prokuroret

Basha-per-babalen.jpg
nev ila18:37 | 12/04/2019

Kërcënimi, i ardhur fill pas akuzës drejtuar edhe nominalisht ndaj prokurorëve dhe gjyqtarit të çështjes, erdhi nga vetë kreu i opozitës së bashkuar, Lulzim Basha.

“Kriminelët nuk hetohen, denoncuesit çohen në gjykatë, dua ta dënoj këtë akt kriminal, dua t’ja bëj të qartë Kastriot Gramshit dhe prokurorëve të çështjes se nuk do ja hedhin kollaj me këtë akt që ka ndërmarrë. Nuk do kalojnë dot vettingun, vetting publik për këtë zotohem sot”, deklaroi Basha.

Përgjigjen e merituar sipas Kodit Penal të Shqipërisë,  i premton kujtdo që bazuar në përgjimin që çoi pas hekurave në shtetin fqinj Itali Agron Xhafajn, vëllain e Ministrit të Brendshëm të kohës, pushoi hetimin për narko-trafik ndaj tij dhe ngriti akuza për “kallëzim të rremë” ndaj denoncuesve.

“Kurrë më parë në asnjë skandal shtetëror nuk është treguar më qartë se si funksionojnë të bashkërenduara me komandë politike organet e ngarkuara me ligj për të mbrojtur  liritë dhe të drejtat e njeriut dhe për të çuar përpara përgjegjësisë penale, shkelësit e ligjit” tha ai.

Një skemë, që sipas Bashës është e qartë për këdo që ka ndjekur përgjimet e bëra publike nga forca politike që drejton.

“Ja pra shkelësit e ligjit, Agron xhafaj, Alfred Alizoti, Balla, Nushi, Marko , Prokurori Osmani, kupola e ShISh e përfshirë në këtë skandal, vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Veliu, të gjithë sëbashku të kapur në përgjime zyrtare të prokurorisë duke fabrikuar një dëshmitar të rremë. Një ish të dënuar për trafik droge, Alfred Alizoti i cili ka pranuar të dënohet me një vit burg dhe të pranojë se është ai dhe jo Geron Agron Xhafaj zëri i interceptuar nga gazetari Jetmir Olldashi.  Prokuroria  nuk ka guxuar as të thërrasë dhe të nisë hetimet për personat e interceptuar nga vetë prokuroria”.

Jo vetëm kaq, por vetë kryeminsitri, deklaron Basha, promovon autorët kryesorë të këtij krimi./abcnews.al

APLIKIMET-SEVDARI-MBULIM.mpg_snapshot_00.12-1280x720.jpg
ent ela12:11 | 06/03/2019

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka shpallur vakancën për vendin e Prokurores Antoneta Sevdari, e cila u shkarkua nga detyra nga Kolegji i Posaçëm Apelimit. Pas vënies në dijeni për këtë vendim nga ky Kolegj, prokurorja e përgjithshme e përkohshme u ka bërë thirrje prokurorëve për shprehje interesi për plotësimin e vendit bosh të mbetur në KLP pas shkarkimit të prokurores Sevdari.

Kërkesa për shprehje interesi si dhe dokumentat e nevojshme duhet të paraqiten pranë prokurorisë së përgjithshme.

Vendimi për shkarkimin e prokurores Antoneta Sevdari, e cila ishte edhe anëtare e KLP, u mor nga Komisioni i Posaçem i Apelimit  për shkak të problemeve me pasurinë e bashkëshortit.

Dy ditë më parë ajo i dërgoi një letër të hapur ndërkombëtarëve dhe drejtuesve të institucioneve të politikës dhe drejtësisë në vend, ku kërkonte të investigohej vendimi për shkarkimin e saj, të cilin ajo e quan të padrejtë. /abcnews.al

 

tahiri-mediat.jpg
ent ela10:57 | 27/02/2019

Prokuroria ka mbyllur hetimet dhe merr si të pandehur Saimir Tahirin. Ish ministri i Brendshëm do të akuzohet për ‘trafik ndërkombëtar droge në bashkëpunim”, “grup të strukturuar kriminal” dhe “shpërdorim detyre”.

 Pas rreth 1 viti e katër muajsh hetim, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka mbyllur dosjen për Saimir Tahirin, duke cuar atë për gjykim.

Për gjykim përveç ish- ministit do të shkojë edhe tre ish- zyrtarët e policisë së Vlorës. Jaeld Cela, Gjergj Kohila dhe Sokol Bode vijojnë të mbeten në kërkim ndërkombëtar, nga Policia e Shtetit. I vetmi që është veçuar nga dosja hetimore e prokurorisë është Orest Sota, të cilit iu sekuestruan në qytetin e Elbasan një shumë prej 863  mije euro dhe mjetet e identifikimit te ish-ministiti te Brendshem Saimir Tahiri.

Hetimet nisën në tetor të 2017 për ish-ministrin Tahiri me dyshimin sa ka lidhje me grupin e Habilajve që trafikonte drogë drejt Italisë. Më herët Prokuroria e Catanias mbylli dosjen për ish-ministrin e Brendshëm pasi ndaj tij nuk u gjetën prova qe e implikonin ne trafikun  e drogës. Organi i akuzës ka shtyrë disa herë zgjatjen e afateve në pritje të letër porosive nga Italia, Greqia dhe Mali i Zi për të vërtetuar akuzat ndaj Tahirit.

Ish- ministri ankimoi zgjatjen e hetimeve, dhe me 11 shkurt, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi të pranojë kërkesën e tij, duke iu lënë prokurorëve afat të përfundonin hetimet deri më datë 10 mars. Akuzat ndaj ish-ministrit të brendshëm janë; “trafikim i narkotikëve i kryer në bashkëpunim, në formë të posaçme të grupit të strukturuar kriminal, si edhe korrupsionin pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë”. /abcnews.al

skynews-donald-trump-us-president_4407328-933x445.jpg
ent ela20:02 | 05/02/2019

Stafit të presidentit Donald Trump do t’i duhet të japë llogari para drejtësisë amerikane për shpenzimin e një fondi rekord për një ceremoni përurimi. Edhe pse është shprehur i gatshëm për të bashkëpunuar me hetuesit, stafi i kreut të shtetit ndodhet nën ethe, për shkak se bëhet fjalë për një shifër rekord.

Prokuroria e Manhatanit në Shtetet e Bashkuara ka ftuar stafin e presidentit Donald Trump që të japë llogari në lidhje me shpenzimin e një shifre rekord prej 100 milionë dollarësh. Organi i akuzës i ka kërkuar stafit që kujdeset për ceremonitë e përurimit dokumentat që hedhin dritë mbi akumulimin e fondit, identitetin e donatorit, nënshtetësinë e tij dhe mbi mënyrën e shpenzimit të parave. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders konfirmoi të martën për CNN thirrjen e prokurorëve, por nënvizoi se urdhëri nuk ka lidhje me presidentin. Gjithashtu, vijoi ajo, thirrja nuk flet për ndonjë keqpërdorim të fondit. Lajmi është pohuar edhe nga një zëdhënëse e komitetit përurues të Trump, e cila ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me drejtësinë. Sipas ligjit zgjedhor federal, shtetasve të huaj u ndalohet donacioni për komitetet amerikane të përurimeve dhe një shkelje e tij parashikon dënime të rënda. Hetimi në fjalë po zhvillohet më vete nga ai i hetuesit të posaçëm Robert Myler, që po përpiqet të hedhë dritë mbi lidhjet e stafit elektoral të Trump me Rusinë. Thirrja e bërë nga zyra e prokurorit të Manhatanit vjen pas gjykimit të ish-avokatit personal të Trump, Majkëll Kohen, për shkelje të ligjeve të fushatës elektorale./abcnews.al

soreca.jpg
ent ela17:20 | 04/02/2019

Ambasadori i BE, Luigi Soreca i bën sërish thirrje prokurorëve që të aplikojnë para datës 7 shkurt për t’u bërë anëtarë të SPAK. Në një postim në tuiter Soreca i bën thirrje prokurorëve të bëhen pjesë e SPAK dhe të japin kontributin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit.

“U bëjmë thirrje prokurorëve të aplikojnë para datës 7 shkurt për tu bërë anëtarë të SPAK. Kohë e rëndësishme për të dhënë kontributin tuaj themelor në luftën kundër korrupsionit & krimittëorganizuar në dhe të jepni drejtësi për gjithë shqiptarët. BE-ja është përkrah jush”- shkruan Soreca. /abcnews.al

KLP-1280x720.jpg
ent ela12:32 | 21/01/2019

Mes debatesh të forta Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi të kthejë tek Krimet e Rënda prokurorët Olsian Çela dhe Besim Hajdarmataj. Ata ishin transferuar në Berat dhe Pogradec, me urdhër të Prokurores së Përgjithshme Arta Marku, pasi refuzuan shortin e bërë nga drejtuesja e Krimeve të Rënda, Donika Prela, për dosjen “Shullazi”.

Pas dy mbledhjeve relativisht të qeta, e treta në radhë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë u shoqërua me debate të forta.

Për herë të parë nga konstituimi, përfqësuesit prokurorë dhe ata nga jashtë sistemit në Këshillin që luan rolin e qeverisë së prokurorisë, u vunë në dy fronte.

Shkak u bë shqyrtimi i kërkesës së prokurorëve Olsian Çela dhe Besim Hajdarmataj për deklarimin e përfundimit të afatit 3 mujor të transferimit në prokuroritë e Beratit dhe Pogradecit. Më herët, edhe një vendim i Gjykatës Administratie shfuqizoi urdhrat e Prokurores së Përgjithshme të Përkoshme Markut.

Antoneta Sevdari: Ne kemi çmuar që këto faktime të përkohshme duhet të ndërpriten dhe prokurorët të kthehen në pozicionet e tyre.

Konkluzioni i anëtares Antoneta Sevdari, kryetare e Komisionit të Zhvillimit të Karrierës hasi në kundështinë e anëtarëve të tjerë, kryesisht atyre jo prokurorë.

Tartar Baze: Pa u shteruar rrugët ligjore ne nuk kemi kompetenca. Unë e nderuar zonja kryetare jam kundër këtij propozimi.

Bujar Sheshi: Këtu jemi në një situatë ligjore që nuk mund ta zgjidhim, nuk mund të bësh transferim të përkohshëm sepse nuk ke miratim të dy personave dhe atëherë duhet t’i japësh rrugë situatës konkrete se ku do punojnë këta prokurorë.

Tartar Baze: Kush i ndaloi që të kërkonin heqje dorë nga e drejta e padisë që në momentin kur u konsolidua KLP.

Besnik Cani: Unë nuk po iu them që ta destabilizojmë Prokurorinë që të vendosim sot dhe t’i ndërpresim të gjitha.

Gent Osmani: Unë mendoj që situata faktike i takon një transferimi papëlqim. Prokurorët nuk kanë dhënë pëlqimin e tyre.

Antoneta Sevdari: Ne duhet menjëherë të merremi me çdo lloj caktimi të përkohshëm, por nuk mendoj që t’i biem me një spatë dhe sot t’i ndërpresim sepse nuk e bëjmë dot këtë pasi mëndojmë se do ta fusim në Prokurorinë në kolaps.

Alfred Balla: Duhet t’i trajtojmë vetëm këta dy kërkesa nga këtë dy prokurorë apo ata qe tha Cani se ne duhet t’i japim zgjidhje afatgjatë këtij problemi.

Nurihan Seiti: Duhet pritur vendimi i Gjykatës së Apelit, sepse nëse Gjykata e Apelit mban një vendim ndryshe nga ne sot do ishte mungesë serioziteti.

Debatet u mbyllën me një votim gjashtë me pesë, në favor të kthimit të dy prokurorëve tek Krimet e Rënda. Kundër votuan anëtarët Besnik Cani, Tartar Bazaj, Nurihan Seiti, Gent Ibrahimi dhe Alfred Balla.

Në të njëjtën mbledhje, KLP vendosi krijimin e një strukture ndihmëse me gjashtë prokurorë pranë Këshillit, si edhe nisjen e procedurës për plotësimin e vendeve përmes komandimit. Këshilli riktheu në Prokurorinë e Beratit, prokurorin Olger Rumnica, i komanduar me herët në Shkodër, si edhe komandoi përkohësisht prokurorin Isa Jata në Apelin e Krimeve të Rënda./abcnews.al

KPK-PER-BESNIK-CANIN-1280x720.jpg
ent ela11:58 | 23/11/2018

Dita e premte shënoi dy seancat e fundit dëgjimore pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për gjyqtarët e prokurorët që kandidojnë për Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Këshillin Gjyqësor. Për prokurorin Besnik Cani KPK konstatoi disa probleme me kontratën e tij të veçantë me një shoqëri tregtrare, ndrësa gjyqtari Luan Dervishi, kishte probleme me figurën.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit mbylli të premten seancat dëgjimore për prokurorët dhe gjyqtarët që synojnë të jenë pjesë e Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor. 33 kandidatët për këto dy organe të reja të drejtësisë kaluan me përparësi në filtrat e Vettingut. Hetimi i KPK-së për të fundmin prokuror të kësaj liste, Besnik Cani, prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme u bazua në të tre kriteret e rivlerësimit. Komisioni i përbërë nga Olsi Komici, Lulzim Hamitaj dhe Brunilda Bektesi relatoi një raport pozitiv për Canin nga ana e ILDKPKI, për deklarim të saktë pasurie dhe burime të ligjshme të saj. Anëtari i Prokurorisë së Përgjithshme, njëkohësisht këshilltar i kryeprokurores së përkohshme, Arta Marku, zotëronte një apartament në Tiranë, dhe disa sipërfaqë trualli e një banesë të legalizuar në Paskuqan, një garazh dhe një autoveturë.

Me dyshim nga KPK për mundësi konflikti interesi ishte parë një marrëdhënie kontraktore e prokurorit me një shoqëri private, e cila kishte ndërtuar një karburant, një bar-kafe dhe një garazh mbi një sipërfaqë trualli të tij. Sipas kontratës, Cani përfitonte 5 lekë për çdo litër karburant të shitur dhe pas 25 vitesh përfitonte gjithë investimin. Megjithëse kjo kontratë konsiderohej si atipike edhe nga vetë shoqëria tregtare, vëzhguesit e ndërkombëtarë të ONM, i kërkonin KPK-së të shikonte me kujdes rastin. Me tej, KPK relatoi një mori denoncimesh drejt Canit për kohën kur ai kishte drejtuar prokurorinë e Shkodrës dhe Fierit. Disa prej tyre lidhnin emrin e tij me afera korruptive, apo për kontakte me krimin. Por sipas KPK, në asnjë rast denoncimet nuk rezultonin të provuara. Cani nga ana e tij kërkoi konfirmim në detyrë.

Një tjetër treshe gjykuese zhvilloi në KPK seancën dëgjimore për kandidatin e fundit për KLGJ, gjyqtarin e Apelit Shkodër, Luan Dervishi. Sipas KPK, gjyqtari kishte disa probleme me deklarimin e pasurisë, ndërsa raporti i DSIK e konsideronte atë të papërshtatshëm për vijimin e detyrës. Më herët, të premten, KPK shkarkoi nga detyra prokurorin e Prokurorisë Tiranës Shpëtim Kurti. Në seancën dëgjimore KPK rekatoi një raport negativ për pastërtinë e figurës për prokurorin Kurti. Vendimet përfundimtare për prokurorin Besnin Cani dhe gjyqtarin Luan Dervishi do të shpallen në 26 dhe 27 nëntor./abcnews.al

 

MBULIM-MBROJTJE-PER-PROKURORET-E-GJYQTARIN-E-VOLVO-4.mpg_snapshot_00.41-1280x720.jpg
G. P.11:56 | 07/11/2018

Mbi dy javë pas shpalljes së rezultateve të operacionit policor “Volvo 4”, caktohen shoqërues për dy prokurorët dhe gjyqtarin që firmosën urdhër arrestet dhe masat për 44 persona nën akuzë, 34 prej të cilëve të arrestuar. Burime për ABC News konfirmojnë se shoqërues u janë caktuar prokurorëve Vladimir Mara e Dritan Prençi, si dhe gjyqtarit Bib Ndreca. Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, nuk ka patur kërcënim konkret ndaj tyre, por drejtoria e përgjithshme e policisë ka vlerësuar se dy prokurorët dhe gjyqtari duhet të përfitojnë mbrojtje, për shkak të një rreziku të mundshëm.

Hetimet e Volvo 4 përfshijnë një laborator droge të zbuluar në Has, ndërsa personi përgjegjës i dyshuar është ende i lirë e në kërkim ndërkombëtar. Mes të ndaluarve të këtij operacioni, janë edhe dy ish deputetët socialistë Arben Ndoka dhe Arben Cuko me akuzat për tjetërsim pronash e korrupsion, të dy me masën arrest me burg./abcnews.al

MBULIM-CALAVERA.mpg_snapshot_00.36-1280x720.jpg
G. P.16:35 | 14/10/2018

Mungesa e interesit nga prokurorët e Apelit për të kandiduar për vendet vakante në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, ka shqetësuar Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit. Drejtuesja e tij, Genoveva Ruiz Calavera përdori Twitter-in për t’ju drejtuar prokurorëve.

“Thirrje prokurorëve të Apelit: Shfrytëzojeni mundësinë dhe aplikoni për pozicionet në Këshillin e Lartë të Prokurorisë! Këshilli luan një rol kyç në sistemin shqiptar të drejtësisë dhe në çuarjen përpara të integrimit të vendit tuaj në BE”, thuhej në tweet-in e Calaveras.

Ky postim i saj është publikuar edhe në web-site-in e zyrës së Bashkimit Europian në Shqipëri. Të premten Prokuroria e Përgjithshme përsëriti thirrjen për aplikim, për shkak të skadimit të afatit 15 ditor i thirrjes së parë, ku askush nuk shfaqi interes./abcnews.al

KORCE-VETINGU-DOSJET_ABC-M2-T1.mpg_snapshot_00.28-1280x720.jpg
G. P.15:18 | 25/09/2018

Largimi i njerëzve të drejtësisë përmes Vetingut po shkakton problemet e para për dosjet që janë në hetim dhe gjykim. Në Korçë pas shkarkimit të prokurorit Elsion Sadikaj, dosja e Enea Ftoit ka gjasa se do të kërkojë zgjatje të afateve për mbylljen e hetimit deri të dërgimi në gjykatë.

Daniela Zisi, gazetare e ABC News, Korçë: Procesi i Vetingut nuk po sjell pasoja vetëm për karrierën e njerëzve të drejtësisë, por po ndikon edhe ecurinë e proceseve hetimore, që kanë pasur në duar, të larguarit nga sistemi.
Pas shkarkimit të prokurorit të Korçës Elsion Sadikaj, nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, të gjitha dosjet, që hetoheshin prej tij, u janë shpërndarë me short, prokurorëve të tjerë. Kjo do të shtyjë në kohë, përfundimin e hetimeve të dhjetra çështjeve, midis të cilave, edhe dosja e vdekjes së 27 vjeçarit Enea Ftoi në ambjentet e Komisariatit të Korçës.

Hetimet për vdekjen e të riut Enea Ftoi, për të cilën familjarët bënë përgjegjës efektivë të Komisariatit të Korçës, ishin drejt fundit, por prokurori i çështjes Elsjon Sadikaj, nuk e kaloi dot sitën e Vetingut dhe mbeti jashtë sistemit. Dosja e Enea Ftoit, pas hedhjes së shortit për çështjet e prokurorit të shkarkuar, tashmë do të jetë në duart e prokurores Oli Visi, një ndër prokuroret me eksperiencë të gjatë në institucionin e akuzës. Prokurores tjetër, do ti duhet kohë për tu njohur me faktet dhe provat e mbledhura deri tani, çfarë do të pasohet nga një tjetër zgjatje e afatit të hetimit.

Fundi i shtatorit, është koha, kur përfundon zgjatja e afatit e kërkuar në korrik nga Sadikaj, por që me gjasa, finalizimi i hetimeve dhe dërgimi i dosjes në gjykatë, do të kërkojë edhe një tjetër zgjatje të afateve, pohuan për Abc News, burime te Prokurorisë së Korçës.
Për vdekjen e Enea Ftoit në muajin prill, prokuroria ka vënë nën akuzën e mosdhënies së ndihmës, të paktën tre efektivë të Komisariatit të Korçës./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono