Porti i Durrësit

toyota-yaris.jpg
G. P.11:52 | 12/09/2019

Mbyllen hetimet për 3.4 milionë eurot e sekuestruara në dy makinat, “Toyota Yaris”. Prokuroria për Krime të Rënda i ka komunikuar akuzën, e “pastrimit të parave në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, 3 prej 4 të arrestuarve. Agim Ceka akuzohet vetëm për armëmbajtje pa leje.

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka mbyllur hetimet për dosjen e njohur si “Toyota Yaris” dhe ka ngritur akuza ndaj 4 personave të arrestuar në Shqipëri. Prokurorët i kanë komunikuar akuzën e pastrimit të parave në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, Alban Mollaymerit, Edi dhe Klevi Likës.

Ndërsa Agim Cekës i është komunikuar akuza për armëmbajtje pa leje, për shkak se gjatë kontrollit në banesë, i është gjetur një armë zjarri. Pas mbylljes së hetimeve dosja për 10 ditë do të zhvillohet seanca paraprake dhe do të vendoset nëse kjo dosje do të shkojë ose jo për gjykim.

Në 24 Qershor 2018, autoritetet sekuestruan në portin e Durrësit 3.4 milionë euro në dy automjete “Toyota Yaris” që vinin nga Belgjika. Katër të arrestuarit ishin pjesë e kompanisë, që sillte makinat.

Ata kanë mohuar të kishin dijeni për 3.4 milionë eurot e fshehura në dy automjetet e ardhura nga Belgjika. Në arrati, me një urdhër arresti ndaj tyre janë dy kushërinjtë Elvis dhe Alfred Vladi, porositës të makinave. Hetimet për të dy vijojnë, pasi policia i ka shpallë në kërkim ndërkombëtarë.

Për të njëjtën dosje po kryhen hetime edhe nga prokuroria belge, e cila më 25 Korrik më mori në pyetje të arrestuarit në Shqipëri, si dhe kreun e opozitës Lulzim Basha, se nga e kishte marrë informacionin se drejt Portit të Durrësit ishin nisur të fshehura miliona euro me “Toyota Yaris”.

Para për të cilat lideri i opozitës ka akuzuar numrin dy të partisë Socialiste Taulant Balla, 3 ditë përpara se 3.4 milionë eurot të sekuestroheshin.

/ABC News Albania 24/7

RAMA-PORTI-DURRSIT-1280x720.jpg
ent ela16:00 | 26/07/2019

Porti i Durrësit po zgjerohet, për të bërë të mundur që disa anije të përpunohen njëkohësisht. Kryeministri Rama tha gjatë inspektimit të punimeve se ky do të jetë një ndryshim historik për qytetin bregdetar.

Në Portin e Durrësit kanë nisur punimet për thellimin e basenit dhe kanalit hyrës. Sipas parashikimeve inxhinjerike, kjo ndërhyrje do të mundësojë ankorimin e anijeve të një madhësie deri në 20.000 ton.

Punimet i inspektoi nga afër kryeministri Rama, i shoqëruar nga ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku.

Pjesë e planit të ndërhyrjes në port do të jetë edhe terminali i kroçiereve, punimet për të cilin parashikohet të nisin vjeshtën e këtij viti.

“Terminali i korçiereve është i domosdoshëm. Ai e transformon komplet situatën dhe hap rrugë një projekti të jashtëzakonshëm për Durrësin, sepse ai andej, me idenë tjetër që kemi për ta nxjerrë qytetin në breg, duke ndërtuar një marinë turistike, do jetë ndryshim historik”, – tha Kryeministri.

Sipas njoftimit të kryeministrisë, ky terminal pritet që në përfundim të tij të mirëpresë rreth 2500 turistë në ditë dhe të përpunojë 5 kroçiere njëkohësisht.

/ABC news Albania 24/7

porti.jpeg
ent ela09:50 | 03/03/2019

Gjashtë shtetas janë arrestuar sot nga  Shërbimi i Çështjeve të Brendshme në Policinë e Shtetit, të akuzuar për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”. Personat e ndaluar ushtronin kontrollin e pasaportave në Portin e Durrësit. Sipas policisë, efektivët bënin të mundur kalimin e personave me rekorde kriminale, duke shmangur sistemin TIMS, kjo në këmbim të parave. Arrestimi i shtetasve, u bë në funksion të hetimeve penale, në kuadër të procedimit të vitit 2018, kryer nga Drejtoria e Hetimit të SHÇBA në bashkëpunim me Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës. Kontrolli ndaj të arrestuarve është ushtruar në kushtet e flagrancës. Punonjësve të policisë, iu sekuestruan sasi vlerash monetare në lek dhe euro që dyshohet se janë përfituar në mënyrë të kundraligjshme dhe korruptive gjatë ushtrimit të detyrës.

Njoftimi i Policisë

Strukturat e Drejtorisë Qendrore të Hetimit të SHÇBA-së finalizuan me sukses operacionin “KONTROLLORI” ku janë arrestuar në kushtet e flagrancës 6 punonjës të policisë, kontrollorë në PKK Durrës:

A.Gj., 53 vjeç, me detyrë Kontrollor në PKK Porti Durrës;

G.B., 29 vjeç, me detyrë Kontrollore në PKK Porti Durrës;

G.Ç., 51 vjeç, me detyrë Ndihmës Kontrollor në PKK Porti Durrës;

D.D., 53 vjeç, me detyrë Kontrollore në PKK Porti Durrës;

D.Z., 50 vjeç, me detyrë Kontrollor në PKK Porti Durrës;

J.K., 42 vjeçe, me detyrë Kontrollore në PKK Porti Durrës.

Arrestimi i tyre u bë në funksion të hetimeve penale, në kuadër të procedimit të vitit 2018, kryer nga Drejtoria e Hetimit të SHÇBA në bashkëpunim me Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës.

Ata dyshohen për kryerjen e veprës penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim detyre”.

Gjatë ndjekjes së këtij procedimi janë aplikuar metodat speciale të hetimit, ku rezulton e provuar veprimtaria e kundraligjshme e këtyre punonjësve të policisë, të cilët, në këmbim të vlerave të ndryshme monetare, bënin të mundur kalimin e paligjshëm të personave me probleme, apo kategorisë së shtetasve  që nuk u lejohet udhëtimi drejt zonës “Shengen”.

Gjatë kontrollit të ushtruar në kushtet e flagrancës, punonjësve të policisë iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale sasi vlerash monetare në lek dhe euro, në vlerën 2.175  euro, që dyshohet se janë përfituar në mënyrë të kundraligjshme dhe korruptive gjatë ushtrimit të detyrës.

Hetimet për këtë ngjarje po vazhdojnë./abcnews

 

 

DURRESI-FLUKS-EMIGRANTET-1280x720.jpg
ent ela12:29 | 31/12/2018

Edhe në orët e fundit të vitit 2018 nuk kanë munguar emigrantët apo edhe shtetas të huaj që përmes Portit të Durrësit kanë ardhur në Shqipëri për të festuar.

Edhe në ditën e fundit të vitit, shumë emigrantë zbarkuan në Portin e Durrësit. Katër tragete sollën më shumë se 3100 persona. Mes tyre dhe shtetas të huaj për të kaluar ndërrimin e viteve në Shqipëri.

Policia e kufirit ka operuar me numrin më të lartë tësporteleve. Kjo për të evituar radhët e gjata në terminal gjatë kontrollit.

Por ndërsa në portin e Durrësit nuk është shfaqur asnjë problem, krejt ndryshe është paraqitur situata në portin e Barit në Itali.

Traget nga Bari drejt portit të Durrësit përgjatë gjithë sezonit të fluksit kanë mbërritur me disa orë vonesë.

Sipas kapitenit të portit detar Taulant Allkja shkaku janë autoritetet italiane  që po punojnë vetëm me një apo dy sportele duke krijuar vonesa të gjata në nisje. /abcnews.al

POLICIA-PER-EUROT-1280x720.jpg
ent ela16:30 | 25/06/2018

Policia ka dhënë sqarimet dhe vlerën zyrtare të eurove të kapura brenda dy automjeteve në portin e Durrësit. Rreth 3.4 milionë euro ishin fshehur në dy Toyota Yaris, të nisura nga Belgjika. Policia tha se ishte në dijeni prej datës 20 qershor.

Katër persona janë vënë në pranga të policisë si edhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim, të cilë akuzohen kishin fshehur rreth 3.4 milion euro në dy automjete që sekestruara në portin e Durrësit.

Të arrestuar janë Agim Çeka, Edi Lika djali i tij Klevi Lika,dhe Alban Mollaymeri. Sipas uniformave blu, këto shtetas kanë transportuar automjetet nga Gjermani dhe Belgjika, ndërsa porositës të ngarkesës janë dy të shpallurit në kërkim Alfred .V. dhe Elvis.V., të dy me origjinë nga Peshkopi e banues në Tiranë.

Zyrtarisht policia e shtetit konfirmon se ishte vënë në dijeni të fshehjes së parave më datë 20 Qershor 2018, pasi ato ishin fshehur në dy automjete të ngarkuara në një karoatrec.

Tre ditë më pas më 24 Qershor, në Portin e Durrësit në orën 07:30 të mëngjësit  mbërriti nga Belgjika një trajler tip “Bizark” me 9 automjete, përmes Portit të Barit, Itali. Fillimisht policia shqiptare ishte njoftuar nga homologët e saj Italian duke intesifikuar hetimet por përsëri dy persona mundën ti shpëtonin  prangosjes.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e drejtuar nga Agim Çeku dhe pronar Klevi Lika, u gjetën edhe shuma e parave të fshehura në pjesën e pasme të dy autoveturave tip Toyota Yaris.

PARATE E SEKUESTRUA NE PORTIN E DURRESIT

  1. 3,366,800 euro dhe 100 euro që dyshohet të jenë të falsifikuara; 80,000 franga zvicerane.
  2. 10 automjete, nga të cilat 7 automjete të tipit ‘Toyota Yaris’, 1 tip ‘Alfa Romeo’, 1 tip ‘Opel’ dhe 1 tip ‘Bizark’.
  3. 1 armë kallashnikov me 2 krehëra fishekë, gjetur nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit A.Çeka;
  4. 1 radio policie;

Policia e shtetit në njoftimin e saj theksoi se,  një pjesë e operacionit ishte bërë publik gjatë punimeve të Parlamentit në sallën e Kuvendit, duke aluduar edhe për dekonsperim të mundshëm nga segmente të caktuara politike. Dyshimi kryesor është se ato para vinin nga aktivitete të ndryshme kriminale, si trafiki i drogës dhe prostitucionit. Ndërkohë prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale e kryer në bashkëpunim. /abcnews.al

arbi-cekaj-1280x696.jpg
ent ela16:04 | 07/03/2018

Prokuroria për Krimet e Rënda kërkon caktimin e një mase sigurie “arrest në burg” në mungesë për Arbër Çekajn. Ai është administratori i kompanisë, “Arbri Garden”, në kontenierin e të cilës u gjet sasia prej 613 kilogramë kokainë e ardhur nga Kolumbia.

Sipas Prokurorisë, Çekaj është porositësi i kontenierit me banane për llogari të kompanisë të tij dhe dyshohet të ketë lidhje direkte edhe me sasinë e kokainës. Nëse kjo masë sigurie do të miratohet nga Gjykata, urdhër-arresti ndaj Çekajt i përcillet edhe drejtësive të vendeve të tjera.

Çekaj është larguar drejt Gjermanisë, tre ditë para mbërritjes së kontenierit në portin e Durrësit. Aktualisht për llogari të hetimit të nisur në lidhje me sasinë rekord të kokainës janë arrestuar dhe po qëndrojnë masën “arrest në burg”, administratori i kompanisë, Donaldo Lushaj dhe shoferi Armando Pezaku./abcnews.al

vlcsnap-error694-1-1280x720.jpg
ent ela11:53 | 28/02/2018

Krimeve të Rënda dhe Drejtorinë e Hetimit Doganor, ka arritur të finalizojë me sukses operacionin e koduar “Bora e fundit”. Si rezultat i këtij operacioni, u bë i mundur kapja dhe sekuestrimi i një sasie rekord prej 613 kilogramë e 350 gramë lënde narkotike e dyshuar kokainë, me vlerë tregu mbi 180 milionë euro.

Gazetarjae ABC News Enkelejda Arapi raporton nga Porti i Durrësit./abcnews.al

vlcsnap-error662-2-1280x720.jpg
us er13:18 | 27/12/2017

Po përballojnë fluksin e Krishtlindjeve në port dhe besojneë se do të vazhdojnë kështu deri në ndërrimin e viteve.  Dejtoresha e policisë kufitare në portin e Durrësit Lindita Nushi gjatë një takimi në prefekturë për  të diskutuar rreth masave të fundvitit, tha se janë vënë në punë me kapacitet të plotë të gjitha kabinat e kontrollit në port. Por sipas saj celësi i suksesit në përballimin e fluksit ka qenë një plan i mirëorganizuar në bashkëpunim me kapitenerinë, degën e doganës, autoritetin portual dhe forcën e sigurisë portuale.

Burime nga Policia kufitare kanë bërë të ditur se gjatë 5 ditëve të fundit nga porti i Durrësit kanë hyrë afro 28 mijë pasagjerë dhe rreth 6 mijë autovetura. Për të përballuar  fluksin e hyrje-daljeve autoritetet shteterore që operojnë në port kanë krijuar kontakte të ngushta me opertaorët privatë të agjencive të udhëtimit dhe atyre lundruese. Fluksi i ardhjes së bashkëatdhetarëve tanë që punojnë në vende të ndryshme të Evropës pritet të zgjasë deri në ditët e fundit të muajit, ndërsa në gjysmën e dytë të janarit nis kthimi i tyre sërisht drejt vendeve të tyre të punës./abcnews.al

 

 

fgd-1-933x445.png
us er20:55 | 14/12/2017

Një master plan i vitit 2009, i miratuar me VKM në qeveri, e ndan Portin e Durrësit në 6 sektorë kryesorë. Por me një kontratë të çuditshme në fillim të vitit 2013, një pjesë e portit iu dha me koncension kompanisë gjermane EMS APO. Kontrata në fjalë devijoi master planin dhe e strukturoi portin në 4 sektorë.

Sot koncensionari gjerman EMS ka tejkaluar kontratën dhe bën edhe punë që nuk i takojnë, si shkarkimi i tubave të TAP-it, mallrat gjenerale, mbushja e kontenierëve,ndërkohë që duhet të ishin pjesë e punës së stivadorëve.

Gazmend Tahiri, drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme Detare, thotë se këtë katrahurë nuk po e zhbën dot as qeveria, pavarësisht se porti ka humbje të mëdha nga kontrata abuzive.

Për sa i përket kontratës që lidhi kompania gjermane EMS APO me Ministrinë e Transportit, në muajin Maj të vitit 2013, drejtori i Drejtorisë Juridike APD, Elio Jani shprehet se nuk ka dokumentacionin përkatës për të shpjeguar se përse është devijuar master plani nga kontrata koncesionare. Drejtori Jani pohon se kjo kontratë nuk ka zbatuar master planin e miratuar në vitin 2009, nga VKM.

Kontrata koncesionare e kompanisë gjermane EMS APO e strukturoi portin në 4 sektorë, terminali lindor, perëndimor, i kontinierëve dhe i pasagjerëve.

“Operatori ekonomik në këtë rast ka qenë mjaft i privilegjuar, shteti jo”, tha drejtori i Drejtorisë Juridike të Autoritetit Portual Durrës.

Më datë 23.09.2015, Gazmend Tahiri, drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme Detare autorizoi EMS të marrë të gjithë kompetencat për të zhvilluar aktivitetin e tre kompanive stivadore.

I pyetur nga gazetari i emisionit “STOP” nëse është zhvilluar një konkurs për t’ia dhënë këtë autorizim koncensionarëve, drejtori Tahiri thotë: “Licenca jepet me baza konkurimi, autorizimi për të kryer këtë lloj procesi është njëlloj sikur të vijë një saldator, i cili kërkon të kryejë operacionin e saldimit, i thua duhet të kesh pincën, harkun elektrik dhe pas të gjithë këtyre parametrave i jep të drejtën të saldojë. Se ku do kryejë veprimtarinë, ajo është çështje e licencës”.

Por kur mendoi se kamerat ishin fikur, ai u shpreh: “Një qeveri e tërë që kërkon ta zhbëjë atë dhe s’e zhbën dot. Nuk bëhet kjo as me gazetarë e as me ne”.

Një tjetër skandal i EMS APO është dhënia pa të drejtë e projektit TAP. Menaxheri i Përgjithshëm i projektit TAP, Karl Roberts nëpërmjet një letre thotë: “Gjithashtu, ne do të donim të sillnim në vëmendjen tuaj se TAP ka marrë një letër mbështetjeje më datë 18 Mars 2016 nga Drejtori i Autoritetit Portual Durrës, i cili shprehte mbështetjen e tij për punën dhe autorizimin e EMS APO për të kryer shkarkimin e tubave për Projektin TAP në Terminalin Lindor”.  

Drejtori i Portit Durrës – Porti humb në 100 lekë nëqoftëse 1 ton kushton 100 lekë. Po ta bënim tek Terminali Perëndimor merrnim 100 lekë, e bëjmë tek Terminali Lindor marrim 33 lekë. Pse duhet t’i humbim? Çfarë kushtesh më tepër ka ai nga ne? Asnjë gjë më tepër nuk ka… Unë e kam hedhur, edhe pa dëshirën time. Më kuptoni, po ju flas shumë hapur sepse është një shqetësim real për mua.

Sipas kontratës, EMS do të merrej me mineralet, por në territorin që ka zaptuar kryhet puna edhe për mallrat gjeneralë. Në kontratë nuk është parashikuar as mbushja e kontenierëve me minerale, megjithatë kompania koncensionare e bën.

Drejtori i Drejtorisë Juridike APD, Elio Jani thotë se kjo kompani nuk ka të drejtë t’i kryejë këto aktivitete.

Gazetari i emisionit “STOP” ve në dukje se Terminali Perëndimor, që është në administrim të Autoritetit Portual Durrës nuk është funksional, ndërsa ai Lindori, që është në administrim të EMS APO, puna vazhdon normalisht.

Kontrata koncensionare, e lidhur në Maj të vitit 2013, ka paralizuar Portin e Durrësit dhe punon vetëm gjysma e tij. Drejtori Jani thotë se Autoritetit Portual Durrës nga viti 2013 deri në 2015-n ka humbur rreth 420 milionë lekë të vjetra për shkak të kompanisë gjermane. “EMS APO nuk na jep pjesën tonë prej 11%, që na takon!”/tvklan.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono