Partizani

lerdda.jpg
G. P.15:59 | 19/06/2019

Trajneri i Partizanit, Franko Lerda, dhe drejtori i përgjithshëm, Olsi Rama, shprehen për shortin e Championsit. Synojnë të jenë të përgatitur dhe të kualifikohen.

Emrin e kundërshtarit e mësuan në fazë përgatitore. Futbollistët e Partizanit dhe stafi i tyre teknik po përgatitet në Slloveni për Championsin, ku rivali në turin e parë eleminator do të jetë Karabaku i Azerbajxhanit. Trajneri i ri, Franko Lerda, tregoi në faqen zyrtare të klubit sesi e priste shortin.

“Të preferuar nuk kisha pasi sa herë hidhen shortet ka diskutime të ndryshme, por në fund duhet të vazhdojmë me përgatitjet tona dhe të kërkojmë të shkojmë në ndeshje me përgatitjen e duhur fizike, teknike, taktike, por mbi të gjitha, posikologjikisht të bindur se mund të kalojmë turin, pasi ndeshje të lehta nuk ka. Kam besim se do të shkojë mirë”, tha Lerda.

Italiani tregoi edhe përshtypjet e para për skuadrën e tij të re.

“Sot ka qenë dita ime e parë, ku takova djemtë në fushë. Ishte një takim shumë pozitiv, i pashë mirë, punuam mirë. Kështu jam shumë i kënaqur sepse pashë jë skuadër që do të rritet, përmirësohet dhe rritet. Pashë një grup që ka karakteristikat e mira, që na jep përshtypjen se do të bëjmë mirë”, tha Lerda.

Më pas, Lerda, tregoi edhe programin gjatë fazës përgatitore në Slloveni.

“Miqësore për momentin kemi dy, njërën në datën 23 dhe tjetrën në datën 26. Më pas kemi menduar sëbashku me stafin të mendojmë se ku do të bëjmë miqësoren e tretë sepse duhet të menaxhojmë dhe ngarkesën e stërvitjes. Tani duhet të bëjmë këto dy miqësore që i kemi me skuadra të rëndësishme”, tha Lerda.

Reagim për shortin edhe nga drejtori i përgjithshëm i kryeqytetasve, Olsi Rama, i cili e ndoqi shortin në sallën e UEFA-s në Nion të Zvicrës.

Rama u citua nga faqja zyrtare e Partizanit në internet, dhe u shpreh se “respektojmë çdo kundërshtar, ne jemi kampionë të Shqipërisë dhe padiskutim kërkojmë kualifikimin, jemi në një projekt ambicioz ku synojmë të ecim sa më shumë në Europë”.

“Karabaku është skuadër me shumë eksperiencë në Europë, – vazhdoi ai, – dhe normalisht nuk do të jetë e lehtë, gjithsesi futbolli nuk është shkencë ekzakte, nuk fiton më i shtrenjti, por më i miri”.

Partizani do ta luajë ndeshjen e parë në Tiranë në 9 ose 10 korrik, dhe të kthimit në Azerbajxhan në 16 ose 17 Korrik. Në rast kualifikimi, kampionë e Shqipërisë do të ndeshet në turin e dytë me fituesin e çiftit Dandalk të Irlandës-Riga të Letonisë./ABC News Albania 24/7

partizani-antalyaspor.jpg
G. P.15:41 | 18/06/2019

Partizani do të ndeshet me kampionen e Azerbajxhanit, Karabak, në turin e dytë të Championsit. Një përballje e vështirë për të kuqtë, ndaj një kundërshtari që ka qenë në fazën e grupeve, vitet e fundit

Nuk pati aspak fat, por gjithsesi shorti do nuk do të kishte qenë i lehtë. Partizanit i takoi kampionia e Azerbajxhanit, Karabaku, si kundërshtar në turin e parë eleminator të Championsit, pas shortit të hedhur në Nion të Zvicrës.

Kundërshtarët e tjerë të mundshëm ishin Sëlltiku i Skocisë, Sherifi i Tiraspolit i Moldavisë, Sllovani i Bratisllavës, dhe më i lehti Dudelanzhi i Luksemburgut. Karabaku është skuadra më e njohur e Azerbajxhanit, dhe një formacion me autoritet në kupat kontinentale vitet e fundit.

Azerët janë kualifikuar për në fazën e grupeve në 5 sezone radhazi, katër herë në Ligën e Europës, dhe një herë në Champions, duke u ndeshur me skuadra të forta si Atletikon e Madridit, Romën, Çelsin, Arsenalin, Totenhemin apo Sportingun e Lisbonës.

Sezonin e kaluar, Karabaku eleminoi në turin e dytë eleminator Kukësin, me fitore 3-0 dhe barazim 0-0 në Shqipëri. Për këtë skuadër luajti 7 vjet ish-kapiteni I kombëtares shqiptare dhe ish-mbrojtësi i Tiranës, Ansi Agolli, në sezonet 2012-2019, duke dalë 6 herë radhazi kampion.

Partizani ka luajtur rrallë në kupat e Europës sezonet e fundit, duke eliminuar Ferencvaroshin e Hungarisë në turin e parë dy sezone më parë, e duke u eliminuar nga Red Bulli i Salcburgut, Krasnodari dhe Maribori në Ligën e Europës.

Kryeqytetasit kanë qenë në Champions vetëm katër herë që nga 1987-ta, dhe është ndeshur me Benfikën, Akranesin e Islandës, si dhe me kundërshtarët e viteve të fundit.

Nëse Partizani eliminohet, do të kalojë në turin e dytë të Ligës së Europës, pra sërish me shpresë për të synuar sukses. Ndeshja e parë do të luhet në 9 ose 10 korrik në Shqipëri, ndërsa ndeshja e kthimit, në 16 ose 17 Korrik./ABC News Albania 24/7

partizani-1280x716.jpg
nev ila23:36 | 17/06/2019

UEFA ka publikuar ndarjen e vazove në prag të shortit për ndeshjet e turit të pare të Champions Ligë.

Partizani ndodhet në vazon e dytë ku do të përballet me kundërshtarë të fortë.

Në prag të shortit për ndeshjet e turit të parë të ligës së kampioneve, UEFA ka bërë publike ndarjen e vazove për skuadrat pjesëmarrëse. Janë plot 32 skuadra që do të marrin pjesë në turin e parë eliminator të ndarë ne tre vazo.

Grupi i dhe grupi 2 ka në përbërje 10 skuadra ndërkohë që grupi 3 përbëhet nga 12 ekipe.  Ekipet e renditura me koeficientet më të mirë pozicionohen në vendet e para në secilin grup, për rrjedhojë ekipet më pak favorite pozicionohen nga fundi.

Skuadra kampione e Shqipërisë, Partizani, ndodhet në vazon e grupit të dytë dhe renditet tek skuadrat jo favorite. Mundësitë janë që Partizani të përballet me një nga skuadrat e Selltiv, Sherif Tiraspol, Karabag, Slovan Bratislava dhe Dudelanzh.

Skuadrat e tjera krah partizanit jane Valeta, Sarajevo, Sutjeska, dhe Saburtalo.

Skuadra tjetër shqiptare e Shkëndijës së Tetovës ndodhet në gurpin e 1 dhe do të përballet me skuadra të kalueshme në letër./ABC News Albania 24/7

partizani-1.jpg
nev ila00:00 | 17/06/2019

Pas nënshkrimit me trajnerin Franco Lerda, skuadra e Partizanit ka prezantuar dy blerjet e reja. Uilliam Melo dhe Esin Hakaj do të mbajnë veshur fanellën e të kuqve për edicionin e ardhshëm.

Pas zyrtarizmit të trajnerit Franko Lerda, skuadra e partizanit ka zyrtarizuar dy blerjet e para për merkaton verore. Bëhet fjalë për Uilliam Kordeira Mela dhe Esin Hakaj, dy futbollistë që luajnë në krahët e mbrojtjes. Të dy lojtarët aktivizohen në kategorinë superiore. Mela është aktivizuar sezonin e kaluar tek skuadra e Kukësit dhe shquhet për përshtatjen në pozicione të ndryshme në fushë.

Klubi Futbollit Partizani zyrtarizon sot arritjen e marrëveshjes me Uilliam Kordeiro Melo. Mbrojtësi i djathtë brazilian do të jetë pjesë e skuadrës për sezonin e ri futbollistik 2019 – 2020, pasi ka nënshkruar kontratën me klubin me opsion rinovimi edhe për një tjetër vit është një pjesë e njoftimit të klubit kampion në Shqipëri.

Mbrojtës i krahut të majtë Esin Hakaj vjen nga skuadra e Teutës ku u aktivizua për dy sezone.

Klubi i Futbollit Partizani njofton arritjen e marrëveshjes me Esin Hakaj. Mbrojtësi i majtë ka nënshkruar sot një kontratë një vjeçare me klubin, me opsion rinovimi edhe për një tjetër vit. 22 vjeçari rikthehet në familjen e kuqe, pas dy sezonesh pozitive te Teuta. Njofton klubi i kuq.

Dy përforcimet pritet të kompletojnë skuadrën e partizanit në repartin difensiv. Të kuqtë  do të nisin përgatitjet në slloveni në prag të ndeshjeve në  Champions League./ABC News Albania 24/7

partizani-1280x716.jpg
ent ela17:45 | 06/06/2019

Dy italianë dhe një shqiptar janë kandidaturat kryesore për stolin e Partizanit. Trajneri I ri pritet të zgjidhet mes Adolfo Sormanit, Zdenek Zemanit dhe Ilir Dajës.

Koha e festës ka kaluar dhe po harrohet, ndërsa gjërat duhen ndrequr shpejt.

Largimi i trajnerit Skënder Gega i ka hapur problemin më të madh Partizanit, i cili po nxiton ta zgjidhë, dhe informacionet janë që kandidaturat kryesore për stolin janë tre.

Burime pranë klubit njoftojnë se ka fituar sërish pikë italiani Adolfo Sormani, njeriu që drejtoi ekipin për pak muaj në verë dhe vjeshtë 2016, kundrejt një rrogë që vlerësohet se ishte 6 apo 7 000 euro në muaj.

Me 53-vjeçarin, Partizani kaloi Ferencvaroshin në Ligën e Kampionëve, dhe arriti deri në turin e tretë të Ligës së Europës, duke u eleminuar nga skuadra shumë e fortë ruse, Krasnodar.

Ai u largua pas përplasjeve me disa lojtarë, duke akuzuar se në klubi nuk kishte disiplinë.

Pas Shqipërisë, Sormani punoi në Kinë si ndihmëstrajner, dhe si kryetrajner i Veljes në Danimarkë.

Kandidat i fortë edhe Zeman, por 72-vjeçari mund të kushtojë shumë.

Burime në klub pohojnë se mund të arrihet akordi edhe për 20 000 euro në muaj, veçse tek Peskara vjet, merrte 300 000 euro në vit sezonin e parë, dhe I ishte premtuar gjysmë milioni euro vitin e dytë.

Trajneri çek me pasaportë italiane ka një karrierë të gjatë, 36-vjeçare, me kulmet tek Foxha që e nxorri nga kategoria e tretë në Serinë A, tek Lacio, Roma, Fenerbahçe, Parma, Napoli, Crvena Zvezda, sërish Roma, Kaljari dhe së fundmi Peskara.

Gjithsesi, kryeqytetasit duket se nuk heqin dorë as nga Ilir Daja, një nga trajnerët më të mirë shqiptarë të viteve të fundit.

Daja ka përvojë të rëndësishme në kupat kontinentale, pasi arriti deri në fazën e grupeve të Ligës së Europës me Skënderbeun.

Po ashtu, ai ka eksperiencë të madhe në Superligë, duke dalë tri herë kampion, me Elbasanin, Dinamon dhe me Skënderbeun një vit më parë.

Gjithsesi, edhe Daja nuk do të kënaqet me rrogë të vogël, pasi burime në Vlorë pohojnë se fitonte mbi 6 000 euro në muaj tek Flamurtari, ndonëse nuk dihet nëse është paguar siç duhet nga klubi. /ABC News Albania 24/7

skender-gega-1280x722.jpg
nev ila18:53 | 02/06/2019

Skënder Gega u largua nga Partizani për arsye familjare, por edhe për shkak të kompetencave. Ky informacion jepet nga burime në klub, të cilat theksojnë se Ilir Daja është kandidati kryesor për ta zëvendësuar.

Rrufeja ishte si në qiell të pastër.

Superliga sapo përfundoi me fitoren e titullit nga Partizani, dhe trajneri Skënder Gega e deklaroi hapur për mediat që po mendonte për sezonin e ardhshëm.

Duhet të ulem me klubin dhe të shohim me shumë kujdes kush mund të jetë pjesë e projektit vitin e ardhshëm, nuk kam vlerësuar asnjë as jashtë as brenda superligës, këta që janë do uroja të ishin me ne deri në fund”, tha Gega.

Kaluan vetëm pak ditë, dhe deklarata e klubit ishte një tronditje e vërtetë.

Gega u largua me mirëkuptim, kështu theksuan edhe drejtuesit e Partizanit  në deklaratën e tyre, po kështu edhe vetë Gega, në sqarimin publik në faqen e të kuqve në FB.

Çfarë ndodhi që i ndau kampionët kaq shpejt?

Burime pranë klubit pohojnë dy arsye kryesore, ku shumë rëndësi i japin shkaqeve familjare, me familjen e Gegës në Shtetet e Bashkuara, dhe me distancën që gjithnjë mund të krijojë probleme.

Një sakrifikim i karrierës pra, për familjen.

Arsyeja e dytë jepet lidhur me kompetencat, pasi Gega kërkoi që të vendoste më shumë për afrimin e lojtarëve.

Kjo çarje ndoshta u krijua në dhjetor-janar, kur duheshin bërë përforcimet e dimrit, por lojtarë që thuhej se Gega i pëlqente, si Shkurtaj apo Rroca, nuk erdhën, edhe pse klubi i kishte mundësitë që t’i merrte.

Vetë Gega, sipas burimeve në klub, solli vetëm Dukën me Rexhepin, të cilët e kaluan provën me sukses.

Gjithsesi, tashmë Gega është i larguar dhe, tek Partizani po mendojnë për pasardhësin.

Kandidati kryesor që përmendet është Ilir Daja, tri herë kampion i Shqipërisë me Elbasanin, Dinamon dhe Skënderbeun.

Tekniku i Flamurtarit besohet se përfundon kontratën në mes të qershorit, ndërsa kryeqytetasit ndoshta duhet të fitojnë konkurrencën edhe me Skënderbeun, që gjithashtu e dëshiron ish-trajnerin e tij./ABC News Albania 24/7

partizani-3.jpg
nev ila23:10 | 30/05/2019

Sezoni 2018-19 rezultoi historik për Partizanin që u shpall kampion pas 26 vitesh. Tirana ia doli të qëndrojë në mesin e më të mirave në futbollin shqiptar ndërkohë që për Skënderbeun ishte sezon i dështuar.

Kategoria superiore zhvilloi ndeshjet e fundit të edicionit 2018- 19 ku u përcaktuan edhe verdiktet përfundimtare për skuadrat.

Partizani e mbylli sezonin si kampion në kategorinë superior në kuotën e 70 pikëve, plot 11 pikë më shumë se rivali më i afërt, Kukësi, që siguroi kualifikimin në kupat e Evropës. Të kuqtë do të luajnë në verë në fazën eleminatore të Champions League, një kompeticion që do ti sjellë shumë të ardhura skuadrës së teknikut Gega.

Vendi i tretë u sigurua nga skuadra e Teutës në kuotën e 57 pikëve që i bashkohet Kukësit në përfaqësimin e klubeve shqiptare në Evropa League. Ndjek Skënderbeu, me dy pikë më pak që nuk arritën asnjë objektiv sezonal. Vetëm vendi i pestë për skuadrën e Flamurtarit që e mbylli edicionin në kuotën e 54 pikëve.

Një sezon i dështuar mund të konsiderohet për Laçin që e mbylli në vendin e  gjashtë në kuotën e 49 pikëve. Tirana siguroi mbijetesën në kategorinë superior dhe ndan vendin e 7 dhe të 8 me Luftëtarin, me nga 47 pikë secila. Kastrioti e mbyll në kuotën e 42 pikëve dhe zbret një kategori më poshtë ashtu si Kamza që u përjashtua nga Komisioni i disiplinës./ABC News Albania 24/7

partizani-2-1280x718.jpg
Sej rie14:00 | 27/05/2019

Priten ndryshime të rëndësishme tek Partizani, sezonin e ardhshëm. Dy nga lojtarët kryesorë të skuadrës mund të largohen, ndonëse drejtuesit e klubit nuk pohojnë asgjë.

Boshti do të ruhet, por jo i gjithi.

Një klub shqiptar nuk mundet të mos preket nga eksodi, as kur quhet Partizani dhe del në vend të parë.

Pjesëmarrja në Champions nuk mjafton për të bindur këdo, sidomos kur ka oferta nga jashtë vendit, dhe të tilla kanë ardhur për Jurgen Bardhin dhe Lorenc Trashin.

Kapiteni i dytë i skuadrës ka mundësi të transferohet për në Hungari, ndërsa sulmuesi mund të shkojë në Itali apo në ndonjë kampionat tjetër.

Burime në klub pohojnë se Partizani mund të fitojë rreth 500 000 euro nga shitja e kartonit të dy futbollistëve, para që do ta ndihmojnë për të realizuar afrime të rëndësishme, për të përballuar siç duhet Championsin.

Gjithsesi, njerëzit kryesorë të kryeqytetasve, natyrshëm, që janë të rezervuar në deklaratat e tyre.

Ja drejtori sportiv, Olsi Rama: “Mirëpresim çdo interes ndaj lojtarëve tanë. Nuk falim askënd dhe nuk japim askënd që të shkojë diku tjetër nëse nuk është kërkesa e tij që nuk është i lumtur tek Partizani. Deri më tani asnjëri nga djemtë nuk më ka thënë që nuk është i lumtur tek Partizani. Përkundrazi edhe ata që janë në skadencë dhe ata që u skadon kontrata vitin tjetër, të gjithë janë gati të ulen dhe të bisedojnë për rinovime”.

 Drejtori Rama pohon se puna në treg është e përhershme, por trajneri Gega thotë diçka tjetër.

Gega: “Do vijë një moment do ulemi me klubin dhe të shikojmë me kujdes se kush mund të jetë pjesë projektit vitin tjetër. Sot për sot nuk kam asgjë dhe nuk ia kam vënë syrin asnjërit nga jashtë dhe brenda Superligës. Këta që janë do uroja që të ishin me ne deri në fund”.

Partizani do të ketë fitime të rëndësishme këtë verë, të paktën 1 milionë euro nga Europa, titulli dhe të drejtat televizive, ndaj mundësitë për t’u forcuar do të jenë të mëdha./ABC News Albania 24/7

partizani-1-1280x725.jpg
Sej rie13:45 | 27/05/2019

Titulli kampion ishte vetëm objektivi i parë i Partizanit. Presidenti Gazmend Demi dhe drejtuesit e tjerë synojnë që klubi të kthehet në biznes, dhe të mos dalë më me humbje.

Nuk duhet të jetë një mbërritje, por një fillim.

Partizani kampion ishte një mision i madh i realizuar, por vetëm objektivi minimal për një klub me ambicie, dhe i drejtuesve të tij, si presidenti Gazmend Demi dhe drejtori sportiv Olsi Rama, pa harruar trajnerin Skënder Gega.

Për triumfin e pritshëm në Europë, ashtu si Skënderbeu këta vite, dhe për vazhdimësinë, duhet një model biznesi.

Është thënë shpesh se Demi nuk e kishte me qejf të vazhdonte tek Partizani, po tani?

Ish-drejtori sportiv i klubit, Dritan Dervishi, nuk i ndahet kryeqytetasve, edhe për punët e tij si gjahtar lojtarësh.

Një vlerësim vjen edhe nga një ish-rival, si lojtari e trajneri i dikurshëm i Tiranës, Shkëlqim Muça, sot shef i klubit shumësportësh Partizani.

Festa në shesh ishte përfundimi legjitim i një sezoni të madh, sipas standardeve të Superligës në Shqipëri.

Futbollistët, stafi teknik dhe drejtuesit ishin yjet protagonistë, por lumturia ishte sidomos e tifozëve që pritën 26 vjet për të mbërritur momenti i titullit.

Tepër shumë, sidomos për Partizanin, ndaj të kuqtë siç thotë shprehja, “e dogjën” festën dhe shpresojnë që sukseset thjesht vetëm të kenë filluar./ABC News Albania 24/7

WhatsApp-Image-2019-05-26-at-19.12.57-1280x853.jpeg
Sej rie21:00 | 26/05/2019

Partizani mori trofeun e Superligës, në festën e organizuar një javë para përfundimit, në “Selman Stërmasi”. Kampionët e rinj të Shqipërisë barazuan në fushën e tyre me Kukësin

Ëndrra u bë realitet pikërisht në këtë çast.

Flasim për momentin kur trofeu i titullit kampion iu dorëzua një klubi të madh si Partizani, pikërisht në pasditen vonë të së dielës së 26 majit në stadiumin “Selman Stërmasi”.

Titulli i fituar pas plot 26 viteve, ishte i 16-ti në histori, dhe I pari që kur e fitoi në vitin 1993, në “Qemal Stafën” e dikurshme.

Ky ishte epilogu i lavdishëm dhe i lumtur i një sezoni të vështirë, por mbi të gjitha triumfues, ku Partizani e tregoi veten mbi rivalët.

Ndeshja e fundit në kryeqytet, ajo ndaj Kukësit, nuk iu desh për asgjë tjetër përveçse për tifozët.

Partizani luajti për publikun dhe për vetveten, në përballjen ndaj Kukësit, që përfundoi në barazim 1-1.

Suksesi ishte i siguruar që më parë, por futbolli në “Selman Stërmasi” ishte mjaft i mirë, në një duel shumë të fortë.

Kuksianët, që ende nuk e kanë siguruar vendin e dytë, u përpoqën të fitonin dhe kaluan të parët në epërsi me anë të Rezhinaldos, me të nisur pjesa e dytë, por nuk mundën të fitonin.

Skuadra kampione e trajnerit Skënder Gega arriti të reagonte dhe të barazonte me golshënuesin e kohëve të fundit, shkodranin Erald Çinari, pesë minuta para fundit.

Mbetet edhe një ndeshje në Gjirokastër, këtë mes javë, në një Superligë që klubet kanë qejf ta mbyllin shpejt, por të kuqtë nuk u kursyen për festën.

Për tifozët, për skuadrën dhe gjithë klubin, realizimi I ëndrrës për titullin kampion është padyshim kulmi i lumturisë dhe i lavdisë./ABC News Albania 24/7


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono