pergjigjet

Zalenski.jpg
nev ila12:54 | 04/05/2019

E vetmja e gjë e përbashkët mes Rusisë dhe Ukrainës është kufiri. Ëshët ky reagimi i presidentit të ri ukrainas Zelenski pas deklaratave të presidentit rus Putin. Ky i fundit ishte shprehur se rusët dhe ukrainasit janë i njëjti popull.

Presidenti i ri i Ukrainës është shprehur qartë për sa i përket politikës që do të ndjekë ndaj Rusisë. Zelenski u shpreh se e vërteta sot është se pas aneksimit të Krimesë dhe sulmit të Donbas, e vetmja gjë që Ukraina dhe Rusia kanë të përbashkët, është kufiri.

Deklarata e kreut të shtetit ukrainas, erdhi pasi presidenti rus Vladimir Putin, pak ditë më parë u shpreh se rusët dhe ukrainasit janë një popull i vetëm. Lideri i Kremlinit së fundmi ka firmosur një dekret kontrovers sipas të cilit banorëve në zonat juglindore të Ukrainës të pushtuara nga separatistët filorusë, u lejohet të marrin pasaportë ruse me një procedurë shumë të thjeshtë.

Ky vendim shkaktoi një debat në distancë mes presidentëve Zelenski dhe Putin./ABC News Albania 24/7

Rama-Haradinaj-1.jpg
ad min20:40 | 01/05/2019

Kryeministri Rama iu përgjigj përmes rrjeteve sociale akuzave të një dite më parë të kryeministrit Haradinaj, se shefi i ekzekutivit të Shqipërisë, i kishte bërë presion më shumë se të gjithë në Berlin për heqjen e taksës mbi produktet serbe. E vërteta ime me shumë dëshmitarë, nis replika e kryeministrit me kritika ndaj homologun Kosovar, për publikim të detajeve të një bisede informale.

Reagimi i plotë

E vërteta ime me shumë dëshmitarë

Si rregull udhëheqësit nuk i komentojnë në publik bisedat mes tyre e sidomos ato informale, aq me tepër pa rënë dakord paraprakisht dhe lerë pastaj t’i shtrembërojnë, duke gënjyer për të dalë “burra të mirë” para popullit të tyre, si të ishin duke shitur mish në pazar.

Me vjen sinqerisht keq që miku im Ramush, nuk e ka mësuar ende këtë rregull kaq të thjeshtë, megjithëse normalisht ky s’është as ndonjë rregull udhëheqësish në fakt, po një normë elementare mirëkuptimi njerëzor. Nuk është hera e parë që e bën, po është hera më e gabuar dhe prandaj këtë herë, s’e kaloj dot në heshtje si të tjera.

Askush s’i ka bërë Ramushit presion në Berlin për të hequr taksen. Unë jo e jo. Madje askush as i’a ka kërkuar hiç që ta heqë taksen! Unë jo e jo. Përkundrazi.

Kancelarja Merkel dhe Presidenti Macron, kanë nxitur një diskutim informal në holl mbi rifillimin e dialogut. Kam ndërhyre vetëm një herë, duke thënë se ata duhet të hynin vetë në proces. Më tutje i kanë kërkuar me shumë durim dhe disa herë Ramushit jo ta heqë taksën, po thjeshtë të japë pëlqimin që taksa të pezullohet përkohësisht, për 6 muaj apo edhe për 4 muaj qoftë, duke u zotuar që të hyjnë në procesin e dialogut Kosovë-Serbi ata vetë. Edhe të dy personalisht, kancelarja dhe Presidenti!

I kam sugjeruar Ramushit në dy momente ta pranojë këtë kërkesë të tyre, sepse kam menduar dhe mendoj që përfshirja direkte në nivelin me të lartë e Gjermanisë dhe Francës, boshtit të Bashkimit Europian, u shfaq si një mundësi e re dhe shumë e favorshme për ta shtruar çështjen e finalizimit të dialogut, në nivelin më të lartë të mundshëm.

E kam mbështetur dhe e mbështes edhe sot taksen si një “klithëm” të Kosovës, që ta dëgjojë bota dhe si të tillë edhe e kam mbrojtur, kudo e me këdo. Po unë di që ajo është një taksë që i është vënë Serbisë, jo një mur që i është vënë Gjermanisë, Francës apo SHBA, për t’i ndaluar ta ndihmojnë e ta mbështesin Kosovën, në rrugën e përpjekjes së mundimshme historike drejt njohjes përfundimtare nga gjithë bota. Dhe kur këta aleatë të mëdhenj dhe të pazëvendësueshëm dot nga askush e askurrë (pa të cilët jo Ramushin, po as Kosovën dhe të drejtën e saj njëqind vjet të mohuar s’do ta njihte kurrëkush ende sot), kërkojnë thjeshtë pezullimin e përkohshëm të taksës, në mënyre që të mund ta ndihmojnë e ta mbështesin Kosovën drejt njohjes së saj të plotë ndërkombëtarisht, refuzimi është i pakonceptueshem për mua.

Shtoj këtu se me ka mbetur gozhdë fakti që miqtë e mëdhenj, hasën në një refuzim të pashpjegueshëm edhe kur propozuan që përkundër pezullimit të përkohshëm të taksës, nëse në fund të muajve të dialogut nuk do të arrihej objektivi final i nënshkrimit të paqes, atëherë do t’i hapej përfundimisht rruge liberalizimit të vizave për Kosovën(!).

Gjithësesi, meqë Ramushi u qa publikisht se unë i paskësha bërë më shumë presion se sa Vuçiçi për heqjen e taksës, mua s’më mbetet tjetër veçse të ngushëllohem me faktin qe pas samitit edhe Vuçiçi, u shpreh publikisht ndaj meje po aq i palumtur sa Ramushi.

S’kam dashur dhe s’dua te hyj asnjëherë në polemika publike me askënd në Kosovë, aq me pak me kryeministrin e Kosovës. Uroj që të mos jem i detyruar ta bëj përsëri. Ai ka të drejtën e tij të flasë në emër të Kosovës, po mua s’ma heq dot askush të drejtën të flas për Kosovën. /abcnews.al

thumb-alba-cobaj.jpg
nev ila18:20 | 13/04/2019

E ftuara e emisionit “Thumb” ditën e sotme ishte Alba Çobaj, e cila prej Tetorit të vitit të shkuar ka startuar emisionin “Ditë për Ditë” në TV Klan. Moderatorja e emisionit “Ditë për Ditë” në TV Klan, ka treguar vështirësitë me të cilat përballet çdo ditë në punën e saj. Fatma nuk e ka lënë pa thumbuar Albën me pyetjen e saj pikante.

Fatma: Kë ke kapur që je futur në Klan?.

 Alba Çobaj: “Të jem e sinqertë, nëse do ishte kjo rruga që unë do të kisha zgjedhur, do ishin shumë ndryshe gjërat. Thashë që njerëzit shohin vetëm rezultatin final që ne dalim në ekran, por që gjithë stërmundimin dhe lodhjen tonë nuk e shohin. Nuk kemi as pse tua tregojmë që ne po vuajmë, sepse në fund të fundit është zgjedhja jonë, po bëjmë një gjë që duam. Por që do ishte shumë ndryshe po të ishte si thoni ju”./abcnews.al

isaksakja-848x445.jpg
ent ela18:30 | 31/03/2019

Kryebashkiaku demokrat i Kavajës Isa Sakja, i është përgjigjur Kryeministri Edi Rama. Ky i fundit gjatë vizitës në shkollën profesionale me profil bujqësor në Golem e quajti Sakjan si një individ që nuk ka vizion tjetër për zhvillimin e qytetit veçse ndërtimit të pallateve. Por, sipas kryebashkiakut demokrat, nuk mund të bëhën investime miliona euroshe, kur nuk investon asnjë qindarkë në një bashki vetëm për arsye politike.

Reagimi i plotë:

Kryetari i Bashkisë së Kavajës Isa Sakja: E vërteta e sulmit politik të Ramës është se në 2 vjet u shkatërrua monopoli i rilindjes në ndërtim. Rama ka frikë nga protestat. Sot, Kryeministri Rama përdori një vizite inkonjito në Golem, duke hedhur  fjalën  tym, siç e ka në stilin e tij të konsumuar retorik, për të nxitur një sulm politik ndaj meje.

Zoti Rama,

Që ndërtimi është një valvulë shkarkuese për punësim, këtë duhet ta dish!

Nën drejtimin e demokratëve, në Bashkinë e Kavajës është shembur monopoli i ndërtimit 6-vjeçar të klanit rilindas; kjo është e vërteta. Kjo e ka shqetësuar klikën e rilindasve në qytet, e cila uzurpoi edhe rerën, edhe zhavorrin, edhe mistritë e muratoreve punëtorë në Kavajë për t’ia dhënë të gjitha vetëm një firme. Kjo nuk ndodh me! Çdo propagandë me prapavijë të theksuar politike, retorike boshe, pa asnjë argument nuk mund ta zhbëje këtë të vërtetë.

Nga shkolla e mesme e Golemit, në shoqëri të Kryetarit te Bashkisë së Durrësit, (shpresoj që zoti KM të mos e keni marrë vesh vetëm sot që Golemi është pjesë e Bashkisë Kavaje), pa asnjë kavajas me vete, deklarove se do te ndryshosh një sistem të tërë administrimi, sepse Bashkia Kavajë, që e drejtojmë prej vetëm 2 vjetësh, nuk paska ndërtuar një konvikt që kërkon një investim miliona euro.

Mbasi ndritët Durrësin sot z. Rama dhe z. Dako ju lëshuat Kavajës.

 Në fakt, nuk ka ironi më të madhe se përmendja e fjalës “prokurori” dhe “pallate në rërë ” në prani të Vangjush Dakos. Sot, bashkia e Kavajës zoti Rama, mbasi mbaroi riparimet e  dëmeve që bëri ” rilindja” juaj në Kavajë dhe Golem po bën tamam ato që ju nuk i bëtë dot.

Ajo që sot ne po bëjmë është një park 88 000 metra katrore e një kopsht fëmijësh në mes, aty ku njerëzit e tu e kishin shndërruar në një depozite plehrash. Po bëjmë lulishte dhe parqe  në zonat administrative, ku ju nuk shkelet kurrë!  Zoti Rama duhet ta dish, se në kushtet  kur nuk investon asnjë qindarkë në një bashki vetëm për arsye politike, nuk mund të pretendohen investime disa miliona euro në një konvikt. Është nonsens!

Gjithsesi, te falenderoj se sot zbuluat platformën e sulmit kundër meje, atë të ‘45-ës: kundërshtar politik në litar!

E di, këtë sulm e bën se ke frikë nga protestat!

Ke frikë nga Kavaja, djemtë e vajzat, burrat e gratë e saj që janë në ballë të protestave për rrëzimin tënd.

Po të kishe  me vete djem socialistë nga Kavaja, do të thoshin se unë nuk jam frikacak.Përkundrazi!

Aty, poshtë zyrës tënde, përballë parlamentit do të na kesh, derisa të kuptosh se ora jote mbaroi.

Sa për prokurorinë, ti dhe kushdo tjetër e ka derën e Bashkisë Kavajë të hapur!/t

pd-1-1280x751.jpg
ent ela16:30 | 25/03/2019

Partia Demokratike ka reaguar pas deklaratës së Prokurorisë duke e cilësuar si të paligjshme, gënjeshtërt, të paprecedentë, vetë-diskredituese dhe e gatuar politikisht.
Partia Demokratike nuk ka shkelur asnjë ligj dhe ka deklaruar të gjitha shpenzimet e kryera në vitin 2017, thuhet në selinë e selisë blu, sipas të cilës
pasi gënjeshtra e madhe që kishte ngritur për hetimin e Partisë Demokratike i plasi në dorë, pas informacioneve të ardhura nga SHBA dhe Skocia, Edi Rama në dëshpërim ka vendosur të përdorë sërish prokurorinë duke e kthyer nga institucion të ligjit në institucion qesharak propagande./abcnews.al

rama-1-1280x680.jpg
ent ela12:32 | 09/03/2019

Kryeministri Edi Rama  është pritur me Protesta në Fier. Dhjetëra simpatizantë të opozitës zhvillonin protestë në anë tjetër.

Kreu i Qevesisë nga atje u shpreh se Partia Demokratike nuk do të mbajë dot as gjysmat e bashkive që ka aktualisht, ndërsa PS do fitojë më shumë bashki sesa ka.

“PD, ka frikë nga zgjedhjet, ata nuk do të fitojnë dot asnjë nga bashkitë që në kemi dhe nuk do mbajnë dot as gjysmat e atyre që kanë”.

Rama i cilësoi si ‘100 petritat e Saliut’ që po kërkojnë që të bëjnë revolucion.

“Atje ku  ishim, ku duan të na kthejnë ata pas. Në Fier ka edhe demokratë dhe njerëz të zakonshëm që asnjëherë nuk e kanë vlerësuar PS-në, por jam i bindur që ata nuk kanë asnjë lidhje me ata 100 petritat e Saliut atje te kthesa, të cilët përfaqësojnë ekzakësisht dëshpërimin e madh të Saliut dhe çetës së tij që tani ka mbetur aty ku i takon rrugëve.
Sikur la rrugët, rrugëve e nxori PD-në rrugëve”,  tha Rama.

Opozita ka akuzuar Ramën se ka blerë kandidatët nga listat e tyre vijuese që të pranojnë mandatin e deputetit. Por, Rama sot iu përgjigj Bashës dhe Kryemadhit nga Fieri.

 “Po kur thonë këta që vijnë në parlament janë të Ramës, po unë ua vura në listat e deputetëve? Unë ia mbajta dorën Lulit, unë Lulin e mbajta për dore, por nuk i mbajta dorën. Ata të tjerët nuk janë të gjithë budallenj, u vjen mundësi të vijnë në parlament të marrin rrogë, pension. Pse do të rrijë pas Luanit. Mirë që nuk kanë ide në parlament, por kanë edhe Saliun dhe thanë po ikim. Keni parë ju që kandidati për kryeministër i Shqipërisë vjen me xhup me vezë në xhep dhe ai tjetri vjen edhe m’i hedh mua. Shumica këtu janë normalë jo si këta që po bëjnë revolucion aty jashtë. Pak e nga pak ata po treten rrugëve” tha ai.

Gjithashtu, kryeministri Rama u shpreh se opozita proteston pasi ka hallin e drejtësisë së re.

 “Kujt ti dorëzohemi? Atyre te kthesa? Që në kthesë, janë do të mbeten dhe nuk kanë për ta marrë dot nëse kohët nuk do të ndahen nga kush i ka marrë peng. Peng i ka marrë koka që nuk di ku i çon. Ne iu kujtohet shumë mirë. U lodh nëpër Shqipëri dhe gjithë verën fjeti gjumë. Ndërsa tani prapë nga e para, jo në çadër, por rrugëve. Kur duan të vijnë në Tiranë mbyllin bashkitë e Kamzës, Shkodrës, Kavajës dhe të tjerë. Vijnë edhe ata që u mbyllën lojërat e fatit se kushedi mund të na dalë fati rrugëve. Se po vijnë zgjedhjet, se do të vijnë në Fier, do të kandidojnë Luanin, me ata 100 veta atje? Çfarë do të thotë, se do e kthejmë Gjanicën sikur ishte? Duan të krijojnë gjithë alibinë se zgjedhjet janë kot, blihen dhe shiten. Kanë edhe një hall tjetër, ajo e shkreta reforma në drejtësi, se po ngushtohet laku. Disa halle ata i kanë ua di tërë populli” tha ai.

Ai u premtoi qytetarëve se shumë shpejt do të nisë puna për ndërtimin e një pallati sporti, si dhe po shikohet mundësia për një stadium të ri.

“Do fillojmë punën për pallatin e sporti, ndërkohë kemi folur dhe për stadiumin e ri”, tha Rama./abcnews.al

HARADINAJ-1280x820.jpg
ent ela17:15 | 12/02/2019

Kryeministyri i Kosovës Ramush Haradinaj nuk e ka vonuar përgjigjen e tij ndaj deklaratës së sekreatrit të përgjithshëm të NATO-s Stoltenberg, sipas të cilit FSK nuk mund të shkonte në Veri të vendit pa lejen e KFO-it.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi gjatë ditës se NATO është e zhgënjyer për vendosjen e taksës nga ana e Qeverisë së Kosovës dhe se, sipas tij, FSK-ja s’mund të futet pa lejen e KFOR-it në Veri të vendit.

Por kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj nuk e ka vonuar përgjigjen duke theksuar se ushtria e Kosovës ka të drejtën e plotë të ushtrimit të detyrës në të gjithë territorin e vendit.

 “Ne i kemi ofruar NATO-s një protokoll të ri për vendin. S’ka më Veri dhe Jug. Duhet ta kuptojnë të gjithë, presidenti, unë… mbi ne është Parlamenti. Me 107 vota i është dhënë fuqia ushtrisë për gjithë territorin. Kosova nuk është e intersume. Në Veri jetojnë serbët e Kosovës, janë qytetarët e Kosovës. S’kanë arsye të kenë shqetësim që ushtria mundet mu përdor kundër tyre, kjo është një garancë”, është shprehur ai.

Gjithashtu pas takimit me ambasadorin amerikan në Prishtinë, kreu i ekzekutivit kosovar foli për taksën ndaj Serbisë duke thënë se taksa mund të qëndrojë përjetësisht. Ai tha se Kosova është e lodhur me sjelljen e Serbisë, dhe lojërat që po luhen prej 20 vitesh, e se tashmë është kohë tjetër. Sipas Haradinaj e gjithë kjo nuk ka të bëjë fare me marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në fund të deklaratës së tij për media Haradinaj porositi Komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama, i cili publikoi letrën e qeverisë amerikane për anulimin e viziyës së gjeneralit amerikan ën Kosovë, disa ditë më parë për shkak të taksës ndaj Serbisë. Haradinaj e paralajmëroi Ramën se nëse e ka të vështirë të mbajë ushtrinë, ka njerëz të tjerë që mund ta mbajnë atë post. E në të kundërt ai duhet t’i lërë komunikimet me mediat në duart e personave që merren me këtë gjë./abcnews.al

HARADINAJ-PER-TAKSEN-ABC-M3-T1.mpg_snapshot_00.00.jpg
ent ela17:30 | 05/02/2019

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj i është përgjigjur ashpër deklaratës së Maja Konçijançiç sipas së ciilës dhe Trepca duhet të jetë temë diskutimi në dialogun me Serbinë. Haradinaj tha se Bashkimi Europian ka humbur rrugën për sa i përket Kosovës

Pas mbledhjes së qeverisë Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinajjj deklaroi dhe njëherë më shumë se taksa 100 për qind e vendosur ndaj produkteve serbe do të qëndrojë derisa Kosova të njihet si shtet i pavarur nga Beogradi.

Ai sqaroi se vendosja e taksës është një vendim i Kosovës, i argumentuar dhe se kushtëzimi id ialogut me Beogradin është i papranueshëm. Haradinaj tha se nëse do të bënte Kosova një listë kushtesh, atëherë Serbia duhet të kërkojë fillimisht falje për krimet që janë bërë në Kosovë, kthimin e të pagjeturve e kështu me radhë. Sipas tij kushti për heqjen e taksës është një shantazh i pastër nga pala serbe.

Më herët Haradinaj reagoi dhe ndaj deklaratave të Maja Koçijançiç, zëdhënëses së shefes për politika të jashtme në Bashkimin Europian, Federika MOgerini, lidhur me Ligjin për Trepçën ku ripërsëriti se Brukseli ka humbur rrugën në oborr. Ai theksoi s efutja e kësaj teme në dialog është ftesë për destabilizim, dhe se Kosova i ka bërë detyrat e  shtëpisë për sa i përket Trepçës./abcnews.al

Ministrja2-933x445.jpg
ent ela22:40 | 25/01/2019

Asambleja e Fakulteteve pas mbledhjes së kësaj të Premteje paralajmëroi pezullim të procesit mësimor dhe përshkallëzim të protestës nëse qeveria nuk u përgjigjet kërkesave të studentëve të Universitetit të Tiranës për anulimin e Ligjit të Arsimit të Lartë dhe VKM-të e miratuara në Dhjetor.

E ftuar në emisionin “Zonë e Lirë”, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Besa Shahini, iu përgjigj paralajmërimit të pedagogëve duke thënë se ligji nuk mund të rrëzohet brenda javës. Teksa shtoi se pedagogët nuk kanë bërë kërkesë që të rrëzohet ligji, pohoi se është e hapur që ai të rishikohet nëse shkakton probleme.

Arian Çani: Janë mbledhur shumë pedagogë dhe studentë dhe nëse nuk bie ligji për një javë do përshkallëzojnë protestën.

Besa Shahini: Ata janë njerëz të mençur dhe e dinë që ky ligj nuk rrëzohet për një javë. Minimumi zgjat dy vjet që të kalojë në të gjitha hallkat. Ata nuk kanë bërë kërkesë që të rrëzohet ligji. Jam e bindur se ata dinë më shumë se kaq, nuk rrëzohet ligji për një javë.

Arian Çani: Ti je e hapur që ligji të rishikohet?

Besa Shahini: Që të fillohet diskutimi, absolutisht. Nëse bindemi se ligji shkakton probleme mund ta rishohim. /tvklan.al

eed.jpg
ent ela18:21 | 21/01/2019

Opozita është larguar nga Kuvendi. Pas fjalës së Kryemadhit dhe Bashës, deputetët e opozitës kanë braktisur seancën e sesionit të ri parlamentar. Menjëherë pasi opozita u largua, Kryeministri Edi Rama nga foltorja e Kuvenit u është përgjigjur deklaratave të Bashës dhe Kryemadhit.

Lulzim Basha u ndal te ministret e reja të qeverisë Rama. Ai pyeti njerëzit nëse i njihnin këta persona të cilët i quajti kukulla të Kryeministrit. Rama i është përgjigjur deklaratës së Bashës duke i thënë se ka folur pa u menduar.

“Por e nis nga shprehja brutale dhe e neveritshme e kryetarit të PD këtu në këtë foltore që iu drejtuar zonjave në podiumin e qeverisë.Thënë me fjalë të pamenduara atë që është problemi i tij dhe problemi i tyre. Nuk kanë të paktën për disa kohë asnjë mundësi të hedhin baltë. Sepse kush është bashkuar me ne në qeveri duke ardhur nga të tjera drejtime ka një karrierë profesionale dhe ka një integritet të padiskutueshëm dhe mëshiron atë që jemi ne. Atë që PS ka qenë kohë më parë dhe atë që e ka bërë PS thelbësisht të ndryshme nga partitë e tjera. PS ka qenë një parti për këdo që ka pasur diçka për të dhënë. Unë jam vetë këtu shprehje e kësaj mënyre e të të qënurit me PS. Unë nuk kam ardhur nga rruga e partisë por nga rruga e shoqërisë aktive, civile dhe urbane. Unë duke parë përballë meje shikoj se shumëkush këtu është si unë dhe të gjithë bashkë ne jemi PS. Të gjithë këtu janë ata që kanë dëshirë të kontribojnë për këtë vend”.

Më tej duke komentuar protestën e studentëve, Rama është shprehur se PS është më e fortë se një muaj më parë.

“Ne nuk jemi uzupatorë të pushtetve por jemi reformatorë të shtetit. Pikërisht se ne nuk jemi ata që duam të kontrollojmë çdo gjë, por jemi ata që duam të vëmë kontrrolin e ligjit mi të gjithë. Sot jemi ne ata që duhet të shtërngojmë dhëmbët të durojmë edhe dënglat e ketyre dhe të shtyjmë përpara Reformën në Drejtësi dhe gjithë reformat e tjera.  Është shumë e qartë se ne sot jemi më shumë dhe jemi më të fortë sikur ishim një muaj më parë. Ne kemi shumë më tepër forca këtu në Parlament dhe ku kemi shumë më tepër forca të shpërndara në terren. Ne do të jemi më pranë njerëzve dhe për t’i përfaqësuar më mirë ata qoftë në nivel parlamentar qoftë në nivel vendor. Sot këta janë edhe më të dobët se ç’ishin një muaj më parë. Protesta e studentëve ne na dhe mundësinë që të dëgjojmë dhe reflektojmë. Ndërsa atyre u dha mesazhin se nuk iu shikojmë dot me sy. Atyre protesta e studentëve u tha se nuk eksiztojnë si alternativë”./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono