politika

MBULIM-META-MESAZHI.mpg_snapshot_00.22-1280x720.jpg
ent ela11:29 | 07/09/2019

Presidenti Ilir Meta, përmes një video nga mitingu i vitit 2008, kur drejtonte LSI-së, i ka përcjellë një mesazh politikës se nuk do të lejojë asnjë kompromis që cënon Kushtetutën e vendit. Kreu i Shtetit risjellë në vëmendje momentin kur ai kundërshtonte marrëveshjen e 21 prillit mes ish-kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të PS, Edi Rama, nga e cila ndryshoi thellësisht Kushtetuta e Shqipërisë.

Reagimi i fundit i Metës vjen në një kohë kur faktori ndërkombëtarë ka bërë thirrje të vazhdueshme  që qeveria dhe opozita të ulen në dialog për të zgjidhur krizën politike në vend dhe të nisin nga puna për reformën zgjedhore.

Mesazhi i Presidentit për të mos lejuar cënimin e Kushtetutës nënkupton se ai nuk do të pranojë një marrëveshje të re politike mes Ramës dhe Bashës, që cënon sërish Kushtetutën si në vitin 2008.  Ndërkohë, përtej krizës politike, mazhoranca ka ngritur një Komision Hetimor për shkarkimin e Presidentit. Kreu i Shtetit ka konfimuar se do të jetë i pranishëm para këtij Komisioni në seancën dëgjimore që është planifikuar të zhvillohet të paraditen e së hënës. /ABC News Albania 24/7

soreca-euronews-1280x704.jpg
nev ila13:21 | 13/08/2019

Shqipëria ka përmbushur kushtet për çeljen e negociatave por jo për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian. Ky është qëndrimi i ambasadorit të BE-së në Tiranë, Luigi Soreca në një intervistë për Euronews. Diplomati i ka kërkuar vendeve të Bashkimit Evropian të kenë kujdes me vendimin që do të marrin me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut pasi në të kundërt do të dëmtonin besimin e 91% të shqiptarëve që kërkojnë integrimin në BE.

“Vendimi në tetor është i rëndësishëm për vendin, por edhe për BE-në, pasi edhe besueshmëria e procesit të zgjerimit është në pikëpyetje. Vendet e interesuara si Shqipëria apo Maqedonia e Veriut kanë përmbushur mjaftueshmërisht detyrimet kundrejt Komisionit Evropian. Por më duhet të them se kanë bërë progres të mjaftueshëm për hapjen e negociatave, jo për t’u bërë anëtare të BE-së. Siç mund ta dini, Winston Churchill kishte një shprehje, ‘ky është fundi i fillimit’, jo ‘fillimi i fundit’. Dhe pikërisht sepse kanë bërë punën e kërkuar, Bashkimi Evropian duhet të ketë kujdes me vendimin. Është e rëndësishme që populli shqiptar, 91 për qind e tyre që aspirojnë familjen evropiane, të vazhdojë të besojë në perspektivën e BE-së. Unë kam besim se ata do vazhdojnë të besojnë, por Bashkimi Evropian duhet të mos ua presë shpresat që kanë”, tha Soreca.

Ndryshe nga Presidenti Meta që e sheh 15 tetorin si rrugë që duhet të kalojë më parë nga zhvillimi i zgjedhjeve vendore, Soreca kërkon që vendi të mos humbë asnjë ditë kohë për tu angazhuar në rrugën e reformave.

“Shqipëria duhet të fokusohet në axhendën e reformave, të mos humbasë asnjë moment, të jetë gati për 15 tetorin, dhe të ketë gati dokumentacionin që ministrat e BE-së të marrin vendimin. Raporti i majit i Komisionit Europian tregoi se është bërë një progres kuptimplotë në fusha të caktuara, i mjaftueshëm për hapjen e negociatave. Por procesi i reformave nuk ndal asnjëherë. Dhe ka fusha ku institucionet shqiptare në tërësi duhet të vazhdojnë punën. Një shembull është lufta kundër korrupsionit që është një sfidë e përditshme, lufta kundër krimit të organizuar, trafikimi i drogave po ndërron lëkurën në Shqipëri dhe ka nevojë që të ushtrohet trysni te bandat kriminale, pa dalluar mes drogave të lehta dhe atyre të forta”, tha ai.

Kur vjen puna te reformat, diplomati i Bashkimit Europian fokusin e ka te reforma në drejtësi dhe domosdoshmëria për të pasur një reformë të thellë zgjedhore.

Është e qartë se votimi i fundit në qershor tregon se sa e rëndësishme është që elektoratit shqiptar t’i jepet një ligj më i përparuar për çështjet elektorale, që të mund ta shprehin plotësisht vullnetin e tyre. Në fund është reforma në drejtësi. Reforma në drejtësi është ndoshta ‘perla e Shqipërisë’, jashtë rajonit, apo në botë. Është një moment kritik, ndaj të gjitha institucionet shqiptare duhet të mos e humbasin fokusin”, deklaroi Soreca.

Kur kanë ngelur edhe 60 ditë nga data kur ministrat e jashtëm të Bashkimit Europian do të marrin një vendim për çeljen e negociatave për Shqipërinë, vendi ndodhet në një krizë të thellë politike. Opozita është jashtë të gjitha institucioneve dhe bojkotoi zgjedhjet vendore, ndërkohë që mazhoranca ka marrë të gjitha pushtetet dhe shprehet e vendosur për të vijuar./ABC News Albania 24/7

9cf067b8-19cd-4103-b601-bc940f120149-1280x883.jpg
Sej rie09:30 | 11/08/2019

Besimtarët myslimanë falën mëngjesin e kësaj të diele namazin e Kurban Bajramit. Kjo ditë shoqërohet me bërjen kurban të bagëtive, kryesisht qengjave.

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë që festojnë sot Kurban Bajramin. Nëpërmjet nje mesazhi rrejtet sociale, kreu i shtetit përtej urimit dërgon dhe një mesazh për situatën politike në vend ku bën thirrje që të lihen mënjanë interesat personale për të menduar më shumë për interesin e përbashkët kombëtar.

“Dita simbol e sakrificës sublime në emër të vlerave më të mira njerëzore e hyjnore, na fton të ngrihemi mbi interesat personale, për të menduar më shumë për interesin e përbashkët kombëtar, për të shëruar njëherë e përgjithmonë plagët e thella të shoqërisë sonë, varfërinë, korrupsionin, polarizimin e tejskajshëm, arrogancën dhe padrejtësinë, për t’u përkujdesur e shtuar vëmendjen për fëmijët jetimë, të moshuarit, të vetmuarit dhe për të gjithë ata që luftojnë me vështirësi dhe me sëmundje”.

Një urim për të gjithë besimtarët myslimanë në këtë ditë festë ka bërë dhe Kryeministri Edi Rama.

Nuk ka munguar urimi edhe nga kyetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha.

“Të dashur vëllezër dhe motra besimtarë myslimanë, ju uroj nga zemra Gëzuar Festën e Sakrificës, këtë kremtim të shenjtë të fuqisë së besimit tek Krijuesi. Zoti ju faltë mirësi, mbarësi dhe shëndet ju dhe familjeve tuaja dhe Zoti e bekoftë Shqipërinë e shqiptarët kudo ku janë!”

RAMA-PER-TATRIN-DHE-EKONOMINE.mpg_snapshot_01.17-1280x720.jpg
ent ela18:10 | 30/07/2019

Kryeministri foli edhe për çështjen e nxehtë të Teatrit Kombëtar, duke thënë se godina e re do të përdoret pa u harxhuar asnjë lek nga buxheti, vetëm duke i falur firmës një tokë që është e bashkisë, matanë gardhit të teatrit. Po ashtu, Edi Rama renditi arritjet ekonomike dhe sukseset në luftën ndaj krimit.

Me këtë koncept për historikun e godinës ekzistuese, Edi Rama garanton se nuk do të preket trualli aktual i Teatrit Kombëtar.

Për ata që rezistojnë dhe po ruajnë godinën nga shembja, Kryeministri ka këtë vlerësim.

Krye i qeverisë shpjegon se si teatri i ri do të ndërtohet pa u harxhuar asnjë lek nga buxheti i shtetit.

Veç kësaj çështjeje të nxehtë, kryeministri parashtroi të dhënat ekonomike sipas tij, për 6 muajt e parë të këtij vitit.

Krimi nuk është inkurajuar nga kriza politike sipas kreu të qeverisë.

Policëve ju premton se së shpejti, me një akt normativ, do t’u kryejë të gjitha pagesat për punën jashtë orarit. /ABC News Albania 24/7

 

meta-3-1280x720.jpg
ent ela14:15 | 26/07/2019

Presidenti Ilir Meta i ka kërkuar mazhorancës dhe opozitës që të marrin masa për zgjedhjet vendore të 13 Tetorit.  Kjo është e vetmja mënyrë sipas kreut të shtetit që vendi të mos rrezikojë çeljen e negociatave në 17-18 tetor.

Ka probleme në teatrin kombëtar por akoma më të mëdha janë ato në teatrin politik. Këtë vëzhgim Presidenti Ilir Meta e ka vënë në dukje në Durrës nga ku i dërgoi  një mesazh të përbashkët tre artistëve politikënë.

 “Ajo që na shqetëson më shumë është ky Teatri i madh politik, absurd, i cili kërcënon që Shqipëria të dërrmojë çdo mundësi për të çelur negociatat në 17-18 tetor. Prandaj dhe njëherë iu bëj thirrje të gjithëve, në mënyrë të veçantë të tre artistëve t’i japin fund këtij absurdi të marrin masa për zgjedhjet vendore më 13 tetor sepse qytetarët shqiptarë kanë nevojë të kenë qetësi, normalitet, një qeverisje vendore të ligjshme dhe legjitime dhe po kështu që garanton llogaridhënie për të gjitha shqetësimet e tyre”.

Kreu i shtetit nuk beson se zgjedhjet vendore zgjidhin gjithçka por ky është një detyrim ligjor dhe kushtetues i pashmangshëm- vë në dukje ai.

“Në radhë të parë është detyrim për kryeministrin që të heqë dorë nga shantazhet dhe presionet ndaj gjithë institucioneve të tjera duke penguar zbatimin e këtij dekreti dhe padyshim është përgjegjësi e gjithë të tjerëve të bëhen gati për të marrë pjesë në zgjedhjet e 13 tetorit”.

Ndihmën ia karkëruar edhe OSBE-së thotë presidenti Meta pasi kërkesat e tij për dialog duket se nuk u morën parasysh. Vendi ka nevojë që gjithsecili të marrë përgjegjësitë e vetë sipas kryetarit të shtetit.

“Sot kemi një parlament që nuk jep llogari para askujt, një shumicë që kontrollon gjithçka. Sot jemi në një situatë kaotike në të gjitha drejtimet. Opozita i ka pasur të gjitha mundësitë për të parandaluar me propozime me këmbë në tokë. Shqipëria nuk mund të ecë në dy rrugë që nuk takohen me njëra-tjetrën, rruga e kapjes së të gjitha institucioneve nga njëra anë dhe rruga tjetër e de legjitimimit të gjitha institucioneve”.

E vetmja rrugë që ka nevojë Shqipëria sipas Ilir Metës është ajo e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. /ABC News Albania 24/7

 

 

Lulzim-Basha-edi-Rama-1280x713.jpg
nev ila13:12 | 20/07/2019

Mbyllja e sesionit parlamentar shënon edhe nisjen e pushimeve zyrtare verore për politikën. Shenja tërheqje nga pozicionet e tyre patën edhe Meta edhe Basha, por ai që surprizoi me lëvizje ishte kryeministri Edi Rama.

Ndjekim Mimoza Koçiun me Politika në ABC News.

Temperaturat politike janë ulur në këto ditë të nxehta korriku, e si Meta ashtu edhe Basha, po lëshojnë mesazhe tërheqje, të cilat sinjalizojnë marrëveshje të mundshme në horizont. Kush arrin të befasojë mbetet Edi Rama, që njëlloj si në rastin e dekretit të Metës për anulimin e 30 qershorit, nuk u ndal as para dy vendimeve të gjykatave të Durrësit e Tiranës, që nuk u dhanë vërtetimin e mandatit kandidatëve të tij fitues në Durrës e Vorë. Heshtja e ndërkombëtarëve pas 30 qershorit, po u lë terrenin politik tre aktorëve kryesorë në vend. Po çfarë ndodhi javën politike që lamë pas?

Edhe pse nuk e fsheh kënaqësinë për pjesëmarrjen e ulët në 30 qershor, Lulzim Basha ende nuk po ofron ende diçka të re të paktën publikisht. Tani që kryebashkiakët e opozitës do të dorëzojnë zyrat, pas protestës së 10 kombëtare falenderuese për atë që quan bojkot masiv të 30 qershorit, L. Basha ka nisur një tur takimesh me degët në rrethe por edhe organizimi. Lëvizjet e të deleguarve të kryesisë nëpër degë, e urdhri i brendshëm që shtabet politike të ngrihen brenda datës 31 gusht, duken lëvizje përgatitore për fushatë, por vetëm me vlerë motivuese, sa kohë nuk paraqitet një strategji, se si do arrihet në zgjedhje të parakohshme.

Organizim po bën edhe Edi Rama, që ka tashmë i ka siguruar të 61 bashkitë e vendit, ku në më shumë se gjysmën e të cilave, nuk kishte rivalë. Javën politike që lamë pas Edi Rama u shfaq publikisht më shumë në selinë e PS, se atë të qeverisë. Në tre ditët e para të javës pati takime disa orëshe me kryesinë e koordinatorët politikë, ndërsa sqarimin për mediat e bëri vetë. Po përgatitet kalimi i butë i pushtetit në bashkitë që qeverisen nga opozita, me porosi për kujdes me largimet nga puna. Në këtë panoramë Rama thotë nuk gjen arsye për t’u testuar në zgjedhje të parakohshme siç kërkon me gjysëm zëri opozita e presidenti.

Madje po mendon se nuk ka as arsye të tronditë qeverinë, edhe pse një lëvizje surprizë si ajo e dhjetorit të kaluar, nuk përjashtohet.

Qetësi duket se po i jep edhe iniciativës për shkarkimin e Ilir Metës. Nuk e ka më nxitimin e fillimit, kur u thirr një seancë e posaçme parlamentare.

Këtë ngadalësim e reflektoi edhe vetë komisioni hetimor parlamentar, i pari për shkarkimin e një presidenti.

Një opinion që do kërkojë kohën e vet, e me gjasë do jetë paraprak, pasi komisioni i Venecias mblidhet vetëm 4 herë në vit, e seanca më e afërt është 10 tetori. Por socialistët janë gati ta shtyjnë afatin e komisionit hetimor edhe përtej afatit 3 mujor 8 Tetorit.

Opozita evidenton përbërjen e komisionit hetimor

Çlirim Gjata: Kush janë personat që do hetojnë presidentin Meta? Ilir Ndraxhi është krahu politik i bandës së Abdulajve, të cilët Abdylajt e kishin vënë në listë. Ky person i vendosur nga kjo bandë do të vendosë për shkarkim të presidentit. Ulsi Manja i dosjes 184 do të hetojë, ku mjafton lidhja e tij me bandat e Dibrës, me shefa komisariatesh e lloj lloj të tillë të organizuar në krim për te vjedhur vota. Ky njeri do të vendosë?

  1. Basha bëri një lëvizje e ndrojtur, por që nuk prodhoi një qëndrim të qartë. Pas një takimi 40 minutësh kokë më kokë me Ilir Metën, mblodhi aleatët dhe për herë të parë foli për zgjedhje më 13 tetor

Lulzim Basha: Kreu i shtetit mendon se 13 tetori është një mundësi për daljen nga kriza politike, përmes zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, zgjedhjeve lokale dhe siç është shprehur publikisht, edhe përmes zgjedhjeve të reja presidenciale, që nënkupton ndryshime kushtetuese. …opozita është e gatshme të ndërmarrë çdo hap për t’u garantuar shqiptarëve të drejtën e votës, që është dhunuar dhe tjetërsuar, përtej çdo përfytyrimi, çfarë e pame edhe me 30 qershor, ku Edi Rama nuk i rezistoi dot tundimit për të vjedhur edhe një proces ku kandidonte vetë, votonte vetë, numëronte vetë, tabulonte vetë dhe për të garantuar, përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, një qeveri që buron nga njerëzit dhe u shërben njerëzve.

E paqartë se si do mund të mbahen zgjedhjet 3 muaj më vonë, kur çdo ndryshim i nevojshëm kushtetues e në kodin zgjedhor në funksion të tyre, pjesë e platformës së Bashës për daljen nga kriza, duhet bërë sipas ligjit, të paktën 6 muaj para zgjedhjeve.

Ndryshe nga Basha, ai që po bën lëvizje është Ilir Meta. Brenda 12 orësh ktheu tre ligje mbrapsht në parlament. Ligji për rezervat materiale të shtetit, ligji për pronat dhe ai për PV, kishin si emërues të refuzimit, fuqinë që merrte KM me ndryshimet e propozuara, edhe pse socialistët i kanë mundësitë t’i rivotojnë.

Në kuvend nuk ka pengesa prej kohësh. Procesin e nisur e të ngecur me PD, për të ndryshuar sipas vendimit të GJK, dy prej ligjeve të reformës në drejtësi, atë për organet qeverisëse të sistemit të drejtësisë dhe ligjin për statusin e gjyqtarëve e prokurorëve, i miratoi me opozitën parlamentare me 106 vota, duke tejkaluar kështu shifrën 86 të miratimit të parë të tyre tetorin e 2016 (6), pa PD, që votoi veç ligjin për SPAK, që mori 122 vota, shifrën më të përafërt me konsensusin 140 votësh të reformës në drejtësi. Me opozitën e re, këto nuk do jenë ndryshimet e fundit.

Ndërsa mbushen 3 vjet nga miratimi ndryshimeve kushtetuese për reformën në drejtësi me 140 vota, Ilir Meta bën bilancin duke akuzuar Edi Ramën se qëllimisht ka penguar ngritjen e GJK, ndërsa 3 vjet pas miratimit të reformës vendi nuk ka as Gjykatë të Lartë funksionale dhe as Inspektor të Lartë të Drejtësisë. Ilir Meta zbulon në një sqarim të gjatë në FB se si Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, që përzgjidhet prej tre vitesh me short me mandate një vjeçar, është bllokuar qëllimisht, për të mos plotësuar vendet e nevojshme për të vënë në punë GJK.

Meta thotë se KED i zgjedhur me short në 27 janar 2017, në kohën kur ishte kryetar kuvendi, e mbylli mandatin pa u mbledhur asnjëherë, sepse 4 ditë pas zgjedhjes së tij, Rama tha publikisht se nuk i pëlqenin emrat e dalë nga shorti. Më pas në detyrën e presidentit, Meta thotë se në nëntor 2017 ka kërkuar ndihmën e ambasadores së kohës të BE Vlahutin, për procesin e përzgjedhjes së Këshillit të ri të emërimeve të drejtësi, që do funksiononte gjatë vitit 2018 dhe nisjen e procedurave me qëllim plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese. Një ditë para tryezës së dakordësuar me Vlahutin e EURALIUS për këtë qëllim, Meta thotë se Euralius njoftoi mospjesëmarrjen, pa dhënë arsye bindëse duke e bojkotuar atë përpjekje. Për pasojë Meta thotë se iu drejtua kuvendit, i cili hodhi shortin e ri në dhjetor 2017, por sërish sipas tij, emrat që dolën nga shorti me gogla nuk i pëlqyen KM. Meta thotë se KED e 2018 bëri vetëm një mbledhje, me kërkesë të tij, për të shqyrtuar me precedencë kandidaturat e paraqitura për plotësimin e vendeve në GJK, dhe denoncon kreun socialist të komisionit të ligjeve Ulsi Manja.

“Ulsiu në datë 19 mars 2018, shkoi dhe u paraqit në mbledhjen e parë dhe të vetme të KED-së dhe i shantazhoi drejtpërdrejtë anëtarët e këtij organi pa ju dridhur qerpiku.

Ai  debatoi me ta dhe i përsëriti të njëjtin kërcënim se KED mund të mblidhet për veprimtari administrative, por jo për vlerësimin dhe renditjen e kandidatëve për anëtar të Gjykatës Kushtetuese.

Ai e dinte fare mirë se ajo që po bënte ishte një krim kushtetues”.

Sipas presidentit Ulsi Manja e shantazhoi KED dhe ia arriti sepse ky organ pas datës 19 mars 2018, nuk u mblodh më asnjëherë.

“Kështu u bllokua edhe me 1 (një) vit tjetër Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.

Kjo është mënyra se si Ramaforma shantazhoi Këshillin e Emërimeve në Drejtësi për 2 vite me radhë, 2017 dhe 2018, dhe bllokoi emërimin e gjyqtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese”.

Sipas kryetarit të shtetit kryeministri Rama nuk e donte Gjykatën Kushtetuese funksionale, sepse vetëm kështu nuk kishte se kush t’i kontrollonte vendimmarrjet antikushtetuese që ai realizoi. E pa gjykatë kushtetuese askush nuk kishte ku të ankohej.

Rama nuk reagoi për këtë akuzë publike, por për të dytën ditë radhazi ishte në PS, këtë herë në mbledhje pasdite me koordinatorët e qarqeve. Përveç ministrave e deputetëve përgjegjës për çdo zonë, janë tre figura në PS që kanë përgjegjësinë për 12 qarqet e vendit. Edi Rama ka në patronazh qarqet e veriut: Shkodër, Kukës, Lezhë e Dibër; Taulant Balla Shqipërinë e mesme: Tiranën, Elbasanin, Durrësin e Korçën dhe Gramoz Ruçi atë të jugut Vlorë, Fier, Berat e Gjirokastër

Është Ilir meta ai që vazhdon ta sfidojë direkt zgjedhje. Një ditë pasi kishte pritur Lulzim Bashën në zyrën e tij, Ilir Meta përsëriti sfidën që ai vetë, Rama e Basha të testohen tek qytetarët, si një mundësi për vendimin e KE për negociatat në 17 18 tetor

Nuk mund të vazhdohet më të ecet në dy rrugë të kundërta, që nuk takohen me njëra-tjetrën: në një anë atë të kapjes së çdo institucioni, çdo zyre dhe çdo vendi pune dhe atë të delegjitimimit të çdo institucioni nga ana tjetër. Të dy palët duhet t’u krijojnë mundësinë të gjithë qytetarëve shqiptarë, që në mënyrë të qetë, civile dhe demokratike të shprehin sovranitetin e tyre për të gjitha institucionet, vendore dhe qendrore, përfshi dhe Presidentin nga populli, në 13 Tetor”.

Rama u përgjigj pas një mbledhje afro 5 orëshe të kryesisë.

Rama: 13 tetori ditë e zakontë …jemi një shumicë qeverisëse që kemi detyrimin të mbajmë me nder e dinjitet deri në 2021.

Në të njëjtën ditë, dy kandidatë të tij fitues në Bashkinë Durrës e Vorë nuk e morën vërtetimin e mandatit. Gjyqtarja Mimoza Margjeka e Gjykatës së Durrësit, rrëzoi kërkesën e Valbona Sakos për vërtetimin e mandatit në krye të Bashkisë Durrës, me argumentimin se Bindja Demokratike ishte regjistruar jashtë afateve ligjore në zgjedhje.

Ndërsa gjykata e Tiranës nuk shpalli fitues të zgjedhjeve kandidatin socialist për bashkinë e Vorës, Agim Kajmaku i cili nuk kishte rivalë. Gjyqtarja Ariana Gunbardhi vendosi t’ia kalojë këtë çështje për kompetencë gjykatës administrative të rrethit të parë Tiranë.

Vendimet dukeshin surprizë, pasi tashmë më shumë se gjysmës së të zgjedhurve socialistëve u janë njohur mandatet si kryetarë bashkie, në gjykatat e rretheve respective e ky process vazhdon.

Lulzim Basha e përshëndeti vendimin, ndërsa PS, pas një reagimi paraprak se do apelonte vendimin, përmes nr 2 Taulant Balla e konsideroi një lajthitje antiligjore, e se cdo kryetar i sapo zgjedhur do e merrte detyrën pas vendimit nga KQZ e Kolegji Zgjedhor.

Ndërsa opinioni ende po përpiqej të përtypte këtë situatë të re ngërci, Ilir Meta bëri lëvizjen e radhës. Tha se është gati të rishikojë 13 tetorin e ftoi Ramën e Bashën të flisnin për zgjedhje e zgjidhje.

Meta: Jam fleksibël, meqenëse mund t’i ketë dalë ters në filxhan 13 tetori që ta rishikoj këtë datë, por përpara 17-18 tetorit, në çdo moment do të ishte i mirëpritur.

Unë kam kaq kohë që po e pres me shumë durim, por edhe me shpresë, për të dhënë një zgjidhje të përgjegjshme. Përndryshe kjo krizë do të vazhdojë të përshkallëzohet dhe askush nuk duhet të mendojë që do të dalë me kosto zero. Aq më tepër ata, të cilët kanë punuar me shumë përkushtim për të gatuar këtë rrëmujëhane sot në Shqipëri….Duhet ta kenë të qartë të gjithë qytetarët shqiptarë se nuk ka pasur zgjedhje të qytetarëve shqiptarë, zgjedhje shtetërore, zgjedhje kushtetuese, zgjedhje ligjore më 30 qershor. Le të thotë kush të dojë e çfarë të dojë, çdo shqiptar e çdo ndërkombëtar se gomari fluturon! Ne mund t’i themi se kjo mund të ndodhë në art, mund të ndodhë në ëndërr e mund të ndodhë në piktura, por ne e dimë që gomari, të paktën këtu në Shqipëri nuk është shqiponjë që të fluturojë!

Përpjekjet për ndërmjetësim ndërkombëtar duket se nuk mungojnë. Lulzim Basha njoftoi për një vizitë pune në selinë e OSBE në Vjenë. Me këtë pritshmëri ndërmjetësimi, u shfaq i familjarizuar edhe ndihmës sekretari amerikan i shtetit Reeke, që qartësoi se nuk do ndërhyjnë.

Reeke: Shtetet e Bashkuara nuk do të bëhen arbitër i politikave të brendshme të Shqipërisë, por ne do të vazhdojmë të inkurajojmë të gjitha palët të punojnë së bashku me institucionet e të bëjnë hapat e duhura.

Rama nuk iu përgjigj ofertës publike të Metës të enjten. Dita e fundit e sesionit parlamentar kishte një axhendë të ngarkuar me 23 pika në rendin e ditës e një interpelancë. Mungesa e Ramës në atë seancë, u sqarua nga ai vetë përmes një fotoje në instagram ku shfaqej në tryezë me Erdogan, me sqarimin se ishte ftuar në rezidencën verore të presidentit turk në Marmara. Nuk është sekret se BE i druhet po aq sa Rusisë, ndikimit të Turqisë në BP. Erdogan që takoi një javë më herët edhe Ilir Metën në një event rajonal, ka ngjallur së fundmi pakënaqësinë e SHBA pas afrimit e blerjes së armatimeve nga Rusia. Erdogan e ka bërë të qartë se Turqia është lodhur prej më shumë se 5 dekadash në pritje të anëtarësimit në BE. A po jep vallë mesazhe gjeostrategjike km Rama, në prag të vendimit të KE për hapjen ose jo të negociatave për Shqipërinë e MV?

Në planin e brendshëm vijon të provohet po aq i fuqishëm sa Edrogani në vendin e tij. Dy ditë pasi gjykata e Durrësit kishte refuzuar të vërtetonte mandatin e socialistes Valbona Sako, u shfaq një vendim njohës i fitores nga një tjetër gjyqtar i të njëjtës gjykatë. Nuk ishte arritur të bëhej një apelim i vendimit të parë, kur PS i ishte drejtuar të njëjtës gjykatë me një kërkesë për vërtetim mandati të kandidates së saj. Lëvizja taktike kishte ardhur një ditë pasi Km deklaronte se mazhoranca kishte detyrimin të forconte kulturën e ligjit në Shqipëri.

Rama: Jemi një shumicë që kemi detyrim të forcojmë kulturën e ligjit dhe të fuqizojmë në tërësi ligjshmërinë në këtë vend në çdo aspekt.

E një lëvizje me rezultat të ngjashëm po kryhet edhe në rastin e kandidatit fitues të Bashkisë Vorë. Basha e konsideroi vendim skandaloz i drejtësisë private të Edi Ramës, ndërsa denoncoi dhënien e koncesioneve të reja, që u miratuan të enjten në kuvend dhe bëri të ditur planin e PD për të rikuperuar pasuritë e shqiptarëve, sapo të vijë në pushtet.

Por Basha ende nuk po paraqet një strategji, se si do arrijë tek zgjedhjet e parakohshme, të cilat do e rikthenin opozitën në institucione. Një pjesë e kryebashkiakëve opozitarë në ditët e fundit në zyra, kanë depozituar padi në prokuroritë lokale për shkelje të kryera në 30 qershor, ndërsa shoqata e bashkive, që drejtohet nga kryebashkiakia e Shkodrës depozitoi në GJK një padi sipas të cilës 30 qershori është antikushtetues, edhe pse shqyrtimi do ndodhë vetëm kur kjo gjykatë të ngrihet.

Mbyllja e këtij sesioni parlamentar zyrtarizon periudhën e pushimeve për politikën, edhe pse duket se as Rama, as Meta e as Basha nuk do kenë të tilla të mirëfillta. Përtej lëvizjeve, kush më shumë e kush më pak për të arritur një marrëveshje, Edi Rama e Lulzim Basha po merren edhe me partitë respektive, ndërsa Meta po impenjohet që mosrespektimi i dekretit të tij të radhës, të mos i kushtojë postin e kreut të shtetit, çka do sillte pa dyshim një ndryshim jo të vogël në konfigurimin politik në vend./ABC News Albania 24/7

reeker.jpg
G. P.13:10 | 18/07/2019

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit Philip Reeker tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të bëhen arbitër i politikave të brendshme të Shqipërisë. Ambasadori Reeker, zyrtar me përvojë në çështjet e Ballkanit, i bëri komentet të mërkurën në një forum të organizuar nga Këshilli i Atlantikut në Uashington

Nuk mjafton të jesh një aleat i fortë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Nuk jemi krenarë me shqiptarët këto javët e fundit, sepse ata nuk përdorën institucionet që kanë”.

Për situatën e krijuar në vendin tonë ndihmëssekretari amerikan i Shtetit fajëson të dyja palët në veçanti opozitën që nuk zgjodhi rrugën institucionale por bojkotin.

“Nuk mundet që thjesht të bojkotosh parlamentin ose të dorëzosh mandatet. Ato institucione duhen përdorur, duhen përdorur gjykatat, duhet të emërohen anëtarët e gjykatës kushtetuese, që përmes Kushtetutës dhe përdorimit të këtyre mjeteve të tejkalohen kohët e vështira politike”.

Zgjidhja duhet të vijë nga brenda Shqipërisë këshillon zyrtari amerikan, me përvojë në çështjet e Ballkanit.

“Shtetet e Bashkuara nuk do të bëhen arbitër i politikave të brendshme të Shqipërisë, por ne do të vazhdojmë të inkurajojmë të gjitha palët të punojnë së bashku me institucionet dhe të bëjnë hapat e duhur që të ecin përpara. Dhe nëse institucionet nuk bëjnë punë, atëherë puno që t’i ndryshosh ato, nëpërmjet mjeteve kushtetuese që keni”.

Këtë përgjigje ndihmëssekretari amerikan i shtetit ia dha Zërit të Amerikës në një forum të organizuar nga Këshilli i Atlantikut në Uashington./ABC News Albania 24/7

klosi-velipoje-1280x716.jpg
nev ila15:47 | 16/07/2019

Përplasjet politike, fushata dhe zgjedhjet e 30 qershorit kanë ndikuar negativisht në përgatitjen dhe menaxhimin e sezonit turistik, tha ministri Blendi Klosi nga Velipoja. Ai deklaroi në mbledhjen e Task Forcës se ende nuk janë lidhur kontratat me përdoruesit e plazhit nga Bashkia Shkodër.

Në mbledhjen e Task Forcës për menaxhimin e turizmit në Velipojë ministri Blendi Klosi ka deklaruar se zgjedhjet e 30 qershorit kanë patur një impakt negativ në përgatitjet për sezonin turistik.

“Jemi më keq se një vit më parë“,- tha Klosi duke renditur disa nga problematikat e konstatuara në terren.

“ Janë 29 të evidentuara prej tyre 17 janë të regjistruara në tatime, por pa lidhur kontratë me Bashkinë e Shkodrës, ndërsa në gjithë plazhin janë vetëm 10 kulla vrojtime”, tha Klosi.

Në të njëjtën linjë kanë qenë dhe ministrat Balluku dhe Cakaj.

Në mbledhje morën pjese përfaqësues të Prefekturës Shkodër, Bashkisë Shkodër dhe institucioneve qendrore në nivel vendor./ABC News Albania 24/7

POLITIKA-NE-ABC-NEWS-RAMA-META-BASHA-PAS-30-QERSHORIT-13.07.2019.mpg_snapshot_00.33-1280x720.jpg
ent ela13:24 | 13/07/2019

Situata politike pas 30 qershorit nuk ka ndryshuar edhe pse palët kanë ulur tonet e retorikës politike. Përtej nisjes së punës për shkarkimin e presidentit, ky i fundit bashkë me opozitën flasin për vullnet popullor për ndryshim. Dritëhijet e lëvizjeve të palëve na sjell këtë javë Mimoza Koçiu me Politika në ABC News.

Më pak se 23% ka mbetur prej dy javësh rezultati paraprak i pjesëmarrjes në procesin vendor të 30 qershorit. Ajo shifër që për opozitën është vetëm 15%, duket baza për sjelljen e aktorëve politikë në javët e ardhshme. Mbi 45 mijë votat e pavlefshme janë sinjal mbështetjeje për opozitën sipas Lulzim Bashës, e një temë për t’u anashkaluar për Edi Ramën. Por Rama mbetet kryeministri në fuqi, e me ndikim të pandryshuar edhe në parlament ku ka nisur puna për shkarkimin e presidentit Meta, të cilit shefi i qeverisë i faturon tensionin parazgjedhor që ndikoi në pjesëmarrjen e zgjedhësve në 30 qershor.

Po çfarë ndodhi javën politike që lamë pas?

Si rrallëherë, të hënën e 8 korrikut, salla e seancave plenare kishte pjesëmarrje pothuaj të plotë nga mazhoranca. Asnjë karrige bosh tek pjesa e qeverisë e rradhët dukeshin të plota edhe në sallë, në pjesën ku ulen deputetët socialistë e aleatët e tyre. Një javë pas 30 qershorit ishin thirrur seancë e posaçme për ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e Ilir Metës si President i Republikës, për shkak të aktit të zhdekretimit të zgjedhjeve të 30 qershorit. Ai dekret nuk i kishte ndalur votimet, të cilat përveç pjesëmarrjes patën një element që u verifikua për herë të parë: numri i lartë i votave të pavlefshme: sipas KQZ mbi 45 mijë për kryetarët e bashkive e gati 50 mijë për këshillat bashkiakë. Lulzim Basha i lexon si vota kundër Ramës të qytetarëve të detyruar të shkojnë të votojnë për të ruajtur vendin e punës. Vetë kryeministri preferon ta shmangë si fenomen për t’u shpjeguar, por qëndron tek pjesëmarrja, afro 23% sipas KQZ e vetëm 15% sipas PD.

E ka të qartë se raporti i vëzhguesve të ODIHR do bëhet pjesë e cdo raporti të rëndësishëm ndërkombëtar për Shqipërinë, por i ka identifikuar fajtorët.

A po pranon vallë Edi Rama përmes këtij argumentimi, se opozita e presidenti, pa fuqitë ekzekutive e legjislative të Kryeministri e shumicës së tij, por edhe mbështetjes unike ndërkombëtare për qeverinë, kanë patur më shumë ndikim tek shqiptarët?

I njëjti Kryeministër pranon përdorimin e fuqisë së shumicës, konkretisht përmes kartonëve të 4 anëtarëve të majtë në KQZ.

21 të kaluara në politikë me Ilir Metën, herë aleatë e herë kundërshtarë, tani Edi Rama e identifikon si armik, e kërkon votën unanime të deputetëve, jo thjesht për ta hetuar, por edhe ndëshkuar Ilir Metën.

E pandryshueshme mbetet diangoza se kundërshtarët e tij politikë, përfshi Ilir Meta kanë frikë nga përballja me drejtësinë. Po aq e pandryshueshme duket edhe perspektiva pa frikë për veten, Kryeministri prej 6 vitesh e 11 si kryetar bashkie.

Prej kohësh kjo tabelë regjistron vetëm votime unanime në rradhët e deputetëve të Edi Ramës, ndërsa numri 102 pro hetimit të Metës, teksa formalisht ka 79 deputetë, duken sinjali i garancisë se 94 votat që i duhen për shkarkimin e presidentit janë aty, pavarësisht se në komisionin hetimor 9 anëtarësh, asnjë nga deputetët e dalë nga listat e LSI, nuk pranoi të ulej në 4 vendet e opozitës.

Ilir Meta që dukej se po e ndiqte atë seancë, nuk vonoi reagimin, pa një referim direkt për vendimin ndaj tij, por me një rreshtim të hapur, befasues për një kryetar shteti, krah opozitës. Në të njëjtën pasdite me seancën parlamentare, opzita kishte thirrur protestën e 10 kombëtare, të cilën Meta e përshëndeti që në nisje, me dedikim për ata që i quan 85% e qytetarëve që bojkotuan një proces fals si ai i 30 qershorit.

Por çka nuk dukej në këtë betejë deklaratash politike e numrash të mbështetësve të opozitës në shesh, ishte mungesa e masave të shtuara të sigurisë në nivelin e zakonshëm të protestave të opozitës. Njëlloj mungoi edhe thirrja tradicionale e ambasadave kryesore për zhvillim paqësor të protestës. Përse vallë ajo lloj qetësie, për herë të parë që prej protestës së parë të 26 shkurtit të këtij viti? Këto sinjale ngrenë edhe pikëpyetjet: a ka nisur vallë një proces ndërmjetësimi vendas a ndërkombëtar mes qeverisë e opozitës? Përtej simbolikave, një element i qëndrueshëm i protestave të Bashës, fjalimi i kreut të PD, lëvizja para kuvendit e grumbullimi në oborrin e selisë blu për mbylljen e protestës, u zhvillua në pak më shumë se 2 orë. Fjala e Bashës ishte një falenderim për qytetarët që nuk shkuan të votonin në 30 qershor, e më tej ishte shpalosje programi e premtimesh prej fushate parlamentare.

Një tiradë e Ramës në tuiter, përmes shprehjes së një filozofi ushtarak kinez tregoi vëmendjen e kryeministrit për atë protestë, ndërsa vendosmëria për të larguar Metën dukej tek nisja e punës së komisionit hetimor parlamentar, me premtimin se raportin do ketë gati në shtator, pasi të ketë ftuar edhe Presidentin për të dhënë shpjegimet e veta. Megjithatë vëmendja mbeti tek KQZ që vijon prej gati dy javësh procesin e nxjerrjes së rezultateve, finalizimi i të cilit nuk duket ende të ketë një afat, pasi kandidatët socialistë fitues në të gjitha bashkitë e vendit, po detyrohen të konfirmojnë rezultatin edhe në gjykatat lokale. Për më tepër vota kundër e kreut të KQZ që nuk njeh zgjedhjet e 30 qershorit, bën që çdo vendim i KQZ, i marrë me më pak se 5 vota, të kalojë detyrimisht në Kolegjin zgjedhor. Pikërisht gjykatësve u bëri thirrje publike PD.

PD e aleatët e saj vazhdojnë të lëshojnë akuza për manipulim të rezultatit, nisur nga publikimet paraprake të KQZ, ku në të paktën 16 bashki, rezultonin vota në shumë se qytetarë votues. Për të vërtetuar akuzat e saj PD i kërkoi zyrtarisht KQZ dokumentacionin zgjedhor, përfshi listat e votuesve.

Kontestimin e PD e aleatëve se kutitë e votimit janë mbushur në mënyrë fiktive nga komisionerët e Partisë Socialiste, e materializoi Bindja Demokratike e cila kërkoi nga KQZ hapjen e kutive të votimit në 41 bashki të vendit. Kërkesa u rrëzua nga katër anëtarët e majtë në KQZ përfshi juristin e PS, sipas tyre për mungesë provash.

Por ç’ka i refuzuan partisë së Astrit Patozit, ia pranuan Eduard Ndocajt me partinë konservatore, që kërkoi numërimin e 11 kutive në Lezhë me të njëjtin pretendim si të BD se kishte më shumë vota se votues.

Ishte koha që KQZ t’i jepte një përgjigje PD, se nuk do hapte kutitë e materialeve zgjedhore e t’i vinte në dispozicion listat e votuesve sipas kërkesës.

Opozita nuk ka ende një strategji publike se si do vijojë aksioni i saj, por  Lulzim Basha që ka nisur një tur takimesh me degët lokale, mbështeti javën e kaluar politike në Mallakastër idenë e kryebashkiakëve të djathtë se ata janë legjitimë në zyrat e tyre, deri në mbajtjen e zgjedhjeve legjitime. Duket e paqartë se cfarë do ndodhë pas 10 gushtit, kur mbaron mandati i kryebashkiakëve të zgjedhur 4 vite më parë. A mbështetet Basha tek 13 tetori, data e dekretuar nga Meta si datë për zgjedhjet vendore e i propozuar për mbajtjen edhe të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare e presidenciale? Në fakt kreu i PD vijon të bëjë premtime fushate parlamentare.

E paqartë nëse ka llogaritur aktorin tjetër në lojë, kryesorin, kryeministrin e vendit, i cili pas seancës parlamentare të të hënës, ka shmangur komentet politike, edhe kur Ilir Meta e portretizonte në të përditshmen greke Kathimerini.

Edhe kur organizata të medias reaguan për ndryshimet në ligjin për median audiovizive, ndërsa OSBE publikoi rezervat zyrtare, më kryesorja se një autoritet publik i propozuar nga qeveria nuk mund të marrë atributet e gjykatave ndaj medias.

Njëlloj nuk reagoi as kur raporti i fundit i DASH fliste për klimë të errët te biznesit në Shqipëri.

Një reagim virtual erdhi në emër të opozitës, e një frazë e Bashës për atë raport, që flet për gjendjen ekonomike të vendit.

Java e ardhshme pritet të shënojë fundin e këtij sesioni parlamentar e deputetët do të marrin zyrtarisht pushimet. Panorama është e njëjtë edhe për ndërkombëtarët, çka do thotë se edhe protestat e opozitës mund të ndërpriten në këtë periudhë. Qetësia që reflektojnë palët përtej retorikës agresive apo shpotitëse, i ngjan përgatitjeve e komunikimeve pas kuintave për lëvizje konkrete në shtator, duke përdorur secila si armë të re, legjitimitetin e 30 qershorit.


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono