padi

PArtia-Demokratike.jpg
nev ila15:40 | 20/07/2019

Partia Demokratike ka kallëzuar në prokurori anëtarët e KQZ-së, komisionerët e PS dhe zyrtarë të lartë për krimet e kryera para, gjatë dhe pas 30 Qershorit.

Sipas PD, në padinë e tyre, kërkohet nga kryeprokurorja Arta Marku që të mos pengojë hetimet për krimet elektorale të 30 Qershorit.

Njoftimi i Partisë Demokratike:

Partia Demokratike i kërkoi Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku, të mos pengojë hetimet për krimet zgjedhore duke i shërbyer axhendës së saj personale për t’u emëruar Kryeprokurore dhe regjimit kriminal të Edi Ramës.

Nëpërmjet një letre të datës 12 Korrik, për të cilën është vënë në dijeni edhe shefja e Misionit të ODIHR, Audrey Glover, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, vë në dukje se organi i akuzës në Republikën e Shqipërisë, jo vetëm nuk po heton seriozisht dosjet e vjetra 184/2016 dhe 339/2017, por nuk ka nisur asnjë hetim për asnjë prej shkeljeve të rënda ligjore që u konstatuan gjatë procesit antikushtetues të 30 Qershorit.

Letra e numrit 2 të PD-së shpreh hapur mosbesimin e opozitës për PPP Arta Marku, për shkak të zgjedhjes së saj antikushtetuese nga qeveria e Edi Ramës.

Që prej emërimit tuaj antikushtetues si Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme, kontrolli i qeverisë mbi prokurorinë është çimentuar, duke sjellë, njëkohësisht, çimentimin e kulturës së pandëshkueshmërisë ndaj zyrtarëve të lartë shtetërorë. Gjatë drejtimit tuaj, asnjë zyrtar i lartë i qeverisë, asnjë politikan, asnjë funksionar i lartë publik nuk ka dalë para drejtësisë për krimin e korrupsionit apo të krimeve zgjedhore, megjithëse denoncimet publike kanë qenë me qindra.” – thuhet në letrën e Sekretarit të Përgjithshëm të PD.

Duke akuzuar PPP Arta Marku se është bërë mburojë politike për krimet e qeverisë edhe me votimet e paligjshme dhe antikushtetuese të 30 Qershorit, PD rendit të gjitha shkeljet e ligjit, të vëna në dukje prej saj, nga media, misioni ODIHR-it para, gjatë dhe pas 30 Qershorit, si presioni ndaj punonjësve të administratës shtetërore, blerja e votave, mbushja e kutive të votimit, shkelja e ligjit dhe e Kushtetutës nga 4 anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve etj.

Të vetmit që nuk dëgjojnë dhe nuk shikojnë asgjë nga krimet e mësipërme janë prokurorët e Republikës, që duhet të ishin në krye të detyrës për të mbrojtur Kushtetutën dhe ligjet e vendit”, thuhet në letrën e Partisë Demokratike.

Për të treguar se deri ku shkon nënshtrimi i prokurorisë ndaj qeverisë, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, nxjerr në pah mosveprimet e prokurorisë për dosjet e krimeve zgjedhore dhe pasojat për vendin.

Mosveprimi i prokurorisë për krimet zgjedhore të partisë në pushtet është i përsëritur. Ai ka prodhuar pasoja të rënda për demokracinë, duke kaluar nga një masakër elektorale tek një tjetër. Në dijeninë tonë, deri tani, prokuroria nuk ka guxuar as të marrë në pyetje personat kryesorë të përfshirë në dosjet penale të krimeve elektorale të viteve 2016 apo 2017, si Edi Rama, Damian Gjiknuri, Ulsi Manja, Pjerin Ndreu etj”, thuhët në letër.

Megjithëse ka sjellë disa argumenta se PPP Arta Marku ka injoruar detyrimet e veta kushtetuese, PD nuk ka hequr dorë nga mundësia për ta vënë zonjën Marku para përgjegjësisë për të vepruar, duke i paraqitur, siç thuhet në letër, “disa indicie publike për krimet e reja zgjedhore.”.

Këto janë 7 pika kyçe që rrëzojnë si të paligjshëm 30 Qershorin.

  1. Moszbatimi i dekreteve të Presidentit me pasojë cenimin e të drejtës kushtetuese të qytetarëve për të zgjedhur.
  2. Regjistrimi i Bindjes Demokratike në kundërshtim me ligjin.

III. Cënimi i të drejtës së opozitës për të marrë pjesë në administrimin e zgjedhjeve

IIII. Mashtrimi dhe manipulimi me të dhënat e pjesëmarrjes në votimet e 30 Qershorit.

  1. Fletët e votimi “kontrabandë” për votimet në Bashkinë e Vaut të Dejës.
  2. Emërimi i komisionerëve në kundërshtim me ligjin nga ana e KQZ.

VII. Krimet zgjedhore në të gjithë territorin: blerja e votave, fshehtësia e votës, presioni në administratë etj.

Të gjitha këto indicie janë të shpjeguara me detaje për shkeljet ligjore të konsumuara gjatë, para dhe pas 30 Qershorit. Ato përfshijnë 9 vepra penale dhe të gjitha bashkë dënohen nga 31-45 vjet burg.

  1. Shpërdorimi i detyrës
  2. Fallsifikimi i materialit zgjedhor dhe rezultateve të zgjedhjeve
  3. Shkelja e fshehtësisë së votimit
  4. Votimi më shumë se 1 herë ose pa u identifikuar
  5. Korrupsioni aktiv në zgjedhje
  6. Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore
  7. Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje
  8. Marrja ose përdorimi i paligjshëm i dokumenteve të identifikimit

Në letrën për PPP Arta Marku, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, e identifikon atë si një mekanizëm frike që përdoret nga pushteti kundër prokurorëve për të mos hetuar krimet zgjedhore dhe krimet e tjera të qeverisë Rama.

Ju, jeni provuar në mënyrë të vijueshme, si zyrtari publik që, për llogari të pushtetit të shefit tuaj politik, Edi Rama, ushtroni presion të paligjshëm nëpërmjet transferimeve të paligjshme, vlerësimeve negative profesionale për efekt të vettingut, inspektimeve disiplinore etj. në mënyrë që prokurorët t’i binden urdhrave dhe porosive të paligjshme”, vëren në letër zoti Bardhi për t’i shpjeguar PPP Arta Marku përse kërkesa për lejimin e hetimeve po i adresohej asaj.

Në letrën dërguar për dijeni edhe shefes së Misionit të ODIHR-it, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, nxit PPP Arta Marku t’i shërbejë interesit publik dhe axhendës europiane të vendit përpara axhendës së saj personale, duke I dhënë fund pandëshkueshmërisë së atyre që kanë shkatërruar zgjedhjet.

Është koha që ambicia juaj për t’u emëruar Prokurore e Përgjithshme me ndihmën e Edi Ramës të mos pengojë hetimin e krimeve zgjedhore të partisë në pushtet, të korrupsionit të qeverisë së Edi Ramës dhe të krimit të organizuar me lidhje qeveritare”, mbyllet letra e Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Gazmet Bardhi./abcnews.al

voltana-ademi.jpg
G. P.15:20 | 17/07/2019

Kryetarja e Bashkisë Shkodër Voltana Ademi ka depozituar në prokurori padinë për shkeljet e kryera në 30 Qershor. Ajo deklaroi për mediat se është kryer një krim elektoral dhe në dosje janë të gjitha faktet që provojnë një gjë të tillë.

Ademi kërkoi nga prokuroria që të hetojë dhe të ndjekë penalisht personat përgjegjës. Në lidhje me lirimin e zyrës pas 12 Gushtit kryebashkiakja e Shkodrës u shpreh se është në pritje të zhvillimeve të reja politike./ABC News Albania 24/7

kqzz-1280x724.jpg
G. P.16:13 | 12/07/2019

PS dorëzon në Kolegj Zgjedhor 4 padi për rezultatin e 30 Qershorit. Bëhet fjalë për bashkitë Ura Vajgurore, Konispol, Devoll dhe Kuçovë. Partia Socialiste kërkon shpërndarjet e mandateve për 4 këshillat bashkiakë.

Për këtë arsye selia rozë i kërkon Kolegjit të shprehet pasi Komisioni Qendror i Zgjedhje nuk mundi t’i shpërndajë mandatet. Për ta arritur këtë kërkohen 5 vota në KQZ, por kryetari i saj, Klement Zguri, voton kundër.  Kryetarët e rinj të bashkive nuk mund të nisin dot detyrën pa u betuar në Këshillin Bashkiak./ABC News Albania 24/7

policia-e-shtetit.jpg
nev ila22:32 | 26/06/2019

Ish-deputeti i PD Xhemal Gjunkshi në një komunikatë për mediat nga selia blu deklaroi se drejtuesit e policisë  në Dibër po shpërndajnë pistoleta për militantët e Rilindjes, si dhe po kërcënohen me jetë qytetarët që të dalin dhe të votojnë në 30 qershor.

Gjunkshi tha se drejtuesit e policisë në Dibër iu bëjnë presion qytetarëve që të japin votat. Ai shtoi se ministri Lleshaj gënjeu publikisht kur tha se ka shkarkuar drejtuesit policorë në Dibër, pasi ata janë akoma duke punuar.

Për këtë deklaratë të Gjunkshit ditënn e sotme, ka reaguar Policia e shtetit e cila mohon akuzat dhe thotë se deklarata e Gjunkshit është një shpifje e ulët.

“Reagim i Policisë së Shtetit

Lidhur me deklarimin e sotëm publik të ish-deputetit të PD, Xhemal Gjunkshi, ku aludon se Policia e Dibrës ka shpërndarë armë në qytet, sqarojmë se:

Kjo deklaratë është krejtësisht një shpifje e ulët dhe plotësisht e fabrikuar.

Policia e Shtetit e hedh poshtë me përbuzje një deklarim të tillë, që në fakt të vetmin reagim që meriton është padia ndaj deklaruesit Gjunkshi në gjykatë.

Aty ai do të duhet që përpara ligjit të sqarojë motivet e kësaj insinuate të ulët.

Policia e Shtetit gjen rastin të garantojë qytetarët se është në krye të detyrës dhe e angazhuar për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe sigurinë e tyre në tërësi.

Për çdo informacion që disponon, çdokush mund të denoncojë në kushte anonimati në numrin unik 112 ose numrin falas të SHÇBA, 0800 90 90″./abcnews.al

tarifa.jpg
G. P.20:50 | 26/04/2019

Profesori i njohur, Fatos Tarifa, i ftuar në emisionin “Provokacija” i është përgjigjur drejtorit të Institutit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Agron Tufa. Ky i fundit para pak ditësh hodhi padi mbi të dhe mbi disa intelektualë të tjerë për fyerje për shkak të detyrës.

Ish-ambasadori Tarifa tha se i konsideron gjërat që ka thënë si angazhim për të kryer detyrën e tij si intelektual. Tarifa e konsideron të drejtë e tij që të kritikojë diçka që ka pikëpamje të gabuar.

“Unë i përgjigjem dhe i përgjigjem kudo që të jem që nëse ai e quan këtë fyerje për shkak të detyrës zyrtare që ai ka, unë e quaj një angazhim për të kryer detyrën time intelektuale. Kjo është detyra ime, të kritikoj atë që shoh që shpreh një pikëpamje të gabuar, për të informuar opinionin publik dhe për të sjellë një pikëpamje tjetër. Nuk i trembem asnjë polemike, asnjë debati, asnjë akuze pse bëj detyrën time si intelektual”, tha Tarifa./abcnews.al

luciano-boci.jpg
G. P.16:28 | 08/04/2019

Gjykata Penale e Tiranës ka mbyllur procesin gjyqësor midis ish-ministres së Arsimit, Lindita Nikolla, si e dëmtuar akuzuese dhe  të akuzuarit Luçiano Boçi. Gjykata deklaroi fajtor të veprës penale të fyerjes dhe shpifjes ish-deputetin e PD, duke e gjobitur me 70.000 lekë.

Ish-ministrja Nikolla ngritit paditi për ish-deputetin Luçiano Boçi, pas akuzave që bëri demokrati Boçi për shkelje në tenderin për dëftesat e shkollave 9-vjeçare. Luçiano Boçi e akuzonte Nikollën për favorizim në tendera dhe korrupsion, pasi kishte vonesa në printimin e dëftesave pas një gabimi teknik për nxënësit e shkollave 9-vjeçare.

Ish-ministrja e arsimit kishte sqaruar se tenderat për dëftesat nuk zhvillohen nga Ministria e Arsimit. por nga Ministria e Brendshme, fakt ky që u pasua me kallëzimin penal në 2018-n./abcnews.a

cohennn.jpg
G. P.23:45 | 07/03/2019

Pasi dëshmoi kundër presidentit Donald Trump në një proces gjyqësor, ish-avokati Michael Cohen ka kërkuar nga kreu i shtetit që t’i paguajë të gjitha shpenzimet ligjore, pavarësisht se ka dëmtuar rëndë figurën e tij.

Ish-avokati personal i Donald Trump, Michael Cohen ka paditur organizatën private të presidentit amerikan me argumentin se i detyrohet miliona dollarë në shpenzime ligjore. Paradoksalisht, Cohen akuzon kompaninë e kreut të shtetit se ka refuzuar t’i paguajë atij shpenzimet për proceset gjyqësore në dëm të ish-punëdhënësit e tij. Juristi 52-vjeçar pranoi të bashkëpunonte me autoritetet që po hetonin fushatën elektorale të Trump, si dhe me ato të ndërhyrjes së përfolur ruse në zgjedhjet e 2016-s. Cohen pretendon se gjyqet ku u përfshi i kushtuan 1.9 milionë dollarë, të cilat sipas tij duhet t’ia paguante kompania e presidentit në bazë të një kontrate të mëhershme.

Gjithashtu, ish-avokati kërkon shlyerjen e disa tarifave të prapambetura teksa përfaqësonte ende Donald Trump. Në muajin maj, Cohen do të përballet me një dënim 3-vjeçar me burg në kuadër të gjyqit ku u vetëdeklarua fajtor për akuzat e shkeljes së ligjeve të fushatës elektorale, kryerjen e pagesave të fshehta dhe për mashtrim të Kongresit të Shteteve të Bashkuara. Vetëm javën e kaluar 52-vjeçari dëshmoi sërish në Kongres, këtë herë duke etiketuar presidentin Trump si një njeri “racist, batakçi dhe mashtrues”. Nga ana e tij, kreu i shtetit e ka akuzuar ish-përfaqësuesin e tij ligjor se ka gënjyer në dëm të figurës së tij për të përfituar një dënim më të lehtë, si dhe ka mohuar shkeljen e ligjeve elektorale dhe mpleksjen me palën ruse./abcnews.al

landfilli.jpg
G. P.18:20 | 28/02/2019

Banorë të Porto Romanos dhe studentë të Kampusit Universitar “Aleksandër Moisiu”, i janë drejtuar Gjykatës Administrative të Shkallës se Parë Durrës me një kërkesë padi ndaj bashkisë së qytetit.

Ata kërkojnë marrjen e masave në landfillin e Porto Romanos në drejtim të menaxhimit të mbetjeve dhe uljen e nivelit të ndotjes.  Sipas banorëve dhe studentëve, pavarësisht se kanë kaluar 7 muaj nga shpallja e Emergjencës Mjedisore, në terren asgjë nuk ka ndryshuar.

Vendgrumbullimi i mbetjeve në Porto Romano vazhdimisht ka qenë në qendër të vëmendjes për shkak të ndotjes që shkakton. Landfilli nuk plotëson asnjë standard për përpunimin e mbetjeve, të cilat hidhen në terren./abcnews.al

edi-rama-3.jpg
G. P.15:25 | 29/11/2018

Pasi propozoi përballjen në gjykatë me çdo person që shpif kundër ministrave apo deputeteve, kryeministri Edi Rama, ka vërshuar me një lumë padish në gjykatën e Tiranës. Vetëm gjatë Nëntorit në gjykatën e kryeqytetit janë regjistruar gjashtë padi të Ramës kundër Lulzim Bashës dhe Sali Berishës.

Propozimi i kryeministrit Edi Rama për të paditur në gjykatë gjithkënd që shpif ndaj ministrave apo deputetëve të tij duket se nuk ka mbetur vetëm në kufinjtë e retorikës politike. Gjatë muajit Nëntor në Gjykatën e Tiranës janë depozituar gjashtë padi për shkaktim dëmi, në të cilat si palë paditëse është kreu i qeverisë Edi Rama.

Sipas të dhënave zyrtare, paditë e firmosura nga kryeministri i vendit janë kundër dy kundështarëve të tij politikë Lulzim Basha dhe Sali Berisha. Për kryeopozitarin Basha, kryeministri ka depozituar katër padi. Të gjitha ato janë për “shkaktim dëmi”. Sipas burimeve, në përmbajtjen e tyre Rama konsideron si shpifëse disa deklarata publike të bërë nga kryetari i Partisë Demokratike. Ndërsa kundër ish-kryeministrit Sali Berisha, Rama ka dorëzuar dy padi në gjykatë.

Por kryeministri nuk është i vetëm në përballjet gjyqësore për “shpifje” kundër anëtarëve të opozitës. Një tjetër padi e regjistruara gjatë Nëntorit kundër një deputeti demokrat mban emrin e kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla. Deputeti Balla ka depozituar padi kundër demokratit Gent Strazimiri. Paditë në fjalë janë hedhur në short dhe regjistruar, ndërsa në ditët në vijim pritet të nisë edhe shqyrtimi i tyre.

Sipas propozimit të bërë nga Rama në 12 Tetor 2018 të gjitha paratë që do të fitohen nga gjyqet për shpifje do të shkojnë në Fondin e Edukimit, fond që do të mbështetë çerdhet dhe kopshtet./abcnews.al

paddii.jpg
G. P.08:20 | 14/11/2018

CNN ka paditur presidentin Donald Trump dhe figura të rëndësishme të stafit të tij për heqjen e aksesit të gazetarit të saj në aktivitetet e Shtëpisë së Bardhë. Në padi, rrjeti informativ pretendon se presidenti ka shkelur amendamentin kushtetues për lirinë e shprehjes.

CNN ka ngritur të martën një padi ligjore ndaj presidentit Donald Trump dhe administratës së tij, për heqjen e kredencialeve të gazetarit korrespondentit të saj në Shtëpinë e Bardhë, Xhim Akosta. Në padinë e dorëzuar në Gjykatën e Uashingtonit, rrjeti informativ amerikan kërkoi që gazetarit t’i kthehen kredencialet dhe akuzoi administratën për shkelje të lirisë së shprehjes, që garantohet me Kushtetutë.

Duke reaguar, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders deklaroi se padia është një tjetër përpjekje e CNN për të qenë në qendër të vëmendjes dhe paralajmëroi se administrata do të mbrohet prej saj. Heqja e kredencialeve javën e kaluar është konsideruar përshkallëzim i sulmeve të presidentit Trump ndaj mediave.

Në muajt e fundit kreu i shtetit i ka intensifikuar tonet ndaj reporterëve që mbulojnë aktivitetet e tij, duke kaluar edhe në fyerje personale në rastet kur ata kanë bërë pyetje që atij nuk i kanë shkuar për shtat. Një ditë pas zgjedhjeve të 6 Nëntorit, Trump shpërtheu ndaj gazetarit Xhim Akosta pasi gjatë konferencës për shtyp ai e pyeti mbi ndërhyrjen ruse dhe karvanin e emigrantëve të nisur nga Amerika Qendrore.

“Mjaft! Mjaft më! Ti je një njeri harbut dhe i tmerrshëm. Je armiku i popullit”, i tha Trump gazetarit dhe menjëherë më pas i hoqi aksesin në Shtëpinë e Bardhë. Në padinë e saj, CNN citon Trump që paralajmëroi se të njëjtin fat mund të kenë edhe gazetarë të tjerë./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono