prona

taksa-e-nderteses.jpg
G. P.14:47 | 12/09/2019

Në një muaj rreth 20 mijë banorë të kryeqytetit deklaruan pranë zyrave të Ujësjellësit të dhënat për banesën, me qëllim përllogaritjen e taksës së pronës. Për shkak të fluksit të qytetarëve nësportele, Ujësjellës Kanalizimet në Tiranë kanë shtyrë deri më 30 Tetor afatin e vetëdeklarimit.

Banorët e Tiranës kanë dhe rreth një muaj e gjysmë kohë për të vetëdeklaruar të dhënat e banesës. Ato nevojiten për të llogaritur taksën e pronës në bazë të vlerës dhe që do të aplikohet në faturën e ujit.

Ujësjellës Kanalizimet kanë shtyre afatin deri më 30 Tetor. Arsyeja është fluksi i qytetarëve nëpër sportele. Për rreth një muaj gati 20 mijë persona kanë kryer vetëdeklarimin e banesës në 14 pikat e UKT-së në kryeqytet.

Për të kryer vetëdeklarimin e banesës qytetarët duhet të kenë me vete kartën e identitetit, dokumentin e pronësisë, certifikatë ose kontratë shitblerje apo dokumentin e ALUIZNI-t.

Vetëdeklarimi i kryer nga qytetarët do të verifikohet nga punonjësit e ujësjellësit me ato të Hipotekave apo ALUIZNI-t nëse banesa është në proces legalizmi. Në rast se vlerat do rezultojnë të ndryshme taksa do të bazohet në shifrën më të lartë.

Taksa vjetore që llogaritet duke shumëzuar sipërfaqen e apartamentit dhe çmimin e vlerësimit, me pas me shkallën në përqindje të taksës së miratuar me ligj për kategorinë e ndërtesave për banim 0.05%.

Ajo paguhet për shtëpitë, garazhet e mbyllura e bodrumet.  Prej saj përjashtohen pensionistët, personat që trajtohen me ndihmë ekonomike, banesat sociale dhe ndërtesat në funksion të komuniteteve fetare./ABC News Albania 24/7

peze-1280x720.jpg
G. P.09:15 | 17/06/2019

Sekuestrohen 1.5 milionë euro pasuri në pronësi të Admir Murataj dhe familjarëve të tij. Sipas policisë, sekuestrimi i pasurisë është bërë në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar, ku në kuadër të ligjit anti-mafia të prekur janë edhe dy vëllezërit e të ndjerit Shpëtim dhe Can Murataj si edhe ish-gruaja e tij Albana.

Rreth 1.5 milionë euro është vlera e sekuestrimit me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda për pasuritë që zotëron familja e të ndjerit Admir Murataj. 46-vjeçari akuzohet nga prokuroria si organizatori i supergrabitjes së 9 Prillit të ndodhur brenda pistës së Rinasit, ku u morën rreth 5 milionë euro.

Murataj humbi jetën gjatë shkëmbimit të zjarrit me punonjësit e policinë, ndërsa emri i tij lidhet edhe me dy grabitjet tjera të autoblindave me para të ndodhura në vitet 2015 dhe 2017 në rrugën përgjatë aeroportit të Rinasit.

Nga pronat e sekuestruara, disa janë në pronësi të vetë Admirit, dhe një apartament në pronësi të bashkëshortes së tij, Albana. Ndërkohë, makinat e konfiskuara janë në pronësi të vëllait të viktimës, Can Murataj.

Gjatë njoftimit të policisë, thuhet se pasuritë e paluajtshme dhe të luajtshme që zotërohen nga anëtarët e tjerë të familjes Murataj dyshohet se janë përfituar nga aktivitetet kriminale, që ka kryer edhe në Greqi Admiri.

Fillimisht sekuestrimi i këtyre aseteve u bë mbi dyshimet se vinin nga aktiviteti të jashtëligjshme, ndërkohë Departamenti i Policisë Kriminale ka dyshime se një pjesë e mirë e pasurive të tjera të Admir Murataj dhe familjarëve të tij të jenë regjistruar në emër të personave të tjerë për t’i shpëtuar sekuestrimit.

Pasuritë e sekuestruara janë lënë në administrim të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara. Në kuadër të ligjit anti-mafia, në skaner janë edhe pasuritë e dy vëllezërve Çala, Klement dhe Eldi Çala, të cilët akuzohen gjithashtu nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, si pjesëmarrjen nga grabitjen e dy mujve më parë në Rinas.

/ABC News Albania 24/7

prona.jpg
ent ela17:15 | 13/06/2019

Në të gjithë vendin ka nisur procesi i korrigjimit të kartelave pasurore që pasqyrojnë pronat bashkëshortore, por janë të regjistruara vetëm në emër të njërit prej bashkëshortëve. Specialistët e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës shpjeguan në një interviste për ABC News rrugën që duhet të ndjekin qytetarët.

Nëse keni përfituar një prone gjatë martesës, por ajo është e regjistruar vetëm në emër të bashkëshortit ju mund të kërkoni korrigjimin e kartelës së pasurisë.

Drejtori i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Artan Lame ka nxjerrë një urdhër të posaçëm për rregullimin e pasaktësive në pronat bashkëshortore ashtu siç parashikon legjislacioni në fuqi.

Procesi iniciohet me kërkesë të qytetarit.

“Duhet të bëjnë kërkesë për korrigjim. Më pas drejtorët e Kadastrës kanë marrë masat për të konstatuar nëse këto prona janë pjesë e pasurive martesore ose jo, verifikohet data sipas certifikatës familjare.

Të gjitha pasuritë e përfituara nga viti 1981 kur ka hyrë në fuqi kodi civil deri në 2003 kur është miratuar kodi i familjes konsiderohen pasuri të fituara gjatë regjimit martesor, pavarësisht mënyrës së përfitimit të tyre”.

Korigjimi i kartelës në favor të dy bashkëshorteve nuk shoqërohet me pagesë të tatimit të kalimit të pronësisë.

“Ky korrigjim nuk përbën kalim të së drejtës së pronësisë është pasurim të dhënash në kartele nuk i nënshtrohet tatimit të kalimit të pronësisë”.

Ndërkohë procesi nuk mund të kryhet në të gjithë rastet. Përjashtimet i shpjegon drejtoresha e Sektorit Tekniko-Ligjor në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës.

“Janë kryer transaksione juridike, është bërë tjetërsimi i pronës, por dhe në rastet e familjeve bujqësore”.

Zyrat e Regjistrimi të Pasurive të Paluajtshme ndër vite pronat i regjistronin në emër të personit që iu paraqitej në sportel dhe jo në pronësi të dy bashkëshortëve siç parashikohet në Kodin e Familjes./ABC News Albania 24/7

kadastra.jpg
G. P.13:48 | 24/05/2019

Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës, Artan Lame u bëri thirrje qytetarëve gjatë premtes që duke filluar nga dita e hënë të dorëzojnë dokumentacionin për të regjistruar banesat apo trojet e tyre. Ai tha se janë 12 deri në 13 mijë banesa të paregjistruara, ku rekordin e mban Saranda me rreth 3500 troje me probleme.

Në të gjithë vendin janë rreth 12 deri në 13 mijë banesa dhe troje të paregjistruara dhe me probleme. Këtë e bëri të ditur vetë drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës, Artan Lame gjatë një deklaratë për mediat, I cili theksoi se Saranda mban edhe rekordin me plot 3500 troje të paregjistruara.

 “Sot në të gjithë vendin janë 12-13 mijë banesa dhe troje në këtë situatë absurde, ku rekordin e mban Saranda me rreth 3500 troje të dhëna në këtë mënyrë. Të tilla troje ka me shumicë edhe në Gjirokastër, Përmet, Kolonjë, Tepelenë, Berat, Fier, Elbasan, Lezhë, Kukës, Shkodër etj. E them me përgjegjësi se në një pjesë të  këtyre rasteve procesi i dhënies së trojeve ka qenë i parregullt dhe i paligjshëm. Faji nuk është i qytetarëve, por i njësive vendore apo kryetarëve të bashkive që i kanë hyrë këtyre aventurave që ende e kësaj ditë i paguajnë banorët”.

Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës, Lame i bëri thirrje të gjithë qytetarëve që duke filluar nga e hëna të dorëzojnë dokumentacionin përkatës për të ligjëruar pronat dhe trojet e tyre, por nuk la jashtë vemendjës edhe protestën e opozitës.

“Nesër qytetarët mund të shkojnë, ata që janë të interesuar të ndjekin edhe protestën e opozitës, por të hënën të fillojnë të plotësojnë  dokumentacionin përkatës me qëllim që të ligjërojnë banësën dhe truallin e tyre pranë zyrave tona të Kadastrës”.

Agjensia e Kadastrës e sapo krijuar konsiderohet tashmë si themeli i reformës së pronës, e cila është në varësi të Kryeministrit./ABC News Albania 24/7

prokuroriaa.jpg
nev ila19:03 | 08/05/2019

Zbardhet skema e tjetërsimit abuziv të pronave në zonën e Kasharit, që çoi në arrestimin e pesë personave, mes të cilëve dhe tre ish-zyrtarë të komunës periferike të kryeqytetit. Paraditen e së enjtes, 5 personat e vënë në pranga do të dalin para gjykatës për të marrë masën e sigurisë.

Ish-kryekomunari i Kasharit, Besnik Fuçia dhe katër të arrestuarit e tjerë së bashku me të, të dyshuar për abuzime me pronat në zonën periferike të kryeqytetit do të dalin të enjten para Gjykatës së Tiranës. Prokuroria pritet të kërkojë arrest me burg vetëm për administratorin Stefan Çaushin dhe mbesën e tij, Teuta Shehaj. Ndërsa për Besnik Fuçinë dhe dy zyrtarët e tjerë, organi i akuzës pritet të kërkojë masën e sigurisë detyrim paraqitje.

Tre ditë më parë, Prokuroria e Tiranës ka firmosur pesë urdhër arreste pas një hetimi disa mujor për një skemë tjetërsimi pronash me anë të falsifikimeve në Tiranë. Të arrestuarit akuzohen për mashtrim dhe falsifikim të dokumenteve të pronësisë të dy pallateve në zonën e Yzberishtit. Në rrjetën e prokurorisë ranë ish-kreu i Komunës së Kasharit, Besnik Fuçia , ish-Përgjegjësi i Zyrës së Planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit të Territorit, Jurgen Memisha, administratori dhe ortak i firmës Ina 2004 Stefan Caushi, Vjollca Pani Sekretare e Zyrës së Planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit të Territorit si dhe inxhinierja, Miranda Dyrmisha, Kolaudatore.

Ndërtuesi Arben Petriti është ai i cili ka bërë dhe denoncimin në prokurori. Nga hetimet e kryera rezulton se dy ndërtuesit, Stefan Çaushi dhe Arben Petriti kishin rënë dakord për ndërtimin e dy pallateve me ndarjen e pronësisë 50% me 50%. Por pronësinë e dy pallateve në fjalë e ka përfituar vetëm ndërtuesi Stefan Caushi, pas falsifikimeve dhe tjetërsimeve që u janë bërë dokumenteve të pronësisë.

Sipas burimeve, Fuçia ka dërguar në ZRPP një shkresë përcjellëse ku thuhej se sipërfaqja e tokës dhe objekti duhej të regjistrohej në emër të administratorit Stefan Çaushit./ABC News Albania 24/7

policia-e-durresit.jpg
G. P.08:33 | 15/03/2019

Prona u bë shkaku për plagosjen e një 60-vjeçari në Kavajë, në orët e para të mëngjesit të së premtes. Pas një konflikti të ashpër, autori, një 26- vjeçar, qëlloi me armë gjahu 60-vjeçarin Esat Kotorri.

Ngjarja ndodhi në vendin e quajtur “Kafja e Romës”. Policia mbërriti menjëherë në vendngjarje dhe ka arrestoi të riun, ndërsa i plagosuri ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën./abcnews.al

prona.jpg
G. P.16:50 | 02/01/2019

Ka hyrë në fuqi taksa e ndryshuar e pronës. Sipas përllogaritjeve të reja familjarët do të paguajnë 0.05 përqind të vlerës së banesës ndërsa për bizneset kjo taksë do të jetë 0.15 përqind.

Tashmë ka hyrë në fuqi metodologjia e re e përllogaritjes së taksës së pronës. Formula e re parashikon që taksa e ndërtesës për familjarët do të jetë 0.05 % e vlerës së banesës, ndërsa për bizneset kjo taksë do të jetë 0.15% . Janë ngarkuar 61 bashkitë e vendit që ta mbledhin duke përcaktuar më parë edhe agjentin që do e mbledhë këtë taksë tek qytetarët. Minisitri i Financave në largim, Arben Ahmetaj, i ka kushtuar disa deklarata gjatë vitit 2018 ku ka përsëritur faktin, se pushteti vendor duhet të shtojë vëmendjen për taksën e pronës, kjo sipas sipërfaqes së disponueshme.

“Taksa e pronës nuk është një taksë e re. Nuk është një taksë e rritu, përkundrazi është një taksë e ulur, është bërë më transparente. Është e bazuar te vlera. Do t’i japim më shumë mundësi tatimpaguesve të dinë çfarë dhe për çfarë janë duke paguar dhe do t’u japim më shumë mundësi qeverisjes vendore që të ketë një kontroll më të mirë mbi territorin, mbledhje taksash më transparente dhe jo në mënyrë siç i referohemi afrofe”, shprehej ai.

Kjo metodologji ishte parashikuar që të niste aplikimin në datën 1 Prill të vitit 2018 për shkak të mungesës së infrastrukturës. Megjithatë ende nuk është ngritur kadastra fiskale në të cilën përcaktohet vlera e pronave në çdo zonë të Shqipërisë. Zëri i taksës së pasurisë është i dyti për nga pesha që zë në të ardhurat e bashkive, pasi arkën e vendorëve më së shumti e mbushin taksat lokale, ku për periudhën Janar-Nëntor 2018 janë mbledhur rreth 13.8 miliardë lekë më një nivel realizimi në 93%./abcnews.al

astiri.jpg
G. P.10:39 | 22/11/2018

Në ditën e 19 të saj, protesta e banorëve të Astirit, banesat e të cilëve preken nga zgjerimi i Unazës së Re, u zhvendos para godinës së Kuvendit të Republikës. Policia kishte marrë masat e nevojshme. Kordonë me efektivë të Komisariatëve dhe patrullës “Shqiponja” ishin vendosur përgjatë perimetrit rrethues.

Efektivë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, me pajime speciale ishin pozicionuar fillimisht në vende jo të dukshme. Megjithëse nisi si paqësore, vazhdimi nuk ishte i tillë. Plasja e disa kapsollave dhe tymueset rritën tensionin deri në përplasje fizike.

Përparimi i protestuesve u pengua. Përballja fizike shkaktoi të lënduarit e parë. Ndër ta këta dy punonjës policie. Pas normalizimit të situatës, përmes një megafoni, një punonjës policie i kërkoi protestuesve të mos hedhin kapsolla dhe të distancohen nga dhuna. Por kërkesa e tij u pasua me një tjetër përpjekje të protestuese për të thyer 9 kordonet e policisë.

Policia e Shtetit njoftoi zyrtarisht lëndimin e 13 punonjësve të policisë në protestë. Mes tyre një oficerë që ka humbur dy gishta, ndërsa një tjetër ka humbur dëgjimin. Të lënduar pati edhe nga protestuesit, ku të paktën 10 prej tyre u shoqëruan për në spital. Të tjerë edhe në polici. Protesta u ndërpre pas më shumë se dy orësh, me qëllim për të vijuar në Unazën e Re në orën 17:00./abcnews.al

prifit.png
G. P.11:15 | 08/10/2018

Entela Prifti, kryetarja e Gjykatës së Apelit Korçë, ishte gjyqtarja e radhës që doli para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. KPK kaloi në filtër vetëm kriterin e pasurisë, ku u konstatuan një sërë problematikash. Një denoncim anonim kishte zbuluar 4 apartamente në Tiranë, në emër të familjarëve të gjyqtares, që sipas KPK, nuk kishin mundësi financiare t’i blinin.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kishin vlerësuar se kriteri i pasurisë ishte i mjaftueshëm për t’i bërë vettiungun kryetares së Gjykatës së Apelit Korçë, Entela Prifti.

Relatimi i KPK-së nisi me një karton të kuq të dhënë nga ILDKPKI. Në raportin e përckellë tek njerëzit e vettingut, ILDKP fliste për deklarim të pasaktë nga ana e gjyqtares Prifti, mungesë burimesh të ligjshme, fshehje pasurie dhe deklarime të rremë.

Problematika të tilla ishin konstatuar edhe gjatë hetimit të thelluar administrativ të zhilluar nga KPK. Gjyqtarja dhe bashkëshorti i saj zotëronin një sërë pasurish të patundshme në qytetin e Korçës. Mes tyre ishte një apartament 55 m2 dhe një duplex 250 m2. Sipas Komisionit kishte mungesë dokumentacioni ligjor justifikues për të ardhura të ligjshme dhe po ashtu mospërputhje në deklarimet për shitjen e një apartamenti në bashkëpronësi me prindërit e saj.

Gjyqtarja dhe bashkëshorti ishin zotër edhe të një banesë tre katëshe në bulevardin Republika, katet e së cilës ishin shndërruar në lokale dhe dyqane. Bashkëshorti i gjyqtares ishte pronar i një njësie tregtare prej 500 metër2, që sipas KPK vlera e deklaruar si kostot ndërtimi ishte më e ulët se kostoja e kohës.

Sipas Komisionit, Prifti nuk kishte deklarua disa llogari bankare, depozitat në emër të fëmijëve, një kredi te bashkeshortit, si edhe një transferët jashtë vendit dhe disa likuiditete bankare të tij.

KPK kishte hetuar edhe mbi një denoncim anonim, që fliste për 4 apartamente të fshehura të gjyqtares në Tiranë, në emrin e familjarëe të saj. Aartamentet ekzistonin dhe ndodheshin prapa ish-ekspozitës, pranë Presidencës, pranë qendrës dhe një tjetër në rrugën e Elbasanit në emër të babait, vëllait dhe motrës së gjyqtares. KPK tha se asnjë nga familjarët e gjyqtares nuk kishte burime te mjaftueshme financiare per sigurimim e ketyre pasurive.

Problematikat e konstatuara nga KPK u kundërshtuan nga ana e gjyqtares. Ajo pretendoi se kishte bërë deklarimet të sakta ndër vite dhe se pasuritë e saj ishin të justifikuara. Të njëjtin qëndrim ajo mbajti edhe për apartamentet në Tiranë duke paraqitur disa dokumente shtesë, si provë, që familjarët e saj kishin pasur mundësi paguese. /abcnews.al

bbb.jpg
G. P.12:46 | 23/09/2018

Këshilli i Evropës ka konfirmuar si funksional dhe efektiv mekanizmin e miratuar nga qeveria shqiptare për kompensimin e pronave.

Ministria e Drejtësisë e bën të ditur përmes një njoftimi për shtyp ku thotë se Komiteti i Ministrave vendosi të miratojë rezolutën për mbylljen e procesit të mbikqyrjes së masave të përgjithshme për çështjet që lidhen me kompensimin e pronave përfshirë vendimin pilot të Manushaqe Putos e të tjerë.

Shqipëria sipas Këshillit të Evropës, Shqipëria ka përmbushur detyrimet për ngritjen e mekanizmave të brendshëm për kompensimin e pronave të shpronësuara nga regjimi komunist.

Ministria e Drejtësisë thotë se ky kompensim tashmë është i garantuar dhe do të realizohet brenda afatit ligjor 10-vjeçar./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono