prehistoria

termete.jpg
ad min16:55 | 28/09/2019

Tërmeti i datës 21 shtator 2019 i frikësoi shqiptarët. Edhe pse nuk pati viktima, edhe pse dëmet materiale nuk ishin të konsiderueshme, paniku nga dridhjet, që vijuan edhe në ditët në vijim, ishte i madh. Në fakt shqiptarët duhet të kenë frikë nga tërmetet.

Emisioni Abc Story sjell sot në mbrëmje, në orwn 22:15 një histori të tërmeteve më shkatërruese që kanë goditur vendin tonë qysh nga prehistoria. Statistikat thonë se Shqipëria vendoset mes 50 vendeve me rrezikshmëri të lartë dhe historia dëshmon se, qysh në lashtësi, tërmete shkatërrues, me intesitet 6 deri në 7 ballë, kanë qenë të shpeshtë.

Zonat më të rrezikuara nga lëkundjet e tokës, janë Shkodra e Lezha në veri, Durrësi e Tirana në qendër të vendit dhe Vlora e Himara në jug. Në Durrës, vendndodhja nëntokësore e tërmeteve të fundit, në zonën ku shtrihet ky qytet dhe një pjesë e nëntokës së detit pranë tij, nuk janë pjesë e një ngjarjeje të rastësishme.

Sipas studimeve të ndryshme, qyteti i Durrësit, në nëntokën e të cilit gjenden Sedimente Kuaternare shumë të dobëta, përfaqëson zonën më të rrezikshme bregdetare në Shqipëri. Këtë e tregojnë edhe tërmetet e shumta dhe shkatërrimtare, nisur nga viti 177 para erës sonë, në vitet 300 dhe 500, në shekullin e 13 dhe sidomos në vitet 1800.

Kështu, tërmeti i shekullit të 5, që pothuaj e rrafshoi Durrësin, e detyroi Perandorin Bizantin, Anastasin e Parë, i cili ishte me origjinë nga ky qytet, që të ndërtonte një mur mbështetës, rreth 12 metër të lartë, me qëllim që të mbronte muret e kalasë së qytetit.

Një nga tërmetet më të fortë, që kanë goditur Durrësin, listohet ai i vitit 1273, pas të cilit banorët, të terrorizuar nga lëkundjet e vazhdueshme, u detyruan në braktisnin qytetin dhe të gjenin strehim në Berat.

Zbritur në jug edhe Vlora dhe rrethinat e saj përbëjnë një tjetër teatër të rrezikuar nga tërmetet. I fiksuar në një pikturë të publikuar në për herë të parë në një gazetë gjermane, tërmeti më shkatërrues në trojet shqiptare duket se mban datën 12 tetor 1851. Në pamje duket qyteti i Vlorës në pluhur e flakë dhe banorët, të cilët të frikësuar nga ajo që po ndodhte me tokën e paqëndrueshme nën këmbët e tyre, që po largohen me varka në det të hapur.

Përpara se të vendosnin të arratiseshin përmes detit, banorët kishin ndier e parë situata e skena nga ferri; shpërthime të fuqishme ishin dëgjuar për disa minuta të gjata të shoqëruara me lëkundje të frikshme tërmeti. Pothuaj të gjitha banesat e tyre ishin shembur. Flaka dhe pluhuri kishin errësuar qiellin dhe deti ishte turbulluar nga një valë cunami, dy këmbë e lartë, siç është fiksuar në histori.

Tërmeti do të shkaktonte rreth 2 mijë viktima në Shqipërinë e Jugut dhe të Mesme. 400 ushtarë do të varroseshin njëkohësisht nga rrëzimi i një muri në kalanë e Beratit, ndërkohë që, disa kilometra me tej, maja e një mali do të rrokullisej me një hungërime kërcëllitëse.

Ecur kronologjikisht, më 1 qershor të vitit 1905, një tërmet me magnitudë 6.6 goditi Shkodrën dhe zonat rreth saj duke shkaktuar 120 të vdekur. Në fund të vitit 1930 ka pasur dy tërmete me 60 të vdekur gjithsej, më 27 gusht 1943 tëmeti u ka marrë jetën 43 shqiptarëve, ai i 30 nëntorit 1967 vrau 18 njerëz, ndërsa ai i 15 prillit 1979  35 të tjerë.

Më i afërti në kohë, tërmeti i 15 prillit të vitit 1979, me magnitudë 6.9, me qendër diku në Petrovac të Malit të Zi, ishte tejet shkatërrimtar. 1 487 ndërtesa u rrafshuan me tokën, 101 njerëz humbën jetën. Disa qytete bregdetare me qendra historike, si Budva apo edhe Tivari i Vjetër, pësuan dëmtimet më të mëdha – pas nuk mbeti as Ulqini, një qytet që banohet pothuaj krejtësisht nga shqiptarët.

Kaptuar në territorin shqiptar tërmeti shkaktoi dëme të konsidrueshme në Shkodër e rrethina, ku disa fshatra pranë lumit Buna u shkatërruan krejtësisht, por dëme të mëdha pati edhe në Lezhë.

“Tërmeti tundi malet, por jo zemrat tona”, ishte sllogani i shtetit komunist shqiptar, si pjesë e një propagande të shfrenuar që mbulonte me një shtresë të trashë mjalti plagët reale të popullatës së zonave të prekura nga tërmeti.

E njëjta propagandë e shfrenuar, që sot tingëllon e trashë dhe e pakuptimtë, ka mbuluar edhe plagët e tërmetit të datës 3 prill 1969, me epiqendër në Mallakastër, që la të pastrehë mijëra njerëz, një histori që Abc Story e sjell të plotë përmes një dokumentari propagandistik të kohës./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono