program

vlcsnap-error899-1280x720.jpg
gra moz18:19 | 23/02/2018

Pas mbledhjes së qeverisë, që u zhvillua këtë pasdite në Berat, kryeministri Edi Rama bëri publike vendimet e miratuara. Vëmendje të veçantë mori miratimi i programit kombëtar i punësimit, që do të lançohet këtë pranverë.

Edi Rama: “Qeveria autorizon Bashkitë për të ngritur shërbimet sociale sa më pranë nevojave dhe sa më pranë kërkesave specifike të komuniteteve në çdo Bashki. Së fundmi kemi dikskutuar edhe për statusin e Shërbimit Kombëtar të Punësimit si dhe programi kombëtar i punësimit, që është një sfidë e madhe e qeverisë dhe që ka nisur të hartohet bazuar në programin tonë qeverisës, por jo si strategji dhe as si projekt qëllimmirë me objektiva të caktuar por jo të detajuar në çdo aspekt. Por si një program i mirëfilltë dhe i detajuar sektor për sektor i punësimit, që ne kemi objektivin ta lançojmë publikisht në pranverë”./abcnews.al

donald-trump-2-1280x853.jpg
gra moz18:01 | 23/02/2018

Presidenti i Shteteve të Bashkuara ka prezantuar paketën e re të sanksioneve ndaj Koresë së Veriut, që këtë herë do të vënë në shënjestër kompanitë ndërkombëtare që ndihmojnë regjimin e Penianit.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar këtë të premte nisjen e zbatimit të paketës së re të sanksioneve ndaj Koresë së Veriut, që është sipas tij më e madhja në histori.

“Sot ju njoftoj se po aktivizojmë paketën më të madhe të sanksioneve të reja ndaj regjimit koreano-verior, për shkak të programit bërthamor të tij”, ka deklaruar Trump.

Vendi i izoluar aziatik është i penalizuar nga një sërë masash ndërkombëtare dhe amerikane. Këtë herë sanksionet pritet të godasin 56 kompani aktive në transportin detar, të cilat, sipas administratës amerikane, ndihmojnë Penianin.

“Departamenti i Thesarit do të ndërmarrë së shpejti një sërë veprimesh për të reduktuar edhe më tej burimet e të ardhurave që regjimi përdor për të financuar programin bërthamor dhe për të fuqizuar ushtrinë e tij. Konkretisht do të penalizohen 56 kompani lundrimi dhe ato biznese që ndihmojnë vendin për t’i shpëtuar sanksioneve”, ka deklaruar Trump.

Ende nuk dihen emrat e kompanive në fjalë, apo nga cili vend janë ato. Shtetet e Bashkuara aplikojnë sanksione ndaj Penianit që prej vitit 2008 dhe këto të fundit u shtohen atyre të vendosura në nëntor, që vunë në shënjestër mes të tjerash edhe kompanitë që bëjnë tregti me vendin e izoluar.

Njoftimi i Trump vjen në një moment kur Korea e Veriut po kryen atë që nga Perëndimi shihet si një sfidë e moderuar në Lojrat Olimpike Dimërore në Jugun fqinj. Liderët amerikanë janë të prirur të theksojnë se Korea e Veriut ende përbën një kërcënim bërthamor, pavarësisht se po përpiqet të shkrijë akujt me Seulin./abcnews.al

vlcsnap-error412-1280x720.jpg
gra moz18:14 | 12/01/2018

Presidenti amerikan, Donald Trump ka mohuar përdorimin e fjalëve fyese për disa vende në një takim me disa anëtarë të Kongresit në Zyrën Ovale. Ai theksoi se cilësimi i Haitit, El Salvadorit dhe Afrikës si vende fundërrina është shpifje e demokratëve.

Presidenti amerikan, Donald Trump, vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes globale për shkak të disa deklaratave raciste për Haitin, El Salvadorin dhe Afrikën. Sipas Uashington Post, kreu i Shtëpisë së Bardhë gjatë një takimi në Zyrën Ovale me disa anëtarët të kongresit amerikan ka përdorur fjalë banale. Atyre që i kërkonin të rimendonte dhe njëherë heqjen e statusit të mbrojtjes për mijëra emigrantë nga Haiti, El Salvador dhe disa vende afrikane, Trump i është përgjigjur se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të pranojnë të gjithë këta njerëz që vijnë nga këto vende fundërrina.

Megjithatë një reagim zyrtar me anë të tuiterit ka ardhur nga vetë lideri amerikan.

“Kurrë nuk kam thënë asgjë poshtëruese për qytetarët e Haitit përveçse si është Haiti, padyshim një vend shumë i varfër dhe i trazuar. Asnjëherë nuk kam thënë ‘nxirrini jashtë’. Kjo është shpifje e demokratëve. Unë kam një marrëdhënie të mrekullueshme me haitianët. Ndoshta duhet të regjistrojmë mbledhjet e ardhshme – për fat të keq, nuk kam besim!”, shkruan Trump.

Ndërkaq, në një mesazh të mëparshëm ai pranon se ka pasur një diskutim të ashpër. “Gjuha e përdorur nga unë në takimin për DACA-n ishte e ashpër”, nënvizon Trump duke mohuar se ka përdorur fjalë raciste për vendet e lartpërmendura. Presidenti amerikan bën me dije se propozimet e bëra në takimin për programin e mbrojtjes së emigrantëve nga Haiti, El Salvadori dhe disa vendeve afrikane që jetojnë dhe punojnë në SHBA, ishin shumë të vështira.

Ai thekson në tuitër se marrëveshja bipartizane për DACA-n ishte një hap prapa.

“Muri nuk ishte financuar siç duhet, zinxhiri emigracionit dhe lotaria ishin përkeqësuar dhe SHBA do të detyrohej të pranonte një numër të madh njerëzish nga vende me kriminalitet të lartë”, shkruan Trump.

Më tej thekson se dëshiron një sistem emigrimi të bazuar në meritë dhe njerëz që do të ndihmojnë në përparimin e vendit.

“Dua siguri për popullin tonë. Dua të ndaloj hyrjen masive të drogës”, shkruhet në një mesazh të presidentit amerikan.

Gjithashtu Trump akuzon dhe demokratët se janë ata që po shkatërrojnë programin DACA për mbrojtjen e emigrantëve dhe se nuk janë të përqëndruar në përmirësimin e jetës dhe sigurinë e qytetarëve./abcnews.al

vlcsnap-error774-1280x720.jpg
us er18:07 | 11/01/2018

Në TV Klan pritet të nisë një nga projektet më të rinj, spektakli “Virtuozët” që zbulon talente në fushën e kantos, baletit dhe interpretimin në instrument. Ideatorja Inva Mula, në një intervistë për ABC News jep më shumë detaje për këtë spektakël.

Inva Mula, soprano: “E shikoja këtë program që quhej “Prodigue” në France dhe thoja që në momentin e parë në fakt që e kam pare, ishte një bum i madh edhe në televizionin francez, sukses i jashtëzakonshëm, thashë ky duhet të realizohet edhe në Shqipëri”.

Pranon se sapo ia prezantoi idenë Aleksandër Frangajt gjeti mbështetje për realizimin e këtij show.

“Jam gjithë kohës e zënë, gjithë kohës me produksione deri në momentin që arrita të flas një ditë me Sandër Frangajn dhe sapo ia thashë Sandrit më tha që do ta bëjmë. U gëzova kaq shumë sepse nuk është kollaj t’ja propozosh dikujt një emision të cilin ti nuk ke siguri që në Shqipëri mund të eci dhe Sandri me atë nuhatjen e vet tha që ne do ta bëjmë dhe blemë patentën nga Endemol dhe po arrijmë në përgatitjet e fundit të një programi, do të thoja të jashtëzakonshëm”.

Por nga ana tjetër ajo thekson se nuk është vetëm spektakël argëtimi për zbulimin e talenteve në fushën e kantos instrumentit dhe baletit, por pasqyrohet edhe sakrifica dhe rrugëtimi i artistit që në fëmijërinë e hershme.

“Nuk është vetëm program argëtimi, mbi të gjitha është një program që duhet të ketë një impakt më social, ne i drejtohemi një grupmoshe e cila është shumë vulnerabël, është një moshë shumë kritike, është mosha para doleshencës dhe adoleshencës. Mund ta imagjinoni çfarë grupmoshe delikate është. Ne i bëjmë një homazh punës së artistit për tu bërë një artist. Është një punë e madhe në moshë të hershme, me vite të tëra sakrifice, me vite të tëra studimi, në momentin kur fëmijët e tjerë lozin, këta fëmijë duhet të marrin instrumentin duhet të studiojnë 3-4 orë. Kanë dëshirë apo nuk kanë dëshirë, pra është një rrugë e gjatë, është një rrugëtim i gjatë për tu bërë artist.”

Inva Mula ishte e bindur tek talentet, por është surprizuar nga shtrirja gjeografike e konkurentëve që morën pjesë në audicione. Madje zbulon edhe disa talente të denja për skena europiane.

“Në fakt nuk kisha asnjë dilemë që këtu nuk do gjenim talente sepse talentet janë, përderisa arrijnë edhe në skenat ndërkombëtare edhe në skenat e Shqipërisë, unë isha e sigurt për këtë. Në momentin që ne shpallëm audicionet, pamë që u mbushë koridoret e TV Klan me fëmijë, me të rinj të cilët vinin nga Tirana dhe kjo më ka pëlqyer. Ne kemi një shtrirje gjeografike vërtet shumë të bukur. Nqs do ta filloja nga veriu do ta filloja nga Tropoja nga Shkodra, Lezha, Elbasani, Tirana, Durrësi, Pogradeci, Korça, pastaj kemi trevat e Kosovës. Kemi 60 kandidatë, të cilat janë të ndarë në disa kategori, për arsye se kjo lloj formule përfshin kanton klasike, përfshin baletin klasik dhe instrumentin. Kemi fëmijë të talentuar në piano që janë të denjë që të mbajë koncerte në të gjithë botën. Një prurje shumë e kosiderueshme profesionalisht shumë e lartë”.

Në fillim të shkurtit spektakli fillon rrrugëtimin, tani po mendohen detaje të rëndësishmë të talenteve të reja.

“Ne do të nxjerrim më të mirën e këtyre talenteve, por duhet shoqëruar bukur me orkestër me efekte televizive, me inserte të vogla nga jeta e tyre personale me prindërit, rrugëtimin e e tyre nëpër qytet me instrumentat e tyre nëpër duar duke e mbajtur si një lodër. Një spektakël që ka brenda atë çiltërsinë e moshës, pastërtinë e moshës, është spektakël më vete”.

Repertori i zgjedhur për netët e spektaklit është një shkrirje mes atij të huaj dhe kryesisht shqiptarë.

“Një nga kërkesat që kemi pasur në grupin tonë të punës është që ne duhet të cekim dhe repertorin operistik ose klasik shqiptar i cili po na humb dhe më vjen shumë keq për këtë, prandaj ka kandidatë të cilët kanë prekur këto repertore. Kemi Simon Gjonin, Çesk Zadenë, Pjetër Gacin. Jam shumë e lumtur që do të dalin kompozitorë e mëdhenj shqiptarë në një fromat klasik krahas kompozitorëve të mëdhenj klasik botërorë”.

Në juri do të jenë emra të spiktatur të skenës ndërkombëtarisht në zhanre të ndryshme.

“Në balet kemi zgjedhur Andeta Toromanin, në kanto kemi Mirjan Tolën, për instrumentistin kisha shumë dilema sepse është një artist që përfshin shumë kategori dhe unë mendova që Genc Tukiqi do të ishte ai që do ta mbante në supe të gjykonte këtë kategori. Megjithatë nuk është se një anëtar do të votojë vetëm një kategori, por do të japi mendime dhe për të tjerët do me thënë do të jetë një juri që do të jetë kompetente për artistin”.

Ndërkohë që të gjithë janë kureshtarë të shohin se kush do e prezantojë spektaklin.

“Prezantimin do ta bëj vetë për arsye se mendoj se të gjithë këta të rinj kanë nevojë të mbështeten diku tek një fjalë e ngrohtë, tek një mendim profesional dhe ta shikoni të gjithën si një ëndërr ashtu si edhe Inva e realizoi ëndrrën e saj. Unë po e bëj këtë që ti shoqeroj këta të rinj me prezencën time edhe si prind edhe si artiste edhe si pedagoge”.

Çdo performancë do të shoqërohet nga orkestra simfonike cila do të luajë live e drejtuar nga dy emra të njohur Suzana Turku dhe Gerard Akoka, ndërkohë qe në fushën e kërcimit është bashkëpunuar me shkollën e baletit.

“Për publikun është diçka e bukur, diçka e bërë për herë të parë për teleshikues që edhe pse janë më pak njohës do të shikojnë në ekranin e vogël për publikun e madh, muzika vjen shumë ëmbël dhe ata do të kenë nëvojë për një gjë të tillë”.

Mula garanton se në këtë spektakel nuk do të mungojnë detaje të rëndesishme në aspektin televiziv dhe ajo çmon bashkëpunimin me vëllezërit Laço.

“Skenografi e shkëlqyer, e njëjta skenografi e programit original në Francë dhe jemi shumë të lumtur për këtë sepse jemi deri në fund në elementet e fundit në formantin që bën televizioni francez. Regjia televizive është e Bledi Laços dhe skenar të Pandi Laços. Është një dyshe që ka dhënë prova të sigurta në disa show televiziv, por unë e veçoj sepse ka shumë rëndësi të bashkëpunosh, sidomos në një spektakël të tillë me njerëz kompetentë të cilët e duan muzikën klasike dhe aty kam gjetur pikërisht një bashkëpunim profesional”.

Countdown-i për organizatorët e “Virtuozëve” ka nisur. Tashmë ata garantojnë një spektakël unik dhe të munguar në ekrnin e televizioneve shqiptare./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore.


Kontakt

Telefono