politika shqiptare

hhhh.jpg
ent ela12:14 | 14/12/2018

Shenjë se Kosova është e aftë të marrë përgjegjësi të reja në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe për të kontribuuar vendosmërisht për paqen, stabilitetin e rajonit dhe fqinjësinë e mirë. Të tillë e komenton kreu i shtetit shtiptar Ilir Meta vendimin historik të Kosovës për krijimin e Forcave të Armatosura. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook presidenti Meta gjen frymën euro-atlantike në themel të këtij ndryshimi historik.

Edhe kreu i qeverisë Edi Rama ka shprehur urimet e tij ndaj shtetit të Kosovës duke shpërndarë në rrjetin social facebook një fotografi të kreut të shtetit Kosovar Hashim Thaçi.

Urime Kosovës për Ushtrinë i shprehu edhe kreu i demokratëve Lulzim Basha, i cili e quan ngritjen e Ushtrisë së Kosovës si ngjarjen e dytë të përmasave kombëtare dhe historike pas shpalljes së pavarësisë.  Me këtë votim – vijon Basha – Kosova do të jetë më e sigurtë, rajoni më në paqe dhe kombi shqiptar i integruar dhe më i fortë. /abcnews.al

European_Parliament_Strasbourg_CREDITEuropean-Parliament.jpg
ent ela17:14 | 13/09/2018

Vendimin e Parlamentit Europian për heqjen e vizave për Kosovën e ka përshëndetur edhe politika shqiptare. “Urime Kosovë”! – ka shkruar kreu i shtetit shqiptar Ilir Meta në një postim, ku përshëndeti vendimin për hapjen e dritës jeshile për liberalizimin e vizave për Kosovën. Shumë i gëzuar – është shprehur ai – për këtë lajm që shënon një arritje të madhe të këtij shteti i cili rritet dhe forcohet çdo ditë, si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon.

Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, kryeministri Edi Rama e ka paralelizuar heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, me heqjen e njollës, me të cilën Europa për të ka kaq vite, që cënon flamurin e vet.

Po në një postim në Twitter, kreu i opozitës Lulzim Basha e quajti votimin e kësaj të drejte të qytetarëve të Kosovës, si mbështetje për perspektivën europiane të shtetit të Kosovës.  /abcnews.al

John-McCain-1280x672.jpg
ent ela12:51 | 26/08/2018

Për ndarjen nga jeta të senatorit amerikan Xhon Mekein ka reaguar dhe Tirana zyrtare. Nëpërmjet postimeve ne rrjetet sociale, kreu i shtetit, ai i qeverisë, kryediplomati dhe kreu i opozitës shqiptare përcollën ngushëllime për humbjen e mikut të Shqipërisë. Në mesazhin e tij Presidenti Ilir Meta thekson se Mekein i shërbeu lirisë dhe të drejtave të njeriut në botë e veçanërisht në Ballkan, duke qenë një nga mbështetësit e vendosur të çështjes së Kosovës dhe kauzës për lirinë dhe pavarësinë e saj. Ai u bë një ndër mbështetësit kryesorë të anëtarësimit të Shqipërisë dhe të rajonit tonë në NATO.

Ndërsa kryeministri Edi Rama thekson në mesazhin e tij se Senatori John McCain e jetoi jetën si një betejë të pandërprerë për vlerat e mishëruara në qënien e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Edhe Rama thekson se ai ishte dhe një mik i mirë i Shqipërisë me të cilin ka bashkëpunuar e ndarë mendime të njëjta. Të njëjtin vlerësim ka dhënë dhe ministri për Europën dhe punët e Jashtme Ditmir Bushati, i cili thekson se vdekja e senatorit Xhon Mekein ka sjellë humbjen e një heroi amerikan frymëzues që luftoi për liri dhe ishte shembull i vendosjes së interesit publik në radhë të parë dhe mbrojtës i tij.

Për ndarjen nga jeta të John McCain ka reaguar dhe kryedemokrati Lulzim Basha, i cili e cilësoi senatorin e ndjerë si një luftëtar të pamposhtur për kauzën e lirisë dhe një zë i fuqishëm në krah të betejave të shqiptarëve për liri, demokraci dhe integrim euro-atlantik. /abcnews.al

jordan-daci.jpg
ent ela21:44 | 15/08/2018

Përfaqësuesi i Qendrës Shqiptare për Shtetin e së Drejtës profesor doktor Jordan Daci thotë se është e nevojshme që politika në Shqipëri të arrijnë një konsensus edhe më të gjerë për të tejkaluar ngërçin e krijuar me zbatimin e reformës në drejtësi, sesa ai që u desh për miratimin e saj. Gjatë një interviste për “Zërin e Amerikës” eksperti i çështjeve ligjore bën një analizë të ecurisë së procesit deri më tani. Ai thotë se do të ishte iluzion po të mendohej se gjithçka do të shkonte në mënyrë perfekte. Vonesat sipas tij lidhen me mungesën e vullnetit të një pjesë të politikës për ta zbatuar reformën, nga frika e ndëshkimit:

“Përtej deklaratave që bën, në thelb politika nuk është e gjitha pro reformës. Arsyeja numër një është vetë risku që ata shohin, tashmë ata kanë një shembull që janë gjyqtarët dhe prokurorët dhe e shohin me rrezik qënien e tyre, me ngritjen sidomos të strukturave si SPAKU (Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar) dhe Prokuroria e Posaçme, të cilat do hetojnë dhe që besoj se do të çojnë në gjykimin edhe politikanë aktualë”, thotë ai.

2 vite më parë parlamenti shqiptar miratoi me unanimitet ndryshimet kushtetuese për një reformë të thellë në sistemin e drejtësisë. Dy vjet më vonë procesi ka rritur shqetësimet e ekspertëve të fushës lidhur me afatet e përfundimit të saj, që nënkupton jo vetëm përfundimin e procesit të rivlerësimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve por dhe ngritjen e funksionimin e institucioneve të drejtësisë. Si pasojë e procesit të rivlerësimit Gjykata Kushtetuese dhe ajo e Lartë kanë dalë jashtë funksionit. Kjo për shkak të numrit të reduktuar të anëtarëve, por dhe mosmarrëveshjeve politike që e kanë bërë të pamundur deri më tani, plotësimin me anëtarë të rinj. Reforma parashikon dhe ngritjen e disa struktura të reja të rëndësishme, siç janë Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, përfshirë Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar (SPAK-un) pjesë e së cilës do të jetë dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, që në fokus do të ketë rastet e korrupsionit tek zyrtarët.

Lidhur me afatet e përfundimit të reformës zoti Daci thotë se “një përkrahje më e madhe financiare për strukturat e vetigut mund ta nxiste procesin. Nëse punohet me një ritëm 50 për qind më shumë sesa sot, reforma mund të mbyllej në 3 apo 4 vite”.

Por eksperti ligjor thotë se afatet nuk duhet të shqetësojnë askënd, pasi kjo është dëshmi e seriozitetit të insitucioneve të vetingut dhe nevojës për vazhdimin e frymës së reformës edhe pas përfundimit të tij.

Një nga çështjet e rëndësishme që sipas ekspertit duhet të marrë përgjigje është ajo se çfarë duhet të ndodhë me gjyqtarët dhe prokurorët të larguar nga sistemit për shkak të vetingut. Sipas ekspertit ndaj tyre “duhet të vijohet më tej me hetime pasi kalimi në veting” siç thotë ai “nuk i shmang ata nga veprat penale që mund të kenë kryer nëse gjithnjë janë autorë dhe do provohet bazuar në ligj”. /VOA


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono