papa

papa-1.jpg
ent ela10:23 | 15/09/2019

Serbia është e lumtur për faktin që Vatikani nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Por analistët serbë shprehen se qëndrimet kanë ndryshuar vitet e fundit. Ekspertët thonë se ndikimi i Papës për Serbinë mund të shtrihet në dy fusha: Kosovë dhe marrëdhëniet me Kroacinë.

Selia e Shenjtë. Ky solemnitet është organizuar për të pritur presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, në një takim me Papën. Kur është nisur ka thënë se do ta lusë të mos njohë pavarësinë e Kosovës.

Këtë premtim edhe e ka marrë në takim me krerët e kishës. Mos njohja e Kosovës nga Vatikani është një gjë reputacioni. Por, për presidentin Vuçiç do të ishte shumë e rëndësishme që Papa Françesku ta vizitojë Serbinë.

Stefan Surliç, ligjërues në shkenca politike, thotë se Vatikani nuk e njeh Kosovën, por qëndrimet kanë ndryshuar.

“Vatikani ka ndryshuar politikën ndaj Kosovës bazuar në njerëzit që emëron dhe ata që janë përgjegjës për Kosovën. Por, porositë e Papës kanë qenë për paqe ndërsa njohja nuk ndodh, pasi Vatikani nuk dëshiron të përfshihet pa një marrëveshje mes të Kosovës dhe Serbisë”, tha ai.

Një vizitë është përmendur ndër vite për Papën në Serbi. Por, kisha ortodokse nuk ka qenë shumë e hapur për një gjë të tillë pavarësisht përshëndetjeve që Vuçiç i transmetoi nga patriarku serb Irinej, shkruan tvklan.

Surliç, thotë se ndikimi i Vatikanit është i madh dhe shumë çështje me fqinjët mund të zgjidheshin nëse një dialog do të ndodhte.

“Papa mund të ndihmojë me Kosovën dhe marrëdhëniet me Kroacinë. Por, është edhe një moment politik pasi vizitat e tilla ndiqen nga i gjithë globi dhe kjo është e rëndësishme për Serbinë”, tha ai.

Presidenti Vuçiç ka qenë falënderues për pritjen në selinë e shenjtë, por ka thënë se Vatikani kërkon bisedime mes shqiptarëve dhe serbëve. /klankosova

papa-francesku-1280x720.jpg
nev ila15:00 | 25/08/2019

Në meshën e së dielës në sheshin Shën Pjetër, Papa Françesku ka bërë apel për një angazhim global për shuarjen e zjarreve në pyjet e Amazonës. Ati i shenjtë ka deklaruar se kjo zonë e Brazilit është jetike për ekzistencën e të gjithë planetit.

Ati i shenjtë Papa Françesku e përdori meshën e së dielës për të bërë thirrje për më shumë angazhim global për shuarjen e flakëve që kanë përfshirë Amazonën.

Në mesazhin e tij, Papa ka nënvizuar se zona në fjalë është jetike për shëndetin e planetit. “Jemi të gjithë të shqetësuar për atë që po ndodh në Amazonë.

Le të lutemi që me angazhimin e të gjithëve flakët të shuhen, pasi kjo mushkëri pyjesh është shumë e rëndësishme për planetin tonë”, ka thënë Papa përpara të pranishëmve.

Deri tani, të paktën 6 shtete të Brazilit kanë kërkuar ndihmën e ushtrisë për të luftuar flakët që kanë kapur përmasa rekord dhe që po shkatërrojnë masivet pyjore, duke shkaktuar indinjatë ndërkombëtare.

Ati i shenjtë, që në vitin 2015 shkroi një dokument të madh për mbrojtjen e ambjentit nga ngrohja globale, shpesh herë ka dalë në mbrojtje të banorëve indigjenë të Amazonës, të pronave dhe të kulturës së tyre, si dhe ka bërë thirrje për reduktimin e përdorimit të karburanteve fosile.

Zjarret masive përkojnë dhe me samitin e grupimit G7, me presidentin e vendit pritës, Emanuel Makron që ka deklaruar se Amazonës i duhet një menaxhim më i mirë për t’i dhënë fund genocidit ambjental që po ndodh atje./ABC News Albania 24/7

rom.jpg
G. P.21:00 | 27/05/2019

Udhëtimi i një 81-vjeçari britanik për të parë Papën mori rrugën e gabuar dhe gjithçka ndodhi prej një shkronje.

Është kjo historia e të moshuarit, identiteti i të cilit, nuk është bërë publik. Ai u nis nga shtëpia e tij në Newcastle dhe në vend që të shkonte në kryeqytetin italian, përfundoi në një zonë në Gjermani.

Shkak u bë sistemi i navigimit. Gabimisht 81-vjeçari kishte futur detajet e një zone në Gjermaninë perëndimore, të quajtur Rom. Kjo ishte dhe ngatërresa e të moshuarit, pasi për të shkuar në kryeqytetin italian ai duhet të shtonte edhe shkronjën “e”.

Pasi sistemi i navigimit i tregonte se kishte arritur në destinacion, 81-vjeçari ishte çuditur edhe më shumë. Doli nga makina dhe shikonte i habitur për ndërtesat e vjetra dalluese të Romës, siç është Koloseu, të cilat nuk i gjente dot.

Në një përpjekje për t’u larguar nga aty, 81-vjeçari harroi të shtypte frenat e dorës dhe goditi tabelën rrugore ku çuditërisht për të ishte shkruajtur Rom.

Policia gjermane nisi të hetonte ngjarjen dhe zbuloi që i moshuari ndodhej 900 kilometra larg destinacionit të tij. Fatmirësisht për të edhe pse ngatërroi rrugën, e gjithë ngjarja i kushtoi vetëm dy orë nga rrugëtimi i tij për të parë Papën./abcnews.al

maqedonia-papa.jpg
G. P.22:18 | 07/05/2019

Gjatë vizitës në Maqedoninë e Veriut, Papa Françesku ka nderuar figurën e shenjtores shqiptare Nënë Tereza dhe veprimtarinë e saj në dobi të të varfërve dhe Zotit. Ndërsa në meshën e mbajtur në qendër të Shkupit, ati i shenjë ka përcjell një mesazh kundër urisë për pushtet.

Maqedonia e Veriut me nderime të larta ka pritur Papa Françeskun në vilën Presidenciale në Vodno, ku në fjalimin e tij Ati i Shenjtë e quajti vendin si shembull për bashkëjetesë dhe urë mes lindjes e perëndimit. Duke vizituar shtëpinë përkujtimore, Ati i Shenjtë disa herë ka përmendur veprën e shenjtores Nënë Terezës, duke thënë se dashuria ndaj të afërmve dhe Zotit janë të njëjtë.

“Uri për uri, uri për vëllazëri, uri për Zotin. Sa bukur këtë e dinte Nënë Tereza që deshi ta ndërtojë jetën e saj në dy shtylla. Krishtin e pranishëm tek falënderimet ndaj Zotit dhe Krishtin e pranishëm tek të varfrit”, tha Papa.

Sheshi i Shkupit ishte mbushur që në orët e para të mëngjesit me besimtarë vendas dhe të huaj. Përveç flamujve të Maqedonisë dhe atij të Vatikanit, valëviteshin edhe flamujt e Kroacisë, Sllovenisë dhe Shqipërisë. Në lutjen që e udhëhoqi, kreu i Kishës katolike deklaroi se ata që kanë besim në Zot kurrë nuk do të jenë as të uritur as të etur.

“U ushqyem me ëndrra të bukura dhe të mëdha dhe përfunduam me ngrënie të neverisë, mbylljes dhe vetmisë… si të burgosur të virtualitetit, e humbëm shijen dhe aromën e realitetit”, tha ai.

Vizita e parë historike e një Pape në Maqedoni, është mirënjohje e madhe për vendin që mori Republika e Maqedonisë së Veriut në unionin global të vendeve progresive ka thënë mes tjerash Kryeministri Zaev, kurse presidenti në largim i vendit Gjorge Ivanov duke u shprehur rreth situatës aktuale politike ka theksuar se Papa vjen në kohën kur shoqëria në Maqedoni është thellë e ndarë, kurse shteti i plagosur rëndë, për shkak të, siç tha, shkeljeve të premtimeve dhe pritjeve por edhe të besimit të luhatur në bashkësinë ndërkombëtare./ABC News Albania 24/7

Papa-ne-Shkup-1280x717.jpg
Sej rie15:10 | 07/05/2019

Papa Françesku është ndalur fillimisht në memorialin e Nënë Terezës në Shkup, para celebrimit të meshës në shesh. Maqedonia e Veriut përmbyll udhëtimin në Ballkan të Papës, i cili bëri thirrje që vendet e Ballkanit Perëndimor të integrohen sa më shpejt.

Papa Francesku ndodhet në Maqedoninë e Veriut, ku sot përmbyll dhe udhëtimin e tij në Ballkan, i cili e çoi dhe në Bullgari një ditë më parë. Në Shkup ai u prit nga presidenti në largim Ivanov, dhe më pas u drejtuan për më pallatin presidencial ku u takua me liderë të ndryshëm të shtetit por dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Më pas ai vizitoi memorialin e Nënë Terezës në Shkup, para celebrimit të meshës në sheshin Maqedonia. Më pas ai u takua me komunitetin katolik në vend.

Në lutjen e tij për Nënë Terezë, Papa Francesku u shpreh se Zoti e kishte dërguar në Tokë për të dëshmuar dashurinë për më të varfërit e Indisë dhe në botë:

“Ajo diti si të bëjë mirë për ata që kishin nevojë, pasi shihte në cdo burrë dhe grua, fytyrën e birit tënd!”

Papa Francesku u shpreh se karakteristikat special të Maqedonisë së veriut për shkak të përbërjes së saj multietnike dhe multifetare, janë njëkohësisht domethënëse në rrugën e një integrimi më të shpejtë me vendet europiane. Drejtuar autoriteteve në vend, Papa Francesku shtoi se integrimi duhet të ndodhë për të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor duke respektuar gjithnjë të drejtat themelore dhe diversitetin.

Ndër të tjera Papa u ndal dhe te pritja që Maqedonia e Veriut i ka bërë një numri të madh emigrantësh, duke e cilësuar si një përpjekje shumë bujare. “Solidariteti për ata që gjendeshin në një moment të vështirë, pasi kishin humbur dhe të afërmit përveç se shtëpitë dhe punës, ju nderon dhe flet për shpirtin e popullit tuaj, që duke marrë parasysh dhe mungesat njeh solidaritetin dhe ndarjen e të mirave…”, përfundoi Papa Francesku./ABC News Albania 24/7

Papa-1280x855.jpg
Sej rie15:30 | 05/05/2019

Ndalesa e parë e Papa Franceskut ishte në Sofja, ku do të qëndrojë dhe të hënën, ndërsa të martën do të udhëtojë në Maqedoninë e Veriut. Mesazhi i tij për të dy vendet është tolerance, paqja dhe rilindja e katolicizmit në Ballkan.

Papa Francesku ndodhet në Sofja, në ndalesën e parë të udhëtimit të tij apostolic – I 29 – në Bullgari dhe në Maqedoni të Veriut. Airbus A321 I Alitalia u ul në aeroportin e kryeqytetit bullgar, ku Papa Francesku u prit nga kryeministri bullgar, Bojko Borisov, me të cilin zhvilloi dhe një bisedë private në një nga sallat e aeroportit

Menjëherë më pas ai u drejtua në pallatin presidencial për tu takuar me presidentin Republikës, dhe autoritete të tjera të larta në vend.

Dy vizitat e Papa Franceskut në Bullgari dhe në Maqedoni të veriut, cilësohen si shumë të rëndësishme nga ana e Vatikanit, pasi ai  është në gjurmët e Papa Xhovani 23 dhe Nënë Tereza e Kalkutës. Vizita e Papës në Bullgari do të zgjasë dhe të hënën, ndërsa të martën ai do të udhëtojë për në Maqedoninë e Veriut./ABC News Albania 24/7

papa-mesha.jpg
nev ila13:49 | 21/04/2019

Në fjalën e tij gjatë meshës solemne të Pashkëve në Vatikan, Papa Francesku kërkoi që vëmendja të drejtohej tek ata që vuajnë: nga Lindja e Mesme e deri tek vendet afrikane. Ndërkohë që masat e sigurisë kanë qenë të shumta si pasojë e pranisë së një numri të madh besimtarësh.

Papa Francesku drejtoi meshën solemne të Pashkëve në Bazilikën e Shën Pjetrit.

Sheshi ishte dekoruar me 55 mijë lule dhe bimë, e transformuar për këtë rast në një kopsht të madh të lulëzuar. 25 mijë tulipanë të bardhë, të kuqë, të verdhë e portokalli si dhe mbi tre mijë trëndafila, ndër lulet e tjera.

Gjatë bekimit tradicional “Urbi et Orbi”, në ditën e Pashkëve, Papa kujtoi të gjitha vuajtjet e kohës e të botës sonë: nga Lindja e Mesme, tek vendet afrikane, nga shtetet e kontinentit amerikan, që jetojnë në situata të “vështira” politike dhe ekonomike, tek përdorimi i armëve, pa i harruar të varfrit e të nëpërkëmburit.

Në meshë morën pjesë besimtarë romanë dhe pelegrinë që vinin nga çdo pjesë e botës me rastin e festës së pashkëve. Që në orët e para të mëngjesit së të hënës radhë të gjata me besimtarë u krijuan, ndërsa në pikat e hyrjes ishin shtuar ndjeshëm masat e kontrollit./abcnews.al

Pope_Francis_address_to_Roman_Curia_810_500_75_s_c1.jpg
G. P.11:24 | 22/12/2018

Një video – urim i veçantë që tregon njëkohësisht pjesë të përditshmërisë së rojeve zvicerane papnore është publikuar orët e fundit duke u kthyer në një video virale. Në fakt kjo është hera e parë që bëhet një urim i tillë.

Është hera e parë që Rojet Zvicerane Papnore urojën Krishtlindjen përmes një videoje të shkurtër, publikuar në rrjetet shoqërore dhe nga Vatikan Njus. Kapiteni i tyre shpjegon në video se ideja ishte ajo e një mesazhi urimi, i cili bën të dukshme ngrohtësinë njerëzore e përzemërsinë, që ata tregojnë gjatë shërbimit të përditshëm në Vatikan.

Por ky urim gjithashtu tregon dhe pjesë të përditshmërisë së tyre si kuzhina, rrobaqepsia, mensa dhe salla e argëtimit. Video mund të shihet dhe në faqen zyrtare të internetit “vatikannjus.va”. Kjo është vetëm një nga videot, që do të publikohen gjatë vitit 2019 mbi historinë qindravjeçare të rojeve zvicerane që merren veçanërisht me sigurinë e Papës dhe të Kishës./abcnews.al

SPECIALE-PAPA-VATIKAN.mpg_snapshot_01.30-1280x720.jpg
G. P.19:43 | 21/11/2018

Papa Françesku kërkon impenjimin e gjithë shoqërisë dhe institucioneve shqiptare për ndaljen e emigracionit. Në audiencën e mbajtur në Vatikan dhe të organizuar nga ambasada jonë në Selinë e Shenjtë me rastin e vitit mbarëkombëtar të Skënderbeut, ai vlerësoi figurën e heroit tonë kombëtar dhe bashkëjetesën fetare.

Një pelegrinazh shqiptarësh në Vatikan. Kjo ishte pamja që krijonte delegacioni i shqiptarëve nga treva të ndryshme, ndërsa ngjisnin shkallet për në sallën “Clementine”  në Vatikan.

Audienca e rrallë që Papa Françesku pranoi të kishte, u organizua falë insistimit të kreut të misionit diplomatik shqiptar në Vatikan, Majlinda Dodaj. Një aktivitet përmbyllës i organizimeve në  550-vjetorin e vitit të vdekjes së heroit kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Ju falenderoj At i Shenjte, për dashurinë dhe respektin që edhe një herë treguat, ndaj vendit dhe Popullit Tim . Në këtë sallë janë 200 përfaqësues të popullit shqiptar, por me zemër këtu është e gjithë Shqipëria. Ju At i Shenjtë gjithnjë keni vlerësuar jetën religjioze në Shqipëri, bashkëjetesën paqësore midis feve të ndryshme. Sot , në këtë takim, pjesëmarrja e të gjithë liderëve fetarë e demonstron më së miri”, tha Dodaj.

Kardinali Shqiptar Ernerst Simoni, ndjekur nga pesë ipeshkvit katolikë, krerët e të gjitha besimeve fetare në Shqipëri, Kryetari i Parlamentit Gramoz Ruçi, Ministri për Diasporën Pandeli Majko, ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, komuniteteti i arbëreshëve, artistët shqiptarë me famë botërore, personalitete të jetës publike ishin ata që u vendosën përballe Papa Françeskut, i cili po behej gati të mbante një fjalim historik.

Duke kujtuar Skënderbeun, Papa Françesku nënvizoi se Heroi kombëtar i shqiptarëve “mbrojti me guxim vlerat shpirtërore dhe emrin e krishterë.  Me veprat e tij, farkëtoi identitetin kulturor shqiptar, duke u bërë simbol i padiskutueshëm lidhjeje dhe bashkimi kombëtar”.  Ati i Shenjtë nuk mbeti vetëm tek e kaluara pasi ai nxiti shqiptarët për “një impenjim të të gjithëve – institucione e qytetarë – në favor të zhvillimit të vërtetë e të ekuilibruar, në mënyrë që brezat e rinj të mos detyrohen të zgjedhin emigracionin”.

Ati i Shenjtë kujtoi atmosferën e respektit e të besimit të ndërsjelltë ndërmjet feve në Shqipëri – fakt, që e përmendi edhe gjatë udhëtimit të tij apostolik ne Shqipëri më 21 Shtator 2014. Gjate fjalimit te tij ai kujtoi martirët e komunizmit dhe Nënë Terezën, shenjtoren shqiptare, duke u kërkuar të gjithëve të luten për të.

Papa Françesku falenderoi edhe një herë organizatoren e kësaj ceremonie, kreun e misionit diplomatik të Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë në Vatikan Majlinda Dodaj. Audienca e Papa Françeskut vijoi me shkëmbimet e disa dhuratave që shqiptaret kishin menduar të linin si kujtim të vyer.

Në sallën “Clementine” binin ne sy burra dhe gra të cilët mbanin veshur kostumet shumëngjyrëshe popullore shqiptare dhe arbëreshe e po aq vëmendjen e Papës e tërhoqën edhe fëmijët që po ashtu përfaqësonin denjësisht përmes kostumeve popullore, kulturën dhe historinë e trevave të ndryshme.

Para 50 vjetësh një në 1968-tën një grup tjetër shqiptarësh do takonin në atë kohë Papa Pali VI, i cili u shpall nga kisha shenjt vetëm pak javë më parë. Në Shqipërinë e atyre viteve rrënoheshin kisha dhe xhami dhe Papën mundën ta takonin vetëm një grup shqiptaresh të diasporës.

Por si u arrit të realizohej kjo audience e veçante e Papa Françeskut, për këtë na zbuloi me shumë detaje kreu i misionit diplomatik në Sëlinë e Shenjtë, Majlinda Dodaj

Sot në 2018 Papa Françesku shtrëngoi dorën me të gjithë shqiptaret që ishin në sallë madje duke bërë që takimi të dukej i çliruar nga çdo emocion. Si pjesë e grupit të artisteve shqiptarë që ishin në takim ishte edhe Dua Lipa, e cila sot është një nga këngëtaret më të famshme në botë duke na bërë të gjithëve krenar për këtë sukses.

“Të bashkuar në muzike në kujtim të Skënderbeut”, ky ishte titulli i koncertit që do të ngjiste në skenë emrat më të suksesshëm shqiptarë me një karrierë ndërkombëtare. Grupi i shqiptarëve pas takimit me Papa Françeskun u zhvendos në Teartrin Argentina në qendër të Romës sëbashku me ambasadorë dhe të akredituar me punë pranë Selisë së Shenjtë në Vatikan.

Koncerti u hap me fjalën e kreut të misionit diplomatik shqiptar zonjës Dodaj, e cila gjatë fjalës së saj theksin e vuri tek uniteti që Shqipëria ka demonstruar në të gjitha kohërat dhe ftoi në skenë për të përshëndetur të pranishmit Sekretarin e shtetit të Vatikanit Kardinalin, Pietro Parolin. Kardinali dha vlerësimet e tij për këtë aktivitet duke nënvizuar se muzika është elementi që i bashkon të gjithë.

Dua Lipa, Ermal Meta, Inva Mula, Olen Çezari, Ramë Lahaj, Genc Tukiçi, Kledi Kadiu,  Eno Peçi, Elhaida Dani, Lorik Cana dhe Erza Muqolli, këngëtarja 8-vjeçare, aq e dashur për publikun francez emocionuan me interpretimet e tyre Live.

Një sipërmarrje aspak e lehtë të bësh bashkë të gjithë këta emra të famshëm të muzikës, por që mesa duket kur ka vullnet dhe insistim çdo gjë është e mundur.

Pas koncertit Sekretari i Shtetit të Vatikanit duke shprehur kënaqësinë dhe vlerësimet për aktivitetin në kuadër të vitit mbarëkombëtar të 550-vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, u takua personalisht me pjesën më të madhe të pranishmeve./abcnews.al

papa.jpeg
ent ela19:06 | 19/11/2018

Në pritjen e pelegrinëve shqiptarë të mbërritur në Vatikan për 550-vjetorin e Skënderbeut, Papa Françesku ka përkujtuar me superlativa heroin kombëtar shqiptar, duke e cilësuar hero të vlerave shpirtërore dhe shpëtimtar të krishtërimit.

Shqipëria, një tokë antike dhe me një histori të lavdishme, është pjesë integrale e Europës dhe përmes traditave të saj më fisnike dokumenton origjinën e qytetërimit të saj. Me këto fjalë ati i shenjtë Papa Françesku ka përshëndetur delegacionin e pelegrinëve të mbërritur në Romë nga Shqipëria, me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

“Sot përkujtojmë heroin Gjergj Kastrioti Skënderbeu, bir i një populli të fortë dhe bujar që ka mbrojtur me kurajë vlerat shpirtërore dhe krishtërimin, deri në atë pikë sa meritoi titullin Athleta Kristi”, ka deklaruar Papa.

Ati i shenjtë ka vlerësuar se, me gjestet e tij Skënderbeu i dha jetë identitetit kulturor shqiptar, duke u kthyer në një simbol të padiskutueshëm kohezioni dhe uniteti kombëtar.

“Ai ishte gjithashtu personi që ktheu në fakte vlerat e besnikërisë, duke çuar deri në fund zotimet e marra përsipër”, ka vijuar Papa Françesku.

Gjatë takimit, kreu i Kishës Katolike ka kujtuar para të pranishëmve faktin se gjatë epokës së Perandorisë Otomane, Skënderbeu ka patur marrëdhënie me 5 papa: Eugjenin e Katërt, Nikolonë e Pestë, Kaliston e Tretë, Pion e Dytë dhe Palin e Dytë. Dëshmi e kësaj është se edhe në ditët e sotme, në një pallat pranë selisë presidenciale të Italisë ndodhet një afresk që portretizon heroin shqiptar.

“Pak herë në histori një individ i vetëm ka mishëruar në mënyrë kaq të qartë dhe në masë kaq të madhe virtytet e një populli, deri në atë pikë sa është e vështirë të kuptosh shpirtin e tij pa u fokusuar tek parimet dhe vlerat që mishëruan këtë personazh unik”, ka thënë Papa. Pritja e Papa Françeskut ka qenë në kuadër të koncertit të organizuar nga ambasada shqiptare në Vatikan, me rastin e vitit ndërkombëtar të Skënderbeut. /abcnews.al

 


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono