përgjigje

xhackaa-1280x695.jpg
nev ila11:53 | 31/07/2019

Ministrja e Mbrojtjes i është përgjigjur shqetësimit të Presidentit për rrezikun nga një tërmet i madh, duke thënë se të tilla fenomene janë të paparashikueshme, por gjithsesi vendi është i përgatitur për t’i përballuar. Xhaçka i kërkon dekretimin e ligjit të ri të emergjencave, por Presidenca thotë se firmosja e këtij ligji ka ndodhur me kohë.

Nuk ka asnjë parashikim konkret për ndonjë tërmet të rrezikshëm në Shqipëri. Këtë përgjigje, Olta Xhacka i jep Presidentit Meta e po ashtu edhe qytetarëve shqiptarë.

“Aftësia për të parashikuar vitin, datën e orën kur do të godasë një tërmet, apo fuqinë me të cilën do të godasë shkon përtej mundësive të shkencës. Tërmetet për fat të keq janë të paparashikueshëm. Ky është një fakt që e konfirmojnë sizmiologët tanë dhe çdo sizmiolog kudo në botë. Për më tepër, e konfirmon edhe vetë sizmiologu i njohur Tselentis, fjalët e të cilit janë bërë shkas për shqetësimin tuaj”, shkruan Xhaçka.

Pavarësisht kësaj, Ministrja e Mbrojtjes garanton kreun e shtetit se të gjitha masat shtetërore janë ndërmarrë.

“Unë nuk kam asnjë dyshim që Shqipëria është sot më e përgatitur për t’u përballur me emergjencat, sesa në çdo moment tjetër gjatë 30 vjetëve të fundit. Kapacitetet tona reaguese janë sot shumë më të mëdha, profesionalizmi i burrave dhe grave që mbulojnë këtë sektor është i jashtëzakonshëm dhe koordinimi institucional është shumë më efikas se çka qenë ndonjëherë. Mënyra sesi i përballuan pasojat e tërmetit në Korçë janë prova më domethënëse e seriozitetit të përgatitjeve tona”, deklaron ministrja.

Duke thënë se e mirëpret shqetësimin e Presidentit për ngjarje të tilla, Xhaçka ka një kërkesë për Metën.

“Shprehja më e qartë e seriozitetit të punës sonë është ligji “Për Mbrojtjen Civile”, që pret sot dekretimin nga ana juaj. Unë besoj që duke dekretuar këtë ligj, pa humbur kohë, ju do të jepni një kontribut real në përgatitjen e vendit tonë për t’u përballur sa më mirë, e me sa më pak dëme me çdo lloj fatkeqësie natyrore, përfshirë edhe tërmetet, të cilat, pavarësisht dëshirës sonë, në fund, mbeten të pakontrollueshme e të paparashikueshëm”.

Nga zyra e Metës, erdhi reagimi i menjëhershëm përmes zëdhënësit Tedi Blushi.

“Papagajtë nuk kanë nevojë për fakte dhe as për argumente, ata vetëm përsërisin veten çdo herë. Ndërsa për ligjin “Për Mbrojtjen Civile” bën mirë të jetë e informuar se është dekretuar para se të përfundojë afati!

Presidenca këmbëngul se informacioni për tërmete në vendin tonë dhe në rajon, është bazuar në botime shkencore serioze.

 

 

 

/ABC News Albania 24/7

blerina-gjylameti.jpg
G. P.22:37 | 01/07/2019

Deklaratat e opozitës se votat janë manipuluar me 30 Qershor, deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti i konsideron si alibi për të mbuluar përgjigjen që i dhanë qytetarët me pjesëmarrjen e tyre në votime.

Gjylameti sqaroi në ABC News se të dhënat zyrtare në lidhje me pjesëmarrjen vieën pas përfundimit të votimit, ku dorëzohet procesverbali nga qendrat e votimit. Ajo theksoi se duhet pritur për rezultatet përfundimtare dhe raportin e OSBE/ODHIR për të shikuar nëse ka problematika që duhen adresuar.

“Alibia e PD për të treguar parregullsi në procesin zgjedhor është thjesht për të mbuluar atë lloj përgjigje që qytetarët shqiptarë i dhanë dje me pjesëmarrjen e tyre. Ju i transmetuat dje në media se si ishin radhët për të votuar pavarësisht të gjithë klimës së krijuar në një muaj tashmë. Edhe nëse shikojmë qoftë nga KQZ po edhe daljet e shpeshta të përfaqësuesve të KQZ-së flitet për shifra paraprake. Ne që jemi marrë me proceset zgjedhore e dimë që në momentin që merret procesverbali nga qendra e votimi ajo jep shifrën ekzakte.

Më parë ato janë të gjitha të marra në mënyrë operative, nëpërmjet telefonit ku japin pjesëmarrjen. Mjafton të shikojmë si janë procesverbalet, sa është numri i pjesëmarrësve, sa është rezultati që ka marrë kandidati i PS, apo PS për të kuptuar që është një lloj alibie për të mohuar përgjigjen e qytetarëve.

Nuk është gabim njerëzor. KQZ që nga zëdhënësja deri te kryetari folën për shifra paraprake dhe shifrat që ata diskutuan dje ishin shifra të orës 18:00 ndërkohë që  procesi i votimit përfundon në orën 19:00. Kur vijnë procesverbalet e qendrave të votimit janë ato që tregojnë shifrat reale. Ka elementë sigurie të procesit zgjedhor të cilët tregojnë nëse ka pasur ose jo ndonjë problematike.

Unë në mënyrë absolute nuk e besoj, e refuzoj të mendoj që të ketë një gjë të tillë. Në ndryshimet që kemi bërë edhe në 2017 edhe në ato që kemi propozuar tani ashpërsimi i masave bëjnë që të gjithë të angazhuar për një proces me standardet më të larta. Presim përsëri që të dalin rezultatet përfundimtare dhe po ashtu raporti përfundimtar i OSBE/ODHIR për të kuptuar nëse ka pasur problematike dhe sesi duhen adresuar ato”, tha Gjylameti gjatë një bisede me gazetaren Mirela Milori.  /abcnews.al

Veliaj-ne-Byro-1280x711.jpg
nev ila22:17 | 26/06/2019

Mbrëmjen e sotme në Byro Politike me gazetaren Juli Xhokaxhi,  ka qenë i ftuar kryetari i bashkisë Tiranë , Erion Veliaj. Kryebashkiaku ka bërë të ditur se cilat janë projektet për mandatin e radhës. Më tej Veliaj nuk ka nguruar të kthej edhe përgjigje ndaj ankesës së një qytetareje.

Juli Xhokaxhi: Në fillim kur morët postin e kryebashkiakut, vutë theksin te shërbimi publik. Pyetja që në fakt nuk është thjesht e imja por e një qytetareje është:

Të lutem pyete zotin Veliaj, lidhur me shërbimet urban sepse është e përditshmja jonë. Përpara 4 viteve na ka folur për bileta elektronike por as bileta e as autobusë sepse janë në gjendje skandaloze. Në një studim që është bërë për shërbimin urban, pronarët e autobusëve kishin fitime marramendëse por nuk bëjnë asnjë investim”, pyet qytetarja.

Juli Xhokaxhi: Në fakt kemi patur edhe ne një vëzhgim tonin, që autobusët nuk ndezin kondicionerin në këto temperatura të larta.

Erion Veliaj: Një mënyrë se si penalizohet dikush që nuk ka ndezur kondicionerin është duke e raportuar. Ne kemi në portal tiranaime, ne vendosim 50-60 gjoba në ditë vetëm për autobusët.

Pra, a ka maskarenj që nuk ndezin kondicionerin? Patjetër.

I ruan dot nëse s’ke bashkëpunim me qytetarët? JO!

Kështuqë shumica e qytetarëve e dinë që po na dhanë targën, për 5 min është vendosur gjoba dhe ai e ka paguar shumë shtrenjtë atë gabim. Por në momentin që ne themi në përgjithësi, e kam gjetur Tiranën me 200 autobusë, sot është me 309 autobusë. Tani autobusët janë më të rinj./abcnews.al

spiropali-mbremje-1280x715.jpg
nev ila20:28 | 24/06/2019

Si po shkojmë drejt 30 qershorit? Ishte pyetja që iu bë Elisa Spiropalit, Ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, nga gazetarja Mirela Milori në studion e Mbrëmje ABC. Spiropali tha se tashmë pas vendimit të kolegjit zgjedhor është gjithçka e qartë. E pyetur në lidhje me konferencën e presidentit Meta ditën e nesërme, se si e shihte këtë reagim të tij, Spiropali tha se janë reagime politike të zyrës së presidentit, i cili ka vendosur ti hedhë molotovët me dekrete.

Besoj sot kemi më shumë qartësi, pas vendimit të kolegjit zgjedhor. Vendimi i presidentit të republikës për tu bërë pjesë e lojës politike e kishte shtuar paqartësinë dhe i kishte hedhur benzinë zjarrit, edhe pas diskutimeve në komisionin e ligjeve ku u diskutua mbi kërkesën e 55 deputetëve për shkarkimin e presidentit dhe më pas vendimi i kolegjit. Protestat në rrugë, nuk janë gjë tjetër veçse shfaqje e shëmtuar e simptoma të një sëmundje që për fat të keq ka përfshirë të gjithë opozitën. Janë reagime në vazhdën e reagimeve politike të zyrës së presidentit dhe të vetë Ilir Metës. Opozita jashtëparlamentare, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi nxjerrin çeta të vogla me njerëz në rrugë sa herë që ka miting elektoral, sulmojnë KZAZ-të dhe organizojnë protesta të dhunshme dhe  Presidenti i Republikës ka vendosur të hedhë molotovë me dekrete presidenciale, është i njëjti qëllim me mjete të ndryshme. Deklarata e zëdhënësit të presidentit është në këtë vazhdë, absolutisht e pamenduar, e pabazuar po ashtu si letrat që presidenti i dërgon në drejtim të partnerëve tanë përfaqësuesve më të lartë të BE-së, të OSBE-së, është trakt politik, dhe jo akt ligjor. Ilir Meta është pjesë e opozitës jashtëparlamentare, në frymë, në ide, në familje, në qëndrime, përdor pozicionin e tij për të sulmuar rendin kushtetues, qeverinë, parlamentin. Arsyet janë të ditura, arsye të mos arsyes, kanë frikë nga zgjedhjet, nga reforma në drejtësi, kanë frikë nga integrimi”, tha Spiropali./abcnews.al

sander-lleshaj.jpg
nev ila16:20 | 20/06/2019

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka sulmuar në rrjetet sociale kryetarin e partisë Demokratike, Lulzim Basha, duke e quajtur atë si guerril dhe një i pandehur të shumëfishtë.

“Lulzim Basha vazhdon të hedhë natën zjarr dhe ditën kërcënime kundër shkollave, zgjedhjeve, Policisë etj. Natën bëhet guerrilas dhe ditën prokuror, ndërkohë që është thjesht një i pandehur i shumëfishtë. Keqardhje për degradimin” mbyll postimin e tij në Twitter Lleshaj.

/abcnews.al

 

alibeajn.jpg
G. P.21:39 | 15/05/2019

Që pas protestës së opozitës më 11 Maj gjatë një konference për shtyp, por edhe me disa statuse në rrjetet sociale, Kryeministri Edi Rama i ka bërë thirrje sërish, Bashës që të dialogojnë.

“Autobusin e këtij Qershori e humbe po mos humb trenin e qershorit 2021! Kur do flasim”, ishte një reagim i Ramës pas protestës-marshim së të hënës ndaj liderit të opozitës.

Gjatë emisionit “Byro Politike”nga Juli Xhokaxhi, ish-deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, ka treguar personin me të cilin sipas tij duhet të flasë Rama. Alibeaj u shpreh se kryeministri duhet të flasë me avokatin e tij për krimet elektorale që ka kryer.

“Nuk është ultimatum se të kërkosh zgjedhje të lira nuk është ultimatum. Fillohet nga kjo që shqiptarët të votojnë të lirë. Pse kemi kërkuar që të mos jetë Rama kryeministër? Sepse ka një sërë episodesh filluar më së paku nga 2015. Menyja është e thjeshtë për shqiptarët e uritur për demokraci. Menyja është kjo: Zgjedhje të lira dhe të ndershme, një qeveri tranzitore që garanton barazinë e palëve dhe lirinë e shqiptarëve për të votuar me një mandat të tillë të përcaktueshëm aq sa për të garantuar këto zgjedhje të lira.

A rivendoset kështu tulla e parë e demokracisë, vota e lirë? Ne besojmë që po. Nuk e kemi bërë për të marrë pushtet në tryezë. Nga ky moment besoj se çdo gjë ecën në mënyrë normale. Nuk është ultimatum. Të të shkruajë gazeta më e madhe gjerman “Bild” që Rama është kapur në krim elektoral, vetëm të fyejmë inteligjencën mos të pranojmë që të kërkojmë me një arsyetim normal. Unë them dhe një gjë tjetër. Kur thotë ai “kur do flasim, kur do flasim”, unë e kam një përgjigje. Juridikisht me kë do flasë? Ai ka vetëm një njeri me të cilin duhet të flasë, me avokatin e vet për krimet elektorale që ka kryer. Ne po kërkojmë vetëm kaq, kryeministër jo sepse vjedh zgjedhjet”, tha ish-deputeti./abcnews.al

Admir-Murataj-1280x749.jpg
G. P.13:25 | 03/05/2019

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka marrë në dorë zyrtarisht aktin e vdekjes së Admir Muratajt. Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, gjurmët e viktimës së vrarë me një plumb pas grabitjes se 9 Prillit në aeroportin e Rinasit korrespondojnë me ato të Admir Muratajt.

Ditën e djeshme, Gjykata e Krimeve të Rënda shtyu seancën për Admir Muratajn, si i akuzuar kryesor për grabitjen në rrugën e Rinasit në 9 Shkurt 2017 . Seanca u shty pikërisht për shkak të mosparaqitjes nga prokuroria të aktit të vdekjes së Muratajt

8 pjesëtarë të tjerë të grupit të tij, mes të cilëve edhe vëllai i tij Aleksandër Murataj, u dënuan në total në Mars të këtij viti me 107 vite burg./ABC News Albania 24/7

meta.jpg
G. P.12:40 | 14/01/2019

Ilir Meta iu përgjigj menjëherë Ramës, kur ky i fundit deklaroi në Twitter se nuk kishte kohë për të gjetur Presidentin e humbur. Meta shkruan se Presidenti është në krye të detyrës së tij.

“Presidenti në krye të punës. Për Presidentin e para është Kushtetuta dhe sundimi i ligjit. NO MORE FAKE STATE.  Shqipëria e para”, shkruan ai.

Më herët, Kryeministri Rama me anë të një postimi në Tëitter lajmëroi se do të jetë në krye të Ministrisë për Europën dhe Punëve të Jashtme në një rol de juro. Ai ripërsëriti gjithashtu se do t’i dërgojë në Gjykatë Kushtetuese shkeljet e Presidentit.

/abcnews.al

protesta.jpg
G. P.19:18 | 05/12/2018

Në një reagim të “Lëvizjes për Universitetin”, pas sqarimeve të kryeministrit thuhet se nivelin e financimit të universiteteve publike dhe tarifën maksimale e vendos qeveria. Studentët i kërkojnë qeverisë rritjen e buxhetit dhe uljen e tavanit.

Më pas, universitetet mund të propozojnë uljen e tarifave. Sipas “Lëvizjes për Universitetin”, në vitin 2014 tarifat janë rritur sa për 5 vite të mëparshme rresht. Studentet kërkojnë përgjysmimin e tyre deri në realizimin e parimit arsim publik falas.

Po ashtu në sqarim thuhet se jo të gjithë studentët janë mbetës. Shumë prej tyre zgjedhin t’i shtyjnë provimet pasi studiojnë dhe punojnë njëkohësisht. Lidhur me faktin e sqaruar nga kryeministri se tarifat për provimet e mbartura do të hyjnë në fuqi vitin e ardhshëm, “Lëvizja për Universitetin” deklaron se mbron interesat e mijëra studentëve që do të nisin në vazhdimësi shkollat e larta.

Në reagimin e saj, “Lëvizja për Universitetin” i sqaron kryeministrit gjithashtu se rishikimin e V.K.M. e bën autoriteti që e ka hartuar, jo universitetet./abcnews.al

be.jpg
ent ela16:26 | 05/12/2018

I ka lënë një derë hapur Komisioni i Venecias propozimit të Partisë Demokratike për Vettingun në politikë. Në Opinionin e përgatitur nga ky Komision dhe që do të miratohet në mbledhjen e datës 14-15 Dhjetor 2018, ekspertët theksojnë se: “Nga takimet (shkëmbimet e mendimeve) e ndryshme që patën Raportuesit gjatë vizitës në Shqipëri, duket qartë se ekziston vërtet një problem i kontakteve të papërshtatshme midis politikanëve dhe elemente kriminale”.

Kështu për shkak të rrethanave specifike aktualisht në Shqipëri, futja e një mekanizimi special verifikimi për zyrtarët publik duket si një qëllim legjitim”.

Tashmë kjo përgjigje është edhe në duart e anëtarëve të Këshillit për Legjislacionin, komisionit të çështjeve ligjore e ekspertëve përkatës. Në raportin prej 20 faqesh, Komisioni i Venecias shpreh edhe paqartësitë që kanë të bëjnë kryesisht me procedurën që do të aplikohet, dhe mekanizmat e zbatimit.

“Për më tepër, duke pasur parasysh dispozitat ekzistuese të neneve 6/1, 45 (3) dhe 179 / a të Kushtetutës së Shqiptarësi dhe legjislacionit përkatës zbatues (në veçanti Ligjin e Dekriminalizimit), si dhe mekanizmave të tjerë demokratikë në dispozicion, vlera e amendamenteve të propozuara kushtetuese mund të vihet në pikëpyetje”.

Në të njëjtën linjë janë edhe shqetësimet e ngritura eksperti i Partisë Socialiste Artur Metani, të cilave i përgjigjet Gazment Bardhi eksperti ligjor i Partisë Demokratike.

“Cila do jetë struktura përgjegjëse që do ta zbatojë këtë proces? Kush do ta drejtojë atë? A do jetë e njëjtë si për zyrtarët e zgjedhur dhe ata të emëruar apo e ndryshme? Drafti i përgjithshëm duhet të jepte një orientim të përgjithshëm të paktën në nivel kushtetues se cilët do të jenë organet kompetente të hetimit apo konstatimit për të mos u zgjedhur apo mbarimit të mandatit”, tha Metani.

“Amandamenti nuk parashikon një organ të ri kushtetues që i ngarkon detyrën e kryerjes së kntrollit të figurës për këto zyrtarë në vlerësimin tim, nënkupton që do jetë një organ ekzistues kushtetues”, u shpreh Bardhi.

Në opinionin e hartuar nga Komisioni i Venecias”skualifikimi i heqjes së mandatit zgjedhor nuk duhet të konsiderohet si kufizim i demokracisë, por si një mjet për ta ruajtur atë. Në fund të opinionit të tij, Komisioni i Venecias i kërkon parlamentit të thotë fjalën e fundit.

“Parlamenti shqiptar të vendosë mbi hapat e ardhshëm lidhur me ndryshimet kushtetuese të propozuara, nëpërmjet dialogut konstruktiv midis të gjitha forcave politike dhe shoqërisë në përgjithësi, në interes të demokracisë shqiptare”.

Për të marrë përgjigjet e munguara Komisioni i Veneciasi i ka bërë një ftesë Kuvendit. Kryeparlamentari Gramoz Ruçi bëri të ditur, se gjashtë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, tre nga mazhoranca e tre nga opozita do shkojnë në Komisionin e Venecias, për të mbrojtur pikëpamjet e tyre për propozimin e opozitës për Vettingun në politikë. Mazhoranca do përfaqësohet nga Ulsi Manja, Vasilika Hysi dhe Klotilda Bushka, ndërsa nga opozita do jenë Oerd Bylykbashi, Gazment Bardhi dhe Silva Caka./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono