presion

votimi-ne-kosove.jpg
G. P.11:05 | 06/10/2019

Votën këtë të diel e hodhi edhe kandidatja për kryeministre nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Vjosa Osmani. Në një prononcim të shkurtër për mediat ajo u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të votojnë.

“Thirrja ime është për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që të bëhen pjesë e këtij vendimi historik. Është një ditë historike dhe vendimtare për të ardhmen e Kosovës. Besoj se përmes një procesi fer, të lirë dhe demokratik, Kosova sot do të ketë një arsye për të festuar. Shpresoj që gjithçka të ecë mbarë, që qytetarët e Kosovës ta shfrytëzojnë këtë të drejtë. Gjithçka të shkojë pa asnjë presion dhe qytetarët ta shprehin vullnetin e tyre të lirë”, tha Osmani.

Ndërkohë në orën 11:00 votoi edhe kandidati për kryeministër i Nismës, Fatmir Limaj.

“Sot shfrytëzuam një mundësi të jashtëzakonshme që ka çdo qytetar. Pres që vota sot do ti japë perspektivë dhe mundësi të jashtëzakonshme që vendi të bëjë hapat e duhur”, tha Limaj për mediat.

Më shumë se 1.9 milionë qytetarë me të drejtë vote do t’i drejtohen sot kutive të votimit për legjislaturën e shtatë të Kuvendit të Kosovës. Procesi zgjedhor ka nisur në orën 07:00 dhe pritet të përfundojë në orën 19:00./abcnews.al

62357290_460522051188054_2756204350635245568_n.jpg
Sej rie18:30 | 17/06/2019

Të tjera përgjime janë publikuara sot nga gazeta gjermane ‘Bild’. Në audio-përgjimet janë materiale nga dosja 184 e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Dy prej përgjimeve tregohet presioni që u bëhet mësuesve dhe drejtuesve të shkollave në qarkun e Dibrës.

Në dy përgjimet janë përkatësit video 12 dhe 13 të publikuara nga media gjermane, është Drini Gjeçit, drejtor i Arsimit në Dibër, i cili me urdhër të ish-deputetit Pjerin Ndreu, duke u bërë presion mësuesve për të deklaruar haptas votën për PS-në.

Përgjimi numër 12

Drejtori i shkollës: Alo, mirëmëngjes drejtor.

Drini Gjeci: Mirë, ku je ti?

Drejtori i Shkollës: Jam këtu, në radhë tek qendra e votimit.

Drini Gjeci: E ke marrë gjithë familje me vete?

Drejtori i Shkollës: Të shtëpisë? Jo ata nuk janë tu ardh me votu tani, ma vonë. Do shkoj t’i marr më vonë.

Drini Gjeci: Në ç’a qendre voton ti?

Drejtori i Shkollës: Këtu në Zallreç.

Drini Gjeci: Zallreç? Dëgjo, se kam informacione jo të mira andej unë. Sot vota jote një dhe e familjes dy, do deklarohet haptas. Nuk ke deklaruar votë haptas sot bashkë me familjen, shko dhe gjej punë tjetër.

Drejtori i shkollës: Drejtor, mos e vri mendjen për atë punë fare. Më dëgjon. Janë llafe njerëzit, mos e vri mendjen për atë punë fare.

Drini Gjeci: Ore, do deklarohet haptas, haptas! Kur them haptas, haptas.

Drejtori i shkollës: Po mo e vrit mendjen fare. Pa merak, pa merak.

Drini Gjeci: Bëje haptas me gjithë familjen.

Drejtori i shkollës: Pa merak, pa merak, pa merak. Në rregull

Përgjimi numër 13

Drini Gjeçi: Alo. Lavdrim Murati?

Lavdrim Murati: Po.

Drini Gjeçi: Drejtori i Arsimit të flet.

Lavdrim Murati: Urdhëro.

Drini Gjeçi: A ke votuar?

Lavdrim Murati: Jo, akoma.

Drini Gjeçi: Po pse more Lavdrim nuk ke votuar akoma?

Lavdrim Murati: Nuk kam votuar se të lirohet një herë radha.

Drini Gjeçi: Çfarë radhe?

Lavdrim Murati: Radha or ti.

Drini Gjeçi: Lavdrim të mos kemi llafe, votat i dua haptas atje. Mos të kemi llafe më.

Lavdrim Murati:  Ç’a flet o drejtor?

Drini Gjeçi: Mos të pres më tej. Vota sa ke, t’i dua. Pesë vota sa ke.

Lavdrim Murati:  Më vjen keq. Të paskan sinjalizuar gabim.

Drini Gjeçi: Këtë llaf po të them. Ti e di vetë.

Lavdrim Murati: Në rregull./abcnews.al

kosova-mali-i-zi.jpg
G. P.10:40 | 08/06/2019

Ndeshja e futbollit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, që përfundoi më rezultat të barabartë 1 me 1, u parapri me trysni politike. Ndeshja e vlefshme për eliminatorët për Kampionatin Evropian, u bojkotua nga përfaqësuesit e Malit të Zi me prejardhje serbe.

Mediet në Mal të Zi thanë se se trajneri i Malit të Zi, Lubisha Tumbakoviç, nuk do ta udhëheqë përfaqësuesen kundër Kosovës, pas trysnisë më të cilën është përballur nga Serbia për të mos luajtur kundër Kosovës. Në ekip nuk janë paraqitur as dy futbollistë tjerë që luajnë në ekipe të Serbisë.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, shkroi në rrjetet sociale se “Mali i Zi është mik dhe partner i Kosovës. Serbia nuk do ta pengojë këtë miqësi. Trysnia ndaj trajnerit dhe ndaj disa lojtarëve nga Beogradi dhe mediet serbe, e tregon fytyrën e vërtetë të Serbisë për të ndërhyrë në vendet fqinje. Kosova dhe Mali i Zi do t’i kapërcejnë këto pengesa nga Beogradi dhe të dyja vendet tona njohin taktikat e Serbisë”, shkroi zoti Pacolli.

Ndeshjet e futbollit në Ballkanin Perëndimor shpeshherë marrin ngjyrime politike, për shkak të marrëdhënieve të brishta ndërmjet vendeve të rajonit./VOA

komersant.jpg
G. P.09:22 | 23/05/2019

Një artikull në vështrim të parë jospektakular po preokupon Moskën politike. Gazeta e biznesit Kommersant njoftoi më 17 prill se Kryetarja e Këshillit të Federatës, dhomës së dytë të parlamentit të Rusisë, Valentina Matvijenko, mund të heqë së shpejti dorë nga posti i saj. Artikulli citon burime nga aparati shtetëror.

Sipas artikullit Matvijenko do të marrë përsipër drejtimin e fondit të pensioneve shtetërore. Hollësitë do të diskutohen në maj, gjatë një bisede midis saj dhe Presidentit Putin. Në artikull gjithashtu përmendet një pasues i mundshëm për Kryetaren e Këshillit të Federatës: Sergej Naryshkin, aktualisht shef i Zbulimit për Botën e Jashtme. Të dy, si Matvijenko, ashtu dhe Naryshkin bëjnë pjesë në pasuesit më të afërt të Presidentit.

Ndërkohë, Kommersanti u ka kërkuar autorëve të këtij artikulli, Ivan Safronov dhe Maxim Ivanov, që të paraqesin kërkesën për largim nga puna. Me sa duket dikush nga shtëpia botuese kishte kërkuar të mësonte më shumë rreth burimeve të artikullit. Autorët iu referuan mbrojtjes së zakonshme të burimit në gazetari – hap pas të cilit atyre iu kërkua të largohen nga Kommersant-i. Kryeredaktori Vladimir Borisoviç Zelonkin shprehu në bisedë me DW dyshime për ekzistencën e burimeve të ish-autorëve të tij. “Unë nuk doja të kisha vetë burimet, por doja të sigurohem se ato ekzistojnë. Për këtë kam dyshime”, i tha ai DW.

Një valë solidariteti

Të hënën në mbrëmje, 13 redaktorë shprehën solidaritetin e tyre me Ivan Safronovin dhe Maksim Ivanovin dhe e braktisën gjithashtu gazetën. Ata punonin si Safronovi dhe Ivanovi në sektorin e politikës së brendshme të Kommersant-it. Botuesi reagoi shpejt: redaktorët tani nuk mund të kthehen më në kompjuterët e tyre, lejehyrjet e tyre në institucion janë të pavlefshme. Me sa duket, drejtuesit e shtëpisë botuese ndjekin një vijë të ashpër.

Largimi nuk do të ketë efekt në punën e gazetës, beson kryeredaktori Vladimir Borisoviç Zhelonkin. Ai gjithashtu mohon se pronari i shtëpisë mediale Kommersant, oligarku i afërt me Kremlinin, Alisher Usmanov, të ketë bërë presion. “Ai nuk më ka pyetur kurrë se kush qëndron pas artikullit”, tha kryeredaktori.

Redaktorët e shkarkuar e shohin këtë ndryshe. Ata shkruajnë në mediat sociale se pas shkarkimit të Safronovit dhe Ivanovit qëndron vetë pronari. Redaktorë që ende punojnë në Kommersant, por nuk duan të përmenden me emër, gjithashtu e supozojnë këtë.

Ivanovi dhe Safronovi punonin prej shumë vitesh për gazetën e biznesit dhe konsideroheshin të besueshëm. Zëdhënësi i Kremlinit, Dimitri Peskov tha në një deklaratë për çështjen e Kommersantit: “Ivan Safronovi është njëri nga gazetarët më të talentuar dhe profesionistë që njohim.” I shqetësuar është edhe Mikhail Fedotov, kryetar i Këshillit për të Drejtat e Njeriut te Presidenti. Ai i kërkon shtëpisë botuese të Kommersantit që të mos ndërhyjë në çështjet redaksionale.

Jo më raportime politike në Kommersant?

Kryeredaktori Vladimir Zhelonkin pretendon për DW se redaktorët nuk kishin respektuar standardet gazetareske. Punonjësit e Kommersant-it e kundërshtojnë: “Nuk ka shkelje të standardeve, por presion ndaj gazetarëve”, thuhet në një deklaratë të nënshkruar nga më shumë se 200 gazetarë. Ata të gjithë punojnë për Media Holding, ku botohet edhe Kommersanti. Ata i informojnë lexuesit se deri në një vendim të dytë Kommersanti nuk mund të raportojë më për politikën ruse.

Një nga mediat më të mira ruse u shkatërrua, thonë ata. Meqenëse mungojnë informacionet e sigurta, në Moskë spekulohet se pse artikulli për ndryshimin e mundshëm në Këshillin e Federatës tërheq kaq shumë vëmendjen. Me sa duket, politikanët e përmendur, presidentja e Këshillit të Federatës Matvijenko dhe kreu i Zbulimit për botën e jashtme, Naryshkin, frikësohen se artikulli mund të rrezikojë karrierën e tyre të mëtejshme politike. Kjo është ndoshta arsyeja pse ata ushtruan presion mbi shtëpinë botuese./DW

tereza-mey.jpg
Sej rie21:00 | 22/05/2019

Në Mbretërinë e Bashkuar është rritur trysnia ndaj Theresa Mej, pas publikimit të detajeve të reja të marrëveshjes së Breksit. Kryeministrja gjendet nën presion politik, përfshirë nga konservatorët e saj, për të dhënë dorëheqjen.

Kryeministrja britanike Theresa Mej po përballet me një presion në rritje për të dhënë dorëheqjen, pas kundërshtimeve të verifikuara në adresë të planit të saj për Breksit. Anëtarë të shumtë të kabinetit të saj kanë deklaruar për BBC se ajo nuk mund të qëndrojë më në detyrë, me njërin prej tyre që ka nënvizuar se kryeministrja ka arritur vijën e finishit. Megjithatë ka edhe nga ata që insistojnë se Mej duhet të vazhdojë të çojë përpara planin e saj të tërheqjes deri në mbajtjen e votimit në fillim të qershorit.

Ligjvënësit konservatorë të udhëhequr nga Mej kanë mbetur të pakënaqur nga konçesionet që ajo ka bërë në draft/marrëveshjen, por ajo ka kërkuar mirëkuptimin e tyre dhe të të gjitha palëve të përfshira në proces. Sipas BBC, ministri i Brendshëm Sajid Xhavid dhe ai i Jashtëm Xheremi Hant kanë kërkuar një takim privat me kryeministren, por kjo e fundit ka refuzuar për shkak se të dy ata shihen si konkurrentë për lidershipin e Partisë Konservatore, që rrjedhimisht garanton edhe postin e kryeministrit.

Draft/marrëveshja, që lejon largimin e Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja në mënyrë të rregullt, duhet të kthehet në ligj që të hyjë në fuqi. Zonja Mej është kritikuar ashpër nga të gjitha palët që kur nisi publikimin e detajeve të reja të akordit me Brukselin, që përfshinin mes të tjerash garantimin e të drejtave të punëtorëve, mbrojtjen e ambjentit, çështjen e kufirit të Irlandës së Veriut dhe një kompromis për doganat./ABC News Albania 24/7

vucic-1280x644.jpg
Sej rie13:20 | 25/04/2019

Gjatë vizitës së tij në Pekin, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, u shpreh se një fuqi e madhe si Kina, e respektonte vendin e tij dhe nuk ushtron presion, në ndryshim nga disa vende të tjera.

Duke folur në një panel të organizuar nga partia komuniste kineze në Pekin, presidenti i Serbisë ALeksandër Vuçiç theksoi se bashkëpunimi mes njerëzve nuk duhet trajtuar si një çështje anshmërie, por si një bazë për të ndërtuar të gjitha bashkëpunimet e tjera

Në fillim të fjalës së tij, kreu i shtetit serb i tha audiencës se ishte takuar me homologun kinez dhe sekretarin e përgjithshëm të partisë komuniste kineze, Xi Jinping, dhe kishin biseduar për çështje shumë të rëndësishme.

Vuçiç shtoi se bashkëpunimi I shkëlqyer mes dy vendeve do të vazhdojë. Ai tha se Serbia ishte një vend relativisht i vogël në Ballkanin Perëndimor dhe në zonën ndërkombëtare Kina ka partner shumë më të rëndësishëm. Por ka diçka më special që lidh këto dy vende, sipas tij, partia komuniste në Kinë dhe ajo progresiste serbe, më të mëdhatë në vendet përkatëse.

Sipas tij, politikat e ndjekura nga presidenti kinez janë shumë më të suksesshme se të kujtdo tjetër në botën moderne.

Vuçiç përmendi faktin se Serbia është në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian, dhe këtu Kina bën dallim nga vendet e tjera pasi nuk i ushtron presion vendit të tij, por përkundrazi e trajton me respekt.

Duke iu referuar tregtisë, Vuçiç tha se aktualisht vendi i tij po vuan nga disa bllokada, referuar ndoshta taksës prej 100 për qind të vendosur nga qeveria e Kosovës. Por sipas tij është fat që Serbia mund të mbështetet në një vend të madh si Kona, një partnere shumë strategjike për të ardhmen./abcnews.al

IMG_9505-1280x853.jpg
G. P.12:47 | 16/04/2019

Ish-kryetarja e komisionit të medias dhe edukimit publik, Albana Vokshi përmes një deklarate për media i ka dhënë zë shqetësimit të artikuluar nga “Reporterët pa kufij” lidhur me trajtimin e gazetarëve gjatë protestës së opozitës ditën e shtunë.

“Organizata më e njohur e gazetarëve në botë u kërkon autoriteteve shqiptare të mos përdorin forcë në mënyrë jo proporcionale, veçanërisht jo kundër gazetarëve dhe videoreporterëve që mbulojnë protestat”, deklaron Vokshi, sipas të cilës gjendja elirisë së medias në Shqipëri është përkeqësuar dukshëm në javët e fundit.

Duke listuar rastet e dokumentuara kur gazetarë dhe fotoreporterë janë dhunuar dhe penguar të kryejnë punën e tyre, Vokshi thekson bindjen se kryeministri Rama kërkon kontrollin e plotë të mediave me qëllim zhdukjen e investigimeve për korrupsion dhe blerjen e heshtjes./abcnews.al

Mediat-greke-1280x734.jpg
ent ela20:00 | 05/04/2019

Duke komentuar telefonatën Rama-Tsipras, mediat greke shkruajnë në edicionet e së premtes se presioni i kryeministrit grek ka patur efekt tek qeveria shqiptare, e cila sipas tyre ka ndryshuar qëndrim sa i takon ligjit për minoritetet dhe pronat në bregdet, rast i cili do të diskutohet edhe në OKB.

Mediat greke shkruajnë se kryeministri vendas Aleksis Tsipras shfaqet i vendosur të zgjidhë të gjithë problemet me Shqipërinë. Kështu vë në dukje gazeta e madhe greke, Ethnos, që e titullon ballinën e të premtes “Pas vizitës në Shkup Tsipras telefonon Ramën”. Sipas gazetës, qeveria tha se Tsipras e Rama gjatë bisedës telefonike, diskutuan mbi reformat që duhet të realizojë Tirana për t’u hapur negociatat e anëtarësimit në BE.

Mirëpo, shton gazeta, në mënyrë informale qeveria njoftoi se kryeministri grek u fokusua në VKM-në për pronat në bregdetin e Jonit dhe për aktet normative të ligjit mbi minoritetet. Gazeta, duke iu referuar burimeve diplomatike, njofton se qeveria shqiptare ka vendosur që pronat e diskutueshme do të regjistrohen nga pronarët dhe ato që do të mbeten pa pronarë do të kalojnë në administrimin e ministrisë së turizmit.

Sipas të përditshmes greke, kjo ka ndodhur menjëherë pas bisedës telefonike Tsipras – Rama. Ethnos e paraqet këtë zhvillim si rezultat të paralajmërimit që Tsipras i bëri Tiranës para disa ditësh, nga Bukureshti. Ndërkaq, sipas gazetës Ta Nea, çështja e pronave të minoritarëve do të diskutohet edhe në OKB, dhe madje me iniciativë të qeverisë gjermane.

Ta Nea u reformohet burimeve të veta, sipas të cilave Berlini ka paraqitur një paketë me katër pyetje, në kuadër të sesionit të 33-të vlerësimit periodik të vendeve anëtare të Kombeve të bashkuara. Sipas Ta Nea-s, një nga pikat lidhet me të respektimin e të drejtës së pronës në përgjithësi dhe në veçanti sa zbatohet kjo e drejtë për minoritetet.

 Analistët grekë vërejnë se ditët e fundit po bëhen përpjekje nga të dy palët për ç’tensionimin e atmosferës ndërmjet Athinës dhe Tiranës. Analistët ndërkaq theksojnë se duhet pritur, për t’u bindur që, siç thonë, Rama  nuk ndryshon sërish qëndrim. Gjithsesi, analistët mbeten skeptikë nëse negociatat e bllokuara dypalëshe do të zhbllokohen e finalizohen para mbajtjes së zgjedhjeve të dyfishta në muajin maj.

Por ata nënvizojnë se është koha që të dy palët të ulen seriozisht në tryezën e bisedimeve për zgjidhjen e problemeve që gjithsesi nuk kanë peshën e kontestit që Athina kishte me Shkupin dhe u zgjidh me marrëveshjen e Prespës./abcnews.al

haradinaj-1-1280x604.jpg
ent ela17:25 | 12/03/2019

Kryeministri Ramush Haradinaj i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që ta devijojë linjën e presionit nga Kosova tek Serbia. Sipas Haradinajt, është Beogradi që po bllokon vazhdimin e dialogut dhe jo Prishtina me taksën ndaj produkteve serbe.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj vazhdon të mos heq dorë nga qëndrimi i tij për taksën ndonëse e pranoi se kërkesa e njëjtë i është bërë në vizitat e fundit nga Shtetet e Bashkuara, Gjermania e Britania. Ai tha se të gjithë janë aleatë të Kosovës, por se Serbia është ajo e cila nuk është e interesuar për të vazhduar dialogun.

“Bashkësia ndërkombëtare nuk mund t’i thotë Serbisë të kthehet në dialog, atëherë i bën presion Kosovës që është më e vogël”.

Sipas Haradinajt, ndonëse kanë qëndrime të ndryshme për taksën, liderët institucionalë në thelb pajtohen për shumë gjëra, siç është platforma për dialog.

“Nuk mund të thuash që Kosova s’po flet me një zë kur është platforma, që u votua me ligj”.

Ndërkohë, delegacioni shtetëror për dialog me Serbinë ka qëndruar dje në Bruksel ku i kanë dorëzuar platformën këshilltarëve të përfaqësueses se lartë të BE-së Federica Mogerini. Ky veprim është kritikuar nga Enver Hoxhaj i cili është anëtar i këtij delegacioni, i cili ka thënë se delegacioni shtetëror nuk ka nevoj të takohet me këshilltarë të Mogherinit. Është hera e dytë që delegacioni shtetëror i Kosovës për dialog, ndonëse është thirrur në transparencë udhëton fshehtas në Bruksel. /abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono