Premier Ligë

shane-long.jpg
Sej rie13:15 | 24/04/2019

Futbollisti Shejn Long shënoi golin më të shpejtë për të gjitha kohët në Premier Ligë. Ai realizoi pas 7 sekondash, aq sa është edhe goli më i shpejtë në Superligën shqiptare, shënuar nga Migen Memelli i Tiranës.

Futbolli anglez ka një rekord të ri.

Futbollisti i Sauthemptonit, Shejn Long, realizoi golin më të shpejtë në historinë e Premier Ligës, në ndeshjen e luajtur në fushën e Uatfordit.

Longut iu deshën vetëm 7 sekonda për ta dërguar topin në rrjetë, e për t’i dhënë epërsinë skuadrës së tij, që lufton për të mos rënë nga kategoria, ndërsa ndeshja përfundoi 1-1.

Rekordi i mëparshëm i Premier Ligës mbahej nga ish-lojtari i Totenhemit, Ledli King, vendosur në vitin 2000.

Mbrojtësi shënoi pas 10 sekondash në përballjen kundër Bredfordit, dhe kjo kohë mbeti në fuqi për 19 vjet.

Vlen të theksohet se me këtë rekord, Premier Liga angleze u barazua me një kampionat shumë më pak të vlerësuar, si Superliga e Shqipërisë.

Në prill të vitit 2009, sulmuesi i Tiranës, Migen Memelli, shënoi në portën e Flamurtarit vetëm pas 7 sekondash, dhe kjo arritje mbetet në fuqi edhe sot e kësaj dite.

Ishte edhe sezoni i fundit, në të cilin Tirana doli kampione e vendit.

Rekordi botëror është shumë më i shpejtë, dhe mbahet nga dy lojtarë.

Në vitin 2009, Nauaf Al Abed shënoi për 2 sekonda në ndeshjen Al Hilal-Al Shoalah në Arabinë Saudite, ndonëse ndeshja nuk u quajt e rregullt sepse u aktivizua një lojtar I palicencuar.

Në vitin 2017, Endrju Alston shënoi po pas dy sekondash në ndeshjen Hempsted-Renegejds, në një ligë të rinjsh në Skoci./abcnews.al

MANCESTER-SITI-FITON-NE-ANGLI-1280x784.jpg
ent ela19:51 | 30/03/2019

Mançester Siti u ngjit në krye të renditjes në Premier Ligën angleze. Skuadra e trajnerit Pep Guardiola mundi 2-0 Fulhamin dhe kaloi mbi Liverpulin

Gara për titull rinisi, madje ashtu siç duhet. Mançester Siti nuk e pati aspak problem të merrte tri pikët në Londër, në stadiumin e Fulhamit, dhe të ngjitej menjëherë në krye të renditjes së Premier Ligës.

Epërsia e plotë në pjesën e parë ishte vendimtare, pasi u shënuan të dy golat në suksesin pikërisht 2-0. Bernardo Silva kaloi në epërsi kampionët që në minutën e 3-të, dhe Sergio Aguero dyfishoi shifrat pa kaluar as gjysmë ore lojë, ndërsa Siti po luante futboll me një portë.

Kjo ishte fitorja e shtatë radhazi në kampionat e djemve të trajnerit Pep Guardiola, që mund të kishin fituar shumë më thellë.

Nuk e bënë, edhe sepse humbën raste, por edhe sepse nuk ishte nevoja. Edhe një trajner si Guardiola, edhe një ekip spektakolar si Siti duhet të bëjnë llogari dhe të kursejnë energji për pjesën e mbetur të sezonit, kur duhet fituar jo vetëm titulli në Angli, por sidomos Championsi.

Me këtë sukses, u arrit niveli I 77 pikëve ndaj 76 të Liverpulit. Nëse krahason fitoren e Sitit me atë të Liverpulit pikërisht në fushën e Fulhamit, kupton se skuadra e Guardiolës e pati më të lehtë, pra mund të quhet favorite për titullin. Gjithsesi, gara do të jetë e fortë deri në fund, dhe kampion do të shpallet ai ekip që do të gabojë më pak./abcnews.al

man.jpg
ent ela16:13 | 11/02/2019

Mançester Siti arriti një fitore të jashtëzakonshme në Premier Ligën angleze, duke mposhtur Çelsin 6-0. Skuadra e Pep Guardiolës u ngjit sërish në krye të renditjes.

Një humbje e tillë kishte 28 vjet që nuk ndodhte. Çelsi pësoi një katastrofë të vërtetë në fushën e Mançester Sitit, duke u mundur me shifrat 0-6, madje me katër gola të pësuar që në pjesën e parë. Skuadra londineze, që e nisi sezonin me pretendime për titullin, tani rrezikon të mos kualifikohet as për në Champions, dhe ka zbritur në vendin e gjashtë në renditjen e Premier Ligës.

Ishte një sukses i jashtëzakonshëm i Sitit, madje edhe për standardet e larta të vendosura nga trajneri Pep Guardiola. Heroi i ndeshjes ishte sulmuesi Kun Aguero, autor i tri rrjetave. Jo më kot, argjentinasi është shënuesi më i mirë në historinë e klubit me 222 gola gjithsej. Fitorja bëri që Siti të ngjitej sërish në krye të renditjes, me pikë të barabarta me Liverpulin, por me golaverazh më të mirë.

Gjithsesi, skuadra e Guardiolës ka luajtur një ndeshje shumë sesa ajo e Jurgen Klopit. Duket se gara për titull do të jetë shumë e fortë këtë vit, ndërsa analistët theksuan se Liverpuli duhet të fitojë çdo ndeshje deri në fund të sezonit, për t’ia dalë ndaj një rivali kaq të fortë.

Sa për Çelsin, duket se trajneri Mauricio Sarri, do ta humbasë shpejt postin e tij. Presidenti i Bluve të Londrës, Roman Abramoviç, nuk njihet si njeri me durim të madh, dhe nuk besohet t’ia falë një disfatë kaq të thellë. /abcnews.al

city.jpg
G. P.13:44 | 07/02/2019

Manchester City u ngjit në krye të Premier Ligës angleze, pas fitores 2-0 ndaj Evertonit. Gjithsesi, trajneri Pep Guardiola deklaroi se titulli është ende larg.

Kthesa ndihej që ishte afër dhe ajo ndodhi. Ndoshta vetëm përkohësisht, por Manchester City u ngjit në krye të Premier Ligës angleze, me pikë të njëjta me Liverpoolin, por me golaverazh më të mirë. Të besuarit e trajnerit Pep Guardiola e luajtën më shpejt sesa rivalët ndeshjen e 26-të të kampionatit, ndërsa ata kanë ende 25 takime.

Nuk ishte aspak e lehtë fitorja në stadiumin klasik anglez, “Gudison Park” ndaj Evertonit, por City u duk sidoqoftë një skuadër e madhe. Parashikimet ishin që skuadra spektakolare sulmuese do të vuante në mbrojtje, por Guardiola tregoi se di të forcojë prapavijën.

Kjo bëri që City të përballonte një kundërshtar të fortë fizikisht dhe me lojë agresive, diçka që Liverpool-i nuk arriti ta bënte siç duhet të hënën në fushën e Uest Hemit.

Edhe golat treguan përvojën që kanë sot futbollistët e City-t. Mbrojtësi Almerik Laporte, më i miri lojtar i ndeshjes, shënoi në sekondat shtesë të pjesës së parë, dhe kjo ishte gjuajtja e parë në kuadrat e miqve. Sulmuesi Gabriel Zhezus realizoi në sekondat e fundit të krejt sfidës për shifrat përfundimtare 2-0.

“Të mos harrojmë se ne jemi në vend të parë vetëm sepse kemi luajtur një ndeshje më shumë, – u shpreh Guardiola pas takimit, për të ulur euforinë,ka edhe 12 sfida, duke nisur me atë të fundjavës ndaj Çelsit. Nuk duhet as të gëzohemi, as të hidhërohemi para kohe. Një muaj më parë, ne mund të kishim qenë 10 pikë prapa Liverpulit, sot jemi në krye, mësimi është që të mos dorëzohesh kurrë”.

Manchester City ka 62 pikë, po aq sa Liverpool-i, por me golaverazh plus 48, ndaj plus 41 të ekipit të trajnerit Jurgen Klop, që ka një ndeshje më pak./abcnews.al

city-dhe-liverpool.jpg
G. P.17:22 | 03/01/2019

Premier Liga angleze ka sonte sfidën e saj më të madhe. Manchester Siti pret Liverpool-in kryesues, në orën 21:00, në një duel që mund të jetë vendimtar për titullin.

Ndoshta, me pak më shumë fat, do të kishte qenë ndryshe. Manchester City humbi shansin e madhe për të mundur Liverpool-in në “Anfield” në fazën e parë të Premier Ligës, ndërsa tani ka mundësinë e dytë, e ndoshta të fundit, nga formacionit të kuq. Kanë kaluar gati 3 muaj që nga ajo mbrëmje e 10 Tetorit dhe skuadra e trajnerit Pep Guardiola është sot 7 pikë prapa Liverpulit që kryeson kampionatin në Angli.

Të mbiquajturit “qytetarët” po përgatiten të ndërgjegjshëm se fitorja është detyrim në sfidën e orës 21:00 në stadiumin e tyre, “Etihad”. Vetë Guardiola nuk ngurron ta thotë hapur këtë.

“Sot, askush nuk ka besim tek ne. Thuajse gjithkush po parashikon se çfarë mund të ndodhë nëse ne humbasim, por e vërteta është se ne mund të fitojmë ndaj Liverpool-it. Për momentin, Liverpool-i është skuadra më e mirë në Europë, madje në botë, ka vazhdimësi dhe di të kontrollojë ndeshjet deri në detaj. Ne duhet të fitojmë, pasi nëse nuk ia dalim, do të jetë e vështirë të luftojmë për titullin. Gjithsesi, unë jam i lumtur me paraqitjen e skuadrës sime”.

Po Liverpool-i, si është me moral në prag të sfidës kryesore të sezonit?

Skuadra e trajnerit Jurgen Klopp ka 9 fitore radhazi në kampionat, duke qenë tepër e fortë si në sulm, ashtu edhe në mbrojtje. Ajo ka jo vetëm një formacion bazë shumë cilësor, por edhe një stol të mbushur me alternativa të rëndësishme, ndryshe nga vjet. Gjithsesi, trajneri gjerman nuk ka asnjë iluzion.

“Do të luajmë një ndeshje shumë të vështirë, nga më të vështirat në futbollin modern botëror. Për mendimin tim, City mbetet sërish skuadra më e mirë e botës. Sezonin e kaluar ata fituan 100 pikë. Si mundet që ata vazhdojnë të jenë kaq mirë? Të pamëshirshëm, plot me dëshirë, të uritur. City ka gjithçka që i duhet një skuadre për të qenë e suksesshme. Dhjetori nuk ishte muaji i duhur për ta, por tani jemi në Janar”.

Klopp ka një bilanc pozitiv ndaj Guardiolës, dhe fare mirë mund të quhet “macja e tij e zezë”. Gjermani ka fituar 8 ndeshje, barazuar 2 dhe humbur pesë. Në Gjermani, të dy u ndanë në barazim, me nga 4 fitore secili, por Klopi ka epërsi të ndjeshme në Angli dhe përballja e sotme luhet pikërisht në Premier Ligë.

Dy skuadrat priet të luajnë me formacionet e tyre më të mira, pasi dëmtimet janë të paktë. De Bruyne është rikthyer për City-n, po ashtu Liverpool-i do të ketë në fushë treshen e famshme të sulmit. Parashikimet japin favorite skuadrën vendase për të marrë fitoren dhe për të shkurtuar diferencën me kreun./abcnews.al

city.jpg
G. P.21:52 | 25/11/2018

Mançester Siti dhe Liverpuli duken skuadrat e vetme pretendente për titull në Angli. Gjithsesi, trajneri i Sitit, Guardiola, nuk është ende i kënaqur nga lojtarët e tij.

Pritej të ishte një garë treshe, por duket se ka një reduktim. Mançester Siti e Liverpuli vazhduan me fitoret në Premier Ligë, duke u shkëputur nga rivali tjetër, Çelsi, që pësoi disfatë në derbin e Londrës. Skuadra e trajnerit Pep Guardiola konfirmoi sërish se është favorite për titullin kampion, me suksesin 4-0 në fushën e Uest Hemit. Të mbiquajturit “qytetarët” jo vetëm dinë të fitojnë, por edhe të japin spektakël duke shënuar shumë gola. David Stërling, Silva dhe Sane ishin autorët e tyre, Gjithsesi, Guardiola sërish nuk ishte plotësisht i kënaqur.

“Në pjesën e parë ishim nën nivelin e duhur, – tha trajneri katalanas, – lojtarët u vonuan shumë për të pasuar topin, por pas pushimit ishim më mirë. Ne nuk mund të kënaqemi me këtë që po bëjmë, pasi duam të mbrojmë titullin, diçka që nuk ka ndodhur kurrë tek Siti. Liverpuli po zhvillon sezonin më të mirë në histori, dhe kjo na motivon edhe më shumë”.

Liverpuli vërtet po luan edicionin më të mirë, edhe pse është një skuadër me shumë më tepër emër se Siti. Triumfi 3-0 në fushën e Uatfordit bëri të mundur që skuadra e Jurgen Klopit të mbetej në vend të dytë, vetëm dy pikë larg Sitit, ndonëse nuk është në gjendje të shënojë aq shumë sa ajo. Salah, Arnold dhe Firmino ishin protagonistët e rrjetave, ndërsa Shaqiri luajti si titullar për 74 minuta.

Po me Çelsin çfarë ndodhi?

Formacioni i trajnerit Mauricio Sarri humbi në mënyrë të merituar derbin me Totenhemin, në stadiumin “Uembli”. Blutë e Londrës u duk sikur po luanin një miqësore, dhe morën kritika të mëdha nga analistët, ndërsa Spërsat luajtën vërtet si në një derbi. Dele Ali, Kejn dhe koreanojugori Son shënuan për vendasit, që kaluan Çelsin në renditje, me 30 pikë ndaj 28. Sarri kritikoi ashpër lojtarët e tij, ndërsa blutë mbetën 7 pikë larg kreut, ndonëse ende në zonën Champions./abcnews.al

shaqja.jpeg
G. P.21:26 | 11/11/2018

Xherdan Shaqiri ishte sërish vendimtar për Liverpulin në Premier Ligën angleze. Shqiptari i Zvicrës shënoi gol në fitoren e radhës, duke lënë pas humbjen e pësuar në Beograd.

Nga një përforcim i mirë është kthyer në një lojtar thuajse të domosdoshëm. Xherdan Shaqiri ia mori “me dhunë” Jurgen Klopit vendin në formacion, dhe tashmë gjithçka që del nga këmbët e tij kthehet në “ar”. Mungesa e shqiptaro-zviceranit padyshim u ndje në Beograd, në humbjen 0-2 në Champions ndaj Crvena Zvezdës, por ja që “muzika” ndrysho sapo Liverpuli u kthye në Angli.

Fitore 2-0 ndaj Fulhamit në “Anfild”, me gola të Mohamed Salahut dhe pikërisht të Shaqirit, nga një në secilën pjesë loje. Miqtë nuk patën fat me gjykimin kur iu anulua një gol i sulmuesit serb, Mitroviç, që u duk i rregullt, dhe vetëm 14 sekonda më pas, Salah kaloi vendasit në epërsi.

Shaqiri luajti për 81 minuta dhe u vlerësua me një notë mjaft të lartë, 7.5, po aq sa Mohamed Salah, duke qenë dy nga më të mirët për ekipin e Klopit. Liverpuli luajti keq në pjesën e parë, duke e ndjerë goditjen e marrë në Serbi, por goli i egjiptianit bëri që gjërat të ndryshonin dhe fitorja të ishte jo me shumë mundim.

Të kuqtë u ngjitën në kuotën e 30 pikëve në Premier Ligë, me 3 gola të shënuar e vetëm 5 të pësuar, dhe misioni “titull” vazhdon të realizohet me sukses. Nëntë fitore, tre barazime e zero humbje, është bilanci në kampionat deri tani këtë sezon.

FITON-MANCESTER-JUNAJTID-1280x720.jpg
ent ela21:29 | 03/11/2018

Mançester Junajtidi arriti një fitore dramatike në kampionatin anglez, me gol të shënuar në minutën e fundit. Skuadra e trajnerit Zhoze Murinjo iu afrua zonës Champions, por e ardhmja duket sërish e vështirë.

Një sezon tepër i vështirë, edhe pse shpresa mbetet. Mançester Junajtid thuajse u ndëshkua në sfidën e radhës në Premier Ligë, një duel në fushën e Bornmuthit që përmblodhi mënyrën sesi po shkon ky vit sportiv.

Të besuarit e Zhoze Murinjos rrezikuan të humbisnin ndaj një rivali jo me emër të madh, por tepër të fortë në fushën e lojës. Fati i ndihmoi, por po ashtu duket se trajneri portugez po di të motivojë lojtarët e tij që të reagojnë në momentet më të vështira.

Antoni Marsial dhe Markus Rashford ishin autorët e golave për fitoren 2-1, në një ndeshje që mund t’i kishte pasur të tre rezultatet. Gjithsesi, pas një pjese të parë tepër të vështirë, Junajtid reagoi pas pushimit, dhe pse goli i fitores erdhi në sekondat e fundit.

“Djajtë e kuq” janë tashmë me 20 pikë në renditjen e Premier Ligës, jo shumë larg zonës Champions. A mund të thuhet se ekipi i Murinjos e kaloi krizën dhe se tani mund të pretendojë për trofe?

Vetë portugezi nuk ka dashur të flitet për titullin, pasi diferenca me skuadrat e kreut është ende e madhe. Mançester Siti, Liverpuli dhe Çelsi janë për momentin më të fortë. Për më tepër, duhet pritur e duhet parë nëse trajneri do të arrijë të sheshojë konfliktet me lojtarët e tij, sidomos me Pol Pogbanë, si dhe me drejtuesit e klubit.

Nëse në “Old Traford” nuk do të ketë qetësi, është e pamundur të flitet për suksese të Mançester Junajtidit./abcnews.al

HUMB-JUNAJTID-RREZIKON-MURINJO-1280x720.jpg
ent ela20:11 | 29/09/2018

Zhoze Murinjo është edhe më pranë shkarkimit nga detyra, ndërsa Mançester Junajtidi pësoi një tjetër humbje. Skuadra e madhe angleze vazhdon të jetë e përçarë nga konfliktet e brendshme.

Në gati 30 vjet nuk ishte parë një nisje e tillë.

Kriza e rezultateve, dhe padyshim e lojës, nuk po i ndahet Mançester Junajtidit, me trajnerin e famshëm, Zhoze Murinjo, sërish të turpëruar keq.

Në fushën e Uest Hemit, sfida e Premier Ligës përfundoi 3-1 për vendasit, ndërsa skuadra e madhe u shfaq sërish e përçarë, e çoroditur dhe e dorëzuar.

Nëse Murinjo ishte një njeri i pashpresë në stol, Pol Pogba, ylli i mbiquajtur më i madh i “djajve të kuq”, u duk si një lojtar që kishte dalë në “Stadiumin e Londrës” për të luajtur sipas dëshirës së tij, jo siç i takon një kampioni të madh.

Nuk është shumë e qartë se përse Barcelona apo Juventusi po përpiqen ta marrin francezin.

Sidoqoftë, më keq e ka Murinjo, pasi kur mungojnë rezultatet, i pari që e pëson është trajneri, dhe jo futbollistët.

Junajtid ndodhet në mesin e tabelës, një pozicion që në vitet e arta të Sër Aleks Fergusonit as që mund të mendohej.

Ka vetëm 10 pikë pas 7 ndeshjeve, dhe madje golaverazh negativ, me 10 të shënuar e 12 të pësuar.

Diferenca me kreun tashmë është rreth 10 pikë, tepër shumë kur jemi vetëm në fund të muajit shtator.

Shpresë për kualifikim në Champions matematikisht ka plot, por nuk mund të ketë garanci për asgjë, nëse nuk shuhet konflikti Murinjo-Pogba, qoftë duke u pajtuar, qoftë duke u larguar njëri prej tyre nga “Old Trafordi”. /abcnews.al

 

LIVERPULI-FITON-TE-PESTEN-1280x627.jpg
ent ela21:34 | 15/09/2018

Liverpuli vazhdoi serinë e fitoreve në kampionatin anglez. Skuadra e trajnerit Jurgen Klop triumfoi në një sfidë shumë të vështirë në fushën e Totenhemit.

Ende nuk mund të thuhet se është viti i duhur, por besimi po shtohet.

Liverpuli arriti fitoren e pestë radhazi, në pesë ndeshje të luajtura, në Premier Ligën angleze, madje një nga ato që vendosin sezonet.

Suksesi 2-1 në fushën e Totenhemit ishte një deklaratë e fortë për synimet për titull të skuadrës së drejtuar nga trajneri Jurgen Klop.

Në një sfidë të vështirësisë maksimale, ndër më të fortat që mund të ofrojë kampionati, miqtë ishin padyshim skuadra më e pjekur, dhe që e meritoi plotësisht triumfin.

Shënoi dy gola dhe pësoi vetëm një, ndërsa krijoi rastet më të mira në stadiumin mitik “Uembli”.

Vajnaldum dhe Firmino ishin ata që konkretizuan lojën agresive dhe tepër të shpejtë të të kuqve, që kaluan testin më serioz të Premier Ligës deri tani.

Liverpuli u tregua sërish si ekip me lojë të përcaktuar mirë, me mbrojtje të fortë, dhe që vepron rrufeshën në sulm, sapo merr topin në zotërim, ndihmuar nga lojtarë të veçantë si Salah, Firmino, Mane apo Keita.

Gjithsesi, ky ishte vetëm fillimi i periudhës shumë të vështirë për të besuarit e Klopit, të cilët do të luajnë ndeshje shumë të vështira në kampionat dhe në Champions, duke pasur përballë kundërshtarë të tillë si Napolin, Mançester Sitin apo dy herë Çelsin.

Sidoqoftë, me 15 pikë të plota dhe me golaverazhin domethënës 11-2, Liverpuli i ka të gjitha kartat në rregull për të pretenduar fitimin e titullit pas 29 vitesh. /abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono