PPE

basha-live1.jpg
G. P.15:28 | 21/03/2019

Kryetari i Partisë Demokratike përmes një postimi në rrjetet sociale nga Brukseli, shprehet se ka marrë mbështetjen e PPE-së (Partive Popullore Europiane) për aksionin opozitar që po zhvillon në Shqipëri.

Lideri i PD-së,  e cilëson si mbështetje mesazhin e Joseph Daul për demokracinë dhe shtetin ligjor gjatë fjalës së tij.

Presidenti i PPE-së Joseph Daul në emër të të gjithëve deklaroi qartë se “ne nuk mund të bëjmë kompromise me demokracinë, shtetin ligjor dhe lirinë e medias”. PD po lufton për të njëjtat vlera europiane në Shqipëri dhe në këtë betejë kemi mbështetjen e PPE, familjes sonë politike“, shkruan Basha./abcnews.al

viktor_orban_parlement_europe_-m.jpg
G. P.22:59 | 20/03/2019

Partia Popullore Europiane ka votuar të mërkurën pro dëbimit nga radhët e saj të partisë së kryeministrit hungarez Viktor Orban. Shkak për këtë penalizim u bë retorika anti-BE e Orban, si dhe ndërhyrjet e tij në pavarësinë e gjyqësorit dhe fushata e ashpër kundër emigrantëve.

Partia Popullore Europiane ka votuar të mërkurën pro dëbimit të partisë së kryeministrit hungarez Viktor Orban, FIDESZ. Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i qendrës së djathtë europiane, Xhozef Daul.

Grupimi politik, që është më i madhi në Parlamentin Europian, u mblodh posaçërisht në Bruksel për të vendosur mbi të ardhmen e partisë FIDESZ.

Në një postim në rrjetin social Twitter, kryetari Daul deklaroi se subjekti në fjalë do të pezullohej nga anëtarësimi në PPE me efekt të menjëhershëm. Në favor të kësaj lëvizjeje shkuan 190 vota pro dhe 3 kundër.

Kjo do të thotë se partia e kryeministrit hungarez nuk do të marrë më pjesë në takimet e PPE-së, nuk do të ketë më të drejtë vote dhe nuk do të mund të propozojë më kandidatë.

Më herët, FIDESZ deklaroi se do të largohej vetë nga PPE nëse kjo e fundit do të vendoste pezullimin e saj. Takimi i së mërkurës erdhi pas muajsh të tërë tension mes Orban dhe disa prej kolegëve të tij në qendrën e djathtë europiane.

Situata u acarua më tej kur qeveria e tij publikoi një poster ku akuzonte presidentin e Komisionit Europian Zhan Klod Junker për promovimin e politikave pro-emigracionit, të cilat sipas saj kërcënonin sigurinë kombëtare të Hungarisë.

Ndërkohë, në politikën e brendshme Orban është akuzuar nga kundërshtarët e tij për nxitje të urrejtjes, për ndërhyrje në pavarësinë e gjyqësorit dhe për dorë të hekurt në dëm të medias./abcnews.al

basha-5.jpg
G. P.21:53 | 20/03/2019

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha nga dita e mërkurë ndodhet në Bruksel, ku ka marrë pjesë në Asamblenë politike të Partisë Popullore Europiane.

Si njofton vetë kreu i demokratëve përmes një postimi në rrjetin social Twitter, gjatë vizitës në Bruksel ka takuar edhe Anegert Kramp–Karrenbauer, kryetaren e CDU-së, të cilës i ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen në hartimin e programit ekonomik të forcës politike që ai drejton.

Nuk dihet nëse vizita e kreut të demokratëve do të zgjatet edhe ditën e enjte, apo Basha do të kthehet për t’iu bashkuar protestuesve, që opozita ka thirrur përpara godinës parlamentare në orën 9:30, duke i paraprirë mbledhjes së parlamentit në seancë plenare./abcnews.al

viktor_orban_parlement_europe_-m.jpg
ent ela21:01 | 01/03/2019

Partitë Popullore Europiane kanë nisur një fushatë për përjashtimin e partisë së kryeministrit hungarez Viktor Orban. Burime nga PPE kanë deklaruar se përpjekjet 10-vjeçare për ta vendosur Orban në të njëjtën linjë me vlerat dhe parimet europiane kanë dështuar. Po sipas të njëjtave burimeve, në Hungari situata e të drejtave themelore dhe e shtetit të së drejtës sa vjen e po përkeqësohet. “Orban dhe partia e tij FIDESZ i kanë kthyer shpinën vlerave të Partisë Popullore Europiane dhe është momenti të vlerësohet nëse i përket apo jo familjes sonë”, ka deklaruar euro-deputetja suedeze Ana Maria Bildt./abcnews.al

lulzim-basha-4.jpg
G. P.12:49 | 22/02/2019

Një ditë pas protestës në shesh dhe dorëzimit të mandateve të deputetëve opozitarë në Kuvend, Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u takua sot në Vjenë me anëtarë të Partisë Popullore Europiane në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së. Në qendër të diskutimeve njoftohet të ketë qenë situata politike në Shqipëri, që sipas zyrës së medias pranë selisë blu, është cilësuar shqetësuese nga grupi i Partive Popullore Europiane në OSBE.

Përmes  një postimi në rrjetin social Twitter, ky grupim ka bërë të ditur se raportimi i kreut të Partisë Demokratike të Shqipërisë ka patur në fokus protestat kundër qeverisë socialiste, korrupsionin, trafikun e drogës dhe zhvillimet jodemokratike në vend.

Pjesëmarrës në seancën e posaçme dëgjimore ishin edhe anëtarë të Kongresit dhe Senatit amerikan. Gjatë qëndrimit të tij në Vjenë, kreu i opozitës ka zhvilluar takime edhe me drejtues të tjerë të institucioneve ndërkombëtare, me qëllim shpjegimin e situatës politike në Shqipëri./abcnews.al

basha-kunder-xhafaj-1280x718.jpg
ent ela17:20 | 16/05/2018

Kreu i opozitës Lulzim Basha ka reaguar përmes nje postimi ne Facebook, ku shprehet se “është mashtrim deklarata e Edi Ramës, se ai po pret raportet e agjensive ligjzbatuese, nëse kanë indicie për Agron Xhafajn.

Nga samitit i PPE, Basha shkruan se “i siguroj shqiptarët dhe partnerët ndërkombëtarë se ne do ta vazhdojmë edhe më fuqishëm betejën me krimin e organizuar dhe do të përballemi me të njëjtën forcë me qeverinë që punon për krimin e organizuar dhe jo për qytetarët e ndershëm të këtij vendi.” Duke qëndruar në detyrë, Fatmir Xhafaj, shkruan Basha, “deformon dhe pengon hetimin ndaj tij dhe të të vëllait, si për trafikun e drogës nga Agron Xhafaj, ashtu edhe për pasurinë sipas ligjit Antimafia”.

Deklaratë e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha

Makineria e propagandës dhe e shpërqëndrimit të opinionit publik është lëshuar e gjitha në një shfaqje të turpshme që përsëritet tash e 5 vjet për të mbrojtur kriminelin dhe skandalin e rradhës të qeverisë.

Është e njëjta shfaqje që e kemi parë Edi Ramën duke bërë në mbrojtje të Saimir Tahirit dhe të bandës së tij të Habiljave.
Janë të njëjtat fjalë me të cilat mohoi kanabizimin e Shqipërisë.
Është e njëjta shfaqje me të cilën mbrojti vrasësin Mark Frroku, trafikantin Arben Ndoka, përdhunuesin dhe trafikantin e drogës Elvis Roshi dhe çdo kriminel tjetër më të cilin ka të lidhur pushtetin.

Sot ishte rradha e Fatmir Xhafajt dhe vëllait të tij trafikant droge, i kapur në përgjime autentike ambjentale, të pamanipuluara!

Materiali audio provoi se Agron Xhafaj nuk bën një jetë normale, por është drejtues i trafikut të drogës, nën mbrojtjen e të vëllait Ministër i Brendshëm.

Këtë fakt nuk e mohoi dot as vetë Edi Rama sot, sepse ai e di që Agron Xhafaj është një nga kokat e krimit. Edi Rama ka mjaftueshëm informacion për fuqinë e Agron Xhafajt mbi policinë e Vlorës, Policinë e Shtetit dhe rrjetit të tij kriminal në Vlorë.

Është mashtrim deklarata e Edi Ramës se ai po pret raportet e agjensive ligjzbatuese, nëse kanë indicie për Agron Xhafajn! Faktet tregojnë se ai fshehu dhe mohoi për 3 vjet rresht raportet e shërbimeve sekrete vendase dhe të huaja për implikimin e Saimir Tahirit dhe Policisë së Shtetit në kanabizimin dhe trafikun ndërkombëtar të drogës.

Edi Rama e di se përgjimi është i vërtetë dhe se Agron Xhafaj ka vazhduar trafikun e drogës, veçanërisht gjatë kohës që i vëllai është Ministër i Brendshëm. Kjo është arsyeja e vetme pse Agron Xhafaj po dërgohet në Itali pa ia nxjerrë më parë opinionit publik me zë dhe me figure! Shqiptarët duan të dëgjojnë vetë zërin e Agron Xhafajt dhe jo të dëgjojnë prej Edi Ramës rezultate ekspertize nga laboratorë pa emër apo nën pushtetin e tij.

Shfaqja e Edi Ramës sot është po aq e neveritshme dhe e pabesueshme sa ishte dy vjet më parë, kur u mohonte shqiptarëve se Agron Xhafaj ishte i dënuar për drogë.

Shqiptarët kanë shumë halle dhe probleme, por ata nuk harrojnë se Edi Rama u tregoi dy vjet më parë se “historia me drogë e vëllait të Fatmir Xhafës ishte e sajuar”, ndërsa sot pranoi se për këtë histori droge “Agron Xhafaj po shkon në burg me këmbët e veta”.

Mes propagandës, gënjeshtrave, kërcënimeve dhe ultimatumeve Edi Rama foli për gjithçka, por nuk u tha shqiptarëve asnjë fjalë pse Shqipëria sot ka për Ministër të Brendshëm një person që është subjekt i ligjit Antimafia.

Në asnjë rresht të deklaratës së tij, Edi Rama nuk u dha llogari shqiptarëve pse Fatmir Xhafaj ka penguar zbatimin e ligjit Antimafia për pasurinë e të vëllait, i dënuar për trafik droge dhe, rrjedhimisht, edhe për pasurinë e vet, siç e kërkon me detyrim ligji Antimafia.

Edi Rama sot mori rolin e ekspertit audio, të prokurorit dhe të gjyqtarit që do të burgosë opozitën, por jo të kryeministrit që, më e pakta që duhet të bënte, ishte t’i kërkonte Ministrit të tij të Brendshëm të mbante përgjegjësi pse nuk ka zbatuar ligjin antimafia dhe ta largonte atë!

Mbrojtja e Fatmir Xhafajt dhe jo shkarkimi i tij nga Edi Rama është një provë e re sesi krimi i organizuar drejton të gjithë segmentet e shtetit: Qeverinë, Policinë dhe Prokurorinë.

Duke qëndruar në detyrë, Fatmir Xhafaj, deformon dhe pengon hetimin ndaj tij dhe të të vëllait, si për trafikun e drogës nga Agron Xhafaj, ashtu edhe për pasurinë sipas ligjit Antimafia. Të gjithë e mbajnë mend se Donika Prela u emërua në krye të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ditën kur Partia Demokratike filloi denoncimin e skandalit “Xhafaj”.

Ka edhe një mashtrim tjetër të madh që Edi Rama u bën shqiptarëve!

Sa herë atij i plasin skandale dhe sa herë opozita i zbulon lidhjet e qeverisë së tij me krimin e organizuar, Edi Rama akuzon Partinë Demokratike si pengesë për integrimin Europian!

Është qesharake të mendosh që Macron, Merkel apo kryemisnitri hollandez dhe qindra politikanë të lartë francezë, gjermanë, hollandezë, britanikë janë aq naivë sa i gënjen opozita shqiptare dhe nuk arrijnë të shikojnë realitetin. Fakt është se ata e dinë të vërtetën nga burimet e tyre dhe burime të tjera të pavarura.

Më e rëndësishmja është se Edi Rama nuk e ka pranuar ende se kusht për hapjen e negociatave është lufta kundër krimit e korrupsionit dhe jo mbyllja e gojës së opozitës.

Kërcënimi me burg i opozitës që denoncoi skandalin “Xhafaj” është skandaloz, tipik për udhëheqësit autokratë dhe të inkriminuar.

Ne as nuk jemi trembur dhe as nuk tërhiqemi nga sulmet e një kryeministri që kërcënon me burg opozitën, por jo kriminelët dhe trafikantët e drogës!

Në emër të Partisë Demokratike, i siguroj shqiptarët dhe partnerët ndërkombëtarë se ne do ta vazhdojmë edhe më fuqishëm betejën me krimin e organizuar dhe do të përballemi me të njëjtën forcë me qeverinë që punon për krimin e organizuar dhe jo për qytetarët e ndershëm të këtij vendi.

 

vlcsnap-error316-1280x720.jpg
ent ela15:17 | 30/01/2018

Bashkimi Evropian është i shqetësuar për ngecjen e Reformës në Drejtësi dhe për kapjen e  drejtësisë në Shqipëri. Kështu deklaron kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha pas takimeve që ka zhvilluar ne Bruksel, me drejtues të të Partisë Popullore.

Jehona e protestës së 27 janaritpër një drejtësi të kapur politikisht ka shkuar deri në Bruksel. Këtë e konfirmon kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha pas bisedave që ka zhvilluar me drejtuesit më të lartë të Partisë Popullore Europiane.

 

“Duket qartë se zëri i shqiptarëve të bashkuar më 27 janar kumbon fuqishëm edhe këtu në Bruksel në zemrën e Bashkimit Europian, në institucionet e Bashkimit Europian dhe në Parlamentin Europian. Ka një shqetësim të jashtëzakonshëm të institucioneve europiane dhe të përfaqësuesve të vendeve anëtare për ngecjen e reformës në drejtësi dhe për kapjen e  drejtësisë, e cila mishërohet nga rasti “Tahiri,”-tha Basha.

 

Kreu demokrat pati takime me Presidentin Joseph Daul, me zëvendëspresidentin dhe njëkohësisht Kryetarin e Komisionit të Punëve të Jashtme në Parlamentin Europian David Mcallister, me komisionerin Hahn, me Kryetarin e Komisionit të Çështjeve Europiane në Bundestag Gunther Krichbaum, Kryetarin e grupit parlamentar të PPE Manfred Ëeber. Sipas kryetarit të opozitës shqetësimi kryesor që iu përcoll prej tyre janë hapat e hedhur nga Edi Rama për kapjen e drejtësisë dhe devijimin e reformës në drejtësi, me qëllim kontrollin politik të drejtësisë për të mbyllur dosjen “Tahiri” dhe të tjera hetime kyçe për luftën kundër krimit te organizuar, trafikut të drogës dhe korrupsionit qeveritar.

“Dhe unë nuk kam pikë dyshimi se partnerët e kanë kuptuar që, përtej fjalëve të bukura, propagandës, Edi Rama, përfaqëson atë që këta  tani e masin vetë pas 5 vitesh të tij në pushtet, më shumë drogë eksportohet prej tij, më shumë krim eksportohet nga Shqipëria drejt Europës prej tij dhe më shumë emigracion i paligjshëm. Ky është produkti i Edi Ramës në raport me Europën”-tha Basha.

 

Gjatë takimeve në Bruksel, kreu i opozitës rikonfirmoi se opozita mbështet plotësisht çeljen e negociatave të anëtarësimit mbi bazën e meritës. Basha theksoi se ky proces po dëmtohet nga mosplotësimi i kritereve kyçe.

“Nëse kjo është vetëm çështje e vullnetit politik, për t’i çuar gjërat përpara, atëherë ne do të insistonim që me vullnet politik Shqipërisë t’i hapen negociatat, pavarësisht se kemi të bëjmë me një qeveri të dështuar në të 5 prioritetet, por ne e dimë fare mirë se nuk është thjesht dhe vetëm çështje e vullnetit politik, se shumë vende anëtare dhe institucionet e konsiderojnë këtë në vetvete një proces për të nxitur reformat. Dhe të gjithë janë të shqetësuar se reformat jo vetëm nuk po ecin, por po shkojnë mbrapa, siç është rasti i reformës në drejtësi, kur shpërfillen rekomandimet e ONM, pse, për të kapur KLGJ, për të kapur KLP, që nesër të kontrollohet SPAK-u për të njëjtat arsye që po ndryshon Rregulloren e Parlamentit: që asnjë politikan i inkriminuar të mos shkojë para drejtësisë, por të mbrohet siç po mbrohet Saimir Tahiri“./abcnews.al

vlcsnap-error633-1280x720.jpg
ent ela14:37 | 29/01/2018

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ndodhet në Bruksel ku do të marrë pjesë në takimin e Asamblesë Politike që zhvillohet nën kryesimin e Presidentit të Partisë Popullore Evropiane Joseph Daul. Sipas njoftimit për shtyp të Partisë Demokratike në këtë takim do të ketë përfaqësues të politikës evropiane me të cilët pritet të diskutohen zhvillimet politike në Shqipëri dhe sfidat e saj në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian./abcnews.al

vlcsnap-error289-1280x720.jpg
us er19:46 | 05/12/2017

Në ditën e dytë në Bruksel Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me presidentin e Partive Popullore Europiane, Joseph Daul. Kreu i opozitës i tha zotit Daul se mbrojtja politike me imunitet parlamentar e Saimir Tahirit, dështimi i uniformave blu për të arrestuar tre shefa të tyre të lidhur me të njëjtën dosje droge si dhe dëshira e socialistëve për të emëruar Prokurorin e Përgjithshëm në Kuvend janë veprime që minojnë shanset për integrim europian.
Sipas njoftimit të shpërndarë për mediat nga PD, temë e bisedës ishte shqetësimi i shumë vendeve anëtare të BE sa i përket hapave që Shqipëria duhet të ndërmarrë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Kërcënimi dhe pengesa kryesore mbetet kriminalizimi i politikës dhe ekonomisë së vendit, – ka thënë Basha, i cili ka përsëritur zgjidhjen politike përmes një qeverie antimafia./abcnews.al

vlcsnap-error686-1280x720.jpg
us er15:43 | 04/12/2017

Edhe Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ndodhet në Bruksel, por me një axhendë ndryshe nga ajo e kryeministrit.

Basha mësohet se do të marrë pjesë në takimin e Asamblesë Politike të Partisë Popullore Europiane, pjesë e së cilës janë përfaqësues të partive të djathta europiane, të qeverive të vendeve europiane dhe të institucioneve të Bashkimit Europian.

Zyra e shtypit e PD, bën të ditur se shefi i opozitës do ketë takime të veçanta me përfaqësues të lartë të politikës europiane, për të diskutuar për situatën politike dhe ekonomike të Shqipërisë dhe veçanërisht rreth sfidave të integrimit të vendit në Bashkimin Europian./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono