PD

SINKRON-NOKA.mpg_snapshot_00.53-1280x691.jpg
G. P.15:37 | 25/09/2018

Ndërsa opozita risolli deklaratat e një nate më parë të ministrit të Brendshëm. Nga selia blu, deputeti Flamur Noka akuzoi Xhafajn, se ashtu si kryeministri më parë, deklaroi se disponon prova lidhur me audio-përgjimin që Partia Demokratike denoncoi muaj më parë, si bisedë që implikonte në narkotrafik vëllain e ministrit Xhafaj. Noka i bëri thirrje ministrit të Brendshëm që çdo provë që ka ta paraqesë në prokurori.

Deklaratat e një ditë më parë të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj gjatë një interviste televizive lidhur me video-përgjimin e publikuar nga Partia Demokratike ku pretendohej regjsitrimi i vëllait të ministrit, Agron Xhafaj në një bisedë që e implikonte në narkotrafik.

“Është tjetër gjë të provosh është apo s’është (i vërtetë përgjimi) dhe tjetër gjë të provosh kush dhe përse e ka bërë këtë gjë. Dhe unë kam provat e mia. Kam faktet e mia, padyshim”.

…sollën reagimin e selisë blu.

“Është e qartë se deklarata të tilla janë pjesë e skenarit mafioz për t’i imponuar prokurorisë një rezultat hetimor të paracaktuar. Me veprime të tilla kriminale Fatmir Xhafaj dhe Edi Rama kanë kryer veprën penale të pengimit të drejtësisë dhe manipulimit të së vërtetës”. 

Nëse ka prova, minsitri i Brendshëm duhet t’i kishte çuar ato në prokurori, thekson Noka, tek ajo për krimet e rënda ku edhe gjendet dosja e njohur me emrin “Babalja”.

“Në një shtet normal ku mbrohet interes publik dhe jo interesi i pushtetit të lidhur me krimin, prokuroria duhet ta kishte hetuar Edi Ramën dhe Fatmir Xhafën, më së paku, për fshehje të provave dhe pengim të drejtësisë”. 

Më herët vetë kryeministri Rama ka deklaruar se ai ka marrë përgjigjen e një laboratori ekspertizë lidhur me zërin e pretenduar nga demokratët se i përket atij të vëllait të ministrit të Brendshëm, por një përgjigje zyrtare nga autoritetet përkatëse hetimore shqiptare ende nuk është bërë publike, katër muaj pas publikimit të videos./abcnews.al

PS-PER-KUNATIN-E-BASHES.mpg_snapshot_00.17-1280x720.jpg
G. P.15:32 | 25/09/2018

Socialistët kundërshtojnë deklaratën e kryedemokratit Lulzim Basha se asnjë familjar i tij nuk zotëron ndonjë firmë konsulence, aq më pak të lidhura këto me shtetin apo me ata që ai i konsideron si oligarkë.

Klotilda Bushka, deputete e PS: “Kunati i tij, Erion Isufi zotëron jo një, por plot gjashtë kompani reklame dhe konsulence: “Landmark Communicatins”, “Landmark Technologies”, “Landmark Premium Print”, “HR Solutions”, “Albania Internet” dhe “Blacksheep”.

Sipas deputetes Klotilda Bushka vetëm “Landmark Communications” dhe “Premium Print”, që prej themelimit kanë gjeneruar mbi 11 miliardë lekë.

“Vetëm vitin e kaluar, xhiro e deklaruar e këtyre kompanive arriti në 2,2 miliardë lekë, nga të cilat fitimi i deklaruar vetëm 40 milionë lekë të vjetra. Pra, një rrjet kompanish që qarkullojnë shuma kolosale, “deklarojnë” se u mbeten në xhep po aq sa fitojne shumë biznese të vogla qe kanë një marzh fitimi prej më pak se 5%”.

Partia Socilaiste nuk e ndal këtu denoncimin. Ata tregojne se si janë siguruar këto para.

“Të gjitha këto para që siguron kjo “perandori” konsulence janë siguruar direkt duke punuar eksluzivisht me bizneset më të mëdha në vend, të cilat sot, në një tentativë të qartë gjobëvënie ndaj biznesit janë vendosur në “listën e zezë” të Lulit. Si ka mundësi që ndërsa Luli përbetohet se do të pastrojë vendin nga “oligarkët”, kunati, gruaja dhe e gjithë familja e tij pasurohen përditë e më shumë duke punuar me të njëjtët persona?”

Për mazhorancën Lulzim Basha përdor dy standarte për hartimin e listës së zezë të oligarkëve. Ata paralajërojnë se nuk do të qëndrojë në heshtje.

“Ditë pas ditesh, do t’iu tregojmë rastet konkrete të të gjithë kësaj historie të turpshme, të aferave të familjarëve të Bashës dhe kësaj tentative të turpshme për të zhvatur biznesin e madh në vend.”/abcnews.al

BALLA-AKUZA-NGA-PARLAMENTI.mpg_snapshot_00.55-1280x726.jpg
G. P.14:23 | 24/09/2018

Është Taulant Balla ai që ka marrë përsipër këtë të enjte ti përgjigjet deklaratave të kryedemokratik Lulzim Basha.

Taulant Balla, kryetar i Grupit Parlamentar të PS: “Me gjoja propozime antimafia, luftë kundër oligarkëve. A mund ta besojë kush në Shqipëri se mund të bëjë luftë kundër oligarkëve, gjobaxhiu i oligarkëve Lulzim Basha.”

Kryetari i grupit paralmentar socialist thotë se mjafton ti referohesh se çfarë ka ndodhur me kompaninë e kunatit dhe bashkëshortes së Lulzim Bashës.

“Landmark quhej njëra prje tyre e cila faturonte rreth 2 miliardë para nga këto kompani të oligarkëve. A është kjo Lulzim Basha, gjobë që ti u vendos kompanive për të mos u përmendur emri këtu në parlament. Nuk mund të bësh ligj ti Lulzim nëpër hotelet, sallat e të cilëve nuk dihet kush ti paguan.”

Propozimeve të demokratëve për Vetting në politikë u thotë prerë se nuk mungojnë institucionet që duhet ta bëjnë.

“Nuk ka asnjë përgjigje tjetër më të mirë se sa byroja kombëtare e hetimit dhe prokuroria speciale antikorrupsion.”

Opozita turistike siç e cilëson Taulant Balla duhet të jetë në parlament për të diskutuar mbi ligje të rëndësishme siç është ligji për dhënien e trojeve bujqësore me qira. Kreu deputeteve socialistë kërkoi hartimin e një ligji të ri ku të rishikohen të gjitha kontratat e dhënieve me qira të tokave.

“Nuk mund, nga njëra anë Balilëve tu sekuestrojme hotelin dhe nga ana tjetër 90ha tokë të marra me qira po nga shteti të mos kemi mmundësi të mos ia sekuestrojmë. Edmond Panariti ish ministër i Bujqësisë së LSI, ka firmosur atë kontratë, por kjo nuk mund të jetë sot e vlefshme nëse ne nuk gjejmë hapësira ligjore që atë kontratë ta bëjmë të pavlefshme.”

Në seancën e fundit plenare janë votuar disa nga ligjet e parashikuara për rendin e ditës. Ndërsa projektligji për “Magjistratët” nuk u hodh në votim pasi kërkon praninë deputetëve të opozitës në parlament./abcnews.al

SINKRON-BASHA-PLATFORMA-ANTIMAFJA.mpg_snapshot_01.04-1280x743.jpg
G. P.12:14 | 24/09/2018

Pas propozimit për Vettingun e politikanëve, të depozituar në Kuvendin e Shqipërisë në formën e amendamenteve kushtetuese, demokratët prezantuan shtyllën e dytë të platformës së opozitës së bashkuar.

“Marrëdhënia midis krimit dhe politikës nuk është mjaftuar me shkatërrimin e demokracisë, me kapjen dhe prishjen e zgjedhjeve, me kapjen e drejtësisë dhe shkatërrimin e reformës në drejtësi, por ka avancuar si një kancër në një fushë tjetër në ekonominë shqiptare”, tha Basha.

Alternativa e opozitës për këtë? Amendimi i ligjit antimafia me qëllim hetimin, verifikimin dhe në rast evidentimi të abuzimit edhe sekuestrim të pasurisë; kjo me fuqi prapavepruese.

“Jo vetëm për sot, nesër, por dhe dje. Do t’i nënshtrohen këtij filtri nga zyrtari më i thjeshtë deri tek kryeminsitri”, tha Alibeaj.

Ky proces, që do të nisë me verifikimin e çdo kontrate apo akti publik të dyshimtë si përfitues nga buxheti i shtetit apo pasuritë e paluajtshme në pronësi të tij, mund të çojë në konfiskim të pasurisë, jo ndjekje penale të subjektit dhe është ky i fundit ai që ka barrën e provës, ashtu si gjyqtarët dhe prokurorët në rastin e vettingut, shpjegon Alibeaj.

“Mekanizmi antimafia është tërësisht i ndarë nga procesi penal. Verifikimi do të bëhet nga një drejtori antikorrupsion për të cilin kemi marrë modelin britanik. Efekti i parë, i merren paratëe përfituara në mënyrë klienteliste dhe korruptive i merren dhe i kthehen qytetarëve dhe bashkë me të edhe pasuria”, u shpreh Alibeaj.

Ligji është i detajuar dhe përcakton kompetencat specifike të gjithë këtij procesi, sipas demokratëve dhe ka për synim zhbërjen e faturës abuzive që për selinë blu arrin shifrën e 2.18 miliardë eurove./abcnews.al

Izmira-Ulqinaku-1280x853.jpg
G. P.13:54 | 23/09/2018

Partia Demokratike akuzon qeverinë se po jep një tjetër koncesion korruptiv. Kontrolli i pompave të karburanteve sipas deputetes Izmira Ulqinaku përllogaritet t’i sjellë rreth 60 milionë euro fitime një tjetër klienti të kryeministrit. Ndërkohë shqiptarët do ta paguajnë këtë koncesion, tha deputetja demokrate, me çmimin e rritur të karburanteve.

“Qeveria e Edi Ramës ka vendosur të japë me koncesion tek klientët e tij kontrollin e kolaudimit të pompave të karburanteve. Aktualisht, ky është një shërbim shtetëror, por korrupsioni në qeveri ka vendosur që t’ia kalojë atë privatit, i cili do të vendosë cilat pompa karburantesh i vjedhin shqiptarët dhe cilat pompa nuk i vjedhin. Fitimi për koncesionarin, klient i Edi Ramës, llogaritet të jetë rreth 60 milionë euro, të cilat do të paguhen nga shqiptarët ose tek çmimi, ose tek sasia e karburantit me të cilën do të furnizohen nga pompat e kolauduara prej kompanisë provate. Kjo është e njëjta kompani që ka marrë  me koncesion shkollat e Tiranës, me pronar Gentian Sulën. Është e njëjta kompani, për të cilën qeveria shpiku një koncesion tjetër korruptiv prej 95 milionë eurosh, atë të targave me çip. Por që, për shkak të presionit së opozitës dhe pakënaqësisë së qytetarëve, qeveria u tërhoq nga ky koncesion absurd dhe korruptiv”, tha deputetja Ulqinaku./abcnews.al

Arben-Ahmetaj-konference-1280x956.jpg
ent ela19:43 | 22/09/2018

Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj i është përgjigjur përmes një postimi në Facebook deklaratës së sotme të Partisëe Demokratike lidhur me sistemin e monitorimit të transaksioneve të biznesit. Deklaratën e dy deputetëve të PD, Ahmetaj e cilëson duet përçartjeje publike, ndërsa garanton se sistemi i ri nuk do të ketë asnjë kosto shtesë për biznesin.

Sipas ministrit të Financave do të ulen kostot e rënda të sistemit aktual të trashëguar nga koha e qeverisjes së PD.

Ahmetaj sqaron bizneset se me procedurën e re të shpallur, synohet ndërtimi i një sistemi monitorimi transaksionesh, i cili do të ndërveprojë me sistemin aktual si dhe krijimi për herë të parë i komunikimit në kohë reale si të transaksioneve ndërmjet biznesit dhe konsumatorit, ashtu edhe të biznesit me biznesin.

Postimi i plotë në FB:

Jam i habitur me zonjën Tabaku dhe Bashkëpunëtorin X të saj, që sot dolën në një duet përçartjeje publike për sistemin e ri të monitorimit të transaksioneve të biznesit.  Përtej gjithë ç’kanë thënë, për turpin e tyre, dua të nënvizoj:  SISTEMI NUK DO TË KETË ASNJË KOSTO SHTESË PËR BIZNESIN. Përkundrazi, do të ulë kostot e rënda të sistemit aktual që kemi trashëguar nga koha kur partia e zonjës Tabaku dhe Bashkëpunëtorit X të saj, imponoi kasa me kosto të paktën 300 euro vetëm për instalimin dhe që e kanë mirëmbajtjen më të shtrenjtë se të veturave, por që sidoqoftë nuk do të jetë aspak kusht që të dalin nga funksioni.

Për qytetarët:

1-      Me procedurën e re të shpallur, synohet ndërtimi i një sistemi monitorimi transaksionesh i cili do të ndërveprojë me sistemin aktual c@ts (pra sistemi i administrimit të taksave që përdor çdo tatimpagues, i prokuruar nga qeveria e Partisë Demokratike në vitin 2013 me vlerë mbi 10 milionë euro) si dhe krijimit për herë të parë të komunikimit në kohë reale si të transaksioneve ndërmjet biznesit dhe konsumatorit, ashtu edhe të biznesit me biznesin.

2-      Ndërsa tre vjet më parë, administrata tatimore ishte e fokusuar në implementimin e sistemit E-tax, sot po kalon në nivelin tjetër të administrimit dhe luftës kundër informalitetit, betejë e cila kërkon modernizimin e sistemit dhe përdorimin e instrumenteve të reja, inteligjente, për të rritur efikasitetin.

3-      Në të njëjtën kohë, ky sistem mundëson një informacion më të qartë dhe në kohë për vetë biznesin, për transaksionet e deklaruara të tij me çdo biznes tjetër.

4-      Procedura konkurruese në fjalë dhe kriteret e saj, janë përgatitur dhe shpallur nga Agjensia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, agjensia me ekspertizën më të lartë për sistemet informatike në sektorin publik dhe për rrjedhojë, mbetet pronësi e vetë shtetit shqiptar dhe aspak koncesion i një kompanie private, aq më pak koncesion për TVSh apo absurdi i dhënies së të drejtave ekskluzive për ndryshimin e ligjeve të  shtetit shqiptar.

5-      Sa i takon kostove imagjinare prej 600-1000 euro për çdo biznes, apo 80-100 milionë euro në total, theksojmë sistemi i ri NUK do të ketë asnjë kosto shtesë për biznesin; kasat aktuale nuk do të dalin jashtë përdorimi, por do të përditësohen me sistemin e ri duke ofruar opsione për sipërmarrjen, pa kosto.

Zonjës Tabaku dhe Bashkëpunëtorit X të saj që flasin me shqetësim për rritjen e taksave për biznesin, duhet t’i kujtojmë se platforma e partisë së tyre, është rikthimi i taksës së sheshtë, thënë ndryshe rritje e drejtpërdrejtë e taksave për 97% të të punësuarve dhe mbi 91% të bizneseve.

Sot, 97% e shqiptarëve të punësuar paguajnë rreth 120 milionë dollarë në vit më pak taksa, falë taksimit progresiv. Në 4 vite, i kemi kthyer mbrapsht qytetarëve në xhepat e tyre 500 milionë dollarë që Partia Demokratike ua vidhte me taksën e sheshtë.

Sot, mbi 91% e bizneseve e kanë tatim fitimin 0 ose 5%, pra 100% ose 50% më pak se në kohën e PD. Vetëm me këtë ulje, i kemi kursyer biznesit 23 milionë dollarë në vit, që Partia Demokratike ua merrte si taksa në buxhetin e shtetit. Me paketën e re fiskale 2019, që do të prezantohet në ditët në vijim, vazhdojmë lehtësimin e mëtejshëm të ngarkesës fiskale për qytetarët dhe biznesin.

E ftojmë znj. Tabaku, Bashkëpunëtorin X të saj dhe Partinë e përçartjes së madhe publike, ta lexojë me vëmendje paketën e re fiskale për të kuptuar diferencën e madhe mes nesh dhe atyre, vëmendjen e përditshme të kësaj qeverie ndaj qytetarëve dhe biznesit.

#eGjithëVëmendjapërNjerëzit

TABAKU-PER-BIZNESIN-ABCM3T1.mpg_snapshot_00.18-1280x720.jpg
G. P.15:41 | 22/09/2018

Qeveria po vendos me një tender korruptiv dhe të panevojshëm për monopolin e kontrollit të faturimit mbi biznesin, duke rritur kostot nga 600-1000 euro për çdo biznes. Është ky denoncimi i radhës nga selia e Partisë Demokratike.

Demokratët i janë rikther një denoncimi të bërë tre vjet më parë.

“3 vjet më parë Partia Demokratike zbuloi skandalin e Edi Ramës për dhënien e koncesionit të TVSH-së prej 67 milionë eurosh një kompanie të lidhur me vëllanë e tij, Olsi Rama, një kompanie kineze offshore”.

Arsyeja që e risjellin këtë koncension tre vjet më pas janë disa fakte të reja sipas deputetet Jorida Tabaku.

Jorida Tabaku, deputete e PD: “…që tregojnë se kryeministri Edi Rama nuk është tërhequr nga vjedhja e biznesit që vepron në Shqipëri, për llogari të një firme kroate, besoj lidhjet me të cilën do të zbulohen së shpejti”.

Nga selia e Partisë Demokratike Qeveria e kryeministrit Rama akuzohet se ka hapur një tender prej 15 milionë eurosh për monitorimin e sistemit të tatimeve, që përfshin një gamë të gjerë elementësh, duke përfshirë edhe koncesionin e tvsh-së.

“Kriteret e tenderit janë përcaktuar që atë ta fitojë vetëm një kompani, të cilës i janë dhënë të drejta ekskluzive që të bëjë propozime ligjore për të ndryshuar ligjin e tatimeve. Në këtë mënyrë I hapet rruga nga njëra fitimit të kompanisë së paracaktuar nga Edi Rama, nga ana tjetër, biznesit që vepron në Shqipëri i shkaktohet një dëm kolosal”.

Partia Demokratike ka analizuar mbi 80 tendera të dhëna në fushën e IT, por asnjë nuk ka patur kritere kaq specifike sa në këtë rast- deklarojnë deputetët demokratë.

Endri Hasa, deputet i PD: “Jemi konsultuar me ekspertët më të mirë dhe rezulton se sistemi i ri i pagëzuar si sistemi i menaxhimit dhe kontrollit të faturimit do t’i kushtojë biznesit nga 80-100 milionë euro.
Kjo kosto kolosale do të ndodhë, sepse me sistemin e ri, qeveria do të detyrojë të gjitha bizneset të ndërrojnë të gjitha pajisjet fiskale dhe sistemet elektronike që kanë në përdorim”.

Sipas demokratëve qeveria nuk ka bërë të ditur çfarë do të bëhet me 140 mijë kasat fiskale ekzistuese, për të cilat një biznes ka paguar të paktën 300 euro për t’i instaluar. Ata bëjnë thirrje që tenderi prej 15 milionë euro për monitorimin e sistemit online të biznesit nuk duhet të zbatohet!/abcnews.al

PADIA-PER-VELIAJN-1280x720.jpg
ent ela12:25 | 19/09/2018

PD depozitoi në Prokurori një kallzim penal kundër kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj, për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera.

Sipas PD, në kundërshtim të plotë me ligjin e prokurimeve dhe pa garë, Erion Veliaj i ka dhënë kompanisë “Fusha” 2.6 milion euro për blerjen e 400 pishave.

PD shprehet se Veliaj ka pranuar që një pishë të blihet me një vlerë marramendëse 6500 euro copa.

Bashke me kallzimin, PD ka paraqitur në prokurori prova filmike dhe disa fotografi që tregojnë, sipas saj, prerjen dhe tharjen e pishave, njësoj si palmat. Kundrejt kësaj situate, Erion Veliaj dhe Bashkia nuk ka marrë asnjë masë ndaj “Fushës”.

PD deklaron se në më pak se 3 vjet, Erion Veliaj i ka dhënë rreth 25 milionë euro kompanisë “Fusha”,  gjysmën e të cilave pa garë.  /abcnews.al

ppdd.jpg
G. P.11:46 | 18/09/2018

Opozita e bashkuar do të vijojë me qëndrimin e saj për bojkot të seancave parlamentare. Nga burime brenda PD-së mësohet se deputetët e PD-së dhe ata të LSI-së do të mblidhen këtë të enjte në Vlorë, teksa në Tiranë do të ketë seanca plenare të Kuvendit.

Që nga fillimi i këtij sesioni parlamentar, opozita e bashkuar ka bojkotuar seancat plenare.

Gjatë mbledhjeve të përbashkëta të grupeve të tyre parlamentare në Shkodër, Elbasan dhe Durrës, PD dhe LSI kanë denoncuar probleme të ndryshme të shkaktuara, sipas tyre, nga keqqeverisja e vendit./abcnews.al

KRONIKE-PD-PER-MBYLLJEN-E-SHKOLLAVE.mpg_snapshot_00.25-1280x720.jpg
G. P.13:29 | 17/09/2018

Deputetët e Partisë Demokratike kanë nisur një fushatë denoncimi për përkeqësimin e arsimit në vend vit pas viti. Në zonat zgjedhore që i kanë dhënë mandatin, deputetët kanë evidentuar largimin e nxënësve nga shkollat apo edhe mbylljen e disa prej këtyre institucioneve arsimore.

Kryetarja e Komisionit të edukimit, demokratja Albana Vokshi pasi uroi nxënësit dhe mësuesit për ditën e parë të shkollës ka akuzuar ministrinë e arsimit, por edhe vetë kryeministrin për politika anti-sociale dhe shkelje të ligjit në mbylljen e mbi 100 shkollave në të gjithë shqipërinë.

Albana Vokshi: “Janë me mijëra fëmijë në të gjithë Republikën e Shqipërisë, kryesisht në zonat rurale ose që nuk kanë pasur mundtësinë që të shkojnë në shkollë, paso shkollat e tyre janë mbyllur ose janë detyruar që të udhëtojnë me kilometra të tërë. Nuk kemi as edhe një informacion nga ministria e arsimit se sa është numri në total dhe ku janë shkollat që janë mbyllur. Sa është numri në total i nxënësve që duhet të shkojnë nga njëra shkollë në tjetrën. Është tronditëse pasi janë 150 shkolla. PD ka pasur në terren të gjithë deputetët e saj të cilët kanë vizituar në terren të gjitha shkollat e mbyllura në të gjithas fshatrat.”

Në ditën e parë të vitit të ri shkollor Jorida Tabaku denoncoi mbylljen e shkollave në zonën e Priskës, fshatin Herras dhe atë Pinar duke detyruar prindërit të zhvendosin fëmijët e tyre në shkolla më të largëta. Mbi 85 nxënës do të detyrohen të mos vijojnë mësimin në shkollën ekzistuese në Pinar duke u zhvendosur në qendër të njësisë administrative, theksoi Tabaku.

Jorida Tabaku: “Është një zonë që nuk ka parë investime në 5 vitet e fundit ku po i detyron fëmijët e zonës të shkojnë deri në 7 km më larg, në qendër të Zallherrit, me rrugë të pashtruar, pa kushte, pa i njoftuar. I kanë njoftuar ditën e premte që do të spostohen mësuesit dhe nxënësit”.

Deputetja Lindita Metaliaj deklaron se janë 9 shkollat e mbyllura në qytetin e Lezhës.

Lindita Metaliaj: “Shkolla 9-vjeçare Gramsh e cila do të mbyllet dhe do të shkojë në Xhadër, shkolla Gocaj do t shkojë në Kakarriç, shkolla Baçaj shkon në Blinisht, shkolla Kodhel shkon po në Blinisht, shkolla Fishtë e cila transferohet në Troshanë, shkolla Krajen shkon përsëri në Troshan, shkolla Dragushë e cila transferohet në Mapë, shkolla Shkëmbi i Kuq e cila transferohet në Kolajakaj dhe shkolla Mërçi e cila transferohet në shkollën Rraboshtë.”

Të njëjtin fat ka patur edhe shkolla në fshatin Dajç të Shkodrës denoncon deputetja Izmira Ulqinaku.

Izmira Ulqinaku: “Nuk është e vetmja që kjo ditë e parë i gjen të mbyllura pasi deri vjet kanë funksionuar”.

Në Elbasan 18 janë shkollat e mbyllura sipas demokratëve.

Endri Hasa: “Shkolla e cila ka kushtuar rreth 2 milionë euro, sot që duhet të gumëzhinte rri e mbyllur. Si kjo shkollë ku investimi po shkon dëm po mbyllen qindra shkolla në të gjithë vendin”.

Luciano Boci: “Ne kemi denoncuar se kjo shkollë është dhënë për destinacion tjetër me qira edhe kjo është krejtësisht ë papranueshme. Janë 18 shkolla që janë mbyllur pothuajse në të gjitha qarqet e Shqipërisë”.

E tillë shfaqet situata edhe në qarkun Dibër ku deputetja Dhurata Çupi denoncon mbylljen e rreth 30 shkollave, 6 të tjerave në Klos, 10 ne Mat dhe10 të tjera në Bulqizë. Denoncimet e demokratëve kanë vijuar edhe nga Peshkopia, Vlora, Pogradeci dhe Fieri./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore.


Kontakt

Telefono