prishje

unaza-e-madhe.jpg
G. P.15:24 | 12/12/2018

Puna për hapjen e kantierit, ku do të zbatohet projekti për Unazën e Madhe në segmentin nga Pallati me Shigjeta deri te Dogana ka vijuar edhe sot paradite. Bashkia e Tiranës prishi 2 ndërtesa të tjera pa leje në gjurmën e Unazës së Madhe, në zonën e Unazës së Re.

Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit, sipas njoftimit të Bashkisë Tiranë, gjeti bashkëpunimin e banorëve, të cilët në mënyrë vullnetare kanë zhvendosur materialet dhe orenditë, për të mundësuar më pas prishjen e ndërtimeve.

Objektet e prishura shërbenin kryesisht për qëllime biznesi. Gjithashtu, mjetet e rënda të Bashkisë Tiranë kanë vijuar edhe me procesin e largimit të mbetjeve inerte që dalin nga procesi i prishjeve./abcnews.al

punime.jpg
G. P.17:04 | 02/12/2018

Punimet për Unazën e Madhe vijojnë intensivisht nga Bashkia dhe ARRSH duke shembur të tjera objekte pa leje të cilat preken nga projekti. Deri më tani në këtë zonë janë prishur më shumë se 10 objekte pa leje, ndërsa puna do të vijojë çdo ditë për shembjen objekteve të tjera deri në krijimin e hapësirës së plotë për ndërtimin e Unazës së Madhe.

Vijon puna nga Bashkia e Tiranës dhe ARRSH për prishjen e ndërtimeve pa leje të cilat preken nga projekti i Unazës së Madhe. Tashmë përveç zhvendosjes së shtyllave të ndriçimit dhe pemëve që gjenden në aksin rrugor nga Pallati me Shigjeta deri te Dogana, vijon edhe puna për lirimin dhe prishjen e objekteve të tjera pa leje nga vetë banorët, ç’ka lehtëson dhe më shumë planin e zbatimit të zgjerimit të Unazës. Sipas bashkisë dhe ARRSH-së banorët janë ndërgjegjësuar dhe kanë vendosur të bashkëpunojnë duke zhvendosur mobiliet dhe materialet elektroshtëpiake si dhe duke bërë vetë çmontimin e objekteve.

Deri më tani në këtë zonë janë prishur më shumë se 10 objekte pa leje, ndërsa puna do të vijojë çdo ditë deri në krijimin e hapësirës së plotë për ndërtimin e Unazës së Madhe. Gjithashtu ndërmarrja e bashkisë do të vijojë punën edhe për çmontimin e zhvendosjen e të gjitha shtyllave, ndriçuesve dhe pemëve që gjenden në këtë aksin nga Pallati me Shigjeta deri te Dogana. Bashkia e Tiranës dhe ARRSH-ja bëjnë me dije se kanë ofruar shpronësim sipas parashikimeve ligjore për banorët që i kanë ndërtimet me leje, ndërsa për gjithë të tjerët ka ofruar banesa sociale pa afat ose bonus strehimi për 3 vite./abcnews.al

damian-gjiknuri.jpg
G. P.12:18 | 21/11/2018

Banorët protestojnë më kot, pasi qeveria nuk ka nxjerrë asnjë vendim për prishje. Kështu e shpjegon ministri i Industrisë dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, i cili sqaron procedurat që përcaktojnë kur dhe sa objekte do të prishen.

“Nuk ka një proces prishjeje të godinave përkatëse. Gjithçka është e stisur politikisht për t’u kapitalizuar në një kauzë, e cila për mendimin tim nuk do të ketë shumë vlerë për ata që e mbështesin”, tha gjiknuri.

E konceptuar për t’u ndërtuar që në vitin 1989, Unaza e Madhe e Tiranës sot nuk duhet të shndrrohet në një arenë përplasjesh tha ministri Gjiknuri.

“Kështu që në këtë pikëpamje nuk ka pasur asnjë devijim të projektit. Projekti është nisur në gjurmët e konceptit të Unazës së Madhe”, u shpreh ai.

Me qetësi ta presin lajmin banorët që preken nga projekti, këshillon Damian Gjiknuri, i cili përsërit se kush ka certifikatë pronësie do të shpronësohet, të tjerët do të trajtohen me bonus qeraje.

“Banorët një pjesë që kanë dokumentet kanë vajtur në zyrat e ARRSH-së, mbi 40-50 përqind e tyre dhe bëj thirrje që nuk shkon shteti të ulet dhe të trajtojë dokumentacion zyrtar. Të gjithë banorët që kanë dokumente apo kërkojnë zgjidhje kanë zyrat hapur te ARRSH për të vajtur me dokumentacion përkatës”, tha ministri.

Shpjegimet ia dha kolegëve të tij socialistë në komisionin e ekonomisë ku raportoi mbi afatet dhe kostot e rrugëve  që janë në proces. Një prej tyre është autostrada Tiranë-Elbasan që pavarësisht dëshirës së kryeministrit për ta mbyllur në fund të vitit, mund të dojë edhe disa muaj sipas ministrit Gjiknuri.

“Brenda disa muajve ajo rrugë do të jetë jo e hapur, por e dorëzuar. Ne synojmë që të hapet deri në fillim të Janarit, pra të jetë e kalueshme në njërin krah, por si përfundim i veprës unë mendoj që pranvera e vitit tjetër e gjen të përfunduar se nuk shoh ndonjë të papritur, veçse po qe dështimi i kontraktorit”, tha ai.

Një tjetër rrugë që po shihet me përparësi në tavolinën e qeverisë është Qukës-Qafë Plloçë. Duhen më shumë para për ta përfunduar tha ministri Gjiknuri, se sa i është lënë në dorë specialistëve dhe ekspertëve të rrugëve të bëjnë përllogaritjet e fundit./abcnews.al

ikmt.png
G. P.11:01 | 11/10/2018

Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka nisur sot një operacion në zonën turistike të “Syrit të Kaltër”, në Bashkinë Finiq.

Sipas IKMT është planifikuar prishja e 16 objekteve një dhe dy katëshe, me struktura druri, me funksione shërbimi.

ikmt1
ikmt2
ikmt3

IKMT thotë se objektet që do të prishen janë pa leje ndërtimi. Pronarët e tyre janë njoftuar para se të niste aksioni dhe kanë nisur të largojnë orenditë apo pajisjet brenda ndërtesave./abcnews.al

teatriiii.jpg
G. P.13:00 | 16/07/2018

Parlamenti shqiptar miratoi një ligj të veçantë për shembjen e teatrit kombëtar të ndërtuar në Tiranë në vitet ‘30. Kështu nis analizën “Il Fatto Quotidiano”, duke shtuar se në vend të tij do të jetë një projekt i arkitektëve danezë, projekt që kritikohet nga artistë, opozita dhe qytetarët. Akuza të rënda janë bërë nga politika për partneritetin publik–privat, (veçuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar e që hedh hije mbi negociatat me Bashkimin Europian) për të krijuar të ardhura të diskutueshme.

Zemra italiane e Tiranës rrezikon të fshihet me rruspa dhe ligje të veçanta, shkruhet ndër të tjera në analizën e “Il Fatto Quottidiano”, për atë që po ndodh me Teatrin Kombëtar në kryeqytetin tonë. Duhet hapësirë për ndërtime të reja, pikërisht në atë pak vend që ka mbetur nga qendra historike e kryeqytetit shqiptar. Por shembja e Teatrit Kombëtar i epokës fashiste, nuk është vetëm një çështje historie. Pasi në lojë është dhe anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian pas akuzave të forta për spekulime në sektorin e ndërtimit. Gjithçka brenda një kornize që ka tërhequr dhe vëmendjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Në 9 Korrik, parlamenti votoi një ligj të veçantë për të shënuar shembjen e teatrit, mes protestave të artistëve shqiptarë, të opozitës në parlament dhe një pjese të mirë të qytetarëve të Tiranës. Këta të fundit kanë më pak se tre javë kohë për të bindur Presidentin e Republikës, Ilir Meta, që të refuzojë firmosjen e këtij ligji.

Në fillim, kopshti i ulët i Xhulio Berte, i realizuar në 1935-n, u shkatërrua në 2011-n. Më pas stadiumi monument i projektuar nga Gerardo Bosio i ndërtuar në 1939-1941 u shkatërrua një vit më parë. E  tashmë është radha e Teatrit Kombëtar që konsiderohet si një nga dëshmitë më të rëndësishme arkitektonike të periudhës italiane. Çdo gjë po shembet. Historiani dhe gazetari i njohur iitalian Indro Montaneli shprehej në 1939-n: Tirana është një qytet ekzistencialisht modern, gati i shpikur. Koha e këtij qyteti ka vetëm dy masa: të tashmen dhe të ardhmen. E kaluara nuk ekziston.”

Në kryeqytetin shqiptar, Teatri Kombëtar do të zëvendësohet nga një teatër i ri dhe nga kulla që do të kenë një funksion tjetër, sipas projektit të BIG-BIG, Bjarke Ingels Group, një nga studiot më të njohura të arkitekturës modernE në botë. Një studio që ka ardhur nga Kopenhagen në Tiranë me kërkesë të qeverisë shqiptare.

Si për kryetarin e Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, ashtu dhe për kryeministrin Edi Rama, artist dhe ish-kryebashkiak i kryeqytetit, struktura aktuale e teatrit është e papërdorshme dhe çdo përpjekje restaurimi do të ishte e kotë. Por gjithsesi ky teatër, ashtu si u vlerësua dhe nga politekniku i Barit dhjetë vjet më parë, ka një vlerë të madhe historike dhe dokumentare qoftë dhe për teknikën e ndërtimit që është përdorur.

Në vend të këtij teatri, vijon shkrimi, nëse nuk do të ketë ndonjë hap prapa deri në fund të muajit, arkitektët e BIG parashikojnë një strukturë të re në formë papijoni, të ndarë në tre ambiente. Një auditor kryesor, një sallë koncertesh dhe një për spektaklet. Më pas një amfiteatër në çati, një prapaskenë që shihet në pjesën veriore, dhe vetrata xhami në pjesën jugore.

Gazetarët shqiptarë të BIRN Albania, citohen nga e përditshmja italiane Il Fatto Qutidiano (gjithashtu agjenci lajmesh online) për faktin se qeveria shqiptare pretendon se nuk ka paratë e duhura për të ndërtuar teatrin e ri që ka një koto të lartë. Dhe për këtë arsye do i japë terrenin publik, ku ndodhet teatri aktual një kompanie private me një çmim prej 470 eurosh metri katror.

Ndërkohë që në atë zonë mesatrja është 2 mijë euro për metër katror duke qenë se ndodhet në qendër të kryeqytetit. Projekti do të shtrihet në 9 mijë metra katrorë. Në shkëmbim të kësaj, shoqëria përveç teatrit do të ndërtojë katër kulla të tjera. Teatri nuk është vetëm një çështje e brendshme, akuza për shkelje të normave europiane për sa i përket konkurrencës rëndon, në një moment që në qendër të vëmendjes janë negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, përfundon shkrimi./abcnews.al

berati-monumental.jpg
G. P.13:47 | 15/04/2018

Në Berat, shtëpitë muze duhet të ishin nën kujdesin e shtetit, për restaurim apo ndërhyrje më të forta me qëllim që ato të mos humbasin vlerën e tyre. Por kjo nuk po ndodh dhe shumë banesa në lagjet më të rëndësishme të qytetit po shemben.

Shtëpitë po rrënohen dhe pse janë pjesë e trashëgimisë botërore. Qindra vjeçare, por ato po humbin vlerën.

Berati i vjetër, lagja “Magalem” është ajo që UNESCO e quan ndërtesat vernakulare. Arkitekturë e ndërtuar për qëllime të funksionit banesor apo publik më shumë se sa për qëllime monumentale. Por sot situata është dëshpëruese.

Pronarët e këtyre apelojnë për ndihmë. Po iu bien muret, tavani, si dhe trarët e shtepisë. Disa nga ata i kanë nxjerrë në shitje apo kërkojnë t’i japin me qira. Disa janë larguar.

Në të gjithë qarkun e Beratit numërohen 490 monumente kulture, 107 prej tyre i përkasin kategorisë së parë dhe 383 kategorisë së dytë. Objektet i përkasin kulturave që kanë ndikuar në historinë e qytetit, nga lashtësia, te Mesjeta Bizantine, te komplekset e jashtëzakonshme otomane dhe deri te rrënojat e lëna pas nga koha e komunizmit./abcnews.al

fier-dritat-1280x653.jpg
G. P.15:29 | 19/03/2018

Stuhia e së premtes ka shkaktuar dëme të mëdha në rrjetin elektrik në Fier. Për pasojë, zona periferike e qytetit, prej tre ditësh, mbetet në errësirë.

Një tjetër ditë po nis, ndërkohë që brenda shtëpive ka pllakosur errësira. Familjet në zonat periferike kaluan një fundjavë skëterrë. Lagje të tëra vazhdojnë të mos kenë energji. Shkak u bë një stuhi ere të premten që shkoi.

Nga njëra anë linja të vjetërura, nga ana tjetër, ekipe që thuhet se punojnë, po nuk duken gjëkundi. Avaritë nga moti i keq justifikojnë errësirën, por jo mjerimin që shoqëron atë.

Kjo grua e moshuar është një nga shume të tjera si ajo, që përballet edhe me të ftohtin përveçse me sëmundjen e saj. Rezervat nëpër depozita mbaruan, ndërkohë që pompat elektrike janë mundësia e vetme për furnizim me ujë.

Kafshët shtëpiake, por edhe ato të rrugës do të kenë ushqim të bollshëm për disa ditë. Frigoriferët do të boshatisen nga ushqimi i ngrirë, i cili tani është një rrezik më vete për shëndetin e banorëve.

OSHEE nuk ka raportuar ende zyrtarisht për numrin e defekteve dhe banorëve, që janë pa energji elektrike. Fshatrat e zonës së bregdetit dhe disa lagje periferike të Fierit qëndruan pa drita për 48 orë. Energjia nuk është rikthyer ende në disa zona. Java nisi me reshje të dendura shiu çka e rëndon edhe më tej situatën./abcnews.al

vlcsnap-error415-1-1280x720.jpg
G. P.15:38 | 18/02/2018

Ura shumë vjeçare e ndërtuar mbi lumin Mat, që në kohën e Mbretit Zog ka pësuar dëmtime të shumta. Deri tani askush nuk ka ndërhyrë për rikonstruksionin dhe ruajtjen e saj, megjithëse përfshihet tek monumentet kulturore.

U ndërtua në vitin 1927 nga një inxhinier italian. Projekt i Mbretit Zog, nga ku mori edhe emrin e tij.

Sot, ura me harqe ose e quajtur ndryshe Ura e Zogurt mbi lumin Mat po shkon drejt shkatërrimit.

Ajo nuk qarkullohet më nga automjetet.
Aty mund të lëvizin vetëm këmbësorë.

Çdo ditë, ura dëmtohet nga reshjet ose persona të papërgjegjshëm, të cilët marrin pjesët metalike.

Dy këmbët e saj kanë pësuar çarje.
I vetmi që shqetësohet për të është ky specialist i ndërtimit.

Gjergj Ngjeçi thotë se ura është rrezik dhe institucionet përgjegjëse duhet të marrin masa për rikonstruksionin e saj.

Vepra kulturore që po degradon dita-ditës është e njohur si një ndër më të mëdhatë në Ballkan. Ajo ndodhet në krahun e majtë të Rrugës së Kombit dhe ura lidhej me Kurbinin, Mirditën dhe Lezhën./abcnews.al

vlcsnap-error160-1280x720.jpg
G. P.13:10 | 28/01/2018

Mungesa e investimeve apo shkarjet e ditëve të sotme kanë bërë që disa rrugë të dëmtohen rëndë aq sa kanë vështiresuar jetën e banorëve. ABC News sjell panoramën e tre prej tyre në Berat, Vlorë dhe Laç.

Përmes kësaj rruge qarkullojnë çdo ditë banorë të Beratit dhe të Fierit. Por pamjet që afron tregojnë për një rrugë skandaloze.
E tërë gjatësia është e dëmtuar. Por shtatë kilometra nga fshati Kutalli i Beratit, në Velmisht të Fierit janë të pakalueshme.

“Janë rreth 15 mijë banorë të kësaj zone që prodhojnë perimet më të mira në vend, i tregëtojnë drejt Kosovës , Maqedonisë dhe tregjeve europiane, por mjetet që vijnë për të marr mallin në fshat qarkullojnë në një rrugë që është në gjendje të turpshme”.

Sëbashku, fshatarët i kanë nisur një letër kryeministrit Rama. Mirëmbajtja e rrugës bëhet nga një firme gjirokastrite, por që askush nuk e sheh në terren.

Vlorë – Rradhime në zonën e Ujit të Ftohtë vazhdon të qarkullohet vetëm në njërin krah të rrugës. Shkarjet e kanë dëmtuar dhe vazhdojnë ta dëmtojnë. Barrierat mbrojtëse mungojnë.

Kurse këto pamje vijnë nga rruga e fshatit Fushë Mamurras. 300 nxënës në shkollën 9-vjeçare çdo ditë kalojnë ne gropat me ujë.
Banorët thonë se këtu bëhen premtime sa herë ka fushata. Në realitet 6 mijë banorët lëvizin në rrugën e tyre, e cila s’ka parë investim prej 27 vitesh./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono