presidenca

presidenca-1280x714.jpg
ent ela08:11 | 04/10/2019

Presidenca pritet të publikojë sot qëndrimin e saj zyrtar lidhur me draft-opinionin e Komisionit të Venecias, për ligjshmërinë e anulimit nga presidenti Meta të 30 qershorit, si datë e zgjedhjeve vendore.

Këtë fakt e konfirmoi edhe vetë kreu i shtetit, mbrëmë gjatë një intervistë për emisionin “Opinion” në Tv Klan. Zoti Meta zbuloi edhe detaje nga ky qëndrim zyrtar që pritet të publikohet gjatë ditës së  sotme. Sipas tij, Komisioni i Venecias ka tejkaluar kompetencat e tij, gjë që pritet të jetë e shkruar dhe në reagimin zyrtar të Presidencës në lidhje me draft opinionin e Venecias. Presidenti vijoi të argumentojë se ai nuk ka shkelur Kushtetutën, ndërsa kërkoi nga Venecia t’i tregojë ndër të tjera se cilin nen të saj ka shkelur. Po ashtu Presidenti pyet komisionin e Venecias të shprehet: Kush është sipas Kushtetutes institucioni që cakton datën e zgjedhjeve në Shqipëri.

Në draft-opinionin e këtij komisioni, të përpiluar pas dërgimit të një misioni fakt-mbledhës në Tiranë, argumentohet se Presidenti i Republikës ka tejkaluar kompetencat e tij kushtetuese, duke anuluar dhe më pas duke shtyrë datën e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit. Por “Venecia” nuk shprehet me qëndrim, nëse këto shkelje mund të çojnë në shkarkimin e kreut të Shtetit. Këtë vendimmarrje Komisioni i Venecias ia lë Kuvendit të Shqipërisë dhe Gjykatës Kushtetuese. /ABC News Albania 24/7

sergio-mattarella-giuseppe-conte-1280x856.jpg
nev ila11:05 | 29/08/2019

 

Presidenti i Italisë Matarela i ka dhënë mandatin për krijimin e qeverisë së re Giuzeppe Contes. Ky i fundit do të mbajë takime gjatë pasdites me grupet parlamentare për krijimin e ekzekutivit të ri.

Giuzeppe Conte pranoi me rezerva detyrën për krijimin e një qeverie të re që iu dorëzua nga presidenti Italian Sergio Matarela. Gjatë ditës kryeministri në detyrë do të takohet me grupet parlamentare për krijimin e ekzekutivit të ri.

Detyra iu dorëzua në bazë të marrëveshjes politike të arritur mes Lëvizjes me Pesë Yje dhe Partisë Demokratike. Tashmë pengesat më të mëdha nuk kanë të bëjën me një program të përbashkët qeverisës por me përcarjet brenda radhëve të demokratëve dhe postit të ri që do të ketë Luigi di Maio.

Në fjalën e tij para gazetarëve Conte falenderoi presidentin Matarela për mandatin për krijimin e qeverisë duke konfirmuar se e enjtja do të jetë një ditë e gjatë me takime.

Duke iu referuar reagimeve kundër të partive si Lega, Forza Italia, madje dhe të një pjese të partisë demokratike, Conte premtoi se ekzekutivi i ri nuk do të jetë një qeveri kundërshtuese.

Lideri i Legës Mateo Salvini deklaroi se Konte u zgjodh nga Samiti i G7-ës i mbajtur në Francë fundjavën e kaluar.

Ndërsa Berluskoni i Forca Italia u shpreh se zgjidhja e vetem janë zgjedhje të parakohshme pasi një qeveri e krijuar në këto baza nuk mund të funksionojë./ABC News Albania 24/7

oerd-bylykbashi.jpg
G. P.15:17 | 14/08/2019

Zgjidhja e krizës së thellë politike janë vetëm zgjedhjet e parakohshme. Kështu është shprehur në një intervistë për ABC News ish-deputeti demokrat Oerd Bylykbashi. Sipas tij, kriza duhet të zgjidhjet në mënyrë urgjente këtë vjeshtë përpara se Shqipëria të marrë presidencën e OSBE-së, pasi në të kundërt kriza vetëm do të thellohej. Ish-deputeti i PD kërkon që në fokus kryesor të aksionit opozitar nga muaji Shtator e në vazhdim duhet të jetë vetëm zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme. 

Oerd Bylykbashi ka qenë dëshmitar i disa prej marrëveshjeve historike që politika shqiptare ka pasur në 2 dekadat e fundit. Për Bylykbashin, vjeshta është një mundësi e artë për politikën shqiptare para se kriza të thellohet edhe më shumë. Për ABC News, ish-deputeti demokrat rrëfen raportin që sipas tij kryeministri Rama ka me marrëveshjet që nënshkruan.

“Nga Shtatori deri në Dhjetor është një dritare mundësie shumë e madhe për politikën shqiptare për t’i dhënë një zgjidhje thelbësore kësaj krize dhe zgjidhja në fakt është vetëm një, zgjedhjet e parakohshme. Politika shqiptare dikur e ka patur kapacitetin për të arritur marrëveshje, konsensuse, kompromise, për t’i dhënë mundësi frymëmarrjes politike, zhvillimeve qeverisëse apo demokratike, gjë që është humbur krejtësisht të paktën në 6 vitet e fundit që kur Edi Rama ka marrë pushtetin si Kryeministër. E sheh marrëveshjen ose si diçka me të cilën ai mund të marrë pushtet ose si diçka për t’u thyer kur ai ka pushtetin”, tha Bylykbashi.

Marrja nga Shqipëria e drejtimit të Presidencës së OSBE-së në vitin 2020, për ish-deputetin demokrat duhet parë nga qeveria si një nevojë urgjente për t’i dhënë fund krizës.

“Shqipëria ka një mundësi dhe ka edhe nevoja therëse për këtë zgjidhje për shkak se viti 2020 do të jetë një vit në të cilin Shqipëria më pas do të përballet me një nga përgjegjësitë më të mëdha ka pasur ndonjëherë. Merr kryesimin e OSBE-së, e cila duhet thënë nuk është thjeshtë përfaqësia e OSBE-së në Tiranë, është organizata më e madhe rajonale e sigurisë në botë, ku luhen interesa shumë të mëdha mes dy krahëve tashmë të rikthyera, Perëndimit dhe tashmë Rusisë dhe aktorëve të tjerë që lozin bashkë me Rusinë”, tha Bylykbashi.

Bylykbashi thotë se për demokratët kërkesa për zgjedhje të parakohshme duhet të jetë kryefjalë e aksionit opozitar, ndërkohë që përballja në zgjedhje me Ramën duhet të ndodhë në një periudhë sa më të afërt.

“Zgjedhjet e parakohshme duhet të jenë në fakt kërkesa jonë numër 1 në gjykimin tim sepse e lidh me faktin që është zgjidhja e vetme e shëndetshme e kësaj krize të rëndë dhe të paprecedentë. Nuk ka asnjë model në të shkuarën, i cili mund të analizojë këtë situatë dhe këtë krizë ku jemi sot. Askush nuk duhet të ketë iluzione, nuk mund të ketë zgjidhje pa zgjedhje të parakohshme. Të gjithë duhet ta kenë të qartë që krizat kanë një mekanizëm tipik, krizat vetëm përkeqësohen dhe sigurisht përkeqësimi sjell zgjidhjen e saj, por kostoja e saj është shumë e lartë”, tha Bylykbashi.

Demokratët i shohin zgjedhjet e 30 Qershorit si një proces nul dhe pa dekret presidencial, ndërkohë që PS ka arritur të marrë drejtimin e më shumë se 55 bashkive. Por zhvillimi i fundit me rastin e kandidatit të PS në Shkodër, Valdrin Pjetri do të turbullojë sërish ujërat mes mazhorancës dhe opozitës para përfundimit të pushimeve./ABC News Albania 24/7

ilir-meta.jpg
nev ila16:45 | 06/08/2019

Presidenti i Republikës, Ilir Meta i ka rrëzuar mazhorancës ndryshimet në Kodin Penal. Kryetari i Shtetit ka paraqitur 4 argumenta për rrëzimin e ligjit, duke arsyetuar se ndryshimet sjellin rrezik për sigurinë juridike të qytetarëve. Në mungesë të Gjykatës së Lartë, kryetari i shtetit kërkon nga mazhoranca të reflektojë konstatimet e gjetura prej tij në zbatimin e ligjit.

Presidenti Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend, ndryshimet në ligjin për Kodin Penal, të miratuara nga mazhoranca në seancën e 18 korrikut. Duke vlerësuar se ligji në përgjithësi është një akt ligjor me tendencë pozitive,  kreu i shtetit kujton se nenet e ndryshuara paraqesin paqartësi në formulimin e disa paragrafëve të tyre dhe në disa raste mbivendosen me parashikime të tjera të Kodit Penal. Për rrjedhojë, sipas Presidentit Meta ndryshimet mund të sjellin zbatim të gabuar në praktikë apo keqinterpretim me pasojë cenimin e parimeve kushtetuese dhe të sigurisë juridike.

“Neni 3 i ligjit 44/2019, që synon ndryshimin e nenit 121 të Kodit Penal, që parashikon veprën penale të ndërhyrjeve të padrejta në jetën private, krijon mbivendosje me dispozitat e tjera të Kodit Penal dhe nuk është në harmoni me parashikimet e Kodit të Procedurës Penale. Neni 6 i ligjit nr. 44/2019, që ndryshon nenin 201 të Kodit Penal, në paragrafët 2-5 përmban shprehje abstrakte, përdorimi i të cilave jo vetëm e bën të pamundur zbatimin këtyre paragrafëve në praktikë, por krijon rrezik që të sjellë një precedent në ushtrimin e ndjekjes penale apo dhënien e dënimeve në mënyrë jo proporcionale. Neni 7 të ligjit 44/2019, i cili parashikon shtimin e një figure të re të veprës penale, atë të transportimit të mbetjeve, është i paqartë në mënyrën se si është miratuar dhe e bën aplikimin e kësaj dispozite të vështirë nga ana praktike”.

Ndryshimet në Kodin Penal të miratuara nga PS,  përfshinin ashpërsim të dënimeve për disa vepra penale si: mbajtja e armëve pa leje, veprimtarinë e ndaluar e lojërave të fatit, dekriminalizimin e gabimit mjekësor, cenimin e sigurinë ushqimore dhe dhunën ne stadiume. Ndryshimet e qeverisë në Kodin Penal, për Presidentin Meta rrezikojnë aplikimin e tyre në praktikë të tyre, për shkak të mungesës së qartësisë, çka do të kërkonte shumë shpejt ose amendim të tyre, ose do të bënte të nevojshme sqarimin nga jurisprudenca.

“Duke pasur parasysh se Gjykata e Lartë, që është e ngarkuar për unifikimin apo edhe interpretimin e përdorimit të normave ligjore, prej disa muajsh nuk është funksionale dhe askush nuk mundet të parashikojë sot se kur do të plotësohet kjo trupë gjyqësore me numrin e nevojshëm të gjyqtarëve që mund të bëjnë unifikimin e praktikës gjyqësore në procesin penal, vlerësohet se nuk do të jetë e mundur kryerja e analizës gjithëpërfshirëse të ndryshimeve dhe efekteve që mund të kenë ndryshimet e propozuara mbi efektivitetin në sistemin e drejtësisë penale”.

Për mazhorancën kthimi nga Presidenti i ndryshimeve në Kodin Penal nuk ishte i papritur. Në seancën kur këto ndryshime u miratuan, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla u shpreh i bindur se aktet do të rrëzoheshin nga Ilir Meta.

Pavarësisht vendimit të kreut të shtetit, mazhoranca pritet t’i votojë sërish ndryshimet në Kodin Penal në seancën e muajit shtator./ABC News Albania 24/7

 

ilir-meta111.jpg
nev ila16:27 | 05/08/2019

Presidenti i republikës Ilir Meta ka dekretuar ligjin “Për statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” dhe “Për nismën ligjvënëse të zgjedhësve në Republikën e Shqipërisë”.

Në mesazhin e tij, presidenti deklaron se ka pritur 2 vite që të bëheshin ndryshimet përkatëse në ligjin “Për statusin e Gjyqtarëve dhe prokurorëve” nga Kuvendi.

Meta gjithashtu me dekretimin e ligjit “Për nismën ligjvënëse të zgjedhësve në Republikën e Shqipërisë” thekson se ky rregullim me ligj është i domosdoshëm për rritjen e të drejtave të pjesëmarrjes së qytetarëve në qeverisjen e vendit.

Njoftimi i Presidencës për dekretimin e dy ligjeve:

“Institucioni i Presidentit të Republikës bën me dije se, Presidenti i Republikës në ushtrim të kompetencave të Tij, në mbështetje të nenit 84 dhe 93 të Kushtetutës, ka dekretuar me shpallje të 2 (dy) ligjeve të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë, dhe konkretisht:

1.Me Dekretin nr.11249, datë 05.08.2019, Presidenti i Republikës ka miratuar; “Shpalljen e ligjit nr. 48/2019 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Realizimi i shtesave dhe ndryshimeve në këtë ligj janë argumentuar nga Kuvendi si të nevojshme, në plotësim të vakumit të krijuar për shkak të Vendimit nr. 34, datë 10.04.2017 të Gjykatës Kushtetuese, që ka shfuqizuar si të papajtueshme me Kushtetutën disa dispozita të këtij ligji, dhe që kishin të bënin me:

Papajtueshmërinë ambientale;

Veprimtaritë e jashtme;

Vlerësimin;

Kategorizimet e disa prej shkeljeve disiplinore;

Masat disiplinore plotësuese;

Aksesin në dokumentacion gjatë procesit disiplinor;

Pezullimin nga detyra;

Veprimtari këto të lidhura me funksionin apo procesin disiplinor që zhvillohet ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, etj.

Përpos këtyre plotësimeve ligjore, Presidenti i Republikës konstatoi se ligjvënësi me ligjin nr. 48/2019 ka realizuar gjithashtu më shumë se 14 ndërhyrje të tjera në ligjin nr. 96/2016, me qëllim riparimin, përmirësimin, qartësimin dhe harmonizimin e dispozitave të ligjit nr.96/2016, në tërësinë e tij.

Kjo tregon se, në momentin e miratimit të ligjit nr. 96/2016, ky akt përveç se ka patur probleme antikushtetushmërie për të cilat ka folur Gjykata Kushtetuese, gjithashtu ka patur edhe mangësi të tjera të karakterit të teknikës legjislative, shprehje të pasakta, gabime në referime etj, që nëse do të ishte gjykuar në mënyrë të thelluar dhe jo të nxituar nga ekspertët vendas dhe ndërkombëtarë në momentin e hartimit të ligjit nr.96/2016 dhe miratimit nga Kuvendi i Shqipërisë, nuk do të ekzistonin.

Edhe pse Kuvendi i Shqipërisë ka realizuar ndryshimet e domosdoshme në ligjin nr. 96/2016 në një kohë të vonuar, konkretisht pas më shumë se 2-vjet nga momenti i vendimit të Gjykatës Kushtetuese (prill 2017), sërish Presidenti i Republikës i mirëpret këto ndryshime ligjore dhe për këto arsye me Dekretin nr.11249, datë 05.08.2019, ka vendosur shpalljen dhe miratimin e këtij ligji.

Presidenti i Republikës nxit dhe inkurajon Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, apo organet e tjera të sistemit të drejtësisë që sipas përcaktimeve të ligjit nr.96/2016, datë 06.10.2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, tashmë të ndryshuar, të bëjnë çmos që i gjithë sistemi gjyqësor dhe ai i prokurorisë të funksionojnë në mënyrën e duhur.

Pas plotësimit dhe përmirësimit të ligjit, tashmë është detyrë dhe përgjegjësi e organeve respektive të zbatojnë me rigorozitet, jo vetëm ligjin nr. 96/2016, por gjithë kuadrin kushtetues dhe ligjor të paketës në reformën e sistemit të drejtësisë, për të bërë të mundur që vendi ynë të ketë gjyqtarë dhe prokurorë të ndershëm dhe të përgjegjshëm, të aftë profesionalisht, të cilët duhet të pranohen, emërohen, dhe të zhvillojnë karrierën e tyre brenda sistemit të drejtësisë, bazuar mbi një sistem vlerësimi dhe promovimi që bazohet në meritë, profesionalizëm dhe përgjegjshmëri.

Organet respektive nuk duhet të tolerojnë asnjë sjellje apo fenomen negativ brenda sistemit të drejtësisë dhe duhet të marrin sa më shpejt të gjitha masat e nevojshme që sistemi gjyqësor të jetë funksional dhe në shërbim të qytetarëve.

Çdo veprim i magjistratit që cenon figurën e gjyqtarit dhe prokurorit në sistemin e drejtësisë shqiptare, duhet të verifikohet, hetohet dhe gjykohet në përputhje me standardet kushtetuese dhe sipas kërkesave rigoroze të ligjit.

2.Presidenti i Republikës gjithashtu me Dekretin nr. 11250, datë 05.08.2019, ka miratuar “Shpalljen e ligjit nr. 54/2019 “Për nismën ligjvënëse të zgjedhësve në Republikën e Shqipërisë”.

Ky ligj u krijon mundësi qytetarëve që të dërgojnë në Kuvend propozime të ligjeve për miratim.

Ky ligj ka për qëllim të rregullojë procedurën e detajuar mbi ndërmarrjen e nismave ligjvënëse popullore nga 20 mijë shtetas me të drejtë vote, duke filluar nga momenti i regjistrimit të nismës, deri në paraqitjen e tyre në Kuvendin e Shqipërisë për shqyrtim dhe miratim.

Ky rregullim me ligj është i domosdoshëm për shkak të zhvillimeve për rritjen e të drejtave të pjesëmarrjes së qytetarëve në qeverisjen e vendit.

Në këto kushte, promovimi i nismës ligjvënëse popullore, si pjesë e institucioneve kushtetuese të demokracisë së drejtpërdrejtë, është vlerësuar si një nevojë e domosdoshme nga Presidenti i Republikës, dhe për këtë arsye me Dekretin nr. 11250, datë 05.08.2019, ai ka miratuar shpalljen e ligjit nr. 54/2019.”/abcnews.al

Bahri-Shaqiri-1280x611.jpg
nev ila14:00 | 30/07/2019

Një ditë pas letrës së Presidentit Ilir Meta, për informacion drejtuar kryeministrit të vendit dhe institucioneve, lidhur me një paralajmërim të dhënë nga sizmiologu grek për një tërmet apokaliptik që pritet të godasë rajonin me pasoja shkatërruese, reagoi me një deklaratë për mediat këshilltari i Presidentit për Sigurinë, Bahri Shaqiri.

Ai theksoi se letra e presidentit erdhi pas shqetësimit të ngritur e pasqyruar nga një sërë mediash fqinje, lidhur me parashikimin e bërë për tërmet nga Akis Tselentis.

Duke pasur parasysh që kushtetuta në nenin 92, sanksionon se presidenti kërkon mendim për çështje që kanë të bëjnë me shqetësime të tilla, ka ndjekur rrugën zyrtare të adresimit të këtij shqetësimi, për planin e masave. Greqia nuk është fqinje me Zelandën e Re por me Shqipërinë”, tha Shaqiri.

Sipas tij, “Presidenti ka kërkuar informacion dhe ka inkurajuar institucionet që të trajtojnë me seriozitet shqetësimin e ngritur nga institucionet greke”.

 

Deklarata e plotë:

“Nisur nga Aktiviteti i shtuar sizmik regjistruar në Qarkun e Korçës dhe pasojat në dëm të qytetarëve;

Aktiviteti i shtuar sizmik në vendet fqinje Greqi dhe Itali;

Deklarimi publik i Drejtorit të Institutit Gjeodinamik të Greqisë, të pasqyruar gjerësisht në median ndërkombëtare dhe kombëtare, me zë dhe figurë;

Mungesa e përgjegjshmërisë së treguar nga institucionet përgjegjëse shtetërore për të trajtuar me seriozitetin e duhur këtë deklarim;

Fakti që fatkeqësitë natyrore përcaktohen si rrezik i nivelit të parë në strategjinë e Sigurisë Kombëtare;

Rekomandimet e dakordësuara në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, datë 16.05.2018 mbi: “Strategjitë sektoriale, paketën ligjore, strukturat, kapacitetet, bashkëpunimin ndërmjet institucioneve shtetërore, rajonale dhe organizatave ndërkombëtare në përballjen me emergjencat civile, si: përmbytjet, zjarret, tërmetet, rrëshqitjet, aksidentet teknologjike etj”

Presidenti i Republikës i është drejtuar dje me një “Kërkesë për informacion” kryeministrit Edi Rama, zëvendëskryeministrit Erjon Braçe, në cilësinë e kryetarit të Komitetit të Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave, dhe ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, mbi kapacitetet dhe masat e parashikuara nga autoritetet qendrore dhe lokale për përballimin e fatkeqësive natyrore, me qëllim parandalimin e pasojave të mundshme në dëm të jetës së qytetarëve.

Për më tepër, duke patur parasysh:

Mungesën e përgjigjes së ministres së Mbrojtjes për takim institucional lidhur me këtë çështje në institucionin e Presidentit të Republikës;

Krizën e rëndë institucionale që ka kapur vendin, përplasjen që ekziston mes institucioneve qendrore dhe lokale, që sjell si pasojë vështirësi në ushtrimin e kompetencave të organeve përgjegjëse;

Qëllimi i kësaj Kërkese ishte informimi mbi funksionalitetin e institucioneve të shtetit në shërbim të qytetarëve, me qëllim parandalimin dhe minimizimin e pasojave të mundshme në dëm të jetës së qytetarëve.

Njëkohësisht, duke patur parasysh që:
– Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në nenin 92, gërma “h” sanksionon se: Presidenti kërkon mendim dhe të dhëna me shkrim nga drejtuesit e institucioneve shtetërore për çështje që kanë të bëjnë me detyrat e tyre;
– Ligji për emergjencat civile neni 5, pika 2, gërma “ç”sanksionon se:

Në ushtrimin e funksioneve të tij për këtë qëllim, Këshilli i Ministrave kryen këto detyra:

ç) Informon Presidentin dhe Kuvendin e Republikës së Shqipërisë për emergjencën civile, për pasojat që vijnë, si dhe për masat e marra për shmangien e saj;

Presidenti i Republikës në ushtrim të detyrës së Tij me përgjegjësi të plotë, ka ndjekur rrugën zyrtare të adresimit të këtij shqetësimitë bërë publik nga Drejtori i Institutit të Gjeodinamikës në Greqi, të pasqyruar gjerësisht në median ndërkombëtare dhe kombëtare.

Greqia nuk është vend fqinj me Zelandën e Re, por me Shqipërinë.

Është detyrë thelbësore e një sërë institucioneve zinxhir të shtetit shqiptar të vlerësojnë dhe të marrin masat për riskun potencial të një fatkeqësie natyrore, që nuk është paralajmëruar nga Presidenti i Republikës.

Presidenti i Republikës ka kërkuar informacion dhe i ka inkurajuar institucionet shtetëtore që të trajtojnë me seriozitet shqetësimin e ngritur nga autoritetet zyrtare greke, me qëllimsigurimin e funksionimit sipas ligjit, të strukturave përgjegjëse shtetërore shqiptare për emergjencat civile.

Rrjedhja e menjëhershme në mediat “lëpirëse” të PPPd-ve të Kërkesës për Informacion të Presidentit të Republikës,  me qëllim manipulimin e opinionit publik dhe shmangien e vëmendjes nga skandalet në rritje, dëshmon vetëm mungesën e respektit ndaj shtetit të së drejtës dhe bashkëpunimit të përgjegjshëm ndërinstitucional.

Vonesat dhe paaftësia e dëshmuar vetëm 2 muaj më parë në menaxhimin e pasojave të tërmetit në Korçë, e verifikuar jo vetëm nga këshilltarët e Presidentit, por dhe nga vetë banorët dhe mediat e pakapura, ishte dhe është e mjaftueshme që Presidenti të kërkojë marrjen e masave në kohë.

U kujtojmë kryeministrit dhe ministrave, se e kanë për detyrë në zbatim të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, t’i përgjigjen me seriozitet të plotë Presidentit të Republikës mbi planin e masave në shërbim të qytetarëve.

Çdo nënvlerësim i ushtrimit të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore të institucioneve të tjera do të shënohet me vëmendje në institucionin e Presidentit.

Presidenti i Republikës garanton se askush nuk do ta ndalojë në ushtrimin e kompetencave të Tij kushtetuese, me përgjegjësi të plotë dhe të papërkulur në interesin më të mirë të funksionimit të shtetit, si dhe në mbrojtjen e interesit më të mirë qytetar, publik dhe kombëtar”, deklaroi Shaqiri./abcnews.al

 

vucic-1-1280x695.jpg
G. P.15:40 | 29/07/2019

Këtë fillimvit, në qytetin bregdetar kroat të Dubrovnikut, kryeministri i Kinës Li Kexiang takoi liderët nga Europa Qendrore dhe Lindore për të diskutuar investimet kineze në 16 vende të rajonit. Evropa Lindore luan një rol kyç në infrastrukturën dhe projektin “Rruga e Mëndafshit”, i cili vlerësohet deri në 1 miliard dollarë dhe ka për qëllim ndërtimin e lidhjeve tokësore dhe detare për të lejuar eksportet kineze të lëvizin drejt perëndimit. Serbia ndërkohë po shndërrohet në partnerin kryesor gjithëpërfshirës të Kinës në Ballkanin Perëndimor.

Njësoj si në kohën e Enver Hoxhës, në vitet 70-të të shekullit të kaluar, sot edhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, kur flet për Kinën përdor togfjalëshin “vëllezërit kinezë”. Si Tirana zyrtare, atëbotë, po kështu edhe Beogradi zyrtar, aktualisht, nuk e fshehin se këtë “vëllazëri” e mbajnë, sikurse do të thoshte Kristo Floqi, “për interes”.

Vuçiç u shpreh se falë ndërhyrjes së presidentit kinez Xi Jinping, Serbia ia doli të rivitalizojë hekuranën në qytetin e Smederevës, minierat në Bor, ndërsa kapitali kinez është i pranishëm edhe në realizimin e një varg projektesh serioze infrastrukturore. Llogaritet se vlera e kontratave të projekteve të ndërmarrjeve kineze në Serbi ka tejkaluar shumën prej pesë miliardë dollarësh, prej të cilave tashmë janë realizuar rreth dy miliardë dollarë.

Në të njëjtë kohë, prania e turistëve nga Kina e largët në Serbi shënon një rritje të vazhdueshme. Vetëm gjatë vitit të kaluar, fjala vjen, në këtë vend kanë qëndruar mbi 100 mijë kinezë. Në këtë mënyrë Serbia është shndërruar në partnerin kryesor gjithëpërfshirës të Kinës në Ballkanin Perëndimor.

Ekspertët, ndërkaq tërheqin vërejtjen se nuk është fjala për investime, por për kredi kineze, të afatizuara të cilat do të duhet shlyer. Në të njëjtën kohë rikujtohet se për vënien në jetë të këtyre projekteve është angazhuar krahë pune i ardhur nga Kina dhe pothuajse 80 për qind e mjeteve rikthehen atje.

Veç kësaj nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara disa herë ka pasur sinjale për kujdes nga investimet kineze në Ballkanin Perëndimor për shkak të dyshimeve për ushtrim të influencës politike për t’i shndërruar vendet aspirante për në familjen evropiane në atë që quhet “kalë troje”./ABC News Albania 24/7

kandidate-1280x723.jpg
Sej rie15:50 | 11/07/2019

Ursula von der Leyen, kandidate për presidente të Komisionit Evropian rrezikon të mos votohet nga shumica e eurodeputetëve javën e ardhshme. Momentalisht, Bashkimi Evropian nuk ka një plan B se cili do të jetë hapi i radhës nëse kandidatura rrëzohet.

Kandidatja për presidente e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen nuk ka mbështetjen e të gjitha grupimeve në Parlamentin Europian. Kjo rrezikon votimin nga shumica e  eurodeputetëve të Parlamentit Evropian javën e ardhshme, pa të cilin ajo nuk do të mund tê konfirmohet si presidente e ekzekutivit evropian. Shkëmbimi i ideve me grupimin e socialdemokratëve dhe atë të gjelbërve në Parlamentin Evropian ka rezultuar pothuajse katastrofik. Por edhe vetë grupimi i saj i partisë popullore evropiane nuk ka dalë hapur në mbështetje të saj, pasi liderët evropianë kanë rrëzuar kandidaturën e këtij grupimi, Manfred Weber. I vetmi grupim që e mbështet hapur është ai i liberalëve dhe demokratëve. “Renew Europe”.

Iratxe García Pérez, kryetare e grupimit socialdemokrat (S&D): “Ne sot përcollëm një mesazh të fortë të familjes tonë politike. Lufta kundër ndryshimeve politike, arritja e një modeli social evropian të qëndrueshëm, politika e emigracionit dhe barazia gjinore janë prioritete absolute për ne. Ne kemi bërë disa kërkesa specifike për von der Leyen dhe do presim qëndrimin e saj specifik ndaj këtyre kërkesave. Do të diskutojmë sërish mbi këtë para se të japim votën tonë  javën e ardhshme”.

Dacian Ciolos, president i grupimit të liberalëve dhe demokratëve “Renew Europe”: “Ne i kërkuam Ursula von der Leyen një mekanizëm evropian për të siguruar që të gjitha qeveritë e Bashkimit Evropian të respektojnë shtetin ligjor. Ky mekanizëm duhet shoqëruar me sanksione. Ne kërkojmë gjithashtu zhvillimin e një ekonomie tê pastër dhe efektive duke integruar jo vetëm nevojat e mbrojtjes së mjedisit, por edhe procesin e dixhitalizimit. Ne diskutuam edhe për një Evropë tê fortë ushtarakisht por edhe për politikën e fqinjësisë, duke adresuar partneritetet e Lindjes dhe të Jugut, por dhe marrëdhëniet me rajonin e Ballkanit”.

Dalja e parë e Ursula von der Leyen para shtypit nuk ka shërbyer në forcimin e imazhit të saj. Katër idetë e përçuara në konferencën për shtyp nuk janë risi. Bëhet fjalë për fondin e tranzicionit ekologjik, rrogën minimale në Bashkimin Europian, konsiderimin e iniciativave legjislative me shumicë absolute të Parlamenti Evropian në rendin e ditës së Komisionit Europian, si edhe  një prezencê më të madhe të Europës në botë

Ursula von der Leyen, kandidate për presidente e KE-së: “Duhet të jemi më ambiciozë. Dioksidi i karbonit (CO2) duhet të ketë një çmim. Ne duhet të veprojmë më shpejt, për objektivat e fiksuara për vitit 2030, duke qenë se neutraliteti i klimës deri në vitin 2050 është një domosdoshmëri. Unë besoj se është e mundur të pajtojmë ndërgjegjen e klimës me një ekonomi të fortë dhe të begatë. Duhet të kemi një fond tranzicioni të klimës për të mbështetur këtë periudhë tranzicioni për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që janë zemra e ekonomisë evropiane. Së dyti, në çdo shtet të Bashkimit Evropian, puna duhet të mundësojë një jetë sa më tê  mirë. Unë do të luftoj për një pagë minimale në të gjitha vendet e BE. Së fundmi, është kyçe që të kemi një Evropë të fortë dhe të bashkuar që merr rolin e saj në botë. Bota po thërret për më shumê Evropë, duke kërkuar më shumë angazhim nga Europa”.

Momentalisht, Bashkimi Europian nuk ka një plan B nëse Ursula von der Leyen nuk votohet nga shumica e eurodeputetëve javën e ardhshme dhe as për impaktin që kjo mund të ketë te kandidati për përfaqësues së politikës së jashtme dhe të sigurisë, Joseph Borrel./ABC News Albania 24/7

LAJME-19-00.mpg_snapshot_09.30-1280x720.jpg
ent ela20:10 | 03/07/2019

Deputetja socialiste Klotilda Ferhati ka komentuar gjithashtu në studion e  Mbrëmje në ABC News edhe deklaratat më të fundit të Presidentit Ilir Meta. Në këndvështrimin e saj, Kreu i Shtetit e ka kthyer institucionin e Presidencës në qesharak, duke tejkaluar rolin e tij dhe duke cënuar sovranitetin e popullit.

“Për herë të parë institucioni i Presidentit është kthyer në qesharak dhe nuk shoh asnjë mënyrë riparimi të kësaj situate. Presidenti e ka tejkaluar rolin e tij dhe nuk e ka një të drejtë të parashikuar në Kodin Zgjedhor po ka cënuar sovranitetin popullit. Ne kemi diskutuar për çështje të shkeljes kushtetuese, por kanë cënuar, jo vetëm sovranitetin, por edhe të ndërhynë në të drejtën e zgjedhjeve dhe janë situata shumë të rënda”.

Për Ferhatin Presidenti e ka thyer parimin e unitetit kombëtar dhe parimet kushtetuese.

“Për reagimet e fundit e ka kthyer në qesharak institucionin. Nuk ndihem mirë që dëgjoj Presidentin e vendin tim, ka shkelje me anulimin e zgjedhjeeve, parimeve kushteuese dhe thyerje të parimit të unitetit të kombit, në momentin kur qëndron në njërën anë dhe nuk qëndron mbi palët. Ndihem e keqardhur dhe më vjen keq”.

E pyetur sesi do të reagojë mazhoranca në 12 gusht nëse kryebashkiakët e djathtë nuk lirojnë bashkitë, ajo përgjigjet:

“Paligjshmëritë që kanë kryer opozita e rrugës nuk ka çuar kurrkund. Kryetarët e bashkive me vendim gjykate vërtetohen që janë kryetarë bashkish të dalë nga zgjedhjet. Dhe në këtë moment veprojnë mekanizmat e ekzekutimit të vendimeve të formës së prerë. Është vepër penale kundërshtia.

Shpresoj shumë reflektim të opozitës dhe Presidentit. Të ndalohen këto sjellje që bien ndesh me parimet e demokracisë. Dialogu është vetmja zgjidhje dhe dialogu për reformën zgjedhore”. /abcnews.al

presidenca-1-1280x533.jpg
nev ila18:42 | 27/06/2019

Presidenca i ka dhënë përgjigje indirekt qëndrimit të dhënë nga Zv.Ndimës Sekretari i SHBA-ve, Mathew Palmer, duke dhënë vlerësime vetëm për qëndrimin e Kryetarit të Komisionit të Politikës së Jashtme të Kongresit Amerikan, Eliot Engel.

Zëdhënësi i Presidentit, z.Tedi Blushi i pyetur nga mediat mbi deklaratat e bëra nga z.Palmer në VOA deklaroi se:

Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta vlerëson deklaratën e përgjegjshme, të vëmendshme e njëkohësisht shqetësuese të Kryetarit të Komisionit të Politikës së Jashtme të Kongresit Amerikan, Eliot Engel, këtij miku të sprovuar të Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve, mbi situatën e vështirë politike në Shqipëri dhe mbi rëndësinë imediate të rivendosjes së dialogut dhe shtetit të së drejtës.

Presidenti i Republikës siguron Kryetarin e Komisionit të Jashtëm të Kongresit Amerikan, z.Eliot Engel dhe të gjithë miqtë e vërtetë të Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, se po bën dhe do të bëjë të gjitha përpjekjet që Shqipëria të mund të organizojë zgjedhje vendore gjithëpërfshirëse, demokratike, me standarde, të lira dhe të ndershme, ashtu siç e meriton një vend i NATO-s dhe një vend që dëshiron të bëhet anëtar i Bashkimit Europian“, duke mos u shprehur për qëndrimin e Matthew Palmer./abcnews.al

 


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono