popullsia

majlinda-bregu-1280x720.jpg
nev ila10:43 | 17/01/2020

Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu, ditën e sotme është e pranishme në Konferencën e 16-të parlamentare rajonale për integrimin evropian të shteteve pjesëmarrëse në Procesin e Stabilizimit dhe Asocimit të Evropës Juglindore.

Bregu u shpreh në fjalën e saj se një nga problemet më të cilat po përballet rajoni është dhe zhvendosja e popullsisë, ku sipas saj 1/3 e qytetarëve janë larguar.

Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, ka deklaruar se kjo dukuri nuk vjen në rënie dhe “se 23% e të rinjve në rajon për momentin s’janë as në punë, as në shkollë, as duke u trajnuar.”

Bregu ka thënë gjithashtu se; “61% e të rinjve në rajon janë pro integrimit evropian dhe shpresojnë se do i ndryshojë jetën, por 61% e tyre janë gati të largohen nga vendi i tyre nëse kjo gjë nuk ndodh.”

“Ajo që do dëgjoni janë kambana e alarmit e asaj që perceptojnë vetë qytetarët në rajon. Jemi në presion të jashtëzakonshëm të zhvendosjes së popullsisë nga rajoni i Ballkanit. Deri tani 1/3 është larguar. Por nuk është dukuri që vjen duke rënë. 23% e të rinjve në rajon për momentin s’janë as në punë as në shkollë as duke u trajnuar. Një shifër e konsiderueshme po të mendosh për atë çfarë do ndodhë për pak vite duke marrë parasysh mbushjen e administratës publike… Alarmante janë shifra të tjera ku të rinjtë në rajon në mënyrë të çuditshme bashkojnë bashkë dy shifra që për ne ishin gati surprizë me një saktësi matematikore të çuditshme. 61% e të rinjve në rajon janë pro integrimit evropian dhe shpresojnë se do i ndryshojë jetën. Por 61% e tyre janë gati të largohen nga vendi i tyre nëse kjo gjë nuk ndodh. Është analogji për të kuptuar se sa lart pritshmëria për integrimin dhe për të ndryshuar vendet tona dhe si qëndron ajo në raport për tu larguar nga vendet nëse ky ndryshim nuk ndodh”./abcnews.al

shqiptaret-emigrojne.jpg
nev ila09:59 | 14/01/2020

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), në projeksionet e saj për popullsinë shqiptare ka rishikuar në ulje me 30-40% pritshmëritë se sa persona do të mbeten në një vend deri në vitin 2100.

Zhvlerësimi i ndjeshëm ka ardhur brenda një viti (2019 kundrejt 2018) dhe është nxitur si nga rënia e normës së lindshmërive, ashtu dhe nga trendi i lartë i emigracionit.

Në parashikimet e publikuara në vitin 2018, sipas variantit të lartë të parashikimit (me normë të lartë fertiliteti), popullsia e vendit në vitin 2100 pritej të mbetej në rreth 2.8 milionë persona, në një rënie të lehtë nga niveli aktual prej 2.87 milionë banorësh.

Por, vetëm një vit më pas, në 2019-n, pritshmëria është ulur ndjeshëm edhe për variantin optimist.

Në të gjitha rastet, edhe në variantin optimist, – pra nëse merret një nivel zero emigracioni dhe ecuri normale e normave të fertilitetit-, në vitin 2100, Shqipëria nuk pritet që të ketë me shumë se 1.9 milionë banorë, ose 31% më pak se parashikimi i një viti më parë.

Në variantin e mesëm, Shqipëria nuk pritet të ketë më shumë se 1 milionë banorë, nga 1.6 milionë banorë që ishte parashikimi në vitin 2018 për këtë skenar, me një ulje prej rreth 34%.

Rishikimi më i lartë është bërë për skenarin e ulët (normë të lartë emigracionit dhe fertilitet të ulët), në bazë të së cilin, në Shqipëri në vitin 2100, sipas pritshmërive të departamentit të Divizionit të Popullsisë të OKB-së, në Shqipëri nuk pritet që të mbeten më shumë se 512 mijë banorë. Më parë, pritshmëria ishte për 860 mijë banorë, pra parashikimi është ulur me 40%.

Arsyet

Rënia e lindshmërisë (fertiliteti-norma bruto e lindjeve) dhe rifillimi i ciklit të emigracionit pritet që të tkurrin popullsinë në dekadat në vijim.

Të dhënat e fundit të INSTAT treguan se gratë që jetojnë në Shqipëri vit pas viti po heqin dorë nga mëmësia, duke reduktuar në mënyrë drastike numrin e bebeve të sjella në jetë.

Në vitin 2018 ky fenomen u theksua edhe më shumë kur numri mesatar i fëmijëve të lindur nga një grua shënoi rekord historik. Indeksi i fertilitetit ishte vetëm 1.37 fëmijë për një grua nga 1.48 fëmijë  më 2017 dhe nga 1.73 fëmijë për grua që ishte ky indeks në vitin 2014, sipas të dhënave të INSTAT.

Rënia me shpejtësi e numrit të lindjeve e ka çuar Shqipërinë nën normën e zëvendësimit e cila përllogaritet 2.1 fëmijë për grua.

Gjithashtu Shqipëria e ka normën e lindshmërisë shumë poshtë indeksit global të fertilitetit i cili në vitin 2017 ishte 2.4 fëmijë për grua sipas të dhënave të Bankës Botërore. Gratë shqiptare lindin gati 50 për qind më pak fëmijë se mesatarja globale.

Nga  janari 2014 deri në janar të 2018 popullsia e Shqipërisë është zvogëluar mesatarisht me 0,16 % në vit. Si pasojë e këtyre zhvillimeve raportet e varësisë janë rritur për moshat e vjetra dhe janë ulur për ato të rejat.

Raportet e varësisë llogariten duke krahasuar numrin e personave (të rinjtë 0-14 vjeç dhe/ose të moshuarit 65+ vjeç) me popullsinë në moshë pune.

Ndërsa nga viti 2015, Shqipëria po përjeton një rritje të re të fenomenit të emigracionit.

Vetëm aplikimet për azil, në pesë vitet e fundit kanë arritur në rreth 200 mijë, sipas të dhënave zyrtare nga Eurostat, ndërsa ka dhe shumë të tjerë që ikin me kontrata pune, ose që thjesht largohen e nuk kthehen më.

Largimi i popullsisë po bëhet problem për sipërmarrjet, të cilat ankohen se nuk po gjejnë fuqi punëtore të specializuar.

Në një sondazh të fundit, Instituti Shqiptar i SME-ve “SME Albania” gjeti se rreth 61% e ndërmarrjeve kanë pasur punonjës të larguar për arsye emigracioni gjatë vitit 2019.

Rënia e popullsisë, sidomos largimi i popullsisë në moshë pune pritet të japë efekte të rënda në të ardhmen, si në skemën e pensioneve, me krijimin e një shtrese të brishtë pa kujdesin e duhur, ashtu dhe në rënien e produktivitetit të sipërmarrjeve, me efekt në tendencën e pagave, investimeve të tyre e taksave që paguajnë, me pasoja afatgjata në ngadalësimin e ekonomisë së vendit./monitor

njerez-ne-rruge-1280x705.jpg
nev ila13:03 | 14/11/2019

Shqipëria  po shkon drejt shuarjes. Popullsia po reduktohet me ritme të shpejta. Instituti i Statistikave deklaron se tremujorin e tretë të vitit shtesa natyrore e popullsisë ra me 17.1%.

Tkurrja e popullsisë në Shqipëri nuk po ndalet. Numri i lindjeve vijon të bjerë po ashtu dhe shtesa natyrore e popullsisë.

Nga korriku në shtator sipas të dhënave të fundit demografike të publikuara nga Instituti i Statistikave ajo ka pësuar rënie me 17.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar. Tremujorin e tretë të vitit në vend janë regjistruar 7 mijë e 403 lindje, 9.9% krahasuar me vitin 2018 dhe  4 mijë e 716  vdekje, 5.1% më pak se vjet.

Dhjetë nga dymbëdhjetë qarqet e vendit pësuan rënie të numrit të lindjeve. Nga korriku në shtator me shumë bebe linden ne Qarkun e Tiranës dhe më pak në Qarkun e Gjirokastrës.

Sa i përket humbjes së jetëve, rënie ato pësuan në 11 nga 12 Qarqe. Rënie më të madhe në përqindje të vdekjeve shënon qarku i Durrësit me 18,8 % ndersa rritje e tyre u regjistrua ne Berat me 2.9%./abcnews.al

 

britain.jpg
nev ila19:13 | 22/10/2019

Deri në vitin 2050, Bullgaria parashikohet të humbasë një të katërtën e popullsisë së saj dhe pothuajse çdo vend në rajon do të zvogëlohet gjatë dekadave të ardhshme, sepse më shumë njerëz po emigrojnë sesa imigrojnë, dhe për shkak të niveleve të ulëta të lindjeve.

Rënia dramatike e popullatës në Evropën Juglindore pasi të rinjtë kërkojnë mundësi jashtë vendit, po kërcënon aftësinë e vendeve në rajon për të pasur shërbime jetësore sociale, paralajmëruan Kombet e Bashkuara.

Sipas parashikimeve të fundit të OKB-së, nëntë nga dhjetë vendet me tkurrjen më të shpejtë të popullsisë në botë janë në Evropën Lindore dhe Juglindore, tha për Reuters Allana Armitage, Drejtoreshë e Fondit të Popullsisë së OKB-së për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore.

Deri në vitin 2050, Bullgaria parashikohet të humbasë një të katërtën e popullsisë së saj dhe pothuajse çdo vend në rajon do të zvogëlohet gjatë dekadave të ardhshme, sepse më shumë njerëz po emigrojnë sesa imigrojnë, dhe për shkak të niveleve të ulëta të lindjeve.

“Më pak fëmijë dhe largim të lartë do të thotë që popullsia e vendeve të Evropës Juglindore po bëhet gjithnjë e më e vogël dhe gjithnjë e më e vjetër, dhe ndryshe nga Evropa Perëndimore, imigrimi nuk po ndiqet si rrugë për të mbushur hendekun,” tha ajo.

Midis 1995 dhe 2035, përqindja e popullsisë së moshës 65 vjeç dhe më e vjetër do të dyfishohet në shumicën e vendeve, dhe në disa do të trefishohet, tregojnë parashikimet./abcnews.al

varferia.jpg
ad min13:59 | 17/10/2019

Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Eurostat, një person në pesë në Europë është në rrezik varfërie. Në vend të parë nga vendet e Bashkimit Europian renditet Bullgaria, ku 32.8 për qind e popullsisë rezulton të jetojë në varfëri.

Një person në pesë në Bashkimin Europian është në rrezik varfërie ose të jetë I përjashtuar nga shoqëria. Në vend të parë është Bullgaria ku më shumë se 32 për qind e popullsisë është në rrezik varfërie.

Eurostati europian thekson se pavarësisht regjistrimeve të numrit në rënie në 10 vitet e fundit, për sa i përket nivelit të varfërisë, objektivi i vitit 2020 mbetet heqja nga fasha e varfërisë e 20 milion personave në të gjithë botën. Një objektiv që duket shumë larg.

Të dhënat janë të rëndësishme dhe domethënëse, dhe publikohen pak ditë pas dhënies së çmimit Nobel për ekonomi një tresheje ekonomistësh të cilët prej vitesh studiojnë mënyrën për të lehtësuar varfërinë globale.

Sipas kërkimeve të tyre, për shembull, më shumë se pesë milionë fëmijë kanë përfituar nga tutorët korrektues në shkolla në Indi, vendin që regjistron një të katërtën e të varfërve në botë.

Sipas ekspertëve çdo gjë ndodh si pasojë e tensioneve tregtare të cilat përkeqësojnë më shumë situatën, dhe kjo nënkupton dobësimin e rritjes ekonomike globale./abcnews.al

prinder.jpg
ad min14:22 | 03/10/2019

Tashmë në Skoci ndalohet me ligj rrahja e fëmijëve nga prindërit. Por pjesa më e madhe e skocezëve nuk janë aspak dakord. Skocia bëhet i pari vend në Mbretërinë e Bashkuar që miraton një ligj të tillë.

Skocia ndalon me ligj, prindërit që të rrahin fëmijët apo t’i dënojnë ata fizikisht. Një ligj që u prezantua në parlament nga qeveria e drejtuar nga kryeministrja Nikola Sturxheon, partia e së cilës ka mazhorancën në parlament. Ky është vendi i parë në Mbretërinë e Bashkuar, i cili vendos të ndalojë dënimet fizike.

Deri tani ligji autorizonte, si vijon të bëjë në pjesën tjetër të Mbretërisë së Bashkuar, një përdorim të arsyeshëm të forcës në familje për të edukuar dhe dënuar fëmijët.

Propozimi skocez për këtë ligj u mbështet dhe nga një deputet i gjelbër, Xhon Fini, si dhe nga laburistë e liberaldemokratët përveç partisë kombëtare skoceze të Sturxheon, si dhe të disa organizatave joqeveritare për mbrojtjen e fëmijëve. Kundër këtij ligji të ri ishin konservatorët e sipas sondazheve dhe pjesa më e madhe e popullsisë./ABC News Albania 24/7

be-femijet-765x383.jpg
ad min12:30 | 12/07/2019

Popullsia e Bashkimit Evropian shënon rritje pavarësisht se numri i vdekjeve në vendet anëtare është më i larët se ai i lindjeve. Fenomeni, sipas ekspertëve, ndodh për shkak të emigracionit

Një popullsi që rritet pavarësisht se numri I vdekjeve është më i lartë se i lindjeve. Një gjë e tillë ndodh në Europë, dhe kjo falë emigracionit. Lajmi bëhet I ditur nga zyra europiane e statistikave, Eurostat, me rastin e ditës botërore të popullsisë, të vendosur nga në vitin 1989 nga këshilli drejtues i programit të zhvillimit të Kombeve të Bashkuara, me objektivin për të shtuar vetëdijen për problematikat që i përkasin popullsisë botërore.

Në atë kohë popullsia e 28 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian ishte 474 milion persona. 30 vjet më pas kjo shifër është rritur me 8 për qind, sipas zyrës evropiane të statistikave

Popullsia aktuale e Bashkimit Evropian është më shumë se 513 milion persona, 1.1 milion më shumë në krahasim me 2017-ën. Një rritje që vjen nga emigracioni, duke marrë në konsideratë se në vitin 2018 janë regjistruar më shumë vdekje se sa lindje, një fenomen që përsëritet për të dytin vit radhazi. Në vitin 2017. 2.4 milion persona kanë emigruar nga vende që nuk janë anëtare në BE.

Vendi ku lindjet kanë qenë më shumë se sa vdekjet është Irlanda, ndërkohë që Bullgaria mban rekordin e kundërt. Italia ka numrin më të vogël të lindjeve.

Është regjistruar një rënie demografike në 10 shtete anëtare, në krye të klasifikimit janë Letonia, Bullgaria dhe Kroacia, ndërkohë që rritje demografike është regjistruar në Maltë, Luksemburg dhe Irlandë.

Gjermania dhe Franca në 1 Janar të 2019-ës rezultonin si vendet më të populluara, të ndjekura nga Mbretëria e Bashkuar, Italia dhe Spanja. Popullsia e Gjermanisë është 83 milion banorë dhe përfaqëson 16.2 për qind të popullsisë totale të Bashkimit Evropian, ndërsa 67 milion të Francës përbëjnë 13.1 përqind të popullsisë së BE-së.

Duke përjashtuar vendet anëtare të BE-së që janë më të populluara, Polonia renditet e gjashta, të tjerët regjistrojnë më pak të 4 për qind të popullsisë së Bashkimit Evropian./ABC News Albania 24/7

popullsia-ne-plakje.jpg
ad min08:11 | 18/06/2019

Rruzulli tokësor ka 7,7 miliardë banorë, thotë raporti i fundit i OKB për popullsinë, bërë publik ditën e hënë (17.06). Bota nuk ka pasur kurrë kaq njerëz sa ka sot. Kina ka numrin më të madh të banorëve 1,4 miliardë, pasuar nga India me 1,355 miliardë.  Mbas dhjetë vjetësh pritet që India të kthehet në vendin me numër më të lartë popullsie, duke i zënë vendin Kinës.

Vendet me numër më të madh popullsie, mbi 100 milionë janë SHBA me 329 milionë banorë, Indonezia, Brazili, Pakistani, Nigeria, Bangladeshi, Rusia, Meksika, Japonia, Etiopia dhe Filipinet. Popullsia e këtyre vendeve pritet të rritet. Përjashtim bëjnë Japonia dhe Rusia, ku pritet ulje e madhe pas vitit 2050. Vendi me popullsi më të ulët, është Vatikani me 801 banorë. Ata që lindin sot, pritet të kenë jetë mesatare 72,6 vjetë, por njerëzit në vendet e varfëra e kanë këtë mesatare 7 vjet më pak.

UN-Pressekonferenz | UN-DESA zu Weltbevölkerung Aussichten 2019 (UN Web TV)Konferencë shtypi për perspektivat e zhvillimit të popullsisë në botë

Shifrat për përshtatje politikash

Shifrat nuk janë për të shuar kuriozitetin por i shërbejnë organizatave dhe qeverive për të përshtatur politikat në bazë të tendencave demografike. Ekonomitë më të mëdha të botës, kanë numër të vogël popullsie, sidomos në Europë. Dhjetë ekonomitë më të mëdha si Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca dhe Italia kanë popullsi më të vogël se 100 milionë.

2000 vjet më parë rruzulli është populluar nga gjithsej 200 milionë njerëz. Shifrën e 1 miliardit, numri i popullsisë e arriti në fillim të shekullit të 19-të dhe 2 miliardshin e arriti në vitin 1927. Brenda një shekulli popullsia e botës është trefishuar. Arsyet janë të ndryshme, por dietat, mjekësia, kushtet sanitare, vaksinat kanë ndihmuar në rritjen e numrit të popullsisë. OKB parashikon që 30 vitet e ardhshme popullsia e botës të rritet me 2 miliardë banorë.

Migracioni për ndryshimet demografike

Tre janë çështjet kryesore që ndikojnë në popullsinë e botës: lindjet, vdekjet dhe migracioni. Migracioni është kthyer në faktor të rëndësishëm për ndryshimin e popullsisë në disa vende. Dhjetë vitet e fundit 14 vende kanë patur prurje migracioni mbi 1 milionë vetë. Në disa vende si Bangladeshi, Nepali dhe Filipinet kanë patur shtim të migrantëve të punës për shkak të nevojave. Në vendet me konflikte si Siria, Myanmari dhe Venezuela njerëzit kanë ikur nga konfliktet. Kurse Bjellorusia, Gjermania, Hungaria, Italia, Japonia, Rusia, Serbia dhe Ukraina do të kenë dekadën e ardhshme shtim të numrit të migrantëve, për të plotësuar rënien e popullsisë shkaktuar nga numri i vdekjeve, që është më i madh se i lindjeve./DW

maqedonia.jpg
nev ila19:32 | 14/06/2019

Ka nisur të premten në Maqedoninë e Veriut testi i parë për regjistrimin e popullsisë. Procesi po realizohet në rrugë elektronike dhe krahas maqedonishtes është edhe në gjuhën shqipe.

Nga sot e deri më 30 qershor do të mbahet pilot regjistrimi i popullsisë, amviserive dhe banesave në të gjitha tetë rajonet planore të RMV-së, gjegjësisht nëpër katër rrethe dhe atë dy urbane dhe dy rurale, informojnë nga Enti Shtetër i Statistikës. Në rajonin e Pollogut pilot regjistrimi do të zhvillohet në komunën e Gostivarit dhe atë dy rrethe regjistrimi në qytet, një në fshatin Forinë dhe një tjetër në fshatin Vrutok, informon Arsim Nuredini, Instruktor në Entin Shtetëror të Statistikave.

“Në regjionin e Pollogut e kemi zgjedhur qytetin e Gostivarit ku do të kemi mbikqyrje në  Gostivar, Forinë dhe Vrutok. Ky pilot regjistrim do të vazhdojë prej sot deri më 30 qershor, sot e kemi vetëm mbikqyrjen e terrenit, prej nesër fillon regjistrimi nëpër familje”, tha Arsim Nuredini, instruktor në Entin Shtetëror të Statistikave.

Nuredini thekson se ky pilot regjistrim që ka për qëllim testimin e aplikacionit i cili do të bëhet me pajisje elektronike, nuk le hapësirë për manipulime, pasi që, siç shprehet ka kontroll nga instruktorët shtetërorë dhe të gjitha materialet që regjistrohen shkojnë direkt në bazën e Entit Shtetëror të Statistikave.

“Nuk besoj se do të ketë manipulime në këtë lloj regjistrimi, sepse kjo është vetëm një regjistrim testues, sepse provohet testimi i aplikacionit se si do të shkojë puna në terren që të jemi të gatshëm për regjistrimin e ardhshëm që do të mbahet në prill të vitit 2020. Secila punë që bëhet në terren ka kontroll edhe prej nesh, pra instruktorëve shtetëror, por ka edhe supervizorë dhe të gjitha materialet që regjistrohen shkojnë direkt në bazën e Entit Shtetëror të Statistikave”, theksoi Arsim Nuredini, instruktor në Entin Shtetëror të Statistikave.

Në këtë operacion do të marrin pjesë 16 instruktorë shtetërorë dhe 32 regjistrues. Pilot – regjistrimi do të zhvillohet në gjuhën maqedonase dhe në shqip, kurse të dhënat e mbledhura nga terreni nuk do të bëhen publike./ABC News Albania 24/7

popullsia.jpg
ad min17:33 | 19/02/2019

Popullsia shqiptare po shkon drejt plakjes. Sipas të dhënave më të fundit të Institutit të Statistikave është rritur numri i personave mbi 60 vjeç, ndërsa po pakësohet numri i atyre nën 20 vjeç. Ky institut vë në dukje se këtë vit në Shqipëri ka rreth 31 mijë persona të grupmoshës 0 -24 vjeç më pak se vitin e shkuar.

Të moshuarit në vendin tonë shumë shpejt do të dominojnë parqet dhe rrugët. Këtë e dëshmon piramida e popullsisë, e cila sa vjen e ngushtohet në bazë e zgjerohet në majë. Janarin e këtij viti popullsia nga 0 ne 24 vjeç sipas Instititutit te Statistikave ra me mbi 31 mijë persona në raport me një vit më parë ndërkohë që ajo mbi moshën 55 vjeç u rrit me rreth 30 mijë vetë. Pëllumbin e takuam rastësisht në parkun “Rinia” në Tiranë. Na tregon se jeton vetëm pasi të tre fëmijët i kanë emigruar në Greqi ku dhe kanë krijuar familjet e tyre.

Pëllumbi: Jashtë i kam në Greqi. Dy çunë një gocë.

Pyetje: Mendojnë të rikthehen?

Pëllumbi: Janë martuar kanë krijuar familje andej dhe vështirë. Ne që jemi si të vjetër këtu duam, por është e pamundur, sepse nuk kanë asnjë të ardhme, s’kanë me ça të merren.

Veç emigracionit një tjetër fenomen që ka ndikuar në ndryshimin e strukturës së popullsisë në vendin tonë është dhe rënia e lindjeve. Sonila është një nënë e re që dëshiron të ketë një familje te madhe. Megjithëkëtë na tregon se pa u rritur vajza një-vjeçare nuk mendon të bëjë një tjetër fëmijë.

Sonila: Tani shpejt jo sepse fëmija do përkushtimin e vet, do kohën e vet. Të paktën të shkojë kjo në kopësht, dhe të mendojmë për një fëmijë tjetër.

Pyetje: Punoni?

Sonila: Aktualisht jo por së shpejti do angazhohem sepse edhe unë kam mbaruar një shkollë dhe nuk mund të rri tërë ditën në shtëpi. Ekonomia zë një pjesë kryesore, kështu që fëmija do kushtet, ka shpenzimet e veta.

Arsyet ekonomike janë ato që kryesisht detyrojnë familjet të kenë më pak fëmijë. Në vitin 2018, Instituti i Statistikave raporton se numri i lindjeve ra me 6.3% krahasuar me vitin paraardhës. Ndërsa pesha e grupmoshës nga 60 deri në 64 vjeç në totalin e popullsisë u rrit me 0.24%./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono