Pogradec

ilir-xhakolli-1280x720.jpg
G. P.13:15 | 16/08/2019

Kryetari i ri i bashkisë së Pogradecit i cili doli fitues në zgjedhjet e 30 Qershorit, Ilir Xhakolli bëri betimin. Bashkia e Pogradecit ishte bashkia e fundit e Qarkut të Korçës që emëron kryebashkiakun e ri.

Gjithashtu u bë edhe konstituimi i Këshillit Bashkiak në ambientet e një hoteli në qendër të qytetit të Pogradecit pasi në bashki prej mëngjesit ka qenë kryetari në ikje Eduart Kapri, i cili sipas deklaratës së tij do e lërë të lire zyrën në orën 16.00.

Kryetari në ikje tha gjithashtu se “ka lënë një bashki ku janë ulur taksat dhe janë rritur të ardhurat”./ABC News Albania 24/7

plazhilire-1280x690.jpg
Sej rie08:30 | 09/08/2019

Më shumë se 3600 metra katror plazh i zaptuar është liruar gjate operacionit “Plazhi I lirë”në Himarë, Pogradec, Durrës. Në të njëjtën kohë katër zyrtarë bashkie dhe 5 administratorë janë në hetim. Hapësira e liruar ishte në zonën e mbrojtur në Plazhin e Gjipesë – Himarë, e cila shkon deri në 3000 m2, si dhe rreth 600 metra në Potam e Qeparo.

Janë sekuestruar rreth 200 shezlongë dhe 100 çadra plazhi, të vendosura në mënyrë të paligjshme në hapësirat publike. Kurse zyrtaret janë, Drejtor i Drejtorisë së Tatim Taksave pranë Bashkisë Himarë i cili  dyshohet se ka lejuar dy nga këto subjekte tregtare të ushtrojë aktivitetin në plazh pa u pajisur me kontratë qiraje në Bashki dhe pa kupon tatimorë, në Pogradec tre inspektorë të Drejtorisë së Tatim Taksave në Pogradec, pasi nuk kanë ushtruar kontrollin e nevojshëm në disa subjekte private të cilat kishin lëshuar me qira më shumë shezlongë, sesa iu kishte miratuar me leje Bashkia Pogradec, duke zënë hapësira publike në zonën e plazhit./ABC News Albania 24/7

MBULIM-BASHA-NE-POGRADEC.mpg_snapshot_00.12-1280x720.jpg
ent ela19:21 | 30/07/2019

Pavarësisht të dhënave për ekonominë të publikuara nga Rama nga Pogradeci, Lulzim Basha tha se mbledhja e të ardhurave nga qeveria është si një sëmundje e përkeqësuar dukshëm vitet e fundit.

Gjatë një takimi, Basha u tha pogradecarëve se taksat e rritura dhe favorizmi i paligjshëm i klientëve te Ramës janë dy nga faktorët kryesorë që kanë penalizuar biznesin.

Gjithashtu, sipas tij, dërgimi i policisë në dyert e biznesit është kriminal, njësoj si çdo politikë fiskale dhe ekonomike që ka ndërmarrë kjo qeveri.

Në këtë takim kreu i partisë demokratike  u kërkoi demokratëve që të përhapin në të gjithë Shqipërinë 3 shtyllat e platformës pro biznesit të PD-së.

“Biznesi do të ketë një pullë fiskale që tregon që janë kryer detyrimet ndaj shtetit dhe e asnjë zyrtar shteti nuk do të abuzojë me kontrollet ilegale, tha Basha. Ai premtoi se do të ndërmarrë nismën e uljes së taksave për bizneset, ndërsa foli edhe për taksë 9 % mbi të ardhurat dhe tatim fitimin, si dhe shmangien e patrullave gjobëvënëse dhe taksë 0 për biznesin e vogël. /ABC News Albania 24/7

 

 

korca-1280x720.jpg
G. P.16:59 | 27/07/2019

Pesë persona kanë mbetur të plagosur në tre aksidente që kanë ndodhur në akset nacionale të Korçës. Aksidenti i parë është regjistruar në rrugën Korçë-Kapshticë, ku një mjet ka dalë nga rruga dhe për pasoje ka mbetur e plagosur drejtuesja e mjetit dhe dy vajza që udhëtonin si pasagjere.

Në aksidentin tjetër që ndodhi në aksin Korçë–Pogradec një grua është plagosur nga përplasja e dy mjeteve. Në të njëjtin aks nacional një 35-vjeçar që drejtonte një motor u godit nga një mjet dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën në spitalin e Pogradecit./ABC News Albania 24/7

roje.jpg
G. P.14:23 | 19/07/2019

Në liqenin e Pogradecit mungojnë rojet. Pushuesit  thonë se ndihen të pasigurt sidomos për të moshuarit dhe fëmijët. Nga 50 subjekte që operojnë në këtë zonë, vetëm dy prej tyre kanë certifikuar rojet konform ligjit.

Piku i sezonit turistik e gjen liqenin e Pogradecit pa kushtet minimale të sigurisë. Në të gjithë gjatësinë e vijës bregliqenore konstatohet mungesa e rojeve.

Edhe ato pak kulla vrojtimi të ngritura vite më parë janë bosh, duke rritur pasigurinë tek pushuesit. Askush nuk garanton shpëtimin  e jetës së tyre në rast mbytje. Të lahesh në liqen mund të rezultojë fatale për gjithkënd sidomos për të moshuarit dhe fëmijët.

“Unë kam gati 10 ditë këtu në Pogradec dhe mungojnë rojet e sigurimit bregliqenore”.

“S’ka fare roje. Burri ikën më tutje, unë rri këtej se kam frikë fëmijët”.

“Gjatë kohës që jepet licenca për këto shezllonet të jepet edhe e drejta, ndryshe të hiqet e drejta dhe për shezllonet”.

Teksa apelojnë bashkinë dhe strukturat e tjera shtetërore për të zgjidhur problematikën, për vizitorët siguria është arsye për t’ju dhënë fund pushimeve para kohe.

“Njerëz shpëtimi dhe pa polici bregdetare nuk ka. Më pëlqeu Pgradeci, më pëlqeu deti, por mbrojtje nuk ka, kështu që nesër duhet të iki”.

Nga 50 subjekte,që kanë kontratë me bashkinë për shfrytëzimin e bregut të liqenit, 3 prej tyre kanë ngritur kulla vrojtimi dhe vetëm 2 subjekte kanë certifikuar rojet e sigurisë konform ligjit. Vetëm disa ditë më parë Prefekti i Korçës Dhori Spirollari paralajmëroi ashpërsim të masave ndaj bizneseve që shfrytëzojnë plazhin dhe nuk vendosin roje./ABC News Albania 24/7

rruga-1-1280x725.jpg
Sej rie22:15 | 15/07/2019

Sezoni turistik i këtij viti do ta gjejë qytetin e Pogradecit me rrugë të përfunduar. Aksi Lin- Pogradec është hapur tërësisht për qarkullimin e automjeteve, duke mundësuar shmangien e terrenit vështirë në dy kilometrat e fundit ku hyn për në qytet. Përmes ndërhyrjes së emergjencës ka përfunduar edhe tuneli i dytë panoramik në këtë rrugë, ndërtimi i të cilit u bë i domosdoshëm pas shembjes së malit në janar të këtij viti.

Rruga Lin-Pogradec është hapur plotësisht për qarkullimin e automjeteve. Nëse më parë në hyrje të Pogradecit makinat duhet të kalonin në një terren të vështirë për shkak të rrëshqitjeve që ndodhën, tashmë tuneli panoramik ka përfunduar. Tuneli dhe trotuaret janë pajisur me ndriçues për automjetet dhe këmbësorët që udhëtojnë natën.

Punimet për ndërtimin dhe sistemimin e segmentit që lidh Qafë – Thanën me pjesën juglindore të vendit filluan përpara 3 vjetësh, në shkurt të 2016-s.

Në total kontrata e parë për të përfunduar këtë aks panoramik buzë liqenit të Ohrit ishte 9.7 milion dollarë, por rrëshqitjet e skarpatit të malit detyruan shtesën e vlerës së projektit, dhe hartimin e një zgjidhjeje të re, përmes ndërtimit të tunelit të parë.

Rrëshqitja e parë ndodhi në janar të vitit 2018-ë, e menjëherë pas përfundimit të tunelit të parë, Autoriteti Rrugor u detyrua të miratonte një tjetër ndërhyrje emergjence në janar të këtij viti për shkak të një rrëzimit të një pjese tjetër të malit afër të njëjtit vend. Nikollaq Mihali, inxhinier në Autoritetin Rrugor Shqiptar, thotë se punimet ishin të vështira, por tuneli i dytë përfundoi 3 muaj përpara afatit të kontratës.

Në total rruga e riparuar ka një gjatësi prej 1050 metrash, ndërsa tunelet arrijnë në 350 metra. Rruga është e ndarë në dy korsi, ku bashkë me trotuarin në krahun e majtë të saj për kalimin e këmbësorëve dhe biçikletave kap një gjerësi prej 10.5 metrash.

Përgjatë gjithë zonës janë mbjellë pemë dekorative dhe po ashtu edhe mbi tunelet e ndërtuara janë mbjellë pemë bliri  dhe lule dekorative.

Në të gjithë gjatësinë e rrugës Lin – Pogradec është vendosur ndriçim, i cili funksion me sensorë drite edhe në brendësinë e tunelit duke shmangur komandimin manual.

Tani po punohet për rregullimet e fundit.

Punimet për riparimin e skarpatit të malit ku ndodhën rrëshqitjet përfunduan 3 muaj përpara afatit. Rruga është e hapur për sezonin turistik të këtij viti, ndërsa tashmë po bëhet sistemi dhe sheshimi i rrugës së vjetër ku kalonin automjetet./ABC News Albania 24/7

edi-rama-5-1280x722.jpg
Sej rie19:45 | 13/07/2019

Kryeministrit Edi Rama ishte në Lin të Pogradecit në kuadër të projektit 100 fshatrat. Rama i ftoi fermerët që shtëpitë të mos i përdorin vetëm për t’u strehuar, por t’i kthejnë ato në burim të ardhurash.

Në fshatin Lin të Pogradecit, një nga 100 fshatrat që qeveria i mbështet përmes një projekti promovues për turizmin dhe vlerat historike,  Kryeministri  u ndal në një bujtinë të veçantë.

Prej aty u shpjegoi të gjithë banorëve se si mund të zhvillojnë ekonomitë familjare, nëse hapin shtëpitë e tyre edhe për turistët.

“Faktikisht një aset, një kapital i fjetur siç është shtëpia, në rastin kur ajo përdoret vetëm për tu strehuar vetë, kthehet në një mekanizëm fitimprurës dhe nëse sot këtu ka disa nga këto bujtina dhe ka një numër turistësh që vijnë dhe këto bujtina janë të rezervuara siç është rasti i kësaj bujtine të re që rezervohet direkt nga interneti, ka dhe pëlqyeshmëri në “Booking”, goxha të lartë”.

Qeveria do të mbështesë jo vetëm nisma individuale për bujtina apo agroturizëm, për te cilat nxiti banoret e Linit të aplikojnë.

Rama premtoi edhe investime që do të përmirësojnë infrastrukturën në këtë zonë më natyre të rrallë, buzë liqenit të Ohrit.

“Me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, në kuadrin e Programit të 100 fshatrave ne do të bëjmë disa ndërhyrje për ta kthyer këtë fshat në një model të suksesshëm transformimi.  Për  të zhvilluar më tutje infrastrukturën dhe për të zhvilluar më tutje të gjitha ato elementë që janë të rëndësishëm për it dhënë një forcë tërheqëse shumë më të madhe këtij fshati duke bërë unifikime të karakterit të godinave, duke krijuar një sistem ndriçimi ashtu siç duhet, duke mbështetur edhe projekte të natyrave të ndryshme”.

Kryeministri tha se ne 4 vitet e ardhshme në mandatin e kryetarit të ri të sapozgjedhur të bashkisë së Pogradecit, bashkëpunimi do të sjellë më shumë transformim në këtë zonë me potencial të jashtëzakonshëm turistik./ABC News Albania 24/7

KLOSI-TASK-FORCA-POGRADEC-ABC-M5-T1.mpg_snapshot_00.14-1280x720.jpg
ent ela16:00 | 13/07/2019

Nga Pogradeci në mbledhjen e Task-Forcës së turizmit, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi paralajmeroi të gjitha subjektet që shfrytëzojnë hapësirën e bregdetit se duhet të respektojnë hapësirat publike në zonat e plazhit. Nëse nuk zbatohet ligji, Klosi deklaroi se subjektet do të ndëshkohen me gjobat përkatëse.

Nuk do të tolerohet mungesa e respektimit të ligjit për hapësirën publike të plazheve. Ky ishte paralajmërimi i ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi nga Pogradeci gjatë mbledhjes së Task-Forcës së turizmit.

 “Është rritur numri i turistëve, është rritur turizmi, por na duhet të ecim paralelisht me standartet. VKM-ja për stacionet e plazhit parashikon 20 % të hapësirës së bregdetit brenda njē njësie, duhet të jetë plazh publik. Kjo nuk është respektuar dhe tashmë institucionet do të veprojnë, sikundër në Durrës që iu kthye hapësira e plazhit publik, qytetarëve. Vendimi i Këshillit të Ministrave për këtë është i prerë. Mozbatimi i tij penalizon drejtpërsëdrejtë ata që ushtrojnë këtë aktivitet në mënyrë të paligjshme, organet vendore që duhet ta kontrollojnë dhe natyrisht edhe të gjithë ne organet shtetërore që duhet të bëjmë monitorimin”

Ministri Klosi gjithashtu theksoi se duhet kthyer vemendja edhe tek kullat e vrojtimit dhe rojet e certifikuar të ruajtjes së jetës në plazhe.

 “Nga 50 subjekte të monitoruara, vetëm 14 i zbatojnë të gjitha kriteret e VKM për stacionet e plazheve. Nuk mund të kemi rritje cilësore të turizmit, nëse nuk kemi rritje të shpejtë të shërbimeve dhe standarteve”.

Klosi gjatë takimit në Pogradec u tërhoqi vëmendjen tur operatorëve përsa i përket mjedisit duke kërkuar trajtimin e ujërave të zeza, pajisjen me leje mjedisore dhe zbatimin e tyre, çka do të ofronte turizëm me standarde. /ABC News Albania 24/7

 

verdove.jpg
G. P.22:29 | 10/07/2019

Nëntë persona të plagosur, dy prej të cilëve në gjendje të rëndë është bilanci i aksidentit të rëndë që ndodhi në fshatin Vërdovë të Pogradecit.  Mësohet se të rinjtë i përkasin moshave 30-35 vjeç udhëtonin të gjithë në një mjet fuoristradë.

Gazetarja Daniela Zisi raportoi për Abc News se disa prej të rinjve udhëtonin brenda kabinës së mjetit, ndërsa një pjesë tjetër në pjesën e hapur mbrapa.

“Të rinjtë udhëtonin në të njëjtin mjet. Bëhet fjalë për një mjet tip “Land Rover”. Disa ishin në kabinë, të tjerët kanë qenë në pjesën tjetër të mjetit. Mjeti ka qenë i hapur sepse në fshatrat malore kështu bëhet transporti me mjete fuoristrada që janë të hapura. Disa prej të rinjve kanë qenë brenda kabinës aq sa ka marrë kabina, të tjerët kanë qenë sipër. Duket që më të dëmtuarit kanë qenë ata që kanë qenë në pjesën e hapur të makinës. Paraprakisht këtë shpjegim jep policia për rrethanat në të cilat mund të ketë ndodhur aksidenti gjithsesi pritet që nesër në mëngjes kur të këqyret vendi i ngjarjes më me detaje do të marrim vesh se cili ishte shkaku dhe çfarë ka ndodhur realisht”, tha gazetarja në një lidhje direkte.

Dy personat që ndodhen në gjendje kritike për jetën janë dy vëllezër. Ata janë transportuar për të marrë ndihmën e parë në Tiranë. Shtatë të rinjtë e tjerë ndodhen në spitalin e Pogradecit dhe mjekët thonë që gjendja e tyre është e stabilizuar.

Të rinjtë po udhëtonin nga Kalivaçi në drejtim të Pogradecit. Paraprakisht dyshohet se shkak për aksidentin e rëndë të jetë bërë lagështia, por nuk përjashtohet as mundësia e shpejtësisë tej normave të lejuara./abcnews.al

policia pogradec
spitali pogradecit
spitali pogradecit1
policia3-933x445.jpg
G. P.16:30 | 08/07/2019

Rreth 1 milionë euro është vlera e pasurisë, që u sekuestruan me urdhër të Prokurorisë së Pogradecit. Nga hetimet nisura një vit më parë, rezultoi se, pasuritë ishin fshehur në emër të një grua pensioniste, e cila zotëronte 7 apartamente banimi, 2 në Pogradec dhe 5 në Tiranë.

Pasuria dyshohet se ishte përfituar nëpërmjet një skeme mashtrimi në qytetin e Como-s në Itali, në një shumë prej 2.3 milionë euro. Guardia di Finanza, zbuloi fillimisht se, gruaja me origjinë shqiptare, e cila bashkëjetojnë me një italian, kishte dërguar një pjesë të parave në adresë të mamasë së saj në qytetin e Pogradecit. Operacioni i koduar “Transferta” u krye në kuadër të task-forcës, Forca e Ligjit.

Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec është dhënë më 5 Korrik të 2019-s, ndërsa për pjesën tjetër e pasurive prej 1.3 miliardë euro, të përfituar nëpërmjet mashtrimit ende agjentët e krimeve ekonomike nuk kanë rënë në gjurmët e tyre./ABC News Albania 24/7


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono