përgjime

damian-gjiknuri-1.jpg
ad min12:15 | 19/06/2019

Ish-ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri ka folur për herë të parë në publik, pas audio përgjimeve të publikuara nga gazeta gjermane Bild. Ai këmbënguli në një takim në Vlorë se Partia Socialiste as nuk blen e as nuk shet vota, por figurat kryesore politike të saj, po goditen për qëllime të pastra politike.

“Ne as blejmë vota e as gënjejmë njerëz”.

Është ky reagimi i ish-ministrit Damian Gjiknuri pas publikimit të audio përgjimit ku ai komunikon me një aktivist të Partisë Socialiste, Arben KEshi gjatë zgjedhjeve vendore në Dibër në vitin 2016.

Goditje me qëllime politike i konsideron ish ministri Gjiknuri këto publikime.

“Ata s’kanë përfaqësi fare në Vlorë, ata e mendojnë Vlorën në xhep pa qenë këtu. Pra, praktikisht këtë bëjnë në gjithë Shqipërinë dhe kjo është arsyeja pse goditem unë, pse goditet Edi Rama, pse goditen figurat kryesore të Partisë Socialiste”, tha Gjiknuri.

Për socialistin Gjiknuri opozita nuk kërkon zgjedhje por mjaftohet me hedhje shashkash të gatuara në kuzhinën e Partisë Demokratike dhe njëkohësisht duan të nxisin njerëz për dhunë.

“Ne nuk do t’i lejojmë”, tha ai.

Këto deklarata drejtuesi politik i socialistëve në Qarkun e Vlorës Damian Gjiknuri i bëri gjatë një takimi me banorët e Rajonit Nr.1 dhe të njësisë Novoselë ku prezantoi kandidatin për kryebashkiak Dritan Leli./ABC News Albania 24/7

gazment-bardhi.jpg
ad min14:24 | 18/06/2019

Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, përgjimet e publikuara nga Bild tregojnë se Durrësi dhe Dibra janë dy krime të rënda elektorale.

Gjatë një konference për mediat, pjesë e së cilës ishin edhe ish-deputeti Enkelejd Alibeaj dhe sekretari për çështjet ligjore në PD Çlirim Gjata, Bardhi tha se përgjimet faktojnë se vjedhja e zgjedhjeve në bashkëpunim me krimin është një skemë e ngritur nga kryeministri.

“Përgjimet e publikuara nga gazeta gjermane Bild janë radiografia e vjedhjes së zgjedhjeve, vepër për të cilat që nga Edi Rama, Damian Gjiknuri, Pjerin Ndreu, Vangjush Dako e me radhë duhet të ishin sot në burg. Durrësi dhe Dibra janë dy krime të rënda elektorale, që vërtetojnë se Edi Rama di vetëm të vjedhë, të kërcënojë, të shantazhojë e të blejë vota, duke përdorur krimin, policinë dhe administratën. Por Durrësi dhe Dibra nuk janë thjesht dy krime të shkëputura dhe rastësore. Përgjimet faktojnë se vjedhja e zgjedhjeve, në bashkëpunim me krimin, është një skemë e ngritur nga Edi Rama dhe e zbatuar nga bashkëpunëtorët e tij. Edi Rama, qeveria dhe Partia Socialiste kanë vepruar si një grup i strukturuar kriminal për të marrë dhe mbajtur pushtetin në mënyrë të paligjshme.

Damian Gjiknuri, Vangjush Dako, Pjerin Ndreu, Ulsi Manja, Saimir Tahiri, Taulant Balla, Arben Keshi, Drini Gjeçi, Artan Gaçi, Sali Skura, Bekim Krashi dhe çdo person tjetër që i garanton Edi Ramës funksionimin e skemës së tij kriminale për vjedhjen e zgjedhjeve janë sot e kësaj dite të pandëshkuar nga drejtësia. Të gjithë janë të shpërblyer me poste dhe detyra të larta shtetërore, nga vetë Edi Rama, i cili si autori dhe urdhëruesi dhe përfituesi kryesor i kësaj skemë, ka dal garant që politikanët dhe bandat që bashkëpunojnë për të vjedhur zgjedhjet, të jenë mbi ligjin e drejtësinë dhe të mos ndëshkohen. Në vend që Pjerin Ndreu të ishte para drejtësisë, për kërcënimet kriminale ndaj votuesve, ai sot është promovuar nga Edi Rama si kandidat për Bashkinë e Lezhës.

Në vend që Vangjush Dako, të ishte në burg për bashkëpunim me krimin dhe bandat, po gëzon pension të qetë politik, i pandëshkuar. Cdokush nga kupola e krimit, me të cilin Edi Rama ka blerë dhe kapur pushtetin në mënyrë të paligjshme, është i pandëshkuar nga drejtësia. Përgjimet tregojnë se vetë Edi Rama duhet të ishte para drejtësisë. Ai është arkitekti i vjedhjes së zgjedhjeve, krimineli gjakftohtë që është i gatshëm të sakrifikojë gjithçka për pushtetin dhe pasurinë e tij personale”, tha Bardhi.

Më tej, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së nënvizoi se Rama e mori nën kontroll prokurorinë për të mos hetuar këto çështje.

“Kjo është arsyeja pse Edi Rama mori nën kontroll të plotë prokurorinë, pasi një prokurori e pavarur do të kishte hetuar këto qindra prova të gatshme dhe do ta kishte kërkuar dënimin me burg të Edi Ramës dhe çdo krimineli tjetër që ka marrë pjesë në zbatimin e skemës së tij për vjedhjen e zgjedhjeve. Prej tre vjetësh, prokuroria nuk bën asnjë hetim, nuk ka thirrur një herë të vetme një prej politikanëve që shqiptarët i kanë dëgjuar vetë sesi shesin, blejnë, kërcënojnë, shantazhojnë qytetarët në emër të pushtetit të vjedhur të Edi Ramës. Për shqiptarët tani është e qartë se nuk mund të ketë zgjedhje me Edi Ramën kryeministër dhe pa nxjerrë para drejtësisë ata që vodhën votat”, tha ai./abcnews.al

edi-ramaaa-1280x725.jpg
ad min16:15 | 17/06/2019

Tabloidi gjerman ka nisur publikimin e përgjimeve të reja të dosjeve të prokurorisë mbi hetimin e blerjes së zgjedhjeve në vitin 2017. Në njërin nga përgjimet është vetë kryeministri Edi Rama që i telefonon një drejtori të ministrisë së brendshme, pjesë sipas “Bild” e dosjes 184 të zgjedhjeve në Dibër.

Përgjimet zyrtare nuk kanë kursyer as Kryeministrin Edi Rama.

Gazeta gjermane “Bild” publikon një bisedë të përgjuar të kreut të qeverisë me një drejtor të lartë në Ministrinë e Brendshme, Arben Keshi gjatë procesit në zgjedhjet elektorale në Dibër.

Ky është audio përgjimi i parë që ka bërë publik gazeta gjermane “Bild” e cila ka paralajmëruar se janë disa. Në informacionin e publikuar nga gazetari gjerman thuhet se kjo pjesë e parë e përgjimeve zyrtare tregon se si një drejtor i lartë i Ministrisë së Brendshme, Arben Keshi ka ngritur një skemë të qartë dhe një strategji për blerjen e votave, pengimin dhe shantazh të votuesve. Ai nuk është i vetëm në skemën kriminale./ABC News Albania 24/7

edi-rama12.jpg
ad min15:53 | 17/06/2019

Kryeministri Edi Rama i ka quajtur shantazhe të prokurorëve të Berishës, përgjimet e publikuara nga Bild, ku dilte edhe zëri i tij. Kreu i qeverisë i ka kërkuar prokurorisë hetime deri në fund, ndërsa tha se kjo ndërmarrje kriminale do të marrë përgjigjen e merituar në 30 qershor.

Përgjimeve të reja të Bild, kryeministri Edi Rama ju përgjigj nga Twitteri. Ai akuzoi prokurorët se i kanë shërbyer Berishës dhe nuk kanë hetuar.

 “Përgjimet e pahetuara të shërbëtorit të Saliut tregojnë përsëri se u bënë për shantazh,jo për drejtësi! Dhe u mbajtën tek partia për këtë ditë të zezë, kur duhet sulmuar Shqipëria me “zbulime gjermane”, për të bllokuar negociatat dhe ndaluar drejtësinë që vjen me kapitujt 23/24. Ky është i gjithi një skandal i turpshëm,i gatuar nga shërbëtori famëkeq i Saliut në prokurori+një birbo tjetër që doli cullak nga Vetingu, të cilët jo vetëm kanë shkelur ligjin për sekretin hetimor, duke i përdorur përgjimet për shantazhe e lojë politike, po s’kanë hetuar asgjë!”.

Kur është vetëm dy javë përpara zgjedhjeve ku duket i vendosur të shkojë, Edi Rama kërkon hetim të thelluar nga prokuroria.

“Nxis prokurorinë të vijojë intensivisht hetimet për të nxjerrë deri në fund ku mbarojnë llafet dhe ku dalin prova fajësie para ligjit,nëse ka të tilla. Por sidoqoftë,kjo ndërmarrje kriminale për të helmuar dynjanë,do ta marrë përgjigjen e merituar në 30 qershor e më tej akoma!”.

Rama pranoi të ishte ai në një prej bisedave më një funksionar lokal të shtabit elektoral, Arben Keshi si dhe shton se bisedën do ta ribënte serish njësoj.

“Çfarë mjerimi dhe çfarë përpjekje e dëshpëruar për manipulimin e njerëzve dhe nxirjen e Shqipërisë! Çfarë gënjeshtre:AK s’ka punuar në polici asokohe dhe ka qenë denbabaden kandidat komune në Maqellarë. E konfirmoj këtë bisedë dhe do e bëja prapë njësoj!Kush ka veshë le të dëgjojë”.

Ndërsa në tjetër postim kreu i qeverisë shqiptare paralajmëron paditjen në një gjykate gjermane të gazetarit te Bild që botoi audio-përgjimet.

“Kam vendosur ta çoj në gjykatat gjermane këtë gazetar dhe në atë vend të bekuar, ku drejtësia nuk bën lojra me sekretet hetimore e ku dinjiteti i njerëzve dhe i shteteve respektohet si vlerëe pacënueshme, le të shohim kush është me të drejtën në këtë histori drejtësie të munguar!”/ABC News Albania 24/7

edi-rama-pergjimet.jpg
ad min15:47 | 17/06/2019

Tabloidi gjerman ka nisur publikimin e përgjimeve të reja të dosjeve të prokurorisë mbi hetimin e blerjes së zgjedhjeve në vitin 2017. Në njërin nga përgjimet është vetë kryeministri Edi Rama që i telefonon një drejtori të Ministrisë së Brendshme, pjesë sipas “Bild” e dosjes 184 të zgjedhjeve në Dibër.

Arben Keshi: Hë shefi

Edi Rama: Hë mo si duket

Arben Keshi: Po mirë tek pritshmëritë jemi

Edi Rama: E ke realizuar objektivin thua?

Arben Keshi: Them se po, bazuar në ato që po na thonë komisionerët.

Edi Rama: Ashtu është?

Arben Keshi: Po them që po.

Edi Rama: Po ata maskarenjtë, kishin bërë presione mbrëmë e?

Arben Keshi: Po deshën të më kapnin mua, punë dy minutash sa u futa tek shtabi sepse ishin duke më pritur tek hoteli ku fleja

Edi Rama: Cfarë do të bënim ty ata?

Arben Keshi: Ishin 50 veta. Asgjë besoj, këtë pjesën e presionit mendoj, jo kështu jo ashtu. Ai është legen ai, Flamur Noka

Edi Rama: Po ku ta del dot ty Flamur Noka mo

Arben Keshi: Edhe djali sa doli më la mua, ata kujtuan se isha edhe unë në makinë. Rreth 50 veta. Jo se i bënë ndonjë gjë, sa e goditën. Ai iku dhe ata nuk e kapën dot.

Edi Rama: Më mirë mo, hajt se ç’i do sherret. Dëgjo, po ti mendon se e kemi realizuar objektivin?

Arben Keshi: Po këtu tek unë po. Mund të lëvizë me më pak me më shumë. Nga ato që na kanë thënë komisionerët kemi pritshmëri të mëdha.

Edi Rama: Komisionerët i ke pasur top e?

Arben Keshi: Po po në rregull

Edi Rama: Okay, mirë vllai, hajt ciao

Arben Keshi: Ishalla, faleminderit

Përgjimi numër 2: Deputeti Socialist Artan Gaci shpreh velrësimin e lartë që kryeministri Rama ka për drejtorin e Ministrisë së Brendshmë Arben Keshi.

Arben Keshi: Mirëmëngjes!

Deputeti Artan Caci: Mirëmëngjes, ça bëre?

Arben Keshi: Si ia kalove ti?

Artan Gaci: Mirë. Ishim me shefin e madhe edhe me superlativa për ty.

Arben Keshi: Faleminderit.

Artan Gaci: Jo, jo. Nga ai, nga ai. Unë po e po, por ai them

Arben Keshi: Faleminderit.

Artan Gaci: Më tregoi historinë e 2011-s e të gjitha. I ke pikët maksimale.

Arben Keshi: Inshallah kthehen në realitet mos të ngelen, se u bënë 3 vjet.

Artan Gaci: Jo jo. Do të bëhet. Kam besim të jashtëzakonshëm. E gjithë Maqellara vetëm ty. Ai është tha personi. Është tha, e ka kopsit, e ka bërë komplet gjithë gjënë. Edhe në 2011-n fitoi, por ashtu ndodhën me kutitë tha.

Arben Keshi: Hajd mo ça t’bosh. Ashtu ka qenë shkrujt.

Artan Gaci: Ai tha “është merita e Benit. Komplet”.

Arben Keshi: Rrofsh faleminderit.

Artan Gaci: Desha me ta thënë që tw ashtu…

Arben Keshi: Rrofsh, rrofsh. Shumë faleminderit.

Artan Gaci: Hajde Beni, kur të vish në Tiranë lidhemi ndonjëherë.

Arben Keshi: Po, po, po.

/abcnews.al

donika-prela.jpg
ad min15:43 | 07/06/2019

Drejtuesja e Krimeve të Rënda Donika Prela u shpreh për media se për dosjen 339 janë 624 CD dhe 115 DVD përgjime të cilat kanë nisur që në vitin 2016. Prela i mëshoi faktit që dosja është voluminoze dhe deri me tani janë nën procedim 74 persona numër ky që do të rritet ne vazhdim. Donika Prela nuk komentoi nëse është marrë apo jo i pandehur Vangjush Dako.

Pas debateve të shumta për dosjen 339, Drejtuesja e Prokurorisë për Krime të Rënda thyen heshtjen dhe del përpara mediave ku ka dhënë detaje të reja në lidhje me hetimet. Ato  kanë nisur si hetim për një grup kriminal të trafikut të drogës, ndërsa në përgjimet gjate këtij hetimi dolën të dhëna që ngrenë dyshime për shit-blerje të votave në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës.

Prokurorja Prela e cilësoi dosjen 339 si dosjen më të madhe që ka hetuar ndonjëherë prokuroria shqiptare dhe deri tani janë 74 persona nën hetim.

Për  këtë dosje, sipas drejtueses së prokurorisë së krimeve të rënda,  ka një numër të madh Cd dhe DVD me përgjime për të transkriptuar.

Pas ndryshimit të disa prokuroreve që nga fundi i vitit 2016 kur nisi procedimi penal për këtë grup kriminal, dosja 339 aktualisht është në duart e prokurorëve Vladimir Mara e Dritan Premçi dhe 11 oficerëve të Policisë Gjyqësore, të cilëve u janë caktuar detyrat përkatëse nga prokurorët.

Lidhur me hetimin për nxjerrje të sekretit hetimor, përmes publikimit në gazetën Bild të disa audio përgjimeve pjesë e kësaj dosjeje, Prela tha se është caktuar një prokuror i veçantë për të zbuluar nga ka rrjedhur informacioni.

Por drejtuesja e prokurorisë së krimeve të rënda deklaroi se dy prokurorët aktualë të dosjes, Mara dhe Prençi nuk janë nën hetim nga kjo prokurori për nxjerrje sekreti.

E pyetur nga gazetaret në lidhje me implikimin e kryebashkiakut të Durresit Vangjush Dako në këtë dosje, prokurorja Prela nuk dha asnjë shpjegim, duke sqaruar se kjo dalje për mediat kishte për qellim të informonte publikun mbi ecurinë e hetimeve për dosjen 339./ABC News Albania 24/7

ee-1280x714.jpg
ad min21:30 | 06/06/2019

A ka PS-ja përgjime të ngjashme si ato që përmban dosja 339, për palën kundërshtare? Kjo pyetje iu bë në studion e “Mbrëmje Ide”, deputetes Elona Gjebrea, nga gazetarja Mirela Milori.

Por socialistja në përgjigjen e saj diplomatike u mundua të shpjegonte se nuk ishte në dijeni, por nuk e mohoi kategorikisht ekzistencën e të tilla përgjimeve.

Mirela Milori: Ditën e djeshme zoti Ulsi Manja doli dhe foli në emër të PS-së dhe pari një qëndrim. Diku mes rreshtave u la të kuptohej se “edhe ne kemi materiale të kësaj natyre, por nuk merremi me to”. Në fakt keni ju materiale të kësaj natyre të një krimi të supozuar elektoral apo të një krimi të mirëfilltë elektoral nga pala tjetër përballë kur ka qenë në pushtet, të ngjashme si ato që janë në  dosjen 339?

Elona Gjebrea: Gjithmonë interpretimet janë të ndryshme nga mënyra se si mund të shikohet një interviste e caktuar apo një deklaratë e caktuar.  Unë di të them që ne nuk merremi me përgjime dhe padyshim që i përbuzim përgjimet. Unë nuk mendoj se ka pasur me gjithë dëshirën për të patur ndonjë situatë aty brenda deklaratës. Ajo që ne jemi të interesuar është që kjo çështje të zbardhte sa më shpejt dhe kush ka përgjegjësi të shkojë përpara drejtësisë sa më shpejt. Kjo besoj se është në të mirën tonë, të publikut edhe të medias. 

Mirela Milori: Pavarësisht se ju nuk mund t’i merrni në konsideratë ka materiale të tilla, ekzistojnë materiale të tilla për palën përballë që ka të implikuar ish-ministra, ish-përfaqësues të lartë të PD-së të lidhur në një situatë të ngjashme?

Elona Gjebrea: Nuk jam në dijeni dhe sikurse e thashë ne nuk merremi me përgjime.

Mirela Milori: Unë iu pyes sepse ju keni qenë zv. ministre e Brendshme dhe dijeni…

Elona Gjebrea: Mund të dimë por kjo nuk do të thotë … nuk mendoj se ka diçka tjetër për të thënë në lidhje me këtë, me gjithë dëshirën tënde që të nxjerrësh diçka nga unë./abcnews.al

vendimi-prokuroria.jpg
ad min15:39 | 06/06/2019

Urdhri i Prokurorisë së Krimeve të Rënda që kanë ndaluar publikimin në media të përgjimeve të dosjes “339/1” të botuar nga gazeta gjermane “Bild” për përgjimet e bandës së Avdylajve në Shijak bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Neni 22 përcakton:

  1. Liria e shprehjes është e garantuar.
  2. Liria e shtypit, radios dhe televizionit janë të garantuara.
  3. Ndalohet censura paraprake e një mjeti të komunikimit.
  4. Ligji mund të kërkojë dhënien e autorizimit për funksionimin e stacioneve radiotelevizive.

E po kështu edhe neni 23 i Kushtetutës

  1. E drejta e informimit është e garantuar.
  2. Secili ka të drejtën, në përputhje me ligjin, të marrë informacion në lidhje me veprimtarinë e organeve shtetërore, si dhe të personave që ushtrojnë funksione shtetërore.
  3. Secilit i jepet mundësia të ndjekë mbledhjet e organeve të zgjedhura kolektive

Një urdhër që del për herë të parë në 30 vite demokraci ka sjellë reagimin e gazetarëve dhe analistëve.

“Arta Marku në qoftë se e ka vënë këtë sepse është si thikë me dy presa se të ndalohet publikimi thotë ajp. Na e hedh ne fajin. Nuk ka të drejtë ta thotë ajo. Unë po kapa një të drejtë nuk kam pse të yes fare kush është në pushtetin gjyqësor. Kjo është detyra ime. Arta ta mbajë për vete atë”, tha Shpëtim Nazarko nga emisioni”Byro Politike” me Juli Xhakoxhi.

“Të gjitha skandalet janë zbuluar duke shkelur ndonjëligj të vogël që lidhet me shkeljen e ligjit për sekretet, dhe unë si gazetar nuk jam në mënyrë absolute as për ruajtjen e sekretit nga media, as nga njerëz të devotshëm, sepse prokuroria do duhej ta kishte zbardhur”, tha Mentor Kikia.

Ndërsa gazetari Blendi Fevziu nga studio e emisionit opinion i ka kujtuar dy prokurorëve Dritan Prençi dhe Vladimir Mara, të cilët ndalojnë mediat për publikimin e këtyre përgjimeve se është shkelur edhe deklarata universale e të drejtave të njeriut.

“Është artikulli nr.19 i deklaratës universale të të Drejtave të Njeriut, është artikulli nr.10 i Konventës Europiane. Është një precedent i mbyllur në botë, është një precedent i mbyllur në Shqipëri, është më pak se dritëshkurtësi, nuk dua ta quaj idiotësi sepse e quajti Hakorja dhe nuk vlen më shumë se idiotësi, që Prokuroria t’i kërkojë shtypit të mos publikojë”, tha ai.

 Një reagim ka ardhur edhe nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë.

“Në emër të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë e refuzojmë kategorikisht këtë urdhër të paprecedent, i cili në vetvete e tradhton inteligjencën juridike të vetë Prokurorisë! Organi i prokurorisë mund të nxjerrë një urdhër të tillë vetëm për stafet e tyre, për punonjësit që përfaqësojnë grupin hetimor, por kurrsesi nuk mund të urdhërojnë një pushtet tjetër që nuk ka lidhje me të, i cili kontribuon në transparencën publike dhe rritjen e informimit publik”! 

Sipas Unionit të Gazetarëve ky urdhër është një kërcënim megjithatë gazetarët shqiptarë nuk do të ndalen. Përkundrazi do të stimulohen më shumë për të operuar në mënyrë maksimale në interes të informimit publik.

LUAN-RAMA-1280x706.jpg
ad min13:51 | 06/06/2019

Zv/kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, përmes një konference për mediat reagoi në lidhje me përgjimet e publikuara nga gazeta gjermane “BILD”. Sipas Ramës, përgjimet e publikuara tregojnë se krimi i organizuar përmes krimit elektoral është shndërruar në krim shtetëror.

“Krimi elektoral për fat të keq është i shtrirë në një zonë më të gjërë. Dosja 339 edhe për aq sa na është dhënë përmes publikimit të disa përgjimeve, edhe ato që u dhanë së fundmi nga BILD është mjaftueshme për të kuptuar se krimi i organizuar përmes krimit elektoral është shndërruar në krim shtetëror.

Të gjithë tashmë e kanë të qartë se si janë vjedhur votat, si janë blerë votat dhe si është krijuar mazhoranca e krimit. Të gjithë janë të qartë se si janë bërë listat për deputet të mazhorancës”, tha Rama.

Për sa i përket reagimit të depuetetëve socialistë në lidhje me nxjerrjen e sekretit hetimor, Rama tha se ata kanë problem përmbajtjen e përgjimeve të zbardhura.

“Ruajtja e sekretit hetimor është çështje e prokurorisë dhe jo e deputetëve të mazhorancës. Halli i deputetëve të mazhorancës është përmbajtja e përgjimeve të zbardhura. Përmbajtja e dosjeve që mbahen të mbyllura dhe pa u trajtuar ligjërisht siç e kërkon ligji, të cilat nëse nuk do ishin publikuar do ishin varrosur për shkak të një prokurorie të kapur”, tha Rama.

Urdhrin e prokurorisë për të mos publikuar më përgjimet e dosjes në media, Luan Rama e konsideroi akt të shëmtuar që cenon lirinë e medias dhe të drejtën e shqiptarëve për informim./abcnews.al

prokuroria.jpg
ad min18:30 | 05/06/2019

Organi i akuzës ka nisur hetimin për nxjerrje të sekretit hetimor, pas publikimit të këtyre audio-përgjimeve. Ndërkaq Kryeprokurorja Marku u bën thirrje prokurorëve që po ndjekin dosjet “339” dhe “184” që të hetojnë dhe të zbardhin sa më shpejt këto çështje.

Prokuroria e Përgjithshme njofton opinionin publik se po ndjek çështjen me shumë vëmendje dhe kërkon dhe u bën thirrje prokurorëve që kanë në hetim cështjet 339 dhe 184, si autoritetet e vetme në ushtrimin e ndjekjes penale për këto çështje, që të hetojnë dhe të zgjidhin pa humbur kohë këto çështje, duke vënë para përgjegjësisë penale këdo që ka konsumuar një vepër penale.

“Ky është jo vetëm detyrim kushtetues dhe ligjor, por edhe një detyrim publik për të bërë të qartë çfarë ka ndodhur me këto çështje dhe çfarë kanë ato në përmbajtje”,- thuhet në njoftimin e Prokurorisë se Përgjithshme.

“Prokurori i Përgjithshëm ndjehet i indinjuar që në radhët e prokurorisë akoma militojnë prokurorë apo punonjës të tjerë që janë gati që për interesa të vogla personale të bëjnë pazar me çdo dosje penale duke kontaminuar opinionin publik me informacione të paketuara dhe të pa-verifikuara nga ata vetë si autoritete përgjegjëse për hetimin dhe verifikimin e tyre- vijon njoftimi.

Ndërkohë Prokuroria e Tiranës bën të ditur se ka nisur hetimet për “nxjerrje të sekretit hetimor” pas përgjimeve te publikuara nga gazeta gjermane “Bild”. Përmes nisjes se hetimit kryesisht, Prokuroria e Tiranës kërkon të mësoje se nga kanë dalë përgjimet e kryera në lidhje me anëtarët e grupit kriminal të dosjes 339 dhe 184.

Ndërkaq Prokuroria e Krimeve të Rënda që ka nën hetim këto dosje, njofton se po kryen me intesitet hetimet për të vënë përpara përgjegjësisë penale cilindo prokuror, oficer policie gjyqësore apo subjekte të tjera që kanë abuzuar rëndë me detyrën duke bërë publikimin e akteve përpara se të kryenin detyrën e tyre. Ne njoftim thuhet se  kjo është bërë me qëllim pengimin e hetimit, paragjykimin e tij si dhe komplikimin e mëtejshme të hetimeve në këtë procedim penal.

“Faktet e publikuara ditën e sotme në media dëmtojnë rëndë vijimin e ndjekjes penale të këtij procedimi penal aq më tepër kur hetimet nga ana jonë janë intensifikuar”- thuhet në njoftimin për shtyp të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Prokurorët Dritan Prençi dhe Vladimir Mara kanë urdhëruar që të behet ndalimi i publikimit të akteve të dosjes 339. Prokurorët kanë theksuar se kushdo që shkel këtë urdhër do të ngarkohet me përgjegjësi penale. /ABC News Albania 24/7


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono