pritje

banoret-Ferizaj-1280x667.jpg
ad min16:30 | 22/04/2019

Banorët e Nerodimes së Epërme të Ferizajt janë rikthyer 20 vjet prapa pas arrestimit të Zllatan Kërstiç, i dyshuar për krime lufte. Ata shpresojnë që ai të marrë dënimin e merituar.

Avni Nuhaj nga fshati Nerodime e Epërme ishte vetëm 12 vjeç kur më 26 mars të vitit 1999 forcat serbe hynë në shtëpitë e tyre duke vrarë e dëbuar banorët nga fshati.

Ndërsa i kanë djegur të gjitha shtëpitë.

Përveç gjyshit Avniut i kishin masakruar edhe axhën dhe dy kushërinjtë e tij.

Ndonëse ishte i mitur thotë se i mban  në mend mirë bashkëfshatarët e tij serb që morën pjesë në këtë aksion. E në mesin e tyre sipas tij ishte edhe Zllatan Kërstiç i arrestuar ditë më parë në Ferizaj.

Krstiçin e ka identifikuar edhe bashkëfshatari i Avniut, Fazli Biba.

Kërstiç dhe shumë të tjerë që i përmendin dëshmitarët  ishin bashkëfshatarë të tyre por që kishin ikur nga fshati. Menjëherë pas përfundimit të luftës.

Këtu në këtë vend tani të mbuluar me ferra në Nerodime të Epërme të Ferizajt ka jetuar Zllatan Krstiç i dyshuar për pjesëmarrje në dëbimin dhe vrasjen e shqiptarëve nga po ky fshat. Ai është arrestuar nga policia ditë më parë në Ferizaj.

Ai aktualisht ndodhet në paraburgim, ndërsa prokuroria është duke hetuar rastin dhe janë duke marrë në pyetje shumë dëshmitarë të fshatit. Ndërsa banorët shqiptarë të Nerodimes jetojnë me shpresën se drejtësia një ditë do të triumfojë./abcnews.al

fermeret-lushnje-1280x695.jpg
ent ela17:45 | 02/04/2019

Fermerët në Lushnjë janë në pritje për subvencionet e vitit 2019, por ata nuk kane asnjë sinjal nëse do t’u jepen apo jo.

Zyrtaret e Drejtorisë së Bujqësisë thonë se nuk dinë pse skema subvencionale nuk është bërë publike.

Në tokën e tij rrit perime prej 20 vitesh. Po aq vite sorollatet nëpër korridoret e kësaj godine. Hasan Sula  fermer në Lushnje ka aplikuar çdo herë për të marrë subvencion por thotë se asnjëherë nuk ka dalë fitues.

“Kemi shumë kohë që bëjmë aplikime. Tani na nxjerrin probleme se serat nuk kanë kriteret e duhura dhe janë të vogla. Ata e dinë shumë mirë që këto sera janë prej 20 vitesh këtu. Në projektet e tyre të mëparshme këto sera kanë qenë, kështu që janë në dijeni”, thotë fermeri Sula.

Prodhimet e serave po tregtohen, por vendimi i Këshillit të Ministrave për subvencionet, nuk ka mbërritur në Zyrat Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor Rural. Në mure janë ende të varura listat e fituesve të 2018.

Sipas Drejtorit të Bujqësisë në Lushnje, Dhimitraq  Qorri, një vit më parë, në muajin shkurt skemat subvencionale ishin bërë publike.  Kurse tani është prill dhe nuk ka asnjë udhëzim.

Parimi bazë, në çdo kohë është që investimi i parë është i fermerit dhe më pas nësë ka rimbursime nga skema, i marrin më mbrapa”, tha ai.

Por në fshatin Golem fermerët nuk besojnë në skema të tilla. Ka prej tyre që thonë se s’kanë aplikuar për shkak se nuk u jep kush para. Ata vazhdojnë të punojnë tokën. Një nga fermerët tha se:

“Unë dua por kush të jep, nuk jam vetëm unë që dua të aplikoj dhe të përfitoj por është i gjithë fshati”.

Në Lushnje 560 ha janë mbjellë me perime të serave diellore. Peshën kryesore e zë domatja, kastraveci, speci dhe kungulli, kurse bostanorët janë ne fusha. Prodhuesit e serave zënë 70% te aplikimeve./abcnews.al

WhatsApp-Image-2018-09-28-at-09.03.34-1280x853.jpeg
ad min09:40 | 28/09/2018

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj priti Komandantin e Përgjithshëm të Guardia di Finanza-s, Gjeneral Giorgio Toschi me të cilin bisedoi rreth bashkëpunimit në luftën kundër kultivimit të narkotikëve, trafikimit dhe rritjes së sigurisë në të dy anët e kufirit.

Xhafaj faenderoi për asistencën në monitorimin nga ajri të sipërfaqeve të mundshme të mbjella me kanabis. Ai nënvizoi se kjo ndihmë mishërohet në dy fusha, kontrollin e kufirit detar dhe monitorimin ajror në kuadër të programit të Ministrisë së Brendshme Italiane e asistuar edhe nga projekti i BE, SANCAS. Z. Xhafaj theksoi më tej se për Qeverinë shqiptare lufta ndaj kultivimit mbetet një prioritet i qartë politik dhe kombëtar. Ai e ilustroi këtë me masat e marra për të çrrënjosur përfundimisht nga territori shqiptar fenomenin e mbjelljes së bimëve narkotike, i shoqëruar me rezultate solide për të dytin vit radhazi.

Kreu i GdF, Giorgio Toschi vlerësoi bashkëpunimin me strukturat e Policisë së Shtetit dhe nënvizoi angazhimin e Qeverisë italiane për të konsoliduar arritjet e derisotme. Ai falenderoi partnerët shqiptarë, duke veçuar bashkëpunimin në luftën kundër krimit në përgjithësi dhe kultivimit të kanabisit në veçanti. Toschi u shpreh më tej se ishte absolutisht i kënaqur për punën e përbashkët dhe për rezultatet e arritura. Ai tha se rezultatet e vitit 2018 janë tejet entuziaste sidomos duke pasur parasysh se këtë vit është shtuar numri i orëve të fluturimit, mbulohet një pjesë më e madhe e territorit dhe është rritur gjithashtu hapësira kohore gjatë së cilës është kryer monitorimi ajror.

Komandanti i GdF nënvizoi se gjatë këtij viti, në territorin shqiptar janë mbjellë një numër edhe më i vogël bimësh kanabisi se në vitin 2017, që ishte viti më i suksesshëm në luftën kundër kanabisit. Ai konfirmoi zhvendosjen e tentativave për trafikim, në shtetet fqinje të Shqipërisë dhe shprehu interesin e GdF që, në të ardhmen, të shtrijë monitorimin ajror edhe drejt këtyre vendeve. Pas takimit në Ministrinë e Brendshme, delegacioni i lartë i GdF u prit në një takim nga Zv.drejtorja e Përgjithshme e Policisë së Shtetit Aida Hajnaj, në të cilin u diskutuan çështje konkrete të bashkëpunimit dypalësh. Pas disa javësh do të raportohen të dhënat përfundimtare të misionit të GdF për monitorimin nga ajri të territorit shqiptar për luftën kundër kultivimit të kanabisit./abcnews.al

DnSfXRPXcAUsgdB.jpg
ad min12:30 | 17/09/2018

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta, u prit sot në një audiencë të posaçme nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku, në Selinë e Shenjtë në Vatikan.

Presidenti Meta shprehu mirënjohjen e thellë për kontributin e jashtëzakonshëm të Selisë së Shenjtë në rimëkëmbjen shpirtërore e sociale të komunitetit katolik dhe popullit shqiptar, veçanërisht pas daljes së vendit nga izolimi i gjatë komunist dhe vendosjes së pluralizmit në Shqipëri. Në mënyrë të veçantë Presidenti Meta e falënderoi Papa Françeskun, për lartësimin mbarëbotëror të simbolit më domethënës shpirtëror të kombit shqiptar, Nënë Terezës, përmes shenjtërimit të saj.

Duke shprehur mirënjohjen për vëmendjen e veçantë që Papa Françesku ka treguar për popullin shqiptar, Presidenti Meta, e siguroi Atin e Shenjtë për vokacionin e qartë e të pandryshuar evropian të Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe vendosmërinë e tyre për të ecur në rrugën e integrimit evropian.

“Shenjtërimi i Nënë Terezës, si dhe lumturimi i 38 martirëve të Kishës Katolike shqiptare dhe emërimi i At Ernest Troshanit si Kardinal Nderi në Vatikan, na bëjnë krenarë ne shqiptarët dhe na japin më shumë besim e forcë për ta ruajtur e promovuar me vendosmëri e përkushtim bashkëjetesën e harmoninë shembullore ndërfetare e kanonike” – nënvizoi Presidenti Meta.

“Viti Mbarëkombëtar i Gjergj Kastriot Skënderbeut na rikthen në kujtesën tonë jo vetëm marrëdhënien e ngushtë të Heroit tonë Kombëtar me Selinë e Shenjtë, por edhe rolin e tij të pazëvendësueshëm në mbrojtjen e civilizimit evropian duke përcaktuar qartë identitetin evropian të shqiptarëve,” vuri në dukje Presidenti Meta gjatë takimit me Atin e Shenjtë.

Të dy bashkëbiseduesit nënvizuan rëndësinë e jashtëzakonshme që merr në ditët e sotme modeli shqiptar i harmonisë ndërmjet bashkësive të ndryshme fetare, si dhe ranë dakord për të vijuar bashkëpunimin e ngushtë mes Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë për promovimin e mëtejshëm të kësaj vlere në mbarë botën. Një mirënjohje të veçantë Presidenti Meta e shprehu edhe për mbështetjen e vyer që Papa Françesku dhe Selia e Shenjtë i kanë dhënë Kosovës dhe, ku padyshim lartësimi në ditën e Shën Terezës së Kishës katolike të Prizrenit në Dioqezë, përbën një akt domethënës jo vetëm për komunitetin katolik të Kosovës, por për mbarë shqiptarët.

Presidenti Meta dhe Ati i Shenjtë diskutuan edhe për zhvillimet e fundit në rajonin e Ballkanit dhe rëndësinë e jashtëzakonshme që ka bashkëjetesa ndëretnike dhe fetare në dobi të stabilitetit, sigurisë, paqes dhe mirëqenies të popujve tanë për të mos u rikthyer më kurrë në konfliktet e përgjakshme të viteve 90-të. Ati i Shenjtë vlerësoi forcën e shqiptarëve dhe përkushtimin e tyre për t’u ringritur shpirtërisht pas periudhës së gjatë të shtypjes dhe ndalimit të besimit, nënvizoi arritjet e deritanishme të Shqipërisë veçanërisht në fushën e lirisë së besimit dhe shprehu mbresat e tij të jashtëzakonshme nga vizita e tij në Shqipëri dhe mikpritja që ju rezervua gjatë kësaj vizite historike.

“Gjatë kthimit nga Shqipëria një nga gazetarët më pyeti se përse kisha zgjedhur të bëja vizitën e parë në Evropë, në Shqipëri, në një vend jo anëtar të Bashkimit Evropian, unë iu përgjigja se zgjodha Shqipërinë për të dhënë një mesazh,” – tregoi Ati i Shenjtë gjatë audiencës së posaçme me Presidentin Meta.

Presidenti Meta dhe Ati i Shenjtë diskutuan gjithashtu edhe për çështjen e mprehtë të emigracionit, luftën kundër varfërisë, rëndësinë e ruajtjes së ambientit dhe kujdesin ndaj familjes dhe veçanërisht ndaj gruas dhe fëmijëve, në këndvështrimin e ndërtimit të një shoqërie më njerëzore dhe të një bote në paqe. Ati i Shenjtë dhe Presidenti Meta diskutuan mbi rëndësinë e madhe për të siguruar një të ardhme më të mirë për të rinjtë me qëllim ndalimin e fenomenit të largimit nga vendi i tyre dhe mbajtjes larg nga veset, droga dhe fenomenet negative sociale.

“Evropa po përjeton një dimër demografik,” – u shpreh Papa Françesku, ndaj, vendi juaj duhet të mos vuajë nga ky fenomen, i cili kërkon një përkujdesje, përkushtim dhe vëmendje më të madhe në edukimin, arsimimin dhe krijimin e mundësive më të mira për ta.
“Rrallë kam parë”, – tha Papa Françesku gjatë audiencës, “aq shumë të rinj gjatë vizitës sime në Tiranë sa në asnjë vend tjetër e duhet bërë gjithcka që ata të qëndrojnë në vendin e tyre.”
Gjatë kësaj audience të posaçme të Atit të Shenjtë, Papa Françesku, Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta shoqërohej nga familja e tij./abcnews.al

THACI-AHMETI-MBULIM.mpg_snapshot_01.03-1280x720.jpg
ent ela22:35 | 10/08/2018

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është takuar të premten me kryetarin e BDI-së maqedonase, Ali Ahmeti. Sipas raportimeve të mediave kosovare, në fokus të bisedimeve ka qenë dialogu Kosovë-Serbi, për të cilin dy liderët kanë theksuar njëzëri se duhet të mbyllet me njohje reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në të gjitha organizmat ndërkombëtarë. Temë e bisedimeve ka qenë edhe procesi i integrimit të Maqedonisë në NATO. Në deklaratën e përbashkët, Thaçi e Ahmeti kanë vlerësuar se bashkimi i Maqedonisë me Aleancën e Atlantikut të Veriut është interes strategjik për të gjithë Ballkanin./abcnews.al

columbia.jpg
ad min17:45 | 06/07/2018

Pritje madhështore për kombëtaren e Kolumbisë pas eleminimit nga Botërori. Me dhjetëra mijë tifozë e përshëndetën gjatë kthimit në atdhe.

Le t’i kritikojnë sa të duan.

Futbollistët e Kolumbisë kanë mbështetjen që ka më shumë rëndësi për ta, atë të kombit të tyre. Me mijëra tifozë vërshuan nëpër rrugë, që nga aeroporti e deri në stadium, ndërsa kombëtarja u kthye në shtëpi pas eleminimit në të tetat e finales në Kupën e Botës.

Të udhëhequr nga kapiteni Falcao dhe trajneri Pekerman, lojtarët dhe stafi teknik zbritën nga aeroplani në Bogota, pastaj udhëtuan me autobus përmes turmës së njerëzve, për të mbërritur në stadiumin “El Kampin”.

Mbi 30.000 tifozë kishin mbushur tribunat për të përshëndetur paraqitjen e ekipit përfaqësues, që kryesoi grupin në Botëror dhe pastaj u eleminua në turin e dytë me penallti nga Anglia.

Kjo, pavarësisht nga kërcënimet me vdekje që morën dy lojtarë, Uribe dhe Baça, pasi humbën 11-metërshat. Tifozët kolumbianë janë shumë të zemëruar me gjyqtarin amerikan, Mark Geiger, që sipas tyre favorizoi skuadrën angleze.

Edhe kapiteni Falcao u shpreh se Geiger ishte në krah të Anglisë, meqë gjuha e tij e parë ishte anglishtja, duke qenë amerikan. Tifozët do të dërgojnë në FIFA një peticion, ku të kërkohet riluajtja e ndeshjes ndaj Anglisë. Deri tani, 190.000 njerëz e kanë firmosur peticionin./abcnews.al

vlcsnap-error597-1-1280x720.jpg
ad min20:40 | 24/01/2018

Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Jim Mattis i është rezervuar një pritje e veçantë në Indonezi. Në nder të tij është mbajtur një demonstrim i forcave speciale ushtarake, të cilat kanë pirë gjak gjarpri dhe kanë thyer tulla me kokë.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis, është pritur në Indonezi me një demonstrim të rrallë të forcave speciale ushtarake të këtij vendi. Mattis, i cili ndodhet në vendin aziatik në kuadër të një vizite zyrtare, ka parë shfaqjen e ushtarëve të cilët kanë pirë gjak gjarpri, kanë ngrënë mishin e gjallë, kanë ecur mbi qymyr të djegur dhe kanë thyer tulla me kokë. Teksa trupat po bëheshin gati të kapnin gjarpërinjtë, të llojit kobra, një prej tyre u iku duarsh dhe thuhet se po shkonte drejt shefit të Pentagonit.
Sidoqoftë ai u kap dhe u fut në një thes. Ngrënia e mishit të gjarprit dhe pirja e gjakut të tij është në fakt një rit ushtarak tradicional për forcat indoneziane, të cilat në këtë mënyrë përgatiten për të luftuar në xhungël.
Ndërkohë, qëllimi i vizitës së Mattis ka qenë ripërtëritja e marrëdhënieve me ushtrinë vendase, e cila u sanksionua kur ish-diktatori i vendit përdori forcat speciale si një organizatë kriminale për të aplikuar politikat e tij. Sanksionet ndalojnë edhe stërvitjen e përbashkët të trupave amerikane me ato indoneziane, por Mattis do të punojë për zbutjen e tyre sapo të kthehet në Shtetet e Bashkuara. Shumë druhen se Indonezia, vendi me popullsinë myslimane më të madhe në botë, mund të kthehet në strehën e re të grupeve ekstremiste si ISIS, që aktualisht është në kërkim të territoreve të reja krahas Sirisë dhe Irakut. Por vendi ka edhe një rëndësi tjetër, pasi ka luajtur një rol kyç në sprapsjen e ekspansionit kinez në Detin e Kinës së Jugut. Në këtë aspekt, Shtetet e Bashkuara mund ta fusin Indonezinë në një koalicion vendesh që t’i bëjë ballë militarizimit të njëanshëm të zonës detare./abcnews.al

vlcsnap-error767-1-1280x720.jpg
ad min20:13 | 28/12/2017

Në atmosferën festive të një pritjeje të organizuar për mësuesit në Pallatin e Kongreseve, kryeministri Edi Rama dha një lajm të mirë për të pranishmit.

“Ne kemi në program rritjen e mëtejshme të pagae për mësuesit. Pagat për mësuesit janë rritur në mënyrë të ndjeshme, ju jeni vetë dëshmitarë.

Megjithatë ne jemi të vetdijshëm që është shumë më mirë se ç’ishte por është më pak se ç’duhet të jetë. Për këtë arsye do të vazhdojmë rritjen progresive të pagave për mesueset dhe mësuesit”.

Rama theksoi se sistemet e testimit, rekurtimit do të jenë shumë rigorozë, por se për ata që do të kene vlerë pozitive në kartën e performancës paralelisht do të rriten edhe të ardhurat.

Më tej, duke bërë një paralelizëm mes një klase dhe kabinetit qeveritar, kryeministri vlerësoi mundimin e arsimtareve dhe ripohoi përmirësimin e shpërblimit financiar për ta.

“Unë drejtoj një qeveri me numrin më të vogël të ministrave në histori dhe e di shumë mirë cfarë vështirësie është për ta pasur qeverinë të disiplinuar. Imagjono ju që keni klasa, edhe nganjëherë me shumë sesa është norma dhe duhet të mbani të disiplinuar gjithë ata fëmijë dhe duhet t’i motivoni, t’i mësoni të respektojnë rregullat përditë përditë përditë. Krahasuar me mundimin tuaj, mundimi im është shumë më i vogël, ndërkohë që paga ime është padrejtësisht shumë më e madhe se e juaja. Këtë diferencë së bashku ne do ta ngushtojmë. Nuk mund t’ju premtoj që në fund të katër vitee paga juaj do jetë afër times, por mund t’ju premtoj që imja nuk do të rritet, ndërsa e juaja do rritet çdo vit”.

Me herët, kryeministri Rama nënvizoi  se mësuesia duhet të përfshihet me patjetër në kategorinë e parë të profesioneve në vend. /abcnews.al

vlcsnap-error587-1280x720.jpg
ad min21:36 | 28/11/2017

Me rastin e 105 vjetorin të pavarësisë, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, organizoi një pritje në Pallatin e Brigadave. Kreu i shtetit e vuri theksin në objektivin që duhet të ketë Shqipëria për vitin 2018 dhe kjo është hapja e negociatave për antarësim në Bashkimin evropian.

Festat për 105 vjetorin e pavarësisë mbyllen në Pallatin e Brigadave.
Si çdo vit, Presidenti i republikës organizon një pritje. Mesazhi që u dha nga kreu i shtetit ishte bashkimi i shqiptarëve.

“Gjergj Kastrioti dhe Ismail Qemali, së bashku me mbështetësit e tyre, janë faktuesit më të rëndësishëm të unitetit politik mbarë shqiptar. Fitoret e arritura nën udhëheqjen e këtyre prijësve të ndritur shqiptarë, kanë lënë pas mësimin historik në kohët tona se pa unitet dhe gjithëpërfshierje mbarë shqiptare nuk mund të projektohen qëllime madhore detare dhe nuk mund të përballen sfidat e çdo kohe dhe të çdo natyre”.

Për presidentin e republikës kjo është një ditë për të përkujtuar edhe çlirimin e vendit. Një arsye më shumë për të synuar që vitin e ardhshëm Shqipëria të hapë negociatat për antarësim në Bashkimin Evropian dhe qytetarët e Kosovës të lëvizin të lirë në Evropë tha kreu i shtetit.

“Këto momente kulmore të historisë së lavdishme të popullit tonë, na shërbejne për reflektime të mëdha të energjive mbarë kombëtare, për ruajtjen e lirisë dhe pavarësisë, për kosolidimin e demokracisë, forcimin e sundimit të ligjit, përmirësimin e qeverisjes, frocimin e instuticioneve, respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, zhvillimin e ekonomisë së tregut dhe antarësimin në BE. Ne besojmë dhe do të punojmë që viti 2018 të kurorëzojë përpjekjen tonë për hapjen e negociatave të Shqipërisë për antarësim në BE, si dhe njëkohësisht të garantojë të drejtën legjitime të qytetarëve të Kosovës për të lëvizur të lirë në hapësirën shengen, si të gjithë qyetarët e tjerë të Ballkanit Perëndimor”.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga bashkëshortja, kryetari i kuvendit dhe përfaqsues të institucione shtetërore dhe të trupit diplomatik./abcnews.al

 

 

 


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono