parlamenti

PARLAMENTI-BRITANI.mpg_snapshot_00.08-1280x720.jpg
ent ela19:45 | 11/09/2019

Një gjykatë në Britaninë e Madhe e ka shpallur të paligjshëm shpërndarjen e Parlamentit të vendosur nga kryeministri Boris Xhonson. Në vendim, gjykata shprehet se kreu i qeverisë nuk mund t’i mohojë Parlamentit të drejtën t’i kërkojë llogari ekzekutivit.

Pezullimi që kryeministri Boris Xhonson i bëri Parlamentit britanik është i paligjshëm. Kështu ka vendosur gjykata më e lartë civile e Skocisë, e cila ka mbështetur një grup politikanësh që kishin sfiduar lëvizjen e kryeministrit. Gjyqtarët deklaruan se kryeministri po përpiqej t’i ndalonte Parlamentit t’i kërkonte llogari qeverisë në prag të Breksit. Një apelim nga ekzekutivi ndaj vendimit pritet të bëhet javën e ardhshme në Gjykatën Supreme të Londrës. Vendimi i së mërkurës hedh poshtë një vendim të mëhershëm gjykate, që thoshte se zoti Xhonson nuk e kishte shkelur ligjin me zgjedhjen e tij për të pezulluar Parlamentin. Faktikisht, pezullimi prej 5 javësh i institucionit nisi në orët e para të së martës. Ligjvënësit nuk pritet të kthehen në Parlament deri më 14 tetor, kur do të ketë një fjalim të mbretëreshës për të parashtruar planet legjislative të kryeministrit. Mbretëria e Bashkuar pritet të largohet nga Bashkimi Europian më 31 tetor. Partitë e opozitës i kanë bërë thirrje Parlamentit që të rimblidhet menjëherë pas vendimit të gjykatës, por Dauning Strit ka deklaruar se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë pa u shqyrtuar apeli në Gjykatën Supreme të Londrës. Qeveria britanike u distancua gjithashtu nga zërat se gjyqtarët skocezë ishin politikisht të njëanshëm, duke theksuar se kryeministri respekton pavarësinë e gjyqësorit. /ABC News Albania 24/7

630.jpg
ent ela12:06 | 05/09/2019

Kryeministri britanik Boris Xhonson ka marrë goditjen e rradhës pasi parlamenti rrëzoi propozimin e tij për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në 15 tetor të këtij viti. Opozita miratoi për herë të tretë ligjin që ndalon një Brexit pa një marrëveshje me Bashkimin Europian.

Nuk është miratuar nga parlamenti britanik mocioni i prezantuar nga Boris Xhonson për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në mbretërinë e bashkuar Brenda datës 15 tetor. Opozita nuk ka pranuar porpozimin e kryeministrit duke kërkuar garanci për hyrjen në fuqi të ligjit që nuk lejon daljen e vendit nga Bashkimi Europian pa një marrëveshje.

Pas votimit i cili u karakterizua nga një numër i madh abstenimesh, Boris Xhonson foli sërish duke akuzuar liderin e opozitës laburiste se do t’i ndalojë popullit britanik që të votojë. Ai u shpreh se kjo ishte hera e parë në historinë e vendit që një lider i opozitës refuzon ofertën për të votuar.

Për të votuar në 15 tetor ishte e domosdoshme që propozimi të merrte 2/3 e votave. Kreu i qeverisë kërkoi këtë mundësi pasi deputetët për herë të tretë miratuan ligjin që bllokonte një Brexit pa marrëveshje nëse kryeministri nuk do të arrinte një marrëveshje të re me Bashkimin Europian brenda datës 31 tetor.

Këto rezultate konfirmojnë dhe më shumë përçarjen e mazhorancës qeverisëse, por kryeministri konservator nuk ka ndërmend të dorëzohet.

Ndërkohë qeveria britanike bëri të ditur se qytetarët europianë mund të kërkojnë të qëndrojnë në Mbretërinë e Bashkuar për tre vjet nëse do të ndodhë një Brexit pa marrëveshje. Ata që vijnë në vend brenda këtij viti mund të kërkojnë leje qëndrimi sipas rregullave të reja sipas asaj që raporton BBC. Në këtë mënyrë qytetarët europianë që shkojnë në Britaninë e Madhe para vitit 2020 do të mund të qëndrojnë deri në vitin 2023. /ABC News Albania 24/7

johnson-boris.jpg
G. P.22:30 | 04/09/2019

Dhoma e Përfaqësuesve në Britani ka votuar pro ligjit që ndalon daljen e vendit nga BE-ja pa një marrëveshje. Një lëvizje e tillë i lidh duart kryeministrit Boris Johnson, i cili ka kërcënuar ligjvënësit me zgjedhje të parakohshme për t’u çliruar nga çdo detyrim.

Parlamenti britanik votoi të mërkurën ligjin që i ndalon kryeministrit Boris Johnson të nxjerrë Mbretërinë e Bashkuar pa një marrëveshje nga Bashkimi Europian. Pasi i hoqën atij kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, ligjvënësit votuan me 329 vota pro përballë 300 kundër për ligjin që detyron qeverinë të kërkojë një shtyrje tjetër të Brexit.

Duke reaguar, Johnson e cilësoi lëvizjen e ligjvënësve një përpjekje për t’u dorëzuar para BE-së dhe kërkoi mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme më 15 Tetor, një taktikë kjo që mund ta çlirojë atë nga çdo detyrim nëse fiton shumicën.

Por ligji në fjalë para se të hyjë në fuqi duhet më parë të votohet edhe në Dhomën e Lordëve, votim që do të mbahet ditën e enjte dhe më pas të marrë konsensusin nga mbretëresha Elizabeth.

Në Dhomën e Përfaqësuesve ai u miratua nga laburistët dhe konservatorët rebelë, që lanë mënjanë dallimet politike dhe bashkuan forcat. Projekt-ligji thotë se kryeministri do të ketë kohë deri më 19 tetor që ose të kalojë një marrëveshje në Parlament, ose të detyrojë deputetët të aprovojnë një Brexit pa marrëveshje.

Pasi të ketë kaluar ky afat, ai do të duhet të kërkojë një zgjatje të datës së largimit të Mbretërisë së Bashkuar deri më 31 janar 2020. Nëse BE përgjigjet duke propozuar një datë tjetër, kryeministri do të ketë dy ditë për ta pranuar atë. Gjatë kësaj kohe, deputetët dhe jo qeveria, do të kenë mundësinë të refuzojnë datën e BE-së./ABC News Albania 24/7

173c772c-8624-11e9-b861-54ee436f9768-1280x720.jpg
G. P.18:51 | 04/09/2019

Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte prezantoi të mërkurën anëtarët e kabinetit të ri qeverisës, të ndarë mes Lëvizjes 5 Yjet dhe Partisë Demokratike. Në kuadër të marrëveshjes, 10 ministri do të drejtohen nga partia anti-sistem dhe 9 nga demokratët. Ish-zëvendës kryeministri Luigi Di Maio do të mbajë postin e ministrit të Jashtëm.

Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte publikoi të mërkurën emrat e anëtarëve të ekzekutivit të ri, që pritet të përmirësojë marrëdhëniet me Bashkimin Europian dhe të ketë një qasje më të butë ndaj emigracionit.

Sipas raportimeve të mediave italiane, 10 ministri i kanë shkuar partisë anti-sistem Lëvizja 5 Yjet, 9 Partisë Demokratike dhe 1 partisë të Lirë dhe të Barabartë. Ministrat që do të mbajnë dikasteret në fjalë do të betohen të enjten paradite para presidentit Sergio Mattarella.

Posti kyç, ai i ministrit të Ekonomisë, do të mbahet nga demokrati Roberto Gualtieri, aktualisht kryetar i komisionit për çështjet ekonomike në Parlamentin Europian. Ndërsa kryetari i 5 Yjeve, Luigi Di Maio, që ekzekutivin e kaluar shërbeu si zëvendëskryeministër dhe ministër i Punës, do të drejtojë dikasterin e Punëve të Jashtme, pavarësisht mungesës së eksperiencës në diplomacinë ndërkombëtare.

Ndërkohë, Ministria e Brendshme, e drejtuar më parë nga kryetari i Ligës së Veriut Matteo Salvini, këtë herë do të drejtohet nga Luciana Lamorgeze, deri më sot një punonjëse karriere në sektorin civil dhe pa përkatësi politike.

Për të patur një mazhorancë sa më të gjerë, koalicioni qeverisës ia besoi Ministrinë e Shëndetësisë partisë të Lirë dhe të Barabartë, e drejtuar nga ish-kreu i Senatit, Pietro Grasso.

Pasi ministrat të betohen, kryeministrit Conte do t’i duhet të fitojë votëbesimin në të dyja dhomat e Parlamentit, përpara se qeveria të nisë zyrtarisht nga puna. Lëvizja 5 Yjet dhe demokratët publikuan të martën programin e përbashkët politik për formimin e qeverisë, duke vendosur në krye të axhendës një buxhet ekspansiv për vitin 2020, i cili do të përdoret për rritjen e ekonomisë në ngërç, pa cënuar financat për shpenzimet publike./ABC News Albania 24/7

pund.jpg
G. P.17:40 | 29/08/2019

Stërlina britanike ka shënuar rënie në bursat ndërkombëtare pasi mbretëresha Elizabeta II miratoi kërkesën e kryeministrit Boris Johnson për të pezulluar punën e parlamentit para largimit të planifikuar të këtij shteti nga Bashkimi Evropian.

Në Londër, pas lajmit për suspendimin e parlamentit britanik , në përpjekje për të përjashtuar deputetët që të mos pengojnë daljen pa marrëveshje të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, është shënuar rënie e vlerës së valutës kombëtare, paundit, që interpretohet si shenjë se investitorët janë të shqetësuar nga mundësia që Britania, më 31 Tetor, të largohet pa marrëveshje nga familja evropiane duke i lënë të parregulluara marrëdhëniet dypalëshe.

Partia Laburiste në opozitë ka paralajmëruar se do të kërkojë që javën e ardhshme të zhvillohet debat i jashtëzakonshëm për largimin nga Bashkimi Evropian duke lënë të kuptohet instistimi i saj për të miratuar një ligj që do të pamundësonte daljen pa marrëveshje. Në Londër ka pasur protesta antiqeveritare nën “ndal grushtit të shtetit”.

Agjencitë e lajmeve rikujtojnë se i ashtuquajturi BREXIT, pa marrëveshje, mund të rikthejë vendosjen e kontrollit të plotë kufitar dhe të doganave në tregtimin mes Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Evropian që është partneri më i madh tregtar i saj.

Të mërkurën mbretëresha Elizabeta II miratoi kërkesën e kryeministrit britanik, Boris Johnson për të pezulluar punën e parlamentit para largimit të planifikuar të këtij shteti nga Bashkimi Evropian, një hap që do të zvogëlojë dukshëm kohën e ligjvënësve për të diskutuar largimin nga ky bllok.

Liderët e zemëruar opozitarë kanë cilësuar këtë si tentim të qëllimshëm dhe kërcënim për demokracinë britanike. Johnson në anën tjetër ka mohuar këto pretendime.

Ai, para një muaji mori postin e kryeministrit me zotimin se Britania do të largohet nga blloku evropian në fund të muajit Tetor me apo pa kushte të divorcit.

Zyrtari i BE-së për Brexitin, Guy Verhofstadt, e ka cilësuar si të ‘të ligë’ vendimin për pezullimin e përkohshëm të parlamentit, por presidenti amerikan, Donald Trump e ka përshëndetur atë duke shprehur besimin se kryeministri britanik do të dëshmojë që është ‘i mrekullueshëm’/ABC News Albania 24/7      

p07lsy0j.jpg
ent ela17:50 | 28/08/2019

Parlamenti në Britaninë e Madhe do të pezullohet muajin e ardhshëm. Bëhet fjalë për një lëvizje të kryeministrit Boris Xhonson pak kohë përpara Breksit dhe që është aprovuar nga mbretëresha. Lëvizja është kundërshtuar nga opozita, e cila akuzon kryeministrin se po përgatit një dalje pa marrëveshje nga BE-ja.

Parlamenti në Mbretërinë e Bashkuar do të pezullohet në fillim të shtatorit, vetëm pak ditë pasi ligjvënësit britanikë të rikthehen në punë dhe vetëm pak javë përpara afatit të Breksit. Kryeministri Boris Xhonson deklaroi se do të jetë mbretëresha ajo që do të sqarojë gjithçka me një fjalim që do të mbajë më 14 tetor, për të parashtruar axhendën e tij. Por njëkohësisht kjo do të thotë se ligjvënësve do t’u hiqet mundësia që të aprovojnë një ligj për të parandaluar një dalje pa marrëveshje nga BE-ja më 31 tetor. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Xhon Berkou e cilësoi lëvizjen një “mëpërkëmbje kushtetuese”.

“Është mëse e qartë se qëllimi i pezullimit të Parlamentit është bllokimi i debatit mbi kursin që do të ndjekë vendi ynë”, deklaroi Berkou.

Ndërsa lideri i laburistëve, Xheremi Korbin tha se pezullimi i Parlamentit është i papranueshëm. “Ajo çfarë po bën kryeministri është një goditje e rëndë ndaj kushtetutës dhe demokracisë për të imponuar një dalje pa marrëveshje nga BE-ja”, tha Korbin.

Ai shtoi se kur ligjvënësit të kthehen në Dhomën e Përfaqësuesve të martën e ardhshme, gjëja e parë që do të bëjnë do të jetë përpjekja për miratimin e ligjit që parandalon daljen pa marrëveshje dhe pse jo edhe një mocion ndaj kryeministrit.

“Kryeministri ynë duhet të mbajë përgjegjësi përpara Parlamentit”, shtoi Korbin. Por Xhonson nga ana e tij insistoi se, zërat se pezullimi i Parlamentit është i motivuar nga dëshira për një Breksit pa marrëveshje nuk janë të vërteta. Ai tha se nuk dëshiron të presë deri pas Breksit që të realizojë planet e tij për të çuar vendin përpara. “Neve na duhet një legjislaturë e re për të çuar përpara projekte të reja dhe të rëndësishme”, shtoi Xhonson. /ABC News Albania 24/7

KOSOVE-SEANCA-E-FUNDIT-MBULIM.mpg_snapshot_00.09-1280x720.jpg
ent ela10:50 | 22/08/2019

Kosova pritet të shkojë në zgjedhje të parakoheshme. Deputetët votuan sot për shpërndarjen e parlamentit, ndërsa tani i takon Presidentit Thaçi që pas konsultimeve me partitë të shpallë datën e zgjedhjeve të reja.

Me rreth gjysmë ore vonesë ka nisur seanca e Kuvendit të Kosovës ku pritej të votohej shpërbërja e parlamentit. 89 deputetë votuan për shpërndarje të parlamentit, 1 kundër derisa 2 të tjerë abstenuan.

Kjo legjislaturë ishte arenë konfrontimesh pozitë-opozitë për të ruajtur ligjshmërinë e kushtetuetshmërinë e Kosovës e jo për të avancuar politikat në interesat e qytetarëve. Qeveria PAN do të mbetet në histori si qeveria më e madhe në botë.

Këto zgjedhje janë për t’i dhënë një legjitimitet të fuqishëm qytetarëve, të rinjve, grave në luftën kundër korrupsionit dhe perspektivën e modernizimit të shtetit tonë.

Në ditën e sotme duhet ta kuptojmë jemi fitues si Kosovë sepse ka dërguar një sinjal të pjekurisë politike.

Mendoj se qeveria e ardhshme nuk do duhej të merrej me vendime të mëdha si Demarkacioni me Malin e Zi, që fali toka Kosovës e nuk na i solli vizat por do te duhej të merrej me punë të mëdha që janë luftimi i krimit dhe korrupsionit.

Kosova përfundimisht shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit. Legjislatura e shpërbërë sot njihet si më e dobëta në historinë e Kuvendit të Kosovës.

Gazetare e ABC News: Blerta Dalloshi Berisha

/ABC News Albania 24/7

parlamenti-i-kosoves-1.jpg
G. P.16:45 | 21/08/2019

Të enjten në Kosovë pritet seanca për shpërbërjen e parlamentit. Ndërkohë partitë politike kanë vazhduar me takime me qytetarë si dhe aderime në parti.

Deputetëve u ka mbetur më pak se 24 orë deri në shpërbërjen e parlamentit. Të gjitha partitë politike deri tash janë shprehur pro zgjedhjeve të jashtëzakonshme pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit. PDK-ja edhe njëherë ka konfirmuar se do të votojnë pro shpërbërjes së parlamentit.

TV Klan merr vesh se disa orë pas shpërbërjes së parlamentit Presidenti do të shpallë datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme e që sipas të gjitha gjasave do të jetë 6 Tetori.

Ndërkohë partitë politike po vazhdojnë aktivitetet e parafushatës në qytete të ndryshme të Kosovës si dhe duke prezantuar aderime të reja në partitë e tyre. Derisa ende nuk ka asgjë konkrete rreth koalicioneve parazgjedhore pos zyrtarizimit të koalicionit parazgjedhor AAK-PSD.

Një takim tjetër dje AAK-ja ka zhvilluar edhe me Nismën SocialDemokrake, por ende nuk ka finalizim konkret të ndonjë marrëveshje me këtë parti. Derisa negociatat LDK-VV ende janë duke vazhduar.

Për të biseduar për kapacitetet teknike dhe profesionale për zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen në Kosovë  presidenti Hashim Thaçi ka takuar kryetaren e KQZ-së Valdete Datën.

Thaçi ka kërkuar nga KQZ-ja përgatitje për të siguruar një proces “fair” dhe demokratik të zgjedhjeve. Kosova pritet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i Kryeministrit./ABC News Albania 24/7

giuseppe-conte.jpg
G. P.16:11 | 20/08/2019

Me një fjalim të mbajtur në Senat, kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte ka njoftuar dorëheqjen nga posti. Ai ka kritikuar kryetarin e Ligës së Veriut se ka vënë interesat personale përpara atyre të Italisë. Ndërsa Mateo Salvini nga ana e tij është shprehur se ishte gati të ribëjë gjithçka, që ka bërë deri tani.

Pas një sulmi të ashpër ndaj partnerit të koalicionit Mateo Salvini, kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte ka deklaruar se jep dorëheqjen nga posti. Conte tha se Salvini, zëvendës kryeministër i Italisë, ishte sjellë në mënyrë të papërgjegjshme duke krijuar një krizë të re politike për interesa personale dhe në dëm të Italisë.

Duke iu drejtuar Senatit ditën e martë, Conte tha se lideri i Ligës së Veriut, që ishte ulur pranë tij, kishte qenë në kërkim të një preteksti për t’u rikthyer në zgjedhje, pas suksesit të partisë së tij në zgjedhjet euro-parlamentare të majit. Gjithashtu, Konte paralajmëroi se Salvini kishte minuar funksionimin e qeverisë, e cila siç tha ai, “merr fund këtu”.

“E shfrytëzoj këtë rast për të njoftuar se do t’i paraqes dorëheqjen time Presidentit të Republikës”, deklaroi Konte.

Nga ana e tij, Salvini reagoi duke thënë se do të ribënte gjithçka që ka bërë gjatë kohës që ka qeverisur me Conten.

“Jam këtu me forcën e një njeriu të lirë, që do të thotë se nuk i druhem gjykimit. Kush ka frikë nga gjykimi i popullit italian nuk është një njeri i lirë”, tha Salvini.

Duke cituar Ciceronin, ai tha se liria nuk varet nga të pasurit padronin e duhur, por tek fakti i të qenurit të lirë, pa patur asnjë padron mbi kokë.

Dua që Italia të mos jetë skllavja e askujt. Jemi vendi më i bukur dhe kemi mundësinë të jemi më i pasuri në botë dhe nuk duroj dot më që çdo vendim duhet të varet nga firma e ndonjë funksionari europian”, vijoi Salvini.

Salvini, lider i partisë ekstremiste Liga e Veriut, kishte planifikuar mbajtjen e një mocioni mosbesimi ndaj kryeministrit Conte. Ai gjithashtu kishte thënë se nuk mund të vazhdonte të punonte më me partnerët e koalicionit, Lëvizja 5 Yjet.

Liga dhe lëvizja anti-sistem 5 Yjet krijuan një koalicion qeverisës 14 muaj më parë, me zotin Konte si një kryeministër të pavarur. Në një postim në Facebook në prag të fjalimit të Contes, lideri i 5 Yjeve Luigi Di Maio u shpreh se, “ka ardhur dita kur Liga duhet të përgjigjet për gabimet e saj, për vendimin për të rrëzuar gjithçka dhe për të futur në krizë qeverinë në mes të gushtit”. Ai shtoi se të punonte me Conten kishte qenë një nder.

/ABC News Albania 24/7

KOSOVE-PARLAMENTI-1280x720.jpg
Sej rie13:15 | 05/08/2019

Parlamenti i Kosovës do të shpërndahet më 22 Gusht. Vendimi është marrë në një mbledhje të Kryesisë së Kuvendit, të mbajtur ditën e hënë, ku të pranishëm kanë qenë krerët e të gjitha grupeve parlamentare. Kryeministri në ikje Ramush Haradinaj e ka cilësuar caktimin e datës një vendim të marrë konform ligjeve.

Më 22 gusht do të mbahet séance e Kuvendit të Kosovës për shpërbërjen e saj dhe vendi përfundimisht do të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Kadri Veseli, kryetar i Parlamentit të Kosovës: “E vetmja zgjidhje kur ka dilemma apo situata çfarëdo qofshin ato janë qytetarët e Kosovës janë zgjedhjet”.

Por para këtij vendimi që partitë politike janë pajtuar që të votojnë marrëveshjen ndërkombëtare IPA.

Avdullah Hoti, shef i grupit parlamentar të LDK-së:  “Gjithashtu u dakorduam që para kësaj të votohet marrëveshja ndërkombëtare IPA që i sjell Kosovës 100 milion euro”.

Ndërsa zvarritja e seancës për datën 22 Gusht është arsyetuar me kërkesën që e ka bërë BE-ja për më shumë kohë për përgatitjen e misionit vëzhgues.

Sinkron Bilall Sherifi, Nisma për Kosovën: “Kemi nevojë që këto zgjedhje të vëzhgohen nga misioni ndërkombëtar prandaj vendosëm për këtë datë të shpërndarjes”.

Vendimin e kryesisë e ka përshëndetur edhe kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj. Kosova shkon në zgjedhje të parakohshme pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i Kryeministrit, ndërsa presidenti pas datës 22 gusht ka afat që të caktojë datën e zgjedhjeve prej 30-45 ditësh./ABC News Albania 24/7


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono