përkujtim

nikaaa.png
R D16:05 | 21/01/2020

Sot u bënë 9 vite nga vrasja e protestuesve Aleks Nika, Zyber Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Deda në Bulevardin përpara Kryeministrisë. Edi Rama mungoi për herë të parë në homazhe, ndërsa familjarët e 4 viktimave kërkojnë ende drejtësi.

9 vjet më parë, Aleks Nika, Zyber Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Deda, lanë familjarët në shtëpi, dhe u nisën drejt Tiranës.
Edi Rama në krye të opozitës socialiste kishte thirrur një protestë kombëtare, kundër Ilir Metës, i cili u shfaq në një video me Dritan Priftin.
Duke e akuzuar për korrupsion, Rama kërkoi rrëzimin e qeverisë, por të vetmit që u rrëzuan, ishin trupat e 4 protestuesve.

Çdo vit Edi Rama ka udhëhequr homazhet për ta, por këtë vit, mungoi, sepse është në Ukrainë. Mëkëmbësi i tij, Taulant Balla priti familjarët.

Si fillim një takim në kryeministri, aty nga ku u qëllua mbi të afërmit e tyre. Mark Nika, xhaxhai i Aleksit ka shprehur zhgënjimin se pse Edi Rama, prej 6 vitesh në qeveri nuk ka arritur të bëjë drejtësi dhe të dënojë ekzekutorët.

I pyetur për këtë çështje, Mark Nika nuk foli për mikrofonin e ABC-News, duke thënë: “Jam shumë i ngarkuar. Nuk mund të flas sepse unë nuk jam i lirë të them atë që dua. Unë e di kush ma ka fajin”.

Homazhet vijuan në bulevard, aty ku 4 pllaka shënjojnë vendet ku plumbat e Gardës së Republikës shpuan trupat e 4 protestuesve.

Ana Veizi i ka ende të freskët lotët për të atin. Ajo shprehet se kemi shpresë që ngjarja të zbardhet dhe për këtë përmend SPAK-un.

Por ndryshe nga Ana, në Gjirokastër, xhaxhai i saj nuk ka më besim të drejtësia.

Vetëm 2 vjet pas protestës së 21 janarit, Edi Rama u bë kryeministër me votat e LSI-së, ndërsa Ilir Meta Kryetar Kuvendi. Servet Pëllumbi nuk do ta komentojë këtë kapërcim politik.

Disa prej familjarëve të viktimave kanë marrë dëmshpërblim nga shteti pas betejës ligjore brenda dhe jashtë vendit. /abcnews.al

pano.png
Vladimir Prenga09:54 | 19/01/2020

Panajot Pano nuk jeton më, fizikisht. Kujtimet që ai ka lënë janë të shumta, ndërkohë që për tifozët e Partizanit ai është një legjendë. Në fakt jo vetëm për “demat e kuq”, pasi ai konsiderohet si një nga më të mëdhenjtë e futbollit shqiptar. 10 vite më parë ai u nda nga jeta dhe në klubin e kuq nuk harrojnë ta kujtojnë me nostalgji dhe shumë dashuri figurën e Panos.

POSTIMI I PARTIZANIT – Sot mbushet një dekadë që Panajot Pano, një nga figurat më të njohura të futbollit shqiptar dhe Partizanit, ndërroi jetë në moshën 71-vjeçare në Jacksonville,Florida, SHBA. Pano, i cilësuar si “Legjenda e Futbollit” shqiptar, përgjatë karrierës së tij 18- vjeçare si futbollist me performancën e shkëlqyer dhe golat e shënuar ka dhuruar emocione të paharrueshme për publikun shqiptar.

Me fanellën e Partizanit Pano në 210 ndeshje të luajtura do të realizonte plot 136 gola duke fituar me të kuqtë 4 tituj kampion dhe 5 kupa, ndërsa me përfaqësuesen e Shqipërisë regjistron 24 ndeshje duke shënuar edhe 4 gola. Një karrierë e shoqëruar me shumë lavdi dhe mjaft tituj individual përfshirë:

“Mjeshtër i Merituar i Sportit”, “Lojtari më i mirë i të gjitha kohërave”, akorduar nga FSHF në vitin 2003, “Lojtari i Shekullit”, akorduar nga UEFA/FIFA, “Nderi i Kombit”, akorduar nga ish-presidenti republikës, Bamir Topi, në vitin 2009, “Simboli Qytetit të Tiranës”,  titull i akorduar nga kryetari Bashkisë, Erion Veliaj, në vitin 2017.

Figura e Panajot Panos dhe emri i tij mbetet gjithmonë i paharruar në mendjet dhe zemrat, sidomos të tifozerisë së Partizanit, skuadër me të cilën fitoi gjithçka duke shënuar një dominim absolut të asaj periudhe në futbollin shqiptar. /abcnews.al

masakra.jpg
ad min08:26 | 26/09/2019

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka përkujtuar me një status në rrjetet sociale 75-vjetorin e masakrës së  fshatit Buzëmadhe ku 21 banorë mbetën të vrarë pa gjyq nga forcat komuniste.

“75 vjet më parë, në Lëndinën e Kroit të Bardhë, pranë fshatit Buzëmadhe të Lumës u krye njëra nga masakrat që simbolizon më qartë se çdo gjë tjetër luftën vëllavrasëse që forcat komuniste konsumuan në Shqipëri përgjatë gjithë periudhës shtator 1943 – nëntor 1944.

Në një akt të pabesë, forcat komuniste mashtruan popullsinë civile të fshatit Buzëmadhe dhe pushkatuan pa gjyq 21 banorë të fshatit, me pretendimin se ata po mbronin Muharrem Bajraktarin. Masakra e Buzëmadhes u krye sipas porosisë politike për të likuiduar çdo rezistencë tjetër që po i bënte ballë pushtimit gjerman dhe që aspironte për një Shqipëri demokratike, duke i hapur rrugën vetëm diktaturës së partisë-shtet, diktaturës së një individi që kishte tmerr nga çdo sprovë zgjedhjesh që mund të vinte në dyshim pushtetin e tij. Në këtë masakër u morën 21 jetë të pafajshme, dhe mbrtën 16 gra të veja e 58 fëmijë jetimë”, shkruan Basha.

Basha uron që ky 75-vjetor i masakrës të shërbejë si moment reflektimi kombëtar.

“Ky 75 vjetor duhet të jetë jubile përkujtimor edhe për viktimat civile të Luftës së Dytë Botërore, edhe për viktimat e diktaturës që erdhi pas përfundimit të kësaj lufte. Ky jubile duhet të jetë një moment analize, një moment për të kërkuar ndjesë, jo një moment revanshi e as tentativë e ulët për të përfituar nga partizanët e nga viktimat e Luftës së Dytë Botërore.

Shenjat e politikës së ulët që shfaqet në politikën e sotme të tipit “pushteti jonë është fituar me gjak dhe do të lëshohet vetëm me gjak” flasin për panikun e këtyre qenieve meskine, që s’kanë respekt as për gjakun e të rënëve e as për përvjetorin e çlirimit të vendit”, thotë Basha.

Në fund kreu i selisë blu uron që familjarët e viktimave nga masakra e Buzëmadhes të marrin ndjesën e duhur nga autoritetet.

“Paaftësia për të kërkuar falje po e bën shoqërinë tonë të paaftë të përparojë në rrugën drejt integrimit në familjen perëndimore, prandaj sa më shpejt të vijë kjo ndjesë dhe të ndalet loja e shëmtuar përplasëse me jubileun e 75 vjetorit të çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit e huaj, aq më shpejt përvjetorët që shënojnë fundin e Luftës së Dytë Botërore në trojet shqiptare do të jenë përvjetorë përkujtimi, lutjeje, analize e faljeje, dhe ç’është më e rëndësishmja, aq më shpejt do t’i mbyllin derën përsëritjes së fenomeneve që na turpërojnë si komb, siç është edhe Masakra e Buzëmadhes”, përfundon postimin e tij në rrjetet sociale kreu i PD-së.

Masakra e Buzëmadhes në Kukës ndodhi më 26 Shtator të vitit 1944. 21 persona të pafajshëm u pushkatuan pa gjyq pasi u futën në kurth nga komunistët./abcnews.al

seven-eleven.jpg
ad min12:49 | 11/09/2019

18 vjet pas sulmit të rëndë terrorist, Shtetet e Bashkuara të Amerikës përkujtojnë 11 Shtatorin dhe rreth 3 mijë viktimat. Të afërmit e viktimave do të mblidhen në Ground Zero, ndërsa presidenti amerikan Trump do të jetë në Pentagon.

Amerika përkujton 11 Shtatorin. Është përvjetori i 18-të i atentatit më vdekjeprurës të ndodhur në territorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ceremonitë përkujtimore do të shoqërohen me apele për të mos harruar asnjëherë atë që ndodhi.

Të afërmit e rreth 3 mijë viktimave të atentatit të 11 Shtatorit 2001 do të mblidhen në Ground Zero. Presidenti amerikan Donald Trump do të marrë pjesë në një ceremoni përkujtimore në Pentagon, ku do të jetë i pranishëm dhe George Bush, i cili ishte president në momentin e sulmeve.

Zëvendës presidenti amerikan Mike Pence do të flasë pranë Shanksvill, në Pensilvani ku ndodhi sulmi i tretë terrorist. Në të gjitha shkollat në shtetin e Nju Jork, studentët do të mbajnë një minutë heshtje, gjë që së fundmi është bërë e detyrueshme me ligj.

Avionët që u sekuestruan nga terroristët në 11 Shtator 2001 e që më pas u devijuan kundër kullave binjake në Manhatan dhe kundër Pentagonit, shkaktuan rreth 3 mijë viktima, emrat e të cilëve do të lexohen me zë të lartë gjatë ceremonisë në Ground Zero.

Pasojat e atentateve janë të dukshme kudo: që nga siguria në aeroporte dhe lufta kundër terrorizmit e ndërmarrë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët në shumë vende me shumicë myslimane.

Ndërkohë po në kuadër të 11 Shtatorit u hodh një raketë kundër ambasadës amerikane në Afganistan, ku pas atentateve të 2001-shit, dhe nisi një pushtim amerikan që u transformua në luftën më të gjatë të ndërmarrë ndonjëherë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Misionet ushtarake në Afganistan dhe në Irak, për shumë analistë janë shkaqet e situatave të paqëndrueshme dhe shkatërrimit në këto vende./ABC News Albania 24/7

kosova-1.jpg
ad min18:25 | 11/06/2019

Në ditën kur Kosova kujton 20 vjetorin e përfundimit të bombardimeve të NATO-s janë të shumtë ata që i kanë të freskëta plagët e asaj periudhe. Por dhe zyrtarë ushtarakë ndërkombëtarë në vend risjellin në mend një situatë trishtimi dhe frike.

Blerim Krasniqi gjatë luftës në Kosovë kishte qëndruar në shtëpinë e tij në lagjen “Tasligje”. Për tre muaj sa kanë zgjatur bombardimet ai ka qëndruar i vetëm në shtëpi, ndërsa pjesa tjetër e familjes në një lagje më në qendër. Edhe pas 20 vjetësh Krasniqi ende i ka të freskëta kujtimet kur kanë hyrë trupat e NATO-s në Prishtinë.

Për nder të kësaj dite KFOR-i gjatë ditës së sotme ka mbajtur një ceremoni solemne. Për komandantin e KFOR-it , Kosova pas 20 vjetësh është më ndryshe.

“Kur mendoj Prishtinën e vitit 1999 më kujtohet ndjenja e dëshpërimit dhe frikës, por edhe ndjenjës që më e keqja kishte mbaruar pas atyre muajve shkatërrimtarë të luftës civile . Shumë njerëz ishin zhvendosur kishte mungesë të sigurisë dhe shërbimeve themelore. Ishim pjesë e një grumbullimi të paprecedent të Kombeve të Bashkuara një forcë e fuqishme në përkushtimin e saj për të intervenuar në terren për të bërë një ndryshim, përkundër të gjitha sfidave”.

“Në 20 vjetorin e KFOR-it, i inkurajoj të gjithë të reflektojnë. Po është koha të kujtojmë, por edhe të ecim përpara. Po iu them prapë që KFOR-i mbetet në Kosovë sot si forcë që garanton një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet”.

Nën komandën e trupave aleate për reagim të shpejtë në vitin 1999 rreth 5000 ushtarë nga 39 vende erdhën në Kosovë nga e tëra bota./ABC News Albania 24/7

Vucic-serv.jpg
ad min11:47 | 25/03/2019

Në ceremoninë përkujtimore në 20 vjetorin e bombardimeve të NATO-s në Serbi, presidenti serb Aleksandër Vuçiç, në lot para të pranishmeve, u shpreh se kjo ngjarje nuk duhej harruar kurrë dhe ajo që ndodhi ishte një krim.

Kështu kishte qenë në të njëjtën orë 20 vjet më parë… kështu ka nisur edhe tubimi përkujtimor për dy dekada më vonë.

Fillimisht qirinj dhe lutje. Serbët duhet të falin, por të mos harrojnë. Patriarku serb Irinej, ka thënë se Zoti nuk i do ngjarjet e tilla. Krahas mesazheve për paqe ka thënë se duhet ruajtur objektet e shenjta në Kosovë.

Mirosllav Gavrillovic – Irinej, Patriark i Kishës Ortodokse Serbe: “Këto janë ditë që do të donim të mos i përsëriten kurrë popullit tonë dhe jo vetëm popullit tonë, por askund në botë”.

Performancë për rrezikun nga NATO dhe herë pas here kujtime për atë se si ka qenë gjatë 78 ditë fushatë. Për ta shënuar këtë ngjarje ka arritur edhe kabineti qeverisës nga Republika Serbe e Bosnjës. Porositë kanë qenë se, kurrë nuk duhet falur.

Millorad Dodik, anëtar i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës: Në Kosovë shumë kanë qenë në anën e shqiptarëve, siç kanë qenë në vendet tjera kundër nesh. Bombat nuk e kanë zgjidhur problemin e Kosovës. Vitet e ardhshme janë tonat drejt bashkimit të serbëve.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, i cili ka marrë detyrë për zgjidhjen për Kosovën, tha se i drejtohet Serbisë së të ardhmes. Bombardimet për të gjithmonë do të ngelen krim.

Aleksandër Vuçiç: Gabim ka qenë ajo që kanë bërë të tjerët dhe jo vetëm gabim, por një krim dhe këtë duhet ta themi vazhdimisht pasi ka qenë krim kundër fëmijëve dhe popullit tonë. Kalimi nga politika në bomba është krim dhe Ballkani vazhdon të jetë një lëndë djegëse dhe askush nuk do të duhej të gaboj këtu. Ne duhet të fillojmë të përshëndetemi dhe jo të shikohemi përmes nishanit, të flasim me gjuhë dhe jo me plumba.

Vuçiç në fund shpërtheu në lot para publikut. E ardhmja nuk duket e lehtë pasi ende e vërteta e serbëve është larg asaj të shqiptarëve./abcnews.al

ITALI-URA.mpg_snapshot_00.00-1280x733.jpg
ad min11:25 | 15/09/2018

Banorët e qytetit të Xhenovës kanë përkujtuar të premten viktimat e tragjedisë së urës Morandi, e cila u shemb muajin e kaluar duke marrë mbi 40 jetë njerëzish. Ndërsa zyrtarët lokalë kanë deklaruar se janë gati t’i përvishen punës për rindërtimin e urës, presidenti Matarela ka bërë thirrje të kalohet nga fjalët tek veprat.

Një muaj nga shembja e urës Morandi, qyteti i Xhenovës ka mbajtur një minutë heshtje në nder të 43 personave që humbën jetën. Të mbledhur në sheshin De Ferrari, të pranishmit janë përlotur kur drejtuesit e ceremonisë përkujtimore kanë lexuar emrat e viktimave. Kryetari i bashkisë Marko Buçi dhe guvernatori Xhovani Toti janë pritur me duartrokitje nga publiku. “Jam gati t’i përvishem punës, nuk mund të them jo kur bëhet fjalë për Xhenovën”, ka deklaruar kryebashkiaku. Ai e ka krahasuar tragjedinë e urës Morandi me atë të 11 shtatorit në Nju Jork, që u përkujtua pak ditë më parë. “Për ne kjo ishte një tragjedi e tmerrshme. Njësoj si “GRAUND ZERO” në Nju Jork, qytet që arriti të dilte nga tragjedia, edhe ne duam të bëjmë të njëjtën gjë”, ka vijuar Buçi.

Ndërsa guvernatori Toti është shprehur se shembja e një ure nuk do ta gjunjëzojë dot Xhenovën. “Nuk besoj se sot janë të rëndësishëm emrat. E rëndësishme është të nisim nga puna dhe t’i bëjmë gjërat mirë”, ka thënë Toti. Ndërkohë, ceremonisë i është bashkuar edhe kryeministri Xhuzepe Konte. Përballë mikrofonëve Konte ka deklaruar se qeveria nuk ka ndënjur duarkryq që prej muajit të kaluar, por ka hartuar një plan serioz të përbërë nga fakte dhe masa. Më i prerë në mesazhin e tij ka qenë presidenti Serxho Matarela. “Xhenova nuk pret urime apo ngushëllime, por konkretizim të vendimeve dhe premtimeve”, është shprehur Matarela në një shkrim të publikuar në një të përditshme./abcnews.al

pjeter-arbnori.jpg
ad min13:04 | 19/07/2018

Në sheshin para sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë, u mbajt ceremonia e përurimit të bustit të ish-kryetarit të Kuvendit, Pjetër Arbnori. Të pranishëm ishin të majtë e të djathtë, ku nuk munguan as ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe ish-ministri Genc Ruli.

Për një orë janë bërë të gjithë bashkë, të majtë e të djathtë. Në këtë ditë kanë vendosur t’i urojnë rikthimin në shtëpi Pjetër Arbnorit, Mandelës shqiptar siç e kanë emërtuar njeriun që vuajti për 28 vjet në burgjet e komunizmit.

“Sot janë kaq shumë dhe të ndryshë. Të gjithë bashkë nuk u ka mbledhur ftesa ime si kryetar i radhës, por dashuria dhe respekti për Pjetër Arbnorin”, tha Gramoz Ruçi gjatë fjalës së tij.

Në emrin e Pjetër Arbnorit, miku i tij i vjetër Besnik Mustafaj thotë se kjo nuk duhet të shihet si ditë përkujtimi, por reflektimi.

“Në qoftë se sot Pjetër Arbnori do të ulej si deputet në këtë sallë jam i sigurtë se ai përsëri do të ishte kundërshatr politik i Gramoz Ruçit, por me këtë për ngritjen e kësaj statuje, ai do ta falenderonte pa ngurrim”, u shpreh Besnik Mustafaj.

Të vonuar e sheh Besnik Mustafaj vendosjen e simbolikës që përfaqëson Pjetër Arbnori, duke i kërkuar falje në emër të të gjithë politikës dhe shoqërisë shqiptare.  Megjithatë më e rëndësishme për ish-kryetarin e Kuvendit dhe deputetin e Partisë Demokratike ka qenë zgjedhja e lirë dhe moscënimi i votës.

“Këshilla e Pjetër Arbnorit sot për ju do të kishte qenë: Jepuni mundësi shqiptarëve të zgjedhin kush do të qeverisë nisur nga programet dhe jo nga individët”, tha Mustafaji.

Në lulishten e Parlamentit të Shqipërisë bustin  e Pjetër Arbnorit të  realizuar nga skulptori Sadik Spahia e zbuloi ish-kryeministri Berisha dhe bashkëshortja e Arbnorit.

Pjetër Arbnori u nda nga jeta në 8 Korrik 2006 në moshën 71-vjecare. Ai u arrestua në moshën 26-vjeçare dhe u lirua kur ishte 54 vjeç. Hyrja në grevë urie në vitin 1997 të Pjetër Arbnorit. i cili kërkonte të moscensurohej fjala e opozitës në televizionin shtetëror tërhoqi vëmendjen e shumë qeverive të botës perëndimore, mbështetja e të cilëve e detyroi koalicionin e shumicës së majtë në Parlament për të rishikuar qëndrimin e saj dhe të miratojë një garanci formale të pavarësisë së shtypit nga ndërhyrja e shtetit. Ndryshimi në ligj u njoh si “Amendamenti Arbnori”.

12 vjet pas vjekjes së tij Pjetër Arbnori i ka bashkuar sërish politikanët madje edhe ata refuzojnë të hyjnë në selinë e Partisë Demokratike./abcnews.al

perkujtim.jpg
ad min16:35 | 12/07/2018

Disa aktivistë serbë kanë nderuar viktimat e Srebrenicës në një shesh të Beogradit. Por kundër tyre kanë manifestuar disa aktivistë të tjerë që nuk pranojnë numrin e viktimave.

Në një shesh dy grupe, njëra për të ndëruar viktimat e Srebrenicës dhe tjetra për të mohuar ato.
Aktivistët për të drejtat e njeriut ndezën qirinj në mbrojtjen e policisë. Të tjerët thonë është gënjeshtër.

Politika zyrtare ka nderuar viktimat e masakrës ndaj myslimanëve dhe nuk ka penguar kujtimin. Por  pa shumë zhurmë dhe pa deklarime në 23-vjetorin e saj.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile thonë se është e nevojshme të ketë debat mbi të shkuarën.

Marko Milosavljeviç, nisma e të rinjve për të drejtat e njeriut:
“Kujtimi duhet të mbështetet me gjykimin e autorëve dhe kjo për krimet e luftës nuk ndodh në Serbi. Luftërat për Serbinë e madhe i kanë sjellë dëmë shtetin tonë dhe duhet pranuar atë që ka ndodhur në mënyrë që të mos kemi mur heshtjesh. Ne duam debat për të shkuarën”.

Shumë kërkojnë drejtësi për viktimat serbe dhe shënimi i përvjetorit në Serbi nuk ka shumë mbështetje të madhe. Kuvendi serb ka miratuar një rezolutë vite më parë për të dënuar krimin./abcnews.al

030-1280x853.jpg
ad min11:31 | 07/04/2018

Në Bazën Ajrore të Farkës është përkujtuar 2-vjetori i rënies në detyrë të dy “Dëshmorëve të Atdheut”, kapiten Florian Deliut dhe toger Donald Hoxhës, të cilët humbën jetën pas rrëzimit të helikopterit EC -145 në Grizhë të Malësisë së Madhe, gjatë një fluturimi stërvitor.

Në ceremoni ishte e pranishme ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, e cila deklaroi se në funksion të rritjes së sigurisë për Forcën Ajrore, ashtu si dhe në forcat e tjera vijon procesi i reformimit dhe i modernizimit.

“Sigurisht, trajnimi, taktika, pajisjet përdorimi i elementëve të tjerë që i janë shtuar ose përmirësuar me kalimin e kohës e kanë ulur probabilitetin e aksidenteve”, u shpreh Xhaçka.

Më pas, ministrja së bashku me Shefin i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjeneral brigade, Bardhyl Kollçakun, drejtuesin e Forcës Ajrore, Kuto Hasanin, si dhe familjarë e të afërm të dëshmorëve vendosën kurora dhe buqeta me lule në memorialin kushtuar pilotëve të rënë në Bazën Ajrore të Farkës./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono