pedagoge

kryeministri-edi-rama.jpg
ad min09:46 | 14/10/2019

Kryeministri Edi Rama zgjodhi Universitetin e Mjekësisë për të uruar nisjen e këtij viti të ri akademik. Kreu i qeverisë tha se studentët që nisin studimet për mjekësi bëhen pjesë e një fronti që nuk bëhet fjalë vetëm për profesion, por shumë më tepër.

Kryeministri falënderoi pedagogët për punën e tyre, ndërsa garantoi studentët që qeveria do të punojë që ta bëjë jetën e tyre gjatë kësaj kohe të jetë më cilësore.

“Ne zgjodhëm universitetin për të uruar fillimin e një viti të ri akademik sepse ky është universiteti ku nga njëra anë hyn studente dhe studentë që janë më të mirët dhe nga ana tjetër ku nis një rrugëtim për tu bërë pjesë e frontit më të vështirë sepse nuk bëhet fjalë thjesht për të marrë një profesion, por bëhet fjalë për shumë më tepër se kaq. Siç e thoshte Hipokrati, “të dashurosh artin e mjekësisë do të thotë të dashurosh njerëzimin”. Nga mjeku kërkohet të bëjë mrekullia dhe kur mrekullirat nuk janë të mundshme atëherë kjo i kthehet mjekut që duhet të përballojë një stres dhe kosto morale jo të vogël me njerëzit. Aq më tepër në vendin tonë kur ju e dini sa e vështirë është vendosja e një raporti të shëndetshëm mes mjekut dhe pacientit.

Sot mund të themi që universiteti është në një gjendje më të mirë se dje. Natyrisht që duhet ende përpjekje e përbashkët për ta bërë edhe shumë më të mirë se kaq. Studentët që nisin sot vitin kanë kushte më të mira se sa studentët që e mbyllën këtë vit shkollor. Ministrja përmendi një sërë risish që sot janë realitet në universitet dhe do të jenë në dispozicion të studentëve. Të tjera do të vijojnë. Ne kemi bërë dhe do të bëjmë që QSUT të përmbyllë një proces transformimi epokal që ka nisur. Nëse e shohim sot ka ende zona gri dhe boshllëqe të konsiderueshme, por nëse kthejmë kokën pas nga e nisëm besoj se kushdo që e njeh QSUT jemi si dita me natën me 5 apo 6 vjet më parë.

Falenderim për pedagogët që janë baza e gjithë kësaj pune të madhe që bëhet prej vitesh. Një urim për të gjithë vajzat dhe djemtë që sot fillojnë shkollën, por edhe për ata që e vazhdojnë me garancinë që do të bëjmë çmos që çdo ditë të bëjmë më shumë që jeta juaj në kohën e studimeve të jetë më cilësore“, tha Rama./abcnews.al

besa-shahini.jpg
ad min13:44 | 01/02/2019

Ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sportit, Besa Shahini, doli në një konferencë për mediat ku u shpreh në lidhje me takimin që pati sot me disa pedagogë. Shahini theksoi se përfshirja e pedagogëve për zgjidhjen e çështjeve është mënyra më e mirë, por adresa e zgjidhjes shpeshherë është te universiteti dhe jo Ministria e Arsimit.

“Një grup pedagogësh më kanë nisur një letër të diskutimeve që kanë patur me një grup tjetër më të madh pedagogësh në fakultetet e tyre. Në momentin që letra erdhi në zyrën tikme i ftova dhe erdhën në një takim. I përgëzova për përpjekjet që të mbledhin asamblete e pedagogëve. Ata më njoftuan që nuk janë mbledhur asnjëherë këto 3 vitet e fundit. Unë mendoj fuqishëm që të ecim përpara fuqizimi i strukturave demokratike nëpër universitete është mënyra më e mirë për përfshirjen e pedagogëve dhe zgjidhjen e disa çështjeve që me të drejtë nënvizojnë, por që adresa e zgjidhjes nuk është gjithmonë këtu, por shpeshherë tek universiteti”, u shpreh ministrja.

Shahini tha se gjatë takimit ka pasur mendime të ndryshme me pedagogët. Sipas saj takimi shërbeu për të shuar disa keqkuptime që kanë pedagogët me Paktin për Universitetin.

“Unë i ftova pedagogët për t’ua shpjeguar dhe ballafaquar me detaje Paktin për Universitetin. Me ta ndamë disa mendime të ndryshme, por ama e bindur se kemi një qëllim të përbashkët që është përmirësimi i cilësisë së arsimit të lartë në Shqipëri. Edhe pse nuk u dakordësuam në fund, unë mendoj që kjo është krejt normale. Ishte një takim që gjithsesi shërbeu për të shuar një sërë keqkuptimesh që pedagogët kishin për Paktin për Universitetin”, tha ajo./abcnews.al

ss-1280x613.jpg
ent ela16:29 | 21/01/2019

Studentëve në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në protestë këtë të hënë i janë bashkuar edhe pedagogët. Këta kërkojnë shfuqizimin e Ligjit të Arsimit të Lartë. Ndërkohë në Fakultetin e Drejtesisë përplasja mes studentëve pro bojkotit dhe atyre pro mësimit ka shkuar në kufijtë e një përplasje fizike.

Këtë të hënë në protestë bashkë me studentët në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë dolën edhe pedagogët.

Ervin Goci: “Unë jam deklaruar në mbështetje të protestës studentore dhe për pasojë nuk mund të shkoj në auditor dhe të marr mungesa sikundër bëjnë disa. Është komplet jashtë çdo morali derisa ti deklarohësh në mbështetje”.

Pedagogët shohin me shqetësim vendimet e qeverisë në fundin e Dhjetorit të vitit të shkuar dhe kërkojnë shfuqizimin e Ligjit për Arsimin e Lartë.

Ky ligj sipas tyre është përgjegjës për situtatën e krijuar në institucionet e arsimit të lartë në vend dhe shkel autonominë universitare në disa pika.

 Dhurata Shehri: “Një nga urdhërat duket se urdhëri 183 që flet për ngritjen e një grupi pune në të cilin praktikisht do të vendoset edhe literatura e huaj që do të përkthehet, ç’ka është absurde që Ministria e Arsimit të vendosë”.

Ervin Goci: “Kjo puna e statusve tip shkelje të autonomisë tonë sepse në fund fare është sërish universiteti që përcakton se si duhet të vetërregullohet”.

Për rikthimin e normalitetit në mjediset universitare pedagogët e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë sugjerojnë ngritjen e një komiteti emergjencash.

Mark Marku: “Të krijohet një komitet emergjencash të cilin e ka propozuar profesor Fuga dhe e ka mbështetur pjesa më e madhe.  Kriza është shumë e dhe janë shumë aktorë të përfshirë në të. Të krijohet një komunitet i zgjidhjes së krizës me përfaqësues të të gjitha grupeve të të gjitha palëve”.

Në mbeshtetje të kërkesave të studentëve më herët ka dalë dhe Asambleja e Personelit Akademik në Fakultetin e Shkencave Sociale dhe ajo në Fakultetin e  Drejtësisë.

Ndërkohë tek Drejtësia mëngjesin e së hënës përplasja e studentëve ka shkuar në kufijtë e një konlikti fizik.

“Një pjesë e studentëve që duan mësim erdhën dhe u përballën me studentët që ishin brenda dhe dera nuk u hap. Çfarë ndodhi është se erdhën edhe forcat e policisë, por duke qenë se nuk ka një urdhër nga lart pra nga dekani apo nga Rektorati nuk mund të ndërhyjnë”.

Ndërkohë dekani i këtij fakulteti ka kërkuar zgjidhje të situatës që duhet t’ia japin  vetë studentët./abcnews.al

universitete.jpg
ad min15:35 | 17/01/2019

Në situatë pa zgjidhje ndodhen studentët e universiteteve publike në Tiranë. Ata vijojnë të përplasen me njëri-tjeterin pasi një pjesë kërkojnë të nisin mësim dhe pjesa tjetër përkrah bojkotin.

Ndryshe nga një ditë më parë në Fakultetin e Ekonomisë në Tiranë mund të hysh e të dalësh lirisht. Kështu kanë bërë dhe studentët që kanë dashur të aplikojnë për bursa apo përgjysmim të tarifave.

Ndërkohë auditoret vijojnë të qëndrojnë bosh. Studentët tregojnë se vendosën të hapin dyert e fakultetit dhe të lejojnë administratën të hyje pas garancisë për mbështetje nga një grup pedagogësh. Bojkoti thonë se do të vijojë, ndërsa për zgjidhjen e situtatës, studentë dhe pedagogë do të dalin me një platformë të përbashkët. 

“Përveç kërkesave të studentëve do të ketë edhe kërkesa të pedagogëve dhe na premtuan që kjo gjë do të bëhej dhe ne duhet të tregonim vullnet në bashkëpunimin me pedagogët duke hapur derën. Jemi në takim të vazhdueshëm me pedagogët. Mund të them që ka nisur”, tha një student për platformën.

Ndërsa në Fakultetin e Drejtësisë, Dekanati zgjidhjen ia ka lënë në dorë studentëve. Këta të fundit vijojnë përplasjet me njëri-tjetrin pasi një pjesë duan të nisin mësimin, ndërsa pjesa tjetër vijon ngujimin dhe mbajnë të mbyllura hyrjet për në auditore.

“Kjo situatë po shkon gati në absrditet. U kërkuan 8 pika, kam qenë vetë kur kam dalë në protestë kur ajo ishte studentore, paqësore dhe pa ngjyrime politike. Kërkojmë vijueshmërinë e procesit mësimor sepse rrezikojmë shumë. Rrezikojmë shpenzimin e prindërve që na kanë sjellë në fakultet në Tiranë me banimin, me qiranë me taksën e shkollës dhe nuk po marrim shërbimin që po paguajmë. Ky shpenzim që do na shkojë kot do përsëritet vitin tjetër. Nga Dekanati na kanë thënë që mënyra më e mirë për të ndarë si me bojkotuesit si me ata që duan të vazhdojnë mësim është një peticion të shohim sa janë pro dhe sa janë kundër”, tha një student.

“Do shihet se sa është numri i atyre studentëve që do të vijnë para fakultetit. Nëse do jenë studentë që mbledhin firmat nga pratitë politikë se po bëhet një lojë e pistë nga gjitah këto sidomos nga qeveria ne nuk do e hapim shkollën”, tha një student.

Të ndarë pro dhe kundër bojkotit të mësimit janë dhe studentët e Universitetit Politeknik. Ndërsa në Fakultetin e Shkencave Sociale studentët vijojnë të mos i ndjekin leksionet dhe seminaret e të organizojnë biseda të hapura ku pjesëmarrës janë dhe pedagogët./abcnews.al

ff.jpg
ad min20:25 | 23/12/2018

Ligji i arsimit të lartë është shkaktari kryesor i situatës në universitetet publike në vend. Kështu mendojnë 51 pedagogë të fakultetit të Historisë e Filologjisë, që kanë firmosur një peticion, ku kërkojnë shfuqizimin e atij ligji.

Pedagogë të Fakultetit të Historisë e Filologjisë në Universitetin e Tiranës e shohin ligjin për Arsimin e Lartë si shkakun kryesor për gjendjen ku ndodhet Universiteti, gjendje për të cilën studentët kanë nisur bojkotin e mësimit prej 6 Dhjetorit të këtij viti.

51 pedagogë kanë firmosur një peticion. Në listën me 5 pika, ata kërkojnë abrogimin e Ligjit për Arsimin e Lartë, garantimin e të drejtave të studentëve, krijimin e një Këshilli Emergjence pranë Ministrisë së Arsimit për të mundësuar daljen nga kriza aktuale, hapjen e një debati publik për hartimin e një ligji të ri për Arsimin e Lartë, lirimin e mjediseve të zaptuara në fakultete, si dhe financimin e kampusit të ri universitar që sipas pedagogëve duhet t’i kalojë në administrim Universitetit të Tiranës.

Kërkesat e pedagogëve:
1. Abrogimin e Ligjit për Arsimin e Lartë dhe mbajtjen e përgjegjësive përkatëse.
2. Garantimin e të drejtave të studentit, të cilat me ligjin aktual janë të shkelura.
3. Pas abrogimit të ligjit dhe miratimit të kërkesave të studentëve, të krijohet një Këshill Emergjence pranë Ministrisë së Arsimit, me përfaqësimin e të gjitha palëve të interesuara për të mundësuar daljen nga kriza aktuale dhe realizimin e reformimit të Arsimit të Lartë.
4. Nxjerrjen e përgjegjësive për zënien e mjediseve universitare dhe marrjen e masave për lirimin e tyre, si dhe financimin e kampusit të ri universitar, i cili duhet t’i kalojë në administrim Universitetit të Tiranës.
5. Hapjen e një debati publik për hartimin e një ligji të ri për Arsimin e Lartë.

Më herët ishin pedagogë të Shkencave Sociale që dolën në mbështetje të protestës së studentëve dhe kërkuan ndryshime në Ligjin për Arsimin e Lartë. Kjo kërkesë parashtrua kryeministrit edhe në takimin e para pak ditëve me studentë e pedagogë të arkitekturës, por përgjigjia e tij ishte e qartë se mangësitë nuk janë te ligji, por tek zbatimi i tij./abcnews.al

tarifaa.jpg
ad min11:39 | 22/11/2018

Banderolën e shpalosën në Korpusin e Universitetit të Tiranës. Studentë të universiteteve publike në organizmin e Lëvizjes për Universitetin i rikthehen protestave me kërkesën për uljen e tarifave të studimit, rritjen e buxhetit për arsimin dhe krijimin e një shtëpie botuese publike ku librat universitarë mund t’i blejnë me çmime të arsyeshme. Me thirrjet për t’u dëgjuar studentët marshuan drejt kryeministrisë.

“Unë jam viti i parë gazetari. Tarifa jonë është 300 mijë lekë në vit. Mua m’i paguajnë prindërit sepse vetë nuk punoj, plus shtëpia me qera, plus shpenzime të librave nuk na mjaftojnë”, u shpreh një studente.

“Mund të rritet shumë mirë buxheti sepse ka para të buxhetit që harxhohen kot”, u shpreh një tjetër.

“Jemi në kushte skandaloze. Po vjen dimri duhet të marrim xhupa, duhet të shtrëngohemi fort që të shkojmë në shkollë”, tha një protestuese.

Studentët të mbështetur nga pak pedagogë rikthehen dhe përsërisin kërkesat e tyre poshtë zyrës së kryeministrit pas nëntë muaj heshtje.

“Në qoftë se nuk të dëgjojnë një herë nuk do të thotë që të heqësh dorë nga e drejta. Ne do luftojmë deri sa të kemi frymë për universitetin e lirë. Falë rezistencës kemi arritur të ngrijmë rritjen e tarifave. Ka ardhur koha që të kërkojmë uljen e tyre dhe rritjen e buxhetit për arsimin e lartë”, tha pedagogu Jani Marka.

“Univeristeti prej tarifave dhe kërkesave të larta po kthehet në një situatë ku studentët nuk po vlerësohen më sipas meritës, por sipas xhepit. Ne e dimë që kjo qeveri është tërësisht e korruptuar ama si çdo qeveri ka frikë nga masa e madhe e njerëze, e studentëve dhe pedagogëve. Ne do këmbëngulim derisa të arrijmë në atë masë kritike që t’i bëjmë ata të na e vënë veshin”, u shpreh Arlind Qori.

Bashkë me studentët ishte edhe ish-zëvendësministri i Arsimit. Taulant Muka përsëriti nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” atë që thote se ja ka bërë të ditur edhe ministres Lindita Nikolla në dy javët e qëndrimit në detyrë.

“Unë e shikoj arsimin e lartë si të lidhur ngushtë me shkencën. E shikoj si një mundësi për të përmirësuar universitetet publike, kryesisht Universitetin e Tiranës që është goditur në mënyrë flagrante vitet e fundit duke i dhënë prioritet universiteteve të tjera. Ka shumë ndryshime në mënyrën se si e shikoj me ministren situatën aktuale dhe uroj që sot të dalim me një mendim ndryshe. Dhe ndoshta ajo dorëheqja ime e ka bërë të reflektojë, por duhet të ishte pasuar edhe me dorëheqjen e vet”, tha Muka.

Këtë vit akademik studentët e quajnë një vit rezistence ndërkohë paralajmërojnë të tjera protesta dhe bllokim të jetës universitare./abcnews.al

anketa-1280x656.jpg
ad min16:26 | 16/03/2018

Pas 25 vitesh në festivalin për fëmijë e të rinj dalin të dhënat për leximin e fëmijëve dhe të rinjve e kryer përmes një anket. Lili Sula, pedagoge e Universitetit të Tiranës, realizuesë e anketës, në një intervistë për ABC News thotë se shijet e leximit për grupmoshën 6-10 vjeç dhe 11-16 vjeç janë të njëjta mes Shqipërisë, Maqedonisë dhe Italisë. Fëmijët pëlqejnë përrallat, ndërsa të rinjtë romanet dhe librat me mister./abcnews.al

vlcsnap-error893-1280x721.jpg
ad min16:29 | 12/02/2018

Pas protestës së pedagogëve edhe paraditen e të hënës, Ministria e Arsimit ka njoftuar se pagat kaluan në llogaritë personale gjatë ditës së sotme.

Aktet nënligjore të ligjit të ri të arsimit të lartë, mungesa e të cilave u bë shkak për vonesën e krijuar në pagesën e pedagogëve dhe stafit akademik, sipas ministrisë do të miratohen së shpejti.

“Ligji i ri i Arsimit të Lartë është mundësi e re e zgjerimit të autonomisë financiare të universiteteve”, thuhet ne njoftimin e Ministrisë së Arsimit.

Ndërkohë, ministria thotë se beson se të gjitha energjitë dhe debate, të zhvillohet tek sfidat e rritjes së cilësisë, performancës, punësimi i të rinjve dhe akreditimi i programeve të studimit./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono