Policia e shtetit

kontrolle.jpg
G. P.13:54 | 20/08/2019

1.600 forca policie kanë zbarkuar në terren në gjithë vendin në një aksion kundër kultivimit të kanabisit. Në të gjithë zonat e dyshuara po ushtrohen kontrolle nga ajri dhe nga toka. Deri tani janë zbuluar dy raste kultivimi kanabisi në Krujë dhe Vlorë.

Policia e Shtetit ka nisur një aksion masiv për kontrollin e të gjithë territorit për të parandaluar, evidentuar dhe goditur kultivimin e bimëve narkotike. 1.600 forca policie prej së hënës kanë nisur kontrolle në të gjithë vendin, për goditjen e kësaj veprimtarie të paligjshme.

Policia bën të ditur zyrtarisht se janë zbuluar dy raste, të kultivimit të lëndëve narkotike, një në Malësinë e Krujës me 93 bimë dhe një rast në Gjorm të Vlorës me 40 bimë narkotike, të dyshuara kanabis.

Në kontrolle janë angazhuar Drejtoritë Vendore të Policisë, Polica Kufitare, Forcat e Lëvizshme Operacionale, nën drejtimin e grupeve të posaçme nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.

Gjithashtu monitorimi nga ajri po kryhet nga ana e Guardia di Financës, duke bashkëpunuar me grupet e kontrollit nga toka, në mënyrë që të bëhet verifikimi i çdo koordinate, ku dyshohet se mund të ketë të kultivuara bimë narkotike. Ndërkohë uniformat blu bëjnë me dije se kontrolli nga ajri do të vazhdojë edhe ditët në vazhdim./ABC News Albania 24/7

policia-e-shtetit.jpg
nev ila17:00 | 10/08/2019

Katër persona kanë përfunduar në prangat e policisë së shtetit në kuadër të operacionit “DEPARTURE” , “për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit me dokumente të falsifikuara, kundrejt fitimit”. Policia e shtetit bën me dije se u kap ‘koka’ e këtij grupi dhe 3 persona të tjerë.

Njoftimi i Policisë:

“Finalizohet operacioni “DEPARTURE” , për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit me dokumente të falsifikuara , kundrejt fitimit .

Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë në bashkëpunim me Policinë Kufitare të Rinasit.

Në pranga organizatori i grupit, i cili siguronte karta italiane të falsifikuara dhe kundrejt shumave të konsiderueshme në euro, siguronte kalimin për në vendet e BE-së, me destinacion final Anglinë.

Në pranga edhe 3 shtetas të tjerë për falsifikim të dokumenteve, që i kishte marrë përsipër organizatori i grupit.

Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rinas ka finalizuar me sukses operacionin “DEPARTURE”, duke parandaluar dhe goditur një tjetër rast në fushën e dhënies së ndihmës shtetasve të ndryshëm për kalim të paligjshëm të kufirit me dokumente të falsifikuara , kundrejt fitimit, me qëllim dërgimin në vende të BE-së me destinacion final Anglinë.

Organizatorët e kësaj veprimtarie kriminale janë kapur nga Policia Kufitare me dokumente italiane të falsifikuara dhe konkretisht karta identiteti dhe karta shëndeti, të cilat do t’i përdornin pasi të kalonin kufirin nga Shqipëria në drejtim të BE-së, për të hyrë më pas ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar.

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë në përfundim të veprimeve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:

I. B., 29 vjeç, lindur në Durrës dhe banues në Itali, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale ‘’Ndihma për kalim të paligjshëm’’ dhe “Falsifikimi i letërnjoftimeve i pasaportave ose i vizave’’ (organizator);

A.C.,19 vjeç, banues në Koplik, Shkodër, i dyshuar për kryerjen e veprave penale ‘’Ndihma për kalim të paligjshëm’’ dhe “Falsifikimi i letërnjoftimeve i pasaportave ose i vizave’’, (këtij shtetasi iu gjetën në çantë kartat e identitetit italiane dhe kartat e shëndetit italiane të falsifikuara);

F. L., 25 vjeç, banues në Durrës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘’Falsifikimi i letërnjoftimeve i pasaportave ose i vizave’’;

K. A., 30 vjeç, banues në Durrës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘’Falsifikimi i letërnjoftimeve i pasaportave ose i vizave’’.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 4 karta identiteti italiane dhe 5 karta shëndeti italiane të dyshuara si të falsifikuara, 4 aparate celulare, 3 pasaporta shqiptare, 1 pasaportë italiane, 1 leje drejtimi italiane, 4 Boarding Pass me destinacion Tiranë – Lubjanë, 4 Boarding Pass me destinacion Lubjanë – Paris.

Operacioni vijon në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari të kundërligjshme.

Materialet e para procedurale iu përcollën Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale ‘’Ndihma për kalim të paligjshëm’’ dhe ‘’Falsifikimi i letërnjoftimeve i pasaportave ose i vizave’’”./abcnews.al

policia-e-shtetit-800x447_1-1-1280x670.jpg
nev ila17:42 | 05/08/2019

Vijon operacioni kundër informalitetit, krahas operacionit që zhvillohet në gjithë vijën bregdetare, për lirimin e plazheve të zaptuara në mënyrë të kundërligjshme.

66 shtetas të proceduar për vepra penale në fushën e krimit ekonomik e financiar dhe krimeve mjedisore.

Procedohet penalisht edhe drejtori i ALUIZNI-t në Elbasan, për shpërdorim detyre.

Policia e Shtetit ka vijuar zbatimin e masave për parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e informalitetit, evazionit fiskal në turizëm, ndërtim, hidrokarbure, mallra të akcizës dhe krimeve të tjera mjedisore, në vijim të punës së përditshme.

Në zbatim të këtij plani të posaçëm në shkallë vendi, vetëm gjatë fundjavës janë ushtruar kontrolle në qindra subjekte të ndryshme në zonat urbane, kontrolle në pyje e kullota për prerje të paligjshme, në fushën e ndërtimeve pa leje apo të tregtimit të hidrokarbureve, etj.

Si rezultat i këtyre kontrolleve janë evidentuar një sërë shkeljesh dhe janë proceduar penalisht 66 shtetas për vepra penale si: “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, “Punësimi i paligjshëm”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, “Ndërtimi pa leje” dhe “Prerja e paligjshme e pyjeve”.

Konkretisht:
13 raste janë evidentuar dhe ndëshkuar në qarkun Dibër, 9 raste në qarkun Elbasan, 8 raste në qarkun Durrës, 7 raste në qarkun Gjirokastër, 5 raste në qarkun Korçë, 5 raste në qarkun Tiranë, 5 raste në qarkun Lezhë, 4 raste në qarkun Shkodër, 3 raste në qarkun Kukës, 3 raste në Qarkun Fier, 2 raste në qarkun Vlorë dhe 2 raste në qarkun Berat

Policia e Shtetit gjatë këtij operacioni është përqendruar edhe në zbulimin, dokumentimin dhe procedimin penal të çdo zyrtari Bashkie, Tatimesh, IQT, Dogane, Punësimi etj., të cilët me dashje nuk kanë kryer detyrën për kontrollin e territorit, por kanë lejuar informalitetin, ndërtimet pa leje, ushtrimin e aktiviteteve të tregtisë së paligjshme, ushtrimin e aktivitetit tregtar pa kasë fiskale, shmangien doganore në interes të tyre ose të personave të tretë, duke i sjellë dëme të konsiderueshme mjedisit, qytetarëve, bizneseve të ligjshme, nëpërmjet lejimit të konkurrencës së pandershme si dhe i kanë sjellë dëme të konsiderueshme buxhetit të shtetit.

Në këtë kuadër në Elbasan është proceduar Drejtori i ALUIZNI-t në Elbasan, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” pasi dyshohet se ka lëshuar një leje legalizimi për një objekt, pa dokumentacionin përkatës.

Operacioni kundër informalitetit dhe lirimit të plazheve të zaptuara në mënyrë të kundërligjshme po vijon në të gjithë vijën bregdetare.

Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në numrin pa pagesë 112, në Komisariatin Dixhital apo në adresat zyrtare në rrjetet sociale të Policisë së Shtetit, si dhe në numrin 0800 90 90 të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) në Ministrinë e Brendshme, duke garantuar anonimatin dhe një reagim të shpejtë e të paanshëm!“/abcnews.al

gjovalin-loka-1280x607.jpg
nev ila12:51 | 05/07/2019

Drejtori i Departamentit për Sigurinë Publike, Gjovalin Loka, ka bërë thirrje për bizneset disko, lokale nate apo me muzikë “live”, që të respektojnë në mënyrë rigoroze kufizimet e orareve dhe të ndotjes akustike. Oraret e përcaktuara me VKM janë 23:00 në ditët e javës dhe ora 24:00 në fundjavë.

Vërejtet e  Kryëministrit Rama u morën parasysh nga drejtuesit e policisë së shtetit.

Muzika e lartë në zonat brendetare gjatë muajit qershor ka shqetësuar shumë pushuesit, duke bërë që në Policinë e Shtetit të ngrihet një task-forcë për këtë qellim. Shefi i deparatamentit të sigurisë Gjovalin Loka, theksoi se muzika live në zonat brendetare do të lejohet deri në orën 24 gjatë fundjavës, ndërsa në ditët e tjera orari përfundimtar është 23.

“Nisur nga disa ankesa të ardhura në adresë të Policisë së Shtetit gjatë muajt Qershor 2019, për prishje të qetësisë së pushueseve si pasojë e muzikës së lartë që gjenerojnë lokale të ndryshme, jo vetëm në zonën bregdetare, por edhe në zona të tjera urbane, si dhe në zbatim të porosive të lëna në takimin e fundit nga Kryeministri i vendit dhe Ministri i Brendshëm, me drejtuesit qendrorë dhe vendorë të Policisë, për reagim të menjëhershëm të Policisë së Shtetit lidhur me këtë, Policia e Shtetit ju bën thirrje të gjitha subjekteve që ushtrojë biznes disko, lokale nate, apo me muzikë “LIVE”, që të respektojnë në mënyrë rigoroze kufizimet e orareve dhe të ndotjes akustike në mjedis sipas përcaktimeve të bëra në aktet ligjorë që janë ora 23:00 në ditët e javës dhe ora 24:00 në fundjavë”, bëri me dije Gjovalin Loka.

Kontrollet do të jenë të padërprera paralajmëroi Loka jo vëtëm në zonat brendetare por edhe në ato urbane.

Përpara ligjit do të shkojnë edhe isntiutcionëve përgjegjëse lokale që nuk kanë marrë masa për lokalet e natës, të cilët duhet të respektojnë orarin e përcaktuar me herët me Vendim  të Këshillit të Ministrave.

“Në këtë kuadër, Policia e Shtetit apelon për të gjitha institucionet që kanë detyrime në kuadrin e Task – Forcës, që të ushtrojnë kompetencat e tyre ligjore dhe të marrin masa të menjëhershme për disiplinimin e nivelit të zhurmave, duke iu përgjigjur në kohë shqetësimit të qytetarëve, në të kundërt do të merren masa jo vetëm ndaj subjekteve që krijojnë ndotje akustike, por dhe ndaj përfaqësuesve të institucioneve përgjegjëse, që nuk përmbushin detyrimet“, deklaroi Loka./ABC News Albania 24/7

 

edi-rama-1.jpg
G. P.13:26 | 02/07/2019

Kryeministri Edi Rama ka falenderuar publikisht punonjësit e Policisë së Shtetit për punën e sakrificën para e gjatë fushatës së zgjedhjeve vendore. Shefi i qeverisë ka kërkuar vënien në zbatim të teknologjisë për kontrollin e rrugëve e territorit, duke premtuar reforma në Policinë e Shtetit.

Pas falenderimit në emër të çdo Shqiptari për sigurinë e zgjedhjeve të 30 Qershorit, Kryeministri Edi Rama, i kërkoi ministrit të Brendshëm dhe drejtuesve të Policisë që të marrin në kontroll rrugët e vendit dhe të frenojnë ndërtimet pa leje në vijën bregdetare.

“Zoti Ministër, nuk dua më vonesë në projektin e monitorimit përmes teknologjisë së lartë të rrugëve të vendit dhe të rritjes së kontrollit dhe transparencës së drejtuesve të mjeteve. Si dhe mbi origjinën dhe përdorimin e çdo automjeti. Ju kërkoj sot hedhjen menjëherë në veprim për të identifikuar, ndalur dhe penalizuar çdo subjekt që ushtron aktivitet ndërtimor të paligjshëm”, tha Rama.

Kreu i Qeverisë foli për reformat që duhen bërë në Policinë e Shtetit, duke premtuar paga më ta larta dhe logjistikë më të mirë për punonjësit.

“Vini në zbatim një plan pune  për edukimin në vazhdim të policisë që nga trajnimet profesionale dhe fizike tek mësimi i pandarë i edukatës ligjore dhe asaj qytetare. Ka ardhur koha për të riparo pagat e punonjësve të Policisë së Shtetit dhe brenda mundësive të buxhetit të shtetit, e para rritje pagash në vijim do jetë për Policinë e Shtetit. Rritja e kërkesës së llogarisë ndaj vetes është parakushti për çdo arritje të re”, tha Rama.

Gjatë protestave të opozitës sipas Ramës u lënduan afërsisht 60 efektivë dhe një ndër ta ishte edhe Ina Nuka, e cila, u dekorua nga me medaljen “Ylli i Mirënjohjes”.

Për ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj, Policia e Shtetit ruajti një nivel të lartë sigurie para gjatë dhe pas zgjedhjeve të 30 Qershorit, duke mos u shkëputuar nga fokusi i saj që është lufta kundër krimit të organizuar./ABC News Albania 24/7

oerd-bylykbashi-3-847x477-620x349-1.jpg
Sej rie21:15 | 29/06/2019

Ish-deputeti i PD, Oerd Bylykbashi nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale deklaron se KQZ-ja dhe Policia e Shtetit kanë urdhruar për të ndaluar aktivitetin e opozitës në media dhe në protesta. Sipas Bylykbashit është i paligjshëm urdhri i policisë për të ndalur protestat e opozitës gjatë ditës së nesërme si dhe urdhri i KQZ për të ndaluar median të pasqyrojnë aktivitetet e PD-së.

”Dy repartet e Partisë Socialiste, KQZ dhe Policia e Shtetit kanë dhunuar të drejtat kushtetuese të shtetasve që nuk pranojnë farsën antikushtetuese të 30 Qershorit.

Bordi i Monitorimit të Mediave i KQZ, dje me 28 Qershor, ka paralajmëruar zyrtarisht mediat që bashkë me aktivitete zgjedhore, të mos transmetojnë ‎asnjë aktivitet politik gjatë heshtjes zgjedhore. Kodi Zgjedhor, neni 77, përcakton qartë që ndalimet e heshtjes zgjedhore vlejnë vetëm për aktivitetet elektorale të SUBJEKTEVE ZGJEDHORE dhe për askënd tjetër.

Policia e Shtetit, po dje më 28 Qershor, kërcënoi me burgim nëse zhvillohen tubime të partive politike dhe shtetasve të lirë që nuk marrin pjesë në zgjedhje, në periudhën e heshtjes zgjedhore dhe ditën e votimit. Policia e Ramës i cilëson të paligjshme dhe si cenuese të të drejtave të votuesve socialiste këto tubime proteste për mbrojtjen e të drejtës për të zgjedhur. Policia kërkon të ndaloje çdo tubim proteste edhe nëse janë larg ambienteve të votimit të Partisë Socialiste.

Partitë politike që nuk marrin pjese në votime, sa kohë nuk bëjnë fushatë për partitë e tjera, veprojnë mbi bazën e Kushtetutës Ligjit për Partitë Politike dhe Ligjit për Tubimet. Kodi Zgjedhor dhe periudha zgjedhore nuk pezullon të drejtat e tjera kushtetuese të shtetasve. Media ka liri të plotë të transmetoje lajme mbi aktivitete politike që nuk janë fushatë e subjekteve zgjedhore. KQZ dhe Policia, dy vegla të Kryeministrit, po dhunojnë të drejtën kushtetuese të lirisë së shprehjes, lirisë së medias, lirisë së tubimit dhe të drejtat që Kushtetuta dhe ligji u njohin partive politike”.

pilicia-diber-1280x702.jpg
nev ila22:21 | 28/06/2019

Policia e Shtetit përmes një komunikimi me median ka bërë me dije se rreth 250-300 persona po vazhdojnë të sulmojnë punonjësit e policisë me sende të forta kapsolla e molotov me qëllim depërtimin brenda ambienteve të KZAZ-s. Policia e shtetit bën me dije se në ndihmë të forcave të rendit në Dibër janë nisur forca të lëvizshme operacionale të cilët do të bëjnë të mundur ndalimin e personave përgjegjës për sulmin.

Nisur nga situata e krijuar në KZAZ-n Nr. 19 në Dibër, ku rreth 250 – 300 persona po vijojnë të sulmojnë punonjësit e policisë me sende të forta, kapsolla dhe bomba molotov, me qëllim depërtimin brenda ambjenteve të KZAZ-s, Policia e Shtetit iu bën thirrje organizatorëve që të distancohen menjëherë dhe të ndalojnë sulmin mbi forcat e rendit, pasi po rrezikojnë jetën e punonjësve të policisë.

Në ndihmë të Policisë së Dibrës janë nisur Forcat e Lëvizshme Operacionale, të cilat do të bëjnë ndalimin e personave përgjegjës me qëllim përballen e tyre me ligjin.

Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për të mbrojtur objektet zgjedhore dhe do t’i përgjigjet me ashpërsinë e ligjit çdo sulmi ndaj punonjësve të Policisë dhe objekteve zgjedhore“, shkruan ne njoftimin e saj policia e shtetit./abcnews.al

dervishaj-1.jpg
G. P.17:56 | 28/06/2019

Në një deklaratë për mediat pasditen e së premtes, drejtori i Rendit Publik në Policinë e Shtetit Albert Dervishaj tha se janë trajnuar 7779 punonjës policie, të cilët do të angazhohen me detyra gjatë zgjedhjeve.

Dervishaj theksoi ndër të tjera se për sigurimin 5.417 Qendrave të Votimit, 90 KZAZ-ve dhe 90 VNV, janë bërë përllogaritjet të punonjësve të Policisë, për automjete, pajisje, komunikim, ushqim etj.

Deklarata e plotë: 

Në kuadër të masave të deritanishme të marra nga Policia e Shtetit për garantimin dhe mbarëvajtjen e gjithë procesit zgjedhor në të gjitha fazat e tij, Policia e Shtetit për të garantuar një proces votimi sa më të qetë për votuesit ka marrë një sërë masash shtesë, masa këto që do reflektohen më tepër duke filluar prej ditës së shtunë e deri në përfundim të procesit zgjedhor.

Jemi në fazën më të rëndësishme të periudhës zgjedhore, prandaj nga strukturat qendrore dhe vendore të Policisë, po ndiqen me kujdes masat e planifikuara sipas fazave për sigurimin e rendit publik.

Policia e Shtetit, me një Plan Masash të detajuar garantoi me sukses mbarëvajtjen e çdo aktiviteti elektoral të zhvilluar gjatë fushatës, si dhe do të garantojë ruajtjen e qendrave të votimit, shoqërimin e materialeve zgjedhore dhe sigurimin e vendeve të numërimit të votave, gjatë këtij procesi.

Puna e strukturave të Policisë së Shtetit, për përgatitjen e masave për sigurimin e zgjedhjeve ka filluar që në muajin Shkurt 2019, me hartimin e detyrave në Programin e Punës, janë përgatitur Urdhra të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit; plane masash dhe dokumente të tjera që kompletojnë masat tona dhe detyrat për procesin zgjedhor.

Janë trajnuar 7.779 punonjës të Policisë që do të angazhohen me detyra gjatë zgjedhjeve, sipas niveleve të menaxhimit policor, deri tek niveli bazë i veprimit policor.

Për sigurimin e 5.417 Qendrave të Votimit, 90 KZAZ dhe 90 VNV, janë bërë përllogaritjet të punonjësve të Policisë, për automjete, pajisje, komunikim, ushqim etj.

Në zbatim të kërkesave të Kodit Zgjedhor, në datën 15 Qershor, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dërgoi në KQZ, në afatin e përcaktuar:

– Listën me 5.876 punonjës të policisë që do të angazhohen me shërbim për ruajtjen e objekteve zgjedhore në të gjithë Shqipërinë.

– Listën me 281 automjete civile, që do të përdoren në funksion të përmbushjes së detyrimeve të Policisë së Shtetit, për garantimin e rendit dhe sigurisë.

Nga strukturat e disa njësive policore në Tiranë, Drejtorive të Kufirit dhe Migracionit dhe struktura të tjera, do të dërgohen 1.450 punonjës policie në funksion të procesit zgjedhor në disa Drejtori Vendore të Policisë; si dhe do të vihen në dispozicion 543 automjete.

Është përgatitur dhe miratuar Urdhri i Përbashkët i Ministrit Brendshëm dhe Ministrit të Mbrojtjes, si dhe Urdhri i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, për marrjen në ruajtje të 84 objekteve të rëndësishme që sigurohen me punonjës policie, nga forcat “Komando”.
280 punonjës të Policisë të objekteve, do të angazhohen për sigurimin e objekteve zgjedhore dhe do të marrin detyra për procesin zgjedhor.

Nga strukturat policore në bashkëpunim me Prokuroritë e rretheve gjyqësore janë trajtuar dhe po hetohen veprat penale që lidhen me procesin zgjedhor, kryesisht sulme mbi KZAZ dhe punonjësit e policisë të planizuar pranë këtyre KZAZ-ve, djegie të materialeve zgjedhore, vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve.

Në këto ngjarje janë përfshirë 250 autorë, nga të cilët 59 janë arrestuar 138 ndiqen në gjendje të lirë dhe 53 persona janë shpallur në kërkim.

Bashkëpunimi me institucionet ndërkombëtare të OSCE/ODIHR, të cilat monitorojnë zgjedhjet, ka qenë permanent. Me Prezencën e OSCE në Shqipëri, por edhe me disa institucione shqiptare si KQZ dhe Prokurorinë e Përgjithshme kemi kryer trajnimet e punonjësve të Policisë për procesin zgjedhor, të cilat kanë kontribuar edhe me lektorë të fushës.

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, na ka mbështetur në procesin e trajnimeve, por edhe për financimin e “Librit të Xhepit”, e cila është shpërndarë në të gjithë punonjësit e policisë.

Lidhur me vëzhguesit afatgjatë të OSBE/ODIHR, është siguruar e organizuar puna në të gjitha Drejtoritë Vendore të Policisë, që ata të kenë akses dhe të monitorojnë masat lidhur me procesin zgjedhor.

Janë përcaktuar koordinatorët e Policisë së Shtetit me institucionet ndërkombëtare, nëpunësi ndërlidhës i saj me KQZ, si dhe jemi në plotësim të detyrimeve në kuadër të Task Forcës së krijuar në Ministrinë e Brendshme dhe në Kryeministri për zgjedhjet, duke bashkëpunuar ngushtë me këto institucione.

Deri tani nuk kemi raste që punonjës të Policisë së Shtetit, të jenë evidentuar në shkelje të kërkesave ligjore, të kenë kompromentuar pozicionin si punonjës të depolitizuar, apo të kenë reflektuar qëndrime të një anshme apo politike.

Nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nga data 1 Qershor 2019 që ka filluar periudha zgjedhore është ngritur dhe funksionon grupi i drejtimit në nivel qendror, për menaxhimin e masave të sigurisë për procesin zgjedhor, me qëllim vlerësimin e çdo informacioni nga të gjithë burimet, verifikimin, analizimin dhe ndjekjen e tij.

Është në funksion aplikacioni dixhital për raportimin dhe monitorimin e masave të Policisë së Shtetit për ruajtjen e objekteve zgjedhore, për punonjësit e policisë për çdo qendër votimi, me përgjegjësit e tyre dhe numrat e telefonit, e cila është nën përgjegjësinë e Grupit të Drejtimit në DPPSh, i cili do të ndjekë on-line, të gjitha masat e policisë duke bashkëpunuar me Grupet e Drejtimit të 12 Drejtorive Vendore të Policisë.

Qëllimi i krijimit të këtij aplikacioni dhe të hartës dixhitale është që ne jo vetëm të zotërojmë situatën për realizimin e detyrave tona në ditët finale, por edhe të kemi një komunikim në kohë reale për çdo rast që punonjësit e policisë me shërbim, do të kenë nevojë, të japim orientime të shpejta që zgjidhjet të jenë vetëm ligjore.

Lidhur me detyrat në këtë fazë të procesit zgjedhor Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, u ka dërguar një telegram me udhëzime drejtuesve qendrorë e vendorë të Policisë së Shtetit, nëpërmjet të cilit ka kërkuar angazhim maksimal dhe profesional të të gjitha strukturave policore në bazë e zbatim të ligjit për Policinë e Shtetit, Kodin Zgjedhor dhe aktet e tjera normative, duke kryer veprime të shpejta dhe profesionale në bashkëpunim me Prokurorinë në rastet kur ka kallëzime penale që mund të bëhen nga subjekte të ndryshëm, si dhe të ruhet gjakftohtësia në komunikim dhe etika policore.

Në përfundim theksoj se gjatë ditëve të fundit nga subjekte politike janë dërguar njoftime në disa struktura vendore të policisë, nëpërmjet të cilave kërkohet organizimi dhe zhvillimi i tubimeve apo protestave në territorin e disa njësive të qeverisjes vendore, pa ndërprerje nga data 27.6.2019 deri në datën 02.07.2019, si dhe pranë KZAZ- ve e Qendrave të Votimit në territorin e disa bashkive.

Kujtoj së në pikën 2 të nenit 77 të Kodit Zgjedhor përcaktohet se: “Dita përpara datës së zgjedhjeve dhe data e zgjedhjeve, deri në orën e mbylljes së votimit formojnë periudhën e heshtjes zgjedhore. Në periudhën e heshtjes zgjedhore nuk lejohet asnjë lloj fushate zgjedhore nëpërmjet organeve të medias, zhvillimi i mitingjeve ose veprimtarive të tjera zgjedhore…”.

Sa më sipër sqaroj së çdo organizim dhe zhvillim i tubimeve dhe protestave në datat 29 dhe 30 Qershor 2019, data që korrespondojnë me periudhën e “heshtjes zgjedhore”, janë të kundërligjshme dhe të dënueshme nga ligji penal, pasi konsiderohen vepra penale të cilat prekin dhe cenojnë të drejtat kushtetuese dhe ligjore të zgjedhësve apo personave për të ushtruar të drejtën e votës, të parashikuara në Kreun e X-të të Kodit Penal. Sipas dispozitave të këtij Kodi, këto vepra penale kanë si masë dënimi atë me burgim nga një deri në pesë vjet.

Gjithashtu, në Vendimin e KQZ-së me Nr. 498 datë 24.06.2017 përcaktohet se gjatë ditës së votimit nga momenti i hapjes së qendrave të votimit në oren 07:00 deri në momentin e mbylljes së tyre në orën 19:00, ndalohet qendrimi, grumbullimi apo çdo veprimtari tjetër e personave të cilët nuk janë parashikuar nga neni 110 i Kodit Zgjedhor, në objektet ku janë vendosur qendrat e votimit (oborret, korridoret, apo përpara hyrjes në objekt ku janë vendosur qendrat e votimit).

Sqaroj se Policia e Shtetit në përmbushje të detyrimeve të përcaktuara në Kodin Zgjedhor dhe Udhëzimin nr. 7, datë 23.03.2009 “Për detyrat e Policisë së Shtetit dhe forcave të ushtrisë në zgjedhje”, i ndryshuar, sikurse u thanë më lart, ka planifikuar masat për ruajtjen e sigurimin e objekteve zgjedhore, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në territor, ndërhyrjen për rivendosjen e rendit publik etj., sipas kërkesave ligjore dhe procedurave standarde të miratuara./abcnews.al

policia1-933x445.jpg
nev ila21:42 | 27/06/2019

Informacion paraprak

Sonte, rreth orës 20:00 janë grumbulluar rreth 200-250 simpatizant të PD, tek KZAZ nr.6 e cila ështe ngritur prane një shkolle në Bushat, Vau i Dejës.

Gjatë protestës ata kanë sulmuar KZAZ duke përdorur bomba molotov dhe mjete të tjera të forta.

Për pasojë janë plagosur 3 punojës policie të Komisariatit Vau Dejës, që ishin në shërbim. Ata po marrin ndihmë mjekesore në Spitalin Rajonal Shkodër.

Deri tani janë shoqëruar 9 persona dhe vazhdon puna per kapjen dhe shoqerimin e personave të tjerë, te perfshire ne ngjarje.

Grupi hetimor i ngritur për çeshtjen, në bashkëpunim me Prokurorinë po kryen veprime intensive hetimore për vënien përpara ligjit të autorëve dhe drejtuesve të sulmit./abcnews.al

ekstradim.jpg
nev ila16:37 | 07/06/2019

Policia e shtetit ka bërë me dije se janë ekstraduar ditën e sotme dy shqiptarë të cilët ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale. 2 personat janë ekstraduar nga Londra dhe Belgjika. Specialistët e interpolit bën me dije se Kreshnik Kule, i arrestuar në shtetin Belg për llogari të Shqipërisë, ishte dënuar me 10 vjet burg për veprën penale të mashtrimit ndërsa personi tjetër i arrestuar në Londër ishte i dënuar për veprat penale të falsifikimit të dokumentave, monedhave, letërnjoftimeve dhe vizave.

Njoftimi i policisë:

Estradohen  nga Londra dhe Belgjika dy shtetas  të kërkuar për vepra penale në fushën e krimit ekonomik e financiar. Nga Specialistët e Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Belgjika drejt Shqipërisë, i shtetasit  Kreshnik Kule, 35 vjeç.

Shtetasi Kreshnik Kule është arrestuar nga autoritetet policore në Belgjikë me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, pas informacioneve të dërguara nga  Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në vitin 2016 e ka dënuar këtë shtetas me 10 vjet burg, për veprën penale “Mashtrimi”.

Ky shtetas në bashkëpunim me të atin, në vitin 2008 kanë mashtruar një shtetas shqiptar dhe i kanë marrë shuma të konsiderueshme parash (rreth 30.000 $)  duke i premtuar që do të mundësonin dërgimin e tij dhe të familjes së tij në Kanada.

Po nga Specialistët e Interpol Tirana, u krye ekstradimi nga Londra drejt vendit tonë i shtetasit shqiptar, S.P. 40 vjeç, lindur në Fier.

Shtetasi S.P. ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier në Mars të vitit 2018, ka caktuar masën e sigurisë ”Arrest me burg” për veprat penale “Falsifikim monedhash”, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Falsifikim i letërnjoftimeve, ose vizave”.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Manchester, u bë i mundur arrestimi  dhe ekstradimit i tij nga Britania e Madhe drejt vendit tonë”./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono