Pep Guardiola

Guardiola-1280x854.jpg
Igli Nikolli14:22 | 11/11/2019

Manchester City kishte mundësinë për të shkurtuar diferencën me Liverpoolin kryesues, por ekipi i Guardiolës u mposht 3-1 në “Anfield”. Kampionët në fuqi të Anglisë renditën në vend të katërt pas javës së 12-të dhe numërojnë 25.

Leicester City dhe Chelsea numërojnë nga një pikë më shumë, ndërsa “The Reds” janë shkëputur me 9 pikë. Kjo është nisja më e dobët që ka bërë Pep Guardiola në karrierën e tij.

Tre humbjet dhe 13 golat e pësuar në këtë sezon kanë ndikuar që City të mos mbajë ritmin e kryesuesve. Trajneri spanjoll ka drejtuar Barcelonën dhe Bayern Munchen më parë. Në çdo sezon ka grumbulluar më shumë pikë se sa ka momentalisht në 12 javët e para.

Me katalanasit ka qenë gjithmonë në krye ose në vend të dytë në këtë periudhë të sezonit. Më Bayernin dominoi Bundesligën, teksa edhe me Manchester City ka bërë më mirë. Gjithsesi, sezoni është akoma i gjatë dhe potenciali që ka i lejon ekipit të Guardiolës të bëjë më mirë dhe të nisë një seri fitoresh, me shpresën që edhe Liverpooli do të përjetojë “krizën” e vet. /abcnews.al

Guardiola-Klopp.png
Igli Nikolli17:46 | 08/11/2019

Liverpool-Manchester City është kryendeshja e kësaj jave në Premier League. Dueli i së dielës zhvillohet në “Anfield” dhe ekipi i Klopp kryeson me 6 pikë më shumë se “Cityzens”.

Pep Guardiola nuk i ka kursyer elozhet për kampionët e Evropës në konferencën për shtyp. Trajneri spanjoll dëshiron të kalojë presionin tek ekipi kundërshtar, teksa beson se djemtë e tij do të imponojnë futbollin e tyre në stadiumin mitik.

Jurgen Klopp ka në dispozicion skuadrën më të mirë në botë. Liverpooli i sezonit të kaluar ishte rivali më i fortë me të cilin jam përballur që kur trajnoj. Gjithsesi, do të tentojmë të fitojmë ndeshjen e së dielës dhe do përpiqemi të imponojmë lojën tonë“, thekson trajneri i Manchester City.

Ederson u dëmtua në ndeshjen kundër Atalantës në mesjavë dhe titullar do të zbresë Claudio Bravo. Braziliani është një mungesë e madhe, por Guardiola beson shumë te eksperienca e portierit nga Kili.

Ederson nuk do të jetë i gatshëm për këtë duel. Claudio Bravo është një djalë i shkëlqyer dhe do të zbresë si titullar. Ai ka fituar shumë dhe zotëron eksperiencën e duhur për një ndeshje të këtij niveli“, përfundon trajneri spanjoll. /abcnews.al

Guardiola.png
Igli Nikolli15:54 | 08/11/2019

Manchester City dhe Pep Guardiola do të tentojnë fitimin e Champions League. Klubi anglez nuk e ka shijuar kurrë një sukses të tillë, ndërsa trajneri spanjoll nuk ia del prej vitit 2011.

Guardiola shpreson t’ia dalë këtë sezon dhe tjetrin të transferohet në… Serie A. Një opsion të tillë nuk e mohoi pas barazimit 1-1 në “San Siro” kundër Atalantës, teksa anglezja Times e përforcon si ide.

Kontrata me “Cityzens” përfundon në verën e vitit 2021, por largimi mund të ndodhë një vit përpara. 48-vjeçari është aktivizuar si lojtar me Brescian dhe Romën në fundin e karrierës dhe rikthimi si trajner në Itali e tundon.

Guardiola ka drejtuar Barcelonën, Bayern Munchen dhe Manchester City. E ardhmja pritet të jetë Serie A, që do të ishte gati ta mirëpriste një prej emrave më të mëdhenj të pankinës. Gjithçka është çështje kohe. /abcnews.al

Mou.png
Igli Nikolli18:18 | 07/11/2019

Nëse Pep Guardiola është simboli i futbollit me qarkullim të dendur topi dhe dëshirë për të kontrolluar ndeshjen, Jose Mourinho është e kundërta. Portugezi preferon rezultatin pozitiv dhe fitimin e trofeve.

“Special One” nuk i kursen thumbimet kundrejt trajnerit të Manchester City në prononcimin e dhënë për The Coaches Voice. Qarkullimi i topit nuk përkthehet dominim, rëndësi ka të shënosh një gol më shumë se kundërshtari dhe të fitosh ndeshjet.

Shumë njerëz mendojnë se skuadra që qarkullon më shumë topin është më dominuese, por kjo varet nga forma e lojës së kërkon të zhvillosh. Kontrollin e ndeshjes mund të ketë edhe një skuadër që nuk e mban shumë topin.

Mendoj se disa trajnerë e zgjedhin këtë mënyrë loje me imazhin dhe marrëdhënien me publikun. Skuadra që shënon më shumë fiton ndeshjen. Kjo është pika themelore e futbollit sipas mendimit tim. Duhet fleksibilitet për t’u përshtatur, madje të dalësh edhe kundër ideve të tua për të arritur te rezultati pozitiv“, përfundon trajneri portugez. /abcnews.al

Guardiola.png
Igli Nikolli23:50 | 06/11/2019

Manchester City bëri gjithçka në ndeshjen kundër Atalantës. Kampionët e Anglisë gjetën golin e avantazhit shumë shpejt në “San Siro”, gabuan penallti, humbën portierët Ederson e Bravo për shkak dëmtimi e kartoni të kuq dhe në fund siguruan një pikë.

Atalanta luajti një futboll të bukur si gjithmonë dhe tregoi forcën e saj. Pep Guardiola e vlerëson shumë ekipin italian dhe pranon rezultatin gjatë analizës së tij. Në të ardhmen mund të transferohet në Serie A, aty ku është aktivizuar si lojtar me Brescian dhe Romën. Spanjolli mund të rikthehet në rolin e trajnerit, por është ende herët…

Nuk më kishte ndodhur kurrë të aktivizoja tre portierë të ndryshëm gjatë një ndeshje. Mund të ndodhte më e keqja, por reaguam mirë. Ilicic bëri mirë që kërkoi kontaktin me Bravon. Ishte e kuqe e pastër. E dinim që Atalanta ka lojtarë të rrezikshëm në një kundër një. Bëmë pak gabime dhe rezultati ishte pozitiv duke njohur potencialin e Atalantës.

Ndonjëherë është më mirë të mos i fitosh të gjitha ndeshjet. Kam bërë shumë budallallëqe si trajner, por kurrë nuk kam zëvendësuar portierin. Champions ka shumë rivalitet, është e pamundur të nënvlerësosh kundërshtarët. Ishte sukses i madh marrja e 4 pikëve kundër Atalantës”.

E ARDHMJA – “Ndoshta do të kthehem në Itali. Do të ishte kënaqësi të stërvisja këtu në të ardhmen. Kam kaluar për mrekulli, kam luajtur për Capellon dhe Mazzonen, por ndihem shumë mirë në Angli“, përfundon trajneri spanjoll i Manchester City. /abcnews.al

Champions.png
Igli Nikolli19:33 | 05/11/2019

Manchester City do të tentojë kualifikimin kundër Atalantës në “San Siro”, edhe pse djemtë e Guardiolës e kanë mendjen te ndeshja e fundjavës kundër Liverpoolit në kampionat.

Trajneri spanjoll nuk e pranon diçka të tillë në konferencën për shtyp, aty ku flet për kundërshtarin dje javën e rëndësishme të ekipit. Në fund një koment për racizmin që është shtuar shumë në futbollin evropian.

SITUATA – “Shpresoj të fitojmë nesër dhe të kualifikohemi. Dëshirojmë të bëjmë një ndeshje të madhe në një stadium mitik si ‘San Siro’. Kjo është një javë e rëndësishme për ne. Duam kualifikimin kundër Atalantës, ndërsa të dielën kemi një ndeshje shumë të rëndësishme. Gjithsesi, ka kaluar vetëm çereku i kampionatit dhe na presin shumë ndeshje në vazhdim”.

ATALANTA – “Na vunë në vështirësi në pjesën e parë në fushën tonë. Deri në momentin që udhëhiqnim 3-1 ndeshja ishte e ekuilibruar. Në Evropë është gjithmonë e vështirë dhe Atalanta do të bëjë të pamundurën për të marrë pikët e para”.

RACIZMI – “Është një problem i madh për gjithë Evropën. Duhet të luftojmë çdo ditë  në shtëpi dhe në shkolla. Kjo çështje kërkon gjeste të rëndësishme, vetëm kështu mund të ndryshojë diçka.” /abcnews.al

PEP.png
Igli Nikolli13:32 | 04/11/2019

Ka raste kur Mane simulon, por ka dhe raste kur ai e tregon klasin e tij duke shënuar gola fantastikë. Ai është talent. Liverpool po bën mirë këtë sezon, edhe nga forma që po kalon afrikani“, u shpreh Pep Guardiola gjatë ditës së djeshme.

Java e ardhshme e Premier League rezervon duelin Liverpool-Manchester City dhe trajneri spanjoll ka vendosur të nxehë situatën. I menjëhershëm ka qenë reagimi nga kampi i “The Reds”. Jamie Redknapp, ish-sulmues i njohur i kampionëve të Evropës dhe opinionist i Sky Sports, nuk i ka kursyer thumbimet ndaj trajnerit të “Cityzens”.

Është befasuese të dëgjosh Guardiolën të flasë ashtu për një rival, por nuk besoj se kjo deklaratë ka lidhje me ndeshjen e ardhshme. Mendoj se Guardiola i trembet sulmuesit të Liverpoolit. Ai e ka frikë Mane dhe e di rëndësinë që ka ky lojtar tek ekipi i Klopp. Senegalezi është lojtari më i rëndësishëm i Liverpoolit“, thekson Jamie Redknapp. /abcnews.al

48762E21-7F91-4EB4-A913-7679579619D3.jpeg
Klejdi Kaimi18:38 | 03/11/2019

Trajneri i Manchester City-t, Pep Guardiola, akuzon sulmuesin e Liverpool, Sadio Mane, për simulim. Spanjolli deklaroi për “Sky Sport” pas fitores në minutat e fundit në “Etihad Stadium”, 2-1 kundër Southampton se senegalezi nuk luan pastër.

Sadio Mane shënoi golin e fitores në minutën e 4 shtesë, por u ndëshkua me karton të verdhë në pjesën e parë pë simulim. “Ka raste kur ai simulon, por ka dhe raste kur ai e tregon klasin e tij duke shënuar gola fantastik. Ai është talent.”- deklaron Pep.

“Liverpool po bën mirë këtë sezon, edhe nga forma që po kalon Mane. Ne luajmë ndeshjen tjetër në “Anfield” ku shpresoj për një rezultat pozitiv. Ne do të luftojmë deri në fund siç kemi bërë çdo sezon.”- mbyll 48-vjeçari spanjoll. Manchester City ndodhet në vendin e dytë, 6 pikë larg nga kryesuesit e Liverpool. /abcnews.al

Guardiola-Klopp.gif
Igli Nikolli18:44 | 01/11/2019

Nëse nuk gjejnë datën e duhur për ne, nuk do të luajmë në turin e ardhshëm dhe kundërshtari do të kualifikohet për në raundin pasardhës. Nuk e kam bërë unë kalendarin, i takon personave përgjegjës të kujdesen për këtë çështje.

FIFA na ka lajmëruar për Botërorin për klube dhe ne do të marrim pjesë. Nuk mund të mungojmë as në kampionat. Më pas është Carabao Cup, të cilën duam ta luajmë, por nuk duam që ndeshja radhës në këtë kompeticion të luhet natën e Krishtlindjes në orën 3 të mëngjesit.

Dikush duhet ta zgjidhë këtë problem, nuk mund të jemi ne viktimat e këtij sistemi. Problemi i kalendarit është injoruar deri tani, besoj se shumica e tifozëve po bënin tifo për Arsenalin nga TV, më vjen shumë keq”, protestoi Jurgen Klopp pas kualifikimit në çerekfinalet e Carabao Cup.

Të njëjtin mendim ndan edhe rivali i tij kryesor, Pep Guardiola. Trajneri i Manchester City mbështet gjermanin në prononcimin e dhënë përpara ndeshjes së nesërme kundër Southampton. Spanjolli tregon zgjidhjen dhe shpreson që organizatorët të reduktojnë numrin e madh të ndeshjeve që luajnë ekipet angleze.

E vetmja mënyrë për të zgjidhur këtë problem është reduktimi i ndeshjeve. Duhet të ketë më pak ndeshje dhe më shumë kohë për të rikuperuar energjitë. Do të luajmë me 27 dhe 29 dhjetor. E diskutojmë shpesh këtë ngjeshje të kalendarit gjatë diskutimeve që bëjmë në UEFA. Jam plotësisht dakord me Jurgen Klopp“, thekson trajneri i “Cityzens”. /abcnews.al

Xhaka-2.jpg
Igli Nikolli16:44 | 01/11/2019

Në mbrojtje të Granit Xhakës ka dalë një nga trajnerët më të mirë në botë. Pep Guardiola është përfshirë në debatin e madh që po kryhet në lidhje me kapitenin e Arsenalit. Mesfushori u zëvendësua në pjesën e dytë të ndeshjes shtëpiake kundër Crystal Palace dhe tifozët shpërthyen në fishkëllima kundrejt tij. Xhakës nuk i pëlqeu kjo skenë dhe reagoi kundrejt tifozëve.

Lojtari shqiptar shkroi një letër gjatë ditës së djeshme në faqen e tij zyrtare në rrjetet sociale, aty ku kërkoi falje dhe tregoi se ka marrë kërcënime të shumta nga tifozët e Gunners.

Ndjenjat e mia nuk janë kuptuar asnjëherë nga tifozët, kam marrë shumë ofendime dhe kërcënime si gjatë ndeshjeve, ashtu dhe në rrjetet sociale. Njerëzit më kanë thënë gjëra si: ‘Do të të thyejmë këmbët!’, ‘Vrite gruan tënde’, ‘Shpresoj që vajza jote të bëhet me kancer!’.

Këto ofendime më kanë bërë që unë të reagoj në këtë mënyrë. Në këtë situatë, reagova në një mënyrë të tillë që ka ofenduar disa tifozë, disa tifozë që e duan këtë klub aq sa unë dhe që shpresojnë të shkojmë sa më lart. Qëllimi im nuk ka qenë të ofendoj askënd dhe kërkoj falje për këtë gjë“, shkruante Xhaka, teksa Unai Emery vendosi të mos e grumbullonte për ndeshjen e radhës në kampionat.

Duhet t’i respektojmë tifozët, edhe pse disa herë bëhet shumë e vështirë për lojtarët. Arrij ta kuptoj Xhakën, e di se çfarë ka ndjerë në ato momente. Nuk jam unë personi i duhur për ta gjykuar, sepse më ndodh edhe mua të humbas kontrollin e emocioneve të mia. Gjithsesi, futbolli është një lojë dhe gjëja më e mirë është që lojtarët të zbresin në fushë për të dhënë më të mirën e tyre dhe për t’u argëtuar“, përfundon trajneri i Manchester City. /abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono