përgjime

prokurori.jpg
G. P.17:52 | 11/07/2018

Hetimet për efektivin e policisë Haki Dyli, të përfshirë në akte korrupsioni, kishin nisur që në janar të këtij viti. Përgjimet e bisedave telefonike tregojnë shumë komunikime të tij me persona të tjerë, ku bëhen pazare, në këmbim të favoreve nga gjyqtarë të Gjykatës së Durrësit.

Efektivi i policisë Haki Dyli me detyrë trupë shërbimi në Gjykatën e Durrësit, i cili u prangos të martën nga uniformat blu, ishte nën hetim prej disa muajsh. Ai premtonte të ndërmjetësonte në emër të gjyqtarëve dhe prokurorëve për zgjidhjen e proceseve gjyqësore.

Shkak për fillimin e përgjimeve për Dylin ishte bërë një sinjalizim në polici i vetë kryetares së Gjykatës së Durrësit, Joana Qeleshi, më 30 Janar të këtij viti. Informacionet që kishin mbërritur tek ajo për implikimin e këtij efektive në këtë veprimtari korruptive, iu referuan policisë e më pas Prokurorisë së Durrësit që nisi hetimin.

Numri i telefonit të punonjësit të policisë u vu në përgjim si person në rolin e sekserit të mbetur në tentativë, ku sipas prokurorisë së Durrësit, doli edhe avokati Devis Qana.

Organi i akuzës thekson se Devis Qana dhe Haki Dyli zhvillojnë komunikime të shkurta e më pas takohen fizikisht për shkak së zyra e avokatit është pranë Gjykatës. Gjatë bisedës së regjistruar më datë 14 Prill 2018, pretendohet se një prokurore i ka kërkuar 2 mijë euro për të mbyllur një çështje.

B- Po Haki!

A- Hajde se kam një punë tepër urgjente!

B- Erdha erdha…

B- …ai ishte avokat apo sekser?!!

A- …mua më tha që do ja pushoj çështjen patjetër.

B- Mua më tha kështu…unë do ta mbyll çështjen brenda 2-3 vleftësim-ndalimi dhe caktimi masë sigurimi. Djalin do ta nxjerr të pafajshëm. Do t’u jap dhe një dokument që djali është i pafajshëm.

A – Kështu me tha dhe mua…

B- Donte 600 mijë lekë për vete dhe 2 mije euro Prokurorja…

Më herët më datë 7 Mars rreth orës 10 e 30 minuta, Haki Dyli zhvillon një bisedë telefonike me një person. Polici Dyli i kërkon bashkëfolësit 1 mijë euro, të cilat siç thotë ia kishte kërkuar djali i punonjësit të Gjykatës së Durrësit.

A – …erdhi sot urgjent ai zotëria.. tha pasnesër ke 1000 euro. Mirë i thashë dakord!

B – Erdhi sot urgjent eee?!

A – Po, ai i biri.

B – I biri?

A – E pra, nga Vlora.

B – Aaaa ku është aty?

A – Po erdhi e unë nuk e njofta fare i vajta i thash lëviz makinën që ktej, kur ai më tha mua nuk po më njeh!!…eee do vij pasnesër.

B – Ashtu tha?

A – Po…do vij vetë tha pasnesër e do të sjell tha gjysmat e lekëve, do ma bësh hallall tha se nuk kam pas mundësi e kam pas lakun në grykë tha…

Por në një rast tjetër, Haki Dyli tregohet më i kujdesshëm dhe flet me kode.

A – Përshëndetje

B – Përshëndetje, si je Haki mirë? Me kërkon ndonjëri aty te gjykata?

A – Jo të mora unë vete…..?

B – Po…

A – Tashi dëgjo mua se ndërmjetesit i kanë këto, kur bëhesh ndërmjetës…

B – Më thuaj….

A – I thuaj babit do t’i sjellë 150 unë dhe do t’ja vonoj një cikë atë qindëshen.

B – po mirë pa problem i them unë…”

Punonjësi i policisë Haki Dyli dhe avokati Devis Qana do të dalin të enjten për njohjen me masën e sigurisë në Gjykatën e Durrësit për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike e kryer në bashkëpunim”./abcnews.al

taulant-balla.jpg
G. P.21:24 | 05/07/2018

Akuzat e ndërsjella midis kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, kanë vazhduar edhe në seancën plenare të së enjtes. Deputeti socialist e ka njoftuar se të martën e pret në gjykatë, ndërsa kreu demokrat e ka paralajmëruar se shumë shpejt një tjetër aferë korruptive do të zbulohet, ku i përfshirë pretendon se është edhe Taulant Balla.

E ka fjalën për kryetarin e grupit socialist Taulant Balla.

Por fjalimin e përgatitur nuk e kishte dedikuar për deputetin Balla kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha. Ai kërkoi t’i tregonte shqiptarëve se në 10 muaj u provua se pushteti i Edi Ramës është degraduar, kalbëzuar dhe ka falimentuar plotësisht.

“Në 10 muaj Shqipëria ka prodhuar kronika të krimit politik më shumë se e gjithë Evropa në 10 vjet”, tha Basha.

Edhe mos hapja e negociatave ishte rezultat i zgjedhjes së vetëdijshme të Edi Ramës për të mbrojtur Saimir Tahirin, Fatmir Xhafajn, Gjiknurin, Dakon, Habilajt, Balilët dhe të gjithë kokat e krimit dhe politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin deklaroi Lulzim Basha, sipas të cilit, këta janë peshqit e mëdhenj që kërkojnë ambasadorët.

“Oqean? Mos gënjeni veten tuaj zotërinj ambasadorë, se shqiptarët nuk gënjehen më! Peshqit e mëdhenj janë në krahun tuaj në çdo pritje zyrtare dhe në podiumin e qeverisë këtu në parlament”, tha Basha.

Përgjigjen ia jep numri dy i Partisë Socialiste, i cili i kujton se nga vjen e kush e strehoi dhe promovoi politikisht peshkun Balili.

I rikujton edhe personazhe të tjerë të lidhur me botën e krimit dhe trafiqeve që Taulant Balla thotë se përgjigjen e Lulzim Bashës e pret në gjykatë.

I sigurtë duket socialisti Balla për vendimin e gjykatës në favor të tij dhe këtë e shpreh me tonet këmbëngulëse nga foltorja e parlamentit.

“Çoje kokën! Të martën të pres në gjykatë dhe mos merr raporte si për Rrugën e Kombit apo të ikësh në Holandë”.

Të njëtën kërkesë ia përsërit, ndërsa shkembehen në korridorin që i ndan, por kryedemokrati vendos t’i përgjigjet publikisht akuzës.

“Derrkuci i Yaris-it harron diçka. Më akuzon mua se kam dalë me vëllain e personave që u dyshonkan se janë pas parave të Toyota-s. E para punës, n.q.s ai qenka i dyshuar pse nuk e keni arrestuar deri më sot. E dyta, po ju keni vëllain e dënuar të ministrit të Brendshëm. Hanit, pinit nga mëngjesi deri në darkë me të. Çfarë standardi keni ju”?

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, reagon pa mikrofon ndaj akuzave. Në fund zgjedh vetëm të dëgjojë vazhdimin e fjalës së kryetarit të Partisë Demokratike që në të vërtetë është një tjetër paralajmërim.

“Derrkuci i Toyota Yaris-it, garanti i parave të pista të drogës dhe disa të tjerë që nuk janë këtu, jeni të përgjuar nga shërbimet e huaja, duke folur me Bacën në Selanik. Ah sa keq! Se shërbimet tona flenë gjumë. Jeni përgjuar duke dhënë garanci. Jua kanë vënë kryqin nga Uashingtoni në Bruksel, nga Belgjika në Romë. Së shpejti kryqin do t’ua venë shqiptarët”.

Kaq detaje dha Lulzim Basha për përgjimin e radhës, duke lënë të hapur se koha do ta vërtetojë vërtetësinë e deklaratës së tij./abcnews.al

toyota-1.jpg
G. P.15:14 | 25/06/2018

Mbajtja në përgjime e disa personave të dyshuar për trafik droge nga Krimet e Rënda ka zbuluar dërgesën prej 3.4 milionë euro me dy “Toyota” në Durrës.

Përgjimet telefonike për llogari të një hetimi të Prokurorisë për Krimet e Rënda kundër një grupi të dyshuar për trafik droge ka zbuluar dërgesën prej 3.4 milionë euro cash të bllokuara të dielën në portin e Durrësit. Burime të rezervuara bënë me dije për ABC News se gjatë veprimeve hetimore proaktive përmes metodave speciale gjatë këtij hetimi autoritetet kanë dëgjuar biseda mbi përpjekjen e trasnportit të një shume cash drejt Shqipërisë.

Transkiptimi i përgjimeve ka bërë më të qartë tablonë dhe faktin se paratë do vinin në bordin e një mjeti të porositur për tregun shqiptar. Pas mbërritjes së kësaj ngarkese në portin e Ankonas në kushte të konfidencialitetit të plotë janë sinjalizuar autoritetet policore portuale të Durrësit, të cilët kanë pritur trailerin, ku ndodheshin mjetet e dyshuara.

Kontrolli fizik zbuloi shumën prej 3.4 milionë euro në brendinë e dy automjeteve “Toyota” të ngarkuara në trailerin që shërben për transportin e automjeteve. Ato ishin pjesë e një ngarkese prej 9 automjeteve në total, nga të cilat shtatë “Toyota”, një “Opel” dhe një “Alfa Romeo”.

Sipas burimeve, sasia e parave ishte voluminoze për shkak të prerjeve të vogla dhe ishin vendosur në të gjithë xhepat anësore të mjeteve, në kroskot dhe poshtë sediljve. Burime të ABC News konfirmuan se porositësi i mjeteve është një biznesmen shqiptar, pronar i një servisi automjetesh në kryeqytet.

Pas kryerjes së veprimeve të para prokuroira e Durrësit ka regjistruar procedim penal për veprën penale të “pastrimit të produkteve të veprës penale”. Ndërkohë që pritet që dosja të merret në dorë nga Prokuroria për Krimet e Rënda. Aktualisht, policia ka ndaluar dy shoferët e trailerit dhe administratorin e shoqërisë së transportit./abcnews.al

KRONIKE-PD-NE-KOMISIONE-NOKA-1280x720.jpg
ent ela14:56 | 21/05/2018

Opozita demokrate ka vijuar pjesëmarrjen në komisionet parlamentare edhe ditën e hënë ku ka marrë vijuar me të njëjtën axhendë si ajo e javës së kaluar, denoncimin e çështjes Xhafaj si më të rëndësishmen për vendin. Lidhur me këtë çështje deputeti Flamur Noka njoftoi edhe ekzistencën e përgjimeve të tjera të cilat pritet të bëhen publike në vijim.

Edhe këtë fillim jave Partia Demokratike duket se po vijon strategjinë e zbatuar ditët e fundit, kthimin e debatit në komisionet parlamentare tek ajo që quajnë “çështja më me rëndësi e momentit”, çështja “Xhafaj” për të cilën deklarojnë se të rejat nuk kanë mbaruar ende.

“Është e paparanueshme të poshtërohet kaq rëndë Shqipëria. T’i thuash Europës që unë nuk kam asnjë individ normal ta përzgjedh si ministër të brendshëm, sepse sipas kryeministrit këtu të gjithë u merrkan me drogë dhe pikërisht në institucionin që duhet të jetë siç ia jep tagrin ligji e kushtetuta, në ballë të luftës kundër krimit e trafikut. Kjo nuk ndodh në asnjë vend të botës së tretë, jo në një vend të Europës ku ne po shkojmë çdo ditë e po trokasim pavarësisht se shkojme me atlete apo me këpucë. Ai përgjim ambiental dhe një tjetër që do dalë shumë shpejt do vërtetojë se përveç faktin që ka qenë dikur i përfshirë në trafik droge vëllai i Ministrit të Brendshëm ka vijuar të jetë aktiv duke pasur mbrojtje Ministrin e Brendshëm”.

Ashtu si në komisionin e ekonomisë edhe kolegët demokrat të paraqitur në komisionin e ligjeve  debatuan kauzën e tyre dhe përsëritën thirrjen për dorëheqjen e ministrit Fatmir Xhafaj, gjë për të cilën kanë thirrur qytetarët në protestë të shtunën e 26 majit. /abcnews.al

pergjimet-e-hoxhes-1280x665.jpg
G. P.18:48 | 16/03/2018

Pasi ka regjistruar rrëfimin e 21 vjeçares Marjana Çmeta, hoxha Hysen Shehu është përgjuar nga bashkëshorti i saj. Gjithçka ka qenë një veprim i miratuar nga Gjykata për Krimet e Rënda për llogari të hetimit të vrasjes. “ABC Neës” zbardh përgjimin ambiental të kryer në zyrën e hoxhës.

Pasi trokiti në Prokurorinë për Krimet e Rënda për hetimin e dyshimeve të vrasjes së nënës së tij nga e shoqja, Oltion Lami ka bashkëpunuar me organet e drejtësisë. Për llogari të hetimit, ai ka pranuar të takojë hoxhën Hysen Shehu, duke mbajtur përgjues me vete. Pa ditur se po regjistrohej, Shehu ka rrëfyer se kush tjetër kishte dijeni për videon që ai kishte bërë. ABC News zbardh përmbajtjen e përgjimit ambiental të kryer në 2 shkurt 2018 në zyrën e hoxhës, i njëjti ambient, ku Marjana Çmeta kishte rrëfyer se si kishte helmuar me fotoksinë në lëng frutash vjehrrën dhe më pas mbyti me duar.

Hysen Shehu: Le t’i djegi. Çfar kam tregu, s’kam tregu asgjë. Aq sa di ti, as shumë e as pak. Atë e di unë, i fut një dilit. Pse do kisha belanë unë. Unë dhe babi jot kur e pa shkon dhe e quan fakt të kry atje.

Oltion Lami: Pse e ka pa babi, e ka pa videon krejt?

Hysen Shehu: Po.

Oltion Lami: Me kë ka qenë?

Hysen Shehu: Ka qenë me këpucarin, me Benin, kupton.

Oltion Lami: Po.

Sipas dosjes hetimore, në deklarimet paraprake, hoxha Hysen Shehu ka pohuar se nuk i kishte marrë seriozisht fjalët e Marjana Çmetës gjatë rrëfimit të saj. Sipas tij, ajo duhet të kurohej nga një mjet psikiatër dhe për këtë shkak nuk ka vlerësuar se kishte të bënte me një akt kriminal të kryer prej saj. Ai ka treguar se fillimisht videoregjistrimin ia kishte treguar Oltion Lamit, djalit të viktimës dhe më pas bashkëshortit të saj dhe xhaxhait të tij./abcnews.al

vlcsnap-error715-1280x720.jpg
G. P.18:20 | 15/02/2018

Në seanën e të enjtes tek Krimet e Rënda, ku gjykohet për vrasjen e gruas së tij Suela Sula, Sadetin Sula, dëgjoi regjistrime audio me zërin e bashkëshortes së ndjerë. Në bisedat audio shfaqej përplasja e tij me të shoqen për motive xhelozie dhe dyshimet mbi atësinë e një prej fëmijëe. Regjistrimet u gjetën në telefonin e viktimës dy vjet pa ngjarjes dhe i dhanë një kthesë të fortë hetimit, duke arrestuar ekzekutorin.

Procesi gjyqësor ndaj Sadetin Sulës tek Krimet e Rënda, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, Suela Sula, ka vijuar të enjten me dëgjimin e pesë regjistrimeve audio të debateve mes bashkëshortëve para ngjarjes. Përgjimet e bisedave janë gjetur nga Prokuroria në telefonin e viktimës Sula, që dyshohet të jetë vrarë në Prill 2016 në mobilerinë e familjes për motive xhelozie.

Në regjistrimet e bëra në Shtator 2015, i pandehuri Sadetin Sula i vinte në dyshim bashkëshortës atësinë e tij tek një prej fëmijëve të çiftit.
Në debat e sipër, ai i kërkontë kryerjen e analizës së ADN-së, si edhe kërcënonte me divorc.

“Nëse e bëjmë analizën për një, e bëjmë edhe për dy të tjerët, se nuk di unë ç’thua pas dy vitesh ti”, dëgjohej zëri i së ndjerës.

Në një tjetër regjistrim dëgjoheshin edhe biseda mes Sadedin Sulës dhe punëtorit të mobilerisë, Fatjon Karmeshta, i dyshuar si ekzekutor i gruas.
Gjatë këtyre bisedave Sula i kërkonte ndihmë Karmeshtës t’i bëjë magji bashkeshortes se tij që t’i bindej atij, si dhe i druhej divorcit, pasi mund t’i ndahej pasuria.

Zbulimi i këtyre audiove gati dy vjet pas ngjarjes në telefonin e viktimës i dha një kthesë të fortë hetimit.

Ndërsa për vrasjen po gjykohej Sadedin Sula, përgjimet në fjalë nxitën hetuesit të krahasonin materialin gjenetik të gjetur në thonjtë e viktimës me ADN-në e punonjësit të mobilerisë, Fatjon Karmeshta.

Ekspertimi vërtetoi se profilet përputheshin. Për këtë shkak, gati dy vjet pas ngjarjes, Karemshta u arrestua si personi që ka vrarë Suela Sulën, me porosi të ish-punëdhësit të tij Sadetin Sula.

Në seancën e radhës, Karmeshta do të thirret si dëshmitar në këtë proces./abcnews.al

vlcsnap-error418-2-1280x720.jpg
G. P.17:15 | 24/01/2018

Gjykata për Krimet e Rënda caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për Fatjon Karmeshtën, i akuzuar si ekzekutor i Suela Sulës, në Prill 2016-s në Shkodër. Sipas prokurorisë, vrasja ishte porositur nga bashkëshorti i viktimës, Sadedin Sula, për motive xhelozie, i cili po gjykohet në një proces tjetër tek Krimet e Rënda.

Ky është Fatjon Karmeshtna, 35 vjeç, baba i katër fëmijëve të mitur.

Gjykata për Krimet e Rënda caktoi për të masën e sigurisë “arrest në burg”. Ai dyshohet të jetë ekzekutori i Suela Sulës, në fshatin Melgushë të Shkodrës. Në 18 prill 2016, ajo u gjet e mbytur në tualetin e një mobilierie në pronësi të saj dhe bashkëshortit, ku ishte i punësuar edhe Karmeshtna.
Sipas prokurorisë, vrasja është porositur nga bashkëshorti i viktimës, Sadedin Sula, për motive xhelozie. Sula po gjykohet ndërkohë tëk Krimet për vrasjen. Gjatë shqyrtimit të provave, lindën dyshime se ekzekutori ishte një tjetër person.

Prokurori tha se nga kqyrja e telefonit të viktimës janë përfituar disa regjistrime audio. Në këto regjistrime Sadedin Sula bashkëbisedonte me Karmeshtnën, me të cilin rezulton se ka një raport të ngushtë, për raportet mes biznesmenit dhe bashkëshortes dhe dyshimet rreth saj.
Kjo ka nxitur hetuesit te krahasojnë materialin gjenetik të gjendur në thonjtë e viktimës, me material gjenetik të Fatjon Karmeshtnës, marrë në një shishe uji të përdorur prej tij. Ekspertimi i ADN-së ka vërtetuar se dy profilet përputheshin.

“Viktima është përpjekur t’i rezistojë tentativës së të dyshuarit Fatjon Karmeshtna për ta mbytur dhe gjatë kontaktit fizik materiali biologjik i këtij të fundit ka mbetur i fiksuar në thonjtë e saj”, tha prokurori.

Gjatë seancë Karmeshtna dëgjoi me qetësi prokurorin. Ai nuk pranoi të japë shpegime, duke thënë “do të flas në një moment tjetër”. Me herët avokati i tij kërkoi një masë më të butë sigurie.

Përveç izolimit në paraburgim, prokurori i kërkoi gjykatës edhe që i dyshuari Karmeshtna të vuajë masën në paraburgimin 302 dhe të mos i lejohet asnjë kontakt me ish punëdhënësin e tij, të pandehurin Sadedin Sula./abcnews.al

vlcsnap-error228-1280x720.jpg
G. P.15:35 | 21/01/2018

Pak orë pas vrasjes së Oliver Ivanoviç, bashkëpunëtorët e tij dhe politikanë serbë në Kosovë dhe Beograd përjashtonin opsionin që prapa ekzekutimit qëndrojnë shqiptarët. Ata dyshojnë se vrasjen e ka kryer mafia serbe me në krye Milan Radojiçiç. Ndërsa organizimin e ka bërë shteti serb. Kjo dëshmohet në një bisedë telefonike mes një kryetari të një partie në Beograd dhe një anëtari serb të këshillit komunal në veri të Mitrovicës. Portali “Insajder” sjell bisedën e tyre telefonike të përgjuar.

Nikola Sanduloviç, kryetar i Partisë Republikane e kishte këshilluar Ivanoviçin që të kërkonte mbrojtje në Prishtinë. Por këtë këshillë Ivanoviq e kishte shpërfillur. Tre muaj më vonë, ai u ekzekutua me gjashtë plumba para selisë së partisë së tij në veri të Mitrovicës.

Insajderi ka vendosur që për shkaqe sigurie të mos ia zbulojë identitetin anëtarit të këshillit komunal në veri të Kosovës, i cili edhe gjatë bisedës telefonike prej 13 minutash shfaqet i frikësuar. Biseda është zhvilluar ditën e vrasjes së Oliver Ivanoviç. Shef të nëntokës dhe të krimit ai e cilëson Milan Radojiçiç, për të cilin kryeministri kosovar thotë se e ka bashkëpunëtor. Me të, Haradinaj ishte takuar gjatë negociatave për koalicionin qeverisës.

Gjatë bisedës telefonike që ka siguruar Insajderi, Lideri i Partisë Republikane e pyet bashkëbiseduesin se cilat janë informatat rreth vrasjes së Ivanoviçit. Në këtë bisedë përmendet edhe ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Slobodan Petroviç. Për të thuhet se në veri shkon vetëm kur vritet dikush. Ndërkohë, anëtari i këshillit komunal të Mitrovicës së Veriut e cilëson Listën Serbe si makineri të rrezikshme që nuk mund të ndalet.

“Unë i kam parë zgjedhjet parlamentare, por mendova se atëherë ata favorizoheshin për shkak të Ushtrisë së Kosovës, por në zgjedhjet lokale e pashë se askush më nuk mund t’i ndalë. Kjo nuk mund të ndalet. Kjo është makineri e rrezikshme. Unë më nuk i besoj procesit të zgjedhjeve”, thotë ai.

Ndërkohë, nga ana tjetër autoritetet Kosovare vazhdojnë hetimet për zbardhjen e rastit. Aktualisht janë marrë videoregjistrimet e kamerave të sigurisë në selinë e iniciativës qytetare për “Liri, Demokraci, Drejtësi” për ekzaminim. Ndërsa është zbuluar se një automjet i gjetur i djegur në Mitrovicën Veriore është e regjistruar në Serbi./abcnews.al

vlcsnap-error457-1280x720.jpg
us er10:50 | 04/12/2017

Një shtetas Italian u ndalua në portin e Durrësit kur po kalonte kufirin drejt Italisë.  Italiani me iniciale G.I sipas autoriteteve policore kishte me vete një pajisje e cila dyshohet  që shërbente për kryerjen e përgjimeve.  Por vetë i ndaluari ka thënë që ajo është një aparaturë  për matjen e cilësisë së ujit.  Megjithatë ai u ndalua, kurse aparatura iu dërgua ekspertëve për verifikim. Shtetasi italian ishte futur në Shqipëri vetëm para pak ditësh me shpresën se do të lidhte ndonje kontratë me kompani të ndryshme  për matjen e cilësisë së ujit, por në mungesë të një kontraktori ka vendosur të largohet.  Për policinë aparatura ka ngjashmëri me ato pergjuesë, ndaj deri në verifikimin e plote të saj kanë vendosur ta mbajnë të izoluar Italianin./abcnews.al

vlcsnap-error377-1280x720.jpg
us er21:08 | 12/11/2017

Telefonatat nga burgu të Gentian Dodës kanë qenë çelësi i hetimit që çoi në qeli gjyqtarin e Apelit, Shkëlqim Miri, i dyshuar për “korrupsion”. “ABC News” ka siguruar ekskluzivisht dosjen e prokurorisë, ku dalin në dritë përgjimet telefonike dhe kontaktet e gjyqtarit me kushëririn e tij Kujtim Miri, i dyshuar si ndërmjetës i rryshfetit.

 

Hetimi i Prokurorisë për Krimet e Rënda për aferën korruptive ku dyshohet të jetë përfshirë gjyqtari i Apelit Tiranë, Shkëlqim Miri, ka nisur në 26 janar 2017. Përgjimi i një numri telefonik të përdorur në qeli nga ana e Gentian Dodës, i dënuar për një ngjarje të vitit 1997 në Burrel, ka qenë çelësi i hetimit. Përmes telefonit Doda u kërkonte personave jashtë burgut t’i siguronin një shumë prej 30 mijë euro, që dyshohet të jetë përdorur për rryshfet në Apel.

 

“ABC News” ka siguruar ekskluzivisht dosjen e prokurorisë, ku zbardhen përgjimet dhe detajet e historisë që çoi në qelitë e paraburgimit ish-anëtarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.  Në respekt profesionalizmit dhe ruajtjes së sekretit hetimor televizioni nuk do të publikojë emrat e personave të tjerë të përfshirë në hetim.

 

Sipas prokurorisë, shuma prej 30 mijë euro është siguruar nga ana e Alban Buçit, i shpallur në kërkim, dhe një familjari të Gentian Dodës, i identifikuar nga hetimi. Totali është siguruar nga dy shuma të veçanta prej 15 mijë euro.

 

Sipas dosjes, në një bisedë telefonike të datës 23 maj 2017 në orën 12:00 Gentian Doda udhëzon të afërmin e tij për sigurimin e parave. (fq8)

 

“Do me plotësu si do që të jetë, kur të japin ky 15 euro. Kështu që ti sa ke aty. I ke 15 euro të gatshme, apo ke 14. Sa janë.

Duhet të plotësosh 30 dhe t’i çosh diku me Albanin”

 

Pas mbledhjes së parave, prokuroria pretendon se ato i janë dorëzuar Kujtim Mirit, aktualisht i arrestuar, kushëri i gjyqtarit Miri në një lokal në zonën e Fushë-Krujës në 23 maj 2017. Ky veprim është regjistruar nga kamerat e sigurisë.

 

Pas këtij dorëzimi, Alban Buçi i ka dërguar një sms Gentian Dodës, duke i shkruar në anglisht tekstin “Çdo gjë në rregull tani, nga mesi i muajit tjetër”. Teksti përfundonte me tre emoji duarsh, që sipas prokurorisë ishte gjuhë e koduar, duke nënktuptuar që tre gjyqtarët jepnin miratimin.

 

Në komunikim telefoinik të datës 25 maj mes Alban Buçit dhe nënës së Gentian Dodës, Buçi i jep asaj garanci se i biri do të lirohej nga burgu.

 

“Rri pa merak. Ta jap unë me garanci se për dy javë e ke jashtë, sepse kam mbaruar punë unë para nja dy ditësh. Kam qenë i kam takuar unë ato. U kam dhënë ca dokumente. I kam dhënë një thes me dokumenta”.

 

Por cfarë e lidh në këtë hetim Kujtim Mirin me gjyqtarin, përveç marrëdhënies së tyre të farefisnisë?

 

Referuar dosjes, prokuroria ka vënë re komunikime të shpeshta telefonike mes Kujtim Mirit dhe gjyqtarit Shkelqim Miri, i cili ishte pjese e trupit gjykues të dosjes së Dodës në Apel.  Sipas të dhënave, ditën e dorëzimit të parave, Kujtim Miri gje gjyqtari kanë komunikuar tre herë në telefon, para dhe pas veprimit në Fushë-Krujë. Ata janë pasur komunikime edhe në datat 24, 25 e 26 maj 2017, në 4 dhe 5 qershor 2017, si edhe një ditë pas shpalljes së vendimit në Apel në 8 qershor 2017.

 

Nërkohë, në 7 nëntor 2017 është thirrur për të dhënë shpjegime në Prokurorinë për Krimet e Rënda. Pasi ka lënë ambientet e prokurorisë ai ka udhëtuar drejt Fushë-Krujës. Por në të njëjtën ditë, sipas prokurorisë, ai ka takuar gjyqtarin e akuzuar për “korrupsion”, Shkëlqim Miri. Nga të dhënat e siguruara nga “ABC News” rezulton se Kujtim Miri është takuar me gjyqtarin Shkëlqim Miri në ambientet e jashtme të një lokali në rriugën “Islam Alla”. Ajo që nuk ka ditur gjyqtari dhe i afërmi i tij ishte se takimi mes tyre është vëzhguar nga agjentët e policisë./abcnews.al

 


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore.


Kontakt

Telefono