platforme

bujar-nishaniii.jpg
G. P.20:49 | 06/03/2019

Opozita nëpërmjet revoltës së qytetarëve synon të rrisë presionin tek qeveria. Kreu i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Bujar Nishani, tha këtë të mërkurë në emisionin “Byro Politike” se opozita ka një platformë shumë të qartë, konkluzion të dështimeve dhe mësimeve të nxjerra.

Sipas tij, aksioni qytetarë do rrisë presionin tek përgjegjësit të kësaj situate.

“Ka një rrugëtim shumë të qartë të opozitës. I gjithë ky rrugëtim ka një shtrat. Revoltën dhe lëvizjen qytetare. Është një lëvizje qytetare dhe ne do e përkthejmë në një lëvizje shumë të madhe qytetare. Nga kjo lëvizje të garantojmë kornizën që e nesërmja do sjellë një model tjetër politik nga ç’ka qenë sot në Shqipëri. Kjo është e vështirë. Këtu është çelësi i sukesit i kësaj lëvizjeje. Nuk është vetëm e opozitës, janë gjithë këta faktorë shoqërorë që janë tejmbushur me këtë realitet. Është aksion qytetar që çdo ditë e më shumë do rrisë presionin ndaj përgjegjësit të kësaj situate”, u shpreh ish-Presidenti i Republikës.

Sipas ish-kreut të shtetit, në Shqipëri janë prishur të gjitha ekuilibrat kushtetues dhe institucionalë.

“Jam i bindur në këtë që them që sot në Shqipëri janë prishur të gjitha ekuilibrat që mund të mbajë një shoqëri me problematikat e veta Ne kemi pasur problemet tona, por sot në Shqipëri janë prishur të gjitha ekuilibrat. Është prishur ekuilibri kushtetues dhe ai institucional”, tha Nishani./abcnews.al

PD-PER-REAGIMET-PER-DAJTIN-1280x720.jpg
G. P.20:54 | 11/02/2019

Partitë parlamentare të opozitës kanë rënë dakord për një platformë bashkëpunimi, e cila institucionalizon koalicionin opozitar për zgjedhjet e ardhshme. Sipas një njoftimi të zyrës së shtypit të PD-së, platforma është e ngritur në 4 shtylla kryesore.

Përveç krijimit të koalicionit, partitë bien dakord se rruga e vetme për të garantuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme është formimi i një qeverie tranzitore, e cila duhet të ketë mandat për 4 çështje kyçe: kthimin e legjitimitetit politik të qeverisjes në vend, nëpërmjet zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, kijimin e kushteve të domosdoshme për zgjedhje të lira dhe të ndershme, parlamentare dhe vendore në Shqipëri, krijimin e klimës së besimit për zbatimin e Reformës në Drejtësi, jashtë çdo ndërhyrje politike dhe krijimin e kushteve të nevojshme për të përshpejtuar nisjen e negociatave të Shqipërisë për antarësimin në Bashkimin Europian.

Platforma është nismë e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili, pas arritjes së dakordësisë me partitë parlamentare të opozitës do ta zgjerojë koalicionin edhe me parti të tjera jashtë parlamentit./abcnews.al

edmond-cata.jpg
G. P.21:07 | 18/12/2018

Vettingu i pedagogëve është një nga kërkesat e studentëve, të cilët protestojnë për plotësimin e tyre prej dy javësh. Pikërisht për këtë çështje, pedagogu Edmond Çata në emisionin “Provokacija” paraqiti platformën e tij se si duhet arritur. Sipas tij ka dy hapa. I pari është Vettingu akademik dhe së dyti riformatimi i arsimit të lartë.

“Kam një platformë. Është i mundur. Duhen bërë dy gjëra sipas meje që janë të lidhura ngushtë me njëra tjetrën. Vettingu akademik është hapi i parë. Esenca e Vettingut akademik do jetë spastrimi i sistemit, siç do bëhet në sistemin e drejtësisë. Hapi i dytë. Riformatimi i të gjithë politikave të arsimit të lartë. Si do bëhet kjo? Zoti kryeministër nuk e bën dot vetë. Nuk e bën dot as me ministren aktuale të Arsimit. Atëherë hiqi, arsimin e lartë, universitetet, kërkimin shkencor. Ose krijo një portofol të ri. Ministër të ri pa portofol dhe një këshill kombëtar ku të gjithë personat që do jenë aty të mos jenë as nga universitetet shqiptare sepse janë pjesë e problemit. Të mos jenë as nga Ministria e Arsimit, as nga qeveria. Pra të jenë shqiptarë që kanë mbaruar jashtë edhe të huaj”, u shpreh Çata.

Më tej, Çata shtoi se qeveria ka një rol shumë të rëndësishëm në këtë proces. Duke qenë se ka buxhetin në dorë mund të punësojë ekspertë të huaj dhe shqiptarë që kanë studiuar jashtë vendit, të cilët mund të vihen në krye të një institucioni të rithemeluar.

“Kam menduar edhe ku do gjenden njerëzit. Ke gjithë ata shqiptarë të shkolluar jashtë. Qeveria shqiptare mund të luajë një rol shumë të madh për arsimin e lartë, jo ashtu siç e ka bërë tani. Qeveria ka buxhet. Ka para në dorë. Të punësojë ekspertë të huaj, shqiptarë që kanë mbaruar në universitetet perëndimore dhe që ka me tonelata. Ka një listë të tërë kur i akrediton diplomat. Dhe këta mund të vihen në krye të një institucioni të rithemeluar. Këtu Rama do duhet të ndryshojë tërësisht qëndrimin dhe politikat që ka bërë. Për mua politikat e Ramës në arsimin e lartë janë të dështuara sepse i futi në një thes universitetet publike dhe private”, u shpreh ai./abcnews.al

platformaa.png
G. P.14:41 | 10/10/2018

Kryeministri Edi Rama ka sjellë të tjera raste, që kanë marrë zgjidhje pasi i janë drejtuar platformës së Bashkëqeverisjes. Denoncimet e qytetarëve janë verifikuar edhe nga Task Forca antikorrupsion, e cila ka rekomanduar 5 shkarkime nga puna dhe 26 masa disiplinore.

Shkolla e mesme e bashkuar “Imzot Lucian Avgustini” në Vaun e Dejës në Shkodër shpëtoi nga një drejtues i padenjë, dy pensionistë kanë mundësinë të përfitojnë pensionin për një numër të konsideruar vitesh që nuk ia njihnin sigurimet shoqerore.

Banorët e një pallati në kryeqytet që kishin katër muaj pa energji elektrike për shkak të papërgjeshmërisë së kompanisë së ndërtimit mundësuan lidhjen e kontatave. Një banoreje të Lezhës iu hoq gjoba e vënë me pa të drejtë nga drejtoria tatimore e atij qarku. Dy qytetarë kanë marrë certifikatën e pronësisë për banesat e tyre.

Janë këto rastet e publikuara në takimin e përjavshëm të kryeministrit me koordinatorët e platformës së bashkëqeverisjes. Zgjdhjet tha kreu i qeverisë kanë ardhur pasi i kanë kushtuar tre minuta kohë platformës.

“Platforma të gjen mikun që në momentin e parë. Të gjen edhe sikur të jesh në fund të botës”, tha Rama.

Në platformën e bashkëqeverisjes janë të shumtë ata që ankohen për zyrat e Hipotekave dhe Aluiznit. Prandaj dhe kryeministri deklaroi se bashkimi i këtyre dy institucioneve shihet me përparësi nga qeveria.

“Këto ditë Ministria e Drejtësisë do të hapë konsultimet publike për projektin e një reforme rrënjësore e cila do të bashkojë aluiznin dhe hipotenkën në një institucion të vetëm”, u shpreh ai.

Një strukturë e re parashikohet të ngrihet për të shmangur gjykatat tha kryeministri Rama.

“Pra do të jetë një lloj strukture avokatore brenda institucionit që do të trajtojë konfliktet mes qytetarëve dhe institucionit në rastin kur qytetarët nuk janë të kënaqur nga përgjigja, apo kur kanë midis tyre çështje që duan të zjidhin me institucionin pa shkuar në gjyq”, theksoi Rama.

Paralelisht me platformën punon edhe Task-Forca antikorrupsion. Bazuar në denoncimet e qytetarëve janë  realizuar inspektime dhe kontrolle në disa institucione si: Aluizni Durrës;Aluizni Kavajë dhe Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore,Dega Tiranë.

“Grupet e kontrollit në raportet përfundimtare kanë rekomanduar 26 masa disiplinore, prej të cilave 5 largime nga puna. Në personat e shkarkuar nga pozicioni janë: 3 përgjegjës sektori dhe 2 specialistë pranë Drejtorisë Rajonale ALUIZNI Durrës”, tha Gjonaj.

Nga kontrollet e bëra dhe gjetjet e tyre ka rezultuar se në disa raste shkeljet e kryera nga punonjësit e administratës kanë elemente të veprave penale. Në këto kushte nga ana e Task-Forcës antikorrupsion janë kryer kallëzime penale në Prokurori për 6 punonjës.

Ndërsa nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve pranë Ministrit të Drejtësisë janë dërguar përndjekje penale drejtori, një përgjegjëse sektori dhe një punonjës i IEVP Krujë si dhe dy punonjës policie të Burgut të Vaqarrit për shpërdorim detyre./abcnews.al

lulzim-basha.png
G. P.11:55 | 08/10/2018

Opozita ka prezantuar sot platformën e saj për atë që e quan çlirimi i zgjedhjeve. Kryetari Lulzim Basha tha se ngjarjet kriminale në vitet e fundit kanë lidhje me vjedhjen e zgjedhjeve. Kreu i selisë blu ka folur me emra konkrete.

“Ngjarjet kriminale në tërësi kanë patur në tërësi një të përbashkët. Kudo ku ka krime ka lidhje të autorëve me zgjedhjet. Bajrajt e Shkodrës, krimineë të rrezikshëm ndërkombëtarë u kthyen në punëtorë elektoralë për Partinë Socialiste. Përgjimet e tyre tregojnë se ata flasin më shumë me politikanë sesa me kriminelë. Nga Ditmir Bushati tek politikanët socialistë në Shkodër. E njëjta gjë në Elbasan, ku pushteti i krimit, nga Çelajt te Sanxhaktarët me shokë dhe Taulant Ballës dhe Qazim Sejdinit janë një dhe të pandarë dhe ku bandat janë kthyer në faktorin kryesor të zgjedhjeve. Sajmir Tahiri u lidh me krimin që në opozitë dhe u kthye në nyjen kyçe të krimit me rilindjen. Në durrës bandat e Lul Berishës qeverisin bashkinë dhe kontrollojnë të gjithë aktivitetin e institucioneve që kontrollojnë aktivitetin lokal”, tha ndër të tjera Lulzim Basha.

farmaci.png
G. P.16:56 | 04/10/2018

Asnjë tolerim për shitjen e barnave pa recetë. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i është drejtuar farmacistëve, ndërsa paralajmëroi kontrolle në të gjithë vendin.

Tregtimi i barnave pa recetën e mjekut vijon të mbetet problem në vend. Prindërit ja vunë në dukje ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale gjatë një interpelance përmes platformës së bashkëqeverisjes.

“Do ishte më mirë për ne si prindër dhe të ishim të sigurt që farmacitë të mos i shesin këto ilaçe pa recetë dhe janë të rrezikshme për fëmijët tanë”.

Një Task-Forcë e posaçme po monitoron kushtet e mbajtjes së barnave dhe tregtimin e tyre në farmaci. Ndaj gjysmës së farmacive të kontrolluara në dy javë të funksionimit tësaj janë marrë masa administrative.

“Kemi marrë 47 masa në 97 raste të kontrolluara. Nuk do të tolerohet asnjë person që dëmton qytetarët, duke dhënë barna pa recetë. Të gjitha barnat e tjera, duhet të jepen me përshkrimin e mjekëve. Task-Forca do të funksionojë periodikisht në terren, në mënyrë që të garantohet siguri në tregtimin e barnave për pacientët”.

Përmes Platformës së Bashkëqeverisjes ministrja Manastirliu deklaroi se në 11 muaj kanë marrë zgjidhje për problemet e tyre mbi 1.400 qytetarë./abcnews.al

llll.jpg
G. P.12:05 | 25/09/2018

Pas prezantimit të platformës për verifikimin, hetimin dhe konfiskimin në rast të evidentimit të kontratave korruptive në kurriz të buxhetit të shtetit, përmes amendimit të ligjit antimafia, kreydemokrati Lulzim Basha gjatë një interviste televizive me gazetaren Eni Vasili ka theksuar se kjo është pjesë e alternativës që opozita i prezanton shqiptarëve.

Platformën e njoftuar për atë që quan shpëtim te ekonomisë së vendit, kryedmeokrati Lulzim Basha thotë se ndryshe nga Vettingu i politikanëve, nuk do t’ia kërkojë për miratim kësaj mazhorance, por do ta zbatojë kur në pushtet të jetë vetë ai.

“Kjo platformë kërkon vullnet politik dhe njerëzit që janë të përfshirë në këtë megaskandal të PPP-ve, tenderave, licensave, duke filluar kryeministri, ministrat, zyrtarë të kabinetit, drejtues të agjensive dhe ato kompani private që janë palë në këtë krim sepse në këtë krim që konsumohet janë dy palë, nuk mund të besohen këta njerëz, pra kjo nuk mund t’i besohet njerëzve të këtij kryeministri”, tha Basha.

Për Lulzim Bashën akuzat politike duhet të ndahen nga faktet.

“A ishte Taulant Balla vetë që tha që unë e kam mik pjesëtarin e bandës së Lushnjes? Aështë fakt që ky njeri në kundërshtim me neni 45 ka fituar tendera me vlerë 10 milionë euro. Neni 45 i prokurimeve publik e ndalon qartë që ai nuk duhet të marrë pjesë në tender jo mo të fitojë. Kjo nuk është akuzë politike, është fakt”, u shpreh Basha.

Për kryedemokratin Basha, Teatri është vija e kuqe dhe për këtë përsëriti kërcënimin ndaj kujtdo që do të bëhet palë në atë që quan aferë antikushtetuese, antiligjore dhe korruptive.

Çdokush që afrohet për të shkatërruar teatrin duhet të përgatitet që e njëjta gjë do ta presë atë dhe pronën e tij. Me atë mënyrë që do përpiqen të prishin godinën e teatrit, me atë mënyrë do të përballen edhe me pronën e tyre. Kushdo që i vë fitilin e dinamitit teatrit, duhet të bëhet gati që t’i vendosin fitilin e dinamitit pronës së tij. Kushdo që e djeg dhe e shkatërron teatrin me buldozer, duhet të presë që buldozeri të djegë shtëpinë e tij”, theksoi Basha.

Sa i përket akuzave drejtuar tij në kohën kur ishte qytetar i parë i Tiranës, Lulzim Basha i përbuz duke theksuar se akuzuesit kanë tashmë prej 5 vjetësh pushtetin për të hetuar atë dhe familjarët e tij. Nuk mjafton të ngresh gishtin kur ti ke pushtetin ndaj ose ta bëjnë ose ta qepin, deklaroi kreu i selisë blu./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono