parlament

rudi-hajdari-1280x668.jpg
ad min20:39 | 18/09/2019

Një nga kushtet për çeljen e negociatave sipas deputetes Rudina Hajdari do të jetë ndëshkimi i të gjithë politikanëve të korruptuar dhe që kanë vjedhur vota. Gjatë një interviste në rubrikën “Mbrëmje Ide” me gazetaren Mirela Milori, deputetja e opozitës pohoi se kjo ka qenë një kërkesë e faktorit ndërkombëtar, sidomos palës gjermane, në takimet e vazhdueshme që janë kryer.

Rudina Hajdari: Mos harrojmë se krahas reformës zgjedhore, na ndan një muaj nga vendimi i çeljes së negociatave i cili do vijë me kushte të qarta. Ju e patë qartë sot, ishin nëntë kushte dhe një nga kushtet ishte shumë e qartë. Jo në mënyrën e nëntë kushteve pra të detajuara në atë lloj mënyre, por gjithë kohës, sidomos pala gjermane, kanë kërkuar që të ketë ndëshkime ndaj figurave politike që janë të korruptuar apo që janë akuzuar për vjedhje votash. Kanë kërkuar që të ketë ndjekje penale ndaj figurave të rëndësishme politike.

Mirela Milori: Do vendosen kushte për çeljen e negociatave për figura të rëndësishme do të kërkohet ndjekje penale? Në takimet që  keni pasur ky ka qenë konteksti?

Rudina Hajdari: Kanë kërkuar që të ketë ndjekje penale dhe ndëshkim të figurave në nivel më të lartë politik, jo vetëm në nivelet e mesme të administratës shtetërore.

Mirela Milori: Çfarë kuptoni me nivel të lartë politik?

Rudina Hajdari: Në funksionet më të larta.

Mirela Milori: Ministra?

Rudina Hajdari: Kjo është një gjë për t’u parë. Nëse rezultojnë të tillë persona të cilët kanë një precedent penal, atëherë patjetër që do ketë ndjekje penale dhe hetim të mëtejshëm në lidhje me këta persona.

Deputetja opozitare tha më tej se pala gjermane nuk ka përmendur emra dhe sipas saj për këtë çështje duhet shikuar vullneti i qeverisë. Sipas Rudina Hajdarit, çuarja përpara e reformës në drejtësi, që ka të bëjë me ngritjen e SPAK, BKH, Gjykatën e Lartë, Gjykatën Kushtetuese, është kusht më vete i ndërkombëtarëve.

Për sa i përket komisionit të reformës zgjedhore, deputetja tha se “është një nga betejat që do tregojë vlerësimin e opozitës brenda parlamentit. Mendoj me mënyrën se si do udhëheqim këtë betejë do krijojmë besueshmëri te publiku. Patjetër që është një betejë shumë e rëndësishme”./abcnews.al

deputeti.jpg
ad min20:27 | 03/09/2019

Dezertimi i një deputeti rebel nga radhët e konservatorëve në Britaninë e Madhe ka bërë që kryeministri Boris Johnson të humbasë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve. Ligjvënësi që ka braktisur partinë në pushtet ka bashkuar forcat me kolegët që kundërshtojnë një dalje pa marrëveshje nga BE-ja.

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson ka humbur të martën mazhorancën numerike në Parlament. Shkak për këtë situatë, që e bën shumicën e tij jofunksionale, është bërë kalimi i një prej ligjvënësve rebelë të konservatorëve në radhët e opozitës.

Sipas BBC, ka qenë deputeti Philip Lee që ka dezertuar dhe ka bashkuar forcat me liberal-demokratët. Lee, ligjvënës që përfaqëson lokalitetin Breknell, u ul në stolat e opozitës teksa kryeministri mbante një fjalim në Dhomën e Përfaqësuesve.

Ai tha se qeveria po ndjek një rrugë të dëmshme për Breksit. Nga ana e tij, Johnson është zotuar se do ta nxjerrë vendin nga BE-ja më 31 Tetor me apo pa një marrëveshje, por një numër ligjvënësish që kundërshtojnë daljen pa marrëveshje janë bashkuar duke tejkaluar dallimet politike, në përpjekje për ta penguar një lëvizje të tillë.

Ata i kanë paraqitur një mocion për debat të jashtëzakonshëm kryetarit të Dhomës, John Bercow dhe nëse do të kenë sukses do të çojnë përpara një draft që detyron kryeministrin të kërkojë që Brexit të shtyhet deri më 31 Janar.

Duke folur në Dhomën e Përfaqësuesve, Johnson tha se dëshiron një dalje të negociuar nga BE-ja dhe insistoi se ky është momenti i duhur që kjo të arrihet me Brukselin.

Por ai shtoi se lëvizjet e ligjvënësve, me qëllim kalimin e ligjit që bllokon opsionin “Now Deal” do të shkatërrojnë të gjitha shanset për të negociuar një akord të ri./ABC News Albania 24/7

SESIONI-PARLAMENTAR-MBULIM_ABC-M4-T2.mpg_snapshot_00.01-1280x720.jpg
ent ela12:20 | 02/09/2019

Sot pasdite pritet të nisë Sesioni i ri parlamentar.  Konferenca e kryetareve e mbledhur sot paradite ka miratuar kalendarin 3 javor të punimeve në seancë plenare.

Maxhoranca do t’i shpenzojë të gjithë energjitë e saj në nisje të këtij sesioni në luftën e ftohtë me Presidentin e Republikës, Ilir Meta. Konferenca e Kryetarëve u mblodh paraditen e sotme dhe ka miratuar kalandarin 3 javor të punimeve të Parlamentit ku kryefjalë e punës së deputetëve të maxhorancës do të jetë ngritja e kartonit të kuq për dekretet e kreut të shtetit. Konferenca e Kryetarëve e drejtuar nga kryeparlamentari Gramoz Ruçi vendosi të rrëzojë brenda 2 seancave të shtatorit, 9 dekrete të Kreut të Shtetit, përmes të cilave ktheu për rishqyrtim në Kuvend disa ligje të rëndësishme.

Në seancën e 12 shtatorit shumica do të refuzojë të marrë parasysh sugjerimet dhe konstatimet e Kreut të Shtetit, duke rrëzuar njëri pas tjetrit dekret për projektligjin “Për rezervat materiale të shtetit”,  “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim të shoqërive tregtare”,. “Për vetëqeverisjen vendore” dhe projekltigjin për “Planifikimin dhe zhvillimin e territorit”.

Ndërkohë që një seancë e nxehtë pritet të jetë ajo e 19 shtatorit, ku shumica do të rrëzojë 5 dekrete të tjera presidenciale. Ndryshimet në Kodin Penal për të cilin Presidenti Meta dhe kreu i grupit të PS, Balla shkëmbyen edhe replika në distancë do të miratohet i pandryshuar. I njëjti vendim është marrë edhe për Projekligjin për Akademinë e Shkencave dhe atë “Për koncensionet dhe partneritetin publik privat”. Socialistët do të miratojnë sërish dy kontratat koncensionare për rrugët Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat.

Kjo do të jetë seanca e parë ku opozita tradicionale do të mungojë jo vetëm fizikisht, por edhe si pjesë e Parlamentit të Shqipërisë. Partia Demokratike dhe aleatët e saj kanë intensifikuar takimet me ndërkombëtarët ndërkohë që maxhoranca do të vijojë axhendën e saj politike duke refuzuar pranimin e faktit se vendi është në krizë politike. /ABC News Albania 24/7

hashimthaci.jpg
ad min13:07 | 26/08/2019

Presidenti Hashim Thaçi dekretoi shpërndarjen e Legjislaturës sё 6-tё tё Kuvendit tё Republikës sё Kosovës. Ai tha se do tё vendosë sё shpejti për datën e zgjedhjeve tё jashtëzakonshme.

Me anë të një postimi në profilin e tij në Facebook, kreu i shtetit sqaron se pas konsultimeve me partitë politike, nё përputhje me kompetencat e tij kushtetuese, do tё vendosë sё shpejti për datën e zgjedhjeve tё përgjithshme tё parakohshme.

Sipas Thaçit ky ёshtё testi i radhës për forcimin e demokracisë nё Kosovë, tё cilin institucionet, subjektet politike dhe qytetarët do ta kalojnë me shumë sukses. Ndërkohë Lidhja Demokratike e Kosovës ka nisur mbledhjen e kryesisë ku pritet të caktohet kandidati për kryeministër nga kjo parti.

Emri i Vjosa Osmanit është më i lakuari madje ka përkrahjen e kryetarit të partisë Isa Mustafa. Por për këtë kandidature përmenden edhe emri i Lutfi Hazirit e Agim Veliut. Këta dy të fundit patën bojkotuar mbledhjen e fundit të kryesisë së LDK-së.

/ABC News Albania 24/7

XHONSON-NE-PARLAMENT-ABCM5T1.mpg_snapshot_00.24-1280x720.jpg
ent ela15:10 | 25/07/2019

Në fjalën e tij të parë si kryeministër në parlamentin e vendit, Boris Xhonson premtoi se do ta nxjerrë Britaninë e Madhe nga Bashkimi europian Brenda datës 31 tetor. Madje ai tha se Mbretëria e Bashkuar në qeverisjen e tij do të bëhej vendi më i mirë në botë për të jetuar.

Boris Xhonson në fjalimin e tij të parë si kryeministër në parlamentin britanik konfirmoi objektivin për të kompletuar Brexit deri në 31 tetor. Mes protestave të opozitës në sallë ai theksoi se do të bënte Mbretërinë e Bashkuar vendin më të mirë në tokë për të jetuar. Një vend të gjelbër, të zhvilluar, besimplotë dhe ambicioz, i cili mund të jetë ekonomia e parë në Europë, shtoi ai, duke ironizuar mbi negativitetin e opozitës dhe pesimistëve. Më pas Xhonson tha se Brukseli duhet të rishohë qëndrimin e tij dhe të pranojë ndryshimet në marrëveshje. Në rast të kundërt, paralajmëroi ai, Mbretëria e Bashkuar do të dalë nga Bashkimi Europian pa një marrëveshje. Vendi deklaroi ai, është më i përgatitur nga sa mendohet për këtë skenar. Mbretëria e Bashkuar nuk do të emërojë, në asnjë rrethanë, një komisioner europian britanik, theksoi kryeministri Xhonson.

Madje ai e renditi si një prioritet të qeverisë së tij impenjimin për tu përgatitur për një Brexit pa marrëveshje. Xhonson refuzoi në këtë mënyrë marrëveshjen e arritur nga Tereza Mej duke thënë se është rrëzuar tashmë tre herë nga parlamenti. Ai tha se dëshironte të negocionte një alternativë të mirë me Bashkimin europian duke u shprehur i bindur se pikat e ndalimit mund të zëvendësohen me zgjidhje të tjera për të garantuar kufirin e hapur irlandez pa u dashur që vendi të qëndrojë në unionin doganor dhe në tregun e përbashkët.

Xhonson theksoi se në rast se Brexit do të dështonte vendi do të përballej me një humbje totale të besimit të elektoratit ndaj politikës, duke shtuar se dhe sistemi i emigracionit ka nevojë për ndryshime.

Ndërkohë qeveria e re e Xhonson tashmë ka ekipin e saj të ministrave. Ndër emrat kryesorë figurojnë:

Saxhid Xhavid – Ministër Finance

Dominik Rab – Ministër i Jashtëm

Priti Patel – Ministër i Brendshëm

Robert Baklend – Ministër Drejtësie

Ben Uallas – Ministër Mbrojtjeje

Met Henkok – Ministër Shëndetësie.

/ABC news Albania 24/7

zoran-zaev-e1546608513506.jpg
ad min19:40 | 26/06/2019

I ndodhur përpara presionit të institucioneve, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka njoftuar se do të heqë dorë nga posti i ministrit të Financave, që kishte marrë përsipër të mbante në kuadër të riformatimit të qeverisë. Duke shpallur vendimin e tij, Zaev tha se ka vendosur të dëgjojë zërin e opozitës.

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ka njoftuar Kuvendin e Maqedonisë së Veriut se është i jashtëligjshëm propozimi që Kryeministri Zoran Zaev krahas funksionit Kryeministër ta ushtrojë edhe atë të Ministrit të Financave.

Nga ky Komision kanë thënë se Ligji për parandalimin e korrupsionit dhe konflikte interesash nuk lejon një gjë të tillë. Në një paraqitje para deputetëve Kryeministri Zoran Zaev, tërhoqi propozimin për vetemërim në Financa, siç tha, duke dëgjuar zërin e opinionit e të opozitës.

“Ju njoftoj se e tërheq kandidimin për ministër edhe pse ligji dhe Kushtetuta ma lejon. Tërhiqem pasi pati reagime nga opozita dhe Antikorrupsioni. Paralajmëroj se do të udhëheq me ministrinë derisa të emërohet ministri i ri”, tha Zaev.

Ai që pësoi më keq është Vesel Memedi dhe partia e tij.

“Sot do të dorëzojmë dorëheqjen e parevokueshme nga të gjitha drejtoritë dhe këshillat drejtues dhe kulminacioni i kësaj vlere sublime është tërheqja nga pozita e nënkryetarit të Kuvendit dhe dorëzimi i mandatit të deputetit”, tha ai.

Debati për emërimin e ministrave të ri është i kufizuar në dy ditë dhe pritet që këtë kohë opozita ta shfrytëzoj maksimalisht, e votimi të bëhet nesër, 5 minuta para mesnatës./ABC News Albania 24/7

ARTA-MARKU-MBULIM-ABC-M4-T2.mpg_snapshot_00.01-1280x720.jpg
ent ela10:18 | 17/06/2019

Prokurorja e Përgjithshme e Përkohëshme Arta Marku nuk do të marrë pjesë sot në parlament për të folur për analizën vjetore. Marku ishte thirrur për të bërë publike analizën vjetore të organit të akuzës të drejtuar prej saj.

Vetëm pak orë para se të niset seanca parlamentare Marku e ka anulluar pjesëmarrjen e saj duke dërguar edhe një raport shëndetësorë. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme bënë me dije për ABC News që Arta Marku do të jetë të Enjten në parlament për të relatuar para deputetëve, analizën vjetore.

Nga ana tjetër Këshilli i Lartë i Prokurorisë në orën 13:00 ka lajmëruar mbledhjen e radhës ku do të shqyrtojë dokumentet e dorëzuar nga kandidatët dokumentacionin e mbërritur për ta nga institucionet përkatëse për verifikimin e plotësimin e kushteve ligjore të 4 personave që kandidojnë për Prokuror të Përgjithshëm.

Fakti që Marku braktisi parlamentin a mos ka të bëj me mbledhjen e KLP, ku sot pritet që të vendoset dhe renditja përfundimtare e 4 kandidatëve që më pas do t’i kalojnë Parlamentit. /ABC News Albania 24/7

ambasada-1280x853.jpeg
ad min22:59 | 12/06/2019

Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Tiranë ka konfirmuar votimin e mbajtur pasditen e së mërkurës në Parlamentin holandez, që i kërkonte qeverisë të mos pranonte hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. Megjithatë, përmes një njoftimi për shtyp, selia diplomatike i bën thirrje qeverisë shqiptare që të vazhdojë rrugën e saj.

“Ne jemi të vetëdijshëm se sa sfidues është procesi i anëtarësimit dhe do të vazhdojmë të mbështesim Shqipërinë në realizimin e reformave, sidomos në ato që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit”, thuhet në deklaratën për shtyp.

Në të bëhet me dije se shteti holandez vlerëson hapat e ndërmarra nga vendi ynë, sidomos në lidhje me reformën në drejtësi dhe procesin e Vettingut, të cilin e cilëson të një rëndësie të veçantë dhe unik në rajon. Gjithashtu, ambasada konfirmon angazhimin e Holandës për perspektivën europiane të të gjitha vendeve të Ballkanit.

“Politika e zgjerimit të BE-së bazohet në kushte të drejta dhe të serta për t’u siguruar që reformat në vendet aspirante për t’u bashkuar me Unionin të jenë të qëndrueshme dhe të pakthyeshme”, vijon deklarata.

Në votimin e tij Parlamenti holandez i rekomandoi qeverisë se një vendim për hapjen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë më 18 Qershor do të ishte i parakohshëm./ABC News Albania 24/7

aleksander-vucic-1280x657.jpg
ad min22:33 | 27/05/2019

Çështja e Kosovës është kthyer për diskutim pas 6 vjetësh në Parlamentin e Serbisë. Duke mbajtur fjalimin e tij, presidenti Aleksandër Vuçiç ka deklaruar se dialogu me Prishtinën nuk është i lehtë dhe se kusht për vazhdimin e tij është heqja e taksës për produktet serbe.

I pritur me duartrokitje frenetike të deputetëve të partisë së tij dhe të një pjese të opozitës, presidenti serb Aleksandër Vuçiç, shfrytëzoi foltoren e parlamentit në Beograd për një rikapitullim të zhvillimeve të 20 viteve të fundit, fillimi i të cilave, tha ai, çoi në humbjen e Kosovës.

Dhe, për këtë Vuçiç ka akuzuar palën kosovare, lidershipin serb në Ballë me Millosheviçin, si dhe opozitën serbe. Pa dhënë ndonjë hollësi, apo pa zbardhur platformën e shumëpërfolur serbe, Vuçiç ritheksoi se parakusht për zhbllokimin e dialogut me Kosovën është heqja e tarifave për mallrat serbe të vendosura nga Prishtina zyrtare. Për më tepër, ai pranoi se kjo punë nuk është e lehtë, jo vetëm për të.

“Duhet të bisedoni. A mendoni se dikush e ka mirë të bisedojë me Thaçin? A mendoni se Thaçi e ka mire të bisedojë me mua? Nëse duhet t’ju them, më keq e ka ai të bisedojë me mua se unë me të”, tha presidenti serb në fjalimin rreth dy orësh, gjatë të cilit, duke akuzuar palën kosovare për moszbatim të marrëveshjeve me ndërmjetësim të Brukselit, e quajti meritë të qeverisjes së tij pengimin e aderimit të Kosovës në nëntë organizata ndërkombëtare dhe tërheqjen e njohjes së pavarësisë nga 13 vende.

Është paralajmëruar se debati për Kosovën në parlamentin serb do të vazhdojë dhe nesër, ndërsa në të do të përfshihet edhe kryeministrja Ana Brnabiç. Opozita që bojkoton këtë seance për Kosovën, të parën pas gjashtë vjetësh, ka kritikuar pushtetin se nuk po del me një platformë  konkrete për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes Prishtinës e Beogradit për një marrëveshje të qëndrueshme mes dy palëve./ABC News Albania 24/7

70853Bashkimi.jpg
ad min08:37 | 01/05/2019

Pas tre javësh, evropianët do të votojnë për Parlamentin e ri Evropian, por lufta e vërtetë për pushtet do të fillojë pas numërimit të votave.

Ja pse.

KUSH VOTON DHE PËR ÇFARË?

Më shumë se 400 milionë njerëz në 28 vendet anëtare të Bashkimit Evropian mund të votojnë në datat 23-26 maj, duke përfshirë edhe afro 50 milionë britanikë që duhej të largoheshin nga blloku në mars të këtij viti. Votimi për 73 ligjvënës të cilët mund të duhet të lënë postet e tyre

brenda disa javësh, ka shkaktuar pakanëqësi pas vonesave për arritjen e një marrëveshje për Brexit-in.

Nga përfaqësimi proporcional, evropianët do të zgjedhin 751 anëtarë të Parlamentit Europian, që do të ndajnë kohën e tyre mes Brukselit dhe Strasburgut. Duke filluar nga Luksemburgu, Malta dhe Qipro me nga gjashtë vende secila, deri te Gjermania me 96 vende. Deputetët e rinjë të Parlamentit Evropian me mandat pesë vjeçar do të shqyrtojnë dhe miratojnë ligje të propozuar nga Komisioni Evropian, të cilat më pas gjithashtu do të duhet të miratohen nga qeveritë e vendeve anëtare të BE-së.

CILAT JANË ÇËSHTJET KRYESORE?

Disa nga çështjet më të debatueshme janë shpenzimet, edhe pse buxheti i BE-së është vetëm 1 për qind e prodhimit të brendshëm bruto të vendeve anëtare, ndryshimet klimatike dhe të drejtat e punës. Por disa që duan shpërbërjen e BE-së, e shohin atë si një referendum të stilit të Brexit-it për mbijetesën e BE-së, dhe po mbështesin rikthimin e modelit historik

të vendeve me bazë etnike, kundër idesë së sovranitetit të përbashkët, për të mbrojtur pasurinë dhe vlerat e Evropës në një botë të fuqive autoritare në rritje dhe të korporatave globale. Në mes të këtij debati të ashpër janë vënë refugjatët.

Nacionalistët fajësojnë BE-në për një rritje të numrit të refugjatëve në vitin 2015. Federalistët thonë se vetëm bashkëpunimi mund të kontrollojë imigracionin. Udhëheqës të disa shteteve lindore, si Hungaria dhe Polonia po kritikojnë Brukselin për politikat ndaj emigrantëve dhe ankesat e tyre se po minojnë rregullat e BE-së mbi demokracinë në Varshavë dhe Budapest. Ndërsa, disa politikanë perëndimorë kanë bërë thirrje për uljen e subvencioneve të tyre në BE në shenjë hakmarrjeje ndaj veprimeve të Budapestit dhe Varshavës.

Zgjedhjet në Britani shihen nga disa si referendum i ri për Brexit-in, që mund të ndihmojë në bllokimin e shkëputjes, ose ta përshpejtojë atë, ndërsa britanikët vazhdojnë të debatojnë se si dhe nëse duhet të shkëputen nga Bashkimi Evropian.

A KA PARTI POLITIKE TË BE-SË?

Po dhe jo. Tetë grupime partiake janë të përfaqësuara në Parlamentin Evropian. Partia Popullore Evropiane (EPP), një parti e qendrës së djathtë, që ka 217 vende dhe siguron një shumicë të thjeshtë duke bashkëpunuar shpesh me Socialistët dhe Demokratët e qendrës së majtë (S & D – me 186 vende) si dhe liberalët e ALDE-s (që kanë 68 vende). Dy grupime të krahut të djathtë, anti-BE, të udhëhequr nga partia UKIP e Britanisë dhe Partia e Bashkuar Kombëtare e Francës së bashkua kanë 78 vende në Parlamentin Evropian.

Por të gjitha grupimet janë të paqëndrueshme dhe zgjedhjet e BE-së janë kryesisht të kontestuara nga partitë kombëtare në vendet anëtare përkatëse për çështje të njohura për votuesit e tyre.

A ËSHTË BRITANIA NJË PROBLEM?

Disa zyrtarë të BE-së thonë se mund të ketë një vonesë në miratimin e emërimeve kyçe pas zgjedhjeve, deri pas largimit të deputetëve britanikë, për të shmangur akuzat se vendimeve të parlamentit do t’i mungonte legjitimiteti.

Votimi i ligjvënësve britanikë do të favorizonte euroskeptikët, socialistët dhe të Gjelbrit, por do të dëmtonte Partinë Popullore Evropiane, e cila nuk ka anëtarë nga Britania që nga koha kur konservatorët në pushtet braktisën grupin për të formuar bllokun e tyre. Duke marrë pjesë në zgjedhje, Britania e ka detyruar BE-në të shtyjë rishpërndarjen e 27 nga 73 vendet që tani i takojnë Britanisë. Franca, për shembull, do të zgjedhë 79 deputetë, pesë më shumë sesa ka tani, por ata pesë deputetë nuk do të jenë në gjendje të fillojnë punën deri pas shkëputjes së Britanisë dhe pasi parlamenti të zvogëlohet me 46 anëtarë (nga 751 në 705 deputetë).

A MERR FITUESI DREJTIMIN E BE-SË?

Kjo nuk është shumë e qartë. Udhëheqësit e parlamentit thonë se ata janë zemra e demokracisë evropiane. Udhëheqësit kombëtarë të vendeve

anëtare tallen me pjesëmarrjen e ulët prej 43 për qind në zgjedhjet e BE-së në vitin 2014. Në realitet, shtetet kanë më shumë pushtet dhe pothuajse asgjë nuk ndodh pa pëlqimin e qeverive kombëtare.

Komisioni ekzekutiv i BE-së udhëhiqet nga ish kryeministri i Luksemburgut, Jean-Claude Juncker. Lufta historike për pushtet mes Parlamentit dhe këshillit evropian pritet të jetë pjesë e fushatës së zgjedhjeve të majit.

Parlamenti është zotuar se do të detyrojë Këshillin Evropian që pasardhësi i Juncker-it të jetë një kandidat nga një parti fituese. Udhëheqës të vendeve anëtare të BE-së, si Presidenti francez Emmanuel Macron thonë se ata nuk do të jenë të detyruar ta respektojnë këtë kërkesë. Parlamenti Evropian mund të refuzojë kandidatin për President të Komisionit të Këshillit.

ÇFARË ËSHTË BE-ja NË TË VËRTETË?

Është një pyetje e vështirë që kërkon një përgjigje të komplikuar. Por votimi dhe kandidatët kryesorë janë pjesë e tregtisë mes qeverive të forta për të vendosur në pozita të larta bashkëvendasit e tyre ose aleatët e tyre, jo vetëm në Komisionet e ndryshme Evropiane por edhe në Bankën Qendrore Evropiane.’

Gjermania dhe Franca, dy shtetet më të mëdha, kanë një rol më të madh në këtë betejë, por edhe vendet më të vogla luajnë rol të rëndësishëm. Juncker është udhëheqësi i tretë ekzekutiv i BE-së nga Luksemburgu, një vend i vogël anëtar i BE-së.

ÇFARË NDRYSHIME MUND TË SJELLIN ZGJEDHJET?

Një shtytje nga eurokeptikët mund të krijojë një pakicë më të fortë që mund të shkaktojë pengesa në procesin legjislativ të BE-së. Por, optimistët e BE-së thonë se një fushatë që tërheqë më shumë vëmendjen e njerëzve mund të ringjallë përpjekjet pas Brexit-it për të forcuar unitetin në BE.

Sondazhet tregojnë se e djathta ekstreme mund të rrisë numrin e deputetëve të saj, por ndoshta përparimi i tyre nuk do të jetë i mjaftueshëm për të goditur këmbanat e vdekjes së BE-së. Duket se asnjëra palë nuk do të mund të shënojë një fitore të thellë në këto zgjedhje./VOA


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono