perpunim

blendi-klosi-durres.jpg
G. P.19:25 | 09/03/2019

Mbyllet fabrika e përpunimit të mbetjeve të hidrokarbureve në Shkallnur të Durrësit. Gjatë operacionit për bllokimin e aktivitetit ishte i pranishëm edhe Blendi Klosi. Ai deklaroi se ky biznes i ka shkaktuar ndotje të madhe banorëve të zonës ndaj do të ketë tolerancë zero ndaj kujtdo që dëmton mjedisin dhe qytetarët.

Pezullohet puna në fabrikën e përpunimit të mbetjeve të hidrokarbureve në Shkallnur të Durrësit, duke i dhënë fund krimit mjedisor. Aktiviteti u bllokua nga inspektorët, pas ankesave të shumta të banorëve, të cilët denoncuan ndotjen. I gjithë operacioni u ndoq nga ministri Blendi Klosi.

Nga inspektimi i befasishëm rezultoi se fabrika një pjesë të aktivitetit, e kryente në kushte jo të duhura mjedisore, duke i shkaktuar një ndotje të madhe banorëve që ndodhen pranë saj.

Ministri i Mjedisit Blendi Klosi foli për shkeljet e konstatuara dhe tha se nuk do të ketë tolerime për askënd që ndot mjedisin.

“Në shumë pika të këtij aktiviteti kuptohet që ka veprime të jashtëligjshme. Ka një aktivitet që është pa leje mjedisore. Ka një aktivitet, i cili është në kufijtë e ligjshmërisë pasi do duhet që inspektorët të realizojnë më shumë inspektime dhe hetim të plotë të aktivitetit. Ajo që shikojmë me shumë shqetësim është që ky aktivitet është kërkuar nga organet e mjedisit të jetë i bllokuar dhe nuk është i bllokuar”, tha ai.

Në këto ambiente, dikur depo karburanti, përpunoheshin vajra të djegur për prodhime nafte si dhe një sërë mbetjesh të tjera hidrokarburesh, duke i shkaktuar një ndotje masive zonës.

Tymi dhe era e rëndë që lëshohej çdo ditë nga kjo fabrikë ishte kthyer në një rrezik për komunitetin. Ndërsa mbetjet e përpunimit të vajrave që shkarkoheshin në terren të hapur, u kishin shkaktuar dëme në tokat bujqësore./abcnews.al

hass.png
G. P.16:15 | 21/10/2018

Kanë kaluar kaq ditë nga zbulimi i laboratorit të përpunimit të drogave të forta në Brenogë të Hasit dhe policia apo prokuroria ende nuk kanë dalë me variantin zyrtar. Por çfarë ndodh në shtëpinë e kthyer në laborator? Çfarë thonë fqinjët për familjen Shuti, të cilët janë të gjithë të ndaluar nga policia. ABC News sjell kronikën nga fshati më me zë sot për sot në Shqipëri.

Pas lajmit të bujshëm për zbulimin e laboratorit të drogës, këtu në Brenog të Hasit asgjë nuk pipëtin. Një fshat pothuajse i braktisur nga të rinjtë, vetëm pesë kilometra nga rruga nacionale Kukës-Krumë.

Shtëpia e Mustaf Shutit ndodhet pothuajse në qendër.

“Kjo është shtëpia e Mustaf Shutit në Brenog të Hasit, aty ku policia lokale në bashkëpunim me agjencitë e tjera zbuloi dhe identifikoi një laborator që dyshohet se është përdorur për përpunimin e drogës. Prej 48 orësh tashmë ky vend survejohet dhe mbahet nën kontroll të plotë nga policia e Hasit”, raportoi gazetari Bujar Muçmata.

Ruhet në të katër anët me shërbim policie. Askush nuk lejohet të hyjë përveç personave të autorizuar për procesin hetimor.

Afër portës së oborrit duken maskat e dorezat e përdorura nga specialistët e antidrogës. Xhaviti me të shoqen Anilën, të atin Mustafan janë të shoqëruar në polici. Atje po mbahen edhe Flamur Çela, Vehbi Barushi dhe një shtetas turk. Brenda shtëpisë është vetëm një e moshuar në gjendje paralize për të cilën kujdesen herë pas here të afërmit.

Përballë ndërtesës së Mustafës, që tashmë dyshohet të jetë përdorur si laborator për prodhimin e lëndëve të forta narkotike, ndodhet shtëpia e Brahimit. Së bashku me motrën nuk kanë opinion të keq për familjen e fqinjit.

Fqinji 1: “Nuk kemi pasur ndonjë mosmarrëveshje”.

Fqinji 2: “Fjalët i jepshin të mira, por se ç’kishin në zemër nuk e di unë”!

Edhe banorët e tjerë të Brenogës, të cilët as që ju ka shkuar në mendje se do të kishte kaq pranë tyre një laborator të tillë.

“Nuk e kemi paramenduar këtë gjë. Kërrkush nuk e paramendon”, u shpreh një banor.

Të ndaluarit do të dalin të hënën para togave të zeza për t’u njohur me vlerësimin e masës. Dosja hetimore ndodhet në Gjykatën e Shkallës së Parë Kukës./abcnews.al

UZINA-GERMADHE-ELBASAN.mpg_snapshot_00.58-1280x720.jpg
G. P.15:15 | 05/08/2018

Ish-uzina e përpunimit të naftës në Ballsh ështe kthyer në një gërmadhë që të fut frikën dhe që çdo ditë rrezikon jetë njerëzish. Dikur ky investim punësoi 1 mijë vetë për shumë vite me rradhë. Sot banorët as nuk shpresojnë që ajo godinë do tu ofrojë ndonjë mundësi.

Nuk ka çati dhe muret gati po rrëzohen . S’ka as dyer e as dritare. TEC-i dhe ish-Uzina e Përpunimit të Naftës në Cërrik ndodhen në agoni të plotë. Është një vend i shkretë që të fut frikën. Një kufomë e diktaturës.

Në dy ish-kantieret më të mëdha në Cërrik rreth tre dekada më parë ishin punësuar rreth 1000 vetë. Punimet për ndërtimin e Uzinës filluan në vitin 1951. Ndihmë në atë kohë dhanë specialistët sovjetikë. Në vitin 1961 arriti të përpunonte deri në 500.000 tonë nafte në vit. Më 1962 u prodhua për herë të parë në vend vajguri i markës TSI, për avionet reaktivë. U prodhua dhe vajgur për ndriçim dhe djegie. Disa vajra lubrifikante si: vaj Aftol 18, vaj DP 14, vajra për makinat.

Ishte në funksion deri në vitin 1992. Që nga ajo kohë nuk prodhon më asgjë. Ka kaluar në konservim dhe vetëm harxhon para. Më 22 korrik të vitit 2013 qeveria e jep me konçension me kontratën e tipit “Rehabilitim, Operim dhe Transferim”, e firmosur mes Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës së kohës dhekompanisë Kurum International sh.a.

Sipas kontratës, konçensionari do të investonte në këtë rafineri gati 6.8 miliardë lekë (48 milionë euro) dhe të fillonte punën e përpunimit të naftës brenda 18 muajve. Por pesë vjet nga kontrata asgjë nuk është bërë.

Për banorët uzina kufomë shtë kthyer në burim aksidentesh. Jo të pakët janë ata që janë plagosur apo kanë humbur jetën gjatë 25 viteve të fundit aty. Rivënien në punë siç ishte apo në forma të tjera ata e shohin si një mundësi punësimi. Kjo pra është panorama e dy prej ish objekteve të diktaturës në Cërrik shuarja e të cilave bëri që qindra familje të mbeten pa punë./abcnews.al

edi-ramaaaaaa.jpg
G. P.15:55 | 25/05/2018

Kryeministri Edi Rama ishte në vendndërtimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane në Sharrë, ku u njoh me ecurinë e projektit. Zërat kritikë kundër ndërtimit të landfilllit në Fier, ai i konsideroi injorancë.

Me Sharrën e nisi ditën Kryeministri Edi Rama. Pas publikimit të videos shkoi ta shihte me sytë e tij, atë që e konsideron transformim të lemerisë së djeshme të venddepozitimit të mbetjeve.

I shoqëruar nga ekipi i investitorëve, projektuesve e zbatuesve të projektit, por edhe nga ministrat dhe përfaqësuesit e bashkisë, Kryeministri Edi Rama u njoh me përfitimet që sjell impianti i trajtimit të mbetjeve urbane në Sharrë.

Blendi Klosi: “Ajo që themi ne jemi të barazlarguar nga çdo formë mënyre e trajtimi, por ajo që po ndodh në Tiranë është mënyra më e mirë si mund të transformohet dhe Durrësi edhe çdo lanfill tjetër që kanë 27 vite që janë jashtë çdo standardi”.

Nga njëra anë, synimi është trajtimi i mbetjeve, duke zgjidhur një problem madhor, jo vetëm për kryeqytetin, si rezultat i ndotjes që shkaktojnë grumbullimi dhe djegia tradicionale e mbetjeve dhe nga tjetër, prodhimi i energjisë së rinovueshme, që do të hidhet në rrjetin elektrik të vendit.

Edi Rama: “Gjithë rezistenca ndaj landfillit të Fierit është injorancë dhe nga ana tjetër krijon një panik krejt të paarsyeshëm te njerëzit që kujtojnë se duke mos u ndërtuar në Fier janë më të mbrojtur. Ndërsa sot në të gjithë qytetin e Fierit për shkak së situatës së trashëguar është ndotje permanente, mirëpo në momentin që vjen kompania përpunimit krijohet ideja që po vjen një industri që do na ndosë ndërkohë që është e kundërta”.

Ndërkohë, projekti parasheh që e gjithë zona të kthehet në një zonë të pyllëzuar, duke u kthyer në një park natyror, i hapur për të gjithë.

Edi Rama: “Tirana do fitojë një park. Park real. Edhe Durrësi do fitojë një park. Parqe me 20-30 hektarë që nuk ka mundësi të imagjinohen në situatën që është sot dhe do jenë parqe për qytetin”./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono