Polemika

Ariane-Chemin-933x445.jpg
G. P.10:50 | 24/05/2019

Polemika të shumta ka ngjallur në Francë marrja në pyetje e 6 gazetarëve dhe thirrja për llogari e 2 të tjerëve nga Shërbimi i Sigurisë së Brendshme, DGSI, për aktivitetin e tyre profesional.

Në mesin e të pyeturve është edhe reporterja e “Le Monde”, Ariane Chemin, e cila u thirr lidhur me publikimin e identitetit të një oficeri sigurie në një artikull.

Këto praktika janë cilësuar si intimidim i gazetarëve dhe cënim i lirisë së shtypit. Reporterët e marrë në pyetje thanë se u është bërë presion për të treguar burimet e informacionit.

Por këto akuza i hodhi poshtë zëdhënësja e qeverisë, Sibet Ndiaj, e cila tha se edhe gazetarët janë persona që duhet të përgjigjen përpara ligjit.

“Është normale që një shtet të mbrojë disa të dhëna që janë të nevojshme në fushën e sigurisë së jashtme dhe të aktivitetit ushtarak. Ka pasur një informacion të klasifikuar sekret që ka dalë në publik. Kjo nuk është normale. Qeveria apo shteti francez të pyesë për rrjedhjet e informacionit të brendshëm”.

Një tjetër çështje për të cilin gazetarët duhet të japin llogari është publikimi i skandalit të përdorimit të armëve franceze në luftën mes Arabisë Saudite dhe Jemenit.

Tv Klan

deputetja-kosovare.jpg
G. P.22:20 | 16/05/2019

Fotoja e një vajze kosovare të dhunuar nga ushtarët serbë gjatë luftës ka shkaktuar debate në Parlamentin e Kosovës, ku do të votohej një rezolutë për krimet e luftës.

Debat i gjatë dhe i ashpër është zhvilluar para miratimit të rezolutës për dënimin e krimeve e gjenocidit serb në Kosovë.

Kadri Veseli: Plaga më e madhe është mungesa e drejtësisë për viktimat e gjenocidit, të cilin shteti serb e ushtri mbi popullin tonë gjatë viteve të luftës.

Ndërsa publikimi i fotografisë nga deputetja Flora Borvina, ku shihet dhunimi i një gruaje nga serbët gjatë luftës në Kosovë ka zgjuar reagime të mëdha. Reagimi i parë ishte nga deputetja Saranda Bogujevci, e cila ishte plagosur rëndë gjatë luftës në masakrën e Podujevës, ku edhe humbi një pjesë të madhe të familjes.

Saranda Bogujevci, deputete: Për mua është shumë shqetësuese qysh dikush shfrytëzon vuajtjen e dikujt tjetër, prapë për përfitime të veta. Është komplet e padinjitetshme që të tregohet një fotografi e tillë, çka nëse identifikohet viktima.

Por kjo nuk e ndali deputeten Brovina që të publikojë edhe një tjetër fotografi. Ndërsa Prokuroria e Shtetit nëpërmjet një komunikate për media ka bërë të ditur se do të hapë hetimet për dhunim, fotografinë e së cilës e publikoi Brovina.

Ish-presidentja Atifete Jahjaga veprimin e sotëm të deputetes Brovina e ka quajtur të turpshëm, ndërsa rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës thotë se Brovina shkeli dinjitetin e të të mbijetuarave të dhunës seksuale./ABC News Albania 24/7

partizani-1.jpg
G. P.14:32 | 07/04/2019

Trajneri i Tiranës, Ardian Mema, akuzoi se futbolli shqiptar po dëmtohet nga aleancat dhe nga provincat, në dëm të skuadrave të njohura. Pati debate të ashpra pas ndeshjeve të fundit në Superligë.

Pa nisur ende faza e katërt, shumë gjëra po kuptohen. Kastrioti e Luftëtari duket se do të jenë me më shumë shanse se Tirana në garën për mbijetesë në Superligë, duke i kujtuar kryeqytetasve atë që ndodhi dy sezone më parë, kur u rrëzuan në Kategorinë e Parë.

Një përplasje të vërtetë qytetërimesh, nëse mund të shprehemi kështu, ishin fjalët e trajnerit bardheblu, Ardian Mema, në përfundim të ndeshjes në Vlorë, thënë për Supersportin.

“Vendosen edhe nga episodet, vendosen dhe nga tavolinat. Kjo duhet thënë. Jekmi ekip që i pranojmë të  treja rezultatet, por këtu është provincë dhe vazhdojnë provincat, por le të luajmë futboll. Po kush do të luajë futboll le të luajnë dhe këto provincat dhe të le të kënaqen dhe këta provincialët, të shohin futboll, të kënaqen”, tha Mema.

Përtej aleancave, Mema theksoi dallimin qytete të mëdha-provinca, diçka që shumëkush e thotë nëpër tavolina, por jo publikisht. Paragjykime që nuk mund të shmangen përveçse kur të mos ketë më dallime të tilla, por pak javë më parë, ish-ylli i Vllaznisë, sot trajner, Edi Martini, foli në emisionin “Pressing” në Abc Neës, pikërisht për aleancat.

“Aleanca ka pas gjithmonë kryeqyteti. Unë them që kush do dijë ta lozë lojën edhe një çikë më jashtë stadiumit, jashtë fushave të lojës, do të jetë edhe më i priviligjuar”, tha Martini.

Trajneri i Luftëtarit, Julian Ahmataj, ekipi i të cilit fitoi 3-1 në fushën e Partizanit, bëri një pohim për Supersportin, që nuk besohet nga tifozët, të paktën duke u nisur nga komentet në rrjetet sociale.

“Nuk di të ketë aleanca sepse nuk mendoj që do ndonjëri të ketë aleanca. U aludua që në Kupë na e liroi Partizani dhe ne do e lirofshim në kampionat, ja ku e vërtetoi fusha që nuk është e vërtetë”, tha Ahmataj.

Dyshimet ishin shumë të mëdha për Partizanin, në humbjen e tretë radhazi me Luftëtarin, pësuar pasi Kukësi u mund nga Kastrioti. Edhe Gega deklaroi se nuk pati mungesë dëshire të ekipit për të fituar.

“Dëshira e madhe për të fituar, për të mbyllur lojën ndoshta na futi në përgjegjësi. Golat ju i patë. Është hera e parë që pas një konference shtypi kthehemi me tre gola në disfavor”, tha Gega.

Këtë javë, tepër i fituar doli Flamurtari i trajnerit Ilir Daja, që ndodhet pranë Europës, me gjithë krizën e pagave.

“Duke parë edhe rezultatin e ndeshjeve të tjera ishte një trepikësh i domosdoshëm”, tha Daja./abcnews.al

foto_782058_908x560.jpg
ent ela14:43 | 10/02/2019

Edicioni i 69-të i festivalit italian të Sanremos u fitua këtë herë nga një 29-vjeçar italo-egjiptian. Prejardhja e tij gjysmë myslimane ka shkaktuar jo pak polemika, por ka patur edhe nga ata që kanë përshëndetur ndërthurjen e kulturave. Vetë fituesi u shpreh se ndihej 100 % italian.

Është Mahmud, djaloshi italo-egjiptian, fitues i edicionit të 69-të të festivalit italian të këngës Sanremo. Ka qenë një fitore suprizë, edhe pse 27-vjeçari me këngën e tij “Para’” ndodhej në treshen e finalistëve bashkë me këngëtarin Ultimo dhe grupin Il Volo, që konsideroheshin favoritë. Kënga e Alessandro Mahmud, me nënë italiane dhe baba egjiptian, flet nën tingujt e muzikës rep për fëmijët e rritur në periferi, për varfërinë dhe rolin e prindërve. Në prononcimin e tij për mediat, djaloshi tha se ndihej 100 për qind italian. “Nëna ime është nga Sardenja, ndërsa babai egjiptian. Por unë kam lindur dhe jam rritur në Itali”, iu përgjigj ai kujt kishte ngritur polemika. Dhe në fakt, kontestimet nuk munguan. Ato filluan menjëherë në plate dhe në sallën e shtypit menjëherë pasi u njoftua klasifikimi final. Nuk mungoi edhe reagimi skeptik i zëvendës kryeministrit Mateo Salvini. “Kjo ishte kënga më e bukur??? Unë do kisha zgjedhur dikë tjetër”, tha ai në Tëitter. Por këtë herë numri dy i qeverisë italiane hasi në kundërshtimin e ish-partneres së tij, prezantueses televizive Eliza Izoardi. “Mahmud sapo fitoi festivalin e Sanremos. Tregues se bashkimi i kulturave të ndryshme gjeneron bukuri”, u shpreh ajo në profilin e saj. Në të njëjtën linjë u shpreh edhe analisti i njohur i shtypit italian, Aldo Kaculo. “Duhen më shumë si Mahmud, që është shembulli i integrimit që pasuron vendin”, shkroi ai në një artikull të “Corriere della Sera”. /abcnews.al

penalltia.jpg
G. P.14:15 | 07/02/2019

Polemika dhe dyshime pas ndeshjeve të Kupës së Shqipërisë. Trajneri i Flamurtarit, Daja, akuzon arbitrin, ndërsa Kamza luajti me formacion të plotë ndaj Vllaznisë, ndryshe nga takimi me Partizanin.

Kësaj skuadre i ndodh shpesh, madje jo vetëm në Superligë. Flamurtari pati pretendime të mëdha ndaj gjykimit të Laver Allës në ndeshjen e Kupës së Shqipërisë ndaj Tiranës, duel që e fitoi, por pas të cilit u eleminua.

Vlonjatët u acaruan shumë për një penallti që menduan se duhej t’u jepej në minutën e tretë shtesë, por arbitri nuk sinjalizoi. Pamjet filmike të bëjnë të besosh se ishte me të vërtetë ndërhyrje e gabuar në zonë ndaj lojtarit vendas. Gjithsesi, trajneri Daja, nuk u mor shumë me këtë rast, por me arbitrimin në përgjithësi.

Nuk mbetën pas futbollistët e tij dhe ja reagimi në Instagram i Emiljano Mustës.

“Fluturo, fluturo Laver Alla”, – ishte postimi it tij, ndërsa pranë mesazhit ishte një tufë me dollarë. Trajneri i Tiranës, Ardian Mema, nuk e hodhi poshtë mundësinë që për vlonjatët mund të ishte dhënë penallti.

Gjithsesi, polemikat dhe dyshimet nuk ishin vetëm për sfidën e Vlorës. Kamza u kualifikua ndaj Vllaznisë me fitoren 1-0, duke luajtur me formacion të plotë, vetëm pak ditë pasi shumë lojtar bojkotuan ndeshjen e kampionatit ndaj Partizanit.

Kjo ndeshje u sulmua ashpër nga emri i njohur i futbollit shkodran dhe shqiptar, Edi Martini, në emisionin “Presing”, në Abc News. Të shtunën, Kamza u mund 0-1 nga Partizani, ndërsa lojtarët u shprehën se bojkotuan për shkak të vonesës së rrogave, me një rrogë që thuhet se u ndaj para takimit ndaj Vllaznisë./abcnews.al

SALVINI-EMIGRANTET-1280x720.jpg
ent ela15:06 | 09/01/2019

Lideri i Legës Salvini vazhdon polemikat publike me kryeministrin Konte për sa i përket 49 emigrantëve të bllokuar në brigjet e Maltës prej ditësh. Konte është i gatshëm të presë në Itali gratë dhe fëmijët, por Salvini refuzon në mënyrë kategorike.

Vijojnë polemikat mes liderit të Legës, Mateo Salvini, dhe kryeministrit Xhuzepe Konte, për emigrantët. Cdo gjë nisi me arrestimin e 15 personavenë Sicili me akuzën e favorizimit të emigracionit klandestin dhe terrorizmit. Me anë të një mesazhi në Tuiter, Salvini shkruan se nuk ka ndërmend të lejojë emigrant në vend, përkundrazi, duhen larguar sa më shumë duke i kthyer në shtëpitë e tyre.

Qëndrojnë shumë larg qëndrimet e kryeministrit dhe zv/kryeministrit për sa i përket 49 emigrantëve të bllokuar në anijet e organizatave jo qeveritare. Të martën Konte u shpreh i gatshëm që të priste në vend gratë dhe fëmijët. Dhe nëse nuk I lejojnë të zbresin nga anijet, kreu i ekzekutivit Italian shprehet se është gatshëm  të shkojë ti marrë personalisht me avion. Por ministry i brendshëm Salvini nuk ndërron mendim./abcnews.al/

FUTBOLL-LLULLAKU-RUMANI.mpg_snapshot_00.00-1280x705.jpg
G. P.16:28 | 23/12/2018

Futbollisti shqiptar, Azdren Llullaku, po kalon një moment të mirë në Rumani, por gjithsesi, ka pasur polemika me trajnerin. Sulmuesi kërkon më shumë minuta aktivizim.

Mund të shënosh golin më të bukur të javës, por të mos kënaqesh. Azdren Llullaku ishte një njeri i zemëruar pasi shënoi rrjetën e parë në fitoren 4-1 të ekipit të tij, Astra Giurgiu, ndaj Dinamos së famshme të Bukureshtit. Mediat rumune tregojnë shkakun.

Gazeta “Prosport”: Gjest i pabesueshëm i Llullakut, pas golit ndaj “qenve të kuq”. Nuk ishte i kënaqur, dhe nisi të shante!

Sulmuesi shqiptar u kthye nga trajneri i tij, Kostel Enake, i cili nuk e ka aktivizuar shumë, ndonëse ai ka qenë shënuesi më i mirë i ligës dy vjet më parë. Pavarësisht shfrimit të tij, nuk besohet se trajneri do t’i mbajë inat, ndërsa mediat e lavdërojnë tej mase.

“Gazeta Sporturilor”: Eurogol i Llullakut ndaj Dinamos. 30-vjeçari arriti të realizonte në mënyrë madhështore në superfitoren e Astrës, në luftë për një vend në play off!

Astra Giurgiu është në vendin e 6-të në kampionat, në fund të vitit 2018, ndërsa lufton për një vend në Ligën e Europës. Sulmuesi ka shënuar deri tani 5 gola në 20 ndeshje, veçse duket se po ndjen ulje-ngritjet në karrierë vitet e fundit. Llullaku u shpall shënuesi më i mirë i Ligës së Parë të Rumanisë në sezonin 2016-2017, me 16 gola, por pastaj kaloi një periudhë të vështirë në Kazakistan dhe Itali. Tridhjetëvjeçari shpreson që të bindë trajnerin Panuçi që ta thërrasë në kombëtare, ndërsa fanelën kuqezi e ka veshur për herë të fundit në vitin 2017./abcnews.al

santa.jpg
G. P.15:02 | 21/11/2018

Në prag të festive të fundvitit, në qytete të ndryshme europiane kanë nisur përgatitjet. Por në Holandë ka pasur jo pak protesta, për shkak ndihmësit të babagjyshit të Vitit të Ri, dhe mënyrës se si fëmijët e imitojnë atë.

Polemika në Holandë mes simpatizantëve dhe kritikëve  të figurës kontreverse të ndihmësit të babagjyshit të Vitit të Ri, në versionin e tij lokal. Në një debat të ndezur dhe gjithnjë më të polarizuar për personazhin e njohur si Pete i Zi, qytetarët u mblodhën në fshatin historik të Zaanstad, në veri të Amsterdam, për të shprehur mendimin e tyre.

Një paradë televizive kombëtare për t’i dhënë mirëseardhjen babagjyshit të Vitit të Ri, nisi në mënyrë paqësore, por në paradat në të gjithë vendin ka pasur protesta dhe përplasje fizike mes palëve.

Me mijëra fëmijë, shumë prej të cilëve të veshur me kostumin e Petes të Zi, ndodheshin në rrugë për të përshëndetur Babagjyshin, shumë ishin ulur në supet e prindërve të tyre në pritje për të marrë karamelet që shpërndahen nga ndihmësi i babagjyshit. Njerëzit e bardhë shpesh lyejnë fytyrën me bojë të zezë kur vishen për të imituar personazhin, por kritikën këmbëngulin se këto imitime promovojnë stereotipe raciste./abcnews.al

maduro.png
G. P.18:52 | 19/09/2018

Presidenti i Venezuelës është përfshirë nga polemika të ashpra për shkak të një darke të konsumuar në një restorant shumë të shtrenjtë në Turqi. Qytetarë të shumtë dhe lideri i opozitës, i cili jeton jashtë vendit, kanë kritikuar Maduron duke i kërkuar që të punojë për popullin që po vuan nga varfëria.

Duke u kthyer nga udhëtimi në Kinë, Nicolas Maduro, president i Venezuelës, vendosi të qëndrojë në Turqi për të darkuar me gruan e tij Cilia Flores në restorantin ‘Nusr-Et’ në Stamboll. Vendi është i famshëm për praninë e kuzhinierit të famshëm Nusret Gokce – i quajtur “Salt Bae” për mënyrën e tij të spërkatjes së mishit me kripë. Ai është i ndjekur në Instagram nga më shumë se 15 milionë persona.

Në video mund të shikohet presidenti i Venezuelës, ndërsa ushqehet me mish dhe tymos një puro me emrin e tij, përpara se të marrë dhuratë një bluze të personalizuar nga kuzhinieri turk. Pamjet filmike kanë shkaktuar polemika të shumta në Venezuelë, vend i cili është kapluar nga një krizë ekonomike shkatërruese.

“Ndërsa qytetarët në Venezuelë vuajnë dhe vdesin nga uria, Maduro dhe bashkëshortja e tij argëtohen në një prej restoranteve më të shtrenjtë të botës me paratë e vjedhura popullit të Venezuelës”.

Kështu shkruan lideri i opozitës, Julio Borges, i cili jeton jashtë vendit për shkak të frikës se mund të arrestohet./abcnews.al

POLEMIKAT-SALVINI.mpg_snapshot_00.14-1280x720.jpg
G. P.13:28 | 19/08/2018

Ministri i Brendshëm Italian, Mateo Salvini është përfshirë në polemika pasi mori pjesë në funeralet shtetërore për viktimat e rrëzimit të urës në Gjenovë. Qytetarë të shumtë kanë kritikuar Salvinin pasi ka bërë fotografi gjatë funeraleve.

Një polemikë e re, në rrjete sociale por jo vetëm, ka përfshirë Ministrin e Brendshëm të Italisë Matteo Salvini, pasi ky i fundit bëri një selfie me një vajzë gjatë funeraleve shtetërore në Gjenovë për viktimat që humbën jetën për shkak të rrëzimit të urës Morandi. Fotografia është ripublikuar në Tuitër duke ngjallur mjaft debat.

Të menjëhershme ishin komentet e përdoruesve të shumtë, që shprehen të indinjuar dhe nënvizojnë se sa e papërshtatshëm ishte veprimi i zëvendëskryeministrit, i cili në këtë rast ka dashur të tregojë se është “afër qytetarëve” dhe se ka pranuar thjeshtë një kërkesë. Ka nga ata që shkruajnë se “ky veprim ishte një turp që nuk njeh limite”, ndërsa disa të tjerë shpresojnë dhe pyesin nëse imazhi është fals. Por ka nga ata që thonë se ky nuk është momenti për të diskutuar këtë çështje.

Nuk ka vonuar dhe kundërpërgjigja e Salvinit. “Një këngëtar budalla i cili nxit polemika pasi thotë se me disa persona kam bërë fotografi kur isha në Gjenovë. Këtë verë, opozitën e bëjnë reperët dhe këngëtarët. Jam krenar për të gjitha perqafimet që kam marrë në Gjenovë”, nënvizoi ministry i Brendshëm Italian./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono