politika

kosova-mali-i-zi.jpg
G. P.10:40 | 08/06/2019

Ndeshja e futbollit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, që përfundoi më rezultat të barabartë 1 me 1, u parapri me trysni politike. Ndeshja e vlefshme për eliminatorët për Kampionatin Evropian, u bojkotua nga përfaqësuesit e Malit të Zi me prejardhje serbe.

Mediet në Mal të Zi thanë se se trajneri i Malit të Zi, Lubisha Tumbakoviç, nuk do ta udhëheqë përfaqësuesen kundër Kosovës, pas trysnisë më të cilën është përballur nga Serbia për të mos luajtur kundër Kosovës. Në ekip nuk janë paraqitur as dy futbollistë tjerë që luajnë në ekipe të Serbisë.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, shkroi në rrjetet sociale se “Mali i Zi është mik dhe partner i Kosovës. Serbia nuk do ta pengojë këtë miqësi. Trysnia ndaj trajnerit dhe ndaj disa lojtarëve nga Beogradi dhe mediet serbe, e tregon fytyrën e vërtetë të Serbisë për të ndërhyrë në vendet fqinje. Kosova dhe Mali i Zi do t’i kapërcejnë këto pengesa nga Beogradi dhe të dyja vendet tona njohin taktikat e Serbisë”, shkroi zoti Pacolli.

Ndeshjet e futbollit në Ballkanin Perëndimor shpeshherë marrin ngjyrime politike, për shkak të marrëdhënieve të brishta ndërmjet vendeve të rajonit./VOA

erion-veliaj-1.jpg
G. P.13:04 | 04/06/2019

Një ditë të bekuar për besimtarët, por aspak të mirë për politikanët e ka cilësuar të sotmen kryebashkiaku i Tiranës, Erjon Veliaj. Pas takimit me kreun e KMSH-së, kryetari i bashkisë falënderoi të gjithë personat që ndihmuan njerëzit në nevojë gjatë muajit të Ramazanit.

“Faleminderit të gjithë vëllezërve dhe motrave myslimanë që muajin Ramazanit e kanë kthyer në një muaj të jashtëzakonshme solidariteti. Nuk ka pasur qendër sociale, njerëz në ndihmë ekonomike që nuk kanë marrë një paketë solidariteti nga Bashkia e Tiranës dhe KMSH, të cilët ka identifikuar të gjithë nevojtarët që askush të mos mbetej pas sidomos në këto ditë të veçanta. Kjo është një ditë e mirë për besimtarët, por nuk është një ditë e mirë për politikanët.

Tek kjo derë keni parë politikanë që predikojnë pafundësisht për harmoni fetare, për vëllazëri. Komunitetet fetare kanë patur vëllazëri prej qindra vitesh. Ne nuk kemi pasur asnjë problem. Njerëzit që janë më sherrxhinj, më të përçarë, më helmaxhinj japin mend komuniteteve që kanë harmoni perfekte. Pasi japin mend kalojë rrugën me molotov, me gurë, me zjarr, me tulla kokës, vëllezërve të tjerë shqiptarë që janë të veshur me uniforma. Pra sot një ditë e mirë për besimtarët, por shumë e trishto për politikët, ku besoj se duhet të reflektojnë”, tha Veliaj./ABC News Albania 24/7

POLITIKA-NE-ABC-NEWS-REKOMANDIM-POZITIV-DHE-KRIZE-POLITIKE-01.06.2019.mpg_snapshot_04.32-1280x720.jpg
ent ela15:02 | 01/06/2019

Rekomandimi pa kushte që Shqipëria mori për të dytin vit radhazi nga Komisioni Europian, nuk e zbuti krizën politike në vend. Palët janë të paktën publikisht, secili në llogoren e vet, ndërsa mazhoranca e opozita po lobojnë fort secila në kah të kundërt në Bungestagun Gjerman. Këtë dinamikë të javës politike që lamë pas na sjell Mimoza Koçiu me Politika në ABC News.

Për herë të dytë KE dha një rekomandim pa kushte për Shqipërinë, një mundësi e re për hapjen e negociatave të vendit tonë me BE. Lobimi i aktorëve politikë në Shqipëri, jo në një linjë, u ndje i fortë, teksa kriza politike vijon prej tre muajsh. Rama e coi në 6 nr e letrave në fb për bashën; CDU/CSU e bënë për herë të tretë, ofertën për ndërmjetësim të krizës politike, ndërsa BE kaloi me sukses sprovën ndaj partive euroskeptike në zgjedhjet për PE.

Po çfarë ndodhi javën politike që lamë pas?

Sic kishin paralajmëruar, në ditët e fundit të mandatit, Komisioni Junker, rekomandoi për herë të dytë, hapje të negociatave pa kushte për Shqipërinë. Në raport vërehet se Shqipëria ka dhënë rezultate për kushtet e identifikuara nga Këshilli qershorin e kaluar. Përcaktimet si vend mesatarisht i përgatitur në reformën e administratës publike, kriterin ekonomik, lirinë e shprehjes; një vend me një farë përgatitje në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar e sistemin e drejtësisë, shoqërohen në 114 faqet e raportit me vlerësimin se është bërë progress. Raporti ndalet më gjatë tek reforma në drejtësi, ku thuhet se në përgjithësi ka përparim. Evidentohet ngritja e KLP e KLGJ dhe KED, si hapa për forcimin e pavarësisë e llogaridhënies së gjyqësorit. Mes detyrave, zgjedhja e PP dhe bërja funksionale e trupave të reja të hetimit, SPAK dhe BKH, sapo të përfundojë vettingu i kandidatëve. Në raport evidentohet se Vettingu ka dhënë rezultate të prekshme, nën udhëheqjen e Komisionit Europian.

Raporti pranon se gjatë vitit të monitoruar, GJK nuk ka kryer dot detyrën, pasi ka mbetur me 1 anëtar nga 9 që duhej të kishte, ndërsa GJL ka mbetur me 3 nga 18 anëtarë. Plotësimi i vakancave, përfshi Inspektorin e lartë të drejtësisë thuhet në raport, ka nisur nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. 30 mijë është nr i dosjeve të mbetura në pritje, sipas raportit, por shifra ka shkuar në 44 mijë dosje në pamundësi shqyrtimi. Reforma në drejtësi mbetet pika e fortë ku mbështetet rekomandimi pa kushte.

Qasja duket interesante në drejtim të situatës politike. Raporti vlerëson se vendi ka vijuar përparimin në axhendën e reformave të BE. Ndërsa kriza politike vecohet si një çështje e brendshme përmes konstatimit se bojkoti i opozitës u pasua me djegie mandatesh, e mosregjistrimin në zgjedhjet e caktuara më 30 qershor.

Me tone relativizuese, Mogherini tha se kriza politike në Shqipëri është një realitet i parë, e jo vetëm në vendin tonë

Mesazhet vijnë të ngjashme në Tiranë, edhe në komunikimin telefonik mes ambasadorit të BE Soreca dhe Kryeministri  Rama. Të dy bashkohen se është momenti që BE të mbajë premtimin për hapjen e dyerve, e mbështetja gjendet tek një zë brenda qeverisë gjermane.

Referenca e Kryeministri  ishte për këtë editorial të ministrit për Evropën në kabinetin e kancelares Merkel, Michael Roth. Editoriali i botuar jo vetëm në gazetën gjermane por edhe në faqen zyrtare të MJ mban titullin  “BE duhet të mbajë premtimet e saj ndaj Ballkanit”, me shtjellimin se si Shqipëria ashtu edhe MV po punojnë me një axhendë ambicioze reformash e compromisesh të dhimbshme për t’iu afruar BE. Ndërsa shkruan se me zgjidhjen e cështjes së emrit, MV e Greqia bënë histori, Roth ndalet në mënyrë të detajuar tek rasti I shqipërisë.

Editoriali vinte pas dy ofertave të partive kryesore të koalicionit qeverisës CDU/CSU për ndërmjetësim e madje edhe mundësinë e shtyrjes së datës së zgjedhjeve vendore. Por në Tiranë janë të paktën dy aktorët e rëndësishëm, që konsiderojnë zërin e z.Roth.

Në krah të ambasadorit të BE, Kryeministri  refuzon edhe ofertën e presidentit për të rishikuar dekretin datën e zgjedhjeve.

Komunikim me opozitën vlerëson 6 letrat e postuara në FB, dhe sheh tek ajo rolin pengues për konfirmimin e rekomandimit të KE nga Këshilli Europian

Korridoreve politike e diplomatike janë rikthyer zërat se ndryshe nga një vit më parë, këtë vit, vendimi për Shqipërinë e Maqedoninë mund të vijë vecmas, duke lënë në pritje Shqipërinë, edhe për shkak se MV e ka kryer detyrën e vet, ndryshimin e emrit. E nënvizoi ministri i jashtëm Nikolla Dimitrov për amerikanen FT.

Edhe komisioneri Hahn duket në dijeni të këtij skenari.

Nga tre vendet themeluese të BE skeptike, Franca është në parim kundër zgjerimit në këtë moment me cdo vend, por Gjermania e Hollanda kanë gjëra konkrete për Shqipërinë dhe janë dy vendet e vetme të BE, ku vendimi për hapjen ose jo të negociatave merret në parlament. Në Hollandë, 6 javë pasi parlamenti i kërkoi qeverisë pezullimin e vizave për shqipërinë, për shkak të shqetësimeve në lidhje me krimin e organizuar, qeveria ia përcolli njoftimin KE të premten e 31 majit. Në këtë letër, i kërkohet Komisionit të shqyrtojë informacionin e dërguar nga Hollanda dhe në konsultim me vendet anëtare, të vendosë në lidhje me nevojën për të vepruar, por duke nënvizuar bashkëpunimin me qeverinë dhe autoritetet shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar. Do jetë KE ai që do vlerësojë kërkesën, e të informojë më pas PE e Këshillim Europian. Ky akt vjen pak ditë pasi deputetët hollandezë që vizituan Tiranën në fillim të Majit, dorëzuan raportin e tyre në parlament, ku flitet për djegien e mandateve nga opozita e krizën politike, një situatë që sipas deputetëve është shenjë e marrëdhënieve të vështira politike në Shqipëri, të cilat po pengojnë avancimin e demokracisë

Sytë janë nga Gjermania e kancelares Merkel, vendi më me ndikim në BE. Aty duket i intensifikuar lobimi në hije i qeverisë dhe opozitës shqiptare. Editorialin e socialdemokratit Roth, Rama e rimori edhe gjatë fjalës në kuvend.

Por të njëjtën ditë, po zyrtarisht erdhi një tjetër qëndrim nga Gjermania, krejt i kundërt me atë të Roth, por i ngjashëm me një qëndrim pas rekomandimit, të ish Kryeministri  Berisha. Ishte grupi i kancelares CDU/CSU që ndryshe nga aleati Roth, shprehej se deri tani Shqipëria nuk kishte përmbushur asnjë nga kushtet e para një viti, e vendimi do merrej në shtator.

Grupi parlamentar i kancelares përsëriste për herë të tretë ofertën për të ndërmjetësuar një dialog pa kushte, e pa përjashtuar asnjë temë.

FAZ dhe DW dy media autoritare gjermane, duke i përcjellë këto qëndrime, shkruajnë se Shqipëria përcan koalicionin qeverisës në Gjermani. Duhet thënë se koalicioni qeverisës, nuk është në ditën më të mirë, për shkak të rënies në vota në zgjedhjet për parlamentin Europian. Pavarësisht rënies me mbi 5% në raport me zgjedhjet europiane të 5 viteve më parë, CDU/CSU ruajti kryesimin si forca politike më e votuar në Gjermani, e ndjekur nga të Gjelbrit, një parti proeuropiane jo në qeveri. Ndërsa aleatja qeverisëse e Merkel, PSD e ministrit Roth u rendit e treta, me një rënie prej 11% në raport me 5 vite më parë.

Pra investimi gjerman për Shqipërinë në këtë panoramë mbetet mbresues, edhe në kushtet kur si vendi që konsiderohet motor i BE, ka peshë në zgjedhjen e drejtuesve të ardhshëm të Unionit. Merkel e Makron u dukën më të lehtësuarit, që euroskeptikët nuk morën dot avantazhin e pretenduar në zgjedhjet e fundit për PE, edhe pse në Francën e Macron, rezultuan më të votuarit, duke e lënë koalicionin ku bën pjesë partia e shefit të Elizesë në vend të dytë. Zgjedhjet e rezultatet e tyre sollën tërmete politike në dy vende të BE, që do shkojnë në zgjedhje të parakohshme Greqia e Austria. 32 vjecari Kurz që humbi votëbesimin në parlament, pavarësisht se partia më e votuar në Austri, ishte mungesa që spikati në darkën informale të liderëve të BE, tentative e parë e përbashkët për kompromis për përzgjedhjen e drejtuesve të rinj të Unionit. Por numrat e brishtë vështirësojnë kompromisin, pasi dy blloqet e mëdha politike të qendrës së djathtë e të majtë, PPE e Social demokratët, që morën respektivisht 179 dhe 153 vende, për herë të parë nuk arrijnë dot të vetëm, shumicën në parlamentin 751 vendesh. Do t’u duhet të llogarisin të tretët, me 105 vende, Aleancën e liberalëve e demokratëve për europën, ku bën pjesë edhe partia e Makron. Të katërtit me 69 vende janë renditur të gjelbrit, e me këto shifra, zgjedhja e pasardhësit të Junker, është pengesa e parë, mes Merkel e Makron që kanë marrë përsipër edhe rajonin tonë.

Makron nuk pranon zbatimin e parimit tradicional në BE, se posti i takon partisë që ka marrë më shumë vota, e që në rastin konkret është kandidati i PPE Manfred Ëeber. Në mbërritje për darkën informale në Bruksel, Kancelarja Merkel e përmendi Ëeber si kandidatin e vetëm që mbështetet prej partisë së saj, anëtare e PPE. Por presidenti francez Emmanuel Macron, as që e përmendi z. Ëeber si kandidat të mundshëm. Macron përmendi emrin e kryenegociatorit të Brexit, francezit Michel Barnier, të liberales daneze Margret Vestager dhe hollandezit të qendrës së majtë Frans Timermans, si kandidatë që kanë cilësitë e duhura sipas tij. Përvec Jean-Claude Juncker, në postet më të larta të BE, do zëvendësohen edhe presidenti i Këshillit Europian, polaku Donald Tusk, presidenti i Bankës Qendrore Europiane, italiani Mario Draghi dhe përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme, italiania Federica Mogherini. Lobimi mes udhëheqësve të BE dhe grupeve parlamentare do testohet zyrtarisht në samitin e 20-21 Qershorit, të Këshillit Europian. Tek ky samit pritet të jepet edhe vendimi për Shqipërinë e MV, edhe pse Gjermania është shprehur se Bundestagu do vendosë në shtator. Shqipëria duket se po përcan edhe deputetët nga i njëjti grup në Gjermani. Një ditë pasi pati një qëndrim të grupit CDU/CSU, një deputet i CDU, publikoi një deklaratë në Tëitter. Më hashtagun Shqipëria e meriton respektin tonë, edhe pse ka rrugë të gjatë përpara, deputeti i CDU, Olav Gutting, u tërheq vëmendjen kolegëve të tij, për mesazhet që dërgojnë nga Gjermania.

Çka do thotë se vendimmarrja në Bungestag do jetë vetëm matje numrash. Vetë Basha thotë se është Kryeministri pengesa për integrimin e paralajmëron edhe refuzimet nga disa vende të BE.

Duket thënë se aktorët politikë ne pozitë e opozitë, nuk po arrijnë të bashkohen për integrimin.

Gjithaq vullneti nuk është parë as nga mazhoranca, të paktën ai i premtuar një vit më parë, në prani të komisionerit Hahn.

Kjo ndarje në këtë moment të ri të përsëritur për Shqipërinë, vjen në një kohë kur vendi përballet prej tre muajsh me një krizë politike, e asnjëra pale as mazhoranca e as opozita, të paktën publikisht, nuk tërhiqet prej pozicionit të vet.  /ABC news Albania 24/7

 

 

paskal-milo-1280x722.jpg
Sej rie21:15 | 21/05/2019

Historiani Paskal Milo i ftuar në “Provokacija” është shpreh se asnjëherë nuk është ndikuar nga politika në studimet mbi historinë. Ai është shprehur se nuk ka pasur qasje pozitive ndaj regjimit, madje ishte larguar nga Tiranë si djali i armikut të popullit, pasi ka qenë i persekutuar.

Mustafa Nano: “Ju përveç prezantimit të fakteve keni në dorë edhe interpretimin. Dhe kur vjen puna tek interpretimi historianët edhe mund të dallohen. Ju përmendët  faktin se një numër o caktuar historianësh shqiptarë marrin një vendim të caktuar nën ndikimin e politikës. Ju gjithashtu keni qenë i përfshirë në politikë, nuk ka pasur një lloj konflikti midis disponimit tuaj akademik dhe atij politik?”

Paskal Milo: “Asnjëherë! Ta them me sinqeritetin më të madh.  Nuk kam bërë koncesionin më të vogël përsa i përket ndikimit të politikës në studimet e mia historike. Në mënyrë absolute! E di pse, qoftë edhe për një arsye që t;i mund ta quash banale, unë në periudhën e komunizmit kam qenë i persekutuar në një farë mase, nuk kam qenë në burg. Por unë jam larguar nga Tirana më motivacioni djali i armikut të popullit. Dhe këtë shumë pak njerëz e dinë sepse unë nuk bëj propagandë për këtë punë. Për 8 vite të tëra nuk më është lejuar të shkruaj. Më është ndaluar të shkruaj. E drejta themelore e një intelektuali. Unë nuk kam pas ndonjë qasje pozitive ndaj regjimit. Pas viteve ’90 se unë pas viteve ’90 u futa në politikë si shumë intelektualë të tjerë isha profesor universiteti u ktheva, se 5 vjet shkova në Fier si dënim dhe kur edha kam ardhur me qasjen super të qendërzuar që të merrem me studime historike pa u influencuar nga politika”./abcnews.al

meta-rama-1280x636.jpg
Sej rie13:15 | 27/04/2019

Opozita zyrtarizoi vendimin për të mos hyrë në zgjedhjet e 30 Qershorit, teksa një parti e re u krijua nga të larguarit prej Partisë Demokratike. Këto zhvillime tërhoqën debatin publik, por më në hije, nisi një lëvizje e partive aleate të Lulzim Bashës për të aktivizuar presidentin e Republikës me konsensus të ndërkombëtarëve në Tiranë. Mimoza Koçiu na sjell këtë dinamikë me Politika në ABC News./abcnews.al

IMG_9655-1280x853.jpg
G. P.14:33 | 17/04/2019

Ish-deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji përmes një deklarate për media ka akuzuar kryeministrin Rama se po nxin faqen e Shqipërisë duke u treguar gangster me qytetarët, por shërbëtor ndaj kriminelëve me të cilët erdhi në pushtet. Rezultat të kësaj sheh vendimin e parlamentit holandez.

“Grupet mafioze italiane, shqiptarët dhe bandat motorike të jashtëligjshme janë lojtarët kryesorë të krimit në Kontinent. Aktualisht krimi i organizuar përbën rrezikun më të lartë për sigurinë e brendshme të BE” – deklaroi dje Europol, duke e veçuar krimin e organizuar dhe mafien shqiptare si rrezik.

Prej këtij treguesi të lartë të nivelit të kriminalitetit me mbështetje shtetërore në Shqipëri, Parlamenti Holandez votoi propozimin për rikthimin e vizave.

Për shkak të projektit politik të Edi Ramës qytetarëve shqiptarë po ju rrezikohet lëvizja e lirë, për shkak të bashkëpunimit me krimin shqipëria ka 6 vite që nuk avancon por bën hapa pas në rrugën drejt BE.

Politika e Ramës është kërbaç për qytetarët dhe lëpirje për krimin. Shifrat e tmerrshme të nxjerra nga gjykatat tregojnë se shteti i Ramës dënon brenda dy vitesh 2156 familjarë për pamundësinë e pagesës së energjisë elektrike, 8 prej të cilëve në moshë të mitur, mijëra të tjerë për suvatime oborresh apo ndërtime stallash dhe nuk ka asnjë grup të strukturuar kriminal të dënuar”, tha Salianji./abcnews.al

POLITIKA-NE-ABC-NEWS-PROPOZIMI-I-RAMES-DHE-HESHTJA-E-BASHES-06.04.2019.mpg_snapshot_01.24-1280x720.jpg
ent ela15:09 | 06/04/2019

Një lëvizje e kryeministrit në situatën e tensionuar politike në vend, spikati në zhvillimet e javës që lamë pas. Një ftesë për opozitën jashtë Kuvendit, për t’u bërë pjesë e vendimmarrjes parlamentare, ngriti pikëpyetje, por edhe dëshmoi se pavarësisht nga numrat në kuvend, opozita politike mbetet interlokutori kryesor i shumicës. Këtë dinamikë të javës politike që lamë pas na sjell Mimoza Koçiu me Politika në ABC News.

Deklaratat publike i kanë ekstremisht të largëta, e ajo që njëri e quan krizë të opozitës, e tjetri krizë politike e institucionale, duket se po kthehet në statusquo.

Në këtë panoramë, kur ndërkombëtarët dukshëm nuk po japin sinjale përfshirje, e KM flet me gjuhë force e jo dialogu, spikati një ftesë e socialistëve për ta patur opozitën politike jashtë kuvendit, në vendimmarrjen e komisionit parlamentar për reformën zgjedhore. Për këtë madje do i zgjasnin mandatin deri në 5 Maj. Shkëlqeu heshtja e PD zyrtare përballë një oferte të tillë, e njëlloj edhe irritimi i opozitës së re në Kuvend.

Po çfarë ndodhi javën politike që lamë pas?

Një matje në distancë forcash në Durrës, në takime që i patën njëri pas tjetrit, solli reagimin e rrallë të km, që prej publikimit të disa përgjimeve mbi zgjedhjet të dosjes 339 për Vangjush Dakon, kryebashkiakun që nuk e konfirmoi për rikandidim në Durrës, siç ka bërë në qytete të tjera.

Akuzat për blerje të votës në zgjedhje, vijnë tashmë sporadike në ligjërimin e PD, edhe pse Basha javën politike që lamë pas, përmendi një tjetër deputet socialist, si pjesë e dosjes së prokurorisë mbi zgjedhjet në Dibër.

Akuza e fortë nuk mori përgjigje, njëlloj siç po ndodh me publikimet sistematike prej dy javësh nga ish deputeti Salianji, të përgjimeve të prokurorisë, të asaj që njihet si dosja Babale, në të cilat dëshmitari i penduar Fredi Alizoti ka komunikim sistematik me drejtues vendorë të policisë së Fierit, e aludon për para të marra e takime me eksponentë socialistë.

Strategjia e lexueshme politike duket heshtja, për të mos i dhënë peshë publike, e të njëjtën rrugë duket se po ndjek edhe organi i akuzës.

E megjithatë, një ditë para seancës parlamentare, socialistët bënë të ditur lëvizjen e beftë: zgjatjen deri në 5 Maj, të afatit të punës të komisionit për reformën zgjedhore, mandati i të cilit kishte mbaruar prej 6 javësh. Nuk ka kohë ligjore sipas socialistëve për ndryshime në kod për zgjedhjet vendore, por ligjin nuk e shohin si pengesë, për të ulur PD jashtë kuvendit në një komision parlamentar, e ndryshuar së bashku rregullat për zgjedhjet e përgjithshme, të programuara në 2021.

Përse vallë kjo ftesë për t’u dakordësuar për rregulla loje, që në parim do zbatohen të paktën dy vjet më vonë? PD heshti, e i pyetur direkt, ish anëtari i komisionit të ligjeve Enlekejd Alibeaj dha një përgjigje diplomatike

Ajo ftesa e drejtuar opozitës jashtë Kuvendit për t’u bërë pjesë e vendimmarrjes parlamentare shqetësoi dy deputetët e PD, që kanë refuzuar dorëzimin e mandateve si pjesa tjetër e grupit. E lexuan si anashkalim të tyre, por edhe si pazar mes dy të mëdhenjve

Vetë Kryeministri u përpoq t’i qetësonte këto zëra, përballë heshtjes së deputetëve të tjerë të ulur në karriget e opozitës.

Prej ndryshimit të 2008, vendi ka një sistem zgjedhor proporcional rajonal me lista të mbyllura, që u njeh të drejtën kryetarëve të partive të hartojnë vetë një listë kandidatësh, si alternativë unike për votuesit. Heqja e këtij pushteti kryetarëve të partive, për t’i dhënë hapësirë zgjedhësve me një tjetër sistem, është një kërkesë e njohur e partive aleate të Lulzim Bashës. Ky i fundit, e artikuloi pak javë më herët.

Aleatët e Lulzim Bashës e ushqejnë si shpresë që mund të realizohet me qeverinë tranzitore.

Por Kryeministri që u përball me këtë ide në Kuvend, nuk duket entuziast për ndryshimin e sistemit.

Po përse vallë socialistët po krijojnë precedentin, duke ftuar opozitën jashtë kuvendit në një komision parlamentar, për rregullat e lojës që sic thonë, nuk lidhen me vendoret e fiksuara me 30 qershor? Për herë të parë Edi Rama flet për një opsion zgjedhjesh të parakoshme parlamentare, por si strategji e socialistëve.

Mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, pas atyre vendore, është një nga variantet që qarkullon në korridoret e mediave. Pa dyshim që ai opsion, do kërkonte impenjim të shtuar për zgjedhjet vendore, sepse bashkitë mbeten epiqendrat politike të rajoneve të vendit, me sistemin aktual zgjedhor. Për Kryeministrin do jetë testi i ri i garës pa aleatë, e dukshëm mungesa e qetësisë i reflektohet tek gjuha e pakujdesshme, për një politikan që shquhet për lëvrimin e shqipes në ligjërimin publik.

Në Parlament vijon të shijojë komoditetin e numrave që arritën 99 javën politike që lamë pas, me plotësimin e ri të karrikeve të opozitës. Fuqia ndaj legjislativit ndihet tek seancat parlamentare, që e kanë humbur prej javësh traditën e të enjteve.

Duhet thënë se impenjimi që u shfaq javën politike që lamë pas, nuk i ngjante dikujt që ndihet i sigurt në reazultatet e tij. Fokusi duket tek perceptimi publik, ndaj realitetit politik. Intensiteti i ngjarjeve kriminale krijon efektin e pasigurisë. Në krye Shkodra, me 9 ekzekutime në 9 muaj e dy persona të zhdukur, të gjitha ngjarje pa autorë. Pas ndryshimit të kupolës së policisë në këtë qark, ministri i brendshëm i intensifikoi vizitat në ketë, ku pasiguria iu artikulua nga vetë kryebashkiakia demokrate

Kur realiteti është i vështirë, beteja është për perceptimin.

Të njëjtin perceptim në fokus edhe për qytetarët, të cilët i ka shpallur aleatë në bashkëqeverisje.

Por ka një vëmendje po aq të shtuar për studentët, protesta e të cilëve vitin e kaluar, e detyroi të ndryshonte mbi gjysmën e qeverisë, të krijuar vetëm 15 muaj më herët. Zërat sporadike të pakënaqësisë mes studentëve, i mbulojnë takimet e shtuara ku flitet për Paktin për Universitetin, e që javën politike që lamë pas, shënjestruan rektorin e UT Mynyr Koni.

Beteja për perceptimin, i ndikon edhe marrëdhënien me opozitën politike, me të cilën ndihet papushim në garë

Në këtë qasje të Ramës, spikati të mërkurën e seancës plenare një zë ndryshe brenda socialistëve. Ish ministri i jashtëm Ditmir Bushati u kujtoi kolegëve të vet, se në lojë nuk është thjesht beteja politike, por e ardhmja e vendit.

Filozofia e socialistëve progresistë, i takon erës para rilindjes në PS, e artikuluar shpesh nga Fatos Nano. Duke e risjellë në kujtesë si filozofi, Ditmir Bushati, veçoi me emër pikërisht senatorët e PS, duke u kërkuar reflektim.

Thjesht mund të merret me mend se si është ndjerë KM, kur i është kujtuar modeli i paraardhësit në PS, ndërsa cka spikati si diferencë ishte se ndryshe nga koha e Fatos Nanos, emrat që Bushati përmendi, heshtën.

Jashtë kuvendit opozita mbajti protestën e rradhës. Për herë të dytë Lulzim Basha mungoi në protestën para parlamentit, pasi ndodhej jashtë vendit, e për herë të parë në një protestë mungoi edhe Sali Berisha. Drejtimin e protestës e kishin marrë të rinjtë, që si zakonisht u shquan për simbolikën e përdorur.

Lulzim Basha vijon ta kërkojë në Berlin mbështetjen për kauzën e tij.  Bëri të ditur se ishte ftuar për takime pune me CDU e kancelares Merkel, ndërsa për DË shpjegoi situatën.

Të enjten në mbrëmje Lulzim Basha deklaroi gjatë një interviste telefonike televizive, se nga takimet e tij në Berlin kishte konstatuar se nuk kishte mbështetje për Kryeministrin. Në fakt të tilla mesazhe ende nuk janë artikuluar në Tiranë, por nga ana tjetër Gjermania ende nuk ka një qëndrim për qershorin kur shqipëria është sërish në pritje për hapjen e negociatave. Njëlloj si një vit më parë, Komisioni Europian tashmë në ditët e fundit të mandatit të tij, do sugjerojë hapjen e negociatave të antarësimit për Shqipërine e Maqedoninë, në progress raportin që do publikohet më 29 Maj, edhe pse kur flitet për përparim, vecohet Maqedonia e Veriut.

Edhe pse nuk ka një lëvizje publike, tradita e zgjidhjes së ngërceve politike në gjuhë të huaj, mbetet pritshmëri.

Por ndërkombëtarët këtë herë, edhe pse me zëra jo vendimmarrës, po nxisin një zgjidhje të brendshme përmes dialogut. I fundit, Delegacioni i BE në Tiranë, e pas tij Km që pjesën e tij, e quan ftesën që opozita jo parlamentare të bëhet pjesë e një komisioni parlamentar. Por në çdo rast opozitës sigurohet t’i rezervojë batutat e njohura

Cuditërisht Lulzim Basha nuk pati një përgjigje për ftesën e përsëritur publike të Edi Ramës, por njëlloj si KM pati vëmendje për studentët. U shpalosi mënyrën se si do e ndryshojë statusquonë e kryetarit omnipotent partiak.

Padyshim që përpjekja ekstraligjore për të përfshirë opozitën jashtë kuvendit, në një vendimmarrje parlamentare ka gjithë tiparet e një shteti që funksionon me vullnet politik, më shumë se me rregulla. Por nga ana tjetër rregullat e lojës miratohen nga aktorët kryesorë në fushë, e heshtja elokuente e Bashës e Kryemadhit, duket miratimi i një realiteti se edhe pse jashtë kuvendit, opozita politike mbetet interlokutori i pazëvendësueshëm i mazhorancës, ndërsa të dy palët duken de facto në fushatë zgjedhore. /abcnews.al

ilir-metaa.jpg
G. P.20:15 | 23/03/2019

“Unë i ftoj të gjithë të mos sakrifikojë vendin për karriget e tyre apo për ambiciet e veta, jam i gatshëm unë i pari të sakrifikoj. Që nga dorëzimi i mandatit tim si President pasi të sigurohem që vendi ka një zgjidhje politike parimore, kushtetuese, solide që e çon përpara, e deri tek sakrifikimi i jetës sime si Salvador Allende për të ndaluar instalimin e një junte që mund ta kthente Shqipërinë 30 vite pas”.

Ky qëndrim i fortë i Ilir Metës javën politike që lamë pas, i dha peshë asaj që prej javësh kreu i shtetit e quan publikisht krizë politike e institucionale, përkundër përpjekjeve intensive të Kryeministrit, për ta shfaqur si një krizë brenda opozitës. Nuk është hera e parë që Ilir Meta i vihet përballë Edi Ramës, por në panoramën aktuale politike, pozicionimi i Presidentit të Republikës, e shfaq të vetmuar Kryeministrin që qeveris pa aleatë, pavarësisht se vazhdon të shtojë numrat pro tij në kuvend. Mes hemoragjisë më të fortë nga listat e LSI drejt kuvendit, e strategjive për të goditur aleaten e saj PD, duket sikur mazhoranca u vu përballë një aktori më shumë kundër saj, kreut të shtetit.

Po çfarë ndodhi javën politike që lamë pas?

Ilir Meta u aktivizua në debatin politik që në fillim të javës, duke rrëzuar së pari aludimet e deklaratat për një ndikim rus në zhvillimet politike në vend, ku opozita në protesta kërkon largimin e Kryeministrit. Nga pozita e kreut të shtetit, po aq i informuar sa kryeministri, Ilir Meta ironizoi fort Edi Ramën

Akuza për lidhje ruse, u rikthye në vëmendje, të enjten kur Prokuroria e Tiranës e kishte ftuar Lulzim Bashën me ish sekretarin e përgjithshëm Arben Ristani e sekretarin aktual Gazmend Bardhi, për t’u njohur me aktet e dosjes së lobimit të PD në SHBA. Basha refuzoi paraqitjen, me pretendimin se askush nga PD nuk ishte nën hetim, e se përzgjedhja e kohës për këtë veprim të panevojshëm sipas tij, ishte politike. Nga foltorja e kuvendit, Taulant Balla do nënvizonte refuzimin e Lulzim Bashës

Tek opozita u orientuan sytë edhe pas goditjes së radhës me tritol të shtyllës së tensionit të lartë në Fushë-Krujë.

Akti i rëndë është i përsëritur, e ka ndodhur edhe kur socialistët ishin në opozitë. A po përdorej vallë politikisht kundër opozitës?

Por aksioni politik i opozitës vijoi të kritikohej hapur nga diplomatët në Tiranë. Ambasadorja Susane Schutz, që ka takuar këto ditë disa prej deputetëve në parlament të opozitës, nënvizoi qëndrimin e Gjermanisë.

Ambasadori i OSBE në Shqipëri shkon edhe më tej, pas sinjalit që dha opozita për bojkot të zgjedhjeve vendore, duke mos dorëzuar listën e komisionerëve. Bern Borchard foli me gjuhën e njohur të ndërkombëtarëve, që në maj 2017, deklaronin njohjen e zgjedhjeve edhe pa opozitën, nëse ato certifikoheshin si të rregullta

Ambasadorit iu përgjigj një ekspert i zgjedhjeve, që për 6 vite e gjysmë ka drejtuar zyrën e zgjedhjeve pranë OSBE, bashkëkryetari demokrat i reformës zgjedhore, Oerd Bylykbashi.Të kesh prova të regjistruara për shitblerje vote dhe të pengosh hetimet me Prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme, që e ke vënë me votat e tua, ky është shembull i keq për rajonin.

Ilir Meta si kryetar shteti e pati një shigjetim të fortë për ndërkombëtarët. PE është në ditët e fundit të legjislaturës së tetë, punimet e së cilës mbyllen më 18 Prill dhe po bën dëgjesa e debate bilanci për situatën në vendet e Ballkanit Perëndimor, që aspirojnë anëtarësim. Në një prej tyre i ftuar presidenti i Komisionit të Venecias Gianni Buquiçhio foli për liderë me mentalitet të rrezikshëm qeverisës.

Një vlerësim negativ për ecurinë e reformave në rajon e ka edhe drejtori i zgjerimit të BE, i sapo kthyer nga një vizitë pune në Shqipëri.

E ndryshme është qasja e komsionerit për zgjerimin, që kujton gjithsesi se BE nuk mund të ndërhyjë. Ndërsa BE ka hyrë tashmë në ethet e zgjedhjeve për PE, nga 23 deri 26 Maj, në Tiranë opozita vazhdon të programojë kalendar protestash.

Edhe Kryeministri ka nisur përgatitjet e veta, për zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Socialistët madje kanë depozituar listën e komisionerëve zgjedhorë, përkundër opozitës që refuzoi ta bënte.

Tre kandidatë të LSI morën mandatet e deputetit nga KQZ javën politike që lamë pas, e tre të tjerë, 2 nga PD e një nga LSI janë gati ta marrin, pasi dorëzuan formularin e dekriminalizimit. Lul Basha e Mona Kryemadhi duken të pafuqishëm për të ndaluar këtë rrjedhje nga rradhët e tyre, e cila më e madhe është nga LSI. Themeluesi i saj, tani President i Republikës reagoi fort.

Si president Ilir Meta është shprehur kundër aktit të opozitës për djegien e mandateve, por paradoksalisht, duket gati të djegë njëlloj të vetin, si kryetar shteti. Akti në vetvete do ishte mjaft i fortë, por Ilir Meta i shtoi edhe doza të forta emocionale. Por historia e Salvator Allendes nuk është aq e admirueshme. Marksisti idealist që qeverisi nga 1970-1973 si president i Kilit, u përball me një grusht ushtarak shteti, të mbështetur nga amerikanët, që druanin se vendi do shndërrohej në një aleat të Bashkimit Sovjetik.

Por Ilir Meta njihet si politikani i lëvizjeve të forta. I vetmi që ka dhënë dorëheqjen kur ishte Kryeministër në shkurt 2002, e si zv.kryeministër në Janar 2011. Dorëheqjen e ka paralajmëruar të paktën dy herë, edhe si kryetar kuvendi. Korrikun e 2016, kur PS e PD nuk kishin konsensus për finalizimin e ndryshimeve kushtetuese për reformën në drejtësi, Ilir Meta kërcënoi me dorëheqje 2 herë brenda katër ditësh, duke sfiduar edhe ndërkombëtarët.

Tre vjet më vonë, si president i Republikës, Ilir Meta sugjeron konsensus e dialog, teksa kujdesshëm i jep zë aludimeve, se për të ndërtuar një imazh normaliteti në Kuvend, po investohet financiarisht. Edi Rama nuk iu përgjigj atij shigjetimi e paralajmërimi të fortë. Mungesa krejt e pazakontë disa ditore publike e pa asnjë sqarim, u la vend aludimeve për një problem shëndetësor, të cilat morën si përgjigje vetëm të enjten, përmes këtij reagimi të ashpër në tuiter, e të premten e javës politike që lamë pas, edhe një sqarim me zë e figurë.

Në Tiranë mungoi edhe Lulzim Basha që po kërkon mbështetje ndërkombëtare për kauzën e tij, së pari mes PPE, formacioni më i madh politik në PE. Në protestën e gjashtë të opozitës para kuvendit ishin figurat e tjera të PD e aleatët, të cilët i mbajtën për katër orë mbështetësit në shesh. Dita kur në parlament do betoheshin 3 kandidatë të tjerë nga listat e LSI, nisi me incident për njërin prej tyre. Ralf Gjoni, ish këshilltar i Metës kryetar kuvendi, u përball me një sulm me bojë të kuqe teksa po dilte nga banesa për të shkuar në parlament. Ralf Gjoni, Nimet Musai dhe Enada Kapllani janë përfaqësuesit e rinj të Lëvizjes Socialiste për integrim.

96 shkoi numri i deputetëve në Kuvend, të enjten e javës politike që lamë pas, 14 nga të cilët janë nga listat e PD-LSI, e tre deputetë që nuk iu bindën vendimit politik për dorëzimin e mandatit. Këta të fundit vazhdojnë ta kenë të nevojshëm sqarimin e pozicionit të tyre. Për herë të parë që prej largimit të opozitës nga Kuvendi, në seancë u shfaq Rudina Hajdari, që njëlloj shpjegoi vendimin, por edhe planet e saj.

Interesant është kujdesi i socialistëve për të mos cënuar publikisht LSI, që po pëson hemoragjinë më të madhe nga listat e saj. Taulant Balla e gjeti tek Lulzim Basha fajin, kur u godit deputeti i LSI-së Ralf Gjoni.

Përgjigja erdhi nga Kryetarja e LSI-së. Kësaj sfide të hapur të javës politike që lamë pas, Edi Rama vendosi t’i përgjigjej me stilin e njohur e të pakonkurrueshëm: imazhin e perceptimin publik. Numrat e qytetarëve në shesh e në kongresin socialist, simbolizonin fuqinë e pushtetit të një kryeministri, që qeveris i vetëm. Organizimi në sheshin Nënë Tereza, ishte identik me atë të Vlorës 16 Shkurtin e kaluar, kur opozita i protestonte nën dritaret e zyrës. Këtë ngjashmëri Erion Veliaj, kandidati i vetëm socialist që mori konfirmimin publik për një mandat të dytë, e nënvizoi si pjesë e marrëdhënies me Kryeministrin.

Në kongres, me radhë socialistët e asocionin emrin e Edi Ramës me çdo punë të bërë, por vetë Kryeministri kishte zgjedhur sheshin, në krah të Veliajt. Njohës i shkëlqyer i komunikimit publik, zgjodhi diversionin si përgjigje për deklaratat e forta të Ilir Metës.

Mbrojtja më e mirë është sulmi, është parimi tjetër që kryeministri e njeh shumë mirë dhe e tillë ishte përgjigja për aksionin e opozitës, bashkë me një sfidë për kërkesën e saj: zgjedhjet e parakohshme.

Ishte kujdesur që të shmangte imazhin e flamujve socialistë, si ilustrimi që qeveris i vetëm, e i kishte zëvendësuar me flamujve kombëtarë. Një retorikë e para viteve 90 spikati me ngjashmërinë për armiq ngado, përveç opozitës edhe në media.

Një denoncim dy ditor i ish-deputetit Ervin Salianji për një prej kauzave disa mujore të opozitës, që njihet si çështja Babalja, nuk mori dot vëmendjen e duhur publike, edhe pse ish deputeti publikoi material audio të komunikimeve të dëshmitarit të penduar Fredi Alizoti me funksionarë të policisë e të socialistëve.

Bashkë me një intervistë të Lulzim Bashës për të përditshmen italiane “Il Fatto Quotidiano”, ku shpjegonte se përse opozita është në protesta, strategjia reaguese e opozitës mbeti modeste, ndërsa një Twitter shpotitës i sekretarit të përgjithshëm, ishte përgjigja për fjalimin njëorësh të Kryeministrit. Ky i fundit, me simbolikë e mesazhe, i hodhi dorashkën e sfidës opozitës, duke kaluar topin në fushën e Lulzim Bashës, e njëkohësisht duke zbehur qëndrimin e fortë të kreut të shtetit. Një tjetër ilustrim se në fund të ditës, beteja është për perceptimin publik, më shumë se për aktet konkrete. /abcnews.al

zgjedhje-1.jpg
G. P.20:27 | 21/03/2019

Populistët në Holandë, hyjnë për herë të parë në parlamentin e vendit. Rezultati i zgjedhjeve për senatin, ka marrë vlerën e një referendumi për politikën e kryeministrit Mark Rutte. Analistët e shohin këtë rezultat, si një paralajmërim të qartë për zgjedhjet europiane në muajin maj.

Forumi për demokracinë, partia e ekstremit të djathtë i drejtuar nga populisti Thierry Baudet, hyn për herë të parë në Senat ku bëhet forca e dytë pas partisë së kryeministrit Mark Rutte. Është ky rezultati i zgjedhjeve për Senat të mbajtura të mërkurën në Holandë, të cilat janë transformuar në një lloj referendumi për politikat e kryeministrit të vendit.

Baudet është i njohur për deklaratat e tij kontroverse, në mënyrë të veçantë për emigracionin apo për barazinë mes burrit dhe gruas. Ai deklaroi kohë më parë se gratë në përgjithësi janë më pak të afta profesionalisht dhe më pak ambicioze. Me dhjetë deputetë, populistët janë shumë pranë partisë së Kryeministrit, e cila ka humbur një vend duke numëruar 12 deputetë tashmë.

Aktualisht koalicioni qeveritar i përbërë prej katër partish numëron 31 vende, shumë më pak se 38 deputetët që duhen për të pasur mazhorancën në Dhomën e Lartë të parlamentit. Rutte duhet të kërkojë mbështetjen e partive të opozitës për të vazhduar legjislaturën. “Partia për Lirinë” – anti-islam e deputetit të ekstremit të djathtë Geert Wilders, humbet tre deputetë./abcnews.al

basha-5.jpg
G. P.21:53 | 20/03/2019

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha nga dita e mërkurë ndodhet në Bruksel, ku ka marrë pjesë në Asamblenë politike të Partisë Popullore Europiane.

Si njofton vetë kreu i demokratëve përmes një postimi në rrjetin social Twitter, gjatë vizitës në Bruksel ka takuar edhe Anegert Kramp–Karrenbauer, kryetaren e CDU-së, të cilës i ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen në hartimin e programit ekonomik të forcës politike që ai drejton.

Nuk dihet nëse vizita e kreut të demokratëve do të zgjatet edhe ditën e enjte, apo Basha do të kthehet për t’iu bashkuar protestuesve, që opozita ka thirrur përpara godinës parlamentare në orën 9:30, duke i paraprirë mbledhjes së parlamentit në seancë plenare./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono