pista

santjago-malko.jpg
ad min15:03 | 28/08/2019

Zbardhet skema e ekzekutimit të ish-policit Santiago Malko në Tiranë. Policia ka shoqëruar mbi 20 persona për ngjarjen, por ende nuk ka asnjë të dyshuar. Pistat kryesore që po hetohen për vrasjen e 26-vjeçarit janë konfliktet e tij të kaluara dhe përfshirja në aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit.

Zbardhen detaje të reja nga ekzekutimi  i ish-policit Santiago Malko në Tiranë. Pista kryesore që po heton policia është ajo e zhvillimit të aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit, nisur edhe nga e kaluara e ish-policit.

Nga burimet policore mësohet se 26-vjeçari është qëlluar me armë zjarri kallashnikov sapo ka dalë nga një lavazh në rrugën “Xhanfize Keko” në zonën e Porcelanit, ku ishte futur për të larë automjetin e tij tip “BMW”.

Por, për shkak se lavazhi ka qenë i mbyllur, Malko nuk ka mundur të qëndrojë gjatë aty, ndërsa policia dyshon se viktima e ka kuptuar që ishte në ndjekje dhe për këtë arsye është futur në lavazh për të humbur gjurmët.

Dëshmitarë në vendin e ngjarjes kanë treguar para grupit hetimor se atentatorët kanë përdorur dy mjete për ekzekutimin e 26-vjeçarit. Një mjet “Mercedez-Benz” i ka prerë rrugën të riut, ndërsa nga makina tjetër, një furgon i bardhë, autorët kanë qëlluar me breshëri armësh.

Mësohet se viktima ka rritur shpejtësinë e lëvizjes në përpjekje për t’u larguar, por makina i ka dalë nga kontrolli dhe është përplasur me një shtyllë elektrike dhe kazanët e mbetjeve urbane, duke përfunduar pranë murit të një biznesi, aty ku Santiago Malko u gjet më pas i pa jetë nga uniformat blu.

Autorët kanë qenë të maskuar me kapuç të zinj dhe nuk janë kapur nga asnjë kamer sigurie në zonë që ka filmuar atentatin. Policia ka gjetur në vendin e ngjarjes 10 gëzhoja, ndërsa mbi makinën e viktimës ka pasur më shumë shenja plumbash. Ndërsa në trupin e viktimës, i cili është dërguar në morg për ekspertizë mjeko-ligjore janë gjetur një plumb në kokë dhe një në kraharor.

Pas ngjarjes, autorët e atentatit janë larguar në drejtim të fshatit Ferraj, ku dhe kanë djegur mjetin tip “Mercedes Benz”. Në makinë është gjetur edhe  arma tip kallashnikov, që dyshohet se është përdorur për ekzekutimin e Santiago Malkos.

Policia ka shoqëruar mbi 20 persona dëshmitarë të ngjarjes dhe të afërm të viktimës që mund të ndihmojnë grupin hetimor për të zbuluar autorët e vrasjes së 26-vjeçarit.

Santiago Malko ishte shoqëruar në polici më parë për atentatin e 4 Tetorit të vitit 2018 në ish-Bllok, ku mbeti i vrarë Fabiol Gaxha dhe u plagosën Ervis Martinaj dhe Eljon Hato.

Por, ai më pas u la lirë si person që nuk kishte lidhje me këtë ngjarje, por që mbahej nën vëzhgim nga policia. 26-vjeçari ishte edhe mik i ngushtë i biznesmenit të lojërave të fatit, Ervis Martinaj.

Një tjetër pistë që mund të ketë lidhje me vrasjen e tij është edhe një konflikt që ai ka pasur me dy vëllezërit Edmond dhe Gentian Lashi në vitin 2016 për një borxh të pa shlyer që ata kishin vendosur në një nga pikat e basteve që kontrollohej nga Santiago Malko. Në këtë kohë, ish-efektivi është larguar edhe nga policia./ABC News Albania 24/7

PISTA-E-ATLETIKES.mpg_snapshot_00.30-1280x720.jpg
ent ela15:02 | 25/04/2019

Kur nuk ke gjë më të madhe, le të kënaqemi me këtë. Tirana, kryeqyteti i vetëm në Europë pa një pistë atletike, po krijon më së fundmi, një kënd për disiplinat e kërcimeve një dhe trehapëshe.

Tek Liqeni Artificial po zhvillohet projekt i përbashkët e Federatës Shqiptare të Atletikës, Bashkisë së Tiranës dhe Komitetit Olimpik, me investimin e këtyre dy institucioneve të fundit.

Presidenti i Federatës, Gjergj Ruli, sqaron në intervistën për ABC News-in.

Ruli thotë se, përveç atletikës, ky kënd do të ndihmojë edhe kryeqytetasit.

Fakti mbetet që Tirana nuk ka pistë atletike, pasi u prishën në dy stadiumet e futbollit. /abcnews.al

zjarri.jpg
ad min13:52 | 16/04/2019

Prokurori francez që po heton rastin e zjarrit në katedralen e Notre Dame është fokusuar në pistën e një aksidenti. Zyrtari ka deklaruar se për momentin nuk është gjetur asnjë gjurmë që të çon drejt pistës së një akti të qëllimshëm.

Hetimet e para mbi flakët që përfshinë të hënën katedralen e Notre Dame në Paris favorizojnë pistën e një zjarri aksidental. Deklarata është bërë nga prokurori i çështjes, Remi Heitz, i cituar nga e përditshmja franceze “Le Figaro”.

“Dua të jem i qartë se asgjë në këtë fazë nuk tregon për një veprim të qëllimshëm, ndaj pista e një zjarri aksidental është më e privilegjuara”, deklaroi Heitz.

Ai garantoi se do të përdorë çdo mjet për të zbuluar origjinën e zjarrit dhe konfirmoi se dëgjesat e dëshmitarëve janë ende në vazhdim.

“5 kompani të ndryshme po punonin në vendin e ngjarjes dhe dëgjesat e punonjësve dhe punëdhënësve janë në zhvillim e sipër. Në tërësi janë 15 dëshmi që duhet të mblidhen”, deklaroi prokurori.

Hetuesi sqaroi më tej se alarmi i parë mbi ngjarjen e rëndë ra në orën 18 e 20, por në vendin e ngjarjes nuk u gjetën gjurmë zjarri.

Më pas pati një alarm të dytë në 18 e 43 dhe zjarri u konstatua në përmasa të mëdha. Ndërkohë, njerëzit e pranishëm në katedrale, ku po mbahej një meshë, kishin filluar të evakuoheshin pak më herët.

“Hetimet do të jenë të gjata dhe komplekse, por do të përdoren të gjitha mjetet për të arritur tek e vërteta, tek origjina e këtij zjarri të tmerrshëm”, deklaroi prokurori./abcnews.al

pylli-1280x698.jpg
ent ela17:20 | 28/03/2019

Pylli i Levanit në Fier po kthehet një nga resurset kryesore për të tërhequr pushues e vizitorë. Investimet që bashkia ka nisur në ketë territor nisin me pistat e vrapimit e hapësirat për fëmijë, deri tek ndërtimi i një spitali.

Janë zhurmat te natyrës që falin qetësi dhe relaks. Pothuajse u zhduk nga harta në vitin 1997, por rilindi nga filizat e trungjeve të parë. Tani i ofrohet qytetarëve me të gjitha bukuritë.

Ky është pylli i Levanit ose siç e quajnë ndryshe, mushkëria e Fierit Një rrugë lidhëse mes aksit Fier Levan dhe pyllit, pritet të reduktojë distancën nga qendra e qytetit në vetëm 4.5 km.

Shtigje, pista vrapimi dhe hapësira për fëmijët janë elementet e një parku kombëtar që bashkia e Fierit synon t’ia shtojë pyllit të Levanit Pylli është shndërruar në destinacion për qytetarët të cilët përfitojnë bujarinë e natyrës, pranë një qytetit të zhurmshëm.

Prej vitesh është përfolur ndërtimi i një parku kombëtar në këtë zonë ku parashikohet edhe një spital për gjithë jugun e vendit. Por vetëm tani ideja është konkretizuar duke marrë mbështetjen e qeverisë shqiptare. Projekti pritet të zyrtarizohet në javët e para të muajit prill për te vazhduar më pas me zbatimin e tij.

Valbona Daci gazetare e ABC News, Fier

RUSI-AVIONI.mpg_snapshot_00.34-1280x696.jpg
ad min17:47 | 01/09/2018

Një incident ajror ka ndodhur në Rusi, ku një avion ka dalë nga pista pak pasi ka prekur tokën. Ndonëse nuk ka patur viktima, ngjarja ka bërë që të ngrihen dyshime mbi standardet e sigurisë ajrore të Rusisë.

Një avion pasagjerësh ka dalë nga pista teksa ulej në aeroportin e qytetit të Soçit, në Rusi. Avioni tip “Boeing” i linjës “Utair”, me të prekur tokën ka vazhduar përpara, ka përçarë gardhin e aeroportit dhe ka rënë në shtratin e një lumi, ku ka marrë dhe flakë. Në bord ndodheshin 164 pasagjerë të nisur nga Moska dhe 6 anëtarë të ekuipazhit. 18 persona, mes të cilëve 3 fëmijë, kanë mbetur të plagosur si pasojë e flakëve dhe asfiksimit nga tymi i zi.

Ndërkohë, një punonjës i aeroportit mësohet se ka humbur jetën gjatë operacioneve të shpëtimit. Gjatë impaktit fillimisht është dëmtuar pjesa e poshtme e avionit dhe një nga krahët dhe më pas ka rënë zjarri, që tashmë është shuar. Një grup hetimor është ngritur për të hedhur dritë mbi motivet e ngjarjes, që dyshohet të ketë ndodhur nga mungesa e masave të sigurisë. muajin e kaluar një helikopter që i përkiste së njëjtës linjë fluturimi u rrëzua në veri-perëndim të Siberisë, ku si pasojë gjetën vdekjen 18 persona. Dy ngjarjet kanë vënë në dukje standardet e ulëta të sigurisë ajrore ruse./abcnews.al

makina-familja-halili.jpg
ad min14:45 | 15/08/2018

Automjeti i cili u gjet i djegur në Fushë-Krujë mëngjesin e së martës, ishte vjedhur në Vlorë në korrik të 2016-s. Fouristrada luksoze u përdor për të larguar atentatorët nga Kamza, që më herët kishin terrorizuar familjen Halili, duke qëlluar me armë zjarri e vendosur tritol.

Zbardhen të tjera detaje nga atentati me eksploziv dhe plumba në drejtim të familjes Halili të ndodhur mëngjesin e së martës në Kamëz. ABC News ka mësuar nga grupi hetimor se, automjeti që u përdor për të larguar atentatorët nga vendi i ngjarjes e më pas u gjet i djegur në zonën e Fushë-Krujës, rezulton i vjedhur në Vlorë.

Sipas policisë së Tiranës, fuoristrada “Mercedes-Bezn, ML” ishte denoncuar si e grabitur në qytetin bregdetar nga pronari i saj në gusht të 2016. Hetuesit dyshojnë se automjeti i vjedhur në Vlorë, i prodhuar në 2013-n, mund të jetë përdorur edhe për disa ngjarje të rënda kriminale që kanë mbetur ende të pazbardhura në zonën e Fushë-Krujës. Kjo ka qenë një nga arsyet që atentatorët shkrumbuan mjetin luksoz bashkë me dy automatikë tip kallashnikov që ishin përdorur në biznesin e familjes Halili.

Për ngjarjen, u shoqëruan 7 persona në Komisariatin nr.5, të Kamzës dhe pas marrjes në pyetje u lanë të lirë. Vëllezërit Shkëlqim dhe Klevis Halili, të cilët janë edhe pronarët e kompleksit ku ndodhi shpërthimi me lëndë palsëse, nuk e kanë ndihmuar grupin hetomor, duke mos dhënë shumë hollësira për konfliktet e tyre në të kaluarën. Ata janë mjaftuar me faktin se, gëzojnë respekt dhe në ambientin e lokalit të tyre nuk ka pasur sherre. Pistat që po hetohen janë dy. E para lidhet me të kaluarën e vëllezërve Halili jashtë vendit, ndërsa tjetra është konkurenca në biznesin në zonën e Kamzës./abcnews.al

37095140_10214580586461902_7680285077330198528_n-1280x854.jpg
ent ela13:30 | 14/07/2018

Liqenit Artificial të Tiranës po i shtohen dita-ditës pistat e reja të vrapit dhe korsitë e biçikletave. Kryebashkiaku Erion Veliaj inspektoi punën për rigjallërimin e mëtejshëm të parkut dhe theksoi rëndësinë e vijimit të transformimit që po pëson çdo ditë qyteti i Tiranës.

“Më kujtohet projekti ynë i parë te Liqeni: këndi i lodrave për fëmijë. I mbaj mend edhe lëvizjet, atëherë quhej: “Mos ma prek Parkun”, kurse sot quhet: “Mos ma prek Teatrin”; është e njëjta gjë. Pyetja është kjo: Nëse nuk i prekim gjërat me dorë, si do i ndryshojmë? Gjërat ndryshohen kur preken me dorë. As shtëpia nuk rregullohet vetë, po nuk vumë dorë. Pra, e gjithë kjo frymë rezistence ndaj ndryshimit, është si fryma e atyre që vazhdojnë të përdorin telefonin e vjetër me butona, kur bota sot ka smartphone. Ndaj, pyetja që kemi sot është: A do të vazhdojmë të modernizohemi apo do të mbetemi peng i ca nostalgjive apo ca fiksimeve?”, tha Veliaj.

Ai deklaroi se ndryshimet që ka pësuar Parku i Liqenit me këndin, korsitë e vrapit, librarinë dhe pyllëzimin janë treguesi më i mirë i ndryshimeve pozitive. “Qytetet, përfshi edhe Tiranën tonë, janë zhvilluar kur kanë ndryshuar. Të thuash s’kemi park, s’kemi teatër, s’kemi shesh, s’kemi bulevard dhe pastaj kur fillon e i bën këto, i kthehesh: Mos ma prek këtë, mos ma prek atë, është realisht një humor i zi, që nuk bën për të qeshur. Ndaj, është shumë e rëndësishme që ta vazhdojmë transformimin e Tiranës dhe për këdo që nuk e kishte të plotë vizionin kur pa vetëm këndin e lodrave, por tani me librarinë, korsitë, pistat, pyllin orbital, besoj se na jep të drejtë kur themi se vetëm kur i prekim gjërat me dorë, mund t’i ndryshojmë. Fatin tonë nuk na e ka njeri tjetër në dorë dhe për ta bërë Shqipërinë dhe Tiranën si jashtë shtetit e kemi vetë në dorë”, u shpreh ai.

Lidhur me pistën e vrapit dhe korsitë e biçikkletave përqark Liqenit Artificial të Tiranës, kryebashkiaku Veliaj theksoi se bashkia po çon me shpejtësi përpara projektin për ndërtimin e korsive të dedikuara. Si rezultat i ndërhyrjeve të vazhdueshme të Bashkisë së Tiranës për lirimin e hapësirave të zëna dhe rehabilitimit të zonës, është dyfishuar sipërfaqja në dispozicion të qytetarëve për të kaluar disa çaste çlodhëse.

“Sapo kaluam shirat, po rikuperojmë kohën e humbur nga moti për të ecur me shpejtësi për korsitë e reja të biçikletave. Siç e keni parë, ka hapësirë për të gjithë: korsitë e kuqe janë për biçikletat, korsitë e tjera për këmbësorët, ka një pjesë për ata që thjesht duan të ecin, do të ketë edhe një sinjalistikë që i respekton korsitë, por ajo që ishte e habitshme për të gjithë ne, është se sa hapësirë i kemi dhënë Liqenit. Trashëguam një Liqen që në fëmijërinë tonë ishte vetëm një copë e vogël rreth kishës së Shën Prokopit, prapa universitetit, dhe krejt papritur jo vetëm që është bërë Unaza në gjithë Liqenin, por kemi përfituar dy herë hapësirë”, deklaroi Veliaj.

Ai nënvizoi se nga një hapësirë e mbushur me ndërtime pa leje gjer tre vite më parë, tashmë ky park ofron mundësi për të gjitha grupmoshat, ndërkohë që numri i atyre që e frekuentojnë ka arritur në 300 mijë. “Njerëzit duhet ta pranojnë se mbas 27 vitesh qyl buzë Liqenit, vjen një moment ku thua filmi mbaroi, festa mbaroi, tani Liqeni i përket të gjithëve, jo atij që e zaptoi i pari, jo të fortit, jo atij që mendon se mund t’i imponohet qytetit me dhunë. Qyteti sot imponohet me rregulla, ndaj më vjen mirë që jo vetëm kemi rikuperuar gjysmën, por po rigjallërohet. Sot kemi 300 mijë qytetarë unikë si vizitorë të rregullt te liqeni”, nënvizoi Veliaj.

Përmes këtij projekti, Bashkia e Tiranës ka synuar krijimin e një itinerari të pandërprerë për këmbësorët përqark Liqenit të Tiranës, duke përmirësuar dukshëm aksesin e qytetarëve në pjesën çlodhëse dhe argëtuese të liqenit. Gjithashtu, është ndërtuar edhe një linjë biçikletash me dy korsi kalimi të pavarur, duke sjellë më shumë harmoni, por edhe siguri për qytetarët e shumtë që frekuentojnë parkun.

shkelzen-qqordja.jpg
ad min15:48 | 03/07/2018

Kamerat e sigurisë të Gardës së Republikës konfirmojnë faktin se Shkëlzen Qordja, kishte hyrë brenda ambienteve të institucionit i vetëm rreth orës 6 e 45 minutat të mëngjesit të 30 Qershorit.

Detaje të reja janë mësuar rreth vetëvrasjes së mistershme të Shkëlzen Qordja, gardisti i cili u gjet i pajetë mëngjesin e 30 Qershorit brenda institucionit të rëndësisë së veçantë.

Nga regjistri i hyrje-daljeve të shërbimit të Gardës së Republikës, 31-vjeçari Qordja kishte hyrë në ambientet e brendshme rreth orë 6 e 45 minuta të mëngjesit. Kjo gjë është fiksuar edhe nga kamerat e sigursë të, cilat vërtetojnë se i ndjeri ishte i vetëm në automjetin tip Hyundai.

Më pas mbetet ende e paqartë se, në çfarë ore u krye akti nga Qordja, ndërsa në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Brendshme pohohet se, viktima u gjet i pajetë rreth orës 9 e 30 të ditës së shtunë.

Ndërkohë nga dëshmitë e dy shokëve të Shkëlzen Qordjas, vërtetohet se ata kishin frekuentuar dy lokale të ndryshme në kryeqytet, një ditë para se të ndodhte ngjarja e rëndë, e deri në e para të mëngjesit të asaj të shtune.

Viktima, sipas miqve të tij, kishte konsumuar vetëm dy birra, duke hedhur poshtë variantin se, ai mund të ketë qenë i dehur në momentin e vetëvrasjes. Brenda automjetit, i cili ishte i mbyllur nuk u gjetën avuj alkooli dhe kjo gjë u vërtetua nga ekspertiza mjeko-ligjore, ku 31-vjeçari nuk kishte nivel të lartë të alkoolit në gjak. Sipas prokurorisë, aparati telefonik i Shkëlzen Qordjas ishte i pambyllur me kod sigurie.

Nga kqyrja e tabulateve telofonike, por edhe atyre të mesazheve që ishin regjistruar në aparatin celular të viktimës, grupi hetimor nuk ka konstatuar biseda me nivel të rënduar emocional.

Edhe familjarët e 31-vjeçarit e konfirmojnë këtë fakt. Ata deponuan se, nuk kishin parë asnjë shqetësim te Shkëlzeni dhe nuk dinin që djali i tyre të ishte në gjendje të rënduar psikologjike.

Një nga pistat që po hetohet së fundit nga grupi hetimor është edhe ajo e vetëvrasjes nga pakujdesia, gjë që mbetet për t’u vërtetuar deri në përfndim të çështjes të nisur nga Prokuroria e Tiranës. /abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono