Poloni

polonia.jpg
G. P.13:29 | 15/03/2019

Një artikull i publikuar në një të përjavshme polake, ka shkaktuar shumë polemika për shkak të shkrimit në faqen e parë të saj. Titulli “Si të dallojmë hebrenjtë” ka detyruar deputetët e opozitës që të kërkojnë nisjen e hetimeve.

“Si të dallojmë hebrenjtë”? Shpërthejnë polemikat në Poloni për titullin me të cilin një e përjavshme e ekstremit të djathtë ka hapur faqen e saj të parë. Gazeta, “Tylko Poska”, është pjesë e mediave që u ofrohen deputetëve në sallën e parlamentit në Varshavë. Artikulli antisemit u sinjalizua nga një deputet i opozitës, Michal Kaminski, i cili kërkoi hetim të menjëhershëm. Kancelarja e parlamentit do të kërkojë heqjen e kësaj gazete nga pjesa e shtypit të shkruar që vihet në dispozicion të parlamentarëve

E përjavshmja në gjuhë polake, e cila shpërndahet në të gjithë vendin, liston në faqen e parë emra, karakteristika antropologjike, shprehje, tipare karakteristike dhe estetike si dhe mënyra të vepruari, që sipas autorit të shkrimit u përkasin hebrenjve. Në shkrim lexohet dhe: “Si mund t’i mundim? Kështu nuk mund të vazhdohet!”. “Tylko Polska” publikohet nga Leszek Bubl, një politikan nacionalist./abcnews.al

paul-adamowitz.jpg
G. P.11:08 | 14/01/2019

Kryebashkiaku i qytetit polak Danzika ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore pasi u sulmua me thikë nga një i ri, gjatë një mbrëmje bamirësie. Agresori është arrestuar ndërsa nuk dihen ende arsyet e tij për sulmin.

Është në gjendje kritike për jetën kryebashkiaku i Danzikës, Powel Adamowitz, i cili u sulmua me thikë gjatë një mbrëmje bamirësie. Kryebashkiaku iu nënshtrua një ndërhyrje delikate kirurgjikale. Adamovitzz u sulmua papritur duke u qëlluar disa herë me thikë, nga një i ri 27-vjeçar, gjatë koncertit të fundit të orkestrës së Krishtlindjeve, në një mbrëmje për mbledhje fondesh për bamirësi.

Ai u qëllua teksa ndodhej në skenë. Lajmi është konfirmuar nga burime zyrtare për mediat polake. Kryebashkiaku u dërgua menjëherë në spital, por nuk dihet asgjë e saktë për gjendjen e tij, përveç faktit se është në rrezik për jetën. Sipas televizionit vendas TVN24, në orën 20 të mbrëmjes së të dielës, një person u ngjit në skenë duke bërtitur, dhe më pas kryebashkiaku u pa i gjakosur. Agresori është arrestuar menjëherë. Powel Adamowitz është kryebashkiak i qytetit port në Baltik që nga viti 1998./abcnews.al

p06y1bzc.jpg
G. P.00:00 | 14/01/2019

Ka ndërruar jetë pas disa orësh agoni, kryebashkiaku 53 vjeçar i Danzikës në Poloni. Pauel Adamovicz u qëllua disa herë me thikë gjatë një mbrëmjeje bamirësie. Agresori 27 vjeçar u arrestua në vendngjarje.

Kryebashkiaku i Danzikës, Pauel Adamovicz, ka ndërruar jetë në spital pasi u qëllua disa herë me thikë të dielën, teksa ndodhej në skenën e një evenimenti bamirësie. Mjekët që e operuan për më shumë se pesë orë, konfirmuan lajmin duke theksuar se kryebashkiaku ishte qëlluar me thikë në zemër, diafragmë dhe organe të tjera jetësore.

Mjekëve i janë dashur 41 transfuzione gjaku për të vazhduar operacionin por 53 vjecari nuk ka mundur të mbijetojë.

Sipas televizionit vendas TVN24, në orën 20 të mbrëmjes së të dielës, një person u ngjit në skenë duke bërtitur, dhe më pas kryebashkiaku u pa i gjakosur. Agresori u arrestua menjëherë. Pauell Adamovicz ishte kryebashkiak I qytetit – port në Baltik që nga viti 1998./abcnews.al

Meta-600x450.jpg
G. P.16:58 | 03/12/2018

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, mori pjesë këtë të hënë në Samitin e Klimës të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, që po mbahet në Katovicë të Polonisë. Në fjalimin drejtuar krerëve të shteteve dhe qeverive pjesëmarrëse, presidenti Meta ndau edhe shqetësimin e qytetarëve shqiptarë, të cilët vuajnë pasojat e katastrofave natyrore prej ndryshimit klimatik.

Negociatorët nga e gjithë bota u takuan në Poloni për të biseduar mbi ndryshimet klimatike, tre vjet pas nënshkrimit të një marrëveshjeje të rëndësishme në Paris, që caktoi një objektiv për të mbajtur ngrohjen globale nën 2 gradë Celsius. Midis të dërguarëve që u mblodhën në qytetin jugor të Katovicës, është edhe presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili nënvizoi se  partneriteti i ngushtë e i fortë, koordinimi dhe veprimi i përbashkët janë e vetmja mënyrë për t’iu përgjigjur këtyre sfidave globale.

“Unë do t’i inkurajoja palët që gjenden në një pozitë më të favorshme, që të vazhdojnë të ndihmojnë vendet më të pambrojtura, duke synuar një tranzicion të drejtë dhe me solidaritet”.

Shqipëria, si një vend mesdhetar, është mjaft e ndjeshme ndaj ndryshimeve në trendet klimaterike, ndaj ngjarjeve të shpeshta dhe ekstreme që ndikojnë në shumë rajone, sektorë të turizmit dhe të energjisë, por mbi të gjitha mbi jetën e popullit tha kreu i shtetit shqiptar.

“Këto dukuri kanë rritur vetëdijen tonë dhe janë ndeshur me përgjigjen tonë të thjeshtë, por të vendosur, për të vazhduar me zbatimin e shpejtë të Marrëveshjes së Parisit. Ne kemi miratuar Kontributin e Përcaktuar Kombëtar me angazhimin për të reduktuar emetimet e dioksidit të karbonit në nivelin 11.5%”.

Këto dhe hartimi i strategjisë për Ndryshimet Klimaterike dhe Planin e saj të Veprimit për zbutjen tregojnë se Shqipëria po i qëndron besnike  angazhimeve të marra në Marrëveshjen e Parisit dhe objektivin e Kontributeve të Përcaktuara Kombëtare (NDC).

“Së shpejti do të kemi funksional një sistem kombëtar që ruan një inventar të emetimeve të gazrave serrë dhe masave të nevojshme për zbutjen dhe përshtatjen, në vazhdën e ligjit të ri mbi Ndryshimet Klimaterike, në përputhje me rregullat e Bashkimit Europian”.

Samiti i Kombeve të Bashkuara të Katovicës u zhvillua  nën moton “Të ndryshojmë së bashku”./abcnews.al

ppp.png
G. P.23:22 | 04/10/2018

Vendet e varfëra të Bashkimit Europian kanë vendosur të sfidojnë ato të pasura. Hungaria dhe Polonia i janë drejtuar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për të kërkuar ndryshimin e rregullores për pranimin e punëtorëve nga vendet e lindjes në ato të perëndimit.

Qeveritë në Hungari dhe Poloni kanë deklaruar të enjten se i janë drejtuar Gjykatës Europiane të Drejtësisë për të sfiduar rregullat e ashpra të Bashkimit Europian për pranimin e punëtorëve nga vendet anëtare të lindjes.

Bëhet fjalë për një nga çështjet më të ndjeshme që ka thelluar ndasitë mes vendeve të varfëra dhe atyre të pasura të Unionit. Nga këto të fundit është Franca që Korrikun e kaluar prezantoi një direktivë të re, që kufizon të drejtën e qytetarëve nga vendet modeste për të punuar në vendet e kamura për një rrogë më të lartë.

Për Parisin zyrtar, praktika e mëparshme, që u lejonte punëtorëve të huaj të merrnin rrogë në vendet e Perëndimit dhe që kontributet shoqërore t’i shlyenin në vendet e origjinës nuk ishte e drejtë, ndaj duhej ndryshuar. Por për qeveritë në Budapest dhe Varshavë, direktiva e re shkel të drejtat dhe liritë që garantohen në traktatin e bllokut europian.

“Kjo reformë nuk shërben për të mbrojtur punëtorët vendas. Ajo është vetëm një vegël proteksionizmi”, thuhet në një deklaratë të qeverisë hungareze.

Në të njëjtat linja është shprehur edhe ministri polak i Punës, Konrad Zimanski, që ka saktësuar se Polonia e ka depozituar ankesën e saj më 3 Tetor.

Punëtorët nga vendet e lindjes përbëjnë vetëm 1 për qind të krahut të punës në BE, shumica e të cilëve janë të angazhuar në sektorin e ndërtimit dhe transportit./abcnews.al

WhatsApp-Image-2018-09-26-at-09.10.12-1280x857.jpeg
G. P.09:11 | 26/09/2018

Presidenti i Republikës po vijon takimet me homologë në Nju Jork në kuadër të pjesëmarrjes në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Në takimin me Presidentin e Polonisë, Andrej Duda, kreu i shtetit Meta vlerësoi mes të tjerash bashkëpunimin mes dy vendeve në fushën e turizmit dhe numrin gjithnjë në rritje të turistëve polakë që vizitojnë Shqipërinë.

Në bashkëbisedimin me Presidentin e Qipros Nicos Anastasiades, Meta mori mbështetje në kuadër të integrimit të vendit në BE.
Ndërsa në takimin me Mbretin e Jordanisë, Abdullah II, presidenti Meta vlerësoi bashkëpunimin dypalësh, veçanërisht në fushën e sigurisë, por edhe interesi në rritje për të bashkëpunuar në aspektin ekonomik apo të shëndetësisë, janë fusha që duhet t’i nxisim e promovojmë më tej. Gjatë takimeve, presidenti Meta i ftoi homologët për vizita zyrtare në Shqipëri, në funksion të forcimit të bashkëpunimit reciprok./abcnews.al

duda.jpg
G. P.18:36 | 19/09/2018

Mund të quhet “Fort Trump” baza e përhershme ushtarake amerikane në Poloni, për të cilën Varshava është e gatshme të paguajë 2 miliardë dollarë. Lajmi është konfirmuar gjatë konferencës së përbashkët për shtyp në Shtëpinë e Bardhë të presidentit amerikan Trump dhe homologut të tij polak Duda.

Varshava është e gatshme të paguajë të paktën dy miliardë dollarë për ngritjen e një baze ushtarake amerikane në vend. Lajmi është konfirmuar nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili tha se po e mendonte seriozisht kërkesën për një prani ushtarake të përhershme në Poloni, një vend strategjik në Europë. Për t’u përballur me atë që kreu i Shtëpisë së Bardhë e cilësoi si një sjellje agressive të Moskës.

Trump shtoi se po e merrte në konsideratë nga këndvështrimi i mbrojtjes ushtarake për të dy vendet. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologun polak Duda në Shtëpinë e Bardhë, Tramp shtoi se po mendohej dhe për anën financiare. E meqënëse Varshava kërkon të paguajë aq shumë atëherë ia vlen të diskutohet.

Me anë të një deklarate për shtyp Shtëpia e Bardhë konfirmoi se Uashingtoni synon përforcimin e bashkëpunimit ushtarak me Varshavën, duke intensifikuar konsultimet.

Duda nga ana e tij bëri shaka duke thënë se kjo bazë ushtarake mund të quhet “Fort Trump”, në nder të kreut të Shtëpisë së Bardhë. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Xhejms Matis, lavdëroi Poloninë sepse kishte shtuar shpenzimet ushtarake, por u tregua më i matur për sa i përket pranisë ushtarake amerikane në vend, duke thënë se nuk ishte vendosur akoma asgjë./abcnews.al

vogelushi.jpg
G. P.10:25 | 29/06/2018

Një tre-vjeçar ka humbur jetën në mënyrë tragjike pasi po luante me të motrën kukafshehti.

Vogëlushi, i quajtur Marcel, gjatë lojës është munduar të fshihet brenda në lavatriçe, ku kishte arritur nga brenda që të mbyllte edhe derën.

Ngjarja ka ndodhur më 18 Qershor në Slupsk të Polonisë. Prindërit e tij filluan të kërkonin për të, kur nuk e dëgjuan më të luante.

Babai i tij, emri të cilit nuk është bërë publik, e gjeti Marceli të mbyllur brenda lavatriçes në banjo dhe lajmëruan menjëherë ambulancën.

Kur mjekët arritën, gjendja e tre-vjeçarit ishte kritike. Falë përpjekjeve të tyre, Marceli arriti të dërgohej në spitalin më të afërt, por vdiq 6 orë më vonë.

Nga autopsia u zbulua se ai kishte vdekur nga asfiksia, për shkak të mungesës së oksigjenit në lavatriçe.

Ndërkohë, sipas mediave është ngritur një hetim mbi këtë rast dhe prindërit e tij mund të akuzohen për vrasje padashje./abcnews.al

poland-1280x799.jpg
G. P.19:34 | 19/06/2018

Senegali ka rikonfirmuar forcën e futbollit afrikan, duke gjunjëzuar 2-1 Poloninë në ndeshjen e grupit H, të luajtur në Moskë. Ndërkohë, Lewandowski me shokë kanë zhgënjyer tifozërinë polake.

Senegali i ka kthyer krenarinë Afrikës duke fituar 2-1 ndeshjen me Poloninë, e vlefshme për grupin H. Ka qenë një lojë superiore ajo e senegalezëve, që e kanë gjetur golin në minutën e ’36, të ndihmuar edhe nga mbrojtësi polak Çionek, që ka devijuar topin drejt rrjetës së tij.

Por pjesa e dytë nuk ka lënë vend për dyshime në forcën e afrikanëve. Në minutën e ’60, Niang ka ndjekur me vendosmëri një top të hedhur para nga shokët e skuadrës dhe ka gjunjëzuar si mbrojtësin, ashtu edhe portierin polak që janë munduar ta ndalojnë.

Polonia ka shpresuar tek lojtarët e saj ofensivë si Lewandowski, Milik apo Zielinski, por ata janë bllokuar nga mbrojtja dhe mesfusha shumë e fortë e Senegalit. Më shumë se të tjerët ka zhgënjyer Lewandowski, por sulmuesi i Bayern-it e ka patur të vështirë për shkak se nuk është shërbyer si duhet nga shokët e skuadrës.

Sidoqoftë, polakët nuk janë larguar pa shënuar golin e nderit në këtë ndeshje. Në minutën e ’86, Kriçoviak ka goditur saktë me kokë një top të ardhur nga një goditje dënimi, duke zbutur statistikat e dizavantazhit. Vlen të theksohet se në këtë Kupë Bote, deri tani nuk ka pasur asnjë ndeshje pa gola, ndonëse mjaft prej tyre janë mbyllur me rezultatin 1-0./abcnews.al

poloni-izrael.jpg
G. P.22:12 | 12/04/2018

Presidentët e Polonisë dhe Izraelit kanë ulur tensionet diplomatike mes dy vendeve, të krijuara nga ligji kontradiktor i polakëve për Holokaustin. Ata kanë marshuar së bashku në kampin e Aushvicit, në ditën që përkujton përndjekjen e hebrenjve.

Presidentët e Polonisë dhe Izraelit kanë lënë mënjanë polemikat dhe kanë marshuar së bashku në kampin e përqendrimit të Aushvicit. Palët kishin parë marrëdhëniet të ftoheshin pas miratimit të një ligji nga qeveria polake, që e cilësonte krim sugjerimin se polakët kishin qenë bashkëpunëtorë në përndjekjen e hebrenjve.

Andrzej Duda dhe Rojven Rivlin u bashkuan me rreth 15 mijë persona, shumica e të cilëve hebrenj të ardhur nga vende të ndryshme të botës, dhe përshkuan 3 kilometra rrugë, që nga hyrja e kampit që mban parullën famëkeqe “Puna të bën të lirë”.

Uniteti i treguar me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit mund të ndihmojë në uljen e tensioneve diplomatike të krijuara nga ligji kontradiktor. Në konferencën e përbashkët për shtyp, Rivlin tha se Izraeli i respekton ato që i quajti “kërkimet shpirtërore” të palës polake.

“Por për disa gjëra nuk biem dakord. Ne kërkojmë që Polonia të bëjë një kërkim të plotë sa i takon Holokaustit”, tha Presidenti izraelit.

Nga ana tjetër, homologu Duda tha se nuk ishte qëllimi i shtetit të tij të kufizonte rëndësinë e Holokaustit.

“Përkundrazi, ne dëshirojmë ta mbrojmë të vërtetën historike, përfshirë ato pjesë që për polakët nuk janë të pranueshme. Në qëndrimin tonë nuk ka patur kurrë një qëndrim armiqësor ndaj hebrenjve”, tha Presidenti polak./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono