PDK

ramush-haradinaj.jpg
nev ila16:15 | 14/08/2019

Ramush Haradinaj e ka përjashtuar opsionin e një aleance me PDK-në dhe LDK-në në zgjedhjet e ardhshme. Haradinaj ka deklaruar se për qeverisjen e ardhshme do të vendosë në radhë të parë sovrani dhe ka shtuar se, nëse rizgjidhet kryeministër nuk do ta heqë taksën me Serbinë.

Kryeministri i dorëhequr i Kosovës, Ramush Haradinaj e ka përjashtuar pjesëmarrjen e AAK-së në një koalicion gjithëpërfshirës në zgjedhjet e ardhshme. Në një intervistë televizive, Haradinaj ka nënvizuar se AAK nuk do të bëjë aleancë me partitë e mëdha si PDK dhe LDK dhe nuk do ta përkrahë idenë për një kryeministër konsensual.

“Nuk jemi për koalicion me PDK-në, LDK-në dhe VV-në, por jemi të hapur për disa parti partnere siç është rasti i PSD-së, AKR-së…”, tha Haradinaj.

Haradinaj ka nënvizuar se AAK do t’u ofrohet fillimisht qytetarëve si parti më vete, pasi sipas tij ajo është rritur si subjekt politik dhe në sondazhe rezulton e para.

“Qytetari ka vlerësuar angazhimin tim në temat kombëtare dhe për këtë Aleanca është rritur. Jemi në situatën e fitores”, tha ai.

Sa i takon kandidaturës së tij për postin e kryeministrit, Haradinaj ka theksuar se ajo do të diskutohet në strukturat e AAK-së.

“Nuk e kemi konfirmuar si parti kandidaturën time, do ta diskutojmë për ta konfirmuar. Ekziston kandidatura ime, por duhet ta zyrtarizojmë. Por e rëndësishme është se kush do të jetë kryetar qeverie nuk e vendosin vetëm partitë, por edhe qytetarët me votë dhe është herët të thuhet se si do të ndodhë”, tha Haradinaj.

Sa i takon taksës për produktet serbe, Haradinaj ka deklaruar se nuk do ta mbështesë heqjen e saj, pasi sipas tij është në interes të shtetësisë së Kosovës.

“Asnjë parti nuk do të marrë mbështetjen tonë për heqjen e taksës. Taksa është shtet. Një shtet që rrezikohet nga tjetri dhe i hap tregun, atëherë nuk është shtet”, deklaroi Haradinaj.

Haradinaj ka shtuar më tej se, për aq kohë sa çështja e shtetësisë së Kosovës nuk është zgjidhur 100 për qind është me rrezik që ajo të udhëhiqet nga liderë të paqëndrueshëm, që bëjnë sipas tij kompromise për hir të familjes dhe rrethit të afërt në kurriz të vendit./ABC News Albania 24/7

PDK-KOSOVE-1280x587.jpg
ent ela11:46 | 03/10/2018

Prej ditësh brenda radhëve të Partisë Demokratike të Kosovës ka pasur përplasje të forta që kanë rezultuar me dorëheqjen e tre ministrave të kësaj partie. Sipas mediave kosovare çdo gjë vjen si pasojë e mosmarrëveshjeve mes presidentit Thaçi dhe kryetarit të parlamentit Veseli.

Tek disa ministra të Partisë Demokratike të Kosovës duket se ka më shumë ndikim presidenti Hashim Thaçi se sa kryetari i kësaj partie Kadri Veseli. Për këtë arsye kryetari i parlamentit po planifikon zëvendësimin e tyre.

Kreu i PDK-së ende nuk e ka pranuar dorëheqjen e ofruar nga ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, i cili të shtunën së bashku me ministrin e Financave Bedri Hamzën shoqëroi presidentin Thaçi në vizitën në liqenin e Ujmanit, vizitë kjo e kritikuar nga Kadri Veseli.

Në këtë mënyrë sipas analistëve në Kosovë, po rrezikohet dhe qëndrueshmëria e qeverisë së kryeministrit Ramush Haradinaj.

Pas tre ministrave që kanë dhënë dorëheqje në një vit qeverisje, para pak ditësh dha dorëheqjen edhe ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, nga radhët e PDK-së.

Mediat kosovare raportojnë se përveç Tahirit, janë paralajmëruar edhe dy dorëheqje të tjera në ditët në vijim, pikërisht nga dikasteret që drejtohen nga PDK-ja. /abcnews.al

kadri-veseli-1.jpg
G. P.12:43 | 01/04/2018

Kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli tha se do të shkarkonte ministrin e Brendshëm menjëherë për shkak të arrestimit dhe dëbimit të 6 shtetasve turq. Gjithashtu njoftoi se ngjarje të tilla nuk do të përsëriten.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe PDK-së, Kadri Veseli, ka siguruar se ngjarjet si ajo me deportimin e gjashtë shtetasve turq nuk do të përsëriten asnjëherë. Në një intervistë për “Kosovapress”, ai thotë se po të ishte ministri i Punëve të Brendshme nga radhët e partisë që drejton do ta shkarkonte menjëherë.

Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës: “Më vjen keq që nuk ka qenë zyrtar i partisë sime ministri përkatës, se e kisha shkarkuar brenda dy minutave në momentin që e kam marrë vesh, madje nuk do të guxonte të ndodhte fare ajo. Do të shkarkohet çdo kush që ka përgjegjësi, për arsye se ne nuk jemi këtu të përfaqësojmë partitë tonë politike, por jemi të përfaqësojmë vlerat e popullit tonë që janë vlera civilizuese perëndimore”.

Më tej, Veseli nënvizon se ndihet i turpëruar me mënyrën e arrestimit dhe deportimit të shtetasve turq dhe u kërkoi falje familjarëve të tyre. Gjithashtu kryeparlamentari foli edhe për arrestimin e Marko Gjuriç nga Policia e Kosovës të hënën që shkoi, i cili hyri pa leje në Kosovë. Veseli theksoi se ky ishte veprim i drejtë nga ana e autoriteteve. Sa i përket asociacionit të komunave me shumicë serbe, Veseli njoftoi se do të formohet, por vetëm në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës./abcnews.al

vlcsnap-error343-1280x720.jpg
G. P.20:10 | 01/03/2018

PDK, partia që dominon skenën politike të Kosovës, ka njoftuar mbajtjen e reformave dhe zgjedhjeve të brendshme, një proces ky që sipas nënkryetarit Enver Hoxhaj do të çojë përpara proceset e Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës, gjatë vitit 2018 do t’i nënshtrohet zgjedhjeve dhe reformave të brendshme, të cilat do të kenë ndikim edhe në të ardhmen e Kosovës. Në një konferencë për shtyp në përfundim të mbledhjes së kryesisë, nënkryetari i PDK-së Enver Hoxhaj ka bërë me dije se proceset në fjalë do të fillojnë së shpejti.

Enver Hoxhaj, nënkryetar i PDK: “Si PDK kemi vendosur që në vitin 2018 të mbajmë zgjedhjet në parti dhe kjo konferencë për shtyp hap procesin zgjedhor, që do të fillojë në javët e ardhshme dhe do të përmbyllet në javët apo muajt e fundit të vitit”.

Hoxhaj ka bërë me dije se procesi zgjedhor dhe ai i reformimit të partisë do të bëhet duke marrë parasysh interesat politike dhe strategjike të Kosovës, në mënyrë që vendi të avancojë.

Enver Hoxhaj: “Në PDK kemi biseduar për dokumente të caktuara politike dhe strategjike që duhet t’i shërbejnë procesit zgjedhor, për një program dhe platformë të re që do të ketë risi zhvillime të reja politike. Një platformë që pas 2 dekadash nga themelimi i PDK-së dhe 1 dekadë pavarësi të shërbejë si nismë e mendimit dhe veprimit për politikën, shoqërinë dhe ekonominë e Kosovës”.

Sa u takon interesave strategjike, Hoxhaj e ka vënë theksin tek dështimi i ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi. Sipas tij, një ditë më parë Kuvendi i Kosovës dështoi të jepte mesazhin përpara lidershipit europian.

Enver Hoxhaj: “Ne mendojmë se ajo që duhet të thuhet për ratifikimin e demarkacionit është thënë. I dimë argumentet, faktet, opinionet, dallimet. Nuk ka nevojë që Kosova të humbasë më kohë apo të dëgjojmë narracione që i kemi dëgjuar në 3 vitet e fundit. Mungesën e vullnetit të deputetëve të Kosovës dhe vizitën e zotit Juncker, vizitë që ndodh një herë në dekadë, ne i shohim si një shans të humbur”./abcnews.al

vlcsnap-error140-1-1280x720.jpg
us er16:41 | 23/11/2017

Deputetët e koalicionit Pan, përfshirë dhe kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, kanë bojkotuar seancën e sotme të parlamentit në shenjë proteste për skandalin ku është përfshirë EULEX, duke u kërkuar dhe kolegëve të tyre të bëjnë të njëjtën gjë. Por Vetëvendosje dhe LDK, qëndruan në sallë ku dhe shkëmbyen replika.

Seanca parlamentare e ditës së sotme është braktisur nga koalicioni PAN me propozim të deputetit Memli Krasniqi i Partisë demokratike të Kosovës. Krasniqi i kërkoi të gjithë deputetëve që të bojkotojnë seancën në shenjë revolte për ngjarjet e fundit në lidhje me skandalin për korrupsion që sipas tij ka përfshirë EULEX-in.

Por Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja demokratike e Kosovës qëndruan në sallë dhe replikuan duke kritikuar bojkotin e seancës nga ana e kolegëve të PAN. Kryetari i grupit parlamentar të Vetëvendosjes Glauk Konjufca, akuzoi kryetarin e parlamentit Kadri Veseli se po sillet si kryetar partie dhe jo si udhëheqës seance.
Edhe kryetari i grupit parlamentar të Lidhjes Dmokratike të Kosovës kritikoi Deputetët që u larguan nga salla dhe nuk ka pranuar që seanca të rifillojë të premten në orën 10 por propozoi ditën e hënë të javës së ardhshme.

I pyetur nga drejtuesja e seancës nëse Vetëvendosje ishte dakord, meqënëse në sallë ishin të pranishëm vetëm 44 deputetë dhe për këtë arsye nuk mund të votohej, Konjufca propozi si datë për mbajtjen e seancës të enjten e 30 nëntorit.
Të pranishëm në sallë kanë qenë dhe deputetët e Vetëvendosjes Albin Kurti dhe Donika Kadaj Bujupi, për të cilët është lëshuar një urdhër arresti nga Gjykata e Prishtinës./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono