të ALUIZNI-t Elbasan, Andrea Begu:

“Unë si përgjegjës sektori e kam shqyrtuar dosjen, zotëria ka një VKM të miratuar në vitin 2015. Në momentin që flasim dosja është në shqyrtim, është shqyrtuar nga ana e specialistëve. Zotërisë i është kërkuar një deklaratë prishjeje të objektit ekzistues në mënyrë që objekti të trajtohet konform procedurave të legalizimit në mënyrë të plotë dy kat social-ekonomik siç ka gjendjen faktike edhe sot. Është i lutur zotëria të na sjellë deklaratën në mënyrë që të konkludojmë edhe procedurat e mëtejshmë të legalizimit”, tha Begu./tvklan.al 

lezha.jpg
ad min15:39 | 15/05/2018

Ka lënë arrestin e shtëpisë edhe nënkryetari i Bashkisë së Lezhës, Enver Hafizi, i akuzuar për shpërdorim detyre në tjetërsimin e pronave në zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin. Gjykata e Lezhës ka marrë në konsideratë kërkesën e paraqitur nga avokati mbrojtës i nënkryetarit Hafizi për zëvendësimin e masës së sigurisë nga arrest shtëpie në detyrim paraqitje.

Vendimi parashikon që edhe për nënkryetarin e kësaj bashkie t’i ndalohet largimi nga vendi si edhe të paraqitet dy herë në muaj para policisë gjyqësore. Më herët edhe kryetarit të Bashkisë, Fran Frrokaj, i është zëvendësuar masa e sigurisë nga arrest shtëpie në detyrim paraqitje, ndërsa mbetet ende në arrest shtëpie kryetari i qarkut Gjokë Noka. Kurse me herët janë lënë me masë sigurie detyrim paraqitje edhe 20 personat e tjerë të akuzuar për tjetërsimin e pronave tek Rana e Hedhun në Shëngjin./abcnews.al

taksat-e-reja.jpg
ad min15:18 | 01/04/2018

Dy taksa hynë në fuqi nga një Prilli duke renduar buxhetin e shumë familjeve shqiptare. Taksa e pronës do të përllogaritet bazuar mbi vlerën e saj, ndërsa biznesi i vogël do të nisë të paguajë tatim mbi vlerën e shtuar.

Nis nga një Prilli, por nuk është gënjeshtër. Shqiptarët do të shpenzojnë më shumë nga buxheti i tyre për taksa.

Taksa e pronës që deri tani ka qenë fikse dhe paguhej mbi sipërfaqe nga ky muaj do te bazohet mbi vlerë. Ajo do të jetë sa 0.05% e vlerës së pronës.

Përshembull: Nëse shtëpia ka një vlerë prej 10 milionë lekësh, familja duhet të paguaj për të 500 lekë në muaj. Për bizneset, taksa e pronës do të jetë sa 0.15% e vlerës së tij.

Kjo nuk është taksa e vetme që hyn në fuqi këtë muaj.

Bizneset që qarkullojnë më shumë se 2 milionë lekë në vit do të paguajnë tatimin mbi vlerën e shtuar prej 20%. Deri tani, TVSH është paguar vetëm nga bizneset me xhiro më të lartë se 5 milionë lekë në vit.

Ministria e Financave ndryshoi pragun e përfshirjes në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar me argumentin e luftës ndaj evazionit në zinxhirin tregtar.

Tatimet kanë përllogaritur se numri i bizneseve që do të paguajnë fillimisht është 11 mijë e 500, por konsulentët fiskal mendojnë se shifra është më e lartë.

Përfshirja e biznesit të vogël në skemën e TVSH ka rritur pasigurinë tek këta te fundit. Shoqata e tyre pak ditë më parë deklaroi se bazuar ne analizat që ata kanë kryer, kjo lëvizje do të çojë drejt falimentit rreth 50 mijë sipërmarrje brenda vitit.

Përfaqesuesit e biznesit paralajmëruan nisjen e protestave masive nëse qeveria nuk tërheq vendimin./abcnews.al

artan-lame-1280x659.jpg
ad min15:22 | 28/03/2018

I gjithë bregdeti i jugut është i paregjistruar. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Legalizimit Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave apo Ndërtimeve Informale thotë se ka një arsye.

Artan Lame: “Është lënë për t’u shqyer dhe ja kanë dalë, ka funksionuar”.

I njëjti fenomen, por jo në këto permasa është edhe në zona të tjera. Artan Lame tregon ku problematika është më e mprehtë.

Artan Lame: “Velipoja, Shëngjini, Ishuill Lezhës, Gjiri i Lalzit, zona e Kavajës, bregdeti i Semanit, i Nartës, Orikumi dhe gjithë bregdeti i jugut”.

Për të përvetësuar pronat në bregdet janë përdorur mënyra të ndryshme. Ligji 7501 që do të duhej t’i ndante tokën e ish-kooperativave bujqësore anëtarëve të tyre është keqpërdorur. Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNIT sqaroi rrugët e ndjekura.

Artan Lame: “Rruga e parë është pajisja me Aktin e Tokës në pronësi i familjes bujqësore e pastaj e ndanin mes anëtarëve. E dyta, pajisja me tokë e atyre që s’kanë qenë në fshat në ’91-shin. E treta ndryshimi i zërit kadastral i tokës, tjetër ishte ndarja e zonave pas 2008-s”.

Përgjegjësitë, Lame i gjen tek të majtët dhe të djathtët. Ndërkohë një grup do të nisë kontrollet përgjatë vijës bregdetarë në Durrës dhe Sarandë. Rezultatet e tyre do t’i kalojnë task-forcës së ngritur nga Kryeministri, e cila vendos për pezullimin e akteve të pronësisë mbi tokën.

IMG_1808-1280x853.jpg
ad min15:36 | 24/03/2018

Deputeti demokrat, Ervin Salianji, sekretar për aksionin qytetar në Partinë Demokratike ka përsëritur akuzën drejtuar deputetit socialist, Alket Hyseni, për blerjen e një toke të tjetërsuar me dokumenta të falsifikuara, të cilën ia dhuroi kompanisë së babait të tij, kur ishte në krye të task-forcës për pronat në bregdet.

Ervin Salianji: “Ish-doganieri Alket Hyseni, sot deputet i Partisë Socialiste, nuk është marrë akoma nën hetim nga Prokuroria për akuzën e rëndë të grabitjes së 11 mijë metra katrorë tokë në Dhërmi. Vetë Alekt Hyseni, i besuari i Edi Ramës për të verifikuar tjetërsimin e pronave në Bregun e Jugut nga viti 2014 deri në vitin 2016, nuk ka dhënë asnjë shpjegim sesi u bë pronar i një prone, transaksioni për të cilën ishte ndaluar me vendim nga Gjykata e Vlorës. Alket Hyseni duhet t’i përgjigjet pyetjes sesi ia doli të bëjë kaq shumë pasuri në një kohë kaq të shkurtër. Heshtja nuk e ndihmon dot as Alket Hysenin dhe as Edi Ramën të fshehin këtë grabitje për llogari të mikut të kryeministrit, Gon Papuli. Skema është e qartë. Alket Hyseni e ka siguruar pronën nga një i arrestuar vitin e kaluar për fallsfikimin e dokumenteve, në kohën kur Hyseni drejtonte Task forcën për pronat e Bregut në Jug. Pra, Alket Hyseni e dintë konfliktin për këtë pronë, por sërish e bleu pronën e tjetërsuar me dokumenta të fallsifikuar për më shumë se 200 milionë lekë. Më pas pronën ia kaloi një firme, që siç rezulton nga dokumentat është e babait të tij. Por që skema të përfundonte me sukses dhe toka bujqësore te mos mbillej me ullinj, por me beton, Edi Rama i dha mikut të tij Gon papuli leje për të ndërtuar në tokën e grabitur prej ish shefit të task forcës. Përfitues nga ndërtimi do të jenë me letra Gon Papuli dhe Alket Hyseni. Rasti i grabitjes së pronave nga peshku i madh Alket Hyseni, me dijeni të Edi Ramës, është treguesi më i qartë i përdorimit të dy standardeve nga kryeministri që bërtet për drejtësi.”/abcnews.al

arben-ahmetaj-kadastra-fiskale-1280x658.jpg
ad min22:13 | 14/03/2018

Në 1 Prill, Ministria e Financave do të nisë punën për ndërtimin e kadastrës fiskale. Projekti do të përfshijë hedhjen në sistem të të gjitha pronave në Shqipëri, rezidencat e banimit, ndërtesat për qëllime biznesi dhe trojet bujqësore.
Kadastra do të jetë në të ardhmen sistemi, i cili do të gjenerojë dhe do të vendosë një vlerë të saktë të pasurive të patundshme, që më pas do të shërbejë për tatimin e pronës.
Fillimin e punës për kadastrën fiskale, Ministri i Financave dhe Ekonomise, Arben Ahmetaj, e bëri të ditur për mediat gjatë nje takimi me përfaqësuesit e Agjencisë Suedeze për Bashkëpunimin Ndërkombëtar, të cilët do të asistojnë projektin./abcnews.al

vlcsnap-error099-1280x721.jpg
ad min17:29 | 20/02/2018

Abuzimi me pronat në bregdetin e Spillesë çon në pranga pesë zyrtarë të Bashkisë së Rrogozhinës, ndërsa kreut aktual të bashkisë i bllokohet pasaporta me vendim gjykate.

Prokuroria thekson se nën hetim janë 23 persona, të cilët kanë qenë funksionarë ose ish-funksionarë publik në qytetit bregdetar.

Abuzimi me rreth 110.000 m2 tokë ranishte në zonën bregdetare të Spilles të Kavajë, ka çuar në hetim 23 funksionarë edhe ish-funksionar të qytetit bredetar.

Prokuroria dhe Policia kanë zbardhur skemën e mashtrimit me pronën publike, ku emri më i rëndësishëm që po hetohet është kreu aktual i bashkisë së Rrogozhinës, Beqir Nuredini, të cilit iu ndalua dalja jashtë shtetit me vendim gjykate.

Policia sqaron se e njëjta skemë ishte përduar edhe për 27 biznese në Spille. Ndërtimet e këtyre lokaleve rezultojnë vetëm mbi bazën e një aplikimi në Bashkinë Rrogozhinë, duke paraqitur vetëm një plan vendosje.

Operacioni “Ranishtja 2” është vijim i një hetimi disa mujor ndërmjet Policisë dhe prokurorisë, ku individët pasi tjetërsonin tokën ranore e regjistronin në Hipotekë në emër të të afërmve të tyre./abcnews.al

71635467.jpg
ent ela10:23 | 06/02/2018

Një konflikt për pronën ka ndodhur në fshatin Lubalesh të Dibrës, ku për pasojë dy persona kanë mbetur të plagosur.
Sipas informacioneve të policisë konflikti për pronën ka ndodhur mes dy fiseve Balla dhe Cani.
Mësohet se dy fiset Balla dhe Cani janë konfliktuar dhe më pas janë përplasur me sende të forta.

Njeri prej të plagosurve ndodhet në spital, kurse një tjetër ka dalë nga spitali./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono