pastrim parash

MBULIM-ADRIATIK-LLALLA.mpg_snapshot_00.28-1280x720.jpg
ent ela15:25 | 28/06/2019

Ish- kryeprokurori Adriatik Llalla ka refuzuar zgjatjen e afateve të hetimit nga  Prokuroria për Krime të Rënda. Ankimimi i ish-kryeprokurorit është bërë përmes avokatit të tij Sokol Hazizaj, ku i kërkon Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda  shfuqizimin e vendimit të prokurorit Klodian Braho që ka kërkuar edhe tre muaj të tjerë  kohë për t’i dhënë zgjidhje çështjes.

Hazizaj ka argumentuar, se organi i akuzës ka patur kohën të mjaftueshme në dispozicion për të kryer të gjitha hetimet ndaj ish-kryeprokurorit. Adriatik Llalla akuzohet për pastrim parash, fshehje apo mosdeklarim të pasurive dhe mosdeklarim i të hollave në kufi. Hetimet kanë ecur me ritëm shumë të ngadaltë për shkak të mos mbërritjes së letërporosive nga Gjermania. Organit të Akuzës i kanë mbërritur disa informacione nga autoritete gjermanë, por prokurori i çështjes Klodian Braho ka dërguar edhe një herë letërporosi duke u kërkuar informacione më të detajuara. Kërkesa e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla do të shqyrtohet në 3 Korrik nga Gjykata e Krimeve të Rënda. /ABC News Albania 24/7

IMG_5972-1280x853.jpg
ent ela14:16 | 25/01/2019

Sekretari për çështjet ligjore pranë selisë blu Çlirim Gjata, tregoi dokumenta për të vijuar denoncimin e shkeljeve, sipas tij, në procesin e vettingut ndaj shefes së Prokurorisë së Krimeve të Rënda Donika Prela. Sipas Gjatës, ka dyshime për pastrim parash.

Procesi i rivlerësimit kalimtar për shefen e prokurorisë së Krimeve të rënda Donika Prela, nxorri sërisht në deklaratë sekretarin për çështjet ligjore të Partisë Demokratike Çlirim Gjata, këtë herë me dokumenta të dosjes së Prelës të ndodhur në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Dosje që për selinë blu, përmban informacione për shkelje ligji, por ngre edhe dyshime të arsyeshme për kryerjen e veprës penale të pastrimit të parave.

“Blerja e apartamentit në Durrës për 1 milionë lek të reja, shitet për 4 milion lek të reja. Apo blerje trojesh, apartamentesh, pronash, më lirë, apo shitje më shtrenjtë, apo shumë më shtrenjtë se ç’është çmimi i tregut.

A hetohet këtu për pastrim parash? Apo për fiktivitet, apo për kontrata fiktive? E ka detyrim organi i vettingut ta bëjë këtë”.

Ka edhe të tjera raste që duhen hetuar me seriozitet në dosjen “Prela” sipas Gjatës. I tillë është edhe rasti i nënvizuar nga vëzhguesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit Theo Jackobs, i pagës “në të zezë” që Vangjel Prela, bashkëhsorti i kryeprokurores së Krimeve të Rënda, ka marrë për punën si inxhinier.

“Megjithëse për vite me rradhë ka përfituar të ardhura dhe s’ka paguar taksa, kujtohet tani, pikërisht, pasi është futur nën proces verifikimi zonja Prela, bashkëshorti i saj ka hapur një proces gjyqësor kundër kompanisë përkatëse, kundër kompanisë “Bruci”, tek e cila ka punuar, deri në mars 2018. Dhe këtë padi e ka hapur pas 7 vitesh”.

Gjata flet për padinë numër 2414 e ngritur në Gjykatën e Tiranës nga Vangjel Prela më 30 gusht të 2018-ës, për mos pagim të sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore të paditësit për vitet 2006-2009 si dhe për periudhat 2010 – 2011.

Por:

“Kodi civil nuk ta jep këtë mundësi që të hapësh një padi të tillë për dëshpërblim, për pagesë taksash apo sigurimeve pas 7 viteve, pasi është e parashkruar.

Është neni 115 i Kodit Civil ai që parashikon dy vjet kohë për ngritjen e një padie për pagimin e shpërblimit sipas kontratës së sigurimit dhe risigurimit, si dhe të shumës përkatëse të rrjedhur nga sigurimi i detyrueshëm dhe tre vjet kohë për paditë për shpërblim të dëmit jo kontrator dhe ato për kthimin e përfitimit pasuror pa të drejtë”.

Njëkohësisht Kodi i Punës, afat parashikimi për të drejtat e punëmarrësit kundrejt punëdhënësit dhe anasjelltas, parashikon 3 vjet nga lindja e së drejtës, minimalisht gjashtë vjet më pak se ç’ju desh bashkëshortit të titullares së Prokurorisë së Krimeve të Rënda për të ngritur padinë civile ndaj kompanisë ku ka qënë i punësuar.

“Nuk e ditkërka zonja në fjalë si juriste, që bashkëshorti nuk mund të hapë një padi pas shtatë vitesh? Është bërë fiktive, pra vërtetë s’i kemi paguar, por e ka fajin kompania dhe unë po e padis në gjyq”.

E nuk mbaron me kaq dosja e zonjës Prela për demokratët.

“Prokurorja e Krimeve të Rënda ka marrë një apartament, është në marrëdhënie kontraktore me një kompani, administratori i së cilës është nën hetim nga Prokuroria që ajo drejton. Çmimi është shumë më i lirë se sa i tregut, është nga 300 deri në 500 euro më i lirë se çmimi i tregut për metër katror, dhe kjo del nga vetë thirrjet që kjo Kompani ka bërë për shitjen e apartamenteve të pallatit të ndërtuar nga kjo, ku të gjitha çmimet shkojnë minimumi nga 250 deri në 500 Euro më shtrenjtë për metër katror se ç’e ka blerë apartamentin zonja Prela”.

Ky është preferencim i cili duhet hetuar nga organet e vettingut sipas Gjatës, për të evituar atë që quan standart të dyfishtë që ky organ zbaton në gjykimet e tij.

/abcnews.al

SINKRON-RAMA-KOMITETI-.mpg_snapshot_00.36-1280x720.jpg
G. P.14:23 | 17/12/2018

U prezantua nga Këshilli i Europës në Kryeministri Raporti për Shqipërinë për vlerësimin e masave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. I pranishëm ishte dhe kryeministri Rama i cili theksoi se vlera e aseteve kriminale të sekuestruara gjatë 5 viteve të fundit ishte më e madhe se ajo e sekuestruar në 10 vite.

Teori dhe teorema konspirative i emërton kryeministri Edi Rama kritikat që dëgjon e lexon mbi pastrimin e parave në Shqipëri.

“Është folur prej shumë kohësh dhe po ashtu është shpifur kaq shumë për luftën e qeverisë ndaj pastrimit të parave, në veçanti për këtë vlerësim, ku janë shitur dhe si zbulime investigative ekskluzive, copëza letrash e dokumentesh të nxjerra nga materiale krejtësisht të rëndomta, pa u kuptuar, ose duke u kuptuar, por duke u shitur për të krijuar keqkuptime”.

Në prezantimin e Raportit për Shqipërinë të vlerësimit të masave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, i Këshillit të Europës shefi ekzekutivit sheh me vend të sqarojë rolin e qeverisë.

“Sa që ky raport vjen vërtetë në kohën e duhur si një dokument që vlerëson me objektivitet përputhshmërinë teknike dhe efektivitetin e luftës sonë kundër pastrimit të parave, që duke u krahasuar me vlerësimin e mëparshëm të bërë nga po ky Komitet, por dhe krahasuar me vendet e rajonit apo edhe të BE-së të vlerësuara së fundmi, na vendos në një pozicion mjaftueshmërisht të mirë për të qenë krenarë për punën që kemi bërë”.

Kryeministri Rama tregon se në përfundim të vlerësimit në vitin 2011, Shqipëria përfundoi në të ashtuquajturën “listë gri”, listë problematike, duke u konsideruar si një vend me risk shumë të lartë për pastrim parash dhe financim terrorizmi, nga ku doli në vitin 2015, në sajë të punës që qeverisë që drejton ai vetë.

“Ka shumë të tjera arsye për të parë përmirësimet e bëra, por më lejoni të prek njërën. Vlera e aseteve kriminale të sekuestruara në 5 vitet e fundit është 5 herë më e madhe, sesa vlera e aseteve kriminale të sekuestruar në 10 vjet të marra sëbashku, para 5 viteve të fundit”.

Daniel Thelesklaf, Kryetar i organizmit të Këshillit të Europës kundër pastrimit të parave, MONEYVAL, gjatë prezantimit të raportit u shpreh se, Shqipëria është një prej dy vendeve që kanë marrë vlerësim pozitiv, nga shumë vende në mbarë botën, sa i përket punës që bankat dhe institucionet financiare po kryejnë për të parandaluar luftuar pastrimin e parave dhe financimin terrorist. Të gjitha vendet e tjera të BE-së nuk kanë marrë një vlerësim kaq pozitiv –tha kreu I MONEYVAL duke I kujtuar edhe sfidat që e prisein Shqipërinë.

“Ashtu si në shumë vende të tjera, sfida kryesore për Shqipërinë është që të prodhojë rezultate të prekshme nga ana e agjencive ligjzbatuese. E di që ky është një proces i gjatë, kërkon kohë, por ekziston nevoja që të përshpejtohen hetimet, ndjekjet nga Prokuroria, të cilat janë në përputhje me profilin e riskut të vendit. Pra ne kemi mësuar që ka pasur një vlerësim tërësor të risqeve, por nuk shohim ende rezultate për trajtimin e këtyre risqeve që janë zbuluar”.

Kryetari i Moneyval theksoi se reforma në sistemin e drejtësisë është tejet e rëndësishme në këtë aspekt. Afatet e përcaktuara në standardet ndërkombëtare për zbatimin e masave janë vërtet shumë të rrepta. /abcnews.al

 

KRONIKE-YLV-BEQJA-PROKURORI-TIRANE.mpg_snapshot_00.17-1280x1052.jpg
G. P.17:20 | 06/12/2018

Për 40 minuta me radhë, biznesmeni Ylvi Beqja, dëshmitar i mbrojtur i drejtësisë për dosjen “Shullazi” dha shpjegime në Prokurorinë e Tiranës. Ai u pyet për llogari të një hetimi të nisur ndaj Emiliano Shullazit në këtë prokurori për akuzën e “pastrimit të parave”.

Një hetim i nisur për Emiliano Shullazin nga Prokuroria e Tiranës për akuzën e “pastrimit të parave” solli të enjten në këtë godinë biznesmenin Ylvi Beqja.
Ai mbërriti në institucion përmes një automjeti të blinduar të Drejtorisë për Mbrojtjen e Dëshmitarëve. Statusin e dëshmitarit të mbrojtur Beqja e përfitoi për dëshminë e dhënë kundër Shullazit, prova kryesore e prokurorisë në procesin ndaj tij dhe grupit tek Krimet e Rënda.

Këtë herë Beqja dha shpjegime para prokurores Elisabeta Imeraj, në lidhje me dyshimet e ngritura për paligjshmëri të konsumuar gjatë regjistrimit të pronësisë së ish-hotel Vollgës në Durrës, një pjesë e të cilit i është kaluar Emiliano Shullazit apo për transaksione financiare të kryera për këtë qëllim. Aktualisht kjo pronë është nën masën e sekuestros preventive. Por përveç dijenisë për veprimet të Shullazit, dëshmitari i mbrojtur Beqja ka dhënë deklarime edhe si person nën hetim, pasi emri i tij është pjesë e të njëjtit hetim për “pastrim parash” të nisur nga Akuza e kryeqytetit.

Burimet e Prokurorisë u treguan të rezervuara për përmbajen e deklarimeve biznesmenit. Marrja e tij në pyetje zgjati rreth 40 minuta. Për të shmangur përballjen me kamerat, ai zgjodhi të largohej nga një derë e ndryshme nga ajo që u fut në godinë. Biznesmeni Ylvi Beqja është një nga kallëzuesit për “gjobëvënie” të Emiliano Shullazit dhe të bashkëpandehurve të tij dhe dëshmia e tij ishte vendimtare në procesin tek Krimet e Rënda që përfundoi me deklarimin e fajshëm të të pandehure dhe një total prej 55 vitesh burg për ta./abcnews.al

BANKA-GJERMANE.mpg_snapshot_00.00-1280x925.jpg
G. P.20:32 | 29/11/2018

Prokuroria gjermane ka bastisur selinë qëndrore dhe disa degë të “Dojçe Bank” në Frankfurt. Autoritetet dyshojnë se kjo bankë është përfshirë në pastrimin e parave.

Selia qëndrore e Bankës Gjermane në Frankfurt është bastisur nga prokurorët për shkak të një hetimi lidhur me dyshimet për pastrim parash. Prokurori publik i Gjermanisë akuzon dy anëtarë të stafit se kanë ndihmuar klientët të pastrojnë para të fituara nga aktivitetet kriminale. Makina policie janë parë jashtë bllokut të kullave ku gjendet selia qëndrore të bankës më të madhe të Gjermanisë. Gjithashtu edhe zyra të tjera të “Dojçe Bank” janë kontrolluar në të gjithë qytetin e Frankfurtit në një operacion ku janë përfshirë rreth 170 zyrtarë dhe policë. Prokurorët po kërkojnë të zbulojnë nëse stafi i kësaj banke ka ndihmuar klientët për të hapur llogari për të “transferuar para nga aktivitetet kriminale”.

Ndërkohë, hetimi ka nisur nga zbulimet në vitin 2016 kur plasi skandali “Panama Papers” – pas publikimit të një sasie të madhe informacioni të marrë nga një prej kompanive më secrete të botës, firma ligjore nga Panamaja e quajtur Mossack Fonseca. “Dojç Bank” ka konfirmuar bastisjen e polciisë në lokacione të ndryshme në GJermani dhe nënvizon se ka bashkëpunuar me hetuesit. Dokumente të shumta janë sekuestruar nga zyrtarët gjatë kontrolleve në pronat e bankës./abcnews.al

toyota.jpg
G. P.15:31 | 25/07/2018

Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda ka refuzuar kërkesën për liri të katër të arrestuarve pas bllokimit të 3.4 milionë eurove në dy mjete “Toyota” në Portin e Durrësit në 23 Qershor 2018.

Një treshe gjykuese e Apelit la të pandryshuar masën e sigurisë “arrest në burg” dhënë me herët nga Shkalla e Parë për të dyshuarit  Edi dhe Klevi liken, Arben Çeka dhe Alban Mollaymeri.

Ata akuzohen për “pastrim të parave”, “armëmbajtje pa leje” dhe  “falsifikim të monedhave” në formën e “grupit të strukturuar kriminal”. Për këtë çështje janë shpallur në kërkim kushërinjtë, Elvis dhe Alfred Vladi, të dyshuar si porositësit e mjeteve “Toyota Yaris” ku u gjetën eurot./abcnews.al

 

poliii.jpg
G. P.14:06 | 16/07/2018

Antikrimi i policisë së Vlorës në bashkëpunim me Prokurorinë kanë sekuestruar 293.000 euro, të dyshuara si fitime nga veprimtaria kriminale. Në njoftimin zyrtar të policisë thuhet se për këtë vlerë është bërë e mundur sekuestro preventive mbi 4 llogari bankare të shtetasit italian V.L. Ky person dyshohet për kryerjen e veprës penale të pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal. Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë për veprimet e mëtejshme./abcnews.al

Komisariati-i-Policise-Fier.jpg
ent ela11:15 | 02/06/2018

Një 52 vjeçar është ndaluar nga policia e Fierit me akuzën e pastrimit të parave, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim.në operacionin policor të koduar “Pastrimi” u ndalua Xhevair Troka dhe u shpallën në kërkim personat me iniciale 1.L.Ç, 50 vjeç, banues në Patos 2.Sh.Ç, 44 vjeç, banues në Durrës. Për këtë akuzë është dhënë masa detyrim paraqitje edhe për dy persona të tjerë me iniciale A.Ç, 75 vjeç, dhe J.Ç, 26 vjeçe, banues në Patos.

Njoftimi i Policisë Fier

Ndalohet një shtetas për “Pastrim të produkteve të veprës penale”, 2 shpallen në kërkim, dhe për 2 të tjerë është dhënë masa e sigurisë “Detyrim paraqitje”.

Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë Fier, pas një hetimi 2 vjeçar, bënë të mundur finalizimin e operacionit policor të koduar “PASTRIMI”.

Si rezultat i këtij operacioni, u ndalua shtetasi:

-Xhevair Troka, 52 vjeç, banues në Fier.

Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier me vendimin e datës 01.06.2018, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”.

Gjithashtu u bë shpallja në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasve:

1.L.Ç, 50 vjeç, banues në Patos

2.Sh.Ç, 44 vjeç, banues në Durrës

Për këta shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë Fier me Vendimin e datës 01.06.2018 ka caktuar masë sigurie “Arrest në burg” për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”.

Po për këtë vepër penale, Gjykata e Shkallës së Parë Fier ka vendosur masën e sigurisë “Detyrim paraqitje” për shtetasit me iniciale:

  1. A.Ç, 75 vjeç, banues në Patos.
  2. J.Ç, 26 vjeçe, banuese në Patos. /abcnews.al

 

dash.jpg
G. P.12:05 | 01/05/2018

Shqipëria mbetet ndër vendet kryesore përsa i përket pastrimit të parave. Kështu konfirmohet në raportin më të fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për vitin 2017.

Në raportin më të fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, vendi ynë klasifikohet si ndër më kryesorët në listën e vendeve të prekura nga fenomeni i pastrimit të parave, për vitin 2017. Në paragrafin për strategjinë e kontrollit të narkotikëve, DASH thotë se Shqipëria mbetet në rrezik domethënës për pastrim parash për shkak të korrupsionit të gjerë dhe institucioneve të dobëta.

“Shqipëria ka një ekonomi të madhe ‘cash’ dhe informale, me flukse domethënëse parash që hyjnë nga jashtë në formën e remitancave. Burimet kryesore të parasë kriminale vijnë nga trafiku i drogës, evazioni fiskal, kontrabanda dhe trafiku i qënieve njerëzore,” thuhet ndër të tjera në raport.

Sipas Departamentit të Shtetit, në vendet ku pastrohen para, institucionet financiare kryejnë transaksione, të cilat përfshijnë shuma domethënëse parash që burojnë nga trafiku i drogës.

“Ndërtimi, veçanërisht në zonat bregdetare, projektet e biznesit dhe kumari janë metodat më popullore të pastrimit të parave në Shqipëri”, theksohet në raport.

Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, institucionet shqiptare nuk janë efektive në luftën kundër pastrimit të parave. Si rezultat, paratë e pista në vend pastrohen lehtësisht.

Shqipëria u rikthye në listën e zezë të pastrimit të parave vitin e kaluar për shkak të rritjes masive të trafikut të drogës dhe parasë kriminale në ekonomi. Edhe këtë vit, Departamenti Amerikan i Shtetit e ka mbajtur Shqipërinë në të njëjtën listë duke i kërkuar qeverisë të forcojë luftën ndaj pastrimit të parave, dhe të konfiskojë pasuritë e vëna në mënyrë të paligjshme. /abcnews.al

policia-belgjike.jpg
G. P.22:49 | 27/04/2018

Një operacion masiv i agjencive ligjzbatuese belge ka çuar në asgjësimin e një konsorciumi kriminal, ku bënte pjesë edhe një klan shqiptar, i përfshirë në trafik droge, prostitucion dhe pastrim parash.

Pas dy vjet hetime, policia gjyqësore belge ka organizuar një supër aksion kundër krimit të organizuar, që është finalizuar me arrestimin e 31 personave, mes të cilëve shumë shtetas shqiptarë. Që prej së dielës e deri mbrëmjen e së enjtes, rreth 290 efektivë policie janë angazhuar në këtë aksion që ka goditur disa grupe kriminale, aktive në trafikun e drogës, falsifikimit dhe pastrimit të parave, shfrytëzimit të prostitucionit dhe evazionit.

Operacioni është kryer në katër lokalitete të ndryshme të Belgjikës dhe në provincën e Luksemburgut, ku janë kontrolluar 47 banesa. Hetimet, sipas autoriteteve lokale, kanë treguar lidhje të elementëve vendas me grupe kriminale shqiptare për kultivimin e kanabisit dhe mafian italiane për falsifikimin e parave.

“Një sistem i sofistikuar kompanish fasadë i ka lejuar organizatës me bazë familjare të fshehë aktivitetet kriminale, të pastrojë paratë dhe të sigurojë të ardhura të konsiderueshme”, ka deklaruar prokurori Christian Henry.

Nga 31 personat e arrestuar 11 janë vënë nën arrest, ndërsa të tjerë janë liruar me kusht ose të proceduar në gjendje të lirë. 5 prej tyre i përkasin së njëjtës familje, me banim në Turnai. Gjatë kontrolleve të policisë janë gjetur dhe asgjësuar 7 plantacione dhe 25 kg kanabis, 35 mijë euro, si dhe armë zjarri. Gjithashtu, efektivët kanë mbyllur edhe tre lokale në rajonin Turnai./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono