permbytje

permbytje-1280x672.jpg
nev ila08:43 | 11/10/2019

Reshjet e fuqishme të shiut natën kanë përmbytur pjesën më të madhe të Kurbinit. Dhjetëra hektarë tokë dhe disa banesa kanë mbetur të rrethuara nga uji.  Gjithashtu raportohet i bllokuar nënkalimi i superstradës në Fushë-Mamurras, ku mjetet kanë devijuar rrugën.

Reshjet e shiut kanë  bllokuar në të njëjtën kohë  superstradën deri në qytetin e Laçit.

Uji ka dalë nga kanali duke mbuluar rrugën   Mamurras – Laç. Siç raporton gazetari Ahmet Zani  pranë fshatit Gjorme lëvizet me vështirësi.

Uji që ka dalë nga kanalet  ka përmbytur disa hektarë tokë dhe disa banesa./abcnews.al

 

 

sander-lleshaj.jpg
G. P.14:11 | 25/09/2019

Përmbytjeve në lagjen Sanxhak të qytetit të Laçit duhet t’i jepet një zgjidhje përfundimtare. Propozimin e bëri ministri i Brendshëm, Sandër Leshaj gjatë inspektimit të disa familjeve që iu përfundojnë në ujë banesat sa herë nisin reshjet e shirave.

Shtëpitë iu përmbytën pas çarjes së argjinaturës së një kanali në afërsi të tyre. Kjo situatë i ka bërë të pabanueshme banesat e kësaj lagjeje periferike të Laçit. Puna ka nisur për riparimin e dëmeve, por kaq nuk mjafton u tha ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj që shkoi të shohë situatën e tyre.

“Këtu në Laç kemi dy probleme të mëdha; kemi këtë argjinaturë ose kanalin e ujërave të larta, dhe përroin që kalon përmes qytetit. Të dy këto shkaktojnë probleme të vazhdueshme dhe kronike në qytet.

Ne do të merremi shumë shpejt për t’i adresuar në themel këto dy çështje, në mënyrë që të zgjidhet një herë e mirë. Pa u zgjidhur këto, ne nuk mund të kemi stabilitet në çështjet e emergjencave civile në Laç”.

Ministri Lleshaj më herët bëri një inspektim në zonat përreth lumit të Ishmit, ku paraqiten problematika të ndryshme kryesisht për shkak të përmbytjeve kronike të shkaktuara nga dalja e lumit nga shtrati. Ai u shpreh se po planifikohen ndërhyrje për thellimin dhe hapjen e lumit, që të tërheqë ujërat e shirave të mbledhura nga kanalet anësore./ABC News Albania 24/7

kurbini-ende-nen-uje.jpg
G. P.13:20 | 25/09/2019

Prurjet nga reshjet kanë lënë pasoja të mëdha te banorët e Kurbinit. Banesat dhe bizneset u janë përmbytur ndërsa janë strehuar tek të afërmit. Ata thonë për ABC News se mospastrimi i kanaleve kulluese solli këtë situatë ku humbën gjithçka në një natë me stuhi shiu.

Kurbini i ngjan një ishulli. Prurjet e mëdha nga reshjet përmbyten banesa, biznese dhe toka bujqësore. Lagja nr. 5 e qytetit të Laçit është ndër më të prekurat. Abc Neës ishte në familjen e Mark Dod Lleshaj.

Uji vërshoi gjatë natës në shtëpinë e tij dhe të pesë fëmijëve. Banesat ndodhën në të njëjtën zonë. I moshuari tregon se kursimet e një jete i ikën para syve.

“Komplet. Të gjitha kanë dalur jashtë vendit”.

Nga mobiliet nuk ka shpëtuar asgjë.

“10 pula m’i ka marrë, lavatriçen ma ka prishur. Këto janë dëmet”.

Gjatë ditëve me stuhi janë strehuar tek të afërmit.

Problemin e shohin tek kanalet kulluese.

“Shiu ka rënë, por në 12 pa 20 ka ardhur menjëherë në mesnatë. Është hapur kanali matanë atje se prej shiut nuk do kishim përmbytje”.

Nga fatkeqësia natyrore është përmbytur edhe ky biznes. Këtu gjatë natës uji i kaloi 2 metra. Pronari i tij flet për humbje miliona lekë.

“Niveli ka qenë rreth 2 metra e 20 centimetra”.

Në qytet ende po shpërthejnë pusetat nga ujërat. Angazhimi në terren i punonjësve të pastrimit është i pamjaftueshëm për të normalizuar situatën. Nën pushtetin e ujit ndodhet edhe fshati Rrahi i Pashës pranë superstradës. Prurjet e mëdha i morën me vete edhe 200 koshere bletësh njërit prej banorëve.

Toka bujqësore duken shumë pak. Banorët përballen çdo vit me përmbytje. Mospastrimi i kanaleve nga bashkia thonë se i ka penalizuar gjithmonë.

“Përherë, çdo vit përmbytet”.

Për dëmshpërblime as nuk kanë shpresë.

“Ta hajë populli”.

Ndërsa komisionet e vlerësimit të dëmeve ende nuk janë shfaqur në zonat e prekura nga përmbytjet./ABC News Albania 24/7

ndryhime.jpg
G. P.15:01 | 24/09/2019

Ka qenë e pamundur nisja e mësimit për 3 shkolla në kryeqytet, për shkak të pranisë së ujit në ambientet e tyre nga reshjet e një nate më parë. ABC News pa nga afër situatën në 2 shkolla.

E marta duhej të ishte dita e rifillimit të mësimit edhe në Tiranë pas ndërprerjes një ditore të së hënës, dhënë nga Ministria e Arsimit, për shkak të efekteve emocionale të tërmetit. Por reshjet e dendura të shiut gjatë natës e pamundësuan nisjen e mësimit për të paktën 3 shkolla në Qarkun e Tiranës.

Niveli i ujit në pjesën e pasme të shkollës është rreth 1 metër, ndërsa në oborrin e përparmë, rreth 50 centimetra. Një mijë nxënësit e kësaj shkolle janë njoftuar herët për pezullimin e mësimit, i cili pritet të rifillojë nesër.

Më e vështirë paraqitet situata në një tjetër shkollë në Yzberisht. Siç shihet edhe nga pamjet, në këtë shkollë për shkak të pranisë së ujit, janë dëmtuar mjetet shkollore. Sipas ministrisë, mësimi fillon të mërkurën edhe në dy shkollat e tjera të kryeqytetit në Lalm dhe në Tufinë./ABC News Albania 24/7

permbytjeet.jpg
G. P.12:35 | 24/09/2019

Shumë familje në zonën e Laçit dhe të Krujës kaluan natën jashtë për shkak të reshjeve të shiut që përmbytën rrugët dhe uji hyri brenda në shtëpi. Probleme të mëdha u paraqitën edhe ne autostradë.

Për orë të tëra gjatë natës, uji iu bllokoi rrugët dhe u hyri në shtëpi apo në dyqane. Me ardhjen ditës së re banorët po largojnë baltën. Shumë fshatra në Krujë dhe në Laç u përmbyten nga reshjet e shiut.

30 familje vetëm në Fushë Krujë kaluan natën jashtë. Uji u hyri në brendësi për shkak të vërshimit të lumenjve Zezë dhe Ishëm. Superstrada u përmbyt për rreth një orë në fshatin Derven.

Nënkalimet ishte të paqarkullueshme. Dhe mjetet kanë lëvizur me vështirësi për shumë orë. Situatë të rëndë pati edhe në stacionet e tjera të pompimit, në Fushë Kuqe dhe Adriatik.

Energjia elektrike u ndërpre për shkak të situatës së krijuar nga përmbytjet. Për pasojë në Durrës dhe në Shijak pati mungesë të ujit të pijshëm./ABC News Albania 24/7

tirane-.jpg
G. P.09:10 | 24/09/2019

Prej mesditës të së hënës, Tirana është përfshirë nga moti i keq, me reshje të dendura shiu, stuhi të forta, dhe rrufe. Në një kohë shumë të shkurtër, prej orës 12:00 të 23 Shtatorit dhe deri në orën 6 të mëngjesit të sotëm, nga matjet e kryera rezulton se në kryeqytet ka rënë një sasi e konsiderueshme shiu në një kohë të shkurtër, plot 115 mml.

Kreu i Bashkisë, Erion Veliaj përmes një postimi në Twitter thotë se kjo sasi reshjesh është sa për të gjithë muajt e fundit bashkë në Tiranë, ndërkohë që bën apel për sa më shumë solidaritet.

Era e fortë ka shkaktuar edhe rrëzimin e disa pemëve, por punonjësit e të gjithë ndërmarrjeve të Bashkisë së Tiranës kanë qenë në terren gjatë natës, dhe situata mëngjesin e së martës paraqitet më e normalizuar.

Sakaq, kryebashkiaku Veliaj thotë se po ndërhyhet në të gjitha lagjet e kryeqytetit.

“Shkollat janë hapur, Lana është në shtrat dhe rrugët qytetase janë të kalueshme, po heqim pemët e fundit nga stuhia. Në zonat informale ekipet e emergjencave po pompojnë ujin nga shtëpitë nën nivel të kolektorëve. Çështje kohe sa të mbërrijmë tek secila”, shkruan ai./abcnews.al

PERMBYTJE-NE-LEZHE-MBULIM-_ABC-M4-T2.mpg_snapshot_00.01-1280x720.jpg
ent ela16:45 | 23/09/2019

Ka mjaftuar një rrebesh shiu që disa rrugë problematike në qytetin e Lezhës të mbulohen nga uji. Kryesisht situata më e rëndë ka qenë në lagjen “Besëlidhja” aty ku rruga përmbytet sa herë bie shi. Por duket se disa drejtues makinash janë gjetur të papërgatitur dhe për këtë shkak janë bllokuar për pak kohë. Vështirësi në qarkullim kanë patur edhe këmbësorët. Sipas informacionit të shtabit të emergjencave, nuk ka 7probleme serioze dhe uji është duke u larguar. /ABC News Albania 24/7

533cce41e7054fed823fe300bea89aac_18.jpg
ent ela23:00 | 13/09/2019

Të paktën 5 persona kanë vdekur dhe rreth 3 mijë e 500 të tjerë janë evakuuar në dy ditë shira të dendura që përfshinë pjesën jug-lindore të Spanjës. Në këtë zonë të shtetit iberik shumë rrugë, hekurudha dhe aeroporte u mbyllën të premten për shkak të situatës problematike. Ndërkohë, ekipet e emergjencave vijuan operacionet e kërkim-shpëtimit për njerëzit e bllokuar në tunelet e akseve rrugore. Përmbytjet morën me vete automjete dhe objekte të tjera në rajonet e Valencias, Mursias dhe Andaluzisë lindore. Në total 74 rrugë u mbyllën, ndërsa shërbimi hekurudhor rajonal u pezullua, bashkë me atë në aeroportin e Mursias. Edhe segmenti hekurudhor që lidh Alikanten me Madridin dhe Barcelonën u mbyll për shkak të përmbytjeve. Në disa nga zonat e prekura u regjistruan nivele rekord të shirave për muajin shtator dhe mbetën të mbuluara nga ujërat edhe gjatë së premtes. /ABC News Albania 24/7

reshje.jpg
G. P.14:30 | 28/08/2019

Reshjet e dendura të një dite më parë kanë shkaktuar shumë dëme material në kryeqytetin spanjoll të Madridit. Agjencia spanjolle metereologjike pohoi se janë regjistruar më shumë se 9 mijë rrufe në gjashtë orë.

Madridi dhe zonat përreth po i rikthehen normalitetit pasi reshje të dendura dhe breshëri goditën zonën një ditë më parë duke përmbytur shumë rrugë dhe duke shkaktuar kaos në qarkullimin e automjeteve.

Ndërsa rajoni ditën e sotme është nën temperature të larta, ndërsa vetëm një ditë më parë moti i keq shkaktoi shumë problem si duket dhe nga pamjet ku automjete dhe kosha mbeturinash janë marrë përpara nga uji, ndërsa kokrrat e breshrit kanë qenë të mëdha sa një top ping-pongu, në disa zona të rajonit.

Arganda del Rei, në juglindje të kryeqytetit spanjoll ka qenë më goditura nga moti i keq. Stuhia shkaktoi vonesa në fluturime, përmbytje në parkingje dhe tunele si dhe ndërprerje të shërbimit të metrosë. Agjencia metereologjike spanjolle pohoi se janë regjistruar më shumë se 9 mijë rrufe në gjashtë orë. Tashmë reshjet janë zhvendosur në Majorka./ABC News Albania 24/7

maxresdefault-4-1280x720.jpg
ent ela20:56 | 27/08/2019

Reshje të dendura shiu dhe breshëri shkaktuan kaos në Madrid, duke përmbytur rrugët dhe duke paralizuar përkohësisht sistemet e transportit. Ujërat që vërshuan morën përpara automjete dhe objekte të tjera, si dhe shkaktuan dëme në infrastrukturë.

Në Madrid dhe rrethina situata gradualisht po i rikthehet normalitetit, pasi më herët shira të dendura dhe breshëri mbuluan zonën, duke përmbytur rrugët dhe krijuar kaos në sistemet e transporteve. Moti i keq shkaktoi probleme të shumta, me vërshimet e ujërave që vunë përpara automjetet dhe konteinerët e mbeturinave përgjatë rrugëve të përmbytura. Gjithashtu, kokra breshëri të mëdha sa një top ping pongu të grumbulluara në disa vende bllokuan kalimet. Nga reshjet e dendura mbeti i dëmtuar kryesisht fshati Arganda del Rej, në jug-lindje të kryeqytetit spanjoll. Edhe fshatra të tjerë pësuan dëme, por për fat të mirë nuk pati viktima. Moti i keq shkaktoi vonesa në fluturime, përmbytje të tuneleve dhe parkingjeve, si dhe ndërprerje të shërbimit të metrosë. Agjencia meteorologjike spanjolle deklaroi se kishte regjistruar mbi 9 mijë rufe në 6 orë. I njëjti burim saktësoi se gjatë së martës shirat u spostuan në brigjet lindore iberike dhe në ishujt e Mesdheut, si Majorka. Këtu, autoritetet shpresojnë që reshjet të ndihmojnë në shuarjen e flakëve, që kanë përfshirë masivin pyjor të ishullit dhe pak ditë më parë çuan në evakuimin e 9 mijë personave. /ABC News Albania 24/7


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono