politikës

meta-5.jpg
nev ila09:29 | 12/08/2019

Presidenti i republikës, Ilir Meta e ka nisur ditën me një shënim në rrjetet sociale duke përsëritur apelin e fortë për palët politike në vend. Meta u ka kujtuar palëve politike se ka kaluar 1 vit, që nga koha kur u bën të njohura konkluzionet e Këshillit për Çështjet e Përgjithshme, mbi negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Sipas presidentit, jo vetëm që u shpërdorua një vit pa bashkëpunim, përqëndrim e përgjegjësi, por gjithçka u përkeqësua vetëm në interes të luftës për pushtet.

Meta thekson se “duhet shfrytëzuar urgjent gatishmëria e drejtuesve të OSBE-së për të ndihmuar në tejkalimin e kësaj krize duke e pranuar këtë gatishmëri tani, me qëllim që jo vetëm të realizohen zgjedhjet vendore në 13 tetor 2019, por edhe të arrihet marrëveshja për refomën zgjedhore sa më parë, në mënyrë që vendi ynë të ketë mundësi të çelë negociatat në 18 tetor 2019”.

Të dashur miq! 
Po ju rikujtoj qëndrimin tim publik në 27 qershor 2018, një ditë pasi ishin bërë të njohura konkluzionet e Këshillit për Çështjet e Përgjithshme mbi negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian!

Jo vetëm që u shpërdorua një vit pa bashkëpunim, përqëndrim e përgjegjësi, por gjithçka u përkeqësua vetëm në interes të luftës për pushtet.

Ndërkohë kanë kaluar më shumë se dy muaj nga dita kur u dhashë mundësi të dy palëve për të realizuar zgjedhje vendore gjithëpërfshirëse.

Ende kemi mundësi t’i shfrytëzojmë këto ditë, për të realizuar zgjedhje në 13 tetor 2019, si një detyrim, jo vetëm ligjor, por edhe si domosdoshmëri për të mos i mbajtur zero shanset që Shqipëria t’i çelë negociatat për anëtarësim me BE në 18 tetor 2019.

Askush të mos lodhet të gjejë justifikime dhe alibi nëse nuk reflekton. Çdo gjë mund të lobohet në BE, por jo injorimi i kritereve të Kopenhagenit. Zgjedhjet e lira e të ndershme janë pjesë e tyre dhe të paevitueshme.

Ndaj duhet shfrytëzuar urgjent gatishmëria e drejtuesve të OSBE-së për të ndihmuar në tejkalimin e kësaj krize duke e pranuar këtë gatishmëri tani, me qëllim që jo vetëm të realizohen zgjedhjet vendore në 13 tetor 2019, por edhe të arrihet marrëveshja për refomën zgjedhore sa më parë, në mënyrë që vendi ynë të ketë mundësi të çelë negociatat në 18 tetor 2019.🇦🇱🇪🇺

– 27 qershor 2018 – 
Ashtu siç kaloi një ditë, do kalojë dhe një vit

Konkluzionet e djeshme të Këshillit për Çështjet e Përgjithshme mbi negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian duhen mirëpritur me realizëm dhe përgjegjshmëri.

Ne të gjithë duhet ta vlerësojmë dhe çmojmë vullnetin pozitiv me të cilin si Komisioni Evropian ashtu edhe të gjitha vendet anëtare, e mirëpresin procesin e integrimit të Shqipërisë dhe gjithë rajonit në BE.

Kjo qasje duhet të na nxisë për një lexim të drejtë dhe realist të sfidave serioze që kemi përpara, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit.

Një vit kalon shpejt, ashtu si nga dje kaloi një ditë.

Provimi ynë i qershorit të ardhshëm do të jetë shumë i vështirë e kërkues pasi edhe vetë Bashkimi Europian do të ketë provimin e tij zgjedhor në të njëjtën kohë.

Ndaj, i ftoj të gjithë për përqendrim, përgjegjësi dhe bashkëpunim“, shkruan Presidenti./abcnews.al

meta.jpg
nev ila09:45 | 31/07/2019

Presidenti Ilir Meta ka nisur ditën e sotme me një mesazh për politikën shqiptare, duke theksuar se Shqipëria ka nevojë për zgjidhje tani, pasi në Shtator do të jetë shumë vonë.

Shqipëria është tejet e lodhur me marrëveshjet e vonuara, shkruan presidenti duke theksuar se kjo ka ardhur si rezultat i politikanëve të papërgjegjshëm e të llastuar, të cilët kanë minuar stabilitetin e Shqipërisë.

Meta thekson se Shqipëria ka nevojë për zgjidhje tani pasi në shtator do të jetë tepër vonë.
Të mos kalojmë në KundërKohë!

Ky është pikërisht momenti kur koha nuk punon më për ty dhe ti fillon e gënjen veten se do gjesh një rrugë justifikimi për dështimin tënd të sigurt.
U ndodh shpesh fëmijëve kur kanë përpara provimin e një lënde që nuk i tërheq fare. Nuk e zënë me dorë librin për një kohë të gjatë dhe vazhdojnë e luajnë duke gënjyer veten se kanë ende kohë para provimit.
Por vjen një moment, kur koha nuk punon më për ty dhe kalon në KundërKohë.

Atëherë fillon e mendon si të justifikosh dështimin tënd në provimin që ti s’mësove kur duhej. 
Kuptohet, zakonisht prindërve u thuhet se fajin e kishte Zysha, se ishte e keqe dhe e padrejtë.
Por fëmijëve u falen sjellje të tilla dhe ato u kthehen në mësim për të ardhmen.

Ndërsa politikanëve jo!

Për më tepër të një vendi që ka shpërdoruar kaq shumë kohë dhe mundësi në tre dekadat e fundit. Të një vendi që në vitet 2000, 2001 ishte gati me të njëjtin ritëm integrues si Kroacia dhe shumë para Serbisë e Malit të Zi. 
Se ku ështē Kroacia, dihet prej vitesh, por edhe Serbia dhe Mali i Zi gjithashtu. Po kështu edhe sakrifikimi i çeljes së negociatave për Maqedoninë e Veriut nuk mund të jetë, as zgjidhje, dhe as shpëtimi i fytyrës tonë që nuk duam t’i plotësojmë detyrimet që i dinë të gjithë.

Populli ynë nuk e meriton të mbetet i fundit në rajon, për shkak të liderëve të tij të llastuar!

Kemi dhe fare pak kohë për të mos kaluar në KundërKohë!

Nuk na mjaftoi që ishim në KundërKohë me gjithë qytetërimin Perëndimor për 45 vite?

Duhet hequr dorë urgjentisht nga kokëfortësia për të ecur në dy rrugë përjashtuese, jodemokratike dhe joeuropiane, që s’kanë pikë takimi, jo vetëm me njëra-tjetrën, por që të dyja e nxjerrin vendin për një kohë të pacaktuar nga rruga europiane e sigurt dhe e dëshiruar nga të gjithë shqiptarët.

Duhet Lidership dhe Lidershipi jep zgjidhje në interes të të gjithë vendit!

Në mënyrë që 18 tetori të jetë një ditë e gëzueshme për mbarë shqiptarët dhe rikthimi, jo vetëm të shpresës e sigurisë për të ardhmen, por në radhë të parë të të rinjve tanë.

Shqipëria ka nevojë për zgjidhje! 
Tani! 
Në shtator do jetë shumë vonë!

Aq më tepër pas 18 tetorit të sakrifikuar për mungesë përgjegjësie ndaj vendit.

Shqipëria është lodhur me marrëveshje tejet të vonuara, që sakrifikojnë të ardhmen e saj, për të shpëtuar karrierat e politikanëve të papërgjegjshëm, në emër të gjoja stabilitetit që ata e minojnë çdo ditë me sjelljet dhe mosveprimet e tyre.

SHQIPËRIA E PARA!🇦🇱
Me vepra, jo fjalime!”, shkruan presidenti Meta./abcnews.al

CDU_CSU.jpg
nev ila17:26 | 23/05/2019

Unioni Kristiandemokrat dhe Kristiansocial (CDU/CSU) përmes një deklarate ekskluzive për Deutsche Welle-n shpreh shqetësimin për gjendjen në Shqipëri. Ndër të tjera sugjerohet shtyrja e datës së zgjedhjeve.

Në një deklaratë të përbashkët, dy deputetët, Johann David Wadephul, zëvendëskryetar i grupit parlamentar CDU/CSU në parlamentin gjerman dhe njëherazi drejtues i grupit të punës së Ballkanit Perëndimor, si dhe Christian Schmidt, CSU, raportuesi për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm dhe ish-ministër federal, shprehin shqetësimin e tyre për krizën e brendshme politike në Shqipëri dhe për zgjedhjet lokale që do të zhvillohen pa opozitën.

Deklarata e Plotë:

Po e vëzhgojmë me shqetësim të madh krizën e brendshme në Shqipëri. Për të ardhmen evropiane të Shqipërisë nevojitet dialogu mes qeverisë dhe opozitës. Për këtë, të dyja palët duhet të afrohen me njëra-tjetrën dhe të jenë të gatshme për kompromise.

Protestat e përsëritura në Shqipëri janë një shenjë e pakënaqësisë së shumë qytetarëve. Ne bëjmë thirrje që protesta të jetë paqësore. Aktet e dhunës i dënojmë thellësisht. Është përgjegjësia e vendimmarësve të politikës që të sillen të arsyeshëm në këtë situatë dhe që me të gjitha forcat të përpiqen për ta qetësuar gjendjen. Nëse kjo nuk do të ndodhë, ekziston rreziku që vendit t’i mbyllet rruga drejt Evropës.

Ne jemi edhe më tej të gatshëm që të kontribuojmë për hapjen e një dialogu ndërmjet qeverisë dhe opozitës për të kapërcyer krizën. Por kjo mund të funksionojë vetëm nëse të dyja palët hyjnë në bisedime pa vendosur parakushte. Gjithashtu nuk duhet të përjashtohet asnjë temë.

Zgjedhjet pa pjesëmarrjen e opozitës janë problematike në aspektin demokratik. Prandaj duhen vënë në tryezë të gjitha opsionet që u garantojnë qytetareve dhe qytetarëve mundësi të vërteta për të zgjedhur në zgjedhjet lokale. Këtu hyjnë edhe masa të jashtëzakonshme, si për shembull, shtyrja e datës së zgjedhjeve lokale. Qëllimi më i lartë duhet të jetë kthimi pa ekuivok në procedurat demokratike dhe respektimi i standardeve të shtetit të së drejtës në zgjedhje.

Bashkësisë ndërkombëtare nuk i interesojnë konfliktet politike ndërpartiake, por stabiliteti demokratik./abcnews.al

 

Byro-politike.jpg
nev ila22:20 | 20/05/2019

Deklarata të forta kanë lëshuar përfaqësuesit e biznesit mbrëmjen e sotme në “Byro Politike”. Ata kanë thënë se në rast se situata nuk ndryshon ata do të jenë të detyruar tu imponohen politikës duke mos paguar taksat.

Juli Xhokaxhi ka pyetur Alban Zusin, Drejtorin Ekzekutiv të Industrialistëve Ushqimore se si mendonin se do i imponoheshin politikës duke parë situatën kritike ekonomiko politike në vend, Zusi tha:

Çështja është që nëse kjo krizë politike po agravohet unë bie dakord që kjo krizë i ka rrënjët në keqmanexhimin ekonomik që ka ndodhur në 2 ose 3 vitet e fundit, në janarin e vitit të kaluar filloi rënia e euros, filloi shkatërrimi i eksporteve. Sot ne mundemi të shohim qartësisht që eksportet shqiptare janë thuajse të rrënuara, për herë të parë kemi recension në rënie. Jam dakord se ka nevojë për një ofertë politike që deri më sot nuk e kemi një ofertë me karakter ekonomik. Ne mund të imponohemi duke mos bërë vetëm deklarata por duke u mbledhur dhe duke bërë veprime të forta të karakterit ekonomik, bllokim të tregut, bllokim të pagesës së taksave për një muaj, le të punojë politika më pas, e le ti gjej paratë e saj për të vazhduar lojërat e saj”./abcnews.al

ambasadori-austriak-1280x738.jpg
ad min12:00 | 15/05/2019

Ambasadori austriak, Johan Sattler i  bën thirrje mazhorancës dhe opozitës të ulen e të dialogojnë pasi sipas tij ka ardhur koha t’i japin dorën njëra tjetrës. Deklaratat ambasadori Sattler i bëri nga qyteti i Patosit.

Nuk ka rëndësi nëse ndodhen në zyrë apo në terren, mesazhi që i drejtojnë mazhorancës dhe opozitës është i njëjti.

“Qytetarët kanë gjithmonë të drejtë për të protestuar, dhuna është diçka që ne e dënojmë absolutisht. Ka ardhur koha që partitë ti zgjasin dorën njëra tjetrës, pas pesë protestave tani është koha për dialog politik. Këtë presin edhe shqiptarët, që të funksionojë dialogu”.

Deklarata e peshkopëve katolikë për paqe e dialog bërë disa ditë më parë nxit ambasadorin e Austrisë ti drejtohet politikanëve që ta shohin me detaje. Është koha që ti jepet fund retorikës së dhunës tha kreu i diplomacisë austriake në vendin tonë nga Patosi ku ndodhej për një aktivitet.

“Retorika duhet të ndryshojë. Ashtu si edhe përfaqësuesit ndërkombëtar janë këtu për të ndihmuar, por përgjegjësia është mbi aktorët politikë në vend”. /ABC News Albania 24/7

palmer-1-1280x734.jpg
ent ela19:44 | 07/04/2019

Këtë fillim javë pritet të mbërrijë në Tiranë zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, për çështjet e Evropës dhe Euroazise, Mathew Palmer, në përpjekje për të zgjidhur situatën e krijuar pas fillimit të protestave nga opozita dhe djegien e mandateve parlamentare.

Ai do të zhvillojë një tur në gjithë rajonin e Ballkanit. Gjatë vizitës së tij në Shqipëri Palmer do të zhvillojë takime me zyrtarët më të lartë politik në vend, si kreu i shtetit Ilir Meta, Kryeministrin Rama si dhe me drejtues të opozitës së bashkuar.  Vizita e Mathew Palmer u parapri nga ajo e Jonathan Moore, Zëvendës Ndihmës Sekretar i Përgjithshëm për Organizatat Ndërkombëtare në Departamentin Amerikan të Shtetit. Por nga takimet e këtij të fundit, të vetmet të publikuara ishin ai me ish-kryeministrin Sali Berisha dhe ai me deputeten Rudina Hajdari, e cila refuzoi vendimin politik të opozitës për djegie mandati./abcnews.al

zoran-zaev-bujar-osmani-960x540.jpg
ent ela14:22 | 28/03/2019

Në vitin 2020 do të nisë regjistrimi i popullsisë në Maqedoninë e Veriut. Zv/ kryeministri Bujar Osmani, premtoi se politika nuk do të ketë asnjë rol në këtë proces.

Në Shkup, zv/ kryeministri për Çështjet Evropiane, Bujar Osmani ka paralajmëruar se Regjistrimi i Popullsisë do të zhvillohet vitin e ardhshëm. Ai në një prononcim për televizionin maqedonas “Telma”, ka lënë të kuptohet se partnerët në koalicionin qeverisës, LSDM-ja, kryeministri Zoran Zaev dhe BDI-ja e Ali Ahmetit, kanë tejkaluar të gjitha dallimet lidhur me këtë çështje.

Osmani ka saktësuar se ky proces, jo vetëm statistikor, do zhvillohet sipas metodës së kombinuar. Pra jo vetëm në terren, por do të shfrytëzohen bazat e të dhënave të institucioneve përkatëse dhe në të do të përfshihen dallimet etnike, kulturore e fetare të qytetarëve.

Ajo që është me rëndësi është se, është rënë dakord për vendosjen e një mekanizmi të mirëbesimit”, ka thënë Osmani.

Sipas tij, nuk do të ketë Komision Shtetëror për Regjistrim, politika nuk do të përzihet fare dhe e gjithë puna do t’i lihet Entit Shtetëror të Statistikës.

Me këtë rast, drejtori dhe zv/ drejtori (që nënkuptohet se njëri prej tyre do të jetë shqiptar) do të vendosin së bashku, për të gjitha materialet e regjistrimit në mënyrë që komunitetet etnike të kenë besim në gjithë procesin.

Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut deri tani kanë shfaqur mosbesim në vërtetësinë e regjistrimeve për shkak të mos përfshirjes në procesin e përpunimit të të dhënave./abcnews.al

mm-1280x698.jpg
ent ela15:31 | 09/03/2019

Të premten Gjykata Penale në Shkup ka shqiptuar rreth 20 vjet burgim për gjashtë të akuzuar: ish-shefin e shërbimit sekret maqedonas Sasho Mijalkov, kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, dhe katër ish- anëtarë të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve. Ata u dënuan për shkak të rolit të tyre në parregullsitë e procesit të zgjedhjeve vendore në vitin 2013.

Procesi gjyqësor i koduar si ‘Titaniku 2’ u kërkua nga Prokuroria Speciale Publike. Pavarësisht se avokatët e të dënuarve kanë paralajmëruar ankimim në Gjykatën e Apelit, parashikohet se vendimi do të tensionojë situatën politike në vend

Rasti ‘Titanik’ në të cilin u dënuan me burgim dy eksponentë të lartë politik – Sasho Mijalkov, ish-shef i shërbimit sekret maqedonas, dhe Menduh Thaçi, kryetar i PDSh-së, dhe katër ish-anëtarë të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut, është pasuar nga dy vlerësime katërcipërisht të kundërta: Sipas të parit, dënimi është provë se – drejtësia vonon ama nuk harron.

Me fjalë të tjera, aktgjykimi i Gjykatës Penale në Shkup, është ajo drita e shumëpritur në fund të tunelit – për vendosjen e shtetit të së drejtës. Mirëpo, përtej kësaj, fakti se gjykatat speciale, jo rrallë nuk i shpëtojnë damkës si ‘gjykata politike’, verdikti i Gjykatës sikur lë një shije mosbesimi.

Në fakt, sipas një këndvështrimi tjetër, dënimi i së premtes, sikur flet për pozitën e vështirë të qeverisjes së kryeministrit Zoran Zaev, në radhë të parë për ruajtjen e shumicës së dy të tretave në Parlament, që i është shumë e nevojshme për bërjen e detyrave të shtëpisë – për epilogun e pasigurt të zgjedhjeve Presidenciale të 21 prillit, por edhe për thellimin e reformave në pritje të dritës jeshile për çeljen e negociatave për t’u bërë anëtar me të drejta të plota në BE.

Kryeministri Zaev ashiqare ka nevojë për ‘tetëshen e artë’ të shkëputur nga VMRO-DPMNE-ja, për të cilën thuhet se është e afërt me Mijalkovin, por edhe për dy deputetët e PDSH-së së Thaçit. Së këndejmi, nuk janë të paktë ata të cilët mendojnë se me dënimet e shqiptuara, sikur Mijalkovi, po edhe Thaçi, po paralajmërohen për atë që quhet politikë e ‘kulaçit dhe kërbaçit’.

Me fjalë të tjera, të jenë të kujdesshëm për veprimet që do të mund të ndërmarrin, për shkak se – dihet: ‘pushteti e zë lepurin edhe me qerre’! Dhe gjithë kjo, pavarësisht se nga diçka duhej të niste, e zbeh betejën për shtetin e së drejtës. Kjo aq më tepër kur edhe raporti i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 2013-tës, për të cilat u dënua gjashtëshja e prirë nga Mijalkov e Thaçi, fliste për parregullsi që nuk patën ndikim në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve!/abcnews.al

47263646_303.jpg
ent ela16:59 | 28/01/2019

Me rastin e hapjes së ekspozitës personale në Berlin, Deutsche Welle ka intervistuar kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, i cili duke iu përgjigjur pyetjeve mes politikës dhe artit premton: “Nuk do plakem keq”

Edi Rama hapi në Berlin ekspozitën e tij të dytë personale brenda një kohe të shkurtër në Gjermani. Gjatë vizitës së tij private, Rama nuk pati asnjë takim me përfaqësues zyrtarë. Në këtë mënyrë nis intervista për Deutsche Welle e kreut të ekzekutivit Edi Rama.

I pyetur nga gazetari nëse fakti që shpesh herë pikturon mbi dokumente zyrtare, ka lidhje me përzierjen e artit dhe pikturës, Rama përgjigjet thjesht: se politika këtu nuk ka asnjë lidhje:

“Unë thjesht gjatë kohës së punës vizatoj, vizatoj gjatë takimeve, vizatoj gjatë telefonatave, gjatë momenteve të pauzave dhe është një proces krejt i natyrshëm, ku dora ndjek njërin sy dhe njëri sy ndjek dorën, ndërkohë që vëmendja është e gjitha e përqendruar tek diskutimet, tek puna, tek vendimet për t’u marrë, tek çështjet për t’u adresuar”.

Për sa i përket politikës së jashtme nëse aktualisht vendi i ka marrëdhëniet më të mira me Berlinin apo Uashingtonit, Rama u shpreh se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë të angazhuara dhe mbështetëse të Kosovës qysh në ditën një dhe pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës Kosova nuk do të ishte çliruar dot nga kthetrat e Beogradit dhe nuk do të ishte dot shteti i pavarur që është sot. K

ështu që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë qysh në ditën një mbështetëse të palëkundura të zhvillimit të demokracisë në Shqipëri dhe qysh në ditën një Shqipëria ka qenë qartësisht e shprehur për partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pavarësisht se kush ka qenë në qeveri, e majta dhe e djathta.

Sërish duke folur për Kosovën Rama theksoi se dialogu me Serbinë është i domosdoshëm dhe duhet të përfundojë me një marrëveshje historike mes dy vendeve. Por Rama nuk ka pranuar të përgjigjet për sa i pëket paralajmërimit për protesta nga opozita shqiptare, duke thënë se nuk flet për politikën e brendshme kur është jashtë vendit

Dhe pse nuk ka dhënë detaje se ku e sheh veten në tardhmen, Rama përfundoi intervistën duke thënë se nuk do të plakek keq, si ata që nuk larghen dot nga politika kur mund të bëjnë dicka shumë më fisnike në moshën e tyre…

Ekspozita e titulluar “Uorks” qëndron e hapur deri në datën 9 Mars. /abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono